Të mbash në zemër ndezur dritën e besimit

Vrulli i shpejtë dhe i lëmshtë me të cilin po ecin ditët, nxit nevojën çdo ditë e më shumë të meditimit dhe të reflektimit për t’i dhënë kështu zemrës mundësinë për të mos u përlarë nga ky vrull, që zemra të mund të mendojë e qetë për spovat, të mos përfshihet në dashurinë e dynjasë që është kreu i të gjitha beláve, të mos bëhet pjesë e harameve dhe rrugëve që ndërpresin mirësitë e Zotit dhe ftojnë dënimet e Tij, si dhe të mos harrohet qëllimi kryesor i ardhjes në këtë jetë dhe që është adhurimi (njohja) e Krijuesit.[1]

Çdo gjë rrjedh dhe duhet të rrjedhë drejt natyrshmërisë për të cilën është krijuar. Sa herë që shfaqen probleme, shqetësime, qoftë në të jashtmen e njeriut, apo në të brendshmen e tij, kjo ndodh për arsye se është prishur ajo rrjedhë e natyrshmërisë. Vërtetësia e kësaj rrjedhe vërehet nga vazhdimësia e saj, nëse shkakton probleme në ndërgjegje, nëse jep shkundje, lëkundje e trandje, nëse vazhdimisht e tjetërson njerinë derisa ai vetë të besojë te iluzioni i përkohshëm i lumturisë dhe ta pandehë atë për të natyrshme dhe të qenë, atëherë, duhet kuptuar që janë prishur telat e gjësë dhe natyra e njeriut është kontaminuar. Të gjitha këto rrugë të shtrembëruara, në thelb, janë prirje drejt kufrit, mohimit, dhe kufri si fjalë në arabisht, në vetvete ka kuptimin etimologjik të mohimit, mbulimit dhe të fshehjes së hakikatit.[2]

Për këtë arsye, ditëve të sotme, çdo ditë e më shumë lind nevoja për tërheqje, për zbrapsje, për ndalim të hapit për të reflektuar, që të mund të shohim sa jemi mbuluar, sa kemi devijuar nga e natyrshmja e zemrës, se nëse vazhdohet me këtë vrull, Zot ruana, rrjedha ka thepisje e ujëvara në rënie që nuk dihet se ku e kanë fundin… Kështu, Zoti në Kur’an na grish duke urdhëruar:

“…فَفِرُّوا إِلَى اللَّهِ

“Arratisuni (duke u strehuar) drejt Zotit!”[3]

Për lehtësimin e rrugës, për pastrimin e ujrave të turbullt të ndërgjegjes, për shërimin e brengave, për pastrimin e rrjedhës dhe për rikthimin drejt natyrshmërisë, për rikapjen e fillit, na është lënë Kur’ani, drita e Zotit që është shërim, mëshirë dhe litar i fortë i Krijuesit; zbritur e lënë për njerëzit si mirësi e jashtëzakonshme, si edhe udha e sunetit profetik, e mësuesit të parë të Kur’anit, të cilit iu zbrit si libër, si shpallje, dhe që është udhërrëfyesi i shtigjeve të ngushta për në gjerësinë e madhe të besimit dhe Islamit, pra këshillat dhe jeta e të dërguarit të Zotit, Muhamedit ﷺ.

Kur’ani thërret pikërisht te kjo natyrshmëri, e cila është e natyrshme dhe e domosdoshme për njeriun:

فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا ۚ فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا ۚ لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ۚ ذَٰلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ

“Kështu që drejtoje fytyrën me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[4]

Ky ajet e tregon qartë dhe shpreh se feja që Zoti ka urdhëruar për njerëzimin është pikërisht natyrshmëria e qetësisë që njerëzimi e ka të nevojshme dhe që gjtihmonë do ta kërkojë, por që kurrë nuk do mund ta gjejë nëpërmjet shtrembërimit dhe mbulimit, por vetëm duke grisur perdet e gënjeshtërta, për të parë besimin dhe të vërtetën prej Zotit.

