Të jetosh për hatër të Zotit

Tashmë togfjalëshi: “Të vdesësh për hatër të Zotit!” është bërë diçka normale dhe nuk ta vret syrin. Me këtë nënkuptohet vdekja duke bërë durim, duke shpresuar shpërblimin e Zotit, duke u përballur me vdekjen dhe jo duke i kthyer shpinën, është martirizim i cili ndodh me përzgjedhjen e Zotit.

Por jo me të njëjtin ton dhe jo me të njëjtën shpeshtësi dëgjon të flitet për “Jetën për hatër të Zotit”.

Është tejet e gabuar që mes koncepteve fetare të krijohet një distancë kaq e largët, sikur të ishin dy skajet e dy të kundërtave!

Të prodhosh jetë është një koncept realisht i mrekullueshëm dhe origjinal. Prodhimi i vdekjes bëhet vetëm në raste përjashtuese, në mbrojtje të një të drejte, në mbrojtje të besimit dhe vatanit. Një sakrificë e tillë shihet si krenari për të gjithë popujt, të cilët e vlerësojnë në maksimum atë që jep jetën e tij për vlera të tilla duke u zhveshur nga egoizmi në shërbim të kombit dhe atdheut.

Vdekja ka pushtuar dhe zaptuar kulturën tonë, poezinë, letërsinë, trashëgiminë dhe bisedat tona. E kush nuk i ka mësuar apo të paktën dëgjuar vargjet:

 

Grua e dashur, Libri i Zotit më nxori jashtë

Pa dëshirën time kjo, vullnetit të Zotit nuk i them dot jo

Në u kthefsha, kthehem veç Zoti në dashtë

Në të kundërt, martohu dhe mos kundërshto

As i verbër s’jam as i çalë që të më justifikojë

As i pafuqishëm që të më arsyetojë.

 

Megjithatë, nga këto vargje unë gjeta diçka të bukur te fjala “Pa dëshirën time” një koncept kuranor ky, pasi Kurani kur flet për luftën e thotë:”U është bërë obligim lufta edhe pse është e urryer”. (Bekare, 216)

Pra, lufta është diçka që aktivizohet vetëm në raste përjashtuese dhe kur nuk vlen më asgjë tjetër dhe kjo bëhet për të ruajtur nderin, jetën dhe projektin e madh.

Martirizimi nuk është diçka që bëhet për hir të martirizimit, por për të ruajtur dhe mbrojtur jetën. Në Kuran lidhur me urtësinë e dënimit me vdekje, thuhet: “Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj”. (Bekare, 179). Ndonjëherë vdekja e një personi është bërë shkak për shpëtimin e jetës së një populli.

Në origjinë, beteja e jetës është për të ndërtuar, zhvilluar dhe çuar para jetën në të gjitha fushat.

Kur lexon poezi të poetëve më të mëdhenj arabë, të cilët shkruajnë për çështje të drejta dhe i thurin lavde flijuesit të jetës në shërbim të kësaj çështje të drejtë, ti nuk mund të marrësh veçse qëndrim vlerësuesi për vargjet e thurura dhe sakrificën e bërë në mbrojtje të drejtës.

Por kjo i humbet të gjitha vlerat e saj kur projekteve të botës arabe dhe asaj islame u ndalet fryma te ky cak. T’i thurësh vargje dhe t’i këndosh lavdisë së një dëshmori, nuk do të thotë të injorosh sakrificën e shkencëtarit, gjeniut dhe luftëtarit në mejdanin e jetës, reformës, rilindjes, informacionit, ftesës, besimit, durimit, shpresës…

Jeta është e shtrenjtë dhe e çmuar. I dërguari i Zotit a.s. vdiq në shtrat, pasi e kaloi të gjithë jetën në rrugë të Zotit dhe për hatër të Tij. E njëjta gjë ndodhi dhe me Ebu Bekrin.

Të japësh dorëheqjen nga funksioni i të jetuarit mbi planetin tonë është e ndaluar, sepse është një humbje të cilën e refuzon Zoti. Prandaj dhe Zoti e privon nga parajsa këdo që vetëvritet për shkak të kushteve ekonomike, dhimbjes…

Në porositë që Profeti a.s. u jepte ushtarëve dhe komandantëve të ushtrisë, u thoshte: “Nëse Zoti ju bën shkak për të udhëzuar në të vërtetën qoftë dhe një person, kjo është më e mirë për ju sesa pasuritë më të mëdha.” (Buhari)

Ai u thoshte gjithashtu: “Mos e uroni takimin me armikun dhe i kërkoni Zotit shëndetin, por nëse dilni para armikut tregohuni të vendosur!” (Buhari)

Vdekja është një fund i pashmangshëm. Profeti Jusuf a.s, nga fundi i rrugëtimit të tij në këtë jetë thoshte: “Më bëj të vdes si mysliman dhe më bashko me njerëz të ndershëm!” (Jusuf, 101) Por këtë lutje ai e bënte pas një kontributi shumë të vyer për jetën, pasi kishte sakrifikuar, duruar, prodhuar, kishte menaxhuar pasuritë e Egjiptit, i kishte ruajtur dhe shtuar ato, kishte lënë pas një traditë mirëmenaxhimi dhe planifikimi afatgjatë si politik ashtu dhe social, si dhe kishte menaxhuar mjaft mirë krizat e rënda të mbarë rajonit. Ai e bënte këtë lutje vetëm pasi kishte kontribuar drejtpërdrejt në përhapjen e vlerës së drejtësisë, paqes dhe mirësisë për të gjithë bijtë e popullit të vet, por edhe të tjerëve. Të gjithë këto i kishte bërë me shpirt të lartë besimi.

Prandaj duhet të ndërgjegjësohemi që vdekja nuk është e kundërta e jetës, por është një shtrirje e saj. Kush jeton në rrugë të Zotit dhe për hatër të Tij, e meriton dhe vdekjen në rrugë të Zotit dhe për hatër të Tij.

Vdekja nuk është një proces shkarkimi barre nga obligimet e jetës dhe detyrimet e saj. Xhihadi i vërtetë është ai në mejdanin e jetës, zhvillimit, durimit dhe ftesës, është ai në përballjen me sfidat dhe vështirësitë me botën e jashtme dhe ato me veten, është ai që bën kur përballesh me akuzat dhe vazhdon rrugëtimin drejt Zotit duke ndjekur linjën: “Na udhëzo në  rrugën e mbarë…”

Kur një i ri i frikësohet tundimeve haram dhe kthimit të jetës së qejfit, kënaqësive dhe gjynaheve, shpesh herë ai kërkon ta shkurtojë rrugën, duke harruar se kështu ai mund t’i zgjasë rrugën umetit të tij!

DR. S. AUDE