ME SAHABET

Duke trajtuar jetëshkrimin dhe historinë e shokëve të profetit Muhamed a.s, ne nuk është se thjesht po tregojmë disa ngjarje dhe tregime sa për të kaluar kohën. Në fakt, ne po flasim për jetëshkrimin e tyre për faktin se umeti ynë është larguar nga vlerat dhe civilizimi islam dhe duke sjellë jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s, ne synojmë që këtë umet ta afrojmë me vlerat e veta. Që ta bëjmë këtë, na lipset që tu tregojmë njerëzve mbi vlerat dhe thesaret e kësaj feje. Herë pas here, ne kemi nevojë të shohim pas, atje, në historinë tonë të parë, me qëllim që të përmirësojmë të tashmen.

Ne e sjellim jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s, pasi në këtë botë me dallgë e shtrëngata, na lipsen modele dhe shembuj nga jeta e njerëzve më të mirë pas Profetit a.s.

Ebu Ejub El-ensarij, një nga shokët e Profetit a.s, një ditë merr devenë dhe largohet nga qyteti i Medines për në Egjipt. Qëllimi ishte që të takohej me Ukbe ibnu Amir për ta pyetur mbi një thënie të profetit Muhamed a.s dhe të sigurohej nëse ishte i vërtetë apo jo. I gjithë ky udhëtim bëhej vetëm për një thënie profetike, edhe pse në atë kohë Ebu Ejub El-ensarij ishte gjashtëdhjetë vjeç. Me të mbërritur në Egjipt, gjen shtëpinë e Ukbe ibnu Amir, troket në derë, përshëndeten dhe e pyet mbi hadithin që kishte dëgjuar nëse ishte i vërtetë. Ukbe ibnu Amir i pohon se ai vetë e kishte dëgjuar nga Profeti a.s. Me tu siguruar, merr rrugën e kthimit për në Medine.

Po çlidhje ka kjo me jetëshkrimin e Halid ibnul Velid?

Teksa po përgatitesha dhe po kërkoja referenca për jetëshkrimin e Halid ibnul Velid, gjeta dhe një libër të një autori pakistanez, të përkthyer në arabisht. Autori i librit ishte gjeneral në ushtrinë pakistaneze dhe njëkohësisht jepte mësim në shkollat ushtarake në vend. Teksa lexoja hyrjen e librit, mu kujtua ngjarja e mësipërme e Ebu Ejub El-ensarij. Në hyrje të librit ai thoshte:

“Unë nuk kam qenë fetar dhe çështja e fesë ka qenë gjithmonë diçka e dorës së dytë në jetën time. Në kurrikulat e shkollave ushtarake në Pakistan, janë futur dhe figura dhe personalitete ushtarake me ndikim në historinë njerëzore dhe mes tyre, gjeta dhe Halid ibnul Velid. Kur fillova të lexoj mbi këtë figurë, të them të drejtën fillova të lidhem shumë pas tij dhe me kalimin e kohës fillova të identifikohem me të. Asokohe vendosa që këto informacione që unë mësova rreth tij, duhej t’i publikoja me qëllim që ta njohin dhe njerëzit e tjerë nga e mbarë bota. Që atë ditë fillova të ndryshoj dhe stilin e jetës sime. Fillova të mbledh referenca mbi Halid ibnul Velid, por e gjithë literatura më dilte në arabisht. Sakaq unë nuk dija të flas as dhe një fjalë arabisht, prandaj dhe vendosa ta mësoj këtë gjuhë. Për tre vite iu përkushtova arabishtes dhe e mësova atë. Mandej, vajta në bibliotekën e Londrës dhe kërkova mbi të gjithë dorëshkrimet dhe hartat e mundshme që flisnin rreth gjenialitetit të Halid ibnul Velid. Hapi tjetër ishte se mora pushimet në punë dhe vajta tek të gjithë vendet ku Halid ibnul Velid ka zhvilluar betejat. Kjo gjë më mori dy vite kohë, vite në të cilat kam shëtitur në Liban, Siri, Jordani, Arabi Saudite, Kuvajt, Irak. Fillimisht vajta në Liban, atje ku ishte zhvilluar beteja mes myslimanëve dhe bizantëve, betejë e fituar nga myslimanët. Pastaj vajta në Siri dhe vizitova varrin e Salahudin Ejubit, vizitë e cila më preku shumë. Pastaj shkova në Jordani, në Kuvajt ku Halid ibnul Velid ishte përballur për herë të parë me persët, mandej në Irak etj… Lëvizjet e mia ishin pak a shumë të njëjta me lëvizjet e Halid ibnul Velid dhe ushtrisë myslimane. Matjet që bëra më çuan në faktin se Halid ibnul Velid kishte përshkuar mbi dhjetë mijë milje,  bashkë me ushtrinë e tij. Të them të drejtën u lodha shumë nga këto udhëtime, pasi shumë prej tyre ishin në shkretëtira të braktisura. Me tu kthyer në Pakistan, fillova të shkruaj këtë libër mbi “Halid ibnul Velid.”

Atë mund dhe udhëtim që kishte bërë Ebu Ejub El-ensarij për tu siguruar mbi vërtetësinë e një hadithi të vetëm të Profetit a.s, e kishte bërë dhe ky gjeneral pakistanez për të shkruar një libër mbi Halid ibnul Velid. Edhe në kohën tonë paska njerëz të cilëve u djeg zemra që dritën e islamit t’ua përcjellin dhe njerëzve të tjerë të cilët nuk dinë gjë për të.

Referencat e përdorura:

Esedul gabe fi marifeti sahabe, Ibnu Ethir.

El-isabe fi temjizi sahabe, Ibnu Haxher Askalani.

Sijer alam nubela, Shemsudin Dhehebij.

Suver min hajati sahabe, Refet Basha

Suver min hajati sahabijat, Refet Basha.

Hajatu Sahabe

Meusuatul Fida fil islam, Ahmed Sherbasij

As’habu Resul, Mahmud Umerij.

Rixhal mine tarih, Ali Tantavi.

Rehik mahtum, Safiu Rrahman Mubarekfuri.

Fik’hu sire, Seit Ramadan Butij.

Sire nebebije, Ibnu Hisham.

Kasetat e Tarik Suvejdan.

 

HALID IBNUL VELID

Sporti i mundjes, në Mekën e asaj kohe dhe në mbarë Gadishullin Arabik, ishte një nga sportet më të njohura. Momentalisht shkëputemi nga këtu ku jemi dhe shkojmë në Mekën e asokohe, ku dy djem të rinj janë duke bërë mundje. Ata janë të njohur për këtë sport dhe kur bëjnë mundje këta të dy, askush nuk guxon tu afrohet. Këta dy të rinj të cilët janë mundësit më të mirë të Gadishullit Arabik, disa vite më vonë do të hyjnë në histori. Këta dy të rinj ishin Halid ibnul Velid dhe Omer ibnul Hatab. Që kur kishin qenë të vegjël, ata bënin mundje me njëri-tjetrin. Historia tregon se një herë, më i vogli që ishte Halid ibnul Velid, e mundi më të madhin, pra Omerin. Jo vetëm kaq, por Omerit i thyet dhe këmba. Pas kësaj, Halid ibnul Velid e ndihmon Omer ibnul Hatab që ta lidhë këmbën dhe e shoqëron për në shtëpi. Vite më vonë, po këta të dy udhëheqin betejat më vendimtare në historinë e Islamit.

Halid ibnul Velid ibnul Mugire el Mahzumij. Kurejshët përbëheshin nga shumë barqe dhe secili prej tyre kishte një rol specifik në menaxhimin e jetës në Mekë dhe vendet e shenjta. Një nga këto barqe ishte dhe Benu Mahzum.

Benu Hashim merreshin me sigurimin e ujit gjatë sezonit të haxhit.

Benu Umeje mbanin flamurin në rast luftrash.

Neufel, kujdeseshin për sigurimin e ushqimit gjatë sezonit të haxhit.

Abdu Nexhar, kujdeseshin për mbarëvajtjen e punëve brenda në Qabe.

Esed, merreshin me konsulencat.

Tejim merreshin me pagimin e dëmshpërblimeve.

Benu Mahzum, fisi i Halid ibnul Velid, merreshin me përgatitjen dhe udhëheqjen e ushtrisë.

Benu Adij, merreshin me delegacionet.

Xhem, merreshin me fallin.

Sehm merreshin me menaxhimin e pasurive.

Nga dhjetë barqet e kurejshëve, tre ishin elitarë: Benu Hashim të cilët përfaqësonin pushtetin shpirtëror, Benu Umeje dhe përfaqësonin pushtetin politik dhe Benu Mahzum të cilët përfaqësonin pushtetin ushtarak.

Benu Mahzum ishin shumë të pasur, saqë kur kurejshët vendosën të rindërtojnë Qaben, shpenzimet e ¼ të ndërtesës u mbuluan nga Benu Mahzum. Me kontribute shumë të mëdha Benu Mahzum merrnin pjesë edhe në projekte të tjera.

Babai i Halid ishte udhëheqësi i mbarë farefisit. Kështu që Halid ibnul Velid të cilin e njohim si strateg ushtarak, rrjedh nga një familje elitare. El velid ibnul Mugire, babai i Halidit, ishte shumë i pasur, saqë mbulesën e Qabes një vit e blinte ai dhe vitin tjetër e blinte pjesa tjetër nga kurejshët.

Ebu Xhehli, një ndër armiqtë më të përbetuar të Profetit a.s dhe myslimanëve, ishte xhaxhai i Halid ibnul Velid dhe ai vdiq si jobesimtar. Po ashtu  vdiq edhe vetë babai i Halidit, i cili përmendet dhe në Kuran.

Po cili ishte shkaku i kësaj armiqësie të madhe ndaj islamit dhe myslimanëve?

Këtë e tregon vetë profeti Muhamed a.s. njerëzit që janë në pushtet dhe kanë pasuri, shpesh herë mendojnë se triumfi i fesë do i privojë nga privilegjet, pushteti dhe pasuria, gjë e cila nuk është e vërtetë. Edhe Halidi ishte po nga kjo familje, por ai e ruajti statusin e tij social edhe pasi u bë mysliman. Një ditë, Profeti a.s përballet me Ebu Xhehlin dhe i flet si gjithmonë për vlerat e islamit. Ebu Xhehli ia kthen me inat:”Kushedi sa herë më ke folur për këtëçështje. Unë e di se ti je një gënjeshtar, sepse po ta dija se thua të vërtetën do të ndiqja!” Profeti a.s uli kokën dhe vazhdoi rrugën. Në atëçast, Ebu Xhehli i tha personit që e shoqëronte:”Pasha Zotin unë e di që ka të drejtë, por ajo që më pengon që ti shkoj pas, është se ne dhe Benu Abdul Menaf kemi qenë gjithmonë rivalë. Kur ata mburreshin se furnizojnë me ujë haxhilerët, ne mburreshim qësigurojmë ushqimin e tyre. Kur u barazuam, ata dolën dhe thonë që prej mesit tonë ka dalë një profet. Po ne, ku ta gjejmë profetin?!”

 

Rinia e Halid ibnul Velid

Që në vegjëlinë e tij, Halid ibnul Velid ushtrohej dhe merrej me sporte. Një ndër këto sporte, ishte ai i zbutjes së hamshorëve dhe kuajve të pashaluar më parë. Sa herë që dikush kishte probleme me shalimin e kalit, ia dërgonte Halidit të ri, i cili kushedi sa herë ishte shembur përtokë. Në moshën 18 vjeçare ai ishte kampion i zbutjes së kuajve.

Mesa duket i ati i tij e ka vënë re pasionin dhe dhuntinë e Halid ibnul Velidit dhe e ka nxitur të investojë në këtë fushë. Diçka e tillëështë një thirrje për të gjithë prindërit që ti ndihmojnë fëmijët ti zhvillojnë dhuntitë dhe talentet e tyre. Shumë prindër ua groposin talentet fëmijëve të tyre. Zoti e ka krijuar secilin prej nesh me një talent dhe dhunti të caktuar dhe është përgjegjësi e jona që ta zbulojmë.  Nëse je prind, zbuloji dhuntitë e fëmijës tënd dhe nxite ti zhvillojë ato. Nëse je i ri, eksploroji pikat e tua të forta dhe talentet me të cilat të ka pajisur Zoti! Mos qëndro duarkryq duke mallkuar vendin ku ke lindur.

Pasi mësoi zbutjen dhe shalimin e kuajve, Halid ibnul Velid mësoi dhe udhëtimin me deve si dhe artet luftarake. Ai u bë mjeshtër në hedhjen e heshtës nga kali dhe nuk bënte vaki që të gabojë shënjestër. Vetëm në betejën e Uhudit, Halidi pati vrarë tre myslimanë me heshtën e tij që e hidhte nga kali në vrap e sipër.

 

Karvani tregtar

Shumë gjëra ndodhin në jetën e njeriut dhe për momentin, ai nuk i kupton dhe nuk e di përse i ndodhin. Vetëm pas disa viteve kuptohet shkaku dhe arsyeja e tyre.

Në moshë të re, babai i tij i kërkon Halidit që të niset bashkë me karvanin e tregtisë për në vendet e Shamit, vende të cilat do i shkelë sërish me ushtrinë myslimane pas dhjetëra vitesh. Thuhet se në këtë rrugëtim Halidi mbeti i mrekulluar nga civilizimi bizant. Kur u bë mysliman, ajo që ia mbushte sytë dhe e mrekullonte ishte vetëm besimi tek Zoti dhe përhapja e këtij besimi në të katër anët e  botës.

