بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَـنِ الرَّحِيمِ

أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ (1) أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ (2) وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيلَ (3)

تَرْمِيهِم بِحِجَارَةٍ مِّن سِجِّيلٍ (4) فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَّأْكُولٍ (5)

 

Shqipërimi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?
  2. A nuk ua prishi atyre kurthin,
  3. duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh,
  4. të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur?
  5. Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.

Kjo sure e zbritur në Meke, ka pesë ajete. Surja e ka marrë emrin nga ajeti i parë. Kjo sure rrëfen ngjarjen e “ushtrisë së elefantëve”. Ngjarje në të cilën, këta njerëz me ushtri elefantësh dëshironin të shkatërronin Qaben e Shenjtë, por Allahu (xh.sh.) e bëri përpjekjen e tyre të dështuar dhe e ruajti shtëpinë (Qaben) prej sulmit të tyre.

 

TEFSIRI

أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ

  1. Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?

أَلَمْ تَرَA nuk e ke parë?” Pyetja këtu i drejtohet Profetit (s.a.s.). Ru’jet (shikim), ka kuptimin e shikimit me sytë e zemrës, shikim zemre. Pra, O Muhamed, a nuk e di aq qartë sikur ta kishe parë me sytë e Tu? A nuk të erdhi Ty ky lajm? Kjo për arsye se ngjarja është një prej shenjave hyjnore që tregon fillimin e ardhjes së Profetit, dhe, duke qenë se bashkëbiseduesi i parë i Kuranit është Profeti (s.a.s.), posaçërisht fjala رَبُّكَ (Zoti yt), e tregon më së miri se ky ajet i drejtohet Profetit (s.a.s.).

Por, sipas disa dijetarëve, edhe pse këtu duket sikur ky ajet i drejtohet Profetit (s.a.s.), në fakt ai u drejtohet Kurejshëve. Në të njëjtën kohë, u drejtohet të gjithë arabëve që kanë dijeni rreth kësaj ngjarjeje.

كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَSe si bëri Zoti yt?

Një nuancë e rëndësishme këtu është edhe fakti se, në ajet nuk pyet “Çfarë bëri?”, por ka pyetur formën e veprimit, “Si veproi, Si e bëri?”, sepse pyetja është për të treguar se, ngjarja e ndodhur ishte shumë interesante. Pjesa mahnitëse, marramendëse dhe e mrekullueshme e ngjarjes është mënyra se si ka ndodhur. Për të treguar se, veprat e Zotit janë marramendëse, e ka vënë theksin te mënyra e rrjedhës së ngjarjes, sepse ata që janë të painformuar nga mënyra e zhvillimit të ngjarjes, nuk mund ta kuptojnë brendinë e saj. Për rrjedhojë, ata që nuk e mendojnë mirë brendinë e kësaj foljeje, duke e menduar si diçka normale, mashtrohen duke menduar se e kanë kuptuar të vërtetën. Pra, Allahu i Lartë, për të mos na zhytur në një hutim të tillë, si dhe për të treguar befasinë e ngjarjes, duke na tërhequr vëmendjen te mënyra e zhvillimit të saj, thotë: A nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt?

بِأَصْحَابِ الْفِيلِme njerëzit e elefantit?

Allahu (xh.sh.) nuk ka treguar se cilët janë njerëzit e elefantit, nga është e nga vjen ushtria e elefantëve dhe për ç’arsye erdhën, sepse të gjitha këto ishin të njohura për popullin, të cilit i drejtohet Kurani në atë kohë.

Njerëzit e elefantit ishin ushtria e Ebrehasë, që kishin pushtuar Jemenin. Ebrehaja, kur ishte guvernator i Etiopisë, mblodhi një ushtri të madhe. Duke i besuar elefantit të tyre që quhej Mahmud, ata shkatërruan çka u dilte përpara, derisa arritën në rrethinat e Qabes për ta sulmuar, por aty shkatërrohen pa ia arritur qëllimit. Për këtë arsye u quajtën si “njerëzit e elefantit” dhe ndër arabët ky vit u bë i njohur si “viti i elefantit”, duke u bërë referencë historike për ta. Dihet se edhe Profeti Muhamed (alejhi selam) erdhi në jetë në këtë vit. Sipas transmetimit më të saktë 50 ditë pas ngjarjes së elefantit.

Kjo ngjarje është mrekulli e pakontestueshme. Një ngjarje e tillë nuk mund të shpjegohet me shkaqet natyrore. Edhe nga pikëpamja e transmetimit është shumë e sigurt, sepse kur e këndon Profeti (s.a.s.) këtë sure në Meke, kishte shumë njerëz që ishin dëshmitarë të asaj ngjarjeje para 40 vjetësh. Profeti Muhamed (a.s.) edhe pse kishte shumë kundërshtarë nga politeistët dhe ithtarët e librit, askush prej tyre nuk e kritikoi atë për këtë sure që flet për ushtrinë e elefantit.

Mënyra se si vepron Allahu me ushtrinë e Ebrehasë është përmbledhur në katër ajete:

 

أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ

  1. A nuk ua prishi atyre kurthin

A nuk ua nxori huq atyre dredhitë dhe e zhyti në lajthitje rendin e tyre? Pra, a nuk i shkatërroi ata e i la në gjendje të mjerë? Dihet që, kejd dhe mekr kanë kuptime të tilla si: të përgatisësh atentat të fshehtë, të marrësh masa të fshehta për të bërë dëm. Mund të përdoret edhe me kuptime si, mashtrim, dredhi, kurth apo hile.

A nuk ua prishi atyre kurthin?”, si pyetje retorike, ka kuptim e pe që e bëri, pra e pe se si Allahu i shkatërroi ata. Çka ishte kurthi apo dredhia e tyre? Siç dihet nga transmetimet me miratim të gjerë, qëllimi i Ebrahasë ishte që me ushtrinë dhe elefantët e tyre të vinin e të shkatërronin Qaben. Kjo për shkak se ata kishin ndërtuar një kishë me emrin Kulejs, në San’a (Jemen), dhe donin ta drejtonin pelegrinazhin dhe tregtinë e njerëzve drejt saj. Për të arritur qëllimin e tyre kishin bërë shumë përpjekje haptazi e fshehurazi. Ata kishin ardhur 17 km në afërsi të Mekes në vendin e quajtur Mugammes. Por, nga aty nuk kishin arritur ta dërgonin më tej elefantin e tyre, të quajtur Mahmud.

 

Ç’farë ishte kurthi apo dredhia e tyre?

Ushtria e elefantëve bëri shumë shkatërrime në rrethinat e Mekës dhe plaçkitën shumë bagëti. Gjatë kësaj kohe mekasit nga tmerri, ishin ngjitur në male. Gjyshi i Profetit Muhamed (s.a.s.), Abdulmutalibi si përfaqësues i mekasve u përball me Ebrehenë. Ebreheje e priti me respekt. Pasi e pyeti për qëllimin e vizitës, ai i tha se kishte ardhur të marrë devetë që i kishin plaçkitur ushtarët e tij. Ebreheje ia kthen:

-Kur të pash në fillim, pata një përshtypje të mirë për ty. Por, pasi the këto fjalë e humbe vlerën që kishe tek unë. A për të marrë 100 devetë erdhe deri tek unë?! Ndërsa nga ana tjetër harron që unë kam ardhur të shkatërroj Qaben, që është simboli i fesë së gjyshërve tuaj dhe nuk thua asgjë për ta mbrojtur Atë.

-Unë jam pronari i deveve dhe ruaj ato. Ai që do ta mbrojë Qaben është pronari dhe Zoti i saj,- ia ktheu Abdulmutalibi. Ebreheja i trembur ia kthen:

-Askush nuk e mbron dot Qaben nga unë. Abdulmutalibi vazhdon:

-Meqë qenka ashtu, ja tek e ke Qaben përballë teje. Pa hë njëherë, shko e sulmoje nëse mundesh. Pa asnjë dyshim që, Abdulmutalibi e kërcënonte Ebrehenë me Allahun (xh.sh.). Si fillim ia tregon qartë që Qaben do ta ruaj Zoti i saj, pastaj e sfidon hapur edhe pse ia tha me një intonacion të butë “shko e sulmoje nëse mundesh”.

Ebreheje dhe komandantët e tij e nisën elefantin drejt Qabe, por nga aty elefanti Mahmud nuk kishte ecur më tej. Në fillim ky fakt ua prishi punët. Më pas u shkatërruan e u bënë “asfun-me’kul” si gjeth i grimcuar (i përtypur). Pra, ata jo vetëm që nuk e shkatërruan dot Qaben, por u shkatërruan vetë e u bënë copash, apo jo? Pra, Ai që ua ktheu ters një sulm të tillë dhe ua prishi planet është Zoti yt; Zoti yt e mundësoi atë.

Në ajet, fjala “kejd” përdoret me kuptimin “marr masa të fshehta” për të sulmuar dikë. Këtu mund të lindë pyetja se ç’janë masat e fshehta. Nuk ishte diçka e fshehtë që, Ebrehaja me një ushtri prej 60 mijë ushtarësh dhe me elefantë, u nis nga Jemeni drejt Mekës për të shkatërruar Qaben. Për rrjedhojë, këtij fakti nuk i themi masë e fshehtë. Por, qëllimi i fshehtë i Etiopianëve ishte që, duke shkatërruar Qaben të shtypnin Kurejshët. Duke i frikësuar të gjithë arabët, kishin në plan të shtinin në dorë rrugën tregtare që shtrihej nga Arabia Jugore deri në Siri e Egjipt. Ata e mbanin sekret këtë qëllim të tyrin. Në plan të parë, sulmi ndaj Qabes dukej si hakmarrje ndaj mosrespektimit që arabët kishin ndaj kishës.

 

وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيلَ

  1. Duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh

طَيْر është shumësi i fjalës طاَئر që ka kuptimin e zogut fluturues. طَيْرًا në formën e papërcaktuar, tregon që këta zogj ishin të veçantë, zogj që nuk ishin të njohur. Transmetohet se ata ishin prej zogjve që nuk ishin parë në ato anë deri në atë kohë. Në transmetime përmendet se erdhën nga kahu i Jemenit dhe detit, erdhën si një furtunë e shpejtë dhe sulmuan armiqtë si një makth i vërtetë.

أَبَابِيلَ është emër në shumës që nuk ka njëjës. Ka kuptimin që vijnë në turma njëra pas tjetrës, vijnë në grupe të njëpasnjëshme, njëri pas tjetrit. Tajran Ebebil, ka kuptimin e zogjve që vijnë njëri pas tjetrit, në rreshta, në grupe e në tufa të njëpasnjëshme.

 

تَرْمِيهِم بِحِجَارَةٍ مِّن سِجِّيلٍ

  1. Të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur?

Zogjtë i godisnin ata (poseduesit e elefantit) me gurë prej sixhili.

سِجِّيلٍ ka kuptimin e baltës së forcuar në gurë si qeramikë. Ibn Abas (r.a.) thotë se kjo fjalë në origjinal është nga persishtja. Me kuptimin e gurit të bërë prej balte dhe forcimit të saj duke e pjekur.

Në transmetime thuhet se, zogjtë mbanin nga tre prej këtyre gurëve të vegjël sa një kokërr thjerrëze apo qiqre, ose sa jashtëqitjet e deleve, në sqep e në këmbë. Atë që e qëllonte ky gur i hynte në kokë dhe i dilte nga ana tjetër. Dhe kështu, e bënte copë e çikë. Është e lehtë për të menduar gjendja e një ushtrie të tillë, në qiell të hapur, që bombardohej nga sipër, nga zogjtë që vinin tufa-tufa si avionë të pajisur mirë me municione. Për rrjedhojë, përfundimi ishte i tillë:

 

فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَّأْكُولٍ

  1. Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë

Dhe, në çast i bëri ata (poseduesit e elefantit) si gjethe të përtypura. مَّأْكُولٍ Ka kuptimin e ngrënë, e përtypur. Interpretuesit, duke thënë se عَصْفٍ ka kuptimin e gjetheve të të mbjellave, ata kanë përmendur disa variante:

  1. Mbetjet e gjetheve që mbesin në arë pas korrjes së të mbjellave që i vërtit era sa andej këndej dhe që teprojnë pas ngrënies së kafshëve.
  2. Kashta e copëtuar që e vërtit era.
  3. Gjethe që kanë rënë nga ngrënia e krimbave apo buburrecëve dhe janë bërë vrima-vrima. Kjo tregon se, ushtria e Ebrehasë u bë copë-copë pas sulmit të zogjve.

Pra, Allahu i Lartë, i shndërroi në çast poseduesit e elefantit në “gjethe të grimcuara” në një mënyrë të çuditshme e të paparashikueshme. Një ushtri e tillë, që duke mos parë një fuqi që t’i dilte përballë, duke i besuar elefantit të tyre gjigand dhe ushtrisë së tyre u nisën për të shkatërruar Qaben, u shkatërrua prej një fatkeqësie qiellore dhe u bë si gjethe (e përtypur) të mbjellash. Allahu, që e bëri të mundur këtë në çast, nuk ka asnjë fije dyshimi që edhe të tjerët mund t’i shkatërrojë me forma të tilla të paparamenduara, dhe grupin e atyre “që tallen e që përqeshin” do ta flakë në Xhehenem.

Për të tërhequr vëmendjen në ndihmën e Zotit për personin që do të vinte në jetë për të lartësuar dhe njoftuar Njëshmërinë e Allahut me urdhrin “Pastroje Shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që rrinë aty dhe që falin namaz[1], si dhe për të lartësuar famën e Tij, në fillim të sures ألَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَم بِأَصْحَابِ الْفِيل nuk thotë “Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti juaj me njerëzit e elefantit?” por thotë رَبُّكَZoti yt”. Pra, kjo sure është dhuratë për Profetin Muhamed (s.a.s.), sihariq për besimtarët, dhe qortim për mohuesit, veçanërisht për mohuesit Kurejshë që nuk ia dinin vlerën asaj mrekullie të ndodhur.

Këshilli Botues, KMSH

[1]. Surja Haxh, 22:26

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu