Kur viziton Qaben, shtëpinë e parë të adhurimit, e ndërtuar me urdhrin e Allahut, një pelegrin bëhet dëshmitar i faktit se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia, nuk janë asgjë tjetër përveçse emërtime të përkohshme, të destinuara të humbasin. Ai përjeton në ato momente një episod nga shfaqja e madhe e ditës së ringjalljes, ditë në të cilën atij do t’i duhet të japë llogari përpara Zotit për gjithçka që ka bërë në jetë.
Zbatimi i ritualeve të haxhit është përgjigjja e duhur ndaj kërkesës, të cilën njeriu e kërkon gjatë gjithë jetës së tij. Kjo kërkesë është të fituarit e kuptimit. Njerëzit e kohës sonë po vuajnë mungesën e dhënies kuptim mendimeve dhe sjelljeve të tyre. Ndërkohë, haxhi posedon fuqinë dhe kapacitetin që t’i japë kuptim të gjitha veprave dhe mendimeve të njeriut. Shumë dijetarë janë të mendimit se udhëtimi për në haxh, është një nga mënyrat më të mira për përparimin shpirtëror të njeriut. Sipas tyre, problemet si depresioni dhe sëmundjet shpirtërore, mllefi, smira, hipokrizia, gënjeshtra dhe shumë vese të tjera negative, pengojnë udhëtimin shpirtëror të njeriut, dhe një gjë e tillë mund të largohet gjatë ritualeve të haxhit. Prania në vendet e shenjta dhe kryerja e ritualeve fetare bashkërisht, ndihmojnë në paqtimin fizik dhe shpirtëror të njeriut.
Islami sot është i përhapur në të gjithë botën, në qindra vende të ndryshme, në etni dhe grupe racore të ndryshme. Myslimanët si asnjëherë tjetër, të bashkuar, e mirëpresin njëri-tjetrin si pjesëtarë të së njëjtës familje. Pavarësisht aderimit në disa kultura të ndryshme, ata mbeten thelbësisht të lidhur nëpërmjet të njëjtit sistem besimi e të njëjtave vlera. Dhe kjo vihet re më së miri në haxh, ku duket qartë një solidaritet mes gjithë myslimanëve. Haxhi bashkon në një qëllim të vetëm miliona myslimanë, duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje të gjallë të barazisë dhe vëllazërisë.
Haxhi, si një nga detyrat e Islamit, që lartëson e shpalos bashkimin shoqëror mes myslimanëve, është aq madhështor e gjithëpërfshirës, saqë gjerësia dhe hapësira e tij nuk është e mundur të vërehet në asnjë vend tjetër apo bashkësi në faqe të dheut. Në një kohë kur bota në të cilën jetojmë është e mbushur me ngatërresa, përçarje dhe konflikte, haxhi duhet të konsiderohet si një rast i volitshëm për vendosjen e paqes dhe qetësisë nëpër vende të ndryshme të botës. Në haxh, largimi e përçarja shndërrohet në unitet e bashkim dhe haxhiu e shijon tolerancën e mirëkuptimin në kulmin e saj.
Haxhi është adhurimi i fundit i obliguar për besimtarët myslimanë në vitin e 9 të hixhretit me ajetin, i cili thotë: “Vizita e shtëpisë (Qabes) për hir të Allahut është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo[1]”
Haxhi i parë në historinë islame u krye nën vëzhgimin e Ebu Bekrit, ndërsa Profeti Muhamed (a.s.) e kreu detyrën e vet të haxhit një vit më pas, në vitin e 10 të hixhretit (632). Ky qe haxhi i parë dhe i fundit i Profetit (a.s.), prandaj u quajt haxhi i lamtumirës. Haxhi përmban në vetvete vlera të shumta. Ai është rasti më ideal që myslimani të pastrohet nga gjynahet dhe gabimet e tij. Transmetohet nga Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“Kush e viziton Qaben dhe nuk flet fjalë të ndyra, nuk i kapërcen kufijtë e sheriatit, kthehet nga ajo ashtu si ditën që ai lindi nga nëna”[2].
Haxhi është një bashkësi ritualesh të kryera në Mekë dhe e vendeve të bekuara përreth saj. Pelegrinët hyjnë në vendin e shenjtë me ihram, me qëllimin për të kryer vizitën duke zbatuar disa rregulla të caktuara. Vizita e atyre vendeve të bekuara, që ndodhen në një pjesë të nxehtë të botës, e skenave të lindjes dhe përhapjes së Islamit, duke kaluar shumë vështirësi dhe duke bërë sakrifica fizike e materiale, është argument që tregon sinqeritetin e të qenët rob i Zotit.
Gjurmë të pelegrinazhit, mund të hasen në të gjitha kulturat religjioze. Gjatë historisë, njerëzit u kanë dhënë disa vendeve të caktuara shenjtëri dhe kanë ndjerë nevojën t’i vizitojnë ato qoftë edhe një herë të vetme. Në shumicën e feve, qendrat e shenjta të vizitave bartin pothuaj të njëjtat veçori. Krahas adhurimit, pelegrinit i jepet mundësia për të parë vende të ndryshme dhe për t’u takuar me njerëz të ndryshëm.
Në të gjitha fetë, pelegrinazhi ka një sërë funksionesh. Por në asnjë fe, pelegrinazhi nuk është aq ndikues dhe veprues sa haxhi në Islam, ku njerëz nga të katër anët e botës, të pasur e të varfër, pa dallim ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture dhe pozite shoqërore, vishen njëlloj, ndjekin të njëjtat rregulla duke lëvizur në të njëjtat kushte; mblidhen në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë duke krijuar një unitet ndjenjash. Në këtë drejtim, jemi të bindur se kuptimin më të plotë e të përsosur në të gjitha aspektet, haxhi e ka gjetur në fenë islame.
Dorian Demetja
[1] Al’Imran, 3:97
[2] Buhari; Muslim