 

Beteja e Bedrit

Me migrimin e profetit Muhamed a.s dhe të myslimanëve në Medine, u krijua dhe shteti i parë islam atje. Në vitet e para, mes idhujtarëve mekas dhe myslimanëve zhvillohet beteja e Bedrit. Halidi nuk mori pjeë në këtë betejë, pasi ishte në një udhëtim në Hixhaz. Ishte vëllai i tij, Velidi ai që mori pjesë në këtë betejë dhe që u zu rob pas saj. Robërit e zënë nga myslimanët, nëse donin të fitojnë lirinë, kishin dy alternativa: E para, të paguajnë, sipas mundësisë, nga një mijë deri në katër mijë dërhemë për secilin. Robërit që nuk kishin mundësi të paguajnë, do u mësonin dhjetë myslimanëve shkrim e këndim. Kishte dhe të tjerë të cilët as para nuk kishin dhe as shkrim e këndim nuk dinin, këta u lanë të lirë nga myslimanët pa asnjë detyrim. Myslimanët e vlerësuan shpagimin e vëllait të Halidit me katër mijë dërhemë, pasi ai rridhte nga një familje e pasur.

Kurejshët nga ana e tyre dërguan një delegacion për të diskutuar me myslimanët rreth shpagimeve që ata kërkonin për robërit e luftës. Delegacioni i kurejshëve përbëhej nga Halid ibnul Velid dhe Ikrime ibnu Ebi Xhehl. Pasi bien dakord për shumat që duhej të paguanin, Halidi pagoi katër mijë dërhemë për të vëllain dhe u nisën për në Mekë. Gjatë rrugës ata u ndalën të kalojnë natën e parë dhe u shtrinë për të fjetur. Ndërkohë, vëllai i Halidit, pra Velidi, i braktis dhe kthehet sërish në Medine, ku konvertohet në mysliman para profetit Muhamed a.s.

Po përse priti sa i vëllai të paguajë katër mijë dërhemë për ta çliruar? Përse priti sa të fitojë lirinë? Nëse ai do të ishte konvertuar në mysliman që gjatë robërisë, do e kishin lënë të lirë menjëherë. Ai e bëri këtë që të mos thuhej se u konvertua në mysliman me qëllim që të mos paguajë katër mijë dërhemët.

Një pikë që ia vlen të ndalemi këtu, është trajtimi që ka marrë Velidi gjatë kohës që ishte rob lufte. Vallë si mund ta kenë trajtuar myslimanët që ai edhe pse kishte luftuar me ta, e kishin zënë rob lufte dhe i kërkonin katër mijë dërhemë për të fituar lirinë, atij i kishte hyrë në zemër islami! Thotë Zoti në Kuran:”Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë:“Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” (Insan, 7-8)

Ai kishte dalë ti luftojë dhe tani që kishte rënë rob lufte i tyre, përqafonte fenë e tyre! Sigurisht që ka qenë trajtimi që i kanë bërë myslimanët ai që e bëri të ndryshojë mendim dhe besim.

Nëse doni të fitoni zemrat e njerëzve, i trajtoni me respekt dhe dashuri, u  buzëqeshni dhe mos u flisni me fytyrë të zymtë e plot vrer.

Ky rast do të përbëjë një moment kritik të Halid ibnul Velidit në raportet e tij me islamin.

 

Beteja e Uhudit

Plani i Ebu Sufjanit dhe ushtrisë mekase në betejën e Uhudit, ishte që të mos luftojë ballë për ballë me myslimanët, por ti rrethojë. Për këtë, ai e kishte ndarë ushtrinë në tre pjesë. Ikrime ibnu Ebu Sufjan me shtatëqind luftëtarë do u binte nga pas myslimanëve nga ana e Uhudit. Halidi me treqind luftëtarë do u binte nga ana e kodrës së harkëtarëve, kurse Ikrime me dy mijë luftëtarë do u dilte përballë.

Profeti Muhamed a.s e kuptoi planin e tij dhe vendosi planin e tij, sipas të cilit do e nxirrte jashtë loje planin e idhujtarëve. Ai e vendosi ushtrinë myslimane në plan të gjerë, ku ushtari i parë qëndronte rrëzë malit Uhud. Kështu, Ikrime dhe  luftëtarët e tij nuk mund të kalonin andej. Atij i duhej të sillej rreth e rrotull malit Uhud që tu dalë myslimanëve pas shpine, një distancë shumë e gjatë kjo.

Për të nxjerrë jashtë loje Halidin dhe trupat e tij, Profeti a.s vendosi pesëdhjetë harkëtarë mbi kodrën që mori emrin e tyre dhe u tha:”Edhe nëse shihni që shpendët hanë kokat tona, mos zbrisni nga kodra! Mos lëvizni as nëse shihni se fituam dhe po mbledhim plaçkën e luftës!” Ishin urdhëra të qarta të Profetit a.s.

Që në fillim të betejës, myslimanët korrën fitore dhe ushtria mekase ia dha vrapit nga sytë këmbët. Në këto çaste, shumë mirë Halid ibnul Velid mund t’ia mbathte bashkë me trupat e tij, pasi dukej që e humbën davanë. Por ai nuk lëvizi nga vendi, gjë e cila tregon mbi aftësitë e tij luftarake. Ata pritën aty pa i humbur shpresat. Kur u duk se gjithçka përfundoi, pesëdhjetë harkëtarët mbi kodër e lanë llogoren e tyre dhe zbritën të marrin plaçkë lufte siç bënin të gjithë. Vetëm dhjetë prej tyre refuzuan ta lënë kodrën.

Këtë moment e shfrytëzoi Halid ibnul Velidi, i cili u nis drejt kodrës bashkë me trupat e tij, i vrau dhjetë harkëtarët dhe me zë të lartë thirri:”U lartësofsh o Hubel – perëdia që adhuronin mekasit”.

Pastaj zbriti poshtë në fushën e betejës dhe filloi masakra kundër myslimanëve. Ishte durimi, maturia dhe intuita e tij ajo që e përmbysi rezultatin e betejës së Uhudit.

 

 

Konvertimi në islam i Halid ibnul Velid

Historinë e konvertimit të tij në islam, e rrëfen vetë Halid ibnul Velid. Tregon ai vetë:

“Unë isha kokëfortë dhe e kisha të vështirë të pranoj islamin. Për një kohë të gjatë jam rreshtuar kundër profetit Muhamed a.s. Në betejën e Uhudit luftova kundër myslimanëve dhe vrava tre prej tyre me heshtën time. Edhe në betejën e Hendekut kam bërëçmos që ta kalojmë hendekun dhe të shkojmë e ti shfarosim myslimanët. Por kur Zoti më deshi të mirën dhe më hapi zemrën për të pranuar islamin, fillova të mendoj gjatë. Me vete thosha:”Kudo që jam vendosur përballë Muhamedit a.s, gjithmonë kam dalë duarbosh dhe i humbur.” Një ndjenjë e brendshme më thoshte se Muhamedi do të trimufojë.”

Ky është një nga momentet e rëndësishme në jetën e Halid ibnul Velidit. Këto meditime dhe mendime, na japin një panoramë paksa më të gjerë të personalitetit të tij. Edhe pse ishte strateg i madh ushtarak, edhe pse kishte emër si komandant dhe luftëtar me nam, ai e pranonte se ishte më i dobët se profeti Muhamed a.s. shumë njerëz të cilët kanë kontribut dhe tituaj, kur shohin dikë më të mirë se ata, e refuzojnë dhe nuk e pranojnë se dikush tjetër është më i mirë. Sakaq, Halid ibnul Velid, edhe pse Profeti a.s ishte armiku i tij, e pranonte epërsinë e tij.

Edhe betejën e Uhudit, Halidi e konsideronte si të humbur, pasi ata kishin vajtur për ti shfarosur myslimanët, ndërkohë që diçka e tillë nuk ndodhi. Gjatë kësaj kohe, ai sillte ndërmend të gjitha momentet dhe ngjarjet konfrontuese mes kurejshëve dhe myslimanëve dhe rezultati në të cilin përfundoi ishte se kurejshët kishin humbur në të gjitha përplasjet me myslimanët. Ai e pranonte epërsinë e myslimanëve ndaj tyre. Beteja e Hendekut kishte shënuar dështimin e fundit të idhujtarëve përballë myslimanëve, të cilët i kishin surprizuar me një hendek të gjatë dhe të madh, i cili i pengoi të shkojnë në Medine.

Nëse dëshironi që njerëzit ti joshë besimi dhe të adhurojnë Zotin, ju si besimtarë duhet të jeni të suksesshëm dhe të keni epërsi ndaj të tjerëve. Etika, mirësjellja dhe edukata që manifeston një djalë apo një vajzë në shoqërinë ku jetojnë, është më me ndikim sesa një mijë ligjërata të mbajtura për atë temë. Një i ri që dëshiron që shokët e tij ti përkushtohen fesë dhe besimit, por është mbetës në shumicën e lëndëve, nuk mund të shërbejë si model për ta. Veprat e një njeriu në mesin e një mijë njerëzve, janë më të vlefshme sesa predikimit e një mijë njerëzve drejtuar një njeriu.

Tregon Halid ibnul Velid:”Duke sjellë në mendje të gjitha këto, thosha me vete:”Shumë shpejt Muhamedi do të triumfojë! Vazhdova këtu derisa erdhi dita e Hudejbijes. Unë bashkë me një grup burrash, u armatosëm dhe dolëm ti ndalojmë myslimanët që të mos vijnë në Mekë.”

Myslimanët ishin nisur për të vizituar Qaben dhe me vete kishin marrë vetëm disa armë modeste, pasi synimi ishte vizita e Qabes, jo lufta. Kur Halidi dhe myslimanët u gjendën përballë, për myslimanët kishte hyrë koha e lutjes së drekës. Për tu falur, atyre u duhej të drejtoheshin nga Meka, e cila ishte në drejtim të kundërt me drejtimin ku qëndronte Halid ibnul Velidi dhe burrat e tij, pra do u kthenin atyre shpinën.

Tregon Halid ibnul Velid:”I shihja teksa falen dhe me vete mendoja se për myslimanët nuk ka gjë më të shtrenjtë sesa namazi kur hyn koha e tij.” Kjo ishte dëshmia e një idhujtari për myslimanët.

Po për ty o vëlla dhe oj motër, a është namazi gjëja më e shtrenjtë kur hyn koha e tij?  Për myslimanët, namazi ishte kulmi i qetësisë. Sa herë që kishin nevojë për momente qetësie dhe prehjeje, ata faleshin e luteshin.

Tregon Halidi:”Ndërkohë që myslimanët po faleshin, një mendim që më erdhi në kokë ishte që ti sulmoj, por realisht nuk munda. Atëherë mendova që sulmin ta shtyj kur të falin namazin e iqindisë. Kur erdhi namazi i iqindisë, mu duk sikur i dërguari i Zotit a.s ta kishte parëçfarë fshihja në zemër dhe fali namazin e frikës.”

Namazi i frikës falet në rrethana frike dhe ndahen njerëzit në dy pjesë. Njëra pjesë ruan ata që falen, kurse gjysma tjetër falet me imamin. Kur imami ngrihet për në rekatin e tretë, besimtarët pas tij japin selam, ngrihen dhe vjen gjysma tjetër për të falur dy rekatet e mbetura dhe në fund japin selam bashkë me imamin.

Kur u përball me një skenar të tillë, Halid ibnul Velid tregon se:”Asokohe e kuptova që ky njeri ishte në rrugë të drejtë dhe me vete thashë:”Ky njeri është i imunizuar.”

Islami është fe e Zotit dhe ngado që ti qasesh, të mrekullon. Nëse kërkon disiplinën e gjen në formën e saj më madhështore. Nëse dëshiron civilizimin, të mrekullon. Nëse kërkon vlera dhe virtyte, të lë pa fjalë. Vëllai i Halid ibnul Velidit përqafoi islamin duke qenë rob lufte. Vetë Halidit do i hyjë në zemër islami nga disiplina e myslimanëve teksa falen. Të gjitha momentet që e kanë prekur Halidin deri tani, kanë të bëjnë me disiplinën, pasi mendësia dhe formimi i tij ishte ushtarak.

”Ky njeri është i imunizuar.” Këto fjalë të Halid ibnul Velid për Profetin a.s, janë fjalë që vlejnë për këto prej nesh i cili është i lidhur me Zotin. Kushdo që vendos raporte me Zotin, ta dijë se është i imunizuar. Çfarëdo të ndodhë dhe sido të vijnë punët, në fund ti je i fituar. “fundi (i lumtur) u përket të devotshmëve” Kuran

Tregon Halid:”Ne u larguam pa ia arritur qëllimit tonë. Profeti a.s nënshkroi dhe marrëveshjen me idhujtarët e Mekës. Kur u realizua dhe kjo, mendova me vete:”Po unë ku të mbytem tani! Muhamedi tashmë ka në dorë gjithçka. Më mirë, po shkoj tek Nexhashiu në Abisini. Pastaj u mendova pak dhe thashë:”Hë, po vetë Nexhashiu është bërë mysliman! Madje ai ka marrë në besë edhe shokët e Muhamedit. Më mirë po shkoj tek mbreti i bizantit, por një mendim tjetër më tha:”Si?! Të lë fenë dhe njerëzit e mi, e të shkoj në vend të huaj?! Mos duhet të mbyllem e të kyçem në shtëpi, pa dalë fare?! As këtë nuk e bëj dot. Atëherë kuptova se nuk kisha zgjedhje tjetër veçse të shkoj tek Muhamedi a.s.”

