Krijuesi i gjithësisë, Zoti ynë i Madhërishëm, e ka dërguar njeriun në tokë si mëkëmbës. Allahu i Madhëruar nuk i ka lënë njerëzit të braktisur, por për të rregulluar jetën e tyre personale dhe shoqërore, ka shpallur Kur’anin Famëlartë dhe ka dërguar një udhërrëfyes, një Pejgamber, i cili do t’ua shpjegonte dhe mësonte atë libër të lavdishëm në mënyrën më të bukur. Ai që e njeh më së miri Kur’anin, është gjithashtu ai që mund ta interpretojë atë në mënyrën më të drejtë. Njëherë, kur i ishte drejtuar një pyetje për moralin e të Dërguarit (a.s), Aishja (r.a.) u përgjigj: “Moral i tij ishte Kur’ani.” I përshkruar me këtë cilësi, i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është udhërrëfyesi më i mirë për ne në shpjegimin e Kur’anit Famëlartë dhe Islamit. Në Kur’an thuhet: “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe.” (Sureja el-Maide, 5:3) Me këtë shpallje, për njerëzimin u zgjodh Islami si fe, dhe për ta përcjellë atë, u dërgua Muhamed Mustafaja (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Falë këtij Udhërrëfyesi të Madhërishëm, njerëzit do të përpiqen të bëhen njerëz ashtu siç dëshiron Allahu i Madhëruar dhe të fitojnë kënaqësinë e Tij. Për ta arritur këtë, Allahu i Madhëruar, në shumë vende në Kur’an, ka kërkuar që njerëzit t’i binden dhe ta pasojnë të Dërguarin e Tij. Në një ajet kur’anor thuhet: “O i Dërguar, thuaju: ‘O njerëz, nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që edhe Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë mëkatet tuaja. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.’” (Sureja Al-i Imran, 3:31) Me këtë shpallje, theksohet se pasimi i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) përfundimisht sjell bindjen ndaj Allahut dhe dashurinë e Tij.
Pra, nëse duam të jemi besimtarë të vërtetë dhe të fitojmë kënaqësinë e Allahut, duhet ta pasojmë të Dërguarin e Tij dhe të përpiqemi të jetojmë ashtu siç ka jetuar ai. Për këtë arsye, është e domosdoshme të njihen mirë jeta dhe Suneti i tij fisnik. Dijetarët muslimanë, që nga periudhat e hershme, e kanë klasifikuar Sunetin sipas shkallës së detyrueshmërisë dhe kanë shkruar shumë vepra mbi këtë çështje. Në librat e Usulu’l-Fikhut, theksohet se në jetën e tij të bekuar, i Dërguari i Allahut (a.s) ka pasur udhëzime, ndalesa, këshilla dhe orientime në shumë fusha – si pejgamber, si kryetar i familjes, si komandant ushtarak dhe në role të tjera. Dijetarët e fikhut kanë sqaruar se fjalët dhe veprimet e tij që lidhen me çështje fetare janë detyruese (pra, duhet të zbatohen), ndërsa ato që kanë të bëjnë me natyrën njerëzore dhe nevojat fizike nuk janë të detyrueshme. Megjithatë, nëse dikush i ndjek këto sunete, do të fitojë shpërblim, ndërsa lënia e tyre nuk përbën mëkat.
Por, këndvështrimi i Bediuzaman Said Nursiut ndaj këtyre llojeve të suneteve, që i përkasin etikës dhe sjelljeve (adab), është shumë i ndryshëm. Ai i ka parë këto sunete (traditat profetike) me një qasje pozitive. Pra, ai nuk i ka vlerësuar nga këndvështrimi “Po nuk i ndjeka nuk kam ndonjë gjynah, prandaj mund t’i lë.”, por nga këndvështrimi “Nëse i zbatoj me një qëllim të pastër, do të fitoj shpërblim.” Ndërsa disa njerëz kanë menduar t’i lënë këto sunete, ai ka parë në to një mundësi për të fituar sevape të ndryshme. Në lidhje me këtë çështje, ai shprehet kështu:
“Suneti i lavdishëm (sunnet-i thenijje) ka tre burime kryesore: 1) Fjalët e të Dërguarit të Allahut 2) Veprimet dhe 3) Gjendjet e tij.
Këto tre kategori ndahen në tre grupe: 1) Farze (detyrimet) 2) Nafile (veprat vullnetare) 3) Adetat e bukura (zakonet e mira).
Pjesa që përfshin farzet dhe vaxhibet është e detyrueshme për t’u ndjekur. Nëse ato lihen, sjellin dënim dhe ndëshkim.
Pjesa nafile ndahet në dy kategori:
Një pjesë përfshin sunetet e lidhura me adhurimet. Ndryshimi i tyre konsiderohet bidat. (Megjithëse lënia e tyre nuk sjell ndëshkim, ndjekja e tyre sjell shpërblim të madh. Pjesa tjetër quhet adab (etikë dhe sjellje e mirë). Kundërshtimi i këtyre nuk quhet bidat, por megjithatë përbën një lloj mospajtimi me sjelljet e të Dërguarit të Allahut dhe privon nga përfitimi prej dritës dhe udhëzimit të tij. Kjo kategori përfshin veprimet e përditshme që lidhen me kulturën, traditën dhe natyrën njerëzore, siç janë të ngrënit dhe të pirët. Pasimi i veprimeve të të Dërguarit të Allahut (a.s) në këto çështje konsiderohet pjesë e etikës profetike. Për shembull, ka shumë sunete që shpjegojnë etikën e të folurit dhe normat e sjelljes. Këto sunete klasifikohen si adab. Kush i ndjek këto rregulla të etikës, e shndërron traditën e tij në adhurim dhe përfiton një dritë të madhe shpirtërore prej tyre. Madje, ndjekja edhe e një adabi të vogël ia përkujton njeriut të Dërguarin e Allahut dhe i sjell zemrës një nur të veçantë.
3) Zakonet dhe veprimet e mira, për shkak të urtësivë dhe dobive që ato sjellin, janë shumë të vlefshme për individin dhe shoqërinë që t’i ndjekin dhe t’u binden. Sepse, në çdo veprim të zakonshëm ka dobi dhe përfitime, dhe kur ndiqen këto norma etike dhe tradita të mira, ato marrin vlerën e adhurimit.[1]
Përveç të gjitha këtyre, “qëllimi i pastër” është gjithashtu shumë i rëndësishëm në veprimet që kryejmë. Prandaj, mund të themi: “Pasimi me nijet të pastër i sunetit i kthen adetet në ibadete.” Këtu bien në sy tre fjalë kyçe. Nëse këto tre fjalë shpjegohen, do të kuptohet se si mund të fitojmë shpërblim nga një veprim i zakonshëm.
a) Ibadet: Do të thotë të drejtohesh me zemër dhe dëshirë ndaj Allahut, të përulesh dhe t’i bindesh Atij, duke e adhuruar sinqerisht. Adhurimet përcaktojnë marrëdhënien midis njeriut dhe Allahut. Në librat e fikhut, ato ndahen në kategori të ndryshme. Disa prej tyre janë: pastrimi (tahareti), abdesi, gusli, tejemumi, namazi, agjërimi, haxhi, zekati, premtimi (adak)[2] dhe kurbani.
b) Adab: Fjala “adab” është shumës i fjalës arabe “edeb”,[3] që do të thotë “moral i mirë, edukatë e bukur, delikatesë, sjellje e mirë”.[4] Në këtë kuptim, adab përfshin rregullat dhe parimet e sjelljes së mirë, edukatës dhe finesës që duhet të ndiqen për të pasur një karakter të ndritur. Ne e përdorim fjalën adab (ose adet: zakon) për të përshkruar çdo veprim jashtë adhurimit që bëjmë gjatë 24 orëve të ditës, përveç ibadeteve.
Imam Shatibiu i ka ndarë adetet në dy lloje sipas mënyrës se si zhvillohen:
1. Adete që nuk ndryshojnë sipas kohës, vendit dhe situatës: Këtu përfshihen gjëra të tilla si të ngrënit, të pirët, të gëzuarit, të qenët i trishtuar, të fjeturit, të zgjuarit, të ndjekurit e dëshirave të natyrshme dhe të tërhequrit nga ato gjëra që nuk janë të përshtatshme, si dhe marrja e gjërave të pastra, të bukura dhe të shijshme.
2. Adete që ndryshojnë sipas kohës, vendit dhe situatës: Këtu përfshihen shembuj si forma e veshjes dhe mbulesës, mënyra e jetesës, butësia në situata të dhunshme, ashpërsia në situata të buta, lëvizja e ngadaltë apo e shpejtë në veprime, etj.[5]
c) Nijet: Do të thotë “të kalosh në zemër dëshirën për të bërë një veprim për kënaqësinë e Allahut.” Sipas fesë sonë, veprimet marrin vlerë në përputhje me qëllimin tonë. Në lidhje me këtë, një hadith i shënuar nga Umeri (r.a) thotë: “Veprimet (nuk vlerësohen ndryshe) përveçse sipas qëllimeve; çfarëdo që është qëllimi i dikujt, ai do ta marrë atë që ka synuar. Nëse dikush bën hixhret për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (për kënaqësinë dhe miratimin e Atij), hixhreti i tij do të konsiderohet si emigrim për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëse dikush emigron për një fitim të përkohshëm të kësaj bote (si një përfitim material) ose për të marrë një grua në martesë, hixhreti i tij do të konsiderohet në përputhje me atë që ka synuar.”[6]
Që një veprim të sjellë shpërblim, ai duhet patjetër të jetë i urdhëruar ose i ndaluar nga i Madhëruari Allah ose nga i Dërguari i Tij (a.s.). Veprimet e tilla përfshihen në kategorinë e adhurimeve. Për shembull, Allahu në Kur’anin Famëlartë, lidhur me namazin, thotë: “Vërtet, namazi është obligim i caktuar për besimtarët në kohë të përcaktuara.” (Sureja en-Nisa, 4/103). Nëse ne i përmbahemi këtij urdhri dhe falim namazin, fitojmë shpërblim, ndërsa ata që nuk e zbatojnë, bëhen mëkatarë. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin, haxhin, zekatin dhe madje edhe për veprat më të vogla të mira. Nga ana tjetër, ka edhe gjëra të ndaluara. Për shembull, ata që i përmbahen ndalimit të konsumimit të alkoolit, vrasjes së njerëzve dhe veprave të tjera të ndaluara, do të fitojnë shpërblim, ndërsa ata që nuk i zbatojnë këto ndalesa, do të bien në gjynah.
Përveç këtyre, veprimet tona kanë të bëjnë me etikën dhe sjelljet e mira. Këto janë veprime që në kushte normale janë të lejuara (mubah), pra nuk kanë as shpërblim e as gjynahe. Për shembull, të hash, të pishë ujë, të flesh, etj. Që një person të fitojë shpërblim ose të bjerë në mëkat nga këto veprime, varet nga qëllimi me të cilin i kryen ato. Për shembull, nëse një person pi një gotë ujë me qëllimin e konsumimit të alkoolit, ai bie në mëkat. Nga ana tjetër, nëse një besimtar pi ujë pa pasur synimin që t’i përmbahet një praktike profetike, atëherë ai thjesht ka shuar etjen, pa fituar as shpërblim e as gjynah. Por nëse dikush pi ujë duke ndjekur sunetin e Pejgamberit – pra, e kap gotën me dorën e djathtë, thotë “Bismilah” para se të pijë, e pi në tre gllënjka, etj. – atëherë ai fiton sevap për këtë veprim. Po ashtu, nëse një person shtrihet për të fjetur mbi krahun e djathtë, vendos dorën e djathtë nën faqe, lexon lutje, fryn në duar dhe më pas fërkon trupin, atëherë edhe ky veprim i sjell atij shpërblim. Në përfundim, nëse një person i shndërron këto veprime të zakonshme të përditshme në akte adhurimi, ai i jep vlerë shpirtërore çdo aspekti të jetës së tij. Kjo është si një “art i shndërrimit të hekurit në ar”. Për të fituar shpërblimin e adhurimit edhe nga një veprim që duket krejt i zakonshëm, duhet t’i përmbahemi kësaj formule.
