Mos i stresoni fëmijët tuaj dhe mos i fusni në depresion në emër të edukimit të fëmijëve perfektë.
Fëmijët e brezit të sotëm sillen si të mëdhenj por nuk duhet harruar fakti se ato akoma janë fëmijë dhe duhet ta jetojnë gjallërinë e fëmijërisë. Nëse nuk dëshironi të rrisni fëmijë të tensionuar dhe depresivë në emër të edukimit të fëmijëve perfektë, atëherë dëgjoni pak këshillat e specialistëve rreth kësaj teme. Fëmijët e sotëm po përjetojnë një fëmijëri krejt ndryshe me nëna dhe baballarë më të informuar dhe të arsimuar, me një zhvillim të paparë të teknologjisë dhe ndryshimin e strukturës sociale. Ato tani sillen si një “i rritur” i vogël me ndihmën e njohurive të marra, aftësive dhe fushave të interesit. Por, kjo situatë sjell me vete edhe sindromën e konsumimit, lodhjes kronike dhe ankesës nga depresioni.
Komentet më të përhapura të prindërve janë “ne bëjmë gjithçka që mund t’i pëlqejë çdo fëmije por ai nuk gëzohet”, “e kemi kaluar të gjithë fundjavën duke vrapuar”, “ndërkohë që unë pres mbarimin e orës së notit të të voglit, burri pret vajzën në kursin e pianos”. Përballë tyre kemi komentet e fëmijëve “unë kalëroj nga mëngjesi deri në darkë, futem në kursin e violinës për t’u qetësuar dhe më pas në studim. Kam dhe një kurs tjetër por nuk do të shkoj se kam provim. Nëse ndahem keq në provim mami do të nxehet shumë”.
Këto fëmijë quhen ndryshe dhe fëmijë të nxituar. Ky koncept i zhvilluar nga psikologu amerikan, David Elkind, tregon se koha e fëmijëve planifikohet sipas preferencave të prindërve dhe ky plan paraqet më shumë mësim të shoqëruar me shumë aktivitete fizike, sociale, kulturore, të cilat ndihmojnë zhvillimin e fëmijës. Prindërit nuk ndihen mirë kur nuk zhvillohen këto aktivitete. Nëse këto prindër e konceptojnë rolin e prindit të mirë si të atij i cili edukon një fëmijë kampion në not, në gjimnastikë, fenomen në shkollë atëherë do të mbesin gjithmonë të pakënaqur. Kjo është dhe arsyeja e përpjekjes së tyre për të shtuar numrin e aktiviteteve. Dhe kështu në mendjet e tyre vendoset mendimi “unë duhet të bëj më të mirën për fëmijën tim dhe ai duhet të bëjë më të mirën”.
Fëmijët ndihen të paaftë
Të jesh fëmija i një prindi i cili mendon se “djali im duhet të dijë shumë gjuhë, duhet të jetë më i miri në piano, të bëjë më të mirën e tij” është pak e vështirë. Fëmijë të tillë ndihen të paaftë përballë reagimeve të pakënaqura të prindërve, megjithëse mund të japin maksimumin e tyre. Mesazhi i transmetuar nga prindërit i bën ato të ndihen të pavlerë dhe të pamjaftueshëm.
Fëmijët të cilët vrapojnë mes shkollës dhe kurseve private janë të detyruar të bëjnë pazarllëk me prindërit për sa i përket orarit të pushimit. Të sforcuar mbi kapacitetin e tyre fëmijët e tillë përjetojnë grindje në shkollë, janë të stresuar në provime dhe më pas kalojnë në depresion. Krahas kësaj duhet të nënvizohet fakti se viteve të fundit është rritur numri i fëmijëve të cilët ankohen nga lodhja kronike dhe sindroma e konsumimit. Dhimbjet e kokës, të barkut të lidhura me stresin shoqërohen më pas me mungesën e dëshirës për të shkuar në shkollë apo kurset jashtëshkollore.
Lëreni të jetojë fëmijërinë!
Fëmijët që sillen si të rritur dhe nuk zhvillohen nga ana emocionale, të rritur me psikologjinë e të nxituarit, përjetojnë frikë dhe stres më të madh gjatë provimeve. Kanë frikë nga dështimi. Në mendjen e tyre formohen mendime negative dhe shqetësuese në lidhje me provimin. Kur nuk marrin notën maksimale shqetësohen nga reagimet e prindërve të shoqëruara me fjalë si “ke mësuar pak, nuk ia dole, nuk ke dhënë maksimumin”. Sipas studimeve të zhvilluara bëhet e ditur se njohuritë akademike nuk janë shkaktare të performancës së dobët por është mosvlerësimi i vetvetes dhe personalitetit.
Disa këshilla me anë të të cilave mund t’i largoni fëmijët nga psikologjia e të nxituarit dhe të parandaloni depresionin.
•motivojini fëmijët në bazë të aftësive dhe fushave të interesit. Në këtë mënyrë do të ndikoni pozitivisht në zhvillimin e tyre psiko-social. Por planifikimi i këtyre aktiviteteve nuk duhet të jetë mbi kapacitetin e fëmijës.
• lëreni të luajë lirshëm dhe të vërë në punë imagjinatën. Kjo i mundëson pavarësinë fëmijës dhe e bën të ndihet i sigurt. Fëmijët të cilët luajnë me lodra kanë mundësinë të njohin më mirë vetveten, kuptojnë mangësitë dhe nevojat e tyre dhe janë më të qetë në shprehjen e tyre.
• dëgjojini fëmijët. Jo vetëm fjalët që thonë por shikoni mire dhe formën e trupit, shprehjet e fytyrës, tonin e zërit.
•lëreni fëmijën të qetë nëse e shihni se po rri kot, pa bërë gjë, nëse shihni se është duke luajtur me peceta apo lexon një libër.
Le të vazhdojë të bëjë çfarë dëshiron. Në këtë mënyrë do ta lejoni të përjetojë fëmijërinë e tij brenda një dite të lodhshme.
Aisa Kokiçi