Në këtë kohë, Profeti a.s ishte nisur për në Mekë për të vizituar Qaben, një vit pas marrëveshjes së Hudejbijes. Kur ata mbërrijnë në Mekë, vetë Halidi ia mbath dhe ngjitet në një mal të Mekës, duke ndjekur që andej lëvizjet e tyre. Tregon vetë ai:”Kur myslimanët u afruan për të hyrë në Mekë, unë ia mbatha dhe u ngjita në mal, prej ku ndiqja lëvizjet e tyre.”

Ndërkohë, vëllai i tij që kishte ardhur bashkë me myslimanët, po e kërkonte. Sigurisht që atij i dhimbsej fakti që Halidi ishte akoma idhujtar. Me këtë rast, dua tu kujtoj të gjithë atyre djemve e vajzave të cilët janë përkushtuar dhe i shohin me përbuzje vëllezërit e motrat e tyre që janë larg Zotit. Realisht është shumë e dhimbshme që mes vëllezërve e motrave të lindin konflikte për vogëlsira. Si është e mundur që vëllezërit nuk flasin me njëri-tjetrin për shkak të pasurisë, hatërmbmetjeve….?!

Kur Velidi nuk e gjeti dot vëllain e tij, i shkroi një letër në të cilën i thoshte:

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

O Halid, nuk kam parë gjë më tëçuditshme tek ti, sesa fakti që mendja jote nuk po bindet për vërtetësinë e islamit. Po kush është ai që e ka të vështirë të kuptojë dhe njohë islamin? Vetë i dërguari i Zotit më ka pyetur për ty dhe më tha:”O Velid, po Halidi ku është?” Unë iu përgjigja:”Zoti e sjelltë o i dërguar i Zotit!” Ai më tha:”A është e mundur që burra si Halidi të mos e njohin vërtetësinë e Islamit?! Pasha Zotin, po të na vinte dhe aftësitë e tij ti vinte në shërbim të islamit, do bënte hair të madh. Ne edhe do e privilegjonim ndaj të tjerëve.”

Shumë njerëz e perceptojnë fetarizmin si humbje të statusit të tyre shoqëror, sikur me tu bërë fetar, do të humbasin të gjitha privilegjet dhe favoret që kanë gëzuar më parë. Shumë njerëz që vijnë nga shtresa aristokrate të shoqërive tona, pohojnë se ata nuk mund të bëhen fetarë, pasi pamja e tyre, veshja, stili i jetës… nuk përkon me fenë. Në fakt, kjo është diçka e gabuar, pasi feja nuk e privon njeriun nga jeta aristokrate. Ne të gjithë jemi robër të Zotit.

Tregon Halid:”Pasi myslimanët u larguan nga Meka, letra e tim vëllai më ra në dorë. E lexoja dhe buzëqeshja me vete nga gëzimi që i dërguari i Zotit a.s ishte interesuar për mua.”

Kjo, edhe pse ai nuk ishte mysliman. Nëse kërkon të fitosh zemrën e dikujt, kushtoji vëmendje, interesohu për të, lutu dhe duaji të mirën. Me këtë rast, më kujtohet historia e një të njohuri besimtar. Ai kishte një mikun e tij i cili nuk shkonte në xhami. Herë pas here, besimtari i telefononte shokut të tij dhe i kërkonte që së bashku të shkojnë në xhami. Për çdo herë, miku i tij i thoshte herën tjetër. Duke parë që miku i tij nuk po vinte në xhami, ai i shkroi një letër:”Sa herë që të kam ftuar të vish në shtëpinë e Zotit, nuk ke gjetur kohë. Nëse nuk ke kohë për mua, unë do e rregulloj kohën time që të jetë e përshtatshme për ty.” Tregon ai vetë, atë ditë e pashë duke falur namazin e akshamit në xhami.

Zemrat e secilit prej nesh kanë një vrimëçelësi dhe i zgjuar është ai që e nuhat çelësin e duhur për të depërtuar tek zemra e tjetrit.

Mos harrojmë, se Halid ibnul Velid kishte vrarë shtatëdhjetë myslimanë në Uhud. Për shkak të tij ishte vrarë xhaxhai i Profetit a.s, Hamzai, ishte plagosur vetë Profeti a.s… Megjithatë, zemra e Profetit a.s dhe e myslimaëve, jo që nuk e urrente, por i donte të mirën.

Tregon Halid:”Pas kësaj letre, pashë nëëndërr sikur isha në një vend të ngushtë, i cili gati më zinte frymën. Pastaj, befasisht e pashë veten në një vend të gjerë dhe të ndriçuar.”

Atë moment ai nuk e interpretoi ëndrrën, por pasi ishte bërë mysliman, ia tregoi Ebu Bekrit dhe i kërkoi t’ia interpretojë. Ebu Bekri i tha:”Vendi i ngushtë ka qenë idhujtaria dhe vendi i gjerëështë islami.”

Tregon Halid:”Pas gjithë këtyre ndodhive, vendosa të shkoj tek i dërguari i Zotit a.s. Me vete mendova se kush mund të më shoqëronte për tek i dërguari i Zotit.”

Normalisht që Halid ibnul Velid mund ta ndërmerrte udhëtimin për në Medine krejt i vetëm, ai ishte luftëtar i Zoti. Por ai kërkonte dikë që ta shoqërojë, të mos ndihet i vetmuar, kërkonte dikë me të cilin ta bashkonte qëllimi dhe misioni.

Njeriu është qenie sociale dhe ka nevojë të identifikohet me dikë. Edhe kur të dalim para Zotit, ditën e Gjyqit të madh, ne do të jemi me njerëzit që jemi shoqëruar në këtë botë. Edhe kur të shkojnë për në parajsë apo ferr, ata do të jenë me shoqërinë që kanë qenë në këtë botë. Ibnul Kajim thoshte:”Zoti e ka ndaluar që njerëzit të hyjnë në parajsë individualisht.”

Pasi u mendua, Halidi vajti tek Safvan ibnu Umeje, të cilit i tha:”O Safvan! E çfarë kemi fituar nga qëndrimi ynë deri tani? Hajde të shkojmë tek Muhamedi më mirë! Triumfi i tij është triumf edhe për ne. Unë e shoh që atij po i ecin mirë punët dhe nuk shoh ndonjë arsye për kokëfortësi.”

Por Safvan iu përgjigj me kokëfortësi:”Pasha Zotin, sikur askush tjetër të mos mbetet në idhujtari, unë nuk lëshoj pe në fenë time!” Megjithatë, edhe ai do të përqafojë islamin pas pak kohësh.

Tregon Halid:”Kur më dha këtë përgjigje, me vete mendova:”Ky është një njeri të cilit i është vrarë edhe babai edhe vëllai në Bedër!” Shkova tek Ikrime, djali i Ebu Xhehlit dhe i thashë:” O Safvan! E çfarë kemi fituar nga qëndrimi ynë deri tani? Hajde të shkojmë tek Muhamedi më mirë! Triumfi i tij është triumf edhe për ne. Unë e shoh që atij po i ecin mirë punët dhe nuk shoh ndonjë arsye për kokëfortësi.”

Por edhe Ikrime iu përgjigj me kokëfortësi:”Pasha Zotin, sikur askush tjetër të mos mbetet në idhujtari, unë nuk lëshoj pe në fenë time!” Megjithatë, edhe ai do të përqafojë islamin pas pak kohësh.

“Pastaj shkova tek Othman ibnu Talha, familja e të cilit mbante çelësat e Qabes. Kur i kërkova të më shoqërojë për tek i dërguari i Zotit a.s, ai më tha:”Po, do të vij me ty sepse edhe unë e kam pleqëruar gjatë këtë punë.”

Me tu nisur rrugës, takuam dikë tjetër, Amr ibnul As. Kur na pa të përgatitur, ai na pyeti:”Për ku jeni nisur kështu?” Ne e pyetëm:”Po ti, për ku je nisur?” Ai na tha:”Më tregoni ju, tu tregoj edhe unë!”

Ne i thamë:”Jemi nisur për tek i dërguari i Zotit a.s.” Ai na tha:”Pasha Zotin, edhe unë për atje jam nisur.”

Të tre këta ishin ajka e elitës mekase dhe janë ata të cilët do të udhëheqin ushtrinë myslimane në fitoret më të mëdha të historisë. Çdo vepër e mirë që bëhet në botën arabe, i shënohet edhe Halid ibnul Velid dhe Amr ibnul As, për shkak se ata ishin komandatët e ushtrive myslimane që i çliruan këto toka nga vuajtjet dhe diktaturat. Po peshorja jote vallëçfarë do të peshojë? Çfarë ke bërë për atë ditë? Duhet të bësh diçka që edhe pasi të vdesësh, të shpërblehesh për ndikimin e veprave të tua të mira.

Kur mbërritën të tre në Medine, qyteti u elektrizua. Kur i thanë Profetit a.s për ardhjen e këtyre tre kolosëve, u gëzua shumë. Po, të tre këta i kishin luftuar myslimanët dhe Profetin a.s, ama zemra e tyre kishte vend për këta dhe shumë të tjerë.

Kur e pa Velidi të vëllanë, brofi dhe pasi e përqafoi i tha:”Shpejt se i dërguari i Zotit a.s mezi të pret!”

Halidi iu përgjigj:”Jo, sepse fillimisht dua të vishem me rrobat më të mira që kam.”

Tregon Halid:”Shkova dhe vesha rrobat më të mira të miat, pastaj hyra në xhami. Profeti a.s më pa nga larg dhe teksa buzëqeshte nuk mi ndante sytë. Sa më shumë afrohesha, aq më shumë buzëqeshte.”

Vallë si do na presë neve Profeti a.s, ditën e Kiametit, kur të shkojmë të pijmë unë nga Hauzi? A thua do na presë duke buzëqeshur dhe krahëhapur? A thua do të jetë i gëzuar me ne dhe do i bëhet qejfi kur të na shohë?

Tregon Halid:”Dola para Profetit a.s dhe e për herë të parë e përshëndeta:”Paqja qoftë me ty o i dërguar i Zotit!” Ai u gëzua shumë. Unë i thashë:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i dërguari i Tij.”

Në këtë kohë, Halidi ishte 41 vjeç. Në këtë moshë fillon dhe kontributi i tij për islamin dhe njerëzimin. Me këtë dua të them që asnjëherë nuk është vonë për të bërë diçka të mirë, sado vite të kenë kaluar.

Halidi ulet pranë Profetit a.s dhe i thotë:”O i dërguar i Zotit! Kontaktet e mia me ty kanë qenë të gjitha të dënueshme me të cilat është zemëruar Zoti. O i dërguar i Zotit! Nëse unë bëhem mysliman sot, a mi fal Zoti të gjitha ato që kanë kaluar?”

Profeti a.s iu përgjigj:”A nuk e di o Halid se islami fshin gjithçka që i përket të shkuarës?”

Halidi e pyeti:”A edhe të shkuarën time o i dërguar i Zotit?”

Profeti a.s i ngriti duart dhe u lut:”O Zot fale Halidin! O Zot fale Halidin! O Zot fale Halidin!”

Ai që e kërkon të mirën dhe dëshiron të shkëputet me çdo kusht nga e shkuara, e meriton lutjen e Profetit a.s.

Kështu përqafuan islamin tre burra nga kurejshët. Profeti a.s iu drejtua besimtarëve në xhami dhe u tha:”Kurejshët u kanë sjellë ajkën e elitës së tyre.”

Tregon Halidi:”Që atë ditë, unë kisha një status të veçantë tek i dërguari i Zotit a.s, status të cilin nuk e kishte askush tjetër nga shokët e tij.”

Në fakt, Profeti a.s për secilin nga shokët e tij rezervonte një komunikim dhe vlerësim të veçantë. Të njëjtin mendim si Halidi, kishin të gjithë shokët e tij. Secili prej tyre mendonte se gëzonte status të privilegjuar nga të tjerët. Një herë, Amr ibnul As, i bindur se ai ishte njeriu më i dashur tek Profeti a.s, vajti dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit, kush është njeriu më i dashur për ty?” Profeti a.s iu përgjigj spontanisht:”Aishja.” Amër i tha:”Po të pyes nga burrat.” Profeti a.s iu përgjigj:”Atëherëështë Ebu Bekri, babai i Aishes.” Amër e pyeti:”Po pas tij?” Profeti a.s u përgjigj:”Omeri.” Amër e pyeti:”Po pas tij?” Profeti a.s u përgjigj:”Othmani.” Amër e pyeti:”Po pas tij?” Profeti a.s u përgjigj:”Aliu.” Tregon Amër ibnul As:”Ai më radhiti njëzet emra. Këtu unë heshta dhe me vete thashë:”Epo unë jam i njëzet e njëti.”

Në Medine, Profeti a.s i dhuroi Halidit një copë tokë, ku Halidi ndërtoi shtëpinë e tij.

 

Momente nga jeta e Halidit me Profetin a.s

Beteja e Mu’tes

Profeti a.s dërgoi Harith ibnu Umejr elEsedij për tek Gasasinët dhe i dha një letër për ta. Me të marrë letrën e Profetit a.s, gasasinët e lidhën Harithin dhe mandej e ekzekutuan. Profeti a.s menjëherë organizoi ushtrinë pasi një nga shokët e tij ishte vrarë pabesisht. Ushtria që u formua përbëhej nga tre mijë luftëtarë dhe mes tyre ishte dhe Halid ibnul Velid. Profeti a.s nuk do të dalë me këtë ushtri dhe me këtë, sikur u thoshte se për islamin nuk ishte përgjegjës vetëm ai. Po, ai kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e mëparshme dhe do të marrë pjesë edhe më pas, por në këtë rast nuk e shoqëroi ushtrinë. Përgjegjës për islamin nuk është vetëm hoxha që mban hytbe në xhami, por është secili prej nesh nëprofesionin  që ka dhe detyrën që kryen. Para se ushtria të nisej, Profeti a.s ndau përgjegjësitë. Ai doli para ushtrisë dhe tha:”Komandant i ushtrisë do të jetë Zejd ibnu Harithe. Nëse ai vritet, komandën do e marrë Xhafer ibnu Talib. E nëse edhe ai vritet, komanda do i kalojë Abdullah ibnu Revahas. Nëse edhe ky vritet, zgjidhni këtë doni.”

Imagjinojeni pak si mund të jetë ndjerë në ato momente komandanti legjendar dhe strategu ushtarak Halid ibnul Velid. Kushedi sa ka shpresuar që Profeti a.s do ia besonte komandën e ushtrisë atij vetë, por Profeti a.s ia besoi Zejd ibnu Harithes, i cili më parë kishte qenë skllav. Por jo vetëm Zejdi, por as njëri nga ata që mund ta zëvendësonin në rast se vritej, nuk kishin përvojë ushtarake. Me këtë, sikur Profeti a.s donte ta edukojë shpirtërisht Halidin, sikur donte ti thotë që në këtë betejë ti je thjesht një ushtar. Që të bëhesh një komandant i suksesshëm, duhet t’ia nisësh si ushtar i suksesshëm. Profeti a.s donte që Halidi të ngjisë shkallët e karrierës në mënyrë të përshkallëzuar. Ne kemi parë futbollistë të rinj të cilëve u qepen pas mediat dhe i ngrenë në qiell që në moshë të njomë. Ajo që ndodh është se pas gjashtë muajsh, ata nuk japin më rendiment, pasi u mbushën shpirtërisht. .

Ushtria e gasasinëve ishte njëqind mijë trupa, prej të cilëve njëzet e pesë mijë kalorës. Ndërkohë që ajo e myslimanëve vetëm tre mijë. Edhe pse ishin njëqind mijë trupa, gasasinët u frikësuan dhe kërkuan përforcime nga Herakliu i bizantit, i cili i mbështeti me njëqind mijë të tjerë, prej të cilëve njëzet e pesë mijë ishin kalorës. Ushtria e gasasinëve u bën dyqind mijë, ku pesëdhjetë mijë prej tyre ishin kalorës.

Plani i komandantit mysliman Zejd ibnu Harithe, ishte që ushtria myslimane të futej në një vend të ngushtë, të rrethuar nga male në të katër anët. Kjo, pasi ai donte që ushtria e gasasinëve ti sulmojë në një vend të ngushtë i cili nuk i mundëson luftëtarët e tyre të shtrihen më shumë se tre mijë në front. Nëse myslimanët do të ishin vendosur në një vend të sheshtë, gasasinët do i shpartallonin shumë shpejt.  Ushtarët që merreshin me gjetjen e vendit, identifikuan një fshat të vogël me emrin Mu’te, i cili gjendet sot e kësaj dite në Jordani.

Pjesa më e madhe e ushtrisë së gasasinëve doli jashtë loje. Beteja zgjati gjashtë ditë dhe që ditën e parë myslimanët dolën fitimtarë. Numri i të vrarëve nga gasasinët ishte shumë herë më i madh nga të vrarët e myslimanëve. Ditën e gjashtë, gasasinët e ndryshuan planin e luftës. Plani i ri konsistonte në eleminimin e luftëtarit që mbante flamurin, pasi me rrëzimin e flamurit të cilin e mbante komandanti, kuptohej se ushtria kundërshtare ishte thyer. Ata ia arritën ta vrasin komandantin mysliman që mbante flamurin, Zejd ibnu Harithe. Menjëherë flamurin e mori Xhafer ibnu ebi Talib, i cili edhe ai vritet shumë shpejt. Flamurin e merr Abdullah ibnu Revaha, i cili edhe ai vritet nga gasasinët dhe flamuri bie përtokë. Profeti a.s, kur kishte caktuar komandantin dhe kishte përmendur emrat e personave rezerve, kishte përmendur vetëm tre emra. Nëse vritej dhe i treti, ai kishte thënë që të zgjedhin këtë duan. Kur u rrëzua flamuri, një gjendje pështjellimi i kaploi myslimanët. Nëçast, shkon Thabit ibnul Akren dhe ngre lart flamurin përsëri duke thërritur:”O Halid, o Halid!” Halidi iu afrua dhe ai i tha:”Merre ti flamurin tani!” Halidi iu përgjigj:”Jo o Thabit! Ti je më i meritueshëm për ta mbajtur atë flamur! Ti ke qenë në ushtrinë e Profetit a.s në Bedër, kurse unë isha me idhujtarët.”

Tani duket qartë që edukata që i kishte dhënë Profeti a.s, kishte zënë vend. Halidi nuk luftonte për karrierë dhe famë.

Thabit iu përgjigj në çast:”Jo o Halid. Pasha Zotin, nuk e kam marrë në dorë këtë flamur veçse që të ta jap ty!” Atëherë Halid e merr flamurin dhe beteja e arrin ta mbyllë dhe betejën e ditës së gjashtë. Tregon ai vetë se atë ditë i janë thyer nëntë shpata.

Me perëndimin e diellit të ditës së gjashtë, lufta u ndërpre dhe dy ushtritë u tërhoqën. Halidi i mblodhi luftëtarët e tij dhe u tha:”Ne erdhën këtu që të marrim hakun e vëllait tonë që u vra pabesësisht, të ngremë lart fenë tonë dhe ti bindemi urdhërit të Profetit tonë. Të tre këto qëllime i kemi përmbushur. Duhet të kemi parasysh se kjo betejë nuk përfundon me fitore.”

Luftëtarët myslimanë e pyetën:”Po çfarë mendon ti o Halid?”

Halid u përgjigj:”Propozoj që të tërhiqemi.”

Këtë propozim e hodhën në votë dhe të gjithë ishin dakord që ushtria të tërhiqej. Kur të gjithë u shprehën pro tërheqjes, Halid u tha:”Po, por nuk mund të tërhiqemi. Nëse ne tërhiqemi, ata na shpartallojnë brenda minutave.”

Dikush e pyeti:”Po çfarë të bëjmë atëherë?”

Halidi u përgjigj:”Të tërhiqemi por ti bëjmë qëtë mos na vijnë pas.”

Dhe menjëherë shpalosi planin e tij për tu tërhequr. Ky plan tërheqje studiohet sot e kësaj dite në akademitë ushtarake të botës, pasi askujt më parë nuk i kishte vajtur në mendje. Thelbi i planit fokusohej tek shpartallimi moral dhe demoralizimi i ushtrisë armike. Po si ishte e mundur që tre mijë trupa të demoralizojnë dyqind mijë?!

Trupat që për gjashtë ditë kishin luftuar në anën e djathtë, i nxori në anën e majtë dhe anasjelltas. Trupat që kishin luftuar në front, i nxori pas dhe ata pas i nxori në fillim. Veç kësaj, u kërkoi që atë natë ti pastronin sa më mirë rrobat e tyre me të cilat kishin luftuar, që të dukeshin si të lara. Gjithashtu u kërkoi që ngjyra e flamurëve që mbanin të ndryshohej dhe mbi to të shkruheshin fjalë të reja, me qëllim që të dukej sikur ishin flamuj të ri. Kjo, me qëllim që të krijohej përshtypja se ishte një ushtri e re dhe jo ajo e gjashtë ditëve. Veç kësaj, Halidi mori treqind kalorës dhe i ndau në gjashtë grupe, secili grup pesëdhjetë kalorës. Atyre u kërkoi që të tërhiqen pak larg pas ushtrisë dhe sapo të vërejnë që dy ushtritë u vendosën përballë njëra-tjetrës të turren shigjetë drejt sheshit të luftës, mundësisht të ngrenë sa më shumë pluhur që të krijohet përshtypja se myslimanëve po u vijnë shumë përforcime të reja. Secili grup nga gjashtë grupet, do të vinte njëri pas tjetrit dhe jo njëherazi. Urdhërat ishin që sa më shumë që afroheshin me sheshin e betejës, aq më shumë të thërrasin:”Zoti është më i madhi!”

Pasi të mbërrinte dhe grupi i tretë prej pesëdhjetë kalorësish, Halidi do të thërriste:”O robër të Zotit, mbështetjuni Zotit tuaj!” Mandej, do të ndërmarrim një sulm të fuqishëm kundër ushtrisë kundërshtare. Kur të thërras:”O robër të Zotit të kthehemi!” fillimisht të tërhiqet brigada e gjashtë, pastaj e pesta, e katërta, e treta, e dyta, e para, krahu i djathtë, i majtë dhe e gjitha ushtria do të fillojë tërhqjen e madhe.”

Të nesërmen në mëngjes, dy ushtritë u vendosën përballë njëra-tjetrës. Gasasinët e secilit krah, u befasuan me ushtarë të rinj nga pala e myslimanëve. Menjëherë secila anë i çoi lajme komandantit të tyre se nga ushtria myslimane kishin ardhur përforcime të reja. Pasi filloi beteja, në horizont u shfaq grupi parë i kalorësve që përbëhej nga pesëdhjetë burra. Tregon Ebu Hurejre:”Kur gasasinët panë retë e pluhurit, u hyri frika.”

Me të mbërritur grupi i parë duke thërritur me sa fuqi kishte “Zoti është më i madhi” u nis grupi i dytë, pastaj i treti, i katërti, i pesti dhe i gjashti.

Kur pa se mbërriti dhe grupi i gjashtë, Halidi thirri fort:”O robër të Zotit, mbështetjuni Zotit” dhe ushtria myslimane kaloi në sulm me kapacitetin e saj maksimal. Në këtë ofensivë të myslimanëve, ata arritën të vrasin edhe vetë komandantin e gasasinëve, gjë e cila tregon se kishin depërtuar brenda ushtrisë kundërshtare.

Edhe pse ishte një mësymje shpartalluese, Halidi e kuptonte mirë se kjo nuk mund të zgjaste gjatë, pasi ishin tre mijë trupa kundër dyqind mijë. Kur kuptoi se kishte shkaktuar pështjellim mes kundërshtarëve, Halidi thirri fort:”O robër të Zotit, të kthehemi!”

Menjëherë filloi brigada e gjashtë të tërhiqej, e pesta, e katërta, e treta, e dyta, e para, ajo majtas dhe ajo djathtas. Ushtarët gasasinas iu qepën pas kur panë se myslimanët po tërhiqeshin, por komandantët e tyre u thirrën:”Mos u shkoni pas se është kurth!”

Vetë Profeti a.s ua kishte përshkruar betejën myslimanëve në Medine. Ai u thoshte:”Flamurin e myslimanëve e ka në dorë Zejd ibnu Harithe. E vranë! E shoh me sytë e mi që shëtit në xhenet. Tani e mori flamurin Xhafer ibnu ebi Talib. E vranë! E shoh duke shëtitur në xhenet. E mori flamurin Abdullah ibnu Revaha. E vranë. E shoh duke shëtitur në xhenet. Tani e mori flamurin një nga shpatat e Zotit, të cilin Zoti do e ndihmojë të triumfojë!”

Sipas tyre, ishte e palogjikshme që të tërhiqeshe në kulmin e ofensivës dhe suksesit në betejë, veçse nëse bëhej fjalë për ndonjë kurth. Halidi dhe ushtria kishin mbërritur në kufijtë e Medines, ndërkohë që ushtria e gasasinëve ishte në pritje të kurthit, të cilin se kishin kuptuar akoma.

Kur lajmi që ushtria myslimane po kthehej në Medine u përhap, gratë e fëmijët i dolën para për tu rezervuar një pritje aspak të këndshme. Ata i gjuanin me gurë dhe i quanin frikacakë, pasi kishin braktisur fushën e  betejës sipas tyre dhe sipas tyre myslimanët nuk mund të tërhiqen.

Kësaj situate i dha fund profeti Muhamed a.s, i cili doli i gëzuar për faktin që ushtria ishte kthyer. Me ta parë Profetin a.s, Halid tha:”Kërkoj mbrojtjen e Zotit nga zemërimi i Tij dhe zemërimi i të dërguarit të Tij.” Ai kishte frikë se mos edhe Profeti a.s do i kritikonte për faktin se ishin tërhequr.

Profeti a.s e dëgjoi dhe i tha:”Jo, nuk e ke zemëruar as Zotin dhe as të dërguarin e Tij. Ti je një shpatë nga shpatat e Zotit.” Mandej, Profeti a.s ngriti duart nga qielli dhe u lut:”O Zot, Halidi është një nga shpatat e Tua, prandaj bëje të triumfojë!”

 

Hyrja e myslimanëve në Mekë

Hyrja e myslimanëve në Mekëështë një nga ngjarjet më vendimtare në historinë e islamit. Profeti a.s hyri në Mekë me dhjetë mijë luftëtarë. Profeti a.s i kishte besuar Halidit komandën e pararojës së ushtrisë, por jo komandën e përgjithshme të saj. Halidi kishte nën komandën e tij njëmijë trupa myslimane nga fisi Benu Sulejm. Në krahunë e djathtë të ushtrisë, Profeti a.s kishte vendosur Zubejr ibnul Avam si komandant. Në krahun e majtë kishte caktuar Ebu Ubejde ibnul Xherrah dhe në qendër ishte Profeti a.s me luftëtarët medinas, nën komandën e Sad ibnu Ubade. Halidi dhe trupat e tij kishin si detyrë që ti binin Mekës rreth e rrotull dhe të hynin nga pas. Shohim që në këtë rast, Profeti a.s i besoi Halidit kompetenca më të mëdha sesa në betejën e Mutes.

