KURANI OFRON SISTEMIN MË TË PËRKRYER PËR NJERËZIMIN

Për Kuranin Famëlartë janë shprehur shumë njerëz me fjalë të mrekullueshme gjatë 14 shekujve. Ajo që na takon neve sot, është që t’i përcjellim këto të vërteta në mënyrën më të kuptueshme dhe më të vlefshme për shoqërinë shqiptare. Ndryshe nga sistemet e tjera, që janë ndërtuar nga dora e njeriut, Kurani është një kushtetutë hyjnore, që ofron sistemin më të përkryer, duke i dhënë njeriut orientime për të kuptuar e ndërtuar jetën personale, familjare e shoqërore në tokë. Zoti e ka bërë këtë nëpërmjet njerëzve të zgjedhur nga Ai, profetëve, duke dërguar libra e broshura edhe përpara zbritjes së Kuranit.

Kurani, si libri i fundit hyjnor, është i pacenueshëm dhe i pandryshueshëm deri në ditën e fundit të kësaj bote, kjo për faktin se vetë Zoti e ka marrë nën mbrojtje prej armiqve të mundshëm. Nëse do ta shprehnim me një fjali gjithëpërfshirjen e tij, do të thonim se Kurani krijon raportin mes individit dhe Krijuesit, individit me veten e tij dhe individit me shoqërinë. Kurani na tregon se çfarë është feja, dashuria, bukuria, virtyti e keqja dhe e mira. Aty do të gjejmë dispozita të mjaftueshme se si të rregullojmë moralin dhe marrëdhëniet në mes njerëzve, si dhe të drejtat për të gëzuar të mirat materiale e shpirtërore.

Kurani është i vetmi libër që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve gjer te kafshët, që ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, mitet, fajdenë, gënjeshtrën, dëshminë e rreme… Përsëri është vetëm Kurani libri, i cili, duke marrë nën mbrojtje bonjakun, të varfrin dhe viktimën, i barazon mbretin me shërbëtorin, komandantin me ushtarin, akuzuesin me të akuzuarin dhe i gjykon…

Kurani Fisnik, i cili, pasi në krye, thekson se të gjithë njerëzit janë të ndarë në fise prej një familjeje që është e bashkuar në një unitet fillestar, vë në dukje se nderi dhe fama e të gjithë individëve, të cilët janë të barabartë në pikëpamjen e krijimit, gjendet vetëm në devotshmëri dhe se nuk ka asnjë individ apo grup më të lartë se të tjerët. Bashkë me këtë, ky libër i madhërishëm, zgjon në zemra e shpirtra idenë e virtytit dhe shpall se nuk kanë ndonjë vlerë apo meritë lavdërimi ata, të cilët nuk e pajisin ndërgjegjen e tyre me mesazhin e tij universal. Këto mesazhe të larta, tregojnë se themelimi dhe stabilizimi i një sistemi, si dhe mbarëvajtja e tij, janë kushtet thelbësore për të pasur një jetë të rregullt që garanton lumturinë e njerëzimit.

Kurani është fjalë hyjnore e zbritur për njeriun, për t’i dhënë atij mundësinë që të jetë bashkëbisedues me Zotin dhe meritor i emërtimit “krijim i bukur”. Në klimën e ndritshme të Kuranit, njeriu bëhet pjesë e realitetit fizik e shpirtëror, sheh ringjalljen dhe Siratin, mendon për dënimin e shpërblimin dhe aspiron të shëtisë në majat e gëzuara të parajsës… Zoti urdhëron e thotë:

Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (malin) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve që ata të meditojnë.”[1]

Po qe se, duke iu marrë parasysh madhështia, do t’u ishte zbritur maleve, do të shihnit se si malet do të bëheshin copë-copë. Sigurisht, nga impresionimi dhe tronditja para Allahut, malet do të rrënoheshin, kurse njeriu s’pëson gjë, sepse e mban mendjen dhe zemrën larg Kuranit. Njeriu, i cili nuk i bën vend Kuranit në mendje dhe në botën e vet të brendshme, gjithsesi nuk do të ketë pjesë prej tij. Myslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kuranit dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kuranit, jo vetëm që s’mund të jenë besimtarë të mirë, por edhe as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre.

Problemi qëndron në qasjen ndaj metodologjisë hyjnore, me ç’rast myslimani i mëhershëm bashkëvepronte me Kuranin në sajë të faktit se është sistem i vlerave, udhërrëfyes, kandil ndriçues, ushqyes i mendjes dhe shpirtit, platformë e shëndoshë për ndërtimin e institucioneve të sistemit, frymëzues, që njeriut i ofron përgjigje për pyetjet më enigmatike: kush është ai, nga erdhi dhe si do të jetë fundi i tij dhe botës që e rrethon, kush e krijoi universin, cila është zanafilla e tij, etj. Libër, i cili myslimanëve ua mësoi parimet për projektin madhështor për ngritjen e një qytetërimi të paparë deri atëherë. Praktikisht kjo ndikonte pozitivisht në lidhjen dhe qasjen serioze ndaj Kuranit Fisnik.

Qasja jonë e gabuar manifestohet në faktin e anashkalimit të njohurive dhe të vërtetave kuranore, ku kryesisht bëhet lexim sipërfaqësor larg meditimit, analizimit të argumenteve racionale, që i drejtohen njeriut, porosive për ngritje morale e shpirtërore. Sistem, të cilin e kishte praktikuar vetë Profeti (a.s.) duke i mësuar shokët e tij, që raporti i tyre ndaj Kuranit të jetë raport bashkëveprimi, i cili duhet materializuar në jetën e përditshme, sikur janë porositë, udhëzimet, urdhëresat e ndalesat kuranore.
Por, sot, raporti ynë me Kuranin është sipërfaqësor. Sa për ilustrim, më tepër na intereson sa ishte i gjatë Ademi (a.s.), sa germa ka Kurani, kush i lidhi në martesë Ademin me Havën, etj. Para nesh kalojnë një numër i madh ajetesh, të cilat ftojnë në logjikë, meditim, që dëshmojnë për përsosurinë e krijimit të njeriut, për marrëdhëniet njerëzore, etj. Jo më kot thotë Zoti në Kuran:

A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata i kanë zemrat e kyçura”.[2]

Si përfundim, me gjithë problematikat e veta, shoqëria njerëzore, sot e gjithmonë, gjen në Kuran mesazhin e Krijuesit, i Cili e udhëzon njerëzimin se si të gjejë rrugën e shpëtimit dhe çelësat e lumturisë. Kurani i nxit të gjithë njerëzit, femra e meshkuj, që të kërkojnë diturinë e dobishme, të dallojnë të mirën nga e keqja, të punojnë e të fitojnë me djersën e ballit. Meqenëse Kurani është një libër formues e orientues, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje, njerëzit duhet të jetojnë me të, sepse ai është udhërrëfyes për të gjithë ata, të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij.

Dorian Demetja

[1] Hashr, 59:21

[2] Muhamed, 47:24