Ne jemi sot në muajin e Rebiul-Evvelit, në muajin që neve kremtojmë një prej ditëve me rëndësi të popullit musliman. Në të përkujtojmë ditëlindjen e Pejgamberit Muhamed (a.s), ditën që erdhi në këtë botë ai që e dërgoi Zoti mëshirë për të gjithë gjithësinë.
Ç’mund të thotë njeriu që të përkujtojë Pejgamberin Muhamed, që është zotëria i njerëzisë në të tërë kohët e shekujt? Si mund të cilësohet një oqean i tillë nga një pikë? Ose si mundet xixëllonja të përfaqësojë dritën e diellit? Është e pamundur që për një njeri sado orator e i shkolluar që të jetë, në një kohë të shkurtër sikur mbahen fjalimet në këtë rast, të përshkruajë e të flasë për Pejgamberin Muhamed (a.s.) të cilin e ka lavdëruar vetë Zoti duke thënë: “Me të vërtetë ti (o Muhamed) ke moralin më të lartë”. Puna që bën një person në raste të tilla është sikur të dojë të zbrazë një oqean me një lugë.
Megjithatë nuk mund të lihet ky rast pa këputur disa lule nga kjo lulishte, jeta e Muhamedit (a.s.), ku secila lule është më e bukur se tjetra; ne këtu do të paraqesim fluturimthi si një shirit fotografik disa aspekte të jetës së tij. Zoti na ndihmoftë.
Lindja e Muhamedit (a.s.) qe sihariq për ringjalljen e së vërtetës, që nuk njihej ngaqë tërë botën e kish mbuluar errësira dhe paralajmëruese e ardhjes së mbarësisë e mirësisë të cilën kishte kohë që bota e priste, që me të të zbardhte një ditë e re me vlera të larta e ideale të shkëlqyeshme, të zhdukte e të mposhte shtypjen që luante nën të njerëzimi.
E dërgoi Zoti Muhamedin në një kohë kur njerëzia kishin humbur rrugën e drejtë, mendjet dhe shpirtrat e shumicës ishin ndryshkur, ishin bërë si statuja e i luteshin statujave, ishin gurë e u faleshin gurëve e qe mbushur dheu me supersticione e besime të kotë. Përfitonte i forti nga injoranca e padija e i shtypte popujt dhe i mposhte shpirtrat e mendjet e tyre duke i bërë skllevër nga pakica; u formuan shtresa që përbuznin njëra-tjetrën.
Por Zoti me mëshirën e Tij, i cili kujdesej për njerëzinë më tepër se nëna për fëmijën e vet, zgjodhi Muhamedin (a.s.) më të mirin e njerëzisë për t’u kumtuar mesazhin e fundit, Kuranin, që t’i shpëtonte nga humnera në të cilën ishin zhytur. Muhamedi qe për njerëzimin si një shi që bie pas një kohe të gjatë thatësire dhe e ngjall dhe i jep jetë Tokës. Mësimet që kumtoi Muhamedi (a.s.) me anën e Kuranit, qenë një dritë për t’u treguar udhën e drejtë atyre që e kishin humbur nga errësira e madhe që i kish kapluar. Iu ktheu popujve njerëzillëkun e nderin, se që kur filluan të adhurojnë një Zot, krijuesin e tyre, në vend të gurëve e drunjte, që ia bënin shokë Atij, iu pastruan shpirtrat iu ndriçuan mendjet e iu shkëlqyen shpirtrat, u çliruan mendjet nga prangat e poshtërimit, nga të fortët e i këputën e i thyen prangat e skllavërisë dhe u bën të lirë, e filloi të nderohej njeriu jo pse ishte i fortë, ose vinte nga një familje e mirë, ishte i pasur ose kishte këtë apo atë ngjyrë, por ishte me të vërtetë njeri ai që i bënte më mirë njerëzimit, ai që kish sjellje të mira, që ai sakrifikonte për hir të fesë e të atdheut, ai që mbronte të drejta, ai që ish i mësuar dhe i mësonte të tjerët. Shkurt, Muhamedi (a.s.) e mësoi njerëzinë sipas mësimeve të Kuranit, se njeriu më i mirë është ai që bënte më mirë njerëzimit.