Profeti a.s kishte këshilluar xhaxhain e tij Abasin që ta mbajë Ebu Sufjanin që të shohë ushtrinë myslimane, me qëllim që ti lëkundet besimi dhe të demoralizohet nga numri i madh. Nëse Ebu Sufjani demoralizohej, demoralizohej e gjitha Meka dhe nuk zhvillohej luftë. Teksa fiset arabe kalonin njëri pas tjetrit, Ebu Sufjani vështronte i shokuar teksa përparonin drejt Mekës. Ai e pyeste Abasin për secilin prej tyre dhe qëndronte i shtangur në vend nga faktis e të gjithë ato fise kishin përqafuar islamin. Duke parë këtë panoramë, Ebu Sufjani i thotë Abasit:”O Abas! Pushteti i nipit tënd paska kapur majat!” Por Abasi ia ktheu:”O Ebu Sufjan! Nuk bëhet fjalë për pushtet, por për profeci.”

Kur pranë tyre kaloi Halidi, Ebu Sufjani pyeti:”Po ky kush është o Abas?” Ai iu përgjigj:”A nuk e njeh? Është Halid ibnul Velid.”

Pothuajse të gjithë banorët e Mekës ishin kyçur në shtëpitë e tyre. Ikrime ibnu ebi Xhehl dhe Safvan ibnu Umeje vazhdonin të ishin armiqtë më të egër të myslimanëve. Profeti a.s i kishte falur të gjithë banorët e Mekës, përveç dhjetë personave, mes tyre dhe këta të dy. Para se myslimanët të hyjnë në Mekë, Ikrime dhe Safvan kishin mbledhur treqind burra dhe donin të ndalojnë Halidin dhe trupat e tij. Mos harrojmë se Ikrime dhe Safvan kishin qenë shokë të ngushtë me Halidin. Sakaq, udhëzimet e Profetit a.s ishin që lufta të mos fillonte nga myslimanët, pra të ishin të tërhequr nëse bëhej fjalë për luftë.

Kur Ikrime ibnu ebi Xhehl dhe Safvan ibnu Umeje i zunë rrugën Halidit, ai u tha:”O Ikrime dhe Safvan! Më lironi rrugën të kaloj!” Ata i thanë:”Nuk ndodh kjo pa luftë!” Halidi u tha:”I dërguari i Zotit a.s më ka urdhëruar që të mos luftoj.”

Edhe pse Halid rridhte nga një familje aristokrate, edhe pse ai ishte komandant ushtarak i rrallë, edhe pse gëzonte respekt dhe vlerësim nga të gjithë, kur vinte puna tek Profeti a.s, ai ulte kokën dhe u bindej urdhërave të tij. Nëse këtë e bënte një si Halid ibnul Velid, ç’mund të themi për ne?!

Ikrime ia priti aty për aty:”Nëse ti nuk lufton me ne, do të luftojmë ne me ty!” Halidi ia ktheu:”Unë nuk do të luftoj, derisa të fillosh ti të më luftosh.”  Teksa Ikrime dhe Safvan po përgatiteshin ti sulmojnë, Halid u tha trupave të tij:”Mos e filloni ju luftën të parët, sepse duhet ta çojmë në vend urdhërin e të dërguarit të Zotit.”

Kur ushtarët e Ikrimes dhe Safvanit plagosën myslimanin e parë, Halidi urdhëroi ushtarët e tij që të luftojnë. Ata vranë njëzet e tre idhujtarë, kurse pjesa tjetër ia dha vrapit nga sytë këmbët.

Një nga personat që kishte dalë me Ikrimen dhe Safvanin, ishte dhe Himas ibnu Kajs. Kur e kishte parë duke mbërthyer veshjet ushtarake, gruaja e tij e kishte pyetur:”Për ku po nisesh kështu?” Ai i përgjigjet:”Po shkoj të luftoj kundër Halid ibnul Velid!” Ajo i thotë:”E ku ke takat ti të luftosh me Halidin?!” Ai i përgjigjet:”Për Zotin, do të shohësh që do ta sjell si skllav të na bëjë punët e shtëpisë!” Kur trupat e Halidit i sulmuan dhe idhujtarët ia dhanë vrapit, një ndër ata që vraponin më shumë ishte dhe Himas, i cili teksa hynte në shtëpi bërtiste i lemeritur:”Mbylle portën! Mbylle portën!” Ajo i tha:”Po a nuk të pata thënë more burrë?” I nevrikosur, ai iu përgjigj me disa vargje:

Eh moj grua atje me mua të kishe qenë

Ikrime e Safvani, të gjithë morën dhenë

Shpatat e myslimanëve mbi kokat tona fluturonin

Nga sytë këmbët, ne të gjithë vraponim

Veç goditja e shpatave nga ne dëgjohej

Kush shpëtonte kokën skishte përse të fajësohej.

Ajo i tha:”Ja ç’të bëri Halidi!”

Kur Profetit a.s i mbërritën lajmet për atë që kishte ndodhur, e thirri Halidin dhe i tha:”A nuk të pata urdhëruar që të mos e filloni ju luftën?”

Halidi iu përgjigj:”Pasha Zotin o i dërguar i Allahut! Nuk i qëllova derisa filluan ata të parët.”

 

Shembja e idhullit Uzza

Profeti Muhamed a.s e ngarkoi Halid ibnul Velid me përgjegjësinë për prishjen dhe shkatërrimit e idhullit Uzza që adhurohej nga arabët mekas. Me këtë akt, Profeti a.s donte që ta ndihmojë atë që të shkëputet një herë e mirë nga bindjet dhe  bestytnitë e të shkuarës. Uzza ishte idhulli më i rëndësishëm në mbarë Mekën, saqë shumë prej tyre u vinin fëmijëve emrin Abdul Uzza (rob i Uzzas).

Personi që kujdesej për idhullin Uzza, kur dëgjoi se po vjen Halidi ta shkatërrojë, ia mbathi drejt malit. Por para se të ikë, hoqi shpatën e tij dhe ia vari në qafë idhullit më të madh të kurejshëve dhe i tha:”O Uzza! Bëji derman vetes sot!”

Me të mbërritur, Halidi ndozi një zjarr të madh rreth idhullit Uzza dhe i vuri flakën.  Uzza kishte qenë deri atëherë një nga simbole më të mëdha të idhujtarëve mekas. Pasi e shkatërroi të gjithin, Halid thirri:”Zoti është më i madhi! Që sot ska më Uzza!”

 

Benu Xhedhime

Benu Xhedhime ishte një fis dike pranë Mekës. Profetit a.s i kishin ardhur që ky fis po përgatitej për tu rebeluar ndaj myslimanëve, prandaj dhe nisi menjëherë Halid ibnul Velidin me treqind luftëtarë. Me të mbërritur atje, Halidi kuptoi që ishin përgatitur relisht për luftë. Por burrat e fisit, me të kuptuar që u kishte vajtur Halid ibnul Velidi, e ndërruan pllakën dhe filluan të thërrasin:”Jemi bërë sabi (me fjalën sabi, nënkuptonin myslimanë). Kjo fjalë përdorej edhe më parë në Gadishullin arabik dhe sabi quheshin ithtarët e një fejë të lashtë. Ngaqë mekasit i thërrisnin shpesh herë myslimanët si “sabi”, burrat e këtij fisi kishin kujtuar se me të vërtetë myslimanët janë sabi, prandaj dhe deklaruan se ishin sabi. Në fakt, feja e sabi-ve, nuk përkon me besimin islam. Është njëlloj sikur sot të thotë dikush unë jam terrorist, për shkak se myslimanët akuzohen për terrorizëm.

Halidi i pyeti:”Atëherë përse keni veshur veshjet e luftës?” Ata iu përgjigjën:”Kishim frikë se mos na sulmojnë beduinët e shkretëtirës”. Halidit iu duk se po orvaten ti hedhin hi syve, prandaj dhe i vret të gjithë, aq më shumë që ishin gati për luftë. Lajmi i mbërriti menjëherë Profetit a.s, gjë e cila e zemëroi shumë. Islami ka si qëllim që ti udhëzojë njerëzit në rrugën e drejtë, tu garantojë jetën dhe pronat, jo ti vrasë dhe të derdhë gjakun e tyre. Kur dëgjoi çfarë kishte bërë Halidi, Profeti a.s ngriti duar nga qielli dhe tha:”O Zot, unë distancohem nga veprimi i Halidit!”

Nuk duhet të harrojmë se Profeti a.s dhe myslimanët ishin në pozita triumfi. E ç’problem kishte nëse vriten disa qindra rebelë?! Por jo, Profeti a.s u distancua menjëherë nga vepra e Halidit dhe e dënoi atë.

Nga ana tjetër, disa nga myslimanët në Mekë, thanë se Halidi e kishte bërë qëllimisht diçka të tillë. Kjo, pasi dikush nga ky fis, vite më parë, kishte vrarë xhaxhanë e Halid ibnul Velid.

Profeti a.s bëri gati të hollat për ti dëmshpërblyer të gjithë të vrarët dhe kjo tregon se ai e dinte vrasja ishte bërë gabimisht, por jo për tu hakmarrë për vrasjen e xhaxhait të tij më parë. Në të kundërt do e vinte para përgjegjësie. Profeti a.s e pranoi se ishte një gabim, madje i rëndë dhe menjëherë mori masa për ta rregulluar.

Profeti a.s u distancua nga vepra e Halid ibnul Velidit, sepse ishte e gabuar. Po, ishte një gabim si rrjedhojë e nxitimit dhe mesa duket, mentaliteti ushtarak përgjithësisht është i nxituar. Ndoshta, teksa lexon këto rreshta edhe ty të duket një krim i madh. Disa orientalistë e kanë marrë këtë ngjarje dhe e kanë fryrë në maksimum. Edhe Profeti a.s e pranoi që ishte gabim dhe i dëmshpërbleu familjet e viktimave. Po, ishte gabim, ama nëse e krahasojmë me gjenocidet, bombat atomike etj… realisht mbetet një pikë në oqean.

Profeti a.s dërgoi Aliun që të paguajë dëmshpërblimin për njerëzit e vrarë nga Halidi. Pasi Aliu ua pagoi shumën e duhur, i pyeti:”A jeni të kënaqur me këtë shumë?” Ata u përgjigjën:”Po.” Meqë i kishin mbetur akoma të holla, Aliu u tha:”Merrini dhe këto! Ndoshta kjo do e gëzojë të dërguarin e Zotit a.s.”

Beteja e Hunejnit

Edhe pse Halidi kishte gabuar rëndë, gjë e cila zemëroi Profetin a.s dhe myslimanët, Halidi nuk e humbi prestigjin e tij tek Profeti a.s. Nga ngjarja e mësipërme ai kishte nxjerrë mësim, të cilin nuk do e përsërisë më.

Meka u mor nga myslimanët në vitin e tetë hixhri, në muajin Ramazan, ditën e 23 të këtij muaji. Ngjarja e mësipërme me Halidin ndodhi nga fundi i Ramazanit, sakaq beteja e Hunejnit zhvillohet me dy Sheval.

Me Profetin a.s kishin dalë dymbëdhjetë mijë luftëtarë. Në Taif, ai do të përballej me njëzet mijë luftëtarë nga fisi Hevazin që e prisnin. Ushtrisë myslimane i duhej të kalojnë një luginë, Hunejn, në të cilën ishte ngritur një kurth për myslimanët. Profeti a.s e ndjeu këtë, prandaj dhe dërgoi një luftëtar, Enes ibnu Ebi Merthed që të kontrollojë vendin.

Njëzet mijë luftëtarë ishin fshehur në dy anët e luginës dhe prisnin myslimanët që të hyjnë dhe tu hidhen sipër e ti shfarosin. Enes ibnu Merthed vajti, kontrolloi por nuk pikasi asgjë. Edhe pse Enesi i tha se nuk dukej asgjë, Profeti a.s dyshoi, prandaj dhe urdhëroi ushtrinë që të hyjë në luginë e ndarë në toga, njëra pas tjetrës. Toga e parë ishte nën komandën e Halid ibnul Velid, me një mijë trupa. Toga e dytë u pasua nga e treta. Kur e katërta po hynte në luginë, njëzet mijë luftëtarët e fshehur vërshuan drejt ushtrisë myslimane të zënë në kurth. Ushtria myslimane u hutua dhe ushtarët nuk merrnin vesh çfarë po ndodhte dhe çfarë të bëjnë. Ndërkohë që pjesa e dytë e ushtrisë po zbriste poshtë drejt luginës, pjesa e parë që kishte hyrë orvatej të kthehej mbrapsht. Ushtria myslimane gjendej në kaos të plotë. Disa luftëtarë kundërshtarë e pikasën Halidin dhe iu turrën ta vrasin. Nuk e vranë dot, por e mbushën me plagë nëçdo pjesë të trupit, saqë u shemb përtokë pa ndjenja. Duke parë kaosin që kishte përfshirën ushtrinë myslimane, Profeti a.s thirri me sa fuqi kishte:”Unë jam Profeti i vërtetë, biri i Abdul Mutalibit!” Ai gjendej në fushëbetejë i rrethuar vetëm nga njëqind luftëtarë myslimanë, dyzet mekas dhe gjashtëdhjetë nga Medineja, si dhe dy zonja. E gjithë pjesa tjetër e ushtrisë vraponin drejt grykës së luginës.

Profeti a.s i tha xhaxhait të tij:”O Abas! Thirri myslimanët të kthehen!” Abasai filloi ti thërrasë:”O myslimanë, o myslimanë!” Por Profeti a.s e ndërpreu dhe i tha:”Jo kështu o Abas! Thirri:”O ju që dhatë besën e Akabesë! O ju që morët pjesë në Bedër!” Me këtë, ai donte tu kujtojë ato momente dhe qëndrime burrërore që kishin mbajtur më parë. Po nëse do të thërriste ty, vallë me çfarë qëndrimi do të thërriste i dërguari i Zotit?

