Thesare në fjalët profetike

 

Prijësi i besimtarëve, Omer ibnul Hatabi thotë: kam dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit. Çdokujt i takon ajo që ka pasë për qëllim. Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emigrimi i tij konsiderohet i tillë. Ndërsa kush ka emigruar për qëllim të kësaj bote, apo ngase dëshiron të martohet me një grua,ai nuk përfiton nga emigrimi i tij vetëm se atë që ka pasë për qëllim.”[1]

Shpjegimi i hadithit

Hadithi i mësipërm na fton që të mendojmë dhe të meditojmë rreth tij. Ky hadith profetik përcakton orientimin e saktë të fjalëve dhe veprimeve të myslimanit. Struktura e tij përbëhet nga katër fjali:

Fjalia e parë: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit”. Kjo fjali përbën një prej rregullave të përgjithshme të orientimit islam.

Veprat të cilat njeriu i kryen përgjatë gjithë jetës së tij duhet të bashkëshoqërohen me nijet të pastër.

Fjala “nijet” këtu është përmendur në numrin njëjës, ngase ai buron nga një vend i vetëm që është zemra, kurse fjala “veprat” është përdorur në shumës ngase ato janë të shumta dhe të shumëllojshme.

Fjalia e dytë: “Çdokujt i takon ajo që ka pasë për qëllim”, që do të thotë se çdo njeri është përgjegjës për veprimet e veta. Kjo fjali është plotësuese dhe sqaruese e rregullit të parë që veprat varen nga qëllimet. Njeriu e merr shpërblimin e veprës së tij në varësi të nijetit që ka pasë për qëllim, i mirë apo i keq qoftë ai.

Fjalia e tretë: “Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emigrimi i tij konsiderohet i tillë”, nënkupton se ai i cili emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shpërblehet për qëllimin e mirë që pati.

Fjalia e katërt: “Ndërsa kush ka emigruar për qëllim të kësaj bote, apo ngase dëshiron të martohet me një grua, ai nuk përfiton nga emigrimi vetëm se atë që ka pasë për qëllim.” Shkak i thënies së këtij hadithi është se, në atë kohë, një njeri emigroi nga Meka në Medine, për t’u martuar me një grua që quhej Ummu Kajs dhe për këtë ai u quajt “Emigranti i Ummu Kajsit.”[2]

Megjithatë, Profeti (a.s.) nëpërmjet fjalës së tij dëshiron të na tregojë se çështja nuk ka të bëjë me një ndodhi që ka ndodhur në një vend dhe kohë të caktuar, por t’i drejtohet çdo njeriu, cilidoqoftë ai, që kur të kryejë një punë, të bëjë kujdes me nijetin që ka për atë punë.

Sferat e hadithit të nijetit

Hadithi “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit…” është shumë i rëndësishëm, pasi ai përfshin të gjitha sferat e jetës, atë të besimit, adhurimit, moralit shoqëror, etj. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

Sfera e besimit

Hadithi pohon një fakt shumë të rëndësishëm: që veprat të pranohen tek Allahu duhet të shoqërohen me patjetër me nijet të pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e të pastër (të Ibrahimit) si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.”[3]

Në të njëjtën kohë hadithi na këshillon që të ruhemi nga disa sëmundje të zemrës që janë shumë të rrezikshme, si:

1 – Vetëpëlqimi, që e prish punën e mirë.

2 – Syfaqësia, mund të ndodhë që njeriu dëshiron që kur bën një vepër të mirë të fitojë kënaqësinë e njerëzve, ose të fitojë kënaqësinë e njerëzve dhe të Allahut në të njëjtën kohë. Mirëpo, në të dyja rastet, vepra e tij nuk pranohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken.”[4]

Sfera e rregullave dhe dispozitave fetare

Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi mes adhurimit dhe zakonit, po ashtu nëpërmjet nijetit bëhet dallimi nga adhurimi në adhurim, si p.sh.: gusuli mund të merret për shkak të largimit të xhunbullikut, por mund të merret edhe thjesht për të larguar papastërtitë e trupit; gjithashtu gusuli mund të merret se është obligim, por mund të merret edhe për shkak se është i pëlqyer ditën e premte.

Sfera sociale

Fjala e Profetit “çdokujt” është shumë e saktë dhe në vendin e duhur, sepse ajo përfshin mashkullin dhe femrën. Legjislacioni Islam nuk ka bërë dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës, secili prej tyre është i barabartë tek Allahu. Në Kur’an thuhet: “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.”[5]

Vetëm Sheriati Islam i ka dhënë femrës vlerën dhe pozitën që i takon. Ndërkohë që të gjitha shoqëritë e tjera joislame e kanë zhvlerësuar pozitën e saj.

Sfera juridike

Është e vërtetë se veprat varen në varësi të nijetit, mirëpo ky princip ka të bëjë me llogarinë që njeriu do të japë tek Allahu. Ndërsa gjykatësi nuk i gjykon njerëzit në varësi të nijetit të tyre, por në varësi të fakteve dhe argumenteve që i paraqiten. Lidhur me këtë, Profeti thotë: “Unë jam njeri, e ju mund të akuzoni njëri-tjetrin tek unë. Ndoshta dikush prej jush është më i fortë se pala tjetër në paraqitjen e argumenteve dhe unë gjykoj në varësi të asaj që dëgjoj. Prandaj nëse unë gjykoj në favor të palës që nuk ka të drejtë ndaj palës tjetër, atëherë kjo palë që nuk ka të drejtë, nuk duhet t’ia marrë të drejtën palës tjetër, ose përndryshe ajo palë ka përgatitur për vete hyrjen në zjarr.”[6]

Mësimet që nxjerrim nga hadithi:

1 – Rëndësia e nijetit.

2 – Thirrja për të bërë atë që është me e dobishme.

3 – Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat si dhe gjurma që lë nijeti tek veprat.

4 – Motivimi për të bërë vepra të mira dhe frenimi për të bërë vepra të këqija.

Rëndësia e nijetit

Ky hadith profetik flet qartë për rëndësinë e nijetit. Dijetarët kanë thënë: “Ky hadith përbën 1/3 e fesë Islame.

Nijeti është mjaft i rëndësishëm në çdo vepër të mirë të cilën e kryen myslimani, sepse me të ai fiton kënaqësinë e Allahut. Mund të ndodhë që njeriu nuk arrin ta përfundojë një punë, por ai e merr shpërblimin e asaj pune për shkak të nijetit.

Thirrja për të bërë atë që është me e dobishme

Kjo përftohet nga vetë orientimi profetik, i cili flet për rëndësinë e nijetit, ku për ta rrënjosur në mendje këtë koncept thotë: “çdokujt i takon ajo që ka pasë për qëllim”. Pikërisht besimtari duhet të karakterizohet me këtë cilësi duke i orientuar dhe duke i udhëhequr njerëzit në atë që është më dobishme për ta.

Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat si dhe gjurma që lë ai te veprat

Feja Islame ka vlera që nuk i ka asnjë fe tjetër qiellore. Një prej këtyre vlerave është lidhja e ngushtë e veprave me nijetin, sepse çdo vepër shpërblehet në varësi të nijetit të njeriut. Që do të thotë se nuk e meriton shpërblimin e një pune, vetëm nëse ajo vepër ka qenë për hir të Allahut. Po ashtu me vepra të mira nënkuptojmë ato vepra që janë në përputhje me Legjislacionin Islam. Për sa i përket veprave të mira qofshin farz, sunet apo të pëlqyeshme, njeriu shpërblehet në varësi të nijetit. Ndërsa për veprat që janë të lejueshme për t’u vepruar, njeriu as nuk shpërblehet dhe as nuk bën gjynah, por nëse i shoqëron ato me nijet të mirë, atëherë ai shpërblehet. Si p.sh.: ngrënia e ushqimit konsiderohet mubah, por nëse njeriu ha ushqim që të jetë i fortë dhe i shëndetshëm në kryerjen e adhurimeve, atëherë ai për këtë nijet merr shpërblim.

Motivimi për vepra të mira dhe frenimi nga veprat e ndaluara

Në këtë hadith Profeti (a.s.) na ka nxitur që nijeti ynë të jetë i pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Madje këtë gjë, ai e ka kontrektizuar me një shembull praktik duke thënë: “Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emirgrimi i tij konsiderohet i tillë.” Kjo është një nxitje që punët që kryhen duhet të shoqërohen me nijet, dhe se myslimani duhet të bëjë kujdes nëse puna e tij nuk bashkëshoqërohet me nijet.

Kur’ani i fton njerëzit që të besojnë duke i përgëzuar për shpërblimin që i pret. “O ju ithtarë të Librit që keni besuar në Musain dhe Isain, kini frikë Allahun dhe besoni në të Dërguarin e Tij, sepse Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[7]Motivimi për të besuar, për të bërë vepra të mira, për të përfituar nga të mirat e kësaj bote është më se i domosdoshëm, sepse natyra njerëzore është gatuar që të lakmojë më të mirën. Për këtë arsye, Profeti (a.s.) i nxit njerëzit për të bërë sa më shumë vepra të mira. Tregohet se një ditë ai i drejtohet shokëve të tij me këto fjalë: “Nëse dikush prej jush lahet pesë herë në ditë tek lumi që kalon përpara portës së tij, a do të ishte i papastër? Patjetër që jo – u përgjigjën ata. Kështu është shembulli i besimtarit me pesë namazet (që fal), nëpërmjet tyre Allahu i fshin mëkatet – shtoi ai.”[8]

Një detyrë e rëndësishme e thirrësit është që t’i njohë mirë njerëzit që i thërret. Ai nuk duhet të frikësojë askënd përpara se t’u japë myzhde, sepse një pjesë e mirë e njerëzve që janë larg besimit dhe veprave të mira, shejtani i ngacmon duke u futur në mendje mendime të tilla si p.sh.: nëse ata i përkushtohen rrugës së fesë, liria e tyre kufizohet dhe se nuk mund të shijojnë asgjë nga kjo botë. Me të tillë njerëz metoda e frikës nuk vlen, më primare është që njerëzve t’u flitet për depot e mirësisë dhe bereqetit të pashtershëm që ka Allahu i Lartësuar.

Epilog

Në epilogun e këtij hadithi po citoj disa thënie të të parëve tanë në lidhje me nijetin:

Jakub ibën El Mekfuf thotë: Njeri i sinqertë është ai njeri i cili veprat e mira i fsheh ashtu siç fsheh gjynahet.[9]

Dikush ka thënë: Unë parapëlqej që çdo gjë ta shoqëroj me nijet, kur ha, pi, fle, hyj në banjë, etj.[10]

Kur është pyetur Sehli rreth asaj që është më e vështirë për njeriun, ai është përgjigjur me fjalët: Me qenë i sinqertë.[11]

Mutarif ibën Abdulla ka thënë: Përmirësimi i zemrës vjen si rezultat i punës së mirë, ndërsa puna e mirë varet nga nijeti i personit.[12]

Ibën El Mubareku thotë: Ndoshta një punë të vogël nijeti e zmadhon dhe ndoshta një punë të madhe nijeti e zvogëlon.[13] 

 

[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 1. Transmeton imam Muslimi, nr: 1907.

[2] Një ndodhi e tillë dëgjohet shpeshherë të thuhet nga njerëzit, por kjo ndodhi nuk është e saktë. Shih “En Nur Es Sari fi Sher’h Sahih El Buhari” fq: 1/28.

[3] Bejine: 5.

[4] Maun: 4-6.

[5] Nisa: 124.

[6] Transmeton imam Buhariu, nr: 7169 dhe imam Muslimi, nr: 1713.

[7] Hadid: 28.

[8] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 528 dhe imam Muslimi, nr: 667.

 

[9] Marrë nga libri “Meuidhatul mu’minin” fq: 443.

[10] Marrë nga libri “Minhaxhul kasidin” fq: 322.

[11] Marrë nga libri “Minhaxhul kasidin” fq: 322

[12] Marrë nga libri “Xhamiul Ulumi uel hikem” fq;71.

[13] Marrë nga libri “Xhamiul Ulumi uel Hikem] fq: 71.