HAFIZ ALI ULQINAKU NJË POET DHE ALBANOLOG I VETMUAR MES ULQINIT DHE LEZHËS

 

 

“Hafiz Ali Ulqinaku është një nga ata figura të rëndësishme të kulturës shqiptare që dhanë shembullin frymëzues të zhvillimit të njëkohshëm e të bashkërenditur të veprimtarisë atdhetare, shkencore, arsimore e fetare duke çuar më përpara traditën pozitive të krijuar në vendin tonë në këtë fushë.”

                                          Faik Luli

 

Ali Ulqinaku jetoi në Lezhë nga viti 1883-4 (apo nga viti 1889) deri sa u nda nga jeta 100 vjet më parë, më 23 prill 1913. Pra, ai erdh në qytetin e Lezhës në një moshë të pjekur, diku rreth të tridhjetave, dhe shërbeu si mësues, si imam e myfti për një çerek shekulli, diç më pak a më shumë. Me gjithë se trupi i Hafiz Ali Ulqinakut është varrosur në Shkodër, pasardhësit e tij, që kanë mbajtur mbiemrin Hafizi, kanë jetuar në Lezhë. Unë, që kam filluar punën si mësues letërsie në gjimnazin e Lezhës në moshën 22-vjeçare, mbaj mend shtëpinë e Hafizëve, diku në breg të Drinit, jo larg xhamisë që sot është kthyer në pjesë të Memorialit të Skënderbeut.

E bëra këtë hyrje për të dëshmuar prezencën e pandërprerë deri në ditët e sotme të pasardhësve të Ali Ulqinakut në Lezhë, një qytezë kaq e ngjashme me Ulqinin për shkak të traditave kulturore-historike thuajse të njëjta, për shkak të simboleve ndërtimore që lidhen me kështjellat mesjetare të të dy qyteteve, si dhe për lidhjet me detin: Lezha ka shumë pranë Shëngjinin.

Nga ana tjetër, Lezha dhe Ulqini janë dy qyteza të baraslarguara nga qyteti i Shkodrës, atëherë qendër vilajeti me një potencial ekonomiko-kulturor të konsiderueshëm për kohën. Madje, Shkodra atëherë ishte një nga qytetet më të mëdha të Perandorisë Osmane në Ballkan, edhe për faktin se kishte mundësi të lidhej me qendra të rëndësishme të Mesdheut përmes të dy porteve detare: Ulqinit dhe Shëngjinit. Duhet përmendur se Shëngjini e fitoi rëndësinë e vet si port detar i Shkodrës, pas rënies së Ulqinit, pra, pas vitit 1880 kur edhe shumë familje ulqinakësh braktisën qytetin e tyre dhe u vendosën në Shkodër. Pavarësisht se mungojnë studimet e hollësishme, unë kam mendimin se shumë detarë ulqinakë e vazhduan veprimtarinë e tyre në Shëngjin. Traditat e detarisë në Shëngjin deri vonë kanë pasur si model barkëtarët ulqinakë: të gjitha gojëdhënat për detin kanë si kryeheronj deri në ditët e sotme kapitenët ulqinakë. Me këtë dua të them se nuk është rastësi vendosja e Ali Ulqinakut në Lezhë, qoftë i ftuar për mësues, si e bijnë disa biografë të tij, qoftë i emëruar imam a myfti, si e bijnë studiues të tjerë. Madje duhet supozuar se në atë qytet duhet të ketë pasur edhe familje të tjera ulqinakësh: apo detarët ulqinakë, që, pas viteve 1880 punonin me varkat e tyre në Shëngjin, duhet të kenë pasur familjet e tyre më shumë në Lezhë se sa në Shëngjin apo Shkodër.

Por Ali Ulqinaku, megjithëse prej një familjeje detarësh, u vendos në Lezhë si një njeri i ditur, formuar në Ulqin e Shkodër dhe, sipas disa biografëve të tij, edhe në Stamboll: prandaj njohës shumë i mirë i turqishtes dhe arabishtes. Madje edhe me një farë përvoje në mësuesi për shkak se kishte punuar disa vjet në shkollën e Dudasit, lagje e Shkodrës. Por, çfarë është më e rëndësishmja, Ali Ulqinaku vinte në Lezhë si një hafiz që kishte guxuar të shkruante gjuhën e vet amtare, edhe atëherë kur ajo nuk lejohej të shkruhej e të mësohej në shkolla. Madje kishte hartuar edhe një abetare në atë gjuhë.

Pyetja që shtrohet sot është: çfarë solli dhe çfarë gjet Ali Ulqinaku në Lezhë? Ai solli tri vepra, përkthime në gjuhën shqipe, të cilat i botoi në Stamboll në vitin 1887 dhe hartoi fjalorët e parë mësimorë shqip-turqisht dhe anasjelltas, të cilët presin të studiohen me seriozitetin e merituar, sepse përfaqësojnë një autor, ndoshta më të fundit autor të Rilindjes sonë Kombëtare, i cili në kapërcyell të shekujve XIX-XX fiksoi me shkronja leksikun e gjuhës së gjallë shqipe të qyteteve Ulqin, Shkodër dhe Lezhë. Dhe çfarë gjeti aty? Një traditë shkrimi të gjuhës shqipe që qarkullonte rrethinave, kryesisht në Zadrimë, në qendra të tilla, si: Mërqia, Kallmeti, Blinishti etj. Çfarë solli? Përvojën e luftëtarit aktiv për mbrojtjen e trojeve amtare (Sipas disa biografëve, Ali Ulqinaku kishte marrë pjesë me armë në dorë në dy beteja për mbrojtjen e Ulqinit) dhe gjeti, ose më saktë, qe dëshmitar (sepse mungojnë studimet e hollësishme) i Kryengritjeve të vitit 1911-12 me kryeqendër rrethinat e Lezhës, si dhe i ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në atë qytet në dhjetor të vitit 1912, pavarësisht trupave serbe që ishin vendosur në pritje për të zëvendësuar ushtrinë turke në tërheqje. Çfarë solli tjetër? Mësuesin e munguar të gjuhës shqipe dhe klerikun patriot që deklaronte me kurajo: Gjuha ime asht shqipja, shkruaj e flas arabisht, turqisht e shqip. Dhe gjeti qytetarë të etur për të shkruar dhe lexuar gjuhën e tyre amtare.

Lezha në atë kohë ishte një qytezë me 3500 banorë aq sa edhe Durrësi. Sami Frashëri shkruan se numëronte 80 dyqane dhe zhvillonte një tregti të dendur, veçanërisht në dit pazari. Qyteti shtrihej në shpatin e malit të Mërqisë, ku ndodheshin shtëpi të rrethuara me “kopshtie të bukur”; ka 4 xhami dhe dy kisha, pasi 3 nga të pesë kishat që ai qytet kishte pasur para pushtimit osman, ishin kthyer në xhami. Si qendër kazaje, Lezha mbulonte 39 fshatra me toka shumë pjellore, ku jetonin 30 000 banorë, pa përfshirë “Shenjt-Gjinin (kështu e shkruan Sami Frashëri), limer, në një mëngë të vogël afër gojës së Drinit, shkallë e Shkodrës, me 2000 njerëz.

Ne na mungojnë studimet integrale, por mund të hetohet edhe për kontakte të Ali Ulqinakut me Gjergj Fishtën, qofshin ato kontakte të drejtpërdrejta, qofshin përmes të tretëve. Kështu, gjatë viteve 1896-1897 kur Fishta ishte kapelan i kishës së Lezhës, të dy kanë jetuar në të njëjtin qytet (në vijë ajrore as 300 metra larg) dhe me të njëjtin përkushtim për gjuhën shqipe. Mundet që shembulli i Ali Ulqinakut, si poet dhe përkthyes i poezisë turke në shqip, të ketë shërbyer si nxitje për Gjergj Fishtën e ri, si poet e përkthyes i poezisë dhe teksteve teatrore në shqip.[1]

Kur hamendësojmë për kontakte a ndikime të tilla të ndërsjella, nuk duhet të na shqetësojë fakti i përdorimit të dy alfabeteve: njëri alfabet arab, tjetri latin. Së pari, deri në Kongresin e Manastirit, më 1908 dhe ca më pas, nuk përdornin të njëjtin alfabet as Mjeda me Fishtën dhe autorë të tjerë shqiptarë brenda e jashtë vendit. Së dyti, kur Ali Ulqinaku bën provat e para në gjuhën shqipe, në moshën 22-23-vjeçare, mendonte se ai ishte më i pari që shkruante në atë gjuhë, sepse “Asht nji gjuh(ë) qi me kalem s’asht kollanis“. Ky varg justifikon gjithçka, madje dhe e ngre në një piedestal më të lartë autorin, pasi e dëshmon poet dhe gjuhëtar të vetmuar në radhët e rilindësve të tjerë, atë që më parë e cilësuam autorin më të fundit të Rilindjes sonë Kombëtare.

Tani, duke përfunduar, më lejoni të lë peng një pyetje të fundit: deri kur do të justifikohemi duke thënë se na mungojnë studime të mjaftueshme për të ngritur në piedestalin e merituar kombëtar figura të tilla si Ali Ulqinaku: hafiz, poet dhe luftëtar me armë në dorë për mbrojtjen e trojeve amtare; mësues, përkthyes në gjuhën shqipe, deri atëherë e ndaluar, dhe imam; leksikograf, hartues abetareje për mësimin e gjuhës amtare dhe myfti? Deri kur nuk do t’i dalim zot në mënyrë të merituar vlerave tona kulturore, morale dhe atdhetare? Deri kur?

 

Dr. Tonin Çobani