Wednesday, September 23, 2026
Home Bota Jone Dy pika dhe dy gjurmë më të dashura për Allahun

Dy pika dhe dy gjurmë më të dashura për Allahun

Për Allahun nuk ka asgjë më të dashur se dy pika dhe dy gjurmë: pika e lotit që derdhet si shprehje e besimit dhe bindjes së thellë, nga frika dhe respekti ndaj Allahut dhe pika e gjakut që derdhet në rrugën e Allahut gjatë luftës. Ndërsa dy gjurmët, janë gjurma e plagës e marrë gjatë përballjes në rrugën e Allahut dhe gjurma e adhurimit që mbetet nga përmbushja e njërit prej obligimeve hyjnore.” (Tirmidhi, Fedailu’l-Xhihad, 26)

Në të vërtetë, sikur besimtari ta dinte se çfarë vlere dhe peshe kanë pranë Allahut dy pika lot dhe dy pika gjak të derdhura për Të, ai do të fluturonte nga gëzimi si pëllumbat, duke dëshiruar me zjarr ta arrinte atë gjendje dhe atë frymëzim. Mirëpo kjo gjendje lidhet ngushtë me një nivel të caktuar besimi dhe bindjeje të thellë shpirtërore.

Në lidhje me këtë çështje, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në praninë e Allahut nuk ka asgjë më të dashur se dy pika: pika e lotit e derdhur si shprehje e besimit dhe bindjes ndaj Allahut dhe pika e gjakut e derdhur duke luftuar në rrugën e Allahut.”

Allahu i do jashtëzakonisht shumë këto dy pika. Për këtë arsye, njeriu që lidhet me ato gjëra që janë të dashura për Allahun dhe ia kushton veten atyre, nuk joshet kurrë nga kënaqësitë e rreme dhe të përkohshme të kësaj bote. Ai nuk përkulet para botës, por me gjithë vëmendjen dhe ndjeshmërinë e tij drejtohet kah bota tjetër. Megjithatë, e gjithë kjo është çështje e irfanit, e njohjes së thellë shpirtërore, dhe arritja e saj është ndër çështjet më të vështira, por jo e pa arritshme për njeriun.

Sipas botëkuptimit tonë, irfani është një dritë e fortë e besimit që digjet në zemrën e njeriut, e tillë që ai, nën ndriçimin e saj, e sheh botën ashtu siç e sheh edhe botën e përtejme. Ashtu siç mediton dhe vëzhgon çështjet e kësaj bote, ai mediton dhe vëzhgon edhe çështjet e Ahiretit (botës tjetër). Atëherë, në zemrën e njeriut zgjohet një dëshirë e veçantë për botën tjetër dhe askush me mendje të shëndoshë nuk do ta parapëlqejë asgjë tjetër përballë përpjekjes në rrugën e Allahut dhe të rënit dëshmor (shehadetit) që fitohet në këtë rrugë. Fundja, si mundet që një njeri, i cili ka parë bukurinë e përjetshme dhe bukuritë e amshuara, të anojë drejt jetës së përkohshme të kësaj bote?

Shehadeti është garancia për arritjen e përjetësisë. Amr ibn Xhemuh (r.a) dhe Sa’d ibn Hajseme (r.a) janë ndër ata sahabe (shokë të Profetit a.s.) që e fituan këtë garanci. Të dy ishin mjaft të moshuar, nuk kishin fuqi as të ngriheshin nga shtrati, e as të ecnin pa shkop. Por sapo u përmend çështja e xhihadit (në këtë rast luftë fizike kundrejt armikut sulmues), ata u ngritën si luanë të plagosur dhe filluan të përgatiteshin për të marrë pjesë në të. Kur fëmijët dhe nipërit e tyre u përpoqën t’i ndalonin duke u thënë: “Babai ynë, ti je i sëmurë, mezi ecën edhe në rrugë. Kjo punë nuk është për ty. Ti rri në shtëpi, na lejo ne të dalim”, ata u përgjigjën: “Sikur të ishte diçka tjetër, do t’ju kisha parapëlqyer juve ndaj vetes sime. Por kjo është çështje shehadeti (të rënit dëshmor); është çështje e takimit me Zotin dhe e fitimit të Xhenetit të përjetshëm. Në këtë çështje askush nuk mund të parapëlqejë askënd.” Edhe pse ndodheshin në dy shtëpi të ndryshme dhe flisnin me njerëz të ndryshëm, debati ishte i njëjtë. Të dy grupet, pa e ditur për njëri-tjetrin, shkuan te i Dërguari i Allahut ﷺ për ta marrë atë si gjykatës, dhe të moshuarit u ankuan për të rinjtë: “O i Dërguari i Allahut ﷺ! Fëmijët dhe nipërit tanë nuk na lejojnë të shkojmë që të bëhemi dëshmorë dhe ta flijojmë shpirtin tonë me dëshirë për Ty.” I Dërguari i Allahut ﷺ u përpoq t’i qetësonte, por ishte e pamundur. Me sytë e ngulur drejt botës së Xheneteve dhe me një dëshirë të zjarrtë për t’u nisur sa më parë drejt saj, ata ngulnin këmbë aq shumë, saqë mësuesi i dy botëve ﷺ nuk gjeti rrugë tjetër veçse t’u thoshte të dyve: “Në rregull.”

