Mevludi si krijim poetik kushtuar jetës dhe rolit profetik të Muhamedit a.s., zë vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë fetare të popujve islamë. Ky lloj i poezisë në një mënyrë zë fill me lirikët më të shquar të periudhës së Muhamedit a.s. – Ka’b bin Zuhejr dhe Hasan bin Thabit, të cilët u dalluan për panegjirikët e tyre kushtuar jetës dhe sukseseve të Muhamedit a.s. Poemat lirike të tyre qenë frymëzim për krijimtarinë e një numri mevludesh me tematikë identike në letërsitë orientale: arabe, persiane dhe turke.
Manifestimi i mevludit tek të gjithë popujt islamë fillon më 12 Rebiul-evvel, domethënë në muajin e tretë sipas muajve hënor. Arabët qenë të parët që qysh në shek. X filluan të kremtonin ditëlindjen e Profetit islam. Në Egjipt gjatë sundimit të Fatimidëve (shek. XI) u organizua manifestimi madhështor për ditëlindjen e profetit Muhamed a.s. Në këtë fazë të parë të shënimit të këtij manifestimi fetar islam, nuk ekzistonte ndonjë tekst a poezi kushtuar këtij manifestimi.
Si mevlud i parë te krijuesit islamë njihet kontributi i princit Ebu Seid Muzaferud-din Keukebri, i cili më 1207 në Erbeli shënoi ditëlindjen e Profetit në mënyrë të organizuar. Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të njohura shtetërore e fetare nga Bagdadi, Persia dhe Mosuli. Në ditën e shënimit të ditëlindjes së Profetit u mbajtën predikime fetare dhe u evokuan kujtime për rëndësinë e rolin e profetizmit të Muhamedit a.s. Kështu ky manifestim qe i pari që shënoi ditëlindjen e Muhamedit a.s. e më vonë do të përhapej si një veprim tradicional, në tërë botën islame. Me këtë formë, mevludi u përhap shumë shpejt në Egjipt dhe prej andej në Mekë për t’u kthyer përsëri në Afrikë dhe për t’u përhapur për një kohë shumë të shkurtër që nga Fesi deri në Spanjë. Sot ditëlindja e Profetit a.s. shënohet në botën islame arabe kryesisht nëpër xhami me ligjërata fetare, kushtuar jetës dhe rolit të Profetit a.s. Me këtë rast lexohen edhe poezi lirike në formë melodike kushtuar këtij personaliteti të madh.
Kremtimi i ditëlindjes së Profetit te turqit fillon në shek. XV, pikërisht sulltan Murati III qe i pari që do ta shënonte këtë manifestim në oborrin mbretëror më 1588 e prej andej do të përhapej së pari në Turqi dhe më vonë në të gjitha viset e Perandorisë Osmane.
Nga mevlud i parë që u shkrua, për këtë kremtim ndër turqit, është mevludi i Sulejman Çelebiut, poet i njohur turk i shek. XV. Ky mevlud i parë turqisht, përveç lindjes së Profetit a.s., përfshin edhe dy ngjarje të rëndësishme të jetës së tij: ngjitjen në qiell (miraxh) dhe vdekjen e profetit. Kështu mevludi i Sulejman Çelebiut përshkrimin e jetës së Muhamedit a.s. e fillon me gëzime, duke përfshirë të gjitha sukseset, për të përfunduar me një pjesë elegjiake për vdekjen e tij.
Mevludi në letërsinë islame shqiptare
Në shek. XVIII shqiptarët për herë të parë njohin formën e krijimit poetik islam në gjuhën shqipe, kushtuar lindjes së Muhamedit a.s. Letërsia islame shqiptare fillon me dy poemat fetare të Hasan Zyko Kamberit nga të cilat njëra bën fjalë për lindje, kurse tjetra i kushtohet ngjitjes në qiell (miraxhit) të profetit Muhamed a.s. Me sa dimë, kjo është përpja e parë për krijimin e një forme të mevludit në gjuhën shqipe me alfabet osman, sepse më përpara mevludi në mjediset islame shqiptare këndohej vetëm në gjuhën turke.
