“Ne do t’ua tregojmë shenjat Tona në horizonte dhe në vetet e tyre gjersa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është e vërteta. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fusilet, 53)
Zoti i shfaqet njeriut në tre mënyra: 1. Në gjithësi, 2. Në veten e tij, dhe 3. Përmes Shpalljes.[1] Kujtojmë se, në kohën para shpalljes, Pejgamberi a.s. vetmohej në shpellën Hira duke medituar dhe duke qëndruar me net të tëra në zhytje të thellë metafizike saqë nganjëherë harronte edhe të hante sepse ngopej me ushqimin shpirtëror.[2] Profeti a.s. më së miri e ilustron shembullin e gjetjes së Zotit ku gërshetohen të tria mënyrat në të cilat u shfaqet Ai kërkuesve.
Pejgamberi meditonte e mbyllej në vetvete duke shikuar Qaben e mbushur me idhuj që konsideroheshin si perëndi nga të tjerët, kurse ai kërkonte diçka tjetër, e cila i tejkalonte fuqitë materiale dhe të cilën nuk e kapin mendjet e njerëzve, pikërisht sikurse paraardhësi i tij Ibrahimi a.s., i cili e kërkoi Zotin[3] në mesin e të krijuarave, të cilat i kap mendja i sheh syri, por ai nuk e gjeti, pasi Absoluti është jashtë konceptimit të shqisave tona. Por është Ai i cili gjendet më afër se damari i qafës[4] tonë ose më afër se vetja jonë,[5] Ai të cilin Profeti a.s, e kërkonte me meditim dhe abstenim nga e krijuara fizike duke u ngritur drejt së pakrijuarës.
Mënyra e dytë e shfaqjes së Zotit ndaj robërve të Tij është Shpallja, e cila përbën gjuhën e botës së padukshme në botën e dukshme dhe i kujton njeriut zanafillën e tij para-ekzistenciale[6]. Njëkohësisht, fjala (kelam) e Zotit dhe i Dërguari i Tij plotësojnë dy anët e shpalljes, anën tejhistorike (vahj) dhe atë që e bën shpalljen historike, pra zbërthimi i profetëve, të cilët në çdo kohë shpjeguan shpalljen dhe e bënë të kapshme për njerëz. Muhamedit a.s., i cili e kishte pastruar anën e tij të brendshme (me anë të meditimit) dhe e kishte gjetur natyrshmërinë e vet, e cila si pikënisje për çdo udhëtar (i cili niset në rrugë për ta gjetur Zotin), i paraqitet Fuqiploti në dimensionin e komunikimit (shpalljes) dhe e cila ishte puqja e kahershme për shkak të së cilës u krijua bota[7]. Vjen zëri i Xhibrilit a.s., i cili konfirmon vërtetueshmërinë e Fjalës së Zotit, kurse për Pejgamberin a.s. ishte gërshetim i asaj që e përjetonte në zemër dhe asaj që po e dëgjonte me veshë, shqisa këto të cilat së bashku me sytë, Kur’ani i cilëson si rrugë për të arritur deri te e vërteta, kur thotë:
“Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja kur nuk dinit asgjë. Ju pajisi me të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, që të jeni falënderues.”[8]
Aspekti i tretë i paraqitjes së Zotit është kozmosi. Ai është i lidhur me shpalljen dhe me shpirtin e njeriut esencialisht sikur një objekt i vetëm, por i ndarë ne pjesë[9], të cilat mbështesin njëra-tjetrën dhe dëshmojnë të vërtetën e vetme për të cilën janë krijuar.
Ibrahimi a.s. e gjeti Zotin e tij duke soditur kozmosin ose duke lexuar atë që dëshmonte kozmosi.[10] Përveçse janë të vendosura në libër, ajetet (shenjat) e Allahut janë edhe në kozmos dhe leximi i tyre përmban kuptim dy dimensional. Pra, leximin e librit me shkronja e fjalë dhe leximin e kozmosit dhe të shenjave të tij. Muhamedi a.s., analfabet në leximin e shkronjave dhe fjalëve, por shëmbëlltyrë e njerëzimit në leximin e shenjave të larta të Zotit të vendosura në kozmos dhe në gjetjen e zanafillës dhe rrugës për lumturinë e përfundme.
Ai i cili ishte “i pari në planifikim dhe i fundit në realizim”,[11] po bëhej dëshmitar i mishërimit të mikrokozmosit në makrokozmos dhe dëshmitar i pranisë së pandërprerë hyjnore brenda krijimit. Prani e domosdoshme dhe e vetmja reale kjo, prej të cilës njeriu merr një realitet të kufizuar të ekzistencës.
Rruga e Muhamedit a.s. është shembulli më i mirë i arritjes së shkallës më të lartë të përsosjes njerëzore (Insanu l Kamil) dhe arritjes së harmonisë tokësore me hyjnoren, e cila njëherësh përbën edhe qëllimin e ardhjes së njeriut në këtë botë.
Ramazan Fetahu
[1] Të shihet William C. Chittick, Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit: përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne , shqipërimi, parathënia dhe shënimet Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009).
[2] Reshit Hajllamaz, Profeti Ynë (Tiranë: Prizmi 2013), f. 66-67.
[3] Surja el-En`am: 76-77.
[4] Të shihet ajeti 16 i Sures Kaf.
[5] Të shihet, William C. Chittick, Doktrina sufiste e Rumiut, shqipërimi dhe parathënia Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009).
[6] Said Nursi, Shenjat e Mrekullisë (Stamboll, p.d.), f. 24.
[7] Aludim për hadithin e njohur kudsi “Po të mos ishe ti, nuk do ta krijoja botën”.
[8] Surja Nahl ajeti 53.
[9] Chittick, Shkencë e Kozmosit, shkencë e shpirtit.
[10] Sureja el-En`am, 78-79.
[11] Rregulli i cili aludon në hadithin e njohur Kudsi “Po të mos ishe ti nuk do ta krijoja botën”.