Largësia nga libri – anormalitet i normalizuar

Batica teknologjike që ka mbërritur tashmë në çdo shtëpi, në çdo dorë njeriu, është kthyer në një sipërmarrje të vështirë për t’u sfiduar. Shumë syresh janë dorëzuar që në valën e parë të goditjes, madje mezi e kanë pritur këtë goditje. Të tjerë vazhdojnë të kapitullojnë ditë pas dite, duke u kthyer në konsumatorë të regjur të energjisë që çliron kjo baticë, me shpresën se do të zëvendësojnë energjinë e shteruar për jetë. Vetëm një pakicë syresh, të cilët janë zgjedhur për të qenë të tillë, vazhdojnë të rezistojnë mes valëve të kësaj batice, duke u munduar të çojnë drejt atrofizimit efektet e energjisë së saj, në hapësirën e tyre ekzistenciale më së pari.

Njeriu është një qenie që lehtësisht anon në drejtim të asaj që është më e lehtë për t’u kryer, drejt asaj që është më në përputhje me dëshirat lëndore dhe, si rrjedhojë, nuk e ka shumë për zemër t’i hyjë një sipërmarrje që shkon në kah të përkundërt me atë që dëshiron më së shumti egoizmi vetjak. Por, sigurisht që jo të gjithë do të jenë të inkorporuar në këtë kategori. Ata që janë zgjedhur për të qenë në antagonizëm të vazhdueshëm me energjinë baticore të teknologjisë, që për hir të së vërtetës vazhdon të fitojë terren, nuk do të epen përderisa do të qëndrojnë të paepur në kufijtë e parimeve parake.

Për çdo njësi terreni që bie në duart e baticës teknologjike, zvogëlohet sipërfaqja ku qëndrojnë ata të cilët, afërsinë me librin e kanë lidhje të shenjtë, sepse dituria është e tillë. E megjithatë, ajo çfarë mbetet në fund të fundit e rëndësishme, nuk është sasia, por cilësia e atyre që do të arrijnë të rezistojnë përballë kësaj batice. Natyrisht që kërkohet punë, lodhje, djersë, sakrificë, orë të pakta gjumë, thellim në të kuptuar, biseda e diskutime me më të diturit apo me më pak të diturit, por gjithsesi të dashuruar me librin.

Nevoja për të qëndruar i lidhur me librin është bazike dhe jo plotësuese, pasi të diturit është thelbi që të çon drejt udhëve të së mirës dhe mirësisë, drejt vlerave dhe virtyteve, drejt njohjes më të thellë të botës dhe njeriut si qenie në botë, për t’i dhënë kësisoj shpjegim asaj gjëje që për një shumicë syresh është lënë jashtë vëmendjes dhe sferës së interesit. Dhe kjo gjë, e cila është lënë jashtë vëmendjes, sigurisht që, në mes të zallamahisë dhe poteres së shkaktuar nga batica teknologjike, do të jetojë e pahetuar, do të jetë gjithmonë përballë qenies njerëzore, por kjo qenie nuk do ta shikojë, nuk do ta dëgjojë dhe as që do ta kuptojë, përderisa ka sy me të cilët nuk sheh, veshë me të cilët nuk dëgjon dhe zemër me të cilën nuk kupton.

Kjo baticë, duke mbërritur në dorën e çdo njeriu, po mbisundon dhe po imponohet edhe tek ajo pjesë njerëzish, të cilët për shkak të mjedisit ku gjenden, me apo pa dëshirën e tyre, kanë kontakt me librin, edhe pse në shumicën e rasteve këta libra janë tekste shkollore të kurrikulave që zhvillohen në shkollë apo më tej në universitet. Të etur për t’u zhytur në botën e teknologjisë, të etur për të eksploruar apo për të shijuar realitetin virtual, nxënësi apo studenti i së sotmes i bën një shërbim të shquar baticës teknologjike, i jep shansin të zgjerohet më tej në dëm të librit, në dëm të vetë atij si qenie njerëzore, por meqenëse ende nuk i ka dhënë kuptim pakuptimësisë së ekzistencës, vazhdon të kontribuojë si ushtar i zellshëm dhe i verbër në zaptimin e hapësirës së mendimit nga teknologjia.

Kësisoj, klasat dhe auditorët mund të gëlojnë nga prezenca e shumëllojshmërisë së smartphone-ve, gëlojnë nga këngët apo klipet më trendi, nga fotot e pafund në mjediset shkollore, ku na dëshmojnë se sa shumë e duan dijen. Mbushja e kohës së nxënësit apo studentit me argëtim, nuk i lë më kohë të angazhohet me librin dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për tekstin shkollor, por edhe për libra të tjerë jashtëshkollorë, të cilët një brez në formim e sipër e ka për detyrë t’i lexojë dhe të kridhet në thellësitë e tyre.

Të nxitësh, të vësh në lëvizje dëshirën për të lexuar, të kultivosh vullnetin për të dashuruar librin, është një detyrë e shenjtë, që duhet realizuar në vazhdimësi që nga vegjëlia. Sot, mundësitë infrastrukturore janë, por batica teknologjike është më joshëse dhe si rrjedhojë ata që duhet të jenë në vijën e parë të frontit të leximit, kanë dezertuar masivisht, duke e konsideruar librin si gjënë më pa vlerë. Ata, në vend që të ndezin zjarrin e shpirtit, shkojnë e ndezin zjarrin për t’u ngrohur nga ethet e lagështisë baticore.

Ky zhvlerësim i librit nuk është përgjegjësi vetëm e nxënësve apo studentëve, pasiqë duhen detektuar ata që kanë dëshirë për të lexuar dhe duhen ushqyer me libra që të ndezin zjarrin e shpirtit për të jetuar.

Nuk mund të konceptohet që një nxënës, i cili kryen arsimin parauniversitar, të mos ketë lexuar autorë si Lev Tolstoi (Lufta dhe Paqja), Nikollaj Gogol (Frymë të vdekura), Fjodor Dostojevski (Vëllezërit Karamazov), Franz Kafka (Procesi, Metamorfoza), Xhejms Xhojs (Portreti i artistit në rini), Shekspir (Hamleti, Makbethi), Gëte (Fausti), Dante (Komedia Hyjnore), Rëne Guenon (Kriza e botës moderne), Osvald Spengler (Njeriu dhe teknika) e shumë e shumë të tjerë shkrimtarë mbarëbotërorë, por më së shumti mbarënjerëzorë.

Pa lexuar dhe kuptuar kryeveprat e mendimit botëror qysh në adoleshencë, do të jetë e vështirë të formojmë personalitete të qëndrueshëm dhe me vizion, të papërkulshëm para ndërprerjes së “koromanes” dhe shpirtra të etur për frymën e jetës.

Prandaj na lind si detyrë të përpiqemi të mbjellim farat e dashurisë për librin, për të ngushtuar largësinë e nxënësit dhe studentit nga zjarri i jetës, në mënyrë që ky anormalitet të mos konsiderohet si pjesë e standardit normal të jetës.

Nuredin Nazarko