Transmetohet nga Umran ibn Husejn se Profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: “Turpi nuk sjell tjetër veçse të mira”[1]

Turpi për të cilën i dërguari i Zotit (a.s.) bën fjalë është ajo që ndërhyn ndërmjet njeriut dhe të shëmtuarës duke e penguar personin nga ajo punë që e turpëron. Është i lavdërueshëm morali i atij personit, të cilit i sillet në kokë të bëjë një vepër amorale dhe turpi e pengon ose i vjen të ofendojë ndonjë njeri dhe turpi e frenon. Një njeri i tillë, kur rastis me një vajzë të bukur ul shikimin dhe nuk merr pjesë në ato biseda ku njerëzit përgojohen. Sepse ky person e njeh Allahun si Zot të vetëm dhe duke e ditur se është nën mbikqyrjen e Tij në çdo moment, i vjen turp të veprojë në kundërshtim me pëlqimin e Zotit. Këtë nënkupton Profeti ynë kur i thotë shokëve: “Kini turp nga Allahu ashtu siç e meriton” Ata thanë: Lavdi Zotit ne kemi turp, o i dërguari i Zotit! Profeti iu përgjigj: “Nuk është ashtu. Ai që turpërohet nga Allahu ashtu siç e meriton, duhet të ruajë kokën dhe çka brenda saj (pra të ruajë mendimin, shikimin, gjuhën dhe dëgjimin nga harami), të ruajë barkun dhe ç’ka përmban ai, të përkujtojë vdekjen dhe tretjen nën dhé. Kush vepron kështu, ka vërtet turp nga Allahu”[2].

Turpi është dy llojesh: a) Turpi i vendosur në natyrën e njeriut që në lindje dhe jo i fituar më vonë. Ai është prej virtyteve më të mëdha që Allahu ia dhuron robit. Ai e pengon njeriun nga kryerja e veprimeve të turpshme dhe të ulta duke e nxitur atë drejt sjelljeve fisnike e të larta. Në këtë kuptim është prej cilësive të besimit. b) Turpi i fituar nga njohja e Allahut dhe Madhështisë së Tij. Kjo është prej cilësive më të larta të besimit dhe prej gradëve të larta të mirësisë. Transmetohet nga Eshexh el-Asari: Pejgamberi më tha mua: “Ti ke dy virtyte të bukura të cilat Allahu i don”. Thashë: Cilat janë ato? Profeti tha: “Vetpërmbajtja dhe turpi”. Thashë: A më janë dhuruar apo i kam fituar vetë? Profeti u përgjigj: “I ke të dhuruara”. Thashë: Falenderimi i takon Allahut që më bëri me dy cilësi që i don Ai Vetë.[3]

Nëse njeriut i mungon turpi i fituar apo i lindur, nuk i mbetet atij çfarë ta ndalojë nga kryerja e mëkateve të shëmtuara dhe sjelljeve të pahijshme.  Kush nuk u turpërua bëri çfarë deshi, pasi pengesa prej kryerjes së veprimeve të turpshme është turpi. Ai që nuk ka turp t’i shkelë kufijtë e Zotit, i ka njëlloj si mëkatet e vogla ashtu edhe mëkatet e mëdha. Ai zhytet në çdo imoralitet dhe paturpësi, prej të cilave ndalohen ata që kanë turp. Ashtu siç thotë edhe Zoti në Kur’an: “Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju”[4]. Ose Profeti Muhamed (a.s.) kur thotë: “Nëse nuk ke turp bëj çfarë të duash”[5]. Sigurisht këto thënie nuk janë në kuptimin e urdhërit që ky njeri të bëjë çfarë të dojë, por në kuptimin e qortimit dhe të ndalimit prej kësaj, pasi Allahu padyshim do ta gjykojë për këtë.

Duhet theksuar edhe njëherë se në thëniet e Profetit bëhet fjalë për turpin e lavdëruar dhe jo për atë që është frikë, ose që në mënyrë alegorike i themi turp. Kështu përshembull, ai turp që të ndalon të thuash të vërtetën, të ndalon për punë të mira, nuk të frenon nga e keqja, të ndalon të pyesësh për ndonjë çështje që nuk e ke kuptuar dhe veprime të tjera të ngjashme me të, është i qortueshëm. Profeti (a.s.) ka qenë shumë i turpshëm, por kur shihte diçka që nuk ishte në përputhje me fenë ose me normat njerëzore nuk turpërohej ta pengonte atë të keqe, nuk heshte kur shihte gabime por i përmisonte. Dhe këshillat e tij për njerëzit janë gjithnjë në këtë drejtim.

Turpi dhe besimi shkojnë paralelisht me njëri tjetrin, nëse hiqet turpi e ndjek tjetri. Për këtë arsye Hz. Muhamedi (a.s.) e bëri turpin prej besimit, sikurse në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre ku thotë: “Turpi është pjesë e besimit”[6]

Dorian Demetja

[1] Buhari, Muslim

[2] Tirmidhi, Ahmed

[3] Nesai, Ahmed

[4] Fusilet,40

[5] Buhari

[6] Buhari, Muslim

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu