Profeti Muhamed a.s. personaliteti më i madh, dhe figura më e dashur për besimtarët myslimanë, nuk na shfaqet në trajtën e një mbinjeriu. Përkundrazi, gjithçka tek Ai, është sa e lartë aq edhe integralisht humane, një dukuri e tërësishme e cila gjendet e trupëzuar në vetë personalitetin e Profetit a.s.

Brenda tij shkëlqeu mahnitshëm bukuria e shpirtit, shkalla më e lartë e fisnikërisë të një karakteri të përsosur, dashuria gjithëpërfshirëse që rrëmbeu ndjenjat, imagjinatën dhe inteligjencën e myslimanit, çka përbejnë një kombinim të realitetit tokësor me idealet më të larta morale dhe shpirtërore.

Besimtarët myslimanë sa herë që përmendin emrin e profetit Muhamed a.s. derdhin lumenj bekimesh për të; invokacion ky, që derivon drejtpërsëdrejti si një arketip qiellor, pasi siç citohet edhe në Kuranin e shenjtë:

“Vërtetë, edhe vetë Allahu së bashku me engjëjt e tij e mbulojnë Profetin me bekimet e tyre.” (33:56)

Profeti a.s. manifestoi deri në perfeksion virtytet më të larta të qenieve njerëzore derisa çdo veprim i tij u bë objekt shqyrtimi i kujdesshëm, veprime të cilat u kodifikuan, e ku çdo thënie e tij u memorizua në kujtesën e bashkëkohësve, që më vonë u shkruan dhe për breza të tërë u bënë dhe vazhdojnë të jenë deri në fund burim i dytë dijesh pas Kur’anit.

Për këtë arsye personaliteti dhe vepra e tij qëndrojnë si një ideal i përjetshëm i trupëzuar brenda një qenie njerëzore, një ideal i cili synohet për t’u arritur nga çdo besimtar mysliman.

Në lidhje me sa u tha, Kur’ani citon:

“Vërtetë shembullin më të përkryer ju e patët tek i dërguari i Allahut “ (33:21)

Gjerësia, thellësia e jashtëzakonshme kuptimore që ka rrethuar gjithë jetën e Profetit a.s. mbi tokë, siguron për besimtarin një rend pa fund precedentësh të cilët mund të merren si etalonë shembullorë, normash e vlerash që mund mbulojnë praktikisht të gjitha dimensionet njerëzore të njeriut në këtë jetë. Kjo sepse Profeti a.s. ka qenë njëherësh, mendimtar soditës, udhëheqës i masave dhe asket, thellësisht i epur drejt botës tjetër, ndërkohë që ishte bërë tashmë tepër i suksesshëm mbi tokë.

Ai kishte përjetuar varfërinë dhe vetminë e jetimit, bari në fillim dhe më vonë tregtar. Ai provoi jetën e të syrgjynosurit e më vonë gëzimet dhe hidhërimet e jetës bashkëshortore. Ai ishte njëkohësisht udhëheqës ushtarak, gjykatës religjioz dhe burrë shteti, themelues dhe drejtues i të parit shtet islam në botë. Ai ishte fara e shëndetshme e një perandorie të ardhshme botërore. Dhe e gjitha kjo veprimtari kaq intensive pa harruar për asnjë çast të vetëm siç dëshmohet në Kuran, t’i kushtojë Allahut devocion përmes adhurimeve të veta.

Kështu ai përbën një model të përkryer jo vetëm në përputhje me nocionin religjion ashtu siç konceptohet normalisht sot në botë, por edhe në tërësinë e vetë ekzistencës së racës njerëzore.

Për myslimanin jeta nuk mund të ndahet në dy pjesë, në atë që i përket religjionit, dhe tjetrës që i përket sferës laike. Përkundrazi, të dyja këto gjysmë sfera përbëjnë një të tërë e të pandarë që është vetë ekzistenca e cila më pas, asimilohet tërësisht brenda idealeve profetike.

Sigurisht që nuk është e thënë që çdo mysliman të ketë prirjen për t’u bërë gjykatës ose udhëheqës, por nga ana tjetër është e detyrueshme që secili besimtar pavarësisht nga rrethanat të jetë i ndershëm e të jetojë një jetë të virtytshme në përputhje me ligjet e fesë.

Në qoftë se dy elementët universalë, besimi tek Allahu, virtyti dhe puna e ndershme do realizohen në mënyrë perfekte nga ana e besimtarit mysliman, atëherë ai duhet të jetë i sigurt se është në udhën e drejtë të vetë Profetit.

Po kështu manifestimi te besimtari i vlerave të larta morale si të qenët i drejtë, bujaria, mëshira, sinqeriteti, dashuria për hir të Zotit etj., përbëjnë tipare themelore të cilat afrojnë gjithnjë e më shumë besimtarin me idealet profetike.

Gjatë përvojave të imitimit të vlerave shpirtërore të Profetit a.s. besimtari do të gjejë patjetër rrugën e tij të shpëtimit shpirtëror.

Është e nevojshme për të shënuar këtu se koncepti mbi imitimin e Profetit a.s. nuk qëndron në purifikimin shpirtëror nëpërmjet empatisë, vuajtjeve te Profetit, por nëpërmjet pjesëmarrjes direkt në ekuilibrat e qëndrueshëm shpirtëror, kërkesë kjo që përbën si konditën ashtu edhe konseguencat që rrjedhin prej saj, çka do të thotë që ekuilibrat tokësorë për hir të ngjitjes qiellore, përbëjnë aksionin më virtuoz që realizon besimtari mysliman.

Që të mund të bëjmë një vlerësim qoftë edhe të përgjithshëm të lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet besimtarëve myslimanë dhe profetit Muhamed a.s., si dhe të mund të hedhim pak më larg vështrimin tonë për të parë më qartë madhështinë e natyrës së tij, le t’i drejtohemi Kur’anit të Shenjtë dhe historisë islame.

Mbase nuk është nevoja të shtojmë që, kjo mënyrë arsyetimi disi eliptike, e errëson faktin se madhështia e tij humane u lartësua në dimensione kozmike në saj të hireve qiellore që e rrethonin atë gjatë kohës së marrjes nga ana e tij të mesazheve kur’anore.

Prej këtej del se për të dashur Profetin a.s. duhet të duam edhe veshjen “materiale” njerëzore të tij që vjen nga refleksionet kuranore.

Kjo do të thotë që duhet të duam atë që është në konformitet të plotë me të vërtetat absolute që reflektohen në faqet e Librit të Shenjtë.

Duke parë problemin në këtë prizëm ne do të vlerësonim akoma më mirë e më drejt atë që iu urdhërua Profetit për t’ia proklamuar njerëzimit.

Në mbështetje të dashurisë ndaj Allahut myslimanit i pohohet se do të bëhet i dashuri i Tij në qoftë se do të ndiqte udhën e Profetit (a.s.). Kjo për arsye se Muhamedi a.s. ishte habibullah (i dashuri) i Allahut xh.sh., dhe shkuarja pas tij besnikërisht dhe me gjithë zemër e bëjnë besimtarin akoma më të dashur ndaj Krijuesit.

Kështu, ai që bekon me lutje Profetin do të shpërblehet me dhjetëfishin e bekimeve nga Allahu i madhëruar.

Allahu e shpërblen dashurinë e myslimanit ndaj Profetit duke zbritur mbi ta (dashuruesit) bekimet e veta.

Ajo çfarë mund të themi pas kësaj që parashtruam deri këtu, është se, të sigurosh afërsi me Allahun duhet të krijosh këtë afërsi së pari me Profetin a.s.

Në Kur’an është shkruar se:

“…vërtetë profeti u qëndron më pranë besimtarëve nga ç’i qëndrojnë ata vetes së tyre…” (33:6)

Kjo e vërtetë nuk do mundej të shpjegohej plotësisht për shkak të qëndrimit jashtë konceptit kohë. Sidoqoftë afërsia ndërmjet Profetit dhe besimtarëve myslimanë kapërcen çdo kufi kohor, sepse jeta, vepra dhe virtytet e tija, intimiteti me të është vulosur thellë në zemrën e besimtarit mysliman, ndaj askush prej nesh nuk e imagjinon Muhamedin a.s. si një subjekt që ka jetuar në një epokë tjetër historike.

Lidhjet e tij me kombin islam, janë lidhje shpirtërore. Ato përbëjnë një receptor të përkryer të hapur për t’u ripërtërirë nëpërmjet besimit, praktikimit të virtyteve devocioneve të sinqerta ndaj Allahut të madhëruar dhe të dërguarit te Tij.

Profeti konstituoi në të vërtetë trupëzimin e këtij receptiviteti të kulluar të shpirtrave në lidhjet e tyre me Allahun.

Për vlerësimet dhe respektin e thellë të shprehur nga besimtarët myslimanë për profetin Muhamed a.s., njerëz që nuk e njohin mirë besimin islam apo edhe njerëz të besimeve të tjera do të bënin pyetjen:

“Si mund të shpjegohet ky devocion i jashtëzakonshëm i transmetuar nga njëra epokë në tjetrën e brez pas brezi, dhe që nga ana e jashtme shprehet nëpërmjet lutjesh nga më sublimet, himneve dhe poemave që e lartësojnë Profetin nga njëri cep i botës myslimane në tjetrën deri në adhurim?”

Nga ana tjetër përpara Allahut njerëzit janë të barabartë dhe askush nuk ka nevojë që për t’u afruar te Krijuesi të përdorin ndërmjetës. Dhe mendimi vazhdon të mbetet i mjegullt kur pohojmë se është po aq e vërtetë se Kur’ani i ngarkon besimtarët myslimanë me detyrimin për të ndjekur Profetin në rrugën e tij. Po kështu e gjithë trashëgimia e tij profetike përbën një burim themelor të ligjit islam që i nënshtrohet autoritetit të vetë Kur’anit.

E megjithatë, për sa u trajtua më sipër, përbën pjesërisht devocionin ndaj Profetit. Kjo ngaqë është tjetër gjë t’i nënshtrohesh një rregulli të jashtëm dhe krejt tjetër ta adhurosh rregullin në kuptimin e përqasjes së tij brenda kontekstit human.

Ligji nuk mund të bëjë më shumë se sa të urdhërojë bindje të vullneteve, ndërsa Profeti angazhon çdo zemër besimtari në rrugën e tij._

Përgjigjen për të gjitha këto e gjejmë në Kur’anin e Shenjtë.

Tashmë është fakt i njohur që besimi islam mbështetet rigorozisht mbi adhurimin ndaj Allahut të madhëruar, nocion i cili konceptohet si një “Transhendent Absolut” .

Nga ana tjetër Muhamedi a.s. nuk ishte tjetër veçse një qenie njerëzore para së të ishte i dërguari i Allahut. Si qenie njerëzore që ishte Profeti a.s. nuk mund të konsiderohej në universin shpirtëror të botës islame si një objekt kulti që mund të adhurohej. Këtë na dëshmon një nga versetet e para të Kur’anit të Shenjtë.

“…nuk ka zot tjetër përpos Allahut …”. Kjo na bën të qartë se përveç Allahut nuk mund të ketë adhurim tjetër nga ana jonë.

Islami nuk fokuson transfigurimin e Allahut të madhëruar në vetë figurën e Profetit a.s.

Dukuritë dhe paradokset që mund të vërehen nga një vrojtues i jashtëm i pa informuar mirë në vlerësimet që bëhen për profetin Muhamed a.s., një studiues i kujdesshëm mund t’i arrijë vetëm nëpërmjet zhvendosjes së përqendrimit të tij mediativ nga dimensionet e jashtme të veprimit, drejt dimensioneve te brendshme të formatizuara sipas karakterit të vetë Profetit a.s.

Madhështia e këtij konceptimi është aq marramendës dhe vetëndriçues saqë nuk mund të mos ngjallë respekt te zemrat e vrojtuesve të paanshëm, të cilët hulumtojnë përmes veprës dhe jetës së Profetit a.s.

Të kesh besim ndaj Profetit nuk mjafton të besosh vetëm në mesazhin ndaj sinqeritetit që përcillet përmes tij, por ai ngërthen në vetvete edhe një orientim moral dhe psikologjik përmes veprës dhe personit të tij, jo për ta konsideruar atë si “shpëtimtar” sepse ditën e gjykimit gjithkush “…do japë llogari për mëkatet e tija, dhe se institucioni i shpërblimit apo i ndëshkimit sipas veprave që njeriu ka kryer në jetë përbën mjetin më racional për ta mbajtur atë sa më larg së keqes dhe mëkatit, dhe në fund besojmë se ditën e gjykimit, vetëm Allahu me mëshirën e tij si e vetmja instance e lartë hyjnore, ka tagër për të falur mëkatet.

Por i dërguari i Allahut të madhëruar është ai që u shtien ndërmend besimtarëve myslimanë ekzistencën e madhërishme të Allahut, detyrat dhe kushtet e lutjes ndaj Tij.

“… të dërguam ty Muhamed, si dëshmitar përgëzues dhe qortues…” është shkruar në Kur’anin e Shenjtë.

Mjeti kryesor i kthimit pranë Allahut dhe i përfitimit të kënaqësisë të të qenët në krah të tij është beteja shpirtërore që njeriu zhvillon brenda vetes për të luftuar të keqen dhe për të triumfuar e mira. Është ky imperativ i të përkushtuarit nëpërmjet adhurimeve kushtuar Allahut, edhe nderimi më i madh që i bëjmë Profetit a.s.

Në këtë mënyrë rikthimi shpirtëror pranë Krijuesit fillon me nevojën e ndërgjegjësimit për të dashur Profetin a.s. Akti i dashurisë ndaj Allahut, ngërthen në vetvete njëkohësisht edhe respektin ndaj Profetit a.s. Ky respekt nuk manifeston një besim të verbër, por një siguri absolute. Bash për këtë Profeti a.s. ka konfirmuar:

“Askush nuk e beson Allahun, në qoftë se nuk beson në mua.”

Profeti Muhamed a.s. është njëherësh burim frymëzimi mistik, model i sjelljeve të përkryera, si dhe një kombinim i gjithçkaje tokësore me atë qiellore.

Kur’ani i ngarkon të gjithë besimtarët për të ndjekur rrugën e Profetit a.s. dhe të dëshmojnë bindje ndaj Tij.

Praktika, sjelljet, veprimet dhe fjala e Tij përbëjnë një burim themelor të ligjit islam pas Kur’anit.

E gjithë trashëgimia profetike është në korrelacion të plotë me të vërtetat kuranore, dhe i nënshtrohen vetëm autoritetit të tij (Kur’anit).

Është detyrë e besimtarëve myslimanë, e pjesës elitare myslimane në radhë të parë për të hulumtuar mbi të vërtetat e mesazhit qiellor dhe kulturën profetike.

Objekt hulumtimesh për ne është edhe vetë familja e Profetit a.s.

Janë ata që kanë shpjeguar Kur’anin e shenjtë, dhe që janë burim i dytë dijesh pas Kur’anit. Ata janë modeli shkencor i ndërtimit të shkollave juridike islame.

Kur iu drejtohemi dijeve islame bindemi se me të vërtetë familja e Profetit a.s. është një minierë dijesh që i është referuar i gjithë kombi islam.

Ata kanë qenë mbrojtësit e së vërtetës, dhe atyre nuk u munguan dijet, e nuk u kursyen për t’ia mësuar ato të tjerëve.

Që të mund të shohim më qartë perspektivat e së ardhmes tonë, duhet të studiojmë mirë dhe të njohim programet që ato ndërtuan dhe zbatuan për formimin e një modeli të shëndoshë islam.

Të ecim në rrugën që ata ndoqën, dhe t’i marrim shembull udhërrëfimet e tyre dhe të profetit Muhamed a.s.