Në kohën që erdhi Muhamedi (a.s.), bota mund të ndahej në dy kampe, njëri që ishte krejt materialist dhe që nuk mendonte se si e fitonte pasurinë të cilën pastaj e përdorte vetëm për të kënaqur epshet e tij dhe tjetri, që ishte ndarë krejt nga bota, ishte mbyllur në muret e manastireve dhe që s’donte të dinte çfarë ndodhte jashtë këtyre mureve. Por mësimet që solli Muhamedi (a.s.) i kombinuan të dyja. Këto mësime lidhën materien me shpirtin me një nyjë që nuk mund të zgjidhen, e bëri secilën të domosdoshme për tjetrën, duke i porositur njerëzit që të punonin për këtë botë, por të mos harronin të përgatiteshin edhe për botën tjetër, prandaj Kurani urdhëron e thotë: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë nga njerëzit, urdhëroni të mirën e ndaloni të keqen…” (Kurani, 3:110)
Miliona njerëz nga pasuesit e fesë që predikoi Muhamedi (a.s.) në këto ditë hapin fletët e historisë që të studiojnë jetën e tij, jetën e njeriut më të madh të botës.
Qysh në foshnjëri ishte i zhveshur nga veset e liga, ishte i pastër nga çdo e keqe që të njolloj, qysh në rini u titullua nga populli i tij “Emin”-besniku, i drejti. Ai u zgjodh si arbitër për të zgjidhur një problem që mund të shkaktonte gjakderdhje. Ra në kundërshtim populli i tij kur po meremetonin Qaben se kush ta nrinte e vendoste në vendin e vet Gurin e Zi, secili nga paria donte ta bënte atë, pranuan vendimin e Muhamedit (a.s.) kur e vuri në një rrobë prej çdo të pari të kapte në një anë rroben dhe mandej e vuri po vetë në vendin e duhur. Kështu që me veprën e tij kënaqi të gjithë kryetarët e fiseve. Kjo ngjarje sikur e një paralajmërim se ai do të kumtonte mesazhin e fundit hyjnor dhe do të pastronte Qaben nga idhujt, duke e kthyer atë në një tempull ku lutej vetëm një Zot, të njëjtin Zot për të cilin e kishte ndërtuar atë Ibrahimi (a.s.) me të birin Ismailin.
Kur Muhamedi u afrua në dyzet vjetët e jetës së tij shkonte në një shpellë ku lutej e meditonte, duke u larguar nga idhujt të cilëve i falej populli i tij, dhe i lutej Zotit natë-ditë që ta udhëhiqte në rrugë të mbarë në fenë e Ibrahimit. Në moshën dyzetvjeçare, në shpellën hira ku meditonte, zbriti Xhibrili, i cili i komunikoi se Zoti e kishte zgjedhur Pejgamber dhe fillo it’i kumtoj pjesët e para të Kuranit, librin e shenjtë tonin, i cili kritikonte adhurimin e idhujve dhe i ftonte njerëzit që t’i luteshin vetëm një Zoti, Krijuesit të gjithësisë. Ftoi njerëzinë në këto mësime të reja pa patur të tjerë përkrahës veç Zotit; u përpoq, vuajti dhe u mundua, luftoi me vullnet të hekurt pa u mërzitur nga mundimet e pengesat që i nxirrnin idhujtarët derisa në fund fitoi.
Muhamedi në jetën e tij ishte shembull i shkëlqyeshëm idealisti në fjalë e në vepra, në shtëpi dhe me popullin, në paqe e në luftë. Ishte sikur e cilëson Imam Aliu: “Më dorëhapuri i njerëzisë, më zemërmiri, më i drejti në fjalë, dhe më i besuari; kushdo që e shihte ndiente respekt për të, kush merrej me të e dashuronte.
Muhamedi (a.s.) ishte shumë i dashur, kujdesej tepër për shokët e tij, kur mungonte ndonjë prej tyre pyste për të. Gruaja e tij, Aisheja, na tregon për të: “Kur ishte në shtëpi, ishte njeriu më i butë e më i ëmbël.”
