MBI DEBATIN RRETH MEVLUDIT

Duke qenë se jemi ne muajin Rabiul Euel, muaj në të cilin ka lindur Profeti (a.s.), muaji i cili në trojet tona njihet si “muaji i mevludit”, dhe vit pas viti shikojmë se njëra nga temat me të debatuara në rrjetet sociale dhe ne ambientet e xhamive, e te shkollave është nëse lejohet që të festohet mevludi apo jo. Festimi i mevludit është nga punët të cilën brezat e parë nuk e kanë festuar, mirëpo kjo në vetvete nuk është argument për ta ndaluar festimin e mevludit sepse ne tekstet fetare gjejmë mjaft argumente të cilat na dëshmojnë për lejimin e festimit te rasteve te veçanta.

Të gëzohesh për një të mirë që të ka ndodhur, me rastin e lindjes se fëmijës, me rastin e martesës apo të diplomimit janë nga ndjenjat me normale që e shoqërojnë një individ. Pikë së pari fjala ditëlindje është përmendur në Kuranin famëlartë, dhe përmendet gjithashtu në hadithet Profetike.

Kurani e përmend dhe e përshëndet ditën kur u lind Isai (a.s): “Dhe selam (prej nesh) atij ditën kur u lind, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ngrehet i gjallë (e përshëndetëm dhe i garantuam)!” (Merjem 15.)

Disa nga dijetarët mendojnë se festimi dhe gëzimi për ditëlindjen e Profetit Muhamed a.s. është qartësuar edhe nga ajeti 58 i sures Junus: “Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen …”. Sipas komentatorëve te Kur’anit, mirësia më e madhe është dërgimi i Profetit a.s. dhe mëshirë për çdo gjë, pastaj gëzimi për ardhjen e Profetit a.s. është gjë e porositur.

Profeti (a.s) kur ka folur për vlerën e ditës së xhuma, ka përmendur se njëra nga mirësitë e kësaj dite është lindja e Ademit (a.s).

Gjithashtu përmendet në “Sahihu’l Buhari” se Thuejbeh, një nga nënat e qumështit të profetit (a.s) ka parë në ëndërr që Ebu Lehebi për çdo ditë të hënë i lehtësonte dënimi i zjarrit te Xhehenemit për arsye se, nga gëzimi, e kishte liruar robëreshën e tij e cila e kishte informuar atë për lindjen e Muhamedit a.s., (Kitabun Nikah).

Në lidhje me këtë Hafizi Dimeshki thotë:

Kur për një jobesimtar të poshtëruar në Kuran:

“qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi,

në Xhehenem përjetë do të jetë ai”,

na thuhet se çdo të hënë i lehtësohet dënimi

prej gëzimit qe ka treguar për nipin e tij (Muhamedin a.s).

 

Atëhetrë, nëse është kështu,

e si do të jetë çështja për besimtarin e devotshëm

i cili jeton i lumtur dhe vdes në njësim deri në përjetësi.

Për lejimin e festimit të ditëlindjes së Profetit (a.s.), është argument edhe  hadithi i transmetuar nga Muslimi se kur është pyetur Pejgamberi a.s. pse agjëron ditën e hënë dhe te enjte ai është përgjigjur duke thënë: “Se ne këtë dite (e hënë) kam lindur dhe mu ne këtë dite ka filluar të me vije shpallja”, (Sahihul Muslim, kitabu Sijam). Po ashtu këta përmendin atë se Pejgamberi a.s. ka pre kurban për ditëlindjen e tij.

Në lidhje me këtë temë përmbledhjen me të bukur e ka bërë Hafizi dhe dijetari i madh Ibni Haxher El Askalani.

El-Sujuti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Shejkhul-Islam, Hafizi i Shekullit, Ebul-Fadl IbnHaxher u pyet për punën e Mevludit, dhe u përgjigj me sa vijon:

“Në origjinë Mevludi është një risi (bidat), pasi nuk është transmetuar nga asnjë prej paraardhësve të mirë të Tre Brezave të Parë. Por megjithatë ai përfshin veprime të virtytshme dhe veprime të pavirtytshme. Kështu që, kushdo që e bën Mevludin me veprat e tij të mira dhe shmang të kundërtat e tyre, ka bërë një risi të mirë. Përndryshe, jo.

Në bazë të studimeve që kam bërë në këtë lëmi, arrita që këtë veprimtari ta argumentoj mbi baza të qëndrueshme. Imam Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e tyre kanë transmetuar se Profeti Muhamed (a.s.) kur pati emigruar nga Meka në Medinë, atje kishte parë se hebrenjtë e Medinës agjëronin ditën e Ashures (dita e dhjetë e muajit Muharrem). Kur Profeti (a.s.) i kishte pyetur për arsyen e agjërimit, ata ishin përgjigjur: “Këtë ditë e agjërojmë sepse kjo ditë është ditë e mirë, këtë ditë Zoti i kishte shpëtuar Musain (a.s.) dhe kishte mbytur Faraonin ndaj dhe për këtë ne e agjërojmë në shenjë falënderimi ndaj Zotit.”

Nga hadithi kuptohet qartë legjitimiteti i agjërimit në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm për një mirësi ose për shpëtimin nga një e keqe. Ritual ky që kryhet çdo vit në të njëjtën ditë.

Mënyra e falënderimit ndaj Allahut (xh.sh.) konsiston në adhurimin ndaj Tij me mënyrat e ligjëruara si: sexhdja, agjërimi, sadakaja, leximi i Kuranit etj. A ka mirësi më të madhe në ditën e lindjes së Profetit Muhamed (a.s.), Profetit të Mëshirës, sesa vetë ardhja në jetë e tij?!

Bazuar në këtë: njeriu që e bën nijet duhet të specifikojë ditën e saktë në mënyrë që të përputhet me historinë e Musait (a.s) në ditën e Ashures, dhe kushdo që nuk kujdeset për datën e saktë, nuk do ta ketë kujdes as muajin, por do të mjaftohet duke e kremtuar në një ditë çfarëdo gjatë vitit.

Kjo sa ka të bëjë me origjinën e Mevludit.

Sa i përket veprave që bëhen gjatë Mevludit: ato duhet të kufizohen në ato gjëra nëpërmjet të cilave vetëkuptohet mirënjohja ndaj Allahut të Plotfuqishëm, siç përmendëm më lart leximin e Kuranit, sadakanë apo qerasjen e pjesëmarrësve me ushqim, si dhe recitimi i disa poezive lëvduese për Profetin (a.s.) që mund t’i nxisin zemrat për të bërë mirë dhe për të punuar për Ahiretin.

Sa i përket veprimeve të tjera që kryhen nëpër mevlude si performanca argëtuese, ilahi etj., duhet thënë: Nuk ka asgjë të keqe në veprime nëpërmjet të cilave kërkohet të shtohet kënaqësia e gëzimi atë ditë me kusht që këto veprime të jenë të lejuara fetarisht (hallall). Ndërsa nëse bëhet fjalë për veprime mekruh (të urryera) e haram (të ndaluara), atëherë normalisht këto gjëra janë të ndaluara.”

Erjol Haxhiu