Si përfundim, të dy pleqtë morën pjesë në luftë. Pak më vonë, Profeti i nderuar ﷺ, me shikimin e drejtuar kah botët e larta, tha: Po e shoh Amr ibn Xhemuhun, me këmbët e tij të të drejtuara, duke vrapuar drejt Xhenetit.”

Kur u kërkuan dëshmorët, të dy pleqtë u gjetën të shtrirë në tokë, shpinë më shpinë. Si Sa’d ibn Hajseme (r.a), ashtu edhe Amr ibn Xhemuh (r.a) kishin rënë dëshmorë në rrugën e Allahut. Për këtë dëshmon Allahu, dëshmon i Dërguari i Tij dhe dëshmojnë edhe engjëjt. Këta dy dëshmorë kishin siguruar Xhenetin.

Njeriu mund ta jetojë edhe në këtë botë një jetë të mbushur me të njëjtin ideal dhe dëshirë. Vdekja dhe shehadeti bëhen për të qëllimet më të larta. Mirëpo kjo, siç u përmend më sipër, lidhet ngushtë me irfanin, me njohjen e thellë të së vërtetës. Sepse lotët e kësaj bote janë të qeshura gëzimi në botën tjetër; dhimbjet e kësaj bote janë kënaqësi atje; privimet dhe vështirësitë këtu janë lamtumira për çdo privim dhe vështirësi atje. Çdo njeri duhet t’ia përcjellë këto të vërteta ndërgjegjes së vet dhe t’ia përkujtojë vetes në këtë mënyrë. Për këtë arsye, analiza e së kaluarës sonë ka dobi të madhe për ne. Kjo vetëdije, ka vazhduar të jetë prezente që nga themeluesit e parë të këtij misioni të shenjtë Islam, e ka arritur deri tek ne pandërprerë. Për ata, përkushtimi dhe nëse është nevoja, flijimi i jetës për hir të fesë së Allahut ishte pothuajse një pasion dhe një dëshirë e zjarrtë. Megjithëse edhe ata e donin njeriun dhe jetën, duhej të ekzistonte një e vërtetë tjetër që i shtynte drejt kësaj rruge. Kjo e vërtetë mund të shpjegohet vetëm me faktin se ata kishin arritur në shkallën e irfanit (njohje e Allahut përmes zemrës dhe përjetimit shpirtëror). Kur’ani na e injekton këtë vetëdije. Ai shpall se ata që vdesin në shërbim të rrugës së Allahut nuk duhet të konsiderohen realisht të vdekur. Ata janë të gjallë pranë Allahut, me një jetë që ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë. Këtë jetë e kuptojnë vetëm ata që kanë arritur tek ajo dhe ata quhen shehidë.