Pejgamberi (a.s.) ishte shumë i përvuajtur e urrente madhështinë e mburrjen nuk i vinte shumë rëndësi gjërave të kësaj bote. Megjithatë e mbante veten shumë pastër, krihej e i mbante mirë flokët dhe lyhej me erëra të mira. Salltanete nuk donte. Shumë mbretër, princër, e të parë i dërgonin dhurata të çmuara, por ai nuk i mbante për vete, i shiste dhe të holat i përdorte për të ndihmuar të vobektit ose për t’i shërbyer fesë islame. kurrë nuk e mbushte plot stomakun , asnhëherë nuk kërkoi nga familja e tij t’i përgatitej një ushqim i posaçëm, hante çfarë t’i vihej përpara dhe pinte çfarë i jepej nga pijet e lejueshme.
Ai ishte më bujar se retë që derdhnin shi, ndihmonte nevojtarin dhe përkrahte të vobektin, ushqente të uriturin e vishte të zhveshurin. Kurrë nuk i tha njeriu që i kërkonte ndihmë “Jo”, e nuk iu shmang asnjëherë nevojave të të tjerëve e kur s’kishte çfarë t’u jepte i përcillte me fjalë ë mira e priste derisa t’i jepte Zoti diçka që t’i ndihmonte. Kaq bujar qe me njerëzit e vobektë saqë njëherë e bija e tij, Fatimja shkoi e iu ankua për punët e shumta që kishte në shtëpi dhe i kërkoi t’i gjente një shërbëtore. Ai i tha: “Unën nuk mund të të jap ty shërbëtore e t’i lë banorët e Sufas të mbajnë barkun me dorë nga uria”. Sofa ishte vendi ngjitur me xhaminë ku banonin shokët e varfër të Pejgamberit (a.s.) kalonin kohën me studime; Muhamedi (a.s.) kujdesej për mbajtjen e tyre.
Muhamedi (a.s.) ishte tepër trim e guximtar, luftonte burrërisht për mbrojtjen e lirisë, fesë e të atdheut; shihej përherë në mes të betejave. Imam Aliu tregon: “Kur ndizej lufta vërenim se Pejgamberi gjendej më afër armikut se askush tjetër.”
Kur dilte fitues ndër beteja nuk i rritej mendja e nuk mburrej, dhe kur ndonjëherë ndodhte e kundërta nuk e priste shpresën dhe nuk dëshpërohej, por studionte shkaqet e dështimit dhe mundohej të ndreqte gabimet. Dhe në të dy rastet falënderonte Zotin e i lutej për ndihmë.
Triumfoi e çliroi Mekën nga idhujtarët që e kishin munduar atë si dhe shokët e tij që e kishin brë të vuante aq shumë duke e detyruar të linte dhe vendlindjen e tij prej persekutimeve të mëdha që i bënin, por ku i kishte në dorë e kishte fuqi t’i dënonte, i fali dhe i ndjeu duke u thënë: “Shkoni se jeni të lirë!”
Kërkuan shokët e tij nga Muhamedi (a.s.) që t’i mallkonte idhujtarët pas betejës së Uhudit, në të cilën ishte i plagosur nofulla e i kullonte gjaku rrëke, por ai u përgjigj se nuk e kishte dërguar Zoti për të mallkuar, por për të mëshiruar dhe u lut: “O Zot, fale popullin tim se ata nuk dinë.”
Sot në muajin e ditëlindjes së Pejgamberit Muhamed (a.s.) po mjaftohem me kaq sa të paraqes shkurtimisht jetën e ij të shkëlqyer, që ta marrim se shembull në mbrojtje të fesë e të atdheut, në përkrahje të së vërtetës e të së drejtës, në ftesën për të bërë të mira dhe për largimin nga të ligat. Zoti me madhërinë e vet urdhëron e thotë në Kuran: “Ju me të vërtetë keni shembull të shkëlqyer në të dërguarin e Zotit…” (Kurani, 33:21)
Zoti na bëftë prej atyre që e studiojnë me kujdes jetën e Pejgamberit (a.s.) e përpiqen ta marrin shembull në jetën e tyre.
Imam Vehbi Ismaili