“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun.”
(Kur’an, 3/110)
Nëse besimtari përpiqet dhe provon të aplikojë me zemër të pastër mësimet kuranore dhe të pejgamberit Muhamed a.s., çdo ditë e më shumë kupton se është orientuar drejt zgjidhjeve më të mira, më të drejta dhe më të dobishme për problemet që i rezervon jeta e përditshme. “… Kurani është jetë, jo literaturë, andaj vështirësia zhdaravitet posa e vështrojmë jo si mënyrë mendimi, por si mënyrë jetese. Komenti i vetëm autentik i Kuranit mund të jetë jeta dhe, siç e dimë, kjo ishte jeta e Muhamedit…” pohon A. Izetbegoviç (“Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit”, f. 20)
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut…” na kujton Allahu në Kur’an (Kur’an, 31/21) Po, Lajmëtari Fisnik a.s., Modeli më i Lartë, gjithmonë ka synuar, ka praktikuar dhe ka ofruar më të mirën, më të drejtën dhe më të dobishmen për njeriun dhe, veçanërisht për myslimanin, që beson në Ahiret dhe shpreson në Allahun e Madhëruar. Madje, edhe në momente ekstreme tronditëse, si ato të Ditës së Kiametit, kur njeriu do të shikojë fillimin e fundit fizik të tij dhe universit, kur frika do ta kaplojë, kur mendja e humbet fillin dhe instinktet do ta shtyjnë t’ia mbathë nga tmerri gjoja për të shpëtuar kokën, pejgamberi Muhamed këshillon që, nëse mban në dorë një fidan peme (palmë), sa të mundet ta vazhdojë mbjelljen e tij. “Nëse Kiameti vjen dhe në dorën e ndonjërit gjendet një fidan palme, le ta mbjellë atë!” Pra, edhe pse besimtari është i ndërgjegjshëm se Katastrofa e Madhe do t’ia shkatërrojë punën e nisur, edhe pse besimtari është i bindur se nuk do të vjelë fruta nga pema e mbjellë, apo nuk do të freskohet nën hijen e saj, përkundër këtij fatalizmi, ai nuk duhet ta braktisë punën e mirë që ka nisur, ai nuk duhet ta lërë frikën t’ia asgjësojë mirësitë – insiston Profeti mëshirë për gjithësinë.
Një ditë, njëri prej shokëve të tij më të afërt e besnikë, Abdullah Ibni Mesudi r.a., e pyeti pejgamberin Muhamed a.s.: “O i Dërguar i Allahut! Cilën gjendje të besimtarit e pëlqen më së shumti Krijuesi ynë? Dua ta mësoj atë dhe, duke e praktikuar sa më shpesh, të arrij ta fitoj pëlqimin e Allahut.” Ja se çfarë e porositi i Dërguari i Allahut: “Fale namazin në kohë! Nëse i ke gjallë dhe jeton bashkë me prindërit, shërbeju atyre! Shërbeju robërve të Krijuesit tënd vetëm për hir të Allahut! Mbaji lidhjet me njerëzit, duke treguar respekt dhe dashuri! Ja, këto janë disa nga sjelljet tuaja shembullore që do të të bënin që ti ta fitosh kënaqësinë e Allahut!” Ndërkohë, një grua që po e ndiqte këtë bisedë, dëshiroi që edhe ajo t’ia parashtrojë një pyetje të Dërguarit të Allahut: “Nëna ime akoma vazhdon të mos besojë, ajo është prej mushrikëve (politeistëve). A jam e detyruar që ende t’i shërbej asaj?” Shpejt i erdhi përgjigja: “Patjetër që do t’i bindeni urdhrave të prindërve tuaj (për aq sa nuk janë në kundërshtim me fenë islame) dhe nuk do të nguroni të tregoni respekt ndaj tyre dhe t’u shërbeni edhe pse ata janë jobesimtarë!” Edhe një pyetje tjetër ia drejtuan Pejgamberit të Dashur a.s.: “Të dy prindërit e mi kanë ndërruar jetë dhe unë e kam humbur rastin për t’u bërë atyre mirësi. Çfarë të bëj unë, që ta arrij ta fitoj kënaqësinë e Allahut?” I Dërguari i Allahut këshilloi: “Gjeji miqtë e prindërve të tu! Shërbeju dhe bëju mirësi atyre! Edhe kjo do të quhet sikur t’u bëje mirësi dhe t’u shërbeje prindërve të tu në kohën kur kanë qenë në jetë. Gjithashtu, mos harro që të bësh bamirësi edhe për hir të prindërve të tu që kanë ndërruar jetë!..”
Ja pra, duke ndjekur me vëmendje këto dialogë, për besimtarin shtrohet vetëm një rrugë: “Mendo, syno, planifiko dhe kryej vetëm punë të mira!” Jeta shpesh i ofron besimtarit alternativa brenda kornizës së të lejuarës, brenda lirisë për të vepruar apo mosvepruar, brenda vullnetit për të zgjedhur rehatinë e përkohshme personale apo kënaqësinë e përhershme hyjnore. Por këshillat e të Dërguarit si mëshirë për botët e nxitin myslimanin për të kërkuar mirësitë e Allahut Bujar, e inkurajojnë atë për veprime intensive në shërbim të njerëzve. Ai a.s. nuk lë asnjë mundësi për t’iu shmangur punëve të dobishme, shërbimit ndaj njeriut, pa dallim moshe, race, besimi e gjinie. Ai a.s. nuk lë fushë të lirë për tekat e nefsit (ego-s), për asnjë moment. Në këtë këndvështrim, sipas Lajmëtarit të Allahut, të qenit e prindërve jobesimtarë, apo politeistë, apo të ndonjë feje tjetër, nuk përbën shteg që besimtari t’i bëjë lak shprehjes së dashurisë e respektit ndaj tyre, apo edhe më keq, t’i fyejë e keqtrajtojë prindërit. Përkundrazi, në optikën e Kur’anit dhe të praktikës profetike, sjellja e mirë dhe shërbimi ndaj prindit shikohet si pretekst për të fituar pëlqimin e Krijuesit. “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “Of…!”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, por atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire, shtrije krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse u kujdesën për mua kur isha i vogël!’” (Kur’an 17/ 23-24)
Gjithashtu, edhe mungesa e prindërve nuk do të thotë mungesë detyrimesh shoqërore, nuk nënkupton rehati të nefsit të dhënë pas pasivitetit, përtacisë e indiferentizmit, nuk të përjashton nga mirësitë e Mëshiruesit. Në përgjigjen e tretë të pejgamberit Muhamed a.s., urtësia profetike përvijon para syve të njerëzimit horizontin vezullues të veprimit etiko-moral të besimtarit. Porta e begative pa fund hapet për besimtarin nëpërmjet gjurmimit të miqve të prindërve, shërbimit ndaj tyre, si dhe duke e vazhduar bamirësinë në favor të prindërve të vdekur në një rreth social edhe më të gjerë se sa ai familjar e farefisnor.