Sa mirë e konstaton në një pasazh, Aliu r.a., ku thotë: “Në kohët kur do të afrohet ahir zamani, 9\10 e mirësisë dhe e shëndetit (afijetit) do të jetë në distancimin prej njerëzve, kurse pjesa e mbetur 1\10 do jetë në heshjen dhe mbajtjen e gojës mbyllur.”

Në këto ditë të trazuara, njeriu duhet të rikthehet në strehën e besimit dhe të mbështetjes te Zoti. Të rikujtojë edhe një herë së është i përkohshëm. Të ndiejë, jo vetëm të arsyetojë, se kjo fe është aq e mirë, se kjo mirësi e njohjes së Zotit, e njohjes së Profetit Muhamed a.s., e njohjes së Imanit, të Kur’anit, të Islamit është e pakrahasueshme me asgjë tjetër që ofron koha! Të kuptojë dorëzimin. Islami si fe është fe e dorëzimit të vullnetit duke ndjekur urtësinë, dashurinë dhe udhëzimin e Krijuesit Fuqiplotë. Kjo botë është thjesht një stacion. Allahu ﷻ  është i mirë dhe i urtë. Ai ka gjithçka në dorë. Çdo punë e bën mirë. Çdo gjë e krijon dhe e sjell aq bukur. Këtu në këtë dynja është ara që mbillet dhe frytet e së cilës jepen në ahiret. Këtu është arena ku dallohet i miri nga i keqi, do ketë sprova e vështirësi, ku selektohen shpirtrat në bazë të vullnetit që kanë dhe se si e përdorirn, në bazë të prirjes së tyre, qymyri ndahet nga diamanti, zifti nga smeraldi, guri nga rubini e kështu me radhë. Udhëzimi bie si mirësi e Zotit, si dhe udha e gabuar gjen ata që e meritojnë. “Ne padyshim për çdo popull (ummet) kemi zbritur të dërguar të cilët i patën këshilluar duke u tërhequr vërejtjen që të adhurojnë vetëm Allahun e të largohen nga e keqja e shejtanit. Kështu ka prej tyre që Allahu i udhëzoi, e ka prej tyre që e patën hak (me meritë) çudhëzimin (rrugën e gabuar). Pra udhëtoni nëpër tokë e shihni se ç’përfundim patën mendjemëdhenjtë!”[5]

Ridimensionimi i besimtarit është më se i domosdoshëm hërë pas here. Kështu është e mundur mbajtja dhe ruajta e istikametit-vazhdimësisë. Të mbash në zemër ndezur dritën e shpresës, të forcosh besimin, të mendosh mirë për të nesërmen, të heqësh çdo ditë perdet e përhumbjes duke i kujtuar vetes se Zoti ka në dorë çdo ndodhi e ngjarje, çdo grimcë e çdo atom, çdo luftë e çdo betejë, çdo gjallesë a send, të falësh namazet të pesta, të rinovosh lidhjen me Zotin çdo mëngjes, të falësh veten, të tjerët, të heqësh prej zemrës mllefet, janë prej punëve të nevojshme që mund të bëjë besimtari kësokohe. Sado i lëmshtë të jetë moderniteti dhe koha në të cilën bashkëjetojmë, Allahu ka çdo gjë në dorë dhe tek Ai është filli i punëve. Zemra duhet mbajtur qetë, si një anije që nuk fut ujë brenda, por lundron në këtë det, e në atë det, e në tjetrin, e kalon kështu dynjanë, ëcën për në berzah-jetën e varrit, kësisoj drejt ringjalljes në mahsher, del përpara Zotit dhe vazhdon për në xhenetet e Tij derisa të mbërrijë tek Krijuesi i gjithëdashur e i Gjithëurtë!

Zot na lartëso me fenë Tënde e na tërhiq për tek e natyrshmja dhe e bukura, mos na përul me sisteme të tjera, a me idetë e nefsit dhe të shejtanit duke na rrokullisur drejt të keqes dhe të shëmtuarës, vërtetë Ti je Falës e pranues i lutjes! Amin!

Mehmet Disha


[1] Kur’an, Dharijat, 51:56.

[2] Taberî, Xhamiu’l-Bejan , VI, fq. 184.

[3] Kur’an, Dharijat, 51:50

[4] Kur’an, Rum, 30:30.

[5] Kur’an, Nahl, 16:36.