Dy poemat fetare islame – lindja dhe ngjitja në qiell (miraxhi) të Hasan Zyko Kamberit njihen si mevludi i parë në gjuhën shqipe nga disa studiues shqiptarë. Sipas mendimit tonë, këto dy poezi bëjnë pjesë në vargun e gajtë të krijimeve poetike islame të Hasanit, por nuk paraqesin tërësinë e mevludit ashtu siç e njihnin shqiptarët mevludin e Sulejman Çelebiut, i cili ishte i vetmi në përdorim me një trësi dhe brendi shumë më të gjerë. Roli i Hasan Zyko Kamberit në krjimin e mevludit shqip me ato dy poezi do të ishte si roli i Ka’b bin Zuhejrit dhe Hasan bin Thabitit për nxitjen e krijimit të mevludit tek arabët.
Mevludin shqip me një tërësi dhe brendi të bukur, e përktheu i pari Hafiz Ali Riza Ulqinaku me titull: “Terxhumei mevlud ‘ala lisani arnavud” (përkthim i mevludit në gjuhën shqipe) shtypur në Stamboll më 1878. Siç vërehet edhe prej vetë titullit, ky mevlud që u botua në gjuhën shqipe me alfabet osman është përkthim i mevludit të Sulejman Çelebiut. Në vitin 1933 nën kujdesin e të birit, Hafiz Said Ulqinaku, po ky mevlud u ribotua me alfabetin shqip me titullin: Mevludi Sherif. Ky mevlud edhe sot lexohet te shqiptarët e Malit të Zi, të Shqipërisë së Veriut, si dhe në disa vise të Maqedonisë.
Një mevlud tjetër me rëndësi historiko-letrare, është ai i Tahir Popovës (Vuçitërnës) që është po kështu përkthim i mevludit të Sulejman Çelebiut me titull të rimuar Menz(dh)umetu-l-Mevlud fi efdali-l-Meug(xh)ud bi Lisani-l-Arnavud (Mevludi i rimuar, qenies së uruar, në gjuhën e shqipëruar), shtypur në Stamboll në gjuhën shqipe me alfabet arab. Ky mevlud është më shumë një përshtatje e mevludit të Sulejman Çelebiut, i cili më vonë është transkriptuar me alfabet shqip dhe përdoret më së shumti në Kosovë. Këto krijime poetike fetare të mevludeve kanë ngjashmëri strukturore të përbashkëta. Kështu në vargje shtjellohen ngjarjet: lindja e Muhamedit a.s., tema e profetizmit dhe roli i tij në këtë jetë. Në këtë mënyrë mevludi merr pothuajse tiparet e një krijimi epik. Mevludet e para në gjuhën shqipe me alfabet arab kanë vlerë historike për letërsinë shqipe, për arsye se që nga shek. XVIII fillonte komunikimi i mevludeve me masën shqiptare në gjuhën e tyre.
Mevludi në gjuhën shqipe u përhap shumë shpejt, sepse leximi dhe këndimi i tij bëhej nëpër tubime e manifestime të mëdha fetare. Me përhapjen e mevludit shqip përhapeshin edhe vlera gjuhësore e vlera të letërsisë shqipe. Shënimi i kremtit të lindjes së Muhamedit do të vazhdojë të tërheqë interesimin edhe të krijuesve të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX. Kështu Hafiz Ali Korça lindjes së profetit Muhamed a.s. i kushtoi një vepër të tërë qysh në vitin 1900.
Në këtë fushë dhanë kontribut edhe krijues të tjerë shqiptarë, si Hafiz Abdullah Zëmblaku dhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Mevludi i Hafiz Ali Korçës
Në krijimtarinë letrare islame të Hafiz Ali Korçës bën pjesë edhe Mevludi. Në krijimin e mevludit, Hafiz Ali Korça poemat e theksuara i përshtati në gjuhën shqipe duke mos iu përmbajtur gjithmonë tekstit të poemave në origjinal, kështu që në një mënyrë mund të konstatojmë se mevludi i tij është krijim origjinal dhe jo përkthim. Mendojmë se pikërisht këtu qëndron vlera historike e letrare e këtij krijimi poetik islam. Për radhitjen tematike, si duket, ai shfrytëzoi përvojën e Mevludit të Sulejman Çelebiut, i cili tashti, jo vetëm që lexohej te shqiptarët, por ishte bërë pjesë e pandarë e jetës fetare në çdo tubim. Çdo radhitje tjetër tematike do të krijonte huti fetare, e cila mund të shpinte në ndonjë ndarje apo fraksion tjetër islam.
Mevludi i Hafiz Ali Korçës përbëhet prej 9 njësive tematike. Poema e parë fillon me pasqyrimin e fuqisë së Perëndisë, krijues absolut i botëve, dhe ka 52 vargje. Në pjesët Nuri i Muhamedit, Lindj’ e Muhamedit, si u lint Pejgamberi ç’u bë, Nata q’u lint edhe qysh u rrit mbizotëron përshkrimi emocional lirik i profetit si fetar e jo mistik. Autori në mënyrë artistike i radhit ngjarjet më karakteristike të periudhës së Muhamedit a.s. Fitorja e Profetit, sipas autorit, ësthë universale, prandaj jeta e tij është pasuri e të gjithëve:
Mirserdha të thanë bota an ‘e mb ‘anë
Se shpresë për jetë vetëm ty të kanë.
Në këtë pjesë të mevludit të Hafiz Aliut paraqitet lindja dhe karakteri i Muhamedit a.s., një personalitet që përgatitej për marrjen përsipër të një misioni të madh islam dhe historik. Pikërisht ky mision përshkruhet në pjesën e dytë të mevludit me poemën Si u bë Pejgamber, edhe si e shkoj jetën. Kjo u kushtohet kohës dhe ngjarjeve gjatë shpalljes së Kur’anit që zgjati 23 vjet. Në këtë poemë prej 106 vargjesh autori me admirim flet për Kur’anin. Ai këtu duket sikur është pjesëmarrs i ngjarjes që përshkruan:
Ngreu dhe thirr botën të vinë në besë
Edhe nis më parë të ftosh të Meqqesë!
Kështu vjet njëzet e tre ec’e jakë
Ja solli xhibrili Kur’anin nga pakë
Në poemë ka një numër personazhesh si Xhebrail Emini, Hatixheja, Beni Kahtani dhe Ademi. Të gjitha këto figura janë në funksion të ngjarjes së shtruar artistikisht. Xhebrail Emini është engjëll, përmes të cilit bëhet shpallja e Kur’anit, pra ësthë ajo nyja më kryesore në relacion Perëndi-profet, kurse Hatixheja është bashkëshortja e Muhamedit a.s., së cilës më së pari ia kumtoi misionin e shpalljes. Beni Kahtan janë gjyshërit e Profetit ashtu si edhe Ademi, njeriu dhe profeti i parë në botë.
Vetëdija e formuar fetare dhe kobmëtare e këtij autorit ësthë veçse vazhdimësi e vetëdijes së paraardhësve të tij. Pikërisht Hafiz Aliu, në rrethana të reja dhe mjedise karakteristike fetare, është kujdesur që, përveç si frymëzim fetar, mevludi të ngjallte edhe dashurinë ndaj atdheut:
Kur kujtonte Meqqen Muhamed Muhtari
Çurk lotët e syve nga zjari
Nuk hante nuk pinte kujdesur nuk flinte
Vatanin e bukur nga goja s’e linte
Hafiz Aliu, ndërkaq, do t’u drejtohet në formë të drejtpërdrejtë bashkëkombësve të tij:
Zot! Le të na rrojë Atdheu’ Kombësija
Aqë sa të rrojë edhe gjithësija.
