“Në një zemër nuk mund të gjenden së bashku edhe besimi (iman), edhe smira (hased).” [1]
Smira në fjalor, është ndjenjë e lakmisë dhe e keqdashjes, që ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten. Në kuptimin fetar, smira (hased) ka kuptimin e të ushqyerit të dëshirës që një njeri të humbasë diçka të vlefshme që poseidon.
Dijetarët myslimanë e kanë kategorizuar kështu këtë ndjenjë që buron nga zemra e njeriut: Smirë, ambicie dhe konkurencë. Smira është një ndjenjë, që e bën zemrën të digjet nga lakmia dhe urrejtja për t’i parë të mirat e privilegjet e dikujt të shuhen përfundimisht. Ambicia është kur uron dhe përpiqesh që të mirat e privilegjet e ngjashme të dikujt, t’i kesh edhe ti, pa u privuar tjetri nga ato. Kurse konkurenca, është kur i konkuron bamirësit në veprat e mira.
Smira nganjëherë trazohet me ambicie, ndërsa ambicia është një anë e pranueshme te njeriu. Nëse ambicia kthehet në sëmundje dhe trazohet me inat, lind smirën. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), duke tërhequr vëmendjen tek ky dallim mes smirës dhe ambicies, ka thënë: “Besimtari admiron, hipokriti ushqen smirë.”
Kur’ani e paraqet smirën si një sjellje të dëmshme dhe burim të keqeje, prej së cilës duhet të kërkojmë mbrojtjen e Allahut. Abdullah ibnu Abasi tregon se i dërguari i Zotit, u këndonte suren Felek dhe Nas dy nipave të tij, Hasanit dhe Husejnit. Ndërsa në një ajet urdhërohet kështu: “A i kanë smirë ata njerëz për atë që Allahu u ka dhuruar prej mirësive të Veta? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e urtësinë dhe u patëm siguruar pushtet të madh.”[2]
Në hadithin e sipërcituar Profeti (a.s.) e shpreh qartë që smira është e kundërta e besimit dhe kundërshtare e tij. Por mund të ndodhë që edhe një besimtar të ketë zili dhe smirë. Sepse është në natyrën e njeriut që të mos ndihet mirë, kur sheh që të tjerët kanë dhe ai jo. Por e rëndësishme këtu është që këto ndjenja të kalojë tangent në mendim dhe të mos ngulitet në karakterin e në natyrën e njeriut. Imam Gazzali thotë: “Edhe pse është ziliqar, besimtari kurrë nuk do e ndërmerrte hapin për t’a privuar tjetrin nga të mirat dhe privilegjet, nëse e ka në dorë diçka të tillë. Sepse besimtarin e kontrollon dhe e orienton besimi në Zot, si dhe vlerat në të cilat beson.”
Smira në vetvete, është një sëmundje dhe një vepër e ulët, sidomos kur kalon cakun e mendimit dhe veprohet sipas saj. Smira është sjellja e atyre shpirtrave të mjerë e zemërngushtë që në vend që të kërkojnë prej thesarit të Allahut, i gëzohen humbjes së asaj që ka një tjetër në zotërim. Pas të gjitha të këqijave në shoqërinë njerëzore si lufta, dhuna, shpifja, kaosi, vrasja, shthurja etj., thuajse në çdo rast qëndron e fshehur smira. Edhe ndër arsyet kryesore të kundërshtimit e të mohimit ndaj Profetëve sipas Kuranit Fisnik, qëndron smira. “Shumë nga ithtarët e librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata.”[3]
Bediuzzaman Said Nursi, në lidhje me smirën shprehet kështu: “Vëllezërit e mi! Në punën tonë, drejtimi më i rrezikshëm i egoizmit është smira. Nëse puna nuk është veç për hir të Allahut, zilia ndërhyn dhe e prish. Sikurse te njeriu ku dora nuk e ka smirë dorën tjetër, syri nuk e ka smirë veshin, sikurse zemra nuk garon me mendjen, edhe në qenien shpirtërore të bashkimit tonë, secili prej jush është në pozitën e një ndjenje, të një gjymtyre. Detyra juaj morale e shpirtërore nuk është që të keni zili njëri-tjetrin, por që të krenoheni me vlerat e njëri-tjetrit, që t’u gëzoheni atyre.”
Në jetën e amshuar, Allahu, duke u dhuruar banorëve të Parajsës mirësi që syri s’i ka parë, që veshi s’i ka dëgjuar e që biri i njeriut nuk i ka imagjinuar as në ëndërr, do t’u bëjë një dhuratë edhe më të madhe, siç është ç’rrënjosja dhe zhdukja prej tyre e ndjenjës së lakmisë dhe smirës. Kur’ani e shpreh kështu këtë të vërtetë: “(Në Parajsë) Ne nga zemrat e tyre ua kemi shkulur smirën.”[4] Mbështetur në rregullin “shpërblimi është sipas llojit të punës”, sikurse në jetën e kësaj bote, edhe në jetën e përjetshme njeriu do të shpërblehet sipas vështirësive e brengave që ka hequr, duke iu dhuruar kësaj radhe një jetë pa vështirësi e brenga. Sikurse uria dhe etja në këtë botë kanë si përfundim një jetë pa uri dhe etje në jetën e amshuar, po ashtu, njeriu që ka kapërcyer vetveten duke luftuar kundër ndjenjave e pasioneve që janë quajtur “sëmundje të zemrës”, do të shpërblehet duke u çliruar përgjithmonë prej tyre në jetën e amshuar.
Smirëtari, nuk gjen qetësi dhe nuk e shijon jetën, derisa t’i shohë të mirat e personit që urren, të shuara. Është për të ardhur keq që lakmia dhe smira të përhapen kaq shumë mes njerëzve të afërm, mes myslimanëve, mes kolegëve të punës, mes komshinjve etj. Kjo është kaq e rrezikshme, sa edhe veprat e mira i përpin si zjarri. Në lidhje me të Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ju bëj thirrje të shmangeni prej smirës, sepse smira i shfaros veprat e mira të njeriut siç e shfaros zjarri drurin.”[5]
Nëse zemra nuk ushqehet me bindje dhe dashuri për Allahun, atëherë tek ajo do të mbizotërojë smira, inati, zemërimi, urrejtja, lakmia, egoizmi e të tjera si këto. Këtë nënkupton edhe profeti ynë kur thotë:“Në trup gjendet një copë mishi. Nëse ajo është mirë, i gjithë trupi është mirë, nëse ajo është e prishur, i gjithë trupi është i prishur. Kjo copë mishi është zemra.”[6]
Dorian Demetja
[1] Nesai (sahih)
[2] Nisa, 54
[3] Bekare, 109.
[4] Araf, 43
[5] Ebu Daud, Ibn Maxhe.
[6] Buhari, Muslim