RESPEKTI I HARRUAR

Shpesh dëgjojmë të flitet për respektin e prindërve dhe për keqtrajtimin që disa fëmijë u bëjnë prindërve të tyre. Por, para se fëmijët tanë të arrijnë atë moshë ku u kërkohet ti respektojnë prindërit, pra të na respektojnë neve, duhet të dimë se ekziston dhe një respekt tjetër, respekt i cili harrohet dhe injorohet… Po, bëhet fjalë për respektin tonë si prindër për fëmijët tanë.

Dikush mund të pyesë: Çfarë? Paska edhe respekt të prindërve për fëmijët? Paska keqtrajtim të prindërve ndaj fëmijëve?

Një burrë shkoi te kalifi Omer ibnul Hatab dhe iu ankua për të birin, i cili e keqtrajtonte dhe nuk i bindej. Omeri i dha rastin edhe djalit që të flasë, pastaj i tha babait të tij: “Ke ardhur të ankohesh për djalin tënd, ndërkohë që je ti ai që e ke keqtrajtuar i pari, je ti ai që i ke hyrë në hak i pari.”

Por, si mund ta respektojë prindi fëmijën e tij?

Po, e respekton fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht.

Ja si mund ta bëjë këtë:

Respekti fizik përfshin sigurimin e një banese, veshjes, ushqimit, pijes, mbrojtjes fizike nga gjithçka që e dëmton. Të gjitha këto janë detyrimet tona si prindër karshi fëmijëve tanë. Nëse prindërit neglizhojnë secilën prej tyre, kjo konsiderohet si një formë “keqtrajtimi” ndaj fëmijëve. Një formë tjetër keqtrajtimi fizik, është dhuna fizike ndaj fëmijës, goditjet, shuplakat etj. Shumë prindër sot mburren se i qëllojnë në fytyrë fëmijët e tyre, gjë të cilën e ka ndaluar i dërguari i Zotit a.s. Profeti a.s. thotë: “Nëse dikush prej jush është i detyruar të godasë, le të shmangë fytyrën!” Kjo, pasi fytyra është pjesa më e fisme e njeriut dhe goditja e saj, është poshtërim dhe shkelje e dinjitetit njerëzor.

Mjekësia moderne ka zbuluar se goditja në fytyrë lë pasoja të rënda për trurin, sistemin nervor dhe sidomos atë në fytyrë. Pikërisht për këtë, janë sanksionuar ligje ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, ku ndalohet kategorikisht goditja e fëmijëve, sidomos në fytyrë, gjë të cilën Islami e ka ndaluar që para 14 shekujsh.

Kush prej nesh ka lexuar në biografinë e profetit Muhamed a.s, se ai ka qëlluar ndokënd si formë ndëshkimi?

Enes bin Malik ishte një fëmijë të cilin e ëma e dërgoi te profeti Muhameda a.s, me qëllim që të mësohet dhe edukohet prej tij, por edhe t’i shërbejë. Enesi rrëfen: “I kam shërbyer të dërguarit të Zotit për dhjetë vite, e megjithatë, asnjëherë nuk kam dëgjuar prej tij qoftë dhe një kritikë, qoftë dhe një “uff”. Asnjëherë nuk më ka thënë për diçka që e kisha bërë “përse e bëre” dhe as për diçka që nuk e kisha bërë “përse nuk e ke bërë”. I dërguari i Zotit a.s, ishte njeriu me virtytet më të larta.”

Por si e ka edukuar profeti Muhamed a.s një fëmijë të tillë?

Jam ndalur gjatë para këtij hadithi dhe mbërrita në rezultatin se ai e ka edukuar me dashuri të sinqertë dhe të pakushtëzuar, e cila kishte si fryte të saj, dashurinë e vetë Enesit për Profetin a.s. Falë dashurisë që Enesi kishte për Profetin a.s, ai mësoi prej tij nëpërmjet modelit.

Sa prindër i qëllojnë në fytyrë fëmijët e tyre, me pretekstin e edukimit? Ta dinë se kjo bie ndesh me mësimet e Islamit.

Lidhur me respektin shpirtëror ose psikologjik, kjo bëhet duke u siguruar një ambient dhe atmosferë të qetë, në të cilën ruhet dinjiteti dhe ku fëmija ndihet i sigurt nga gjithçka që mund ta dëmtojë. Në këtë atmosferë, fëmija trajtohet si njeri i nderuar dhe i graduar nga vetë Zoti i lartësuar, si një krijesë të cilës i është dhënë shpirti nga fryma e Zotit. Ai nuk është pronë e askujt. Roli i prindërve është vetëm edukimi i mirë dhe sigurimi i atmosferës që i ndihmon të zbulojnë talentet që u ka dhënë Zoti, me qëllim që ta zgjedhin ata vetë linjën e tyre të jetës.

Një ndër format e dhunës psikologjike, është dhuna verbale, fjalët lënduese, ofenduese, ironizuese, tallëse dhe fyese, kërcënimi, fjalët banale etj…

Enes bin Malik, i cili i shërbeu profetit Muhamed a.s për dhjetë vite, përcjell se: “I dërguari i Zotit a.s nuk ishte ofendues, as banal dhe as mallkues.”

Dikush i kërkoi Profetit a.s që t’i mallkojë idhujtarët, por ai iu përgjigj:”Unë nuk jam dërguar si mallkues, por jam dërguar si mëshirë.”

Nëse Profeti a.s refuzoi të mallkojë idhujtarët të cilët e kishin keqtrajtuar, si është e mundur që dikush prej nesh të mallkojë fëmijët e tij? Si mundet që njeriu të shajë dhe ofendojë fëmijët e vet?

Një formë e dhunës psikologjike, janë kritikat e herë pas hershme, krahasimi i fëmijës me fëmijët e tjerë, fjalët lënduese dhe gjithçka tjetër që e cenon zhvillimin dhe shëndetin emocional të fëmijës. Te dhuna psikologjike dhe emocionale, hyn edhe ndjesia që prindi i lë të kuptojë fëmijës se është barrë e rëndë për të, se është i padobishëm, gjë e cila ia përçudnon fëmijës imazhin që ka për veten dhe ia humbet vetëvlerësimin gjatë gjithë jetës.

Shkenca moderne i ka vërtetuar dëmet dhe pasojat negative të dhunës verbale dhe psikologjike, e cila dëmton zhvillimin fizik, mendor, psikologjik, social, emocional dhe akademik të fëmijës. Dhuna rrit shanset për depresion në të ardhmen e fëmijës, izolim, frikë dhe sëmundje të tjera të shumta. Në një bashkëpunim mes tre qendrave dhe universiteteve në Gjermani, u arritën rezultate surprizuese, pasi u pa se tek të rriturit që kanë vuajtur gjatë fëmijërisë së tyre nga dhuna dhe agresiviteti fizik, emocional dhe psikologjik, truri i tyre nuk ishte zhvilluar sa duhej në pjesën e përparme të tij. Ndër funksionet e lobit frontal të trurit, është planifikimi, marrja e vendimeve, shprehja e personalitetit dhe sjelljes sociale. Ajo është një vatër që ndikohet më së shumti nga presionet psikologjike. Këto rezultate u publikuan në revistën e psikologjisë biologjike.

Kurse format e respektit të prindërve për fëmijët e tyre, janë të shumta. Ndër to, mund të përmendim: Mësimi dhe edukata e mirë, përzgjedhja e shkollës dhe e mësuesve të tyre, respektimi i tyre dhe i mendimeve të tyre, dhënia e shansit dhe lirisë në të menduar larg injorimit dhe imponimit të mendimit të prindit në gjëra që pranojnë më shumë se një mendim. Faza e fëmijërisë është faza kur te fëmija zhvillohet truri dhe nëse nuk i krijohen hapësira në të menduar, privohet nga liria për të pyetur, debatuar dhe biseduar, ai e kalon gjithë jetën të privuar pasi rritet me këtë mendësi. Ai nuk do të mundet të mendojë në mënyrë të pavarur, nuk do të dijë të diskutojë, të pyesë gjatë gjithë jetës. Fëmijët tanë kanë lindur me natyrë të pastër, ashtu siç ka dashur Zoti t’i krijojë të gjithë njerëzit. Ata vijnë si një faqe e bardhë në këtë jetë, një faqe që e mbushin prindërit. Ata janë një tokë pjellore të cilën do e mbjellin prindërit. Dashuria e pakushtëzuar do të japë fryte të ëmbël dashurie. Vlerësimi, respekti, durimi, zemërgjerësia, altruizmi etj., do të bëhen pjesë e pandarë e botës së fëmijës. Janë pikërisht prindërit ata që do i shijojnë frytet e edukimit të fëmijëve të tyre.

Aq sa t’i respektojmë fëmijët tanë në vegjëli, aq do të na respektojnë kur të rriten. Bërthama e dashurisë e cila mbillet në zemrën e një fëmije të lindur me natyrë të pastër, të vaditur me dhembshuri, zemërgjerësi, durim dhe altruizëm, një ditë do të bëhet një pemë prodhuese dhe duart e para që do të zgjaten për të përfituar nga këto kokrra, janë duart që e mbollën dhe u kujdesën për të.

Keqtrajtimi që fëmijët u bëjnë prindërve, në përgjithësi, është produkt i asaj që kanë mbjellë vetë këta prindër. Prandaj, le ti frikësohemi Zotit në produktin që mbjellim. Profeti Muhamed a.s thotë: “I ndihmoni fëmijët tuaj që t’ju respektojnë. Kush dëshiron, mund të korrë dhe keqtrajtim nga fëmija”.

Duke i respektuar dhe duke u falur dashuri në vegjëli, ne i ndihmojmë fëmijët tanë që kur të rriten të na respektojnë. Nuk ka përse të radhitemi tek ai të cilit hazreti Omeri i tha: “E ke keqtrajtuar, para se të të keqtrajtojë, e ke lënduar para se të të lëndojë”.

Le të radhitemi tek ajo shtresë njerëzish për të cilët Profeti a.s ka thënë: “Zoti e mëshiroftë një prind i cili e ndihmon fëmijën që ta respektojë”.

Ditën e Kiametit, do të pyetemi për respektin që u kemi bërë fëmijëve, para se fëmijët të pyeten për respektin që na kanë bërë.

VELID FETIHI