Në këto vargje bie në sy thirrja drejtuar shqiptarëve, të cilëve u jep si model personalitetin e Profetit a.s. për faktin se sa i dashur e i shtrenjtë është atdheu.
Autori udhëtimin e Muhamedit a.s. prej Mekës në Mesxhidi Aksa (Jeruzalem) dhe prej aty nëpër qiej, e përshkruan në poemën Miraxhi i Pejgamberit. Hafiz Aliu në këto poema motivin e mori nga Kur’ani, ku theksohet se ky udhëtim është realizuar brenda një nate. Në poemë pasqyrohet udhëtimi dhe mënyra e udhëtimit. Në këtë udhëtim, Muhamedi a.s. kontakton me Perëndinë, por vetëm përmes bisedës, pa e parë. Poema ka 86 vargje dhe përfundon vetëm me një refren.
Vdek’ e Pejgamberit është pjesa që mbyll Mevludin e Hafiz Aliut. Është poema më e gjatë në këtë Mevlud dhe përbëhet prej 116 vargjesh. Në këtë poezi elegjiake theksohet përfundimi i misionit të Profetit, sëmundja dhe, më në fund, vdekja e tij. Ajo që karakterizon këtë poemë, është qëndrimi ndaj vdekjes së Profetit, si një humbje për mbarë njerëzimin. Këto momente vërehen edhe në këto vargje:
Aspo për të s’qanin vetëm njerëzija
Në qiell qanin ngjet në dhet bagëtija.
Vlera të përgjithshme
Mevludi i Hafiz Aliut është shkruar me mjeshtëri të rrallë poetike dhe gjuhë të pastër shqipe. Në këtë kontekst do theksuar që kjo vepër letrare islame është mbështetur në përvojën dhe në kërkesat e popullit shqiptar për kohën kur u shkrua. Vepra ësthë shkruar në vargje me metrikë të caktuar të poezisë së divanit në metrin, remel me masën: Failatun, failatun failun. Autori në Mevlud ka përdorur herë-herë disa arabizma, mirëpo përdorimi i tyre është në kontekst të përputhshmërisë së ritmit dhe rimës së poemës. Lidhur me përdorimin e këtyre pak arabizmave, në një mënyrë autori duhet arsyetuar, pasi këtu kemi të bëjmë me një lëndë të karakterit fetar, prandaj, përveç toponimeve, autori ka qenë i detyruar të përdorte edhe disa terma arabë, gjithnjë pa dëmtuar fare përmbajtjen dhe as strukturën e mevludit. Në katër raste ka përdorur pjesë të shkurtra të citateve të Kur’anit në origjinal, në përshtatje me temën që trajton, gjë që nuk rëndon tekstin shqip për lexuesin që nuk e njeh alfabetin arab:
Ja dha (Ikre Bismi) in që ja kishte sjellë
U tremp Muhamedi shkoj dhe është përshtjelle
Apo:
Për mbrojtur nderin’ dinin e vërtetë
Mendohej e qante për vatan ‘e vetë.
(Inna Fetahna Leke) gjer zbriti nga Zoti
Nga mubareq sytë nuk i pushoj loti.
Përdorimi i zanores = ë = të theksuar (tënde, nëmë, lënk) në mevlud është mjaft i shpeshtë, sikur edhe i grupit zanor = ua = dhe rotacizmi (kaluar, lëvduar), që janë karakteristikë e toskërishtes prej nga vinte autori.
Krijimi i mevludit të Hafiz Ali Korçës duhet shikuar si kthesë e re në truallin shqiptar për gjuhën dhe letrat shqipe. Mevludi i Hafiz Aliut ka vlerë historike e kombëtare, për arsye se krijimi i parë fetar me alfabet shqip i hartuar qysh para një shekulli me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër shqipe. Kjo më së miri dëshmon që kemi të bëjmë me një autor, poet dhe krijues me përvojë të madhe, me një njohës të gjuhës shqipe, të islamistikës dhe të letërsisë islame.
Ismail Ahmedi