Njëqind luftëtarët e mbetur u organizuan, gjë të cilën filloi ta pikasë pjesa tjetër dhe njerëzit filluan ti kthehen sheshit të betejës sërish. Në atë zallamahi, Profeti a.s thirri:”Ku është Halidi? Ku është Halidi?” E kërkuan dhe e gjetën të mbuluar me gjak. Kur e pa Profeti a.s Halidin me ndjenja të humbura dhe të mbuluar në gjak, hoqi xhyben e tij dhe e mbuloi. Mandej, ai frynte dorën e vet dhe përshkonte me të plagët njëra pas tjetrës. Tregojnë se në ato momente Halidi ngrihet, i hip sërish kalit dhe turret drejt ushtrisë armike.

 

Beteja e  Tebukut

Ushtria e grumbulluar nga myslimanët për në Tebuk, ku do të luftonin me bizantët, ishte tridhjetë mijë trupa. Komandanti i ushtrisë ishte vetë Profeti a.s. diku pranë vendit ku do të zhvillohej beteja mes myslimanëve dhe bizantëve, ndodhej një vend që quhej Deumetul Xhendel. Aty gjendej një kala e fortifikuar shumë mirë, saqë nuk bëhej fjalëtë merrej me forcë. Brenda kalasë jetonte burrë që quhej Rukejder, shumë i pasur dhe me njerëz që i shkonin pas.

Kur mbërritën tek vendi i betejës, Profeti a.s i dha Halidit katërqind  burra dhe i tha:”Shko dhe ma sill rob Rukejder-in!” Halidi tregon e thotë:”U habita nga kjo, prandaj dhe e pyeta Profetin a.s:”E si ta sjell o i dërguar i Zotit?! Ku ta gjej?!” Profeti a.s i përgjigjet:”Do e gjesh duke gjuajtur buaj të egër.”

Me këtë, Profeti a.s donte të kultivojë besimin e Halid a.s tek ai si i dërguar i Zotit. Nëse ai e thoshte diçka, patjetër që ashtu do të ndodhte. Gjithçka që Profeti a.s na ka urdhëruar ose na e ka ndaluar, sigurisht qëështë në dobinë tonë, ne jemi përfituesit më të mëdhenj.

Halidi bashkë me trupat e tij mbërrijnë tek kalaja natën. Atij iu duke një kala shumë e madhe dhe tejet e fortifikuar. Meqë ishte natë, u ndalën diku në një qoshe dhe prisnin në heshtje me sytë nga portat e kalasë. Në ato çaste, Rukejder dhe e shoqja e tij, dalin në ballkonin e pallatit duke biseduar. Ishte natë me hënë dhe qielli ishte pa re. Halidi e shihte dhe mund ta qëllonte edhe me shigjetë, por urdhëri ishte që ta zënë rob.

Rukejder ishte shumë i apasionuar pas gjuetisë së buajve, saqë thuhej se humbiste për ditë të tëra në kërkim të tyre. Edhe Profeti a.s i kishte thënë Halidit se do e gjesh duke gjuajtur buaj.

Pas pak kohe, vjen një tufë me buaj tek portat e kalasë dhe fillojnë të kruhen tek qoshet e mureve. “Ushtarët e Zotit tënd nuk i di askush tjetër veç Tij” (Kuran)

Kur i pa Rukejder, gati i doli zemra vendit nga gëzimi. “Unë i kërkoj me ditë të tëra, kurse këta më vijnë tek shtëpia! Po shkoj të gjuaj ndonjë.” i tha të shoqes dhe menjëherë mori armët dhe doli. Mem të hapur portat, tufa e buajve u nis me vrap në drejtim të Halidit dhe trupave të tij. Ai fillon ti ndjekë në errësirë dhe bie në duart e Halidit dhe njerëzve të tij, të cilët e zënë rob.

 

Benu Harith ibnu Kab

Tre vite para se Profeti a.s të ndërrojë jetë, e dërgon Halid ibnul Velidin tek fisi Benu Harith ibnu Kab. Para se të niset, ai i thotë:”Qëndro në mesin e tyre tre vite dhe ftoji në islam!” Halidi vajti tek ky fis dhe qëndroi në mesin e tyre tre vite, duke u folur për islamin dhe duke i ftuar ta përqafojnë atë. Ai shpërndau dhe tellallë të cilët thërrisnin mes shtëpive të fisit:”O Benu Harith, përqafoni islamin të shpëtoni!” Kështu, i gjithë fisi përqafoi islamin dhe kontributin kryesor për këtë e kishte Halid ibnul Velid. Halidi filloi tu mësojë fenë dhe ritualet e përditshme të myslimanit. Gjatë qëndrimit të tij atje, i dërgoi Profetit a.s një letër, në të cilën i kërkonte në mënyrë indirekte të kthehej në Medine.

Në letrën e tij drejtuar Profetit a.s, Halid shkruante:

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit Mëshirëbërësit

Drejtuar Muhamedit, të dërguarit të Zotit a.s. Nga Halid ibnul Velid.

Paqja qoftë mbi ju o i dërguar i Zotit. Lavdëroj Zotin i cili nuk ka të ngjashëm.

Ti më dërgove në fisin Benu Kab dhe më urdhërove që ti afatizoj tre ditë dhe të mos i luftoj. Unë i ftova në islam tre ditë, ashtu siç më urdhërove ti o i dërguar i Zotit. Shpërndava dhe tellallë të cilët u bënin thirrje që të përqafonin islamin nëse donin të shpëtojnë. Ata përqafuan islamin. Nuk i kam luftuar. Vazhdoj të qëndroj në mesin e tyre, i urdhëroj për gjërat që ka urdhëruar Zoti dhe i ndaloj për gjërat që i ka ndaluar Zoti. Po u mësoj islamin dhe traditën tënde o i dërguar i Zotit. Do të qëndroj këtu derisa të më urdhërosh ti të kthehem.

Paqja qoftë mbi ju!”

Në përgjigjen e tij, Profeti a.s e urdhëronte që të kthehej. E çuditshme është se kur Halidi mbërrin në Mekë, profeti Muhamed a.s kishte ndërruar jetë.

 

Luftrat kundër fiseve arabe që braktisën islamin pas vdekjes së Profetit a.s.

Pas vdekjes së Profetit a.s, u zgjodh Ebu Bekri si udhëheqës i myslimanëve. Kur lajmi i vdekjes së Profetit a.s u përhap, myslimanët u përballën me një ndodhi e cila nuk u kishte vajtur kurrë në mendje. Të gjitha fiset e Gadishullit Arabik braktisën islamin sërish. Vetëm tre qytete i qëndruan besës së dhënë; Meka, Medineja dhe Taifi.

Kishte fise dhe njerëz të cilët hoqën dorë totalisht nga Islami. Kishte të tjerë që e braktisën islamin pjesërisht, faleshin por refuzonin të japin zekatin. Kishte prej atyre që bënin përgatitje për të luftuar myslimanët dhe kishte të tjerë që realisht u nisën drejt Medines për ti shfarosur myslimanët. Kishte edhe nga ata që shtireshin si profetë, ku tre prej tyre ishin më të spikaturit: Tulejha ibnu Huvejlid elEsedij, një grua me emrin Suxhah dhe Musejleme elKedhab. Duke parë suksesin e profetit Muhamed a.s, edhe këta menduan se duke u shtirur si profetë mund të arrijnë atje ku arriti ai. Më e çuditshmja është se pretendimit të tyre iu bashkangjitën dhe fiset e secilit, jo sepse u besonin ralisht, por gjithçka kishte të bëjë me fanatizmin tribal dhe fisnor.

Në këtë kohë, myslimanët i ngjanin një ishulli të vogël, i rrethuar nga të katër anët nga oqeani i frikshëm, dallgët e të cilit duken sikur do e përpijnë nga çasti nëçast.

Me të drejtë mund të pyetet: Cilat ishin shkaqet e braktisjes së islamit nga ana e fiseve arabe?

Sigurisht që shkaqet ishin të shumta, por mund të cekim ato më kryesoret:

  1. Urrejtja e akumuluar kundër kurejshëve. Flasim gjithmonë për një kohë këtu e katërmbëdhjetë shekuj më parë, ku njerëzit ishin të përçarë, të ndarë në fise e tribu dhe secila tribu kërkonte të ketë lidershipin. Edhe para islamit mes fiseve arabe ekzistonte një konkurrencë e madhe se kujt i takon lidershipi në Gadishullin Arabik. Gjithmonë kishin qenë kurejshët liderët e rajonit, gjë e cila shkaktonte shumë smirë e xhelozi tek fiset e tjera. Edhe tani pas vdekjes së Profetit a.s, sërish ishin kurejshët ata që kishin lidershipin. Një person vajti tek Tulejha elEsedij, i cili pretendonte se ishte profet dhe e pyeti:”Ti je profet?” “Ai iu përgjigj:”Po, jam profet.” Burri e pyeti:”Po mirë, më trego se cili është mesazhi jot dhe më recito diçka nga shpallja jote!” Tulejha iu përgjigj:”Mollën me ta dhënë ne, falju Zotit dhe rehat bie…” Pra ishin fjalë koti. Burri i tha:”Për Zotin unë e di se ti je gënjeshtar, por një gënjeshtar nga mesi ynë, është më i mirë sesa një profet i vërtetë nga mesi i kurejshëve.”

Gjatë jetës së tij, njeriut i ndodh që në konflikte të caktuara dhe mospajtime me njerëzit, të insistojnë në gabim, edhe pse e di sepse është gabim, por refuzon inferioritetin. Ka nëna që insistojnë në refuzimin e tyre për të dhënë pëlqimin për martesën e djalit apo vajzës së saj, edhe pse e dinë se pala tjetër është e përshtatshme, por për shkak se ka thënë jo në fillim nuk heqin dorë.

Është e rëndë që ta shohësh dhe ta dish nga është e vërteta, e pastaj të zgjedhësh rrugë të kundërt. “Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija.” (Bekare, 205)

Thjesht se nuk dëshiron ti ulet hunda, thjesht sepse filani është i afërmi i tij, ai mban anën e padrejtësisë, ndoshta dëshmon edhe rrejshëm.

  1. Një arsye tjetër e fenomenit të braktisjes masive të islamit ishte dhe koprracia, ku shumë nga myslimanët e rinj deklaruan se nuk e paguajnë zekatin e pasurive të tyre. Koprracia është një nga të këqijat më të mëdha të njerëzimit.
  2. Një arsye tjetër ishte edhe fakti se besimi nuk kishte depërtuar dhe rrënjosur në zemrat e fiseve arabe. Ata ishin të rinj në besimin e ri dhe nuk kishin shumë informacion. Askush nga ata që kishin vite në islam nuk e braktisi atë. Dy tre vitet e fundit të jetë së Profetit a.s, numri i njerëzve që konvertoheshin në islam ishte shumë i madh dhe kapacitetet e myslimanëve për ti mbuluar të gjithë me njerëz të aftë që tu mësojnë fenë, ishin të pamjaftueshme.
  3. Një arsye tjetër ishte se beduinët që jetonin në shkretëtirë i urrenin njerëzit e qytetit.
  4. Pas atyre që shkaktuan dhe nxitën valën e braktisjes së islamit, qëndroni shtete të huaja, si persët dhe bizantët të cilët ishin thyer keq nga myslimanët. Suxhah, ishte një grua e cila pretendonte se është profete. Vetëm pasi vizitoi vendet e persisë ajo deklaroi se ishte profete.

Ndoshta, përbrenda ti po zien nga meraku dhe inati. A nuk do të ishte më mirë sikur të mos kishin ndodhur të gjitha këto? A nuk do të ishte më mirë që fiset ti kishin qëndruar besnike islamit? A nuk do të ishte më mirë që të mos kishte profetë të rremë? A nuk do të ishte më mirë që gjërat të kishin vajtur vaj?

Zoti në Kuran na thotë:”Mund ti urreni ca gjëra, por që ato mund të jenë në favorin tuaj”. Po ta studiojmë me kujdes braktisjen e islamit nga ana e fiseve arabe, do të kuptojmë që kjo ka qenë në interesin e myslimanëve. Në fund të fundit, feja është e Zotit dhe Ai është Garantuesi i saj. Gjithçka që ndodh në univers, ka një urtësi.

Një nga efeket pozitive të luftrave që mysimanët zhvilluan në këtë kohë me fiset arabe, ishte se ata dolën më të fortë. Ishin pikërisht këto luftra ato që i kalitën myslimanët dhe i aftësuan për tu përballur me persët dhe bizantët më pas.

Një efekt pozitiv i braktisjes së islamit nga fiset arabe, ishte se pas vdekjes së Profetit a.s, myslimanët filluan të demoralizohen. Vdekja e Profetit a.s ishte një ngjarje shumë e rëndë për ta. Braktisja e islamit nga fiset arabe, i bëri myslimanët që ta shkëpusin vëmendjen nga vdekja e Profetit a.s për tu fokusuar tek rikthimi i njerëzve në islam. Pas vdekjes së Profetit a.s, hazreti Othmani nuk qëndronte dot nëkëmbë, kurse Aliu shkonte nga ta çojnë njerëzit, pa ditur ku shkon, sakaq Omeri thoshte se kërkoja një vend ku të qaja i vetëm për vdekjen e Profetit a.s.

Një efekt tjetër pozitiv ishte se këto luftra unifikuan rreshtat mes myslimanëve.

Njerëzit i ngjajnë ujit, përderisa janë në lëvizje dhe aktivitet, janë produktivë, e kur të dembelosen prishen. Nëse gjithçka do të rridhte ujë për myslimanët, gjërat do të vinin në rënie. Vetëm falë dialektikës shfaqen gjenitë, strategët, kolosët, të diturit etj…

Braktisja e islamit nga shumica e fiseve arabe ishte një ngjarje shumë e rëndë për myslimanët.

Omeri, duke parë gjendjen e nderë nga njëra anë dhe vendosmërinë e Ebu Bekrit për ti kthyer këto fise në islam sërish, i tha:”O Ebu Bekr! Le të luftojmë vetëm ata që e kanë braktisur totalisht islamin, sakaq ata që thjesht refuzojnë pagimin e zekatit s’kemi përse ti luftojmë!”

Përgjigja e Ebu Bekrit ishte shumë e prerë:”O Omer! A trim para islamit e frikacat në islam?! Pasha Zotin sikur të refuzojnë të paguajnë një copë litar të cilin ia paguanin më parë të dërguarit të Zotit, do i luftoja për atë copë litar!”

Ka njerëz të cilët kur shohin se fatkeqësitë dhe vështirësitë fillojnë ta rrethojnë nga të katër anët, dorëzohen dhe demoralizohen, duke hequr dorë nga gjithçka. Por Ebu Bekri nuk ishte prej tyre dhe besimtari nuk ka përse të jetë prej tyre.

Ebu Bekri nisi njëmbëdhjetë ushtri për tu përballur me kundërshtarët në të gjithë gadishullin arabik. Ushtria e parë nën komandën e Halid ibnul Velid u nis drejt fisit Buzaha, ku ndodhej profeti i rremë Tulejha elEsedij. Ai kishte nën komandën e tij katër mijë trupa, ndërkohë që armiku kishte shtatë mijë luftëtarë. Pasi të mbaronte punë me fisin Buzaha, do të shkonte tek Malik ibnu Nuvejra dhe më pas do luftonte Musejleme elKedhab në Jemame. Këto ishin tre detyrat më të rëndësishme që Ebu Bekri i besonte Halid ibnul Velidit.

Komandanti i ushtrisë së dytë ishte Ikrime ibnu ebi Xhehl, i cili bashkë me trupat e tij do të shërbente si rezervë për ti ardhur në ndihmë ushtrisë së Halidit, kur të mbërrinte në Jemame tek Musejleme elKedhab. Ushtria e tij do të priste derisa të vinte Halidi dhe mandej do i bashkangjitej ushtrisë së tij. Duke e lënë Ikrimen dhe trupat e tij pranë Jemames, ai nuk i linte shans Musejleme elKedhab që të niset me ushtrinë e tij drejt Medines.

Tulejha elEsedij

Tulejha elEsedij kishte deklaruar se ishte profet. Ai kishte një urrejtje shumë të madhe karshi myslimanëve. Ai ishte orvatur tre herë ti luftojë myslimanët. Herën e parë pas betejës së Uhudit, ku u përgatit për të nisur një ushtri kundër myslimanëve. Me ta dëgjuar këtë lajm, Profeti a.s nisi 150 kalorës të cilët i befasuan në fisin e tyre dhe vranë shumë burra. Herën e dytë ai mori pjesë me luftëtarë në betejën e Hendekut, bashkë me idhujtarët mekas.  Herën e tretë ai me trupat e tij u rreshtua me hebrenjtë e Hajberit kundër myslimanëve.

Ai filloi të pretendojë profetësinë në dy tre ditët e fundit të jetës së Profetit a.s. Pasi Profeti a.s ndërroi jetë, u tha njerëzve se Zoti nuk ka nevojë që të vëmë ballin në pluhur, por mund të falemi në këmbë pa u përulur fare. Ai u thoshte njerëzve se këtë ia kishte shpallur Xhibrili a.s pas vdekjes së profetit Muhamed a.s. Tufejlit dhe fisit të tij, iu bashkangjitën dhe dy fise të tjera,  Gatafan dhe Taj.

Kur Halid ibnul Velid u afrua pranë tokave të Tulejha elEsedij, i doli para Adij ibnu Hatim Taij dhe i kërkoi që të bisedojë fillimisht me njerëzit e fisit të tij me shpresë se mos i bind që të heqin dorë nga Tulejha. Halidi i thotë se ka frikë se kjo do e vonojë, por Adij insistoi. Atëherë Halidi e priti. Adij vajti dhe bisedoi me njerëzit e tij dhe ata të gjithë iu bindën dhe iu kthyen islamit. Të gjithë luftëarët e fisit Taj iu bashkangjitën ushtrisë së Halidit. Adij bisedoi edhe me burra nga fisa të tjerë dhe i bindi edhe ata ti bashkohen ushtrisë myslimane. Kështu, ushtria e Halid u shtua me dy mijë trupa të tjerë. Ushtria e Halidit arriti në  gjashtë mijë trupa, kurse ajo e Tulejha shtatë mijë.

Para beteje, Halid u foli luftëtarëve myslimanë dhe ua ngriti moralin, gjë të cilën e bënte para çdo beteje. Ai u foli për Profetin a.s dhe për amanetin e tij që duhej çuar në vend.

Në anën e Tulejha elEsedij, kishte dalë edhe një burrë që njihej me emrin Ujejne ibnu Hisn, por që Profeti a.s e thërriste gjithmonë si el’ahmek elmuta (budallai i bindur). Ai ishte kryetar fisi dhe njerëzit e tij ia dëgjonin fjalën, edhe pse ishte i lehtë nga mendja.

Tulejha, e ndjen se ushtria myslimane prevalonte ndaj ushtrisë së tij, aq më tepër që komandant ishte Halid ibnul Velid, prandaj dhe u frikësua. Kur u afrua pranë ushtrisë së Halidit, i tha njerëzve të tij:”Unë do të pres këtu sa të më vijë Xhibrili, kurse ju vazhdoni rrugën! Komandanti i të gjithëve ju do të jetë Ujejne!”

Ujejne, si mendjelehtë që ishte e besoi dhe i hyri vetja në qejf. Dy ushtritë u vunë përballë njëra-tjetrës dhe lufta filloi. Që në fillim myslimanët i vunë para idhujtarët dhe i shpartalluan. Ujejne ia mbathi me të katra dhe kur arriti tek Tulejha e pyeti:”Hë, atë erdhi Xhibrili?” Ai iu përgjigj:”Jo, akoma, por do të vijë.” Ujejne u kthye prapë në sheshin e betejës, por shumë shpejt ia dha vrapit që andej dhe u kthye tek Tulejha, të cilin e pyeti:”Mos e pafsh me sy tët atë! A të erdhi Xhibrili tani?” Tulejha iu përgjigj:”Jo bre, akoma s’ka ardhur.” “Po si është e mundur?” e pyeti Ujejne. “Ja që nuk ka ardhur!” iu përgjigj Tulejha. Ujejne u kthye sërish në sheshin e betejës, por sërish ia mbathi dhe u kthye tek Tulejha të cilin e pyeti sërish:”Hë, po tani erdhi?” Ai iu përgjigj:”Po erdhi.” Ujejne e pyeti:”Po çfarë të tha?” Tulejha iu përgjigj:”Më tha që kush mundet të hipë në kalin e vet dhe të shpëtojë kokën e familjen e tij, le ta bëjë sa më shpejt!” Pastaj Tulejha i hipi kalit të vet bashkë me gruan dhe ia mbathën me të katra. Ujejne e kuptoi se Tulejha ishte gënjeshtar dhe u thirri burrave të tij:”O njerëz, ai qenka gënjeshtar!”

Sakaq Tulejha elEsedij nuk e ndali vrapin derisa arriti në kufijtë e Sirisë. Atje ai qëndroi një vit të plotë. Gjatë qëndrimit atje, dëgjoi se i gjithë gadishulli arabik i ishte kthyer islamit, se edhe fisi i tij kishte pranuar islamin dhe se situata ishte stabilizuar. Kjo e bëri që ta marrë malli për vendlindjen dhe të fillojë të mendoj të kthehet dhe ashtu bëri. Edhe pse i vinte shumë zor ngaqë kishte pretenduar se ishte profet, u kthye dhe dëshmoi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s ishte i dërguari i Tij. Kalifi Ebu Bekr e pranoi si mysliman, edhe pse me zemër të thyer. Mandej, Tulejha bëri një vizitë në Qabe, gjë e cila mesa duket la gjurmë të thella në ndërgjegjen e tij. Kur erdhi Omer ibnul Hatabi si kalif i myslimanëve, i kërkoi leje që ti bashkëngjitet ushtrisë myslimane që nisej për në Irak dhe ai e lejoi. Ai mori pjesë në betejën Nehavend, u bë dëshmitar i marrjes së Irakut dhe mbeti atje dëshmor.

Kaq i madh qenka rahmeti jot o Zot, saqë edhe njerëz të cilët kanë pretenduar profetësinë, i mëshiron dhe i afron tek vetja?! Edhe një njeri që ka luftuar profetin Tënd o Zot e pranon kur kthehet në rrugë të drejtë?! Edhe një njeri qëështë shtirur si profet e fal dhe e mëshiron?!

Ata njerëz që kanë konsumuar alkolin, le ta dijnë se rahmeti i Zotit është i pafund. Ata njerëz që janë zhytur në gjynahe, ta dinë se kurdo të trokasin në portët e Zotit, do e gjejnë atë të hapur. Nuk ke përse të kesh dyshime nëse Zoti të pranon apo jo, Ai pranoi Tulejha elEsedij dhe e gradoi edhe si dëshmor!

“Zoti s’ka përse u ndëshkon nëse falënderoni dhe besoni”. (Kuran)

Rasti i Tulejha elEsedij mbush me shpresë zemrën e çdo gjynahqari, çfarëdo të ketë bërë. Ti vëlla dhe motër që keni vite të tëra larg Zotit; ti që ke gjithë jetën pa u falur; ti që ke bërë e ke bërë; Kurrë mos e humb shpresën nga rahmeti i Zotit! Kurrë mos kij dyshime nëse Zoti të fal dhe të pranon!

Pasi ushtria e Halidit e shpartalloi ushtrinë kundërshtare, ata zunë rob edhe Ujejne ibnu Hisn, të cilin Profeti a.s e thërriste si budallai i bindur. Kur e dërgun në Medine, fëmijët që e shihnin i thërrisnin:”Armik i Zotit, armik i Zotit! Ky mohoi Zotin pas  besimit!” Ujejne ua kthente:”Unë nuk besova që të mohoj!”

Por kur e dërguan para Ebu Bekrit, u frikësua dhe i tha:”Më fal o pasuesi i të dërguarit të Zotit! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi ishte i dërguari i Tij.”

Që atëherë, kushdo që e takonte e shihte duke adhuruar Zotin derisa ndërroi jetë.

O Zot, si mund ta humbasin shpresën tek rahmeti jot, kur lexojmë shembuj dhe raste si këta më lart?!

Kushdo që kërkon të pendohet tek Zoti për të shkuarën e tij, duhet të plotësojë tre kritere: Të bëhet pishman dhe të pendohet për gjithçka që ka bërë gabim në të shkuarën, të heqë dorë nga gjynahet në moment dhe të jetë i vendosur për të mos iu kthyer më kurrë.

Pendohu në këto momente o vëlla dhe oj motër! Ku i dihet, ndoshta është ky pendim i momentit ai që të ngre kushedi sa gradë tek Zoti dhe e mbyll jetën me punë të mira!

Halidi qëndroi tre javë në rrethinat e fisit Buzaha derisa vuri rendin në atë rajon. Mandej, ai nisi marshimin drejt fiseve të tjera të rebeluara. Gjatë rrugës për tek Malik ibnu Nuvejre, ushtarët nga qyteti i Medines, i thanë Halidit:”Kalifi Ebu Bekr na ka urdhëruar që pasi të shuajmë revoltën e Tulejhas të presim derisa të na vijnë lajme të reja prej tij, prandaj ne nuk vazhdojmë më tej derisa të na vijnë urdhëra nga Ebu Bekri!” Kjo sepse këta nuk dinin gjë se kalifi Ebu Bekr e kishte ngarkuar Halidin me tre misione dhe jo vetëm një.

Halidi i pyeti:”A s’më thoni, nëse vijnë urdhëra të reja, do u vijnë juve apo mua? Kush është komandanti i ushtrisë, unë apo ju? Nëse Ebu Bekri u ka thënë këtë gjë juve, komandantit tuaj i ka thënë diçka tjetër. Ai më ka urdhëruar që të bëjmë përpara. Por edhe sikur të mos më kishte urdhëruar, nëse do mëofrohej një shans i vyer s’kam përse të heq dorë!” Mandej u tha:”Bëni çfarë të doni, por unë dhe myslimanët mekas (muhaxhirët) do të vazhdojmë.”

Ata iu përgjigjën:”Për Zotin nuk pranojmë që ta humbasim këtë shans.” dhe vazhduan rrugën.

Malik ibnu Nuvejra nuk pretendonte profetësinë, por me të vdekur Profeti a.s kishte refuzuar të paguajë zekatin. Ai ishte njeri me shumë ndikim tek njerëzit e tij Benu Temim. Pasi dëgjon se çfarë i kishte ngjarë ushtrisë së Tulejha elEsedij, Malik ibnu Nuvejra mbledh njerëzit e vet, u merr zekatin dhe ia nis Halidit akoma pa mbërritur ky i fundit. Mandej u kërkoi njerëzve të tij që të shpërndahen në të katër anët dhe mos qëndronin në vendbanimet e tyre. Logjika e Halidit ishte logjika e një ushtaraku të thekur. Edhe pse u kishin dërguar zekatin, ai vazhdoi rrugëtimin drejt tyre, pasi mendoi se mund të jetë hile, për tu rënë pas shpine më pas. Me të mbërritur Halidi dhe ushtria e tij u tha ushtarëve që ti ndjekin kudo që ti gjejnë. Ushtarët u shpërndanë dhe sollën shumë njerëz, mes tyre edhe vetë Malik ibnu Nuvejra. Ai u ul me ta duke biseduar dhe ndjeu që e gjitha ishte një hile për ti shpëtuar ushtrisë myslimane, por jo nga bindja për islamin. Ajo që ngjet më pas, është se Halidi i urdhëron rojet që ti vrasin të gjithë burrat e zënë robër. Veç kësaj, Halid ndërmerr dhe një hap tjetër të çuditshëm, martohet edhe me gruan e ve tashmë të Malik ibnu Nuvejra.

Nuk ka komandant ushtarak në histori veçse ka momente në të cilat ka dalë nga natyra e tij dhe ka rrëshqitur në faj. Orientalistët i kanë mbledhur gabime të tilla të Halid ibnul Velid dhe me tu përmendur emri i tij nxjerrin këto ngjarje duke u orvatur ta portretizojnë vetëm nëpërmjet tyre. Kriteri vlerësues i njerëzve nuk janë vetëm gabimet e tyre, as vetëm të mirat e tyre.

Megjithatë, kur lajmi vajti në Medine tek kalifi Ebu Bekër, ai u zemërua shumë. Më shumë sesa vetë Ebu Bekri u mërzit Omer ibnul Hatabi, i cili i kërkoi që ta shkarkojë menjëherë nga komanda e ushtrisë. “Shkarkoje menjëherë! A e sheh çfarë ka bërë?!” Por Ebu Bekri iu përgjigj:”O Omer! Ai ka bërë një interpretim dhe ka gabuar, por nu ke shkarkoj!” Omeri vazhdoi të insistojë, derisa Ebu Bekri i tha:”Omer! Mos e përmend më Halidin! Unë nuk e fus në këllëf një shpatë të cilën vetë Zoti e nxori kundër rebelëve qafira!” Atëherë Omeri heshti dhe nuk foli.

Halidi i shërbente të mirës me aftësitë e tij ushtarake, ndërkohë që ti mund ti shërbesh të mirës me fjalën tënde tëëmbël, me moralin tënd, me veprat e tua humane, me edukatën tënde në rrugë dhe kudo.

 

Beteja e Jemames

Për në Jemame ku ndodhej Musejleme elKedhab ishin nisur tre ushtri; Ushtria e Ikrime ibnu ebi Xhehlit me dy mijë trupa e cila priste në rrethinat e Jemames; Ushtria e Halid ibnul Velidit e cila u nis drejt Jemames pasi i dha fund revoltës së Tulejha elEsedij etj.. dhe e treta ushtria e Sherahbil ibnu Hasene e cila ndodhej mes ushtrisë së Ikrimes dhe asaj të Halid ibnul Velidit.

Ikrime ibnu ebi Xhehl i kishin mbërritur lajmet e fitoreve të njëpasnjëshme të Halidit, gjë e cila e bënte të mos e mbajë vendi, pasi deri në këtë kohë ai kishte qenë totalisht i çaktivizuar dhe i papërfshirë në gjithçka që ndodhte. Ai donte patjetër që të ketë një rol vendimtar në këtë mision. Problemi i tij ishte se kishte një të shkuar të zezë me profetin Muhamed a.s dhe myslimanët, prandaj dhe donte që atë të shkuar ta zbardhë me kontribut real. Veç të shkuarës të vet ai ishte dhe djali i Ebu Xhehlit, njërit prej armiqve më të ashpër të profetit Muhamed a.s dhe myslimanëve. Ai donte të japë një kontribut me të cilin ti tregojë myslimanëve se identifikohej me fenë e re dhe jo me të shkuarën e errët të tij.

Të gjithë këto faktorë e shtynë Ikrimen që ti drejtohet ushtrisë së Musejleme elKedhab, ushtri e cila kishte dyzet mijë trupa, pasi fisi Benu Hanife ishin fis shumë i madh, mbi njëqind mijë frymë. Ikrime nuk e përmbajti dot veten dhe u fut me ushtrinë në luftë me Musejlemen, ku u shpartallua keq. Lajmi i mbërriti Ebu Bekrit i cili i shkroi i zemëruar:”O  bir i nënës tënde (kur arabët i drejtohen njëri-tjetrin në këtë formë bëhet për ti fyer sh.p)! Mos u kthe në Medine se do i demoralizosh njerëzit! Largohu nga Jemame dhe nisu drejt Omanit!”

Ushtria e Ikrimes përbëhej nga dy mijë luftëtarë dhe, edhe pse e humbën betejën, kronikasit tregojnë se ka qenë një ndër betejat më të ashpra për myslimanët, pasi kanë luftuar me mish e me shpirt. Nëse ushtria e mbetur dhe e thyer do të kthehej në Medine, kjo do ndikonte në rënien e moralit të myslimaëve atje, prandaj dhe Ebu Bekri e urdhëroi të nisej drejt Omanit.

Tashmë ushtria e radhës në rrethinat e Jemames ishte ajo e Shurahbil ibnu  Hasene. Ebu Bekri i dërgoi një letër në të cilën i thoshte:”Mos sulmo derisa të të vijë urdhëri prej meje!”

Sherahbil ibnu Hasene filloi të afrohej me kufijtë e Jemames. Duhet të kemi parasysh se pretendimi i Musejleme elKedhab (gënjeshtari) se ishte profet, ishte një provokim shumë i madh për myslimanët. Atyre sapo u kishte vdekur profeti Muhamed a.s, të cilin e donin më shumë sesa vetet dhe familjet e tyre dhe ky pretendim i provokonte rëndë. Ai kishte dërguar njerëzit e vet brenda Jemames të cilët i sillnin lajme nga brenda. Lajmet që i vinin kishin të bëjnë me pretendimet e Musejlemes, të tilla si: Xhibrili më ka ardhur dhe më ka shpallur këtë e atë….” Kjo bëri që edhe Sherhabil ibnu Hasene të mos e përmbajë veten, por të turret bashkë me ushtrinë e tij për të luftuar Musejleme elKedhab. Edhe atij i ndodhi e njëjta tragjedi që i ndodhi Ikrime ibnu ebi Xhehlit dhe u thye keq nga ushtria kundërshtare. Urdhërat nga ana e kalifit Ebu Bekr ishin të qarta, ama mos të harrojmë se të dyve u ndodhi kjo nga dashuria e madhe për islamin dhe Profetin a.s. Po ishte gabim, por kishte një arsye. Ngjarje të tilla na shërbejnë për të nxjerrë mësim. Është bukur ta duash fenë, Zotin dhe Profetin a.s, por kjo nuk ka përse të na çojë në eufori dhe të humbasin arsyen e logjikën. Prej nesh kërkohet që të kontribuojmë në përhapjen e islamit, por duke u bazuar në vlera dhe logjikë. Sot na duhen të rinj e të reja të suksesshëm në studimet e tyre, jo të tillë që çdo vit ngecin në shumicën e lëndëve. Duam të rinj të suksesshëm në profesionet e tyre, por edhe në familje. Na duhen besimtarë zelli i të cilëve kanalizohet pozitivisht dhe në shërbim të shoqërisë.

Kur Halid ibnul Velidi mbërriti pa që dy ushtritë myslimane ishin thyer keq.

Kush ishte Musejleme elKedhab?

Musejleme elKedhab ishte njeri problematik që në kohën kur ishte gjallë profeti Muhamed a.s. Ai e kishte pretenduar profetësinë që gjatë jetës së Profetit a.s. Në vitet e fundit të jetës së Profetit a.s, delegacione dhe përfaqësues të shumtë fisesh arabe vinin në Medine ku përqafonin islamin në prezencën e vetë Profetit a.s. Mes tyre ishte dhe fisi Benu Hanife, të cilët vajtën në Medine dhe Profeti a.s i futi në xhami ku do të deklaronin se i përkisnin islamit tashmë. Të gjithë hynë në xhami përveç njërit prej tyre, i cili refuzoi. Po kush ishte ai? Vetë Musejleme elKedhab. Kur i thanë që të hyjë në xhami, ai qe shprehur:”Unë e ndjek rrugën e tij (Profetit Muhamed a.s) me kusht që të jem unë mbreti i myslimanëve pas tij!” Këto fjalë ia përcollën Profetit a.s dhe ai duke treguar një filiz që mbante në dorë u tha:”Pasha Zotin, sikur të më kërkonte edhe këtë filiz nuk do ia jepja!” Mandej Profeti a.s u tha të pranishmëve:”Imazhin e këtij personi e kam parë në ëndërr!” Myslimanët e pyetën:”Si e ke parë o i dërguar i Zotit?” Profeti a.s u tha:”Pashë në ëndërr sikur mbaja në kyçin e dorëz dy byzylykë floriri, gjë e cila më shqetësoi. Pastaj i fryva dhe të dy fluturuan.” Dikush e pyeti:”Po si e interpreton këtë ëndërr o i dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj:”Interpretimi im është që dy gënjeshtarë do të pretendojnë profetësinë ndërkohë që unë jam gjallë.” Këta të dy ishin Tulejha elEsedij dhe Musejleme elKedhab.

Pasi fisi Benu Hanife u kthye në tokat e tyre, Musejleme i dërgon Profetit Muhamed a.s një letër në të cilën i shkruante:”Nga Musejleme i dërguari i Zotit, drejtuar Muhamedit të dërguarit të Zotit! Mua më kanë bërë pjesë të misionit tënd profetik (pra edhe mua më ka ardhur Xhibrili). Mua më është premtuar gjysma e tokës, ndërkohë që ty të takon gjysma tjetër. Por ju kurejshët nuk e njihni drejtësinë (kërkon të marrësh të gjithë tokën për vete).”

Nga të gjitha këto ngjarje, kupton mllefin dhe padurimin e dy ushtrive myslimane të Ikrimes dhe Sherhabilit.

Profeti Muhamed a.s i ktheu një përgjigje të cilën ia dërgoi me Habib ibnu Zejd, djalin e Umu Amare, e cila e pati mbrotjur Profetin a.s gjatë betejës së Uhudit. Musejleme e mori letrën e profetit Muhamed a.s dhe lexoi:”Nga Muhamedi i dërguari i Zotit, drejtuar Musejleme elKedhab (gënjeshtarit).” Ishtë Profeti a.s ai që e thirri me nofkën “gënjeshtari” personi i parë, nofkë e cila e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe që do e shoqërojë emrin e tij deri ditën e Kiametit. Ruhu nga e keqja që bën sepse mund të të ngjitet si mastiç gjithë jetën, por edhe pas vdekjes.

Më poshtë, Profeti a.s i thoshte:”Toka është e Zotit (as e imja dhe as e jotja) dhe Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Tij. Fundi i lumtur u përket të devotshmëve.”

Kur i lexoi këto fjalë Musejleme u nervozua dhe iu drejtua Habib ibnu Zejdit me fjalët:”Po ti, a dëshmon se Muhamedi është i dërguari i Zotit?” Habib u përgjigj:”Po, dëshmoj se ai është i dërguari i Zotit.” Musejleme e pyeti sërish:”Po a dëshmon se unë jam i dërguari i Zotit?” Habib iu përgjigj:”Jam i shurdhër dhe nuk dëgjoj.”

Musejleme kërkoi të vijë xhelati me shpatën në dorë dhe ai erdhi. Mandej iu drejtua përsëri Habib ibnu Zejdit:”A dëshmon se Muhamedi është i dërguari i Zotit?” Habib u përgjigj:”Po, dëshmoj se ai është i dërguari i Zotit.” Musejleme e pyeti sërish:”Po a dëshmon se unë jam i dërguari i Zotit?” Habib iu përgjigj përsëri:”Jam i shurdhër dhe nuk dëgjoj.”

Atëherë Musejleme urdhëroi xhelatin e tij që ti presë Habibit dorën e djashtë dhe ai e çoi urdhërin në vend. Xhelati ia preu dorën dhe e hodhi para Habib. Mandej Musejleme e pyeti:”A dëshmon se Muhamedi është i dërguari i Zotit?” Habib u përgjigj:”Po, dëshmoj se ai është i dërguari i Zotit.” Musejleme e pyeti sërish:”Po a dëshmon se unë jam i dërguari i Zotit?” Habib iu përgjigj:”Jam i shurdhër dhe nuk dëgjoj.”

Musejleme urdhëroi që tani ti pritej dora e majtë dhe xhelati ia preu edhe dorën e majtë. Mandej, Musejleme e pyeti:”A dëshmon se Muhamedi është i dërguari i Zotit?” Habib u përgjigj:”Po, dëshmoj se ai është i dërguari i Zotit.” Musejleme e pyeti sërish:”Po a dëshmon se unë jam i dërguari i Zotit?” Habib iu përgjigj:”Jam i shurdhër dhe nuk dëgjoj.”

Habib ibnu Zejd qëndroi derisa Musejleme e vrau nga inati. Habib ishte djali i Umu Amare, e cila kishte duruar kushedi sa shpata në supin e saj teksa mbronte Profetin a.s nga goditet e idhujtarëve.  Asaj i ishte dashur një vit i plotë që ti shërohet supi, madje i ishte formuar një gropë në sup, gropë e  cila zinte një grusht burri.

Sigurisht që të gjitha këto ndodhi dhe ngjarje tragjike ishin skalitur në mendjet e ushtarëve myslimanë që qëndroni në rrethinat e Jemames. Të gjithë këto ishin faktorë që e shtynë Ikrime ibnu ebi Xhehlin dhe më pