Përfolja dhe pasojat e saj

Hz. Muhamedi (a.s.) i thotë sahabëve: “A e dini ç’është përfolja”? Sahabët i thanë: Allahu dhe i dërguari i tij e dinë më mirë. Profeti i tha: “Përfolja është përmendja e vëllait tënd mysliman në një mënyrë të cilit nuk i pëlqen”. U drejtua një pyetje. Po nëse ajo veçori që them gjendet në vëllaun tim ç’urdhëroni? Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Në qoftë se ajo gjë që ke thënë ndodhet tek ai, atë patjetër e ke përfolur. Nëse ajo gjë që ke thënë nuk ndodhet tek ai, atëherë ke shpifur”.[1]

Secila fe vjen me qëllimin që të mundë të keqen e t’i japë pushtet të mirës. Për këtë arsye, çdo fe synon së pari të përmirësojë moralisht besimtarët e vet dhe më pas të rregullojë shoqëritë e t’i lartësojë ato moralisht. Të gjitha urdhrat dhe këshillat e Islamit në këtë drejtim kanë për qëllim të shpëtojnë njeriun nga veset e këqija. Profeti Muhamed (a.s.) në fjalën e tij të lartpërmendur e ka përkufizuar më së miri përfoljen (përgojimin) si një ves shumë të shëmtuar që dëmton shoqërinë dhe vëllazërinë Islame në veçanti. Themeli i armiqësisë, i hidhërimit, i mosshkuarjes mirë me njëri tjetrin, është përfolja. Ajo që i përçan myslimanët, që i largon nga ndjenja vëllazërore është përfolja dhe burimi kryesor i saj është smira.

Përfolja siç bëhet me gjuhë, ashtu bëhet edhe me zemër, me mimika të fytyrës, me shenjat e syve apo vetullave, me shkrim dhe me veprime. Në çdo lloj mënyre qoftë, një mysliman të përfolë vëllaun e tij mysliman është haram. Allahu (xh.sh.) në Kur’an e ka ndaluar këtë ves me një shprehje jashtëzakonisht të rëndë: “Mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit dhe mos përgjoni njëri-tjetrin. A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vdekur të vëllaut të tij? Atë gjë pra urrejeni! Kijeni frikë ndëshkimin e Allahut, Allahu është mëshirues, Ai e pranon së tepërmi pendimin”.[2] Ky ajet përmend shkatërrimin që sjell përgojimi në shpirtin e njeriut dhe në trupin e shoqërisë. Ai tregon se përgojimi është lëndim i nderit dhe i personalitetit të njeriut, që është si mishi dhe gjaku i tij.

A janë të hidhëruar komshiu me komshiun, shoku me shokun? Atje patjetër ka hyrë përfolja. A e shohin njerëzit njëri-tjetrin me ndjenjë urrejtjeje? Atje ka përfolje. Profeti (a.s.) e tregon hapur përfoljen si një dëfrim i njerëzve me shpirt të dobët në këtë hadith: “O ju që keni besuar me gjuhë, ju njerëz që nuk ju ka zbritur besimi në zemrat e juaja. Mos i përfolni myslimanët, mos bëni kërkime në çështjet e tyre të fshehta. Sepse kush kërkon të metat e fshehta të vëllaut të tij mysliman, edhe Allahu do t’ia nxjerr hapur të metat e tij dhe e poshtëron atë brenda në shtëpi”.[3]

Të flasësh mbrapa krahëve duke e marrë nëpër gojë tjetrin është diçka shumë e ligë në plan të mendjes e të zemrës, të njerëzores e të shpirtërores, të natyrshmërisë e të përkatësisë. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur u ngrita në miraxh kalova pranë një populli. Ata po e çirrnin fytyrën dhe gjokset e tyre me thonj prej bakri. Në ndodhi e sipër pyeta: O Xhibril, kush janë këta?! Ai u përgjigj: “Këta janë ata të cilët hanin mishërat e njerëzve dhe merrnin nëpër gojë nderin e tyre”.[4] Kishte prej sahabëve dhe myslimanëve të mëparshëm që ndalimin e gjuhës nga përgojimi e shikonin si një adhurim më të lartë se falja dhe agjërimi, për vet fundin e tij të hidhur. Të frikësuar nga ndëshkimi i Allahut, kishte prej tyre që pothuajse çdo ditë agjëronin dhe i luteshin Zotit për të mos rënë viktimë e fjalëve të këqija. Gjithmonë largoheshin nga tubimet e grumbullimet e njerëzve ku objekti i bisedave ishin thashethemet.

Përgojimi është një armë e ulët që shfytëzohet më së shumti prej atyre që kërkojnë e ushqejnë armiqësi, smirë e urrejtje. Njerëzit shpirtmëdhenj e me vlera nuk bien kurrë aq poshtë sa të kapen pas kësaj arme të fëlliqur e ta vënë në shfrytëzim. Një mysliman siç nuk duhet vetë të përgojojë, ashtu dhe nuk duhet të ulet me njerëz që përgojojnë; ose nëse është i ulur, të bëhet pengesë për këtë gjë. Profeti (a.s.) në një hadith thotë:“Një njeri nëse e mbron nderin e vëllaut nga përgojimi, ditën e kiametit Allahu i Lartësuar e largon atë nga zjarri i xhehenemit”.[5]

Dijetarët janë të mendimit se përgojimi në disa çështje të veçanta mund të jetë i lejuar sipas kritereve si më poshtë:

  • Nëse njeriu që përgojohet është një mëkatar i hapur. Pra dikush që nuk i vjen aspak turp e nuk i skuqet faqja nga ligësia e vet, madje ndihet krenar prej së keqes. Kur ky person kryen dhunë e mizori hapur pa kurrfarë ndrojtjeje. Profeti (a.s.) thotë: “Nuk ka përfolje për mëkatarin”.[6]
  • Nëse qëllimi nuk është që të poshtërohet e të turpërohet dikush, por në domosdoshmëri për ta dalluar mund përshkruhet si p.sh. i verbër, i çalë etj.
  • Nëse dikush dëshiron të kryejë një punë të përbashkët me dikë dhe për këtë vjen e këshillohet me ty. Në këto rrethana, pa qëllim të keq, në mënyrë që ti japësh hakun e vet këshillimit, mund të thuash: Mos bëj punë me të sepse do të dëmtohesh.
  • Nëse dikush paraqet përshkrimin e një ankese tek autoriteti i duhur, me qëllimin që të përfitojë ndihmë për të shpëtuar nga e keqja e një njeriu të lig duke marrë prej tij të drejtën që i takon.

Pikërisht për këto çështje dhe larg egoizmit, pa ndonjë qëllim tjetër përveç të drejtës dhe çështjeve të punës, diskutimi rreth një personi mund të jetë i lejuar. Përndryshe, siç e konsumon zjarri drurin, ashtu edhe përgojimi i konsumon e i zhduk të gjitha veprat e mira. Nëse dikush ka përgojuar vepron kështu: a) Duhet të lutet në këtë mënyrë: “O Allah im, më fal mua dhe njeriun që unë kam përgojuar”. Pastaj, b) Në rastin më të parë duhet t’i thotë atij: “Ma bëj hallall”.

Dorian Demetja

[1] Muslim, Ebu Daud, Tirmidhi

[2] Huxhurat, 12

[3] Ebu Daud, Tirmidhi

[4] Ebu Daud

[5] Tirmidhi

[6] Taberani