Babai i Xhabirit, Abdullahu (r.a), kishte rënë dëshmor në Uhud. Xhabiri (r.a) shkoi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, babai im vdiq dhe la pas jetimë. Përkujdesja për ta ka mbetur mbi mua, ndërkohë që unë nuk kam as kushtet e nevojshme për t’i mbajtur.” Më pas, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në shtëpinë e tij për ta ngushëlluar. Në atë çast, vajza ose motra e Abdullahut (r.a) po qante me zë të lartë në dhomë, aq sa ta dëgjonte edhe Profeti. I Dërguari i Allahut ﷺ, me fjalë që ishin lajm i mirë jo vetëm për ta, por për të gjithë myslimanët, e ngushëlloi Xhabirin (r.) dhe familjen e tij duke thënë: “Deri më sot Allahu nuk ka folur drejtpërdrejt me askënd. Vetëm Abdullahun e mori përballë dhe e pyeti për gjendjen e tij. Ai iu përgjigj Zotit: ‘O Zoti im! Më kthe edhe një herë në botë, që të vdes sërish në rrugën Tënde dhe t’u tregoj njerëzve sa e këndshme është një vdekje e tillë.’ Zoti i Madhërishëm i tha: Unë kam një premtim se të vdekurit nuk do të kthehen më në botë. Por dëshirën dhe mallin tënd do t’ua bëj të ditur atyre.”  Më pas zbriti ajeti që shprehte se dëshmorët nuk konsiderohen të vdekur, dhe kështu u bë e qartë gjendja e Abdullahut (r.a) dhe e atyre si ai, se dëshmorët nuk kanë vdekur dhe kurrë nuk do të vdesin.

Lotët, për njerëzit e sinqertë dhe të pastër në besim, janë një lloj çlirimi shpirtëror. Për ata që digjen përbrenda, lotët janë shprehja e jashtme e ndjenjave të tyre. Sikur brenda gjoksit të tyre të digjeshin prushet e Xhehenemit, emocionet e tyre shndërrohen në lot. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut ﷺ ka vendosur një ekuilibër midis Xhehenemit dhe lotëve. Kur shkëndijat e Xhehenemit ndjekin njerëzit në Ditën e Gjykimit, Xhibrili (a.s.) shfaqet me një gotë ujë në dorë. I Dërguari i Allahut ﷺ e pyet: “Çfarë ke në dorë?” dhe ai përgjigjet: “Lotët e besimtarëve, që ta shuajnë Xhehenemin.”  Me këto dhe hadithe të ngjashme, i Dërguari i Allahut ﷺ vlerëson njësoj veprën e atij që lufton kundër armikut të jashtëm dhe të atij që lufton kundër vetvetes, kundër egos së tij, dhe për këtë arsye derdh lot.

Kur’ani i Madhërishëm e paraqet gjendjen e atyre që qajnë si një mjet reflektimi dhe mësimi. Për më tepër, ka shumë ajete që urdhërojnë të qeshim pak dhe të qajmë shumë, si dhe të përkulemi nga pesha e mëkateve që kemi bërë. Çdo pikë loti, si dëshmi e hollësisë shpirtërore, është një drithërimë e ndjeshmërisë që ka vlerë sa burimet e Keutherit (lum në Xhenet, dy anët e të cilit janë prej ari dhe argjendi, shtrati prej xhevahireve dhe rubinëve ndërsa uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti) në Xhenet. Tharja e lotëve është një gjendje e mjerueshme që meriton keqardhje. Ashtu siç i Dërguari i Allahut ﷺ i kërkonte strehë Allahut nga shejtani, po ashtu i kërkonte mbrojtje edhe nga syri i tharë që nuk loton. Sikur çdo besimtar ta kritikonte veten e tij me seriozitet dhe ta pranonte këtë të vërtetë të hidhur duke thënë: “Ah i mjeri unë që nuk kam dije, që nuk kam vepra të mira, që nuk kam më fuqi për mirësi dhe adhurim, që nuk kam lot në sy, as forcë në zemër e as vendosmëri në vullnet!..” Dhe sikur çdo besimtar ta bindte veten duke thënë: “Unë jam askushi. Nëse kam përfituar nga disa begati të Allahut, kjo nuk është për shkak të meritës sime, por për shkak të nevojës sime. Gjendja ime e mjerë e vë në lëvizje mëshirën e Allahut dhe të gjitha këto begati vijnë vetëm prej Tij!..”

Hapi i parë për t’u çliruar nga mangësitë është t’i njohësh ato si mangësi. Kjo njohje duhet të shoqërohet gjithmonë me një drithërimë të brendshme, në mënyrë që njeriu të arrijë të shpëtojë prej tyre.

Tauland Bica