Në përfundim, themi se të gjithë dëshirojnë të shkojnë në Xhenet. Për këtë arsye, përpiqemi të përgatitemi duke falur pesë kohët e namazit gjatë ditës, që në total zgjasin rreth një orë. Pra, duam të fitojmë Xhenetin me vetëm një orë adhurim brenda 24 orëve. Megjithatë, nëse e zbatojmë këtë formulë në jetën tonë, mund t’i kthejmë edhe 23 orët e mbetura në adhurim. Në këtë mënyrë, e gjithë dita jonë do të jetë e mbushur me adhurim. Për ta arritur këtë, fillimisht duhet ta njohim këtë formulë dhe më pas të përpiqemi të mësojmë çdo aspekt të jetës së ndritur të të Dërguarit të Allahut (a.s.). Kështu, do ta jetojmë jetën sikur të jemi gjithmonë në adhurim…
Në shkencat islame, ekzistojnë disiplina që trajtojnë dhe studiojnë aspekte të ndryshme të jetës dhe misionit të të Dërguarit të Allahut (a.s). Do të jetë e përshtatshme t’i përmendim shkurtimisht këto disiplina.
Hadithi: Është disiplina që merret me fjalët, veprat dhe miratimet e të Dërguarit të Allahut (a.s). Sijer: Është shumësi i fjalës arabe sire dhe përdoret për të përshkruar jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s), nga lindja deri në vdekjen e tij. Megazi: Është disiplina që trajton luftërat e të Dërguarit të Allahut dhe përfshin hadithet që lidhen me to. Në fakt, është një pjesë e Sires, por fokusohet vetëm në ekspeditat dhe betejat e tij. Shemail: Merret me moralin, karakterin, fizikun, stilin e jetesës dhe veshjes, si dhe jetën e tij private, duke trajtuar aspektet njerëzore të personalitetit të të Dërguarit të Allahut. Delail: Ndërsa Shemaili trajton aspektet njerëzore të të Dërguarit të Allahut, Delaili fokusohet në profetësinë e tij, duke sjellë dëshmi për këtë dhe duke trajtuar mrekullitë e tij.
Nëse e studiojmë në mënyrë të thellë jetën e shembullit më të bukur dhe më të përsosur dhe njohim sjelljet e tij, atëherë do ta kemi më të lehtë t’i praktikojmë ato. Përmes kësaj, edhe veprimet që në kushte normale nuk sjellin shpërblim – si të ngrënit, të pirët, të fjeturit, të ulurit apo shkëmbimi i dhuratave – mund të bëhen burim shpërblimi për ne.
Mustafa Gündoğdu
Përktheu nga gjuha turke
Haki Sahitaj
[1] Bediüzzaman Said Nursî, Lem’alar.
[2] Në gjuhën arabe, nedhir (premtimi) i referohet adakut, që në terminologjinë e fikhut do të thotë “kur një person, megjithëse nuk është i obliguar sipas fesë, e bën një adhurim të detyrueshëm për veten e tij”. Me fjalë të tjera, adaku është “kur një person, edhe pse nuk është i detyruar, premton para Allahut të Lartësuar të kryejë një adhurim nga farzet ose vaxhibet dhe e bën këtë adhurim një detyrim për veten e tij”. P.sh., ai thotë “Betohem se ketë ramazan do fal 100 rekate”. Ky lloj premtimi behet obligim për të që ta përmbush (shënim i përkthyesit).
[3] Mehmet Doğan, Büyük Türkçe Sözlük, fq. 320.
[4] Mehmet Doğan, Büyük Türkçe Sözlük, fq. 10.
[5] Shatibi, Muvafakat, 2/297.
[6] Buhari, Iman, 41; Muslim, Imare, 155.