Zotëria ynë

 

Erdhe dhe e nderove botën tonë një mijë e katërqind vjet para nesh me trupin tënd, me qenien tënde materiale. Ditët kur na nderove, ishte një periudhë kur mohimi kishte mbështjellë shpirtrat. Në atë periudhë boshllëku, zëri dhe frymëmarrja e apostujve të Jezuit (a.s.) ishte prerë, tashmë era e tyre s’frynte më. Njerëzimi e kishte të vështirë të merrte frymë, frikësohej se mos malet e gurët do t’ua lëshonin apokalipsin kokave. Njerëzimi po largohej nga vlerat njerëzore, prandaj, përballë tërë mëkateve dhe kundërshtimeve, duhej një lëvizje reformuese e paqëtuese.

Ishte nevoja e një Personaliteti me gjoksin plot dhembshuri, që po e prisnin me tërë vëmendjen njerëzimi dhe tërë krijesat që ta ndriçonte botën, që t’u jepte zemrave prehje e qetësi, që t’ia fshinte lotët viktimës dhe mjeranit, që ta merrte në prehër jetimin me dhembshuri, që t’ua zgjaste dorën të të vetmuarve, që t’i mbështillte të gjitha plagët. Fundja, edhe ardhja e Personalitetit të paralajmëruar me sihariq në librat qiellorë dhe fletët e shenjta të dërguara nga Allahu, ishte shumë afër.

Ndërsa Hz. Ibrahimi (a.s.) lutej: “Zoti ynë i plotëfuqishëm! Dërgo nga mesi i tyre një profet të tillë që t’ua këndojë ajetet e Tua, t’ua mësojë librin dhe urtësinë dhe t’i bëjë ata krejt të pastër. Pa dyshim, Ti je i Shenjtë dhe Gjykatës!” (Bakara, 2/129), Hz. Isa (a.s.) thoshte: “O izraelitë! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju për të vërtetuar Tevratin e para meje dhe për t’ju përgëzuar për një të dërguar me emrin ‘Ahmed’ që do të vijë pas meje. (Saff, 61/6)

Zotëria ynë, u bënë shekuj që po jetojmë mallin e mungesës sate. Gjyshërit dhe gjyshet, baballarët dhe nënat jetuan vazhdimisht natën, dimrin e mungesës tënde. Ç’jetë shkuan, ç’koka u këputën në rrugën për të mund ta kapërcyer atë periudhë të frikshme, për të të bërë të njohur dhe të dashur ty (s.a.s.). Por ata që të njohën ty, nuk u mposhtën, nuk e humbën shpresën. E vunë kryet dhe jetën në këtë rrugë. Nuk pyetën për ditë a për natë, nuk ia varën borës dhe dimrit, i pranuan me gjithë zemër burgjet, zinxhirët, dhunën dhe torturat. Mjafton që njeriu, krijesa më e nderuar e qenieve të krijuara, të shpëtonte, të nderohej me besimin dhe Islamin, ta shpëtonte ahiretin, jetën e tij të përtejme, të bëhet i merituar i pëlqimit të Allahut.

Për rrjedhojë, sahabet që do të bëhen shembuj dhe modele gjer në kiamet me pasurinë dhe jetët e tyre, i dolën për zot kësaj kauze, i vunë supet kësaj kauze edhe në kushtet më të rënda dhe treguan heroizma të tilla në Bedër, Uhud, Hendek, Mute, Jermuk, që është vështirë t’i hasësh në histori.

Në ndërgjegje ndjejmë se sa e vështirë është të jetosh pa ty, i Dërguar! Jemi të vetëdijshëm se duhet të të duam ty më shumë se veten tonë! Por kam frikë sepse s’e di se sa poshtë fytit na zbret fjala “të duam”. Nuk mund ta di, Zotëria ynë, se ne, dinjitarët, sa të bëjmë të dashur ty, sa vrapojmë në rrugën e kauzës tënde, sa heqim dhimbje, brengë dhe ankth!

I Dashuri ynë, një ditë, pranë sahabeve, shokëve të tu që do të jenë model për njerëzimin gjer në kiamet, the: “Paqe vëllezërve të mi!” Sahabet pyetën: “A s’jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguari i Allahut?” Ai u dha këtë përgjigje: “Ju jeni shokët e mi, vëllezërit e mi do të vijnë në fund të punës, do ta ngrenë flamurin nga vendi ku ka rënë!” Dhe ne po të lutemi: “O i Dërguari i Allahut, të përgjërohemi, kapna për dore që ta ngremë flamurin e rrëzuar si Ummi Mektumët, Mus’ab bin Umejrët!

Zotëria ynë, ashtu si në çdo fushë, na u bëre model edhe në fushën mënyrës së lutjes që duhet t’i bëjmë Zotit tonë: “Allahu ynë, mbushma zemrën me ndjenjën e impresionimit dhe bëmë mua një rob që s’lë të meta në respektin kundrejt Personalitetit tuaj të Lartë gjersa të bëhem i tillë që të të shoh Ty çdo çast!” Dhe, kështu, Allahu të na e bëjë të ditur edhe ne kuptimin e vërtetë të kësaj lutjeje. Sepse Ai na sheh e na dëgjon çdo çast.

Ne duhet të jemi në rrugën tënde që Allahu të na i hapë dyert e Mëshirës. Të jemi të vetëdijshëm që ndodhemi udhëtarë të udhës që zgjatet për në Përjetësi, që të arrijmë mëshirën e Tij. Bota jonë e brendshme të na shkëlqejë, që bota e jashtme të na lërë mbresa mbi të tjerë.

Ka sa e sa breza të privuar nga drita jote sublime. Janë rob të tu, skllevër të egove, të ndëshkuar me varfëri dhe mjerim, të shkatërruar e të shpartalluar. Zoti ynë na ka dhënë neve si favor mundësinë e shërbimit në rrugën e sigurimit të shpëtimit të besimit të tyre. Dhe ne përpiqemi për ta kuptuar vlerën e këtij favori hyjnor, përpëlitemi për t’i dhënë hakun vullnetit tonë.

Zotëria ynë, bota të janë nevojtarë, sepse zgjidhja e të gjitha problemeve është tek Ti. Kush nuk pi nga çezma jote, nuk gjen dot jetë. Ata që nuk i përdorin recetat e tua, nuk u gjejnë dot zgjidhje halleve të tyre.

Zotëria ynë, e kalove jetën vazhdimisht duke u përpëlitur mes vuajtjesh për ne, për ummetin tënd, për shpëtimin e njerëzimit. Allahu të pati thënë kështu ty: “Do ta sosësh veten nga dëshpërimi që ata nuk besojnë (Shuara, 26:3)”; “Habibi im, ti nuk mund ta vësh në rrugë të drejtë cilindo që të duash, vetëm Allahu e orienton kë të dojë (Kasas, 28: 56). Kështu, Allahu të deklaron se besimi mund të shtresohet ndër zemra vetëm nga ana e Tij dhe vazhdon: “Detyra jote është përfaqësimi dhe kumtimi”. Ne të dërguam ty si përgëzues (me xhennet) dhe frikësues (me xhehennem).

Zotëria ynë, Allahu i ka krijuar botët për hir të fytyrës tënde. Në hadithin e shenjtë (kudsi) thuhet “Po të mos ishe ti, s’do t’i kisha krijuar botët!” Ekzistencën tonë ta detyrojmë ty. O i Dërguari i Allahut, si ummeti yt, detyra që na bie neve, është t’i dalim për zot amanetit me çmimin e jetës, të pajisemi me moralin kur’anor dhe profetik.

Përktheu: Mithat Hoxha