MOTIVIMI TEK FEMIJET

Shekulli në të cilin jetojmë është quajtur ndryshe si shekulli i informacionit të cilin mund ta arrijmë shumë lehtë dhe shpejt, thjesht me një klikim.  Mënyra e përdorimit të informacionit ndan në nivele të ndryshme shoqëritë e sotme. Përdorimi i drejtë dhe i duhur i informacionit të marrë do të na sjellë një edukim cilësor dhe frytdhënës. Fëmijët  e sotëm mund të quhen dhe fëmijë të teknologjisë por nuk duhet të harrojmë që tek fëmijët, pikë së pari  duhet të ekzistojë dëshira për të mësuar e cila do të shoqërohet me mundësitë e shumta, me përdorimin e drejtë të tyre dhe me vlerësimin e njohurive të përftuara nga interneti. Fëmijët të cilët e shijojnë të mësuarin janë gjithmonë kuriozë për të zbuluar gjëra të reja dhe ndihen të motivuar e energjikë. Fëmijë të tillë do të ndjekin shkollën me dëshirë dhe do ta shfrytëzojnë atë sa më mirë për edukimin e tyre. Çfarë mund të bëjmë ne si prindër për të frymëzuar tek fëmijët dëshirën për të mësuar dhe si mund të nxisim motivimin?

Kjo dëshirë e cila vë në lëvizje njeriun në fushën e psikologjisë quhet motivim. Ndonjëherë kjo dëshirë  mund të lindë brenda njeriut dhe quhet motivim i brendshëm ndërsa kur nxitet nga faktorë të jashtëm konsiderohet si motivim i jashtëm. Motivimi i jashtëm sigurisht që do të zhduket sapo të ikin nxitësit apo faktorët nxitës. E rëndësishme është që kjo ndjenjë të kultivohet gradualisht tek fëmija.

Nëse fëmija nuk paraqet asnjë lloj dëshire ndaj shkollës dhe proçesit të të mësuarit atëherë ka ardhur koha të analizojmë edhe një here nevojat e fëmijës. Sepse ne thelbin e një dëshire qëndron nevoja apo kërkesa për të.  Krahas nevojave fiziologjike si ngrënia, veshja, mbrojtja njeriu ka edhe nevoja emocionale si vlerësimi, lavdërimi, dashuria, përkatësia etj. Ne mund t’i parashtrojmë shumë gjëra përpara fëmijës tonë por asnjëra prej tyre nuk do të ketë vlerë nëse nuk dimë kërkesën  e tij. Në shumicën e rasteve prindërit përpiqen të plotësojnë çdo kërkesë e cila ka lidhje me nevojat fizike të fëmijës por harrojnë apo nënvlerësojnë ato emocionale. Nuk vihet në dyshim dashuria e prindërve por e rëndësishme është që kjo dashuri të ndihet nga fëmijët.  Ndonjëherë prindërit e barazojnë dashurinë e tyre me notat e marra në një test apo provim shkolle. Por një dashuri e kushtëzuar është toksike dhe cënon marrëdhënien prind fëmijë. Fëmijët kërkojnë të pranohen dhe të duhen pavarësisht rezultateve akademike. Nëse ai ndihet i vlerësuar kjo do ta bëjë atë më të pavarur, me vetëbesim e siguri .

Sjellja dhe qëndrimi i mbajtur ndaj fëmijëve tanë ose fjalët e përdorura më shpesh do të strukturojnë konceptin e tyre individual. Kritikat e vazhdueshme do të ndikojnë negativisht në pengesën e marrjes së iniciativave të reja. Si prindër na takon t’i nxisim me një gjuhë e cila pranon kapacitetin e tyre në mënyrë që t’u rritet vetëbesimi.

Pritshmëritë e prindërve mbi nivelin e suksesit akademik të fëmijëve  mund të bëhen shkak për krijimin e ndjesisë së pamjaftueshmërisë tek to duke i krijuar në kokë mendime si: ‘unë nuk mund të arrij pritshmëritë  e prindërve, nuk mund t’ja dal’. Nëse vazhdohet kështu, fëmija do të zgjedhë të bëjë indiferentin dhe nuk do të përpiqet aspak të ndryshojë situatën. Në këtë pikë kërkohet një bashkëpunim i mirëfilltë me shkollën dhe mësuesit për të njohur më mirë fëmijën .  E rëndësishme është njohja  e çdo suksesi të fëmijës qoftë e edhe i vogël dhe vlerësimi me nota pozitive. Nëse ne nuk vlerësojmë përpjekjet e fëmijës dhe fokusohemi vazhdimisht tek nota 10 atëherë ky qëndrim do të thyejë motivimin e tij.

Një gabim tjetër i prindërve është dhe krahasimi i dëftesës së fëmijës  me dëftesën apo arritjet e fëmijëve të tjerë si të vëllait, të motrës, të kushërinjve apo shokëve të klasës. Ose mund ta krahasojë atë me arritjet e veta si prind. Krahasimi është e keqja më e madhe që mund t’i bëhet dikujt sepse e demoralizon totalisht palën përballë.

Fëmijës i duhen dhënë përgjegjësi në përshtatje me moshën dhe zhvillimin e tij në mënyrë që të provojë aftësitë e tij. Ndjenja e përgjegjësisë i duhet dhënë  që në periudhën parashkollore sepse një fëmijë i përgjegjshëm do të përpiqet të  bëjë detyrat, të mësojë dhe të zbatojë të gjitha kërkesat e dhëna nga shkolla e mësuesi si pjesë e përgjegjësisë së tij.

Në qoftë se duam të nxisim motivimin e brendshëm të fëmijëve dhe duam që ata të jenë të vendosur duhet t’i përfshijmë në procesin e vendimmarrjes duke i shpjeguar edhe arsyet e vendimit.

Ne do të mundësojmë fokusimin e fëmijës tek një qëllim i caktuar duke e ushqyer shpirtin e tij me një gjë e cila e bën të ndihet mirë. Mund të krijojmë një plan të përcaktuar me anë të të cilit ndihmojmë fëmijën në plotësimin e qëllimeve afatshkurta, në zbatimin e detyrave të dhëna dhe në ndërmarrjen e hapave të vegjël. Kjo mënyrë do të ndihmojë fëmijën të jetë i qartë në mendime dhe qëllimet e vendosura dhe do të zhdukë dyshimin dhe pavendosmërinë.

Gjurmët e një historie suksesi lidhen ngushtë me përkushtimin e njeriut ndaj qëllimit të caktuar dhe me dëshirën e fortë që ai ka për ta arritur këtë qëllim. Bërja e punës me pasion e dashuri do të sjellë një burim të pashtershëm energjie dhe produktivitet maksimal.

Me shpresën e edukimit dhe rritjes së fëmijëve të motivuar , të vendosur e të përkushtuar në arritjen e qëllimeve të vendosura…

 

Aisa kokiçi