Tre Muajt e bekuar (Rexhep – Shaban – Ramazan)

Koha dhe vendi, të gjithë vlerën dhe shenjtërinë e tyre e marrin sepse ashtu dëshiron Allahu. Kjo dëshirë hyjnore përfshin mijëra urtësi për krijesat. Veçanërisht, ato ngjarje që ndodhin brenda asaj kohe dhe vendi, i fitojnë këtyre një rëndësi të veçantë. Shenjtëria e disa aspekteve të kohës në Islam është një mënyrë që begatia dhe mirësia e pafund e Zotit të mbërrijë te myslimanët.

Sipas kalendarit hënor, që ka si pikënisje hixhretin e profetit Muhamed (s.a.s.) (hixhri), muajt Rexhep, Shaban dhe Ramazan janë muaj shumë të dobishëm dhe të bekuar. Në shoqërinë Islame këta muaj quhen “Shuhur-u Thelathe” (Tre Muajt). Të gjitha netët e mira veç Natës së Mevludit, ndodhen brenda këtyre tre muajve. Muaji Rexhep cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr ç’ka mbjell, merr barasvlerën e asaj që ka bërë.

Tre muajt kanë një shije të vetën, e cila i veçon ata nga muajt e tjerë. Secili nga muajt ndjehet me ndjenjat tona të dukshme, ndërsa këta të tre, ndjehen me zemër dhe ndjenja mjaft të thella. Brenda kësaj kohe, njerëzit që i kthehen botës së zemrës, preken shpirtërisht nga rrezet që burojnë nga besimi i tyre dhe u duket se në këtë gjendje ata do të jetojnë përgjithmonë në hare. Ditët, netët, madje orët dhe minutat gjatë kësaj kohe për ta, ecin në një formë të magjishme. E ashtu duke rrjedhur, pa dyshim që secilit i pëshpërijnë diçka në shpirt.

Kur mbërrijmë, çdo vit, në këto kohë të arta të vitit, na duket sikur kemi prekur ato ditë të kaltra të botës së përtejme edhe një herë tjetër. Koha gjatë këtyre muajve ngjyroset me bojërat e botës së përtejme dhe njerëzit zhyten thellë në qetësi shpirtërore të magjishme, sikur të ishin banorë të botës tjetër. Kujtimet dhe koha e kaluar gjatë këtyre tre muajve plot gjallëri dhe gëzim, na e veshin jetën tonë me një bukuri të magjishme dhe ndjenjat tona futen brenda një simfonie të qetë. Ajo kohë përqafon të gjithë ata që ndjejnë dhe kuptojnë besimin, Islamin, vendfaljen dhe adhurimin me ngjyrën e dritave në frekuenca të ndryshme, me flladin e saj të ëmbël dhe të butë, duke magjepsur me zërin e saj çdokënd në shpirt. Brenda tre muajve, teksa shikon dritat që depërtojnë nëpër zemrat e njerëzve, vezullimet e minareve, gjallëria shpirtërore e popullit që shpejton për në vendfalje, më tepër sesa jetën tokësore, të kujton parajsën dhe për ata njerëz që vërtet ua dinë vlerën, ofrohet një kënaqësi shpirtërore e paparë.

Muaji Rexhep është muaji i faljes, amnistisë nga Allahu; muaji Shaban është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit për falje; muaji Ramazan është muaji i shtimit të mirësive. Për këtë qëllim profeti ynë, në fillim të muajit Rexhep, lutej kështu:

Allahu im! Na i bëj të bekuara Rexhepin dhe Shabanin dhe na bashko me muajin e Ramazanit” (Ahmed, I, 259). Ndërsa në disa thënie të tjera të tij thotë: “Ai që agjëron ditën e parë, të mesit dhe të fundit të muajit Rexhep, shpërblehet sikur ka mbajtur me agjërim të gjithë muajin” (Miftahu’l-Xhene). “Rexhepi është një muaj i madh. Të mirat në këtë muaj Allahu i shumëfishon.” (Taberani). Pas muajit të Rexhepit vjen muaji i Shabanit. Hz. Aishe (r.a.) thotë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut të agjërojë më shumë se sa në muajin e Shabanit” (Muslim, Sijam, 175). “Muaji Shaban i pastron gjynahet.” (Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 2/9). Transmetohet nga Enes b. Malik se Profeti (a.s.) pyetet: O i dërguari i Allahut! Në cilin muaj është agjërimi më i mirë përveç Ramazanit? Pejgamberi përgjigjet: “Për nder dhe respekt të Ramazanit është agjërimi i mbajtur në muajin Shaban.” (Tirmidhi, zekat, 28). I dërguari i Allahut në një hadith thotë: “Muaji Rexhep është i Allahut të lartë, muaji Shaban është i imi, kurse muaji Ramazan është i ymetit tim” (Ramudhu’l–ehadith, I, 289; Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/423). Dijetari i madh dhe i shquar Bediuzaman Said Nursi për këta muaj thotë: “Shpërblimi i çdo të mire, nëse në kohë të tjera është dhjetë, në muajin Rexhep është njëqind, në muajin Shaban më shumë se treqind, në Ramazan ngjitet në njëmijë, në netët e xhumave shkon me mijëra dhe në natën e Kadrit ngjitet në tridhjetëmijë” (Said Nursi, Şualar, 416).

Gjatë këtyre muajve myslimanët pendohen për mëkatet, zemërimeve dhe mërive u jepet fund, ndjenjat vëllazërore zhvillohen më tej, kështu, myslimanët bëjnë përpjekje për të hyrë me mendime të mira dhe kënaqësi në muajin e bekuar të Ramazanit.

Profeti ynë (a.s.) dhe sahabët punonin shumë për të arritur mirësitë e këtyre tre muajve. E shtonin shumë më tepër adhurimin me nafile (namaze suplementare), shtonin shumë dhikrin (përkujtimin), tesbihun (lartësimin), hamdin dhe shukrin (falënderimin) ndaj Allahut (xh.sh.), kërkonin falje, ndihmonin të varfrit, gëzonin jetimët, të vetmuarit dhe të moshuarit. Gjatë muajve Rexhep dhe Shaban u kushtonin vëmendje agjërimit të ditëve të hëna dhe të enjte. Theksojmë se agjërimi i mbajtur në muajt Rexhep dhe Shaban është sunet.

Redaksia