“O i Dërguar i Allahut! – iu drejtua Ukbe bin Amir – Më trego për një sjellje dhe vepër të tillë që, pasi ta përvetësoj dhe ta kryej atë, nga njëra anë ta fitoj kënaqësinë e Allahut xh.xh., kurse nga ana tjetër të jem shembull me ndikim për shoqërinë në të cilën jetoj!” I Dërguari i Allahut porositi: “Shko te personi që nuk të vjen! Jepi personit që nuk të jep! Fale personin që të bën zullum! Ja një vepër që të bën ta fitosh pëlqimin e Krijuesit tënd dhe një sjellje që do të ndjellë dashuri ndaj Islamit!” Sa bukur! Ky është zbërthimi më i drejtpërdrejtë dhe më i thjeshtë në vepra konkrete i mësimit kuranor, që i drejtohet myslimanit nëpërmjet ajeteve: “Të keqen ktheje me më të mirën…” (Kur’an, 23/96) “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit një farë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk mund ta arrijë kush, përveç atyre që janë të durueshëm dhe, nuk mund ta arrijë kush, përveç atyre që kanë virtyt të lartë.” (Kur’an, 41/34-35)
Në qindra ajete kuranore theksohet nxitja e myslimanit për të ndjekur rrugën e drejtë, për të urdhëruar në më të mirën, për të kryer punën më të dobishme, për të shfaqur moralin më të pastër, për të patur sjelljen më të bukur, për të thënë e komunikuar fjalën e vërtetë. “Salihat” quhen punët e kryera pa të meta e pa gabime. Kurse “Salih” quhet njeriu që bën punë pa gabime e pa të meta. Profetët janë quajtur nga Zoti në Kur’an “salihijn”- burra të punëve të mira, burra të akteve të larta. “… Ata shpejtonin (përpiqeshin) për punë të mira…” (Kur’an, 21/90) “Nëse një punë e caktuar futet ndër punët e tilla të mira, kuptohet vetëm duke iu drejtuar kritereve hyjnore…. Nisur nga kjo, vetërregullimi e akordimi i njeriut sipas fjalëve të Zotit dhe përpjekja për të nxjerrë tinguj në atë trajtë që do t’i pëlqenin Zotit, konsiderohen si hapi i parë në emër të mirësisë. Po, ashtu siç i akordojmë veglat muzikore para se të fillojmë t’u biem, edhe ju, nëse do të donit të nxirrnit një zë që do t’i pëlqente Lartësisë hyjnore, që të futej në kor, pa tjetër që duhet ta rregulloni dhe akordoni veten sipas Kuranit…” (“Dritë e Pashuar”, F. Gylen, f. 362)
Prandaj, për besimtarin që beson në Fjalën e Allahut dhe që aspiron të ecë në rrugën e pejgamberëve, në jetën e tij nuk ka vend as sa një grimcë për makiavelizëm, nuk ka arritje të qëllimeve të larta përmes veprimeve të ulëta. Është e papranueshme që ka myslimanë, apo edhe ndonjë “hoxhë” a “dijetar”, që, për qëllimin e mirë, mendojnë, predikojnë, apo mbështesin dhe justifikojnë fetarisht akte të papëlqyeshme, antiislame dhe të paligjshme si gënjeshtra, mashtrimi, hipokrizia, shpifja, fanatizmi, falsifikimi, rendja pas pasurisë, etja për famë dhe pozitë, kacavjerrja pas interesave personale, shfrytëzimi i fuqisë së pushtetit dhe parasë, apo, më e tmerrshmja, deri edhe ekstremizmi i dhunshëm e terrorizmi. Ingranazhi makiavelist i ka futur dhëmbët thërrmues në jetën e xhahilëve fetarë, që përdoren për të marrë pjesë dhe për të kryer akte terroriste. Vetëm pasi kanë ndodhur aktet, përveç faktit që terroristët janë myslimanë, mësojmë se kanë qenë të skeduar nga policia si individë me probleme jo vetëm ligjore, por edhe psikologjike, morale e sociale (p.sh. falsifikues dokumentesh, vjedhës, trafikantë, frekuentues kazinosh apo klubesh nate, imoralë, përdorues alkooli e droge etj…) Më së shumti, pikërisht kjo kategori “myslimanësh” është në radarin e grupimeve ekstremiste. Këta tipa myslimanësh gjynahqarë janë më të lehtët për t’u “peshkuar” dhe për t‘u bërë lehtësisht “mish për top”, në funksion të qëllimeve e interesave për udhëheqësi, se sa për devotshmëri fetare. Duke keqinterpretuar mësimet e Kur’anit dhe të pejgamberit Muhamed, ata bombardohen me propagandë të veshur me fjalor luftarak e urrejtjendjellës dhe, nën peshën e gjynaheve të kryera, binden lehtë se vetëm nëpërmjet një “akti shumë të lartë” – vetësakrifikimit – mund t’u shlyhen e falen gjynahet që kanë bërë në jetë dhe të fitojnë shpërblime në Botën Tjetër. Për individë të tillë, qofshin ata me prejardhje myslimane, qofshin ata të konvertuar në Islam, përkundër nga shtegdalja e ofruar nga mentorët e tyre fetarë makiavelistë, Allahu e ka sqaruar në Kur’an rrugën e shpëtimit: “E, kush pendohet pas punës së keqe (p.sh. vjedhjes) dhe përmirësohet, nuk ka dyshim se Allahu ia pranon atij pendimin, Allahu është që fal shumë, është Mëshirues.” (Kuran, 5/39)
Siç duket qartë në ajet, së pari duhet pendim, për të mos përsëritur gabimet e mëparshme, për të mos u rikryer më veprimet e shëmtuara dhe, së dyti, përmirësim, që nënkupton rendje drejt punëve të dobishme për veten, familjen dhe shoqërinë. Për nxitësit dhe vepruesit e akteve që shkaktojnë shqetësime e ankthe në shoqëri, që mbjellin terror e korrin jetë njerëzish, nuk mund të ketë kurrsesi fetva që t’i justifikojë nga legjislacioni islam. “Ndërkaq, vepra e shëmtuar, e cila paraqitet në petkun e një rituali fetar obligativ, ajo është e keqe e llahtarshme për kryesin e saj dhe për shoqërinë. Ngase kryesi i saj e kryen atë duke i plotësuar dëshirat e veta, e njëkohësisht, mendon se me të e ka kënaqur Allahun.” – konkludon M. Gazali. (“Morali i muslimanit”, f. 77)
Krimi i vrasjes së tjetrit si i ndryshëm, apo edhe i vetes gjynahqare, është akt burracakërie, që ka për model Kabilin vëllavrasës, mbretin polemizues të Ibrahimit, Faraonin kundërshtues të Musait etj. Allahu e krijoi njeriun, e përsosi dhe e formësoi në formën më të bukur që dëshiroi. (Kur’an, 95/4; dhe Kur’an 62/7-8) Atëherë, dhunimi dhe vrasja e njeriut është goditje dhe eliminim i krijesës së bukur të Zotit, është një lloj mospranimi i krijimit të Tij, është kundërshtim i vullnetit të Tij. Nisur nga kjo, është absurde të arsyetohet iniciativa dhe guximi për të goditur apo hedhur në erë, për të dëmtuar, për të masakruar dhe për të shkatërruar veprën më të bukur të formësuar nga Krijuesi i Gjithëditur e Urtësiplotë. Është në detyrimin dhe nderin e besimtarit që bukurisë fizike t’i veshë vetëm petkun e devotshmërisë, të punëve të mira dhe të virtyteve të larta.
Gjithashtu, myslimani nuk duhet të bjerë në vorbullën e dilemës së zgjedhjes së të keqes më të vogël. Kjo zgjidhje situatash, pa u kuptuar, do t’i hapte shtegun vërshimit të të këqijave më të mëdha. Për myslimanin ka vetëm një rrugë: të bëjë punë të mira, të jetë burrë i punëve të dobishme. “E, kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: Unë jam prej myslimanëve!” (Kur’an, 41/33) “O ju që besuat! Falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni! Bëni punë të mira (të dobishme) se do të gjeni shpëtim!” (Kur’an, 22/77)
“Njëra prej rrugëve më të rëndësishme që çojnë në ngadhënjimin e zemrës së njerëzve, është vazhdimisht ruajtja e rastit për t’u bërë mirë atyre dhe, sapo të jepet një rast i tillë, bërja e së mirës pa humbur kohë. Eh, sikur t’i akordonim zemrat sipas mendimit për të bërë gjithmonë mirë!” (“Kriteret”, f. 139)
Blerim Lazimi