“Allahu ua ka bërë farz robve pesë kohë namaz. Atij që i fal këto namaze plotësisht pa i nënvleftësuar, Allahu i ka dhënë fjalën se do ta çojë në xhenet. Kurse për atë që i nënvleftëson ato dhe i fal me mungesa, nuk ka ndonjë premtim të tillë. Po të dojë Allahu e ndëshkon atë, po të dojë, e fal”.[1]
Namazi, duke qenë se shërben si kujtim i vazhdueshëm i Allahut dhe, duke qenë se përmbledh të gjitha llojet e falenderimeve së bashku me elementet përbërësë të tij, ka qenë prezent edhe te profetët para Hz. Muhamedit (a.s.). Këtë e bën të ditur edhe Kur’ani.[2] Ashtu si shprehet edhe Profeti (a.s.) në hadithin e sipërcituar, namazi me të vërtetë është çelës për në xhenet. Sepse namazi është madhërim, lavdërim dhe falenderim, këndim Kur’ani dhe lutje. Shkurt, tërësia e të gjitha akteve të çmuara e të virtytshme, është në namazin e falur në kohë. Fakti që urdhërin për namaz Allahu nuk e dërgoi mbi tokë me anë të një engjëlli, por ia njoftoi Profetit (a.s.) vetë natën e miraxhit kur ai doli para Tij[3], tregon rëndësinë dhe kuptimin e këtij adhurimi për jetën fetare dhe shpirtërore të myslimanit. Sepse nuk ka asnjë adhurim që t’i përngjasë namazit. Personi që fal namaz, nuk merret me asgjë tjetër veçse me namazin e vet. Namazi ia pret atij të gjitha lidhjet. E bën të jetojë një afrim të papërshkrueshëm kokë më kokë me Zotin. Kurse me adhurimet e tjera nuk ndodh kështu. Për shembull, njeriu i agjëruar mund të jetë në treg edhe shitës, edhe blerës. Po kështu edhe ai që bën haxh. Kurse ai që falet, nuk mund të bëjë asnjë veprim tjetër veç namazit.
Allahu (xh.sh.) urdhëron e thotë në Kur’an: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo e keqe”.[4] Pra, nëse namazi falet i plotë, pa nënvleftësime, në përshtatje me kuptimin e vërtetë dhe frymën e tij, ai do ta pengojë njeriun nga çdo lloj e keqe, paturpësi dhe teprim. Kurse në adhurimin e kryer në mënyrë të pavetëdijshme, nuk mund të bëhet fjalë për një fuqi të tillë parandaluese. “Mjerë për ata që kur falin namaz, janë indiferentë ndaj namazit të tyre”[5], thotë Zoti në Kur’an. Domethënë se në namaz, është një fuqi që e mbron njeriun nga të këqijat dhe se, kur namazi nuk falet si duhet, njeriu e ekspozon veten ndaj mëkateve.
Profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: “Pesë namazet dhe xhumaja nga xhumaja janë shlyerje mëkatesh ndërmjet tyre, nëse nuk bën mëkate të mëdha”.[6] Ose në një thënie tjetër: “Po qe se një mysliman, kur të vijë koha e namazit, merr abdest mirë e bukur dhe e fal namazin plotësisht dhe me tërë shpirtin, ky namaz, nëse ai nuk bën ndonjë gjynah të madh, i shlyen të gjitha gjynahet para tij. Kjo është kështu gjithmonë.”[7] Pra siç shikohet, rruga për të qenë në ditën e kiametit, me ballin e larë, me vështrimin e ndriçuar, me shenjat e abdestit dhe sexhdes nëpër gjymtyrë, me duart dhe fytyrën krej të pastër, kalon nëpër namaz dhe veprimet e paranamazit. Duhet pohuar edhe kjo që, secili prej namazeve farz të pesë kohëve, përbajnë rëndësi dhe vlera të veçanta. Edhe shpërndarja e tyre në kohë të caktuara të ditës e natës, përmban një mijë e një urtësi e dobi si për trupin, ashtu edhe për shpirtin. Prandaj nuk duhet treguar indiferentizëm për kryerjen e secilit namaz, por u duhet kushtuar kujdes dhe interesim i plotë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata të cilët ndaj faljes së namazit janë të kujdesshëm, do të jenë të nderuar në kopshtet e xhenetit”.[8] Në këtë ajet Kur’anor ka një përgëzim të madh për besimtarët, pasi Allahu i Lartësuar përfshin në faljen e Tij ata, të cilët janë të kujdesshëm ndaj namazit dhe të cilët tregojnë përkushtim në faljen e tij. Fjala ‘kujdes’ ndaj namazit ka për qëllim pikat e mëposhtme:
1- Kryerja e namazit në formën e plotë duke plotësuar kushtet dhe shtyllat e tij. Zbatimi me përpikmëri i rregullave të tij duke pasur parasysh plotësimin e pastërtisë dhe të abdesit.
2- Kryerja e namazeve në kohën e duhur pa u vonuar, neglizhuar apo pa përtuar.
3- Përkushtimi, meditimi dhe prezenca e zemrës.
Më e rëndësishmja e të gjitha këtyre është shërimi i zemrës, pastrimi i saj nga gjynahet dhe kontrolli ndaj pasioneve. Për atë zemrër, që është e zënë me dashurinë e dynjasë dhe interesimin pas punëve të saj, nuk mund të pretendohet që të ketë përkushtimin e kërkuar. Nëse ka diçka tonën që ka vlerë para Allahut, ajo është zemra. Ju do t’ia jepni zemrën Allahut dhe si shpërblim, do të merrni mëshirën dhe pëlqimin e Tij.
Për ta kuptuar më mirë rëndësinë e pesë kohëve të namazit, po e mbyllim me këtë hadith të Profetit tonë (a.s.): “Puna e parë, për të cilin do t’i kërkohet llogari njeriut ditën e kiametit, është namazi. Po qe se namazi i tij është i mirë e i rregullt, ai ka shpëtuar dhe ka arritur sukses. Po qe se namazi i tij është i pavlerë, personi ka humbur dhe ka pësuar disfatë…”[9].
Dorian Demetja
[1] Ibn Maxhe.
[2] Bekare, 83; Junus, 87; Hud, 87; Ibrahim, 37, 40; Merjem, 30-31, 54-55; Taha, 14.
[3] Buhari; Muslim.
[4] Ankebut, 45.
[5] Maun, 4-5.
[6] Muslim.
[7] Muslim.
[8] Mearixh, 34-35.
[9] Tirmidhi