Kurbani, thelbi sublim i bindjes dhe përkushtimit

Kurbani është një shprehje përkushtimi, sakrifice, sinqeriteti dhe nënshtrimi ndaj vullnetit hyjnor. Ky nënshtrim e përkushtim simbolizohet në mënyrë kulmore me Ibrahimin dhe Ismailin, dy profetët e Zotit.

Ngjarja e treguar në Kur’anin Fisnik (Safat, 100‑107) paraqitet si një horizont në emër të bindjes dhe nënshtrimit ndaj urdhrave të Allahut për besimtarët. Ç’përkushtim, besim e bindje e jashtëzakonshme vërehet te Ibrahimi?! Për vite të tëra zemra i ishte djegur nga dëshira për të pasur një fëmijë. Allahu i dhuroi një djalë kur ishte në moshë të thyer. Më pas, kur djali e kaloi moshën e fëmijërisë dhe mbërriti në moshën që mund të rendte pas të atit, të shoqërohej e të punonte me të, Ibrahimi pa në ëndërr se i duhej ta flijonte atë. Ai e kuptoi se kjo ëndërr ishte një shenjë prej Zotit të tij, që i urdhëronte të bënte të birin kurban. E pra, ajo që ai shihte në ëndërr ishte veç një shenjë e jo një zbulesë e qartë. E megjithatë, kjo ishte e mjaftueshme që Ibrahimi të përulej përpara urdhrit të Allahut dhe t’i shprehte Atij bindje të plotë. Ndërkohë, ajo që po i kërkohej nuk ishte që ta dërgonte të birin në luftë apo t’i urdhëronte diçka që mund t’i kushtonte jetën, por po i kërkohej ta flijonte atë me duart e veta. Ibrahimi, i cili ishte në një dorëzim e nënshtrim të plotë, me paqe e qetësi të brendshme, pa se edhe i biri, Ismaili gëzonte të njëjtin përkushtim e nënshtrim. Atë e bir, në kulmin e përkushtimit ndaj Allahut, pranuan për ta çuar në vend atë që u kërkohej. Kur Ibrahimi e përgatiti të birin duke e shtrirë për ta flijuar, Allahu i Lartësuar i bëri të ditur se e kaloi sprovën dhe i dërgoi një dash kurbani për ta flijuar në vend të tij. Kështu, kujtimi i kësaj ngjarjeje të madhe që lartohet si pishtar i bukurisë së bindjes dhe i madhështisë së përkushtimit, vijohet sot e kësaj dite me traditën e therjes së kurbanit. Profeti ynë, duke tërhequr vëmendjen për këtë çështje, ka urdhëruar e ka thënë: “Therni kurban, sepse therja e kurbanit është shembulli i atit tuaj, Ibrahimit” (Ibnu Maxhe, Edahi, 3)

Kurbani zhvillon shpirtin e bindjes e të përkushtimit ndaj Allahut. Në këtë mënyrë, njeriu mbart në vetvete sjelljen e nënshtrimit ndaj Zotit, përpiqet të vërë në vend detyrën e mirënjohjes, i afrohet Allahut dhe kështu kurbani kthehet në një shkak për këtë afri hyjnore.

Veç kësaj, kurbani ka vlera të veçanta edhe në jetën shoqërore. Kurbani nxit dhe zhvillon shpirtin e vëllazërimit, të ndihmës, të sakrificës e të mbështetjes tek njëri-tjetri. Ai ndihmon në zhvillimin e drejtësisë, siguron një ndihmesë domethënëse në kapërcimin e hendeqeve mes shtresave shoqërore dhe në njohjen, afrimin dhe shkrirjen e ngurtësive mes individëve të niveleve të ndryshme.

Në jetën e njerëzve të varfër, që nuk janë në gjendje të mirë materiale, kuptohet qartë mirësia e bereqeti i këtij ibadeti. Kurbani e mëson të pasurin që të dhurojë nga malli i tij për të fituar kënaqësinë e Allahut. Ai nxit ndihmën e ndërsjellë dhe bën të ndihet në shpirt kënaqësia e dhurimit dhe e ndihmës.

Kurbani bëhet shkak që edhe i varfri të falënderojë Allahun. Njeriu i varfër, në saje të kurbanit, çlirohet prej pesimizmit dhe armiqësisë që mund të ndiejë për arsye të shpërndarjes së të mirave materiale në këtë botë dhe kupton se shoqëria në të cilën jeton tregon vëmendje ndaj tij.

Krahas gjithë atyre sa u thanë, për kafshën e therur për hir të Allahut janë premtuar shumë e shumë shpërblime.

 Ebu Saidi rrëfen se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Ngrihu o Fatime e shih therjen e kurbanit, se për çdo pikë që pikon nga gjaku i tij shpërblehemi me faljen e mëkateve që kemi bërë më parë. Ajo e pyeti: –O i dërguari i Allahut! Është kjo vetëm për Ehli Bejtin, apo për të gjithë myslimanët? Ai tha: Për ne dhe për të gjithë myslimanët”.

Myslimani që e ther kurbanin me zemër të pastër dhe sinqeritet, Ditën e Gjykimit do të shpërblehet mirë tek Zoti. Pejgamberi ynë për këtë çështje shprehet: “Ditën e kurbanit nuk ka asnjë vepër të birit të Ademit më të dashur tek Allahu se sa therja e kafshës. Ai kurban vjen ditën e gjykimit me brirët, lëkurën dhe thundrat e tij. Gjaku i kurbanit tek Allahu ka një vlerë të madhe. Kurbani pranohet para se gjaku të bjerë në tokë. Paraqitni kurbanet tuaja tek Allahu me një zemër të pastër dhe të sinqertë.” (Tirmidhi, Edahi 1)

Kurbani mbart edhe plot vlera që ne ende nuk i njohim. Adhurimet, më shumë sesa për çdo vlerë e dobi jetësore që mund të kenë, duhen kryer vetëm për hir të Allahut. Në këtë kuptim, krahas çdo dobie individuale e shoqërore, kurbani është një adhurim që kryhet për të arritur kënaqësinë e Allahut. Në Kur’an lexojmë: “Këtë mos e harroni, se as mishi i tyre (i kurbaneve), as gjaku i tyre assesi nuk mbërrijnë tek Allahu. Ajo çka mbërrin tek Ai është vetëm përkushtimi që ushqeni në zemrat tuaja, është respekti për Allahun…” (Haxh, 22/37)

Tauland Bica