VITI I TRETË I HIXHRIT

 

Tradhtia e jehudinjve pas Betejës së Bedrit

 

Ne  çekëm diçka, në mënyrë të përmbledhur, për tradhtinë e çifutëve, kur u fol për betejën me Banu Kainuka. Këtu, më poshtë, po japim edhe disa hollësi të tjera.

Çifutët e filluan veprimtarinë e tyre armiqësore kundër Profetit të Islamit a.s., në shkallë të gjerë, pas Betejës së Bedrit. Një përfaqësi e hebrenjve, ku bënin pjesë figura udhëheqëse të tyre, si Hujaj bin Akhtab, Sallam bin Ab-al-Hukaik, Abu Rafi, al-Rabi bin ab-ul-Hukaik, Kab bin Ashraf, Abu Ammar e të tjerë, bënë vizita te kurejshët, te Ghatafan dhe Banu Kuraiza, 1] me qëllim që t’i nxitnin ata kundër Profetit Muhamed alejhi salam. Kur shkuan te kurejshët idhujtarë të Mekës, disa prej tyre kërkuan mendimin e jehudinjve: “Ju jeni midis njerëzve të ditur izraelitë, jeni populli i Librit; ju jeni të vetëdijshëm për ndryshime midis nesh dhe Muhamedit. Na thoni, cila fe është më e mirë?” Ata iu përgjigjën: “Feja e juaj është më e mirë se ajo e Muhamedit dhe ju jeni në rrugë të drejtë.” Me anë të Shpalljes Hyjnore, 2] Profeti i madhërishëm a.s. u njoftua për këtë veprim të ulët të çifutëve, duke deklaruar se idhujtaria është më e mirë se Feja e Vërtetë e Allahut, megjithëse ishin në zotërim të shkrimeve. Kurani i shenjtë thotë:

 

“A nuk i ke parë ata që u është dhënë një pjesë e Librit? Besojnë në idhuj dhe hyjni të rreme dhe thonë për jobesimtarët: Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besojnë.

Këta janë ata që i ka mallkuar Allahu dhe, atij që e mallkon Allahu, nuk do t’i gjendet ndihmues.”  (IV: 51,52)

 

Disa nga ata që bënin pjesë në përfaqësinë e përmendur më sipër, ishin shumë të prapë e të pabindur, megjithëse nga sjellja e jashtme kishin pamje tërheqëse. Ata përpiqeshin t’i ftohnin njerëzit me Islamin. Ja, si shprehet kjo gjë në shpalljen e zbritur: 3]

 

“Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”  (II: 109)

 

Kab bin Ashraf

 

Në atë kohë, në Arabi, mënyra më e mirë për të pasur një propagandë efikase kundër një njeriu, ishte poezia. Poetët ishin ata që mbanin ndezur flakët e urrejtjes dhe xhelozisë ndërmjet fiseve të ndryshme. Këtë armë e përdorën edhe jehudinjtë kundër Islamit. Një nga poetët çifutë më të njohur, ishte Kab bin Ashraf, një burrë me pamje tërheqëse. Zakonisht, si gjah i tij ishin gra të pafajshme, të cilat, me anë presionesh e lajkash, përpiqej t’i shtinte në dorë për të plotësuar dëshirat e tij të ulëta. Nga ana tjetër, ai kishte njohje të gjera me shumë nga fiset fqinje; mbi të gjitha, ai ishte i dëgjuar për zilinë dhe urrejtjen ndaj Profetit të shenjtë alejhi salam. Fitorja e Bedrit i dha atij edhe një motiv më shumë dhe u tërbua fare nga suksesi i Profetit të ndritur a.s. në këtë betejë. Pas betejës së Bedrit, ai ishte pjesë e asaj përfaqësie jehudinjsh të përmendur më sipër, e cila erdhi në Mekë dhe, me këtë rast, shkroi elegji plot vajtime, në kujtim të krerëve mekas, të vrarë në betejë. Përmes këtyre poezive elegjiake, ai nxiste kurejshët kundër myslimanëve, duke kërkuar t’i shtynte ata për një betejë tjetër kundër myslimanëve, 4] që të merrnin hak për heronjtë e tyre, të varrosur në pusin e Bedrit.

Pas kthimit nga Meka, ai filloi të thurë vargje amatore, në trajtë sonetesh të shkurtra, që mund të këndoheshin me lehtësi e të merrnin përhapje të shpejtë, duke e dëmtuar dinjitetin e nderin e personit, të cilit i kushtohej dhe në rastin e tij, fjala ishte për nderin e disa grave nga lagjet e myslimanëve. 5]

Tabari 6] na jep disa prej këtyre soneteve të përpiluara nga Kab. Ato tregojnë se sa larg mund të shkonte ai në guximin e tij të paturpshëm, duke e përdorur atë talent që kishte në shërbim të dëshirave të ulëta. Kupleti i mëposhtëm i drejtohej një gruaje me emrin Umm al-Fadal.

 

Ah, moj zemra ime! Ti, s’do ta shikosh? Nuk do të vlerësosh hiret e saj?

Do ta lësh Umm al Fadl ashtu, të braktisur?

Oh, ngjyra e saj e zbehtë, shafran: kaq e mbushur me sharm sa, po ta shtrydhësh,

Verë, këna,dhe kahatam i parfumosur do të rrjedhë prej saj.

Kaq e brishtë figura e saj e hollë, nga nyja e këmbëve deri te shpatullat, ashtu e përkulur,

Dëshiron të qëndrojë drejt, por nuk mundet,

Kur u takuam, ajo më bëri ta harroja gruan time, Umm Halim,

Megjithëse korda që më lidh me të nuk ka për t’u këputur.

Hidhu nga Bani Amir, zemra ime është plot me dashuri për të,

Dhe, po të donte ajo, zemrën e Ka’bit do ta shëronte nga sëmundja e saj.

Ajo është princesha e grave, dhe babai i saj është Princi i fisit të vet,

Mikpritësi i të huajit, ai që i plotëson premtimet.

