Gjatë hyrjes në disa xhami, një person përballet me një grumbull njerëzish të ndryshëm. Ai vëren dikë që qëndron në namaz me duart e kapura së bashku nën kërthizë, disa me duart e tyre të vendosura mbi kraharor, dhe disa me duart e tyre nën kraharor. Ai gjithashtu sheh disa të tjerë që falin namazin me duart e lëshuara anash.

Pas vështrimit të një pamjeje të tillë, pyetja që shumë shpesh lind në mendjet e këtyre personave është: “Cila është metoda e saktë e vendosjes së duarve në namaz?” ose “Ku i ka vendosur i Dërguari i Allahut a.s. duart e tij gjatë namazit?

Diskutimi në vijim do të kërkojë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të përcaktojë Sunetin (metodën më të preferuar) e vendosjes së duarve gjatë qëndrimit (në këmbë) në namaz.

Pika e parë që duhet të sqarohet këtu është se të gjitha mënyrat e vendosjes së duarve në namaz, të përmendura në hadithet profetike, janë të lejuara dhe diferenca e mendimit është se cila prej metodave është më e preferuar prej tyre

Pika e dytë është se ka shumë pak hadithe autentike (sahih) në lidhje me këtë çështje dhe shumica e transmetimeve, që shpjegojnë mënyrat e ndryshme të mbajtjes së duarve në namaz, janë klasifikuar ose si shumë të dobët ose lehtësisht të dobët.

Ky fakt e bën çështjen pak më të ndërlikuar se çështjet e tjera. Megjithatë, shpresohet se deri në fund të këtij kapitulli, suneti dhe metoda më e preferuar e vendosjes së duarve në namaz do të bëhet e qartë.

 

 

Hadithet për këtë çështje

 

Dijetarët pohojnë se nuk ka asnjë hadith të saktë që të vërtetojë mendimin e Imam Malikut për lëshimin e duarve anash trupit gjatë namazit. Disa kanë përmendur se arsyeja për një veprim të tillë është frika e thellë, droja dhe respekti për Allahun e Lartësuar, se kur një person qëndron përpara Tij, ai harron t’i lidhë duart e tij së bashku dhe ato lihen të lëshuara në dy anët e trupit. Cilado qoftë arsyeja, ekzistojnë transmetime nga disa sahabe, të cilët janë falur me duart e lëshuara në dy anët e trupit.[1]

Nga ana tjetër, ekzistojnë transmetime të shumta, që vërtetojnë se Pejgamberi a.s. i vendoste duart në trupin e tij, ndërsa qëndronte në këmbë gjatë namazit dhe nuk i lëshonte ato në dy anët e trupit. Këto transmetime, gjithsesi, ndryshojnë shumë rreth faktit se ku i vendoste saktësisht Pejgamberi a.s. duart në trupin e tij. Një transmetim shumë i njohur në lidhje më këtë çështje është ai i Uail ibën Huxhr r.a., i cili gjendet në shumë koleksione hadithesh. Sidoqoftë, dijetarët e kanë etiketuar këtë transmetim si problematik [mudtarib] dhe kontradiktor.

Në një version të këtij transmetimi, që gjendet në Sahihun e Ibn Huzejmes, Ua’il Ibën Huxhr ka thënë: “Kam falur namazin me të Dërguarin e Allahut (a.s.) dhe ai vendosi dorën e tij të djathtë mbi të majtën në kraharor”. Varianti në Musnedin e El-Bezzarit ka fjalët “afër kraharorit” në vend të “në kraharor”, ndërsa te “Musanaf Ibën Ebi Shejbe” theksohet “nën kërthizë”.

Dy variantet e para mbështesin mendimin e atyre, të cilët pohojnë se është më e preferueshme vendosja duarve në kraharor ose pranë tij, ndërsa varianti i tretë mbështet mendimin e medhhebit hanefi. Sidoqoftë, duhet vërejtur se të tre këto versione përmbajnë disa elemente dobësie. Secili prej tyre do të analizohet në paragrafët në vijim, së bashku me transmetimet e tjera, për të përcaktuar statusin dhe arsyet e dobësisë së tyre.

 

 

Argumente të ofruara nga dijetarët hanefi

 

1- Ua’il bin Huxhr r.a. tregon: “E kam parë të dërguarin e Allahut a.s. duke vendosur dorën e tij të djathtë mbi të majtën poshtë kërthizës”.[2] Ky është versioni i tretë i transmetimit të Ua’il bin Huxhr, të cilin e përmendëm në fillim të kapitullit, që përmban fjalët “poshtë kërthizës”. Disa dijetarë hanefij kanë pohuar se ky version nuk mund të përdoret si provë përfundimtare për opinionin e mbështetur nga medhhebi hanefi, për arsye se fjalët “poshtë kërthizës” gjenden vetëm në disa botime të Musanaf Ibn Ebi Shejbe dhe jo në të gjitha botimet. Duhet marrë parasysh edhe fakti që, siç e kemi përmendur edhe më parë, ky transmetim ka një tekst të parregullt.

Megjithatë, në “Fet’hul Mulhim” citohet se El-Alame Kasim bin Kutlubega e ka gjykuar këtë version si të saktë. Muhamed Ebu Tajib el-Medenij ka shkruajtur në komentin e tij të Sunenit të Tirmidhiut se ky transmetim ka një zinxhir të fortë, ndërsa Shejh Abid Es-Sindij pohon se: “transmetuesit e tij janë të besueshëm”. Gjithashtu, një numër dijetarësh kanë vërtetuar se shtesa “poshtë kërthizës” gjendet në shumë dorëshkrime të Musanaf ibn Ebi Shejbe, ndonëse jo në të gjitha variantet e publikuara së fundmi.[3] Prandaj, pavarësisht nga natyra problematike e transmetimit të Ua’il Ibn Huxhr, ky version nuk mund të konsiderohet plotësisht i papranueshëm, meqenëse ekzistojnë edhe transmetime të tjera të besueshme që e përforcojnë këtë version.

2- Aliu r.a. thotë: “Vendosja e njërës dorë mbi tjetrën poshtë kërthizës është një sunet praktik i namazit”.[4] Është një fakt i njohur se sa herë që një sahabi thotë fjalët “është prej sunetit” në lidhje me ndonjë veprim, kjo do të thotë se veprimi në fjalë është marrë nga vetë Profeti a.s. Kështu që, Aliu r.a. mund të jetë shprehur se ky veprim është sunet, vetëm pasi të ketë parë Profetin a.s. duke vepruar në këtë mënyrë.

3- Haxhaxh ibn el-Hasen tregon: Ose e kam dëgjuar nga Ebu Mixhlaz duke e thënë, ose e kam pyetur vetë: “Si duhet dikush t’i pozicionojë duart e tij (gjatë namazit)?” Ai u përgjigj: “Ai duhet të vendosë nën kërthizë pjesën e brendshme të dorës së tij të djathtë mbi shpinën e dorës së majtë”.[5]

Siç ka përmendur edhe Ibën El-Turkumani el-Mardini, në librin e tij El-Xheuher el-Naki, transmetimi i këtij hadithi është i mirë [hasen].

4- Ibrahim Nek’hai tregon: “Kur dikush është në namaz, duhet të vendosë poshtë kërthizës dorën e tij të djathtë mbi atë të majtën”.[6] Edhe transmetimi i këtij hadithi është, gjithashtu, i mirë [hasen].

5- Ebu Hurejre r.a. transmeton: “Vendosja e njërës dorë mbi tjetrën në namaz duhet të jetë nën kërthizë”.[7]

6- Enesi r.a. transmeton se: Ekzistojnë tre aspekte nga veçoritë e profetësisë (nubuveh): të çelësh iftarin herët, të shtysh syfyrin dhe të vendosësh dorën e djathtë mbi të majtën nën kërthizë në namaz.”[8]

 

Argumente tjera që mbështesin mendimin e hanefive

 

Dijetarët kanë dhënë argumente të ndryshme se pse duart duhen vendosur poshtë kërthizës dhe përse kjo metodë është klasifikuar si më e preferuara.

1- Edhe pse shumica e haditheve për këtë çështje janë të dobëta në një mënyrë apo një tjetër, transmetimet e paraqitura nga hanefitë janë gjykuar të jenë më të shëndosha se pjesa tjetër.

2- Juristi i madh hanefi Ibn el-Humam pohon: “Në sajë të papajtueshmërive dhe kundërthënieve midis transmetimeve të ndryshme, më e mira është që t’i drejtohemi analogjisë dhe arsyetimit. Të qëndruarit përballë Allahut kërkon një qëndrim, i cili shpreh respekt dhe nderim. Meqenëse pozicionimi i duarve poshtë kërthizës është ndoshta mënyra më e respektuar e qëndrimit (në këmbë gjatë namazit), ajo duhet konsideruar si më superiore. Nga ana tjetër, arsyeja përse gratë udhëzohen t’i vendosin duart e tyre në kraharor, është për shkak se përmes kësaj metode mund të arrihet një përkorje dhe modesti më e madhe”.[9]

3– El-Alame Bedrud-Dijn El-‘Ajnij, autori i komentit të mrekullueshëm mbi Sahihun e Buhariut, të quajtur “‘Umdetul-Karij”, shkruan: “Të vendosësh duart poshtë kërthizës mbart virtyt të madh. Është një qëndrim i cili tregon respekt të madh. Ai shfaq një dallim të madh me qëndrimet e jobesimtarëve”.

Ai, gjithashtu, shkruan: “Ky është i njëjti qëndrim që dikush mban përballë sundimtarëve (të kësaj bote)”.

Më pas ai shkruan: “Vendosja e duarve në kraharor krijon një ngjashmëri me gratë, kështu që kjo nuk mund të klasifikohet si një sunet për burrat”.[10]

 

Përfundim

Hadithet e paraqitura nga shkollat e ndryshme të mendimit përmbajnë disa forma dobësie, ndërsa ato të paraqitura nga hanefitë kanë marrë më pak kritika se të tjerët dhe zotërojnë transmetime më të forta për të mbështetur raportimet e tyre më të dobëta. Kështu që, hadithet e paraqitura si provë për vendosjen e duarve mbi kraharor, ose poshtë tij, nuk mund të merren si tregues i praktikës normale të të Dërguarit të Allahut a.s. Hanefitë, gjithsesi, pranojnë se në disa raste Pejgamberi a.s. i ka vendosur duart e tij në kraharor ose poshtë tij për të shprehur lejueshmërinë e një pozicionimi të tillë [bejanen lil xheuaz]. Vendosja e duarve poshtë kërthizës shfaq një tregues të madh respekti dhe përulësie. Ashtu siç shumë qëndrime të faljes së namazit për meshkujt ndryshojnë nga ato të femrave, ashtu edhe vendosja e duarve në namaz ndryshon nga mashkulli te femra.

 

Shkëputur nga libri “Argumente bazë të Fikhut Hanefi”

Abdurrahman bin Jusuf Mangera, Botim i KMSH-së

 

[1]. Shih: Musannaf Ibn Ebi Shejbe 2:391.

[2]. Musannaf Ibn Ebi Shejbe; Athar es-Sunen 90.

[3]. Shih: Athar es-Sunen 148.

[4]. Sunen Bejhekij 312; Musannaf ibn Ebi Shejbe 1:391.

[5]. Musannaf Ibn Ebi Shejbe 1:390.

[6]. Musannaf Ibn Ebi Shejbe 1:390.

[7]. El-Xheuher en-Nekij 2:31.

[8]. El-Xheuher en-Nekij 2:31.

[9]. Fet’hul-Kadijr.

[10]. ‘Umdetul-Karij 3:16.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu