KURANI – DËSHMIA MË QARTË E PROFETËSISË SË MUHAMEDIT A.S.

Kurani është fjalë hyjnore e zbritur për njeriun, krijesa më e bukur e Allahut me epërsi inteligjence ndaj gjithë krijesave të tjera. Kurani i është zbritur njeriut si krijesa më e lartë, sikur do t’u ishte zbritur maleve, do të shihnit se si malet bëheshin copë-copë e do të rrënoheshin nga impresionimi dhe tronditja para Allahut. Ashtu siç thuhet në Kuran: “Sikur ta kishim zbritur këtë Kuran mbi një mal, do ta shihje kokë ulur e copë-copë nga frika e Allahut. Këto shembuj ua japim njerëzve që të mendojnë’’ (Hashr, 59:21)

Kurani është një libër, me madhështinë e tij hyjnore, Zoti e ka zbritur atë të tillë që t’ju japë përgjigje nevojave të njerëzve. Gjithashtu, Kurani është një libër i begatshëm, i shenjtë Ai nuk ka shok në lartësi, shenjtëri dhe begati.

Kurani është thelbi jetës. Jeta e njeriut bëhet e dobishme, e begatë me aq sa njeriu e bën Kuranin parim të jetës, jeta larg Kuranit është jo e begatë, në jetën e një populli larg Kuranit mbizotëron gjithmonë thashethemi, grindja dhe anarkia sipas masës së largësisë prej Tij.

Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Më i dobishmi prej jush është ai që mëson Kuranin, dhe ua mëson të tjerëve”. Prandaj po deshëm të bëhemi më të dobishmit duhet ta lexojmë, shfletojmë dhe kuptojmë Kuranin për vete dhe t’ua përcjellim të tjerëve.

Kurani është një thirrje sovrane e dërguar bujarisht për ju me qëllim që ta vini jetën tuaj në rregull. Në këtë thirrje, Allahu thekson: “Pa dyshim, Ne e krijuam njeriun me krijimin më të bukur!” Sigurisht që njeriu është nderuar dhe fisnikëruar, mëshiruar nga ana e Allahut si krijesa më e lartë dhe e bukura.

Argumentet mbi faktin se Kurani është fjala e Allahut dhe dëshmia më e madhe e profetësisë së Muhamedit (a.s.)

Do të mjaftonin disa shembuj për të nxjerrë në pah se nga ana e gjuhës dhe shprehjes, Kurani nuk është dhe s’i përngjet asnjë libri tjetër. Sidomos nga stili, kuptimi dhe përmbajtja, Kurani është i pashembullt dhe i pashoq, pra kjo dëshmon qartë se Kurani nuk është fjalë njeriu, por pa dyshim dhe mëdyshje është fjalë e Allahut të madhërishëm.

Allahu në Kuranin famëlartë i drejtohet Profetit Muhamed (a.s.) kështu: Para kësaj ti as mund të lexoje ndonjë shkrim, as dhe mund të shkruaje me dorën tënde, ndryshe ata që mendojnë keq, do të dyshonin!’’(Ankebut, 29:48)

Përsëri Allahu në Kuran thotë: “Po qe se dyshoni në atë që i zbritëm robit tonë, ejani silleni një sure të ngjashme me të dhe thirrni edhe dëshmitarë të tjerë tuaj veç Allahut nëse jeni të drejtë në atë që pretendoni”(Bekare, 2:23)

 A po thonë se e ka sajuar Muhamedi? Nëse e keni me të vërtetë, thirrni në ndihmë të gjithë që mund t’i thirrni dhe sillni një sure të ngjashme me suret e tij’’(Junus, 10;38)

Cili njeri nuk ka mangësi, gabime dhe kundërshti në thëniet e veta? Kurse Kurani thotë se në këtë libër nuk ka kundërshti. “A nuk mendojnë mbi Kuranin se po të kishte ardhur nga dikush tjetër veç Allahut, do të gjenin në të shumë kundërshti?(Nisa,4;82) Pra disa njerëz që përpiqen gjoja se në Kuran ka kundërshti ata pikë së pari nuk njohin veten e tyre se kush janë, dhe mundohen të sjellin trillime rreth Kuranit, kur një gjë të tillë nuk e besojnë as vetë.

Ndryshimi mes mënyrës së shprehjes së Kuranit dhe mënyrës së shprehjes së Profetit dallohet mjaft lehtë. Është e pamundur që një njeri ta arrijë nivelin e lartë të shprehjes dhe ligjërimit të Kuranit. Si për anët e tjera të Kuranit, edhe për shpjegimin e kësaj ane të tij janë shkruar vëllime të tëra veprash p.sh. për një elhamdulillah janë shkruar shumë e shumë faqe. Vendi i çdo fjale të zgjedhur dhe i çdo shkronje, numri i tyre harmonia e tingujve dhe melodisë së brendshme, lidhjet e çdo fjale me fjalët e tjera dhe të gjithë tekstin në tërësi duke formuar një të tërë matematike janë ndër veçoritë e posaçme të tekstit të Kuranit.

Në periudhën kur zbriti Kurani poezia kishte marrë përmasa dhe zhvillim të jashtëzakonshëm. Njerëzit e përdornin të shprehurit poetik në çdo gjë edhe në bisedat e zakonshme, por parësia e politeistëve të cilët kërkonin t’i largonin njerëzit nga Kurani përpiqeshin t’i kundërviheshin, sipas tyre me këto fjalë. “Po të themi se është poezi, nuk është, po të themi se është prozë poetike s’është, po të themi se është fjalë orakulli s’është, as vepër e një të çmenduri s’ngjan, atëherë po ju themi njerëzve se është magji, prandaj t’i mbyllin veshët se ndryshe i zë magjia’’. Por, ndërsa mblidheshin, diskutonin e vendosnin së bashku kështu, kur vinte nata, nuk rrinin dot pa shkuar fshehurazi nga njëri tjetri për të dëgjuar Kuran! Por ata njerëz që e donin të vërtetën, si poetët e njohur Hansa dhe Lebid, pasi u bënë myslimanë, e lanë poezinë dhe, kur u kërkohej të bënin poezi, shkruanin një sure nga Kurani dhe ua dërgonin kërkuesve duke ua theksuar këto fjalë: ‘’Pas këndimit të Kuranit unë kam turp të shkruaj poezi!’’ kthenin përgjigje.

A është shkruajtur gjer më sot ndonjë libër vallë, i cili t’i përshtatet njeriut të çdo shtrese moshe, niveli? JO! Por Kurani është libri që shfaqet në çdo send dhe iu flet të gjithëve dhe kuptohet nga të gjithë dhe i qetëson ata.

Nuk ka libër në botë veç Kuranit që të lexohet disa herë pa u mërzitur, kurse Kurani lexohet vazhdimisht, në namaze pa shkaktuar kurrë ngopje, lodhje dhe mërzitje. Sa libra të zgjedhura, shkrime, poezi e humbin vlerën dhe origjinalitetin e tyre, kurse Kurani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vlefshmëri por çdo ditë që kalon, shpirtrave, ndërgjegjeje, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët.

Një autor në veprën e vet përgjithësisht mbetet nën ndikimin e kushteve dhe të mjedisit ku jeton si dhe të ngjarjeve të jetuara pa mundur të dalë jashtë një kuadri kohor të ngushtë. Edhe nëse del, kjo ndodh duke nxjerrë nga duart një vepër utopike, ose fantastiko-shkencore. Kurse kur shohim Kuranin, vëmë re se ai përdor shprehje kategorike mbi fillimin dhe fundin e gjithësisë, mbi krijimin e njeriut dhe jetën e tij të ardhme dhe duam apo s’duam, mbetemi të detyruar se “kjo s’mund të jetë fjalë njeriu veçse fjalë e Allahut të lartëmadhërishëm”.

Kurani është interpretues i librit të universit, dhe interpretuesi i gjuhëve të ndryshme që recitojnë versetet e krijimit; është Komentuesi i librit të botëve të dukshme e të padukshme; është zbuluesi i emrave hyjnorë të Zotit të fshehura në faqet e tokës e të qiejve; është gjuha e botës të padukshme në botën e dukshme; është thesari i mirësive të krijuesit mëshirëplotë; është dielli themeli dhe plani i botës shpirtërore të Islamit, është harta e shenjtë e botës së përtejme; është komentuesi i shquar, shpjeguesi i qartë, prova përcaktuese dhe interpretuesi i saktë i esencës hyjnore dhe i atributeve të Zotit të lartësuar; është instruktori, urtësia e vërtetë udhëzuesi i botës së humanizmit; është libër urtësie e ligji, libër faljeje e adhurimi, libër thirrjeje, libër përmendjeje dhe libër i njohjes hyjnore; është libër i gjitha nevojave, është fjala e Allahut, me cilësinë e Tij, krijuesi i të gjithë botëve, Ky Kuran është udhërrëfyes dhe dallues i rrugës së drejtë zbritur nga ana e Zotit Të lartësuar nëpërmjet kryeengjëllit Xhebrail (a.s.), Profetit të fundit, vulës së profetëve, Muhamedit (a.s.) i dërguar si mëshirë, ashtu siç thotë Kurani: “Dhe ne s’të dërguam ty ndryshe, por vetëm si mëshirë për të gjithë botët” (Enbija,108). Pra profetit Muhamed (a.s.) kur Ai ishte në moshën 40 vjeçare, kur filloi ti zbriste revelata hyjnore nga ana e Zotit, nuk u gjunjëzua asnjëherë përballë sfidave dhe problematikave të asaj kohe për të shpjeguar e kumtuar argumentet dhe fjalën e Zotit, Mesazhin Hyjnor, Kuranin famëlartë tek njerëzit, edhe pse kundërshtarët e tij donin ta zmbrapsnin nga kjo rrugë duke i propozuar atij ofertat me të mëdha si kryesinë e Mekës, pasuri, famë, që si kishte kush dhe vajzën më të bukur të mekës, me kusht që të hiqte dorë nga kumtesa profetike, kurse Ai i pati hedhur poshtë të gjitha propozimet duke thënë: “…edhe sikur të m’i vënë diellin mbi pëllëmbën e djathtë dhe hënën mbi të majtën, unë s’heq dorë nga çështja ime”.

Ky ishte profeti Muhamed (a.s.), personaliteti më i lartë, pa asnjë luhatje gjatë gjithë jetës së tij e kreu detyrën e profetësisë më së miri me durim dhe mëshirë, duke kumtuar vlerat të vërtetat e Islamit njerëzimit, edhe kur persekutohej, fyhej, dëbohej, ai i lutej Zotit me këto fjalë: “O Zot, fale,udhëzoje popullin tim, se ata nuk dinë!”

Redaksia