QYTETËRIMI ISLAM

Gjatë Mesjetës (e njohur në historinë evropiane si Epoka e Errësirës), një qytetërim i mrekullueshëm po shndriste në Lindjen muslimane. Duke iu bindur udhëzimeve të Kur’anit, muslimanët e studiuan këtë Libër të Shpalljes Hyjnore si dhe Librin e Krijimit (gjithësisë) dhe në këtë mënyrë themeluan qytetërimin më të mahnitshëm të gjithë historisë së njerëzimit. Dijetarë nga mbarë bota përfituan nga qendrat e arsimit të lartë në Damask, Buhara, Bagdad, Kajro, Marok, Kairavan, Zeitona, Kordoba, Siçili, Isfahan, Delhi e mjaft vende të tjera përgjatë botës muslimane. Historianët e krahasojnë botën muslimane të asaj periudhe me një koshere bletësh, për faktin se rrugët ishin plot me studentë, shkencëtarë dhe dijetarë të cilët udhëtonin nga njëra qendër arsimore tek tjetra. Figura të tilla të njohura në mbarë botën si al Kindi, al Havarizmi, al Farabi, Ibni Sina, al Mas’ndi, Ibn al-Din al-Tusi, al Zahravi, ndriçuan si yje në qiellin e shkencës.

Në librin e tij me shumë vëllime të titulluar “Hyrje në historinë e shkencës (1927-48)”, Xhorxh Sarton e ndau punimin e tij në periudha 50 vjeçare duke e titulluar secilin kapitull sipas emrit të shkencëtarit më të shquar të asaj periudhe. Qysh nga mesi i shekullit të tetë e deri në shekullin e dymbëdhjetë pas Krishtit, secila prej këtyre periudhave 50 vjeçare mbart emrin e një shkencëtari musliman, si p.sh. “Periudha e al-Havarizmit,” “Periudha e al-Birunit” e kështu me radhë. Brenda këtyre kapitujve, Sarton rendit 100 shkencëtarë muslimanë të rëndësishëm si dhe titujt e veprave të tyre kryesore. Po kështu edhe Xhon Davenport, një shkencëtar i shquar, vëren:

Duhet të pranohet se të gjitha dijet në fizikë, astronomi, filozofi apo matematikë që ndriçuan Evropën që nga shekulli i dhjetë, e kishin burimin nga shkolla arabe dhe Saraçenët Spanjollë mund të konsiderohet si baballarët e filozofisë evropiane.1

Bertrand Rasell, filozofi i famshëm britanik ka shkruar:

Supremacia e Lindjes nuk ishte vetëm ushtarake. Shkenca, filozofia, poezia dhe artet, që të gjitha lulëzuan në botën e Muhamedanëve, në një kohë kur Evropa ishte zhytur në barbarizëm. Evropianët, për shkak të izolimit të tyre të pafalshëm, e quajtën këtë periudhë “Epoka e Errësirës”; por e vërteta është se vetëm Evropa ishte në errësirë (madje vetëm Evropa Kristiane), sepse Spanja që ishte Muhamedane, kishte një kulturë të shkëlqyer.2

Robert Briffault, historiani i njohur, pohon në librin e tij “Ngjallja e njerëzimit”:

  1. Ka të ngjarë që po të mos kishin qenë arabët, qytetërimi modern evropian nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të merrte atë karakter i cili e bëri të aftë atë të kapërcente të gjitha fazat e mëparshme të evolucionit. Por ndonëse nuk është vetëm njëri nga aspektet e veçanta të zhvillimit njerëzor ai në të cilin influenca vendimtare e kulturës Islame është e pallogaritshme, është e qartë dhe shumë e rëndësishme të theksohet se në gjenezën e asaj fuqie e cila ishte forca lëvizëse e botës moderne, qëndronte shpirti shkencor dhe pasioni për shkencat e natyrës. Ajo që ne e quajmë shkencë, lindi në Evropë si rezultat i një shpirti të ri hulumtimesh, i metodave të reja të vëzhgimeve, i metodave eksperimentale, studimeve, matjeve, i zhvillimit të matematikës në një formë të panjohur më parë për grekët. Ky shpirt dhe këto metoda u futën në botën evropiane nga arabët.3
  2. Stoddard pohon se në pesë shekujt e para pas lindjes së saj, mbretëria e Islamit ishte zona më e qytetëruar dhe më përparimtare e botës. E zbukuruar me qytete të mrekullueshme, xhami madhështore si dhe me universitete komode, Lindja muslimane paraqiste një kontrast të dukshëm me Perëndimin që ishte i zhytur në natën e Epokës së Errësirës.4

Ky qytetërim i ndritur, përparoi derisa pësoi fatkeqësi të tmerrshme që erdhën si dallgë të stërmëdha shkatërruese, siç ishin Kryqëzatat Evropiane (1097-1270) dhe Pushtimi Mongol (1216-58). Këto fatkeqësi dhe shkatërrime, vazhduan për shekuj me radhë, derisa qeveria muslimane në Bagdad ra (1258) dhe historia e Islamit hyri në një fazë të re në shekullin e XIII me Turqit Osmanë. Qytetërimi Islamik ishte ende i fuqishëm dhe qëndroi në ballë të qytetërimeve të tjera në fushën ekonomike dhe atë ushtarake deri në shekullin e XVIII, pavarësisht se (që nga shekulli i XVI e më pas) humbi terren në shkencë.

Në shekullin e X-të, Kordoba muslimane, ishte qyteti më i përparuar evropian, mrekullia dhe admirimi i mbarë botës. Udhëtarë nga veriu dëgjonin për qytetin që kishte plot 70 biblioteka me qindra mijëra tituj librash dhe me 900 banjo publike. Kurdoherë që sunduesve të Leonit, Navarrës, apo Barcelonës u nevojitej një kirurg, arkitekt, rrobaqepës apo muzikant, ata kontaktonin me Kordobën.Prestigji i letërsisë muslimane ishte aq i madh në Spanjë saqë Bibla dhe liturgjitë kishtare do të përktheheshin në arabisht edhe për komunitetin autokton kristian. Fragmenti i mëposhtëm i shkruar nga Alvaro, një shkrimtar kristian i devotshëm, tregon qartë se si edhe spanjollët jomuslimanë i kishte bërë për vete letërsia arabo-muslimane:

Shokët e mi kristianë frymëzohen nga poemat dhe romanët e arabëve. Ata studiojnë veprat e teologëve dhe filozofëve Muhamedanë jo për t’i përgënjeshtruar ato, por për të përvetësuar një stil korrekt dhe elegant të arabishtes. E ku mund të gjesh vallë sot një njeri laik që të lexojë komentet në latinisht të Shkrimeve të Shenjta? Cili është ai që studion sot Ungjijtë, Profetët, Apostujt? Asnjëri! Përkundrazi, kristianët e rinj, të cilët janë më të dalluarit për talentin e tyre, nuk kanë asnjë njohuri në  ndonjë lloj tjetër letërsie apo gjuhe përveç asaj arabe; ata lexojnë dhe  studiojnë me etje libra arabisht; ata krijojnë biblioteka të tëra me kosto të lartë për ta me të tillë libra dhe gjithmonë i këndojnë liturgjitë me fjalë arabe.6

Në qoftë se pranojmë që qëllimi i edukimit arsimor dhe i qytetërimit është të rrisë shkallën e krenarisë, dinjitetit dhe nderit të njerëzve në mënyrë që ata pastaj të mund të përmirësojnë gjendjen e tyre e rrjedhimisht edhe gjendjen e shoqërisë, atëherë duhet të pohojmë se qytetërimi Islam ka dhënë prova për vlerën e tij. Shumë shkrimtarë kanë shfaqur mendimet e tyre në lidhje me aftësinë e Islamit për të transformuar shoqëritë me të cilat ai bie në kontakt. Për shembull në ligjëratën e tij rreth efekteve dhe ndikimit të Islamit tek njerëzit, të mbajtur në Kongresin Kishtar të Anglisë, Isaac Taylor tha:

Kur përqafohet Muhamedanizmi, atëherë paganizmi, fetishizmi, vrasja e fëmijëve dhe magjia e zezë zhduken. Ndyrësia zëvendësohet nga pastërtia dhe të konvertuarit e rinj fitojnë dinjitet dhe respekt për vetveten. Ballot mondane dhe marrëdhëniet jo të rregullta seksuale ndërpriten, dëlirësia femërore çmohet si virtyt, industria zëvendëson parazitizmin, zbatimit të ligjit i jepet përparësi, mbizotërojnë rregulli dhe serioziteti, çrrënjosen hasmëritë dhe mizoria ndaj kafshëve e skllevërve. Islami i fshin korrupsionin dhe besëtytnitë. Islami është një revoltë ndaj polemikave boshe. Ai iu dha shpresë skllevërve, vëllazëri njerëzve dhe përbën një njohje të plotë të të vërtetave bazë në lidhje me natyrën njerëzore. Virtytet që Islami ngulit tek njerëzit janë vetëpërmbajtja, pastërtia, dëlirësia, drejtësia, forca morale, kurajoja, dashamirësia, mikpritja, besnikëria si dhe toleranca. Islami predikon një vëllazëri praktike, barazinë shoqërore të të gjithë muslimanëve. Skllavërimi nuk është pjesë e besimit Islam. Poligamia përbën një çështje më të ndërlikuar. Moisiu nuk e ndaloi atë. Ajo është praktikuar nga Davidi dhe nuk është drejtpërdrejt e ndaluar nga Testamenti i Ri. Muhamedi e kufizoi të drejtën për poligami pa limit. Ajo përbën më tepër një rast të veçantë sesa një rregull të përgjithshëm. Me nënshtrimin ndaj Vullnetit të Zotit, me vetëpërmbajtjen, pastërtinë, besnikërinë dhe me vëllazërinë ndërmjet tyre, ata (muslimanët) na japin neve një shembull të cilin do të bënim mirë ta ndiqnim. Islami i ka ndaluar dehjen, imoralitetin dhe prostitucionin, tre mallkimet e vendeve kristiane. Islami ka bërë më tepër sesa kristianët për qytetërimin. Bërja për vete e një të tretës së botës nga ana e fesë së tij (Muhamedit), ishte një mrekulli.7

 

Sulejman Erish

 

[1] Marrë nga A. Kerim në “Kontributi i Islamit në shkencë dhe qytetërim”.

[2] Botimi tre-mujor i Pakistanit, vol 4, nr 3.

[3] Për këtë shih Abul A’la al-Mevdudi, “Duke Kuptuar Islamin” (Kuvait: IIFSO, 1970), 69-70, shën 1.

[4] Abul-Fazl Ezzati, “Një Hyrje në Historinë dhe Përhapjen e Islamit” (Londër 1978), 378.

[5] Sir Thomas Arnold dhe Alfred Guillaume, “Trashëgimia e Islamit” (Oxford, Uk: Clarendon, 1931 (1947), 9.

[6] Indiculus Luminosus, përkth. nga Dozy dhe cituar nga Ezzati, “Parathënie,” 98-99.

[7] Cituar nga Ezzati, “Parathënie,” 235-37