Dita e Ashures si vlerë shpirtërore dhe atmosferë vëllazërore

Në kushtet e zakonshme, mes kohëve e momenteve të ndryshme nuk ekziston ndonjë dallim apo përparësi. Ndërkaq, disa kohë marrin vlerë pasi janë bërë skenë e ngjarjeve me rëndësi. Pavarësisht se këto kohë mbështeten në shkaqe të ndryshme, sërish përbëjnë raste me vlerë që kanë një funksion të përbashkët në rifreskimin e rigjallërimin moral dhe shpirtëror të individit. Nuk duhet çuar nëpër mend se një ngjarje e caktuar i përket vetëm ditës kur ka ndodhur për herë të parë, ndërsa, më pas, ditës në fjalë nuk i mbetet asgjë për t’u përmendur. Edhe pse ngjarja nuk përsëritet, vlerat dhe bukuritë që ajo mbart rishfaqen dhe marrin një tjetër dimension në atë ditë të caktuar kalendarike.

Fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharrem në kalendarin hënor. Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abas’it kur profeti Muhamed (a.s.) erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun. Ata iu përgjigjën: “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt po agjërojmë”. I dërguari i Allahut (a.s.) u shpreh: “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (a.s.)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures (Muslim, Sijam,128).

Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, profeti Muhamed (s.a.s.) solli një liri për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush të dojë, jo” (Buhari, Saum, 57; Muslim, Sijam 117). Agjërimi në ditën e ashures është sunnet. Veçse profeti ynë i nderuar, për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme. I dërguari i Allahut (a.s.) në një thënie të tij thotë: “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures” (Buhari, Saum 69), ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë: “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të Ashures” (Muslim; Ebu Daud). Ndërsa Kutade transmeton se sahabët e kanë pyetur Profetin (a.s.) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë: “Agjërimi i ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar” (Muslim, Sijam, 196).

Xhabiri transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin” (Bejhakiu). Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e Ashures në tre mënyra:

  1. Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem.
  2. Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji.
  3. Agjërimi vetëm në ditën e 10 të muajit Muharrem.

Dita e Ashures është e rëndësishme për nga vlera shpirtërore që simbolizon dhe atmosfera vëllazërore që sjell. Ajo përkon me një sërë ngjarjesh të shënuara në historinë e njerëzimit. Në lidhje me këtë, imam Gazali thotë: “Për epërsitë e kësaj dite na kanë ardhur shumë informacione. Sipas tyre, në këtë ditë është pranuar pendesa e profetit Adem, është ndaluar në malin Xhud anija e profetit Nuh, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur profeti Ibrahim, është shëruar nga sëmundja e gjatë profeti Ejub, ka shpëtuar nga barku i peshkut profeti Junus, është ngjitur në qiell profeti Isa. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni r.a.” (Imam Gazali, Mukashefetu’l-Kulub).

Dita e Ashures është vërtet një rast i volitshëm për besimtarët myslimanë, që t’u falen gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit. Ajo është një mundësi e vyer për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur e për ta përmendur Zotin, të lutet për mëshirë dhe paqe për Profetin, të mendojë rreth të metave e gabimeve të veta, si dhe të pendohet për mëkatet që i kanë trazuar qetësinë shpirtërore.

Duke marrë si shkak ditën e ashures, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin, le të bëhemi pengesë për unin tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame: “Të gjithë myslimanët janë vëllezër”.

Dorian Demetja