Rëndësia dhe roli i hixhretit në botëkuptimin Islam

Fjala hixhret do të thotë emigrim, shpërngulje, braktisje dhe ndarje nga diçka. Hixhreti i ka rrënjët qysh nga profeti Adem (a.s.) me zbritjen e tij në tokë. Shumë të dërguar të Allahut (xh.sh.) kanë pasur hixhretin e tyre, si profetët Ibrahim, Musa, Jusuf, Isa etj. (Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ta). Ndërsa, viti Hixhri, fillon me emigrimin e Profetit Muhamed (a.s.) nga Meka në Medine.

Myslimanët mekas, duke iu përgjigjur ftesës së myslimanëve medinas, si dhe me lejen e Profetit, në pjesën e parë të shekullit VII, nisën të emigronin fshehtas në Medine për të gjetur shpëtim, prehje e qetësi, ku lirisht mund të shprehnin ndjenjat e tyre fetare. Myslimanët mekas që emigruan nga Meka për në Medine, u quajtën muhaxhirë (emigrantë), kurse myslimanët medinas që i pritën këta si vëllezër dhe miq, i respektuan dhe i ndihmuan, u quajtën ensarë (ndihmëtarë).

Profeti Muhamed (a.s.) së bashku me shokun e tij të ngushtë Ebu Bekrin, emigruan të fundit. Medineja ishte ngritur në festë duke e pritur profetin me padurim, dashuri dhe hare. Kjo ngjarje e madhe me rëndësi në historinë Islame njihet  me emrin Hixhreti Profetik dhe ky vit hënor quhet Viti i Ri Hixhri. Nisur nga rëndësia dhe roli i tij, myslimanët e kanë përcaktuar hixhretin si fillimin e kalendarit të tyre. Të gjitha ngjarjet historike më pas në fenë Islame, u renditën në bazë të kësaj pikënisjeje.

Hixhreti i myslimanëve nga Meka në Medine shënohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë Islame. Në Kuran Allahu thotë: “Ata që besojnë, emigrojnë dhe luftojnë për çështjen e Allahut dhe ata që japin strehim atyre e i ndihmojnë, pa dyshim, janë besimtarë të vërtetë. Për ta ka falje dhe shpërblim bujar.” (Enfal, 8:74)

Hixhreti i Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe i myslimanëve nuk ishte ikje nga frika për jetën e tyre, por një sakrificë e madhe realizuar vetëm për hir të Allahut dhe në shërbim të besimit. Myslimanët mekas lanë pas pjesëtarë të familjes, shtëpi, kopshte, mall, pasuri e tregti. Kështu që emigrimi, hixhreti, paraqet kulmin e sprovës dhe sakrificës materiale.

Mes myslimanëve emigrues, ishte dhe një person që kishte për qëllim të martohej me Ummul Kajsin në Medine. Dhe ai u quajt në përputhje me qëllimin e tij si “muhaxhiri i Ummul Kajsit.” Kjo, përveç se pasqyron qartazi se hixhreti nuk është thjeshtë zhvendosje fizike nga një vend në një tjetër, shpjegon gjithashtu se ai pasohet nga arsyet e braktisjes së gjërave. Njeriut i takon vetëm ajo çfarë ai synon dhe ka për qëllim.

Hapat e para të Profetit (a.s.) ishin themelimi i xhamisë së parë në Kuba, i shkollës Sufasë brenda në xhaminë e Medines dhe bashkimi e vëllazërimi i medinasve me mekasit. E para tregon bazën religjioze dhe hyjnore, e dyta bazën e dijes dhe të shkencës, kurse e treta paraqet nivelin më të lartë të një shoqërie kur ajo është e bashkuar, apo të paktën, kur tashmë njerëzit jetojnë duke e ndjerë veten të lirë.

Me hixhretin bota hyri në kontakt me valën e re të Islamit, i përfaqësuar me madhështinë e tij të vërtetë, i çliruar nga të gjitha forcat e diskriminimit racor e klasor dhe me besimin në një të Vetmin Zot, Allahun (xh.sh.) me të Cilin askush nuk është i barabartë.

Gjurmët që la Hixhreti tek brezat e myslimanëve janë të pashlyeshme, sepse me hixhretin nis epoka e lavdishme e themelimit të bashkësisë Islame, e cila ishte e zhveshur nga paganizmi, idhujtaria, primitivizmi dhe injoranca.

Me hixhretin, kultura islame u bë e veçantë dhe e kompletuar, ndërsa ngjarjet e lidhura me këtë rast, do të jenë burim frymëzimi për myslimanët për harmoni reciproke dhe vëllazërim Islam. Pikërisht me hixhretin u ngrit dhe u zhvillua shteti Islam i bazuar në Kur’an dhe Sunet, i cili brenda një kohe të shkurtër e shpërndau drejtësinë Islame në tre kontinente, duke u bërë një fuqi kryesore diturie e kulture në botë.

Ç’është e vërteta, në kuptimin e vet specifik, hixhreti ka mbaruar, sepse i dërguari i Allahut thotë: “Pas triumfit të Mekës nuk ka më hixhret” (Buhari, Xhihad, 1; Muslim, Imare, 85). Por në kuptim të përgjithshëm, hixhreti vazhdon dhe do të vazhdojë gjer në kiamet. Çdo njeri që ka besuar, i cili lë vendin e vet, nënën, babanë, të dashurit e miqtë dhe shkon vend më vend me synimin për t’u treguar të drejtën dhe të vërtetën zemrave nevojtare, ndodhet në kuadrin e dobishëm të një hixhreti, emigracioni të pambarim dhe pa asnjë diskutim që do ta marrë sevapin dhe të mirën e kësaj pune.

Hixhreti nuk është vetëm material, por edhe shpirtëror. I dërguari i Allahut na sqaron që, emigranti më i madh është ai që largohet prej mëkateve dhe që i fshin prej zemre të gjitha dashuritë përveç dashurisë për Allahun (Buhari, Iman,4; Ibn Maxhe, Fiten, 2). Për këtë qëllim, edhe ne duhet të bëjmë hixhret me veprat tona, nga ajo me gabime dhe gjynahe, drejt ideales, drejt botës së pastër morale, duke lënë pas vitet që na shkuan si gjurmë mësimdhënëse.

Përkujtimi i hixhretit në fillimin e çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Allahut, në rrugën e thirrjes në Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu. Besimtarët e ndershëm duhet ta jetojnë hixhretin duke ruajtur me kujdesin më të madh mesazhin e tij, duke bërë hixhret të vazhdueshëm nga e keqja në të mirë, nga e shtrembra tek e vërteta, nga ngushtësia në zemërgjerësi, nga tradhtia në besnikëri, nga dyftyrësia në sinqeritet dhe çiltërsi shpirtërore.

Dorian Demetja