Unë kurrë nuk e pashë diellin të lindë natën, derisa një mbrëmje të errët,

Ajo m’u shfaq e tëra në shkëlqimin e vet. 7]

 

Profeti Muhamed a.s. dhe myslimanët e paralajmëruan atë disa herë për poezi të tilla, të pahijshme, por ai nuk donte t’ia dinte dhe vazhdoi me vrerin që e shtonte çdo ditë, kundër Profetit të ndritur a.s dhe myslimanëve.

 

Ekzekutimi i Kab Bin Ashrafit (Rabi al-Awwal, viti 3, H.)

 

Sikurse është thënë edhe më parë, në Medine nuk kishte ndonjë forcë policore që të merrej me ankesat e njerëzve. Ekzekutimi i tradhtarëve dhe rebelëve bëhej nga persona të caktuar, me porosi të Profetit të lartë alejhi salam. Përderisa Kab bin Ashraf shfaqte një rebelim të hapët kundër parimeve bazë të Shtetit Islam, ai duhej të dënohej me vdekje për tradhti, blasfemi ndaj gjërave të shenjta dhe për shkelje të marrëveshjes së nënshkruar midis Profetit të nderuar a.s. dhe jehudinjve. Sipas Ibn Haxharit, të cituar, gjithashtu edhe nga Allamah Shibli Numani (në “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.407), Kab bin Ashraf po komplotonte për të vrarë Profetin Muhamed alejhi salam. 8] Për këtë arsye, një ditë, Profeti fisnik a.s. u kërkoi shokëve të tij, “Kush do të më lehtësojë nga Ibn Ashraf?” 9] Këtë detyrë e mori përsipër Muhamed bin Maslama. Kjo ishte një punë jo e lehtë, prandaj, në ndihmë të tij dolën edhe katër vetë të tjerë, nga fisi Awus: Abu Nailah Silkam bin Salamah, vëlla qumështi i Kabit; Harith bin Awus; Ubbad bin Bashr dhe Abu Abs bin Xhabr. 10] Sipas planit, Abu Naila ia arriti ta bënte për vete me fjalë të bukura dhe të paraqitej sikur po i kërkonte Kabit një favor. Abu Nailah ankohej për fatkeqësitë e varfërinë që kishte plasur në qytet me shfaqjen e Islamit dhe i lutej atij që të jepte ndonjë ndihmë në ushqime e hurma për t’ia lehtësuar jetesën atij vetë dhe një shoku të tij që mendonte njësoj dhe në këmbim, ata e siguronin Kabin nga planet e armiqve kundër tij. Ata u morën vesh që të shkonin në shtëpinë e tij në një orë të caktuar të mbrëmjes. Abu Nailah dhe katër “muxhahidinët”(“luftëtarë” në Rrugën e Allahut) e tjerë, u mblodhën te shtëpia e viktimës. Abu Naila i thirri Kabit me zë të lartë dhe ky filloi të ngrihej nga shtrati. Megjithëse nusja e tij e re 11] u përpoq ta ndalonte të dilte nga shtëpia në këtë kohë të vonë, ai u ul poshtë dhe u bashkua me grupin. Të pesë myslimanët filluan me të bisedën sipas avazit, për fatkeqësitë e Medines e tjerë, derisa arritën te një ujëvarë, ku gjetën vendin e përshtatshëm për ekzekutimin e tij. Si u larguan menjëherë nga ai vend, ata nxituan t’i dërgonin lajmin Profetit Muhamed alejhi salam. Ai i priti, duke u thënë: “Mirë se vini, gëzimi në fytyrat tuaja tregon se e kryet detyrën.” 12]

Ekzekutimi i Kab bin Ashraf ndodhi më 14 Rabi-al Awwal të vitit 3 të Hixhrit. 13]

 

Fushata e Dhi Amr kundër Banu Ghatfan

 

Në muajin Rabi al-Awwal erdhën lajme se fisi Banu Ghatfan po mblidhte trupa përsëri, në Dhi Amr, në Nexhd. Profeti i Islamit a.s., menjëherë, më 12 të këtij muaji u nis për t’i shpërndarë, në krye të katër qind e pesëdhjetë e pesë burrave, disa prej të cilëve, në kuaj. 14] Me të dëgjuar afrimin e Profetit Muhamed a.s., armiqtë u tërhoqën në drejtim të maleve, lart, në majet e tyre. Atëherë, Profeti a.s. u bëri thirrje të hynin në Islam; si rezultat, një numër prej tyre, e pranuan Islamin. Me këtë rast, Allahu zbriti këto vargje nga shpallja e Tij. 15]

 

“O besimtarë! Kujtoni mirësinë që ju dha Allahu ditën, kur Ai pengoi duart e një grupi njerëzish që i kishin zgjatur ato për t’ju dëmtuar ju. Frikësojuni Allahut! Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu!”  (V: 11)

 

Fushata e Buhranit

 

Në muajin Xhumadi al-Ula, 16] Profeti fisnik a.s., në krye të tre qind ndjekësve të tij udhëhoqi një fushatë tjetër, kësaj radhe, në drejtim të Buhranit, ku fisi Banu Sulaim kishte grumbulluar forca të mëdha kundër myslimanëve. Kur arriti te vendi i caktuar, zbuloi se forcat e tyre ishin shpërndarë. Kështu, pas një qëndrimi të shkurtër në Buhran, u kthye në Medine.

 

Patrulla vëzhguese (“Sarjah”) e Zaid Bin Haritha

 

Në muajin Xhumadi al-Akhir, Profeti i ndritur a.s. dërgoi një grup prej 100 burrash, nën komandën e Zaid bin Harithas (kjo ishte patrulla e parë, ku Zaid ishte ‘Amir’, d.m.th., drejtues ose komandant), në Kardah, në Nexhd. Thuhet se ky grup vëzhgues u dërgua në ndjekje të një karvani të madh kurejsh (me një vlerë prej 300.000 derhemësh) e që drejtohej nga Safwan bin Umajah. 17] Zaidi korri një sukses të shquar në detyrën e tij. Pas një qëndrese të vogël, armiku u vu në ikje, duke lënë pas vetes një sasi të madhe malli e argjendi (me vlerë rreth 100.000 derhemë) dhe dy robër. Guida i karvanit, Fuat bin Hajan, njoftoi për shumë gjera rreth karvanit dhe, duke parë trajtimin e njerëzishëm që iu bë prej myslimanëve në Medine, e pranoi Islamin.

Në të vërtetë, qysh pas disfatës në Bedër, kurejshët kishin filluar haptas përgatitjet për një luftë në një shkallë shumë më të lartë, kundër myslimanëve. I tërë fitimi i siguruar nga karvani i Abu Sufjanit, ishte lënë vetëm për blerjen e armëve e të municionit për luftën që pritej. Kurejshët, gjithashtu, përfunduan traktate paqeje me Banu Bakër dhe fise të tjera fqinje. Pas bllokimit të rrugës për në Siri (si rezultat i betejës së Bedrit), ata hapën tregtinë me Irakun, me dy synime kryesore, atë të përfitimit si në çdo veprimtari tregtare, por edhe mundësinë e sigurimit të aleatëve të rinj kundër Profetit të lartë alejhi salam. Karvani i Safwanit (në ndjekje të të cilit u vu Zaid bin Haritha) ka të ngjarë, të ketë qenë i pari në këtë drejtim. Përderisa Profeti i nderuar a.s dhe myslimanët ishin në luftë me kurejshët, ishte e natyrshme të bëheshin përpjekje për bllokimin e kësaj rruge të re për tregtinë e kurejshëve, gjë që përbën arsyen e dërgimit të patrullës që u përmend më sipër, në komandën e Zaid bin Haritha.

 

BETEJA E UHUDIT (SHAWWAL, VITI 3, H. – MARS, 625)

 

 Mekasit nuk e kishin menduar kurrë, as në ëndërr, atë që u ndodhi në Bedër. Beteja krijoi, gjithashtu, një përshtypje të jashtëzakonshme te hebrenjtë dhe beduinët (arabët e shkretëtirës, që jetonin në fshatra). Për herë të parë, ata po e ndjenin forcën e myslimanëve. Tani, zjarri i hakmarrjes qëndronte i ndezur pa pushim në zemrat e mekasve për atë disfatë dërrmuese. Kështu që, ata ishin të vendosur ta fshinin atë njollë njëherë e mirë dhe i filluan përgatitjet për një sulm të dytë kundër myslimanëve. Në shërbim të kësaj fushate, ata vunë të gjitha fitimet e siguruara gjatë vitit, nga tregtia e tyre. Poetët mekas nxitnin popullsinë me krijimet e tyre që të jepte secili ndihmesë sa më të madhe për luftën e pritshme kundër myslimanëve. Edhe gratë, nga ana e tyre, nuk mbetën prapa për të shtuar te burrat e tyre guximin e zellin për luftë. Hindi, gruaja e Abu Sufjanit, përgatiti një skllav të sajin, me emrin Wahshi, duke i premtuar t’i jepte lirinë, me kusht që gjatë kësaj lufte të vriste Hamzanë, ungjin e Profetit të madhërishëm a.s., i cili, në luftën e Bedrit, kishte vrarë babain e saj. Wahshiu njihej si mjeshtër në përdorimin e shigjetës në luftë.

Myslimanët e Medinës nuk dinin gjë për këto përgatitje të kurejshëve. Profeti i Islamit a.s., vetëm dy a tri ditë para se ushtria mekase të arrinte në afërsi të Uhudit, e mori këtë lajm, nëpërmjet Hazreti Abasit, 18] xhaxhait të tij, i cili e kishte pranuar Islamin, tanimë, por vazhdonte të jetonte në Mekë. Profeti Muhamed a.s. dërgoi si zbulues Anasin, Munisin dhe Hubabin për të mbledhur të dhëna të tjera për këtë ushtri. Ata i vërtetuan të gjitha sa thuheshin për lëvizjen e kurejshëve dhenjoftuan se ushtria e tyre po vendosej afër Uhudit, rreth 3 milje larg Medines. Të nesërmen, ditën e premte, më 13 të muajit Shawwal 19] të vitit 3 H., Muhamedi a.s. u këshillua me shokët e tij për gjendjen. Disa prej tyre ishin të mendimit që të forconin pikat e hyrjes në Medine dhe të luftonin brenda qytetit. 20] Profeti i Islamit a.s. ishte i këtij mendimi, gjithashtu, mirëpo, të rinjtë, në përgjithësi dhe ata më gjaknxehtët, sidomos, ata që nuk patën rastin e mundësinë të luftonin në Bedër, dëshironin të dilnin jashtë qytetit dhe të ndesheshin më armikun në fushë të hapët. 21] Duke parë se shumica ishin të këtij mendimi, Profeti fisnik a.s. u bë me ta dhe hodhi në trup mburojën e vet të famshme që e përdorte në luftë. Pas namazit të ditës së premte, ai nisi marshimin në krye të një force prej një mijë burrash për t’u ndeshur me ushtrinë kurejshe prej tri mijë vetësh e të pajisur me të gjitha mjetet ushtarake të kohës, e cila e kishte ngritur kampin e vet në rrëzë të malit të përmendur të Uhudit, afër Medines, si kishin kryer plaçkitjen e shkretimin e të gjitha të korrave e të kullotave të myslimanëve në atë territor. Myslimanët e kaluan natën jo larg qytetit, për ta vazhduar marshimin e tyre në mëngjesin e ditës së nesërme. Rrugës për në Uhud, udhëheqësi i hipokritëve, Abdullah bin Ubaji, braktisi myslimanët, duke e pakësuar numrin e luftëtarëve në 700 vetë. 22] Duke përjashtuar vetëm një numër të vogël, në përgjithësi, myslimanët nuk ishin të stërvitur në mjeshtërinë e luftimit, por ishin të mbushur me entuziazëm që buronte nga “Imani” (besimi fetar) dhe donin ta mbronin të Vërtetën me çdo kusht.

 

Nr.4.(Nga lista e ilustrimeve): Hartë për fushën e betejës së Uhudit (faqe më vete)

 

Fusha e Betejës:

 

Profeti Muhamed a.s. arriti në Uhud ditën e shtunë, 23] më 15 Shawwal, 24] (30 mars, 625) herët në mëngjes, me një ushtri prej 700 besimtarësh. Ai zuri pozicionin brenda shkëmbinjve të Uhudit, për të mbrojtur prapavijën. 24] Në njërën anë, ndodhej një e çarë, përmes shkëmbit, gjë që përbënte rrezikun e një sulmi nga shpina. Për këtë arsye, Profeti i madhërishëm a.s. caktoi aty pesëdhjetë harkëtarë, nën komandën e Abdullah bin Xhubairit, 26] me urdhër të rreptë që të mos e braktisnin pozicionin për asnjë arsye.

Ushtria kurejshe, midis 3000 ushtarëve të stërvitur për luftë e të armatosur me të gjithë armatimin e nevojshëm, 27] kishte 700 luftëtarë me parzmore dhe 100 kalorës. Aty ishin edhe 15 gra që ekzekutonin këngë vaji, me tone therëse,në kujtim të luftëtarëve mekas, të rënë në Bedër. 28] Kuplete të tilla, të kënduara nga gratë e kurejshëve që i shoqëronin me tingujt kumbues të dajreve, jepen me shumicë në librat e historisë: 29]

Ne jemi vajzat e yllit të mëngjesit,

Mbi qilimet e shtruara ecim avash;

Përpara burra, ne do t’ju përqafojmë

Por, po kthyet shpinën, do t’ju shtyjmë tutje,

Do t’ju shtyjmë fort, gjithë përbuzje!” 30]

 

Kur dëgjonin këto, jobesimtarët tërboheshin dhe digjeshin nga dëshira që t’i lanin hesapet me myslimanët. Abu Sufjani ishte kryekomandanti i ushtrisë mekase. Ai e ndau ushtrinë në reparte, secili me komandë të veçantë, ndërsa për vete mbajti pozicionin në qendër. Para fillimit të sulmit të përgjithshëm, lufta filloi me seri duelesh. Luftëtarët e mëdhenj të Islamit, Hazreti Ali dhe Hamzah vranë një numër figurash të shquara kurejshe, duke përfshirë edhe flamurmbajtësin e tyre, Talhanë. Pastaj, filloi beteja e përgjithshme. Myslimanët luftonin me dëshpërim, për jetë a vdekje dhe një numër i madh jobesimtarësh u vra. Askush nuk guxonte t’i dilte përballë Hazreti Hamzasë (Rad. A.), luftëtarit të dëgjuar në tërë Arabinë. Wahshiu, skllavi i stërvitur nga Hindi, gruaja e Abu Sufjanit, qëndronte i gatshëm në pritën që i kishte ngritur martirit të famshëm. Porsa Hazreti Hamzai u fut në rrezen e goditjes, Wahshiu e hodhi me tërë vrull shigjetën e tij vrastare që i përshkoi stomakun dhe ai u rrëzua. Pastaj, Wahshiu e vrau luftëtarin e madh të Islamit. 31] Hindi ia nxori mëlçinë nga gjoksi dhe e futi në gojë e nisi ta përtypte, duke përmbushur kështu betimin e saj frikëndjellës. Megjithatë, besimtarët qëndruan të palëkundur, si shkëmb, duke shpalosur një shpirt guximi e burrërie të pashembullt. E, me këta ishte edhe fitorja për atë ditë; shpejt, jobesimtarët nuk mundën të qëndronin më tepër dhe ia dhanë vrapit në ikje, kush të shpëtonte lëkurën.

 

Fitorja e kthyer në disfatë

 

Një numër luftëtarësh myslimanë filluan të merrnin plaçkë lufte e sende të tjera që i përkisnin ushtrisë që po e braktiste fushën e betejës. Të mbushur me vetëbesimin e sigurinë në fitore, shumica e shigjetarëve të caktuar te lugina, me detyrë për të vëzhguar me kujdes të gjitha lëvizjet e armikut, i nënvleftësuan urdhrat e rrepta të Muhamedit a.s. dhe filluan të linin pozicionet e tyre për të marrë diçka nga plaçka e luftës. Komandanti i tyre, Abdullah Xhubairi u kujtoi atyre paralajmërimin e Profetit të ndritur a.s., por pa dobi, me përjashtim të një numri të vogël, të cilët qëndruan të gozhduar në postin e caktuar. 32] Khalid bin Walidit (në atë kohë, ende jobesimtardhe komandant i një prej reparteve të kalorësisë), nuk i shpëtoi pa i rënë në sy kjo pikë e dobët në kampin e myslimanëve dhe e krijuar nga ata vetë. Ai bëri një rrotullim të shpejtë nga ana tjetër e malit të Uhudit dhe, pasi vrau ata pak harkëtarë që kishin mbetur, i ra me turr ushtrisë së myslimanëve nga prapa. Myslimanët që deri atëherë ishin të zënë me grumbullimin e plaçkës, kur kthyen të shihnin pas shpine, përnjëherë dalluan flakërimën e shpatave të armikut dhe e humbën vetëdijen, duke u përfshirë nga paniku i plotë. Në këtë mënyrë, mosbindja ndaj urdhrave të Profetit të lartë a.s. solli fatkeqësinë që nuk pritej.

Të pabesët vranë flamurmbajtësin e myslimanëve, Hazreti Musab bin Umair (Rad. A.). Kur panë flamurin e myslimanëve të rrëzuar, ushtria armike që po ikte, u kthye përnjëherë, kështu që ushtria myslimane u rrethua nga të dyja anët. Hazreti Musab bin Umair ngjasonte fizikisht me Profetin e nderuar a.s. dhe, me shpejtësi filluan të qarkullonin fjalë në radhët e mekasve (veçanërisht, nga Amr bin Kumaiah, i cili e kish vrarë Musab bin Umairin), 33] se ishte vrarë Profeti i Islamit alejhi salam. Ky lajm i frikshëm u përhap si flaka dhe i shkurajoi myslimanët, seriozisht; mes tyre filloi konfuzioni e çoroditja. Por Profeti i madhërishëm a.s. ruhej nga disa prej ndjekësve të tij trima, si Hazreti Ali, Abu Bekër, Ymeri, Sad bin Wakkas, Talha, Zubair, Harith bin Thamit dhe Abu Duxhanah (Rad, A.), e të tjerë. 34]

Ndërkohë, Hazreti Kab bin Malik e pa Profetin Muhamed a.s. dhe ua dha lajmin e mirë myslimanëve. 35] Ata u sulën me vrap drejt tij, të ndjekur nga jobesimtarët, me synimin për ta vrarë me çdo kusht Profetin e Allahut. Myslimanët iu bënë mburojë atij përballë sulmit të jobesimtarëve. Një numër “muhaxhirësh” dhe “ansarësh” të shquar u goditën në ato çaste nga shpatat e armiqve; e, shumë prej tyre edhe u vranë. Edhe Profeti fisnik a.s. u plagos atë ditë nga duart e jobesimtarëve. Dy hallka të helmetës ia çanë fytyrën 36] kur një ushtar armik e goditi në kokë. Një tjetër jobesimtar e goditi me gur, duke i thyer dy dhëmbë. Një breshër shigjetash, gjithashtu, fluturuan në drejtim të tij. Megjithë këto akte barbarie e dhune, nga ana e jobesimtarëve, Profeti i Islamit a.s., Profeti i mëshirës, as i mallkoi dhe as mendoi ndonjë gjë të keqe për ta. Ai vetëm thoshte: “Si mund të bëjë hajr një popull që e lan me gjak fytyrën e Profetit të vet, i cili u bën thirrje të ndjekin rrugën e Allahut.” Ai lutej për ta: “Zoti im! Fale popullin tim, sepse ata nuk dinë.” 37] Ky është një nivel, të cilën historia e njerëzimit nuk e arrin kurrë, një nivel të tillë që të krijojë shembuj kaq të shquar mëshire dhe të lutet për armikun më të ashpër.

Por edhe pas gjithë kësaj goditje, myslimanët e rraskapitur e morën veten dhe arritën ta mbrapsin armikun. Myslimanët e shpërndarë u grumbulluan te Profeti i ndritur a.s., i cili i drejtoi për te lartësia e malit. Besimtarët e rifituan besimin në vete dhe i shpërndanë mekasit. Kur pëshpërima e vdekjes së Profetit të lartë a.s. arriti në Medine, e bija, Fatimja (Rad. A.), u turr me vrap deri në Uhud. Ajo e pa të atin, të mbuluar me gjak, që i rridhte, me shumicë. Hazreti Fatimja (Rad. A.) ia lidhi plagët. Kur dy ushtritë u tërhoqën nga fusha e betejës, aq të rraskapitur ishin myslimanët, sa do të thoshe se do t’u mbetej fryma. Por Profeti i Islamit a.s. dyshonte se jobesimtarët mund t’i sulmonin myslimanët, përsëri. Prandaj, ai kërkoi që ta ndiqnin armikun. Menjëherë, në përgjigje të fjalës së tij, doli një grup prej shtatëdhjetë vetash, përfshirë Hazreti Abu Bekrin dhe Hazreti Zubairin (Rad. A.), të cilët u vunë në ndjekje të armikut që po tërhiqej. 38]

Ndërsa kurejshët po tërhiqeshin, ashtu të frustruar në kulm, disa prej tyre, në shenjë hakmarrjeje, masakronin trupat e myslimanëve të vrarë për të qetësuar mllefin e grumbulluar. Aq shumë ishin shpërfytyruar disa prej trupave, sa ishte pothuajse e pamundur të njiheshin. Sikurse u përmend më sipër, Hind, gruaja e Abu Sufjanit, ia nxori zemrën e mëlçinë nga gjoksi martirit të madh, Hamzasë (Rad. A.), ungjit të Profetit të madhërishëm a.s. dhe filloi të mbllaçitej. Gra të tjera të jobesimtarëve bënin gjerdanë me veshë, hundë e pjesë të tjera nga trupat e myslimanëve të vdekur. Këtu nuk u ndalëm në hollësitë e betejës, sepse ato jepen në librat e historisë, si ata të Ibn Hishamit, Tabariut, Ibn Sadit e të tjerë; po ashtu, edhe në librat e haditheve, si: “Sahih al-Bukhari”, “Sahih Muslim” e tjerë. Në Betejën e Uhudit ranë si martirë rreth shtatëdhjetë myslimanë. Gjatë gjithë kohës që zgjati beteja, Profeti Muhamed a.s. nuk e humbi durimin e kurajën për asnjë çast, por qëndroi si shkëmb i patundur. Të vdekurit u varrosën dhe, kaq e madhe ishte varfëria sa, për disa prej tyre, as qefini nuk mjaftonte.

 

Fushata e Hamra al-Asad

 

Gjatë rrugës së kthimit për në Mekë, kurejshët u ndalën në Rawha. Aty, sikur e mblodhën veten dhe u ra në mendje se, në të vërtetë, ata nuk e kishin arritur atë objektiv që kishin synuar. Profeti i Islamit a.s. ishte plot dyshime për qëllimet e tyre të liga, prandaj të nesërmen në mëngjes, pas namazit të fexhrit (lutja e mëngjesit), ai i njoftoi njerëzit se po vihej në ndjekje të mekasve. 39] Ai marshoi me ushtrinë e tij deri te Hamra al-Asad, një vend rreth tetë milje nga Medina. Ndërkohë, Mabad al-Khazai, kryetar i një fisi të Khazasë (i cili nuk e kishte pranuar Islamin deri atëherë, megjithatë i mbështeste myslimanët), erdhi te Profeti i madhërishëm a.s. pasi kishte dëgjuar lajmin e disfatës dhe pa myslimanët që ishin të vendosur për të ndjekur mekasit. Atëherë, shkoi te Abu Sufjani që po rrinte e pushonte me ushtrinë e tij, në Rawha dhe i tha atij se e kish parë Muhamedin a.s. dhe myslimanët rrugës, në ndjekje të tyre, me një ushtri të pajisur mirë dhe të përgatitur. Me të dëgjuar këto, Abu Sufjani e hoqi nga mendja idenë e një lufte tjetër me myslimanët dhe u kthye me të shpejtë, me ushtrinë e tij, në Mekë. Në librat e historisë islame, 40] kjo ngjarje njihet, si Fushata e Hamra al-Asad.

 

Kthimi në Medine

 

Pas atyre që ndodhën, Profeti Muhamed a.s. u kthye në Medine, i dëshpëruar për vdekjen e xhaxhait të dashur, Hazreti Hamzasë (Rad. A.). Gratë e martirëve të rënë në luftë, si edhe ato të myslimanëve të tjerë, vajtonin për të afërmit e tyre. Duke dëgjuar ato, ai u shpreh: “Për Hamzanë e shkretë, nuk ka kush të vajtojë”. “Ansarët” u prekën thellë nga këto fjalë dhe i nxitën gratë e tyre që të vajtonin edhe për vdekjen e tij. Në të vërtetë, Profeti i Islamit a.s. dëshironte ta hiqte këtë zakon, kështu që, kur ato erdhën, ai u lut për të gjithë të rënët dhe, duke i falënderuar për simpatinë e dhimbjen e tyre, në fund, shtoi: “Vajtimi (d.m.th., të qash dhe ta shprehësh pikëllimin me zë të lartë, duke grisur rrobat, siç ishte zakon gjatë kohës paraislame) nuk lejohet në Islam.” Qysh atëherë, ky zakon u zhduk. 41]

 

Kurani i shenjtë për Betejën e Uhudit

 

Kurani i shenjtë jep një përshkrim të hollësishëm të Betejës së Uhudit në “Surah Al-e-Imran”. Disa vargje që kanë lidhje me këtë ngjarje, po i rendisim më poshtë:

Ja, si shprehet në Kuranin e shenjtë për tradhtinë e Abdullah bin Ubajit dhe 300 ndjekësve të tij të cilët e braktisën Profetin fisnik a.s., para betejës: 42]

“Ajo që ju gjeti atë ditë, kur u ndeshën dy ushtritë, ishte me vullnetin e Allahut – për të zbuluar se kush janë besimtarët e vërtetë, dhe për të zbuluar se kush janë me dy faqe. Atyre iu tha: “Ejani të luftoni në rrugën e Allahut ose të paktën, mbrohuni!” Ata u përgjigjën: “Sikur ta dinim që do të bëhej luftë e vërtetë, me siguri, do t’ju pasonim.” Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojën e tyre flisnin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre; Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.”  (III: 166-167)

Për herë të parë, Abdullah bin Ubaj dhe miqtë e tij hipokritë cilësohen qartë në Kuranin e shenjtë, si të tillë. Lidhur me pakujdesinë e mosbindjen e harkëtarëve të vendosur te lugina për të vëzhguar sulmin e armikut nga shpina, Kurani i shenjtë thotë:

“Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Profetin a.s.), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.”  (III: 152)

Për ikjen e disa myslimanëve nga fusha e betejës, duke e lënë aty Profetin e ndritur a.s., Kurani i shenjtë shprehet:

“Kur ju morët malin dhe nuk i vinit vesh askujt, të Dërguarin e kishit prapa e ju thërriste, Allahu ju dënoi me dëshpërim pas dëshpërimit, që të mos pikëlloheni as për atë që ju doli duarsh, as për atë që ju goditi. Allahu di gjithçka që punoni ju.”  (III: 153)

Libri i shenjtë flet edhe për të mirat e Allahut, me këto fjalë:

“Pastaj, pas dëshpërimit tuaj, (Allahu) ju dërgoi qetësinë – një gjumë, që kaploi një grup prej jush. Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” Ata fshehin në vete atë që nuk duan të ta shfaqin ty. Ata thoshin: “Sikur të pyeteshim ne për këtë gjë, nuk do të vriteshim këtu”. Thuaju: “Edhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në vendin e vrasjes.” Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në kraharorët tuaj dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Vërtet, Allahu e di mirë se ç’keni në zemër.”  (III: 154)

Kurani i shenjtë i kthehet ngjarjes që bën fjalë për “Fushatën e Hamra al-Asad”, duke thënë:

“Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjënthirrjes së Allahut dhe të të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh. (Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu. Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotëruesi i mirësive të mëdha.”  (III: 172-174)

Pastaj, Allahu i ngushëllon besimtarët, me këto fjalë:

“Ata prej jush që kthyen shpinën ditën kur u ndeshën dy ushtritë, në të vërtetë, djalli i shtyu në gabim, për shkak të disa gjynaheve që kishin bërë. Por, në të vërtetë, Allahu ua fali (gabimin), sepse Allahu është Falës i madh dhe i Butë.

O besimtarë! Mos bëni si ata jobesimtarë (hipokritë) që u thoshin vëllezërve, kur këta niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, as nuk do të vdisnit, as nuk do të vriteshit.” – që këtë Allahu ta kthejë si pikëllim në zemrat e tyre. Allahu është Ai që jep jetën dhe sjell vdekjen; Allahu i sheh të gjitha punët që bëni ju.

Edhe nëse ju vriteni ose vdisni në udhë të Allahut, falja dhe mëshira e Allahut, me të vërtetë, janë më të mira nga ato që kanë grumbulluar ata.

Edhe po vdiqët apo u vratë, me siguri do të tuboheni tek Allahu.”   (III: 155-158)

 

Beteja e Uhudit – mësim i madh për myslimanët.

 

Beteja e Uhudit është një mësim i madh për të gjithë myslimanët, për të gjitha kohët, deri në Ditën e Gjykimit. Përmes kësaj disfate Allahu dëshironte të provonte besimin e përsosur të myslimanëve në Të dhe në Profetin e madhërishëm alejhi salam. Megjithëse ai u gjend përballë vuajtjeve dhe rreziqeve, ai qëndroi i patundur në misionin e tij. Ky ishte një mësim i madh për myslimanët, që ata t’i bindeshin Profetit të Islamit a.s. në çfarëdo rrethane dhe të mos u shmangeshin urdhrave të tij në asnjë rast. Duhet të theksohet se pasojat e mosbindjes nuk bien vetëm mbi ata që shfaqen të tillë, por mund të përfshihen edhe të tjerë, gjithashtu. Në lidhje me këtë, në Kuranin e shenjtë bëhet e ditur:

“Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!”  (VIII: 25)

Pasojat e Betejës së Uhudit

 

Megjithëse kurejshët nuk kishin arritur një fitore të plotë, siç e kishin dëshiruar, prapëseprapë, ata ishin të kënaqur edhe me aq, mjaft që ishin vrarë një numër i madh myslimanësh të shquar, si Hamzai. Edhe çifutët e mosbesimtarët e tjerë ishin të gëzuar me disfatën e myslimanëve, gjithashtu, sepse te përparimi i myslimanëve, ata shihnin fatkeqësinë e tyre.

W.Montgomeri Wat shkruan: “Nga ana tjetër, edhe për Muhamedin, përfundimi i betejës, nga pikëpamja thjesht ushtarake, nuk ishte krejt i pafavorshëm. Myslimanët e kishin treguar veten pothuajse të barabartë me mekasit. Këmbësoria e myslimanëve kishte epërsi mbi atë të kundërshtarëve të tyre. Humbjet në radhët e myslimanëve vinin kryesisht për shkak të kavalerisë armike dhe, në lidhje me këtë të fundit, myslimanët ishin tepër të varfër që të mund të kishin edhe ata një kavaleri të tyre, sipas kërkesave të artit ushtarak. Megjithatë…pavarësisht nga kjo, Muhamedi ia kishte arritur të qëndronte i pathyeshëm kundrejt mekasve dhe kjo ishte ajo për të cilën ai kishte nevojë tani për tani.” 43]

  1. Athar Husain e komenton kështu rezultatin e kësaj beteje: “Mekasit e kishin kuptuar se të vetëm, ata nuk do të mund të shkatërronin lëvizjen islame. Tani, ata filluan të nxitnin fiset e tjera që t’i bashkoheshin çështjes së tyre. Shumica e fiseve, tanimë, mund të quheshin armike të Islamit. Ata praktikonin idhujtarinë, ndërsa Islami e ndalonte atë dhe urdhëronte adhurimin e një Zoti të vetëm. Sulmet dhe plaçkitjet ishin, në përgjithësi, mënyra e tyre e jetesës, ndërsa Islami kërkonte krijimin e një shoqërie ku të sundonte rendi e rregulli e të ndalohej shtypja, shfrytëzimi, fitimi i pandershëm; Islami kërkonte nga ndjekësit e tij që të bënin jetë të ndershme. Ndikimi i kurejshëve ishte shumë i gjerë dhe të gjitha fiset binin në kontakt me ta, në kohën e pelegrinazhit vjetor. Edhe jehudinjtë, gjithashtu, i nxitnin fiset kundër Islamit, vazhdimisht. Fitorja e myslimanëve kundër kurejshëve në Bedër u pat futur frikën fiseve nomade, kurse tani, disfata e tyre në Uhud i trimëroi ata deri aty sa filluan të plasnin një numër sherresh e përleshjesh.” 44]

Lidhur me efektet e Betejës së Uhudit, Amir Ali shkruan: “Efekti moral i kësaj disfate shkatërrimtare filloi të dukej menjëherë në sulmet plaçkitëse që po përgatiteshin të bënin nomadët fqinjë mbi territoret e Medines. Shumica e tyre, megjithatë, u shtypën në sajë të aksioneve energjike të ndërmarra nga Muhamedi, sadoqë disa nga fiset armike ia arrinin të joshnin misionarë myslimanë që i ftonin të vinin në mesin e tyre, gjoja, sikur kishin dëshirë të përqafonin Islamin dhe pastaj, t’i masakronin ata.” 45]

 

NGJARJE TË NDRYSHME GJATË VITIT TË TRETË TË HIXHRIT

 

(i). Profeti i Islamit a.s u martua me Hafsan (Rad. A.), vajzën e Hazreti Ymerit (Rad. A.). Zonja Hafsa ishte e veja e Khunais bin Hudhafah. Më vonë, ne do të flasim më hollësisht për shkaqet e martesave të ndryshme të Profetit Muhamed a.s., i cili, u martua me një numër të vejash, mes të tjerash, edhe për të zgjidhur problemet e vështira të jetesës për to.

(ii). Më 15 të muajit Ramazan të këtij viti, lindi zotëria e tij, Imam Hasan (Rad. A.) nga ‘Aliu dhe Fatima (Rad. A.).

(iii). Gjatë këtij viti ka zbritur shpallja, në të cilën përmbahet ligji i trashëgimisë si edhe ai për ndalimin e martesës me jobesimtarët.

 

Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”

Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së

 

  1. Prof. S.A. Akberabadi, “’Ahd-e-Nabawi ke Ghazwat wa Sarajah”, “Burhan” (Delhi), Vëll. 75, nr.3 (Shtator, 75), f.135(7).
  2. Prof. S.A.Akberabadi, “’Ahd-e-Nabawi ke Ghazwat wa Sarajah”, “Burhan” (Delhi), Vëll. 75, Nr.3 (Shtator, 75), f.136. Gjithashtu, shih: “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, nga Ibn Xharir al-Tabari; “Ruh al-Ma’ani”; “Tafsir Ibn Xhauzi” (sikurse citohet nga Prof. S.A.Akberabadi).
  3. Prof. S.A.Akberabadi, “’Ahd-e-Nabawi ke Ghazwat wa Sarajah”, “Burhan” (Delhi), Vëll. 75, Nr.3 (Shtator, 75), f.136.
  4. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. I, f.488; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.51, 52; Prof. S.A. Akberabadi, “’Ahd-e-Nabawi ke Ghazwat wa Sarajah”, “Burhan”, Vëll. 75, Nr.3 (Shtator, 75), f.138.
  5. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.54; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.488.
  6. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.488.
  7. Përkthim i marrë nga: “Life of Mohamet” – Jeta e Muhamedit, nga W. Muir, Vëll. III, f.144.
  8. për hollësi: “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. I, f.407: “Fathul-Bari”, Dhikr Ka’b bin Ashraf, Vëll. 17, f.259 (sikurse citohet në “Siratun Nabi”).
  9. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.32; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.488; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.54.
  10. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.32.
  11. Shënim: Megjithëse në moshë, ai martohej dhe shkonte me vajza të reja për të kënaqur pasionet e veta.
  12. Për hollësi, Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.54-60; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.32-33; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.489-491; “Sahih al-Bukhari”, Kitab al-Maghazi; Sahih Muslim, Sunan Abi Dawud, dhe Masnad Imam Ahmad.
  13. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.32; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.8.
  14. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.34; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.15.
  15. Ibn Sad “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.35; Gjithashtu, shih edhe:”Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Muhamed Zurkani, Vëll. II, f.16; “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, nga Ibn Xharir al-Tabari, Vëll. II, f.487.
  16. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.25. Gjithashtu, shih: “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, nga Muhamed Zurkani, Vëll. II, f.47.
  17. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.49; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.36. Gjithashtu, shih: “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, nga M. Zurkani, Vëll. II, f.17; Ibn Kathir, “Al-Bidaja wal-Nihajah”, Vëll. IV, f.4-5.
  18. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.37; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.21.
  19. Shih shënimin nr.22 të këtij kapitulli.
  20. Ibn al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.502; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.38; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.762; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.22.
  21. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.250; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.22; Shibli Nu’mani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.372.
  22. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.39; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.504; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.762; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.26.
  23. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.63 (Shënim: Sipas Ibn Hisham, Profeti i madhërishëm a.s. u nis nga Medina të premten, pas “Salatit”. Sidoqoftë, beteja filloi ditën e nesërme); Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.20 (Shënim: Zurkani ka cituar edhe mendime të tjera në lidhje me datën kur arriti Profeti i ndritur në Uhud për betejë).
  24. Sipas tabelës krahasuese të kalendarëve Hixhrij dhe atij kristian, të përdorur në këtë libër (shih shënimin nr.24 të kapitullit 4), dy të shtunat e dyjavorit të parë të muajit Shawwal të vitit 3 të H., bien më 7 dhe 14, në qoftë se muaji paraardhës, d.m.th., muaji Ramazan i vitit 3 të H. ka pasur 30 ditë. Por, në qoftë se Ramazani i vitit 3 të H. llogaritet se ka pasur 29 ditë (që ka më shumë të ngjarë e që pranohet këtu), atëherë, të shtunat bien më 8 dhe 15 të muajit Shawwal të vitit 3 të Hixhrit. Sipas Ibn Ishak, beteja e Uhudit u zhvillua në mes të muajit Shawwal të vitit 3 të H. (“Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. IV, f.9 dhe f.49), d.m.th., më 15 Shawwal, 3 H. dhe përparoi dei në Hamra al-Asad për të ndjekur ushtrinë e kurejshëve, të shtunën, më 16 Shawwal, 3 H. (“Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. IV, f.49). Këtu është parapëlqyer varianti i Ibn Ishakut. Disa historianë të tjerë (Katadah etj.) thonë se beteja u zhvillua më 11 Shawwal, por kësaj date nuk i përshtatet asnjë e shtunë.
  25. Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëlll. II, f.762.
  26. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.47; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.507; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.763; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.65-66; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.27.
  27. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.47; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.762.
  28. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.38; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.762. Shih, gjithashtu: “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.504-505.
  29. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.510; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.40; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.68 (Shënim: Ibn Hisham e ka përmendur atë, me një ndryshim të vogël).
  30. Përkthim i marrë nga, “The Life of Mahomet” – Jeta e Muhamedit, nga W. Muir, Vëll. II, f.168.
  31. Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.32; “Sahih al-Bukhari” (Kapitulli për vdekjen e Hamzasë).
  32. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.510; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.47; “Sahih al-Bukhari”, (Kapitulli “Ghazwatu-Uhud”).
  33. Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.765; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.33.
  34. Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.35; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.378; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.766.
  35. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.518; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.765.
  36. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.48; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.80; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.519; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.764; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.38.
  37. Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.41; “Sahih Muslim” (Kapitulli “Ghazwatu-Uhud”).
  38. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.386. Shih, gjithashtu, “Sahih al-Bukhari”.
  39. Wakdi”/317, sikurse jepet te “Burhan”, Nëntor, 1964, f.265 (Artikull nga Maulvi Ishak Nabi Sahib, në “Wakiat-e-Siratun Nabwi men taukit tadad aur uska hal”); Ibn khaldun, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. IV, f.48-51.
  40. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.101; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.48; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.534; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.59; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.27.
  41. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.44; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.99.
  42. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.118.
  43. W.Montgomery Watt, “Muhammad, Prophet and Statesman” – Muhamedi, Profet dhe Burrë shteti, f.141.
  44. S.Athar Husain, “Prophet Muhammad and His Mission” – Profeti Muhamed dhe misioni i tij, f.33.
  45. Sejid Amir Ali, “The Spirit of Islam” – Shpirti i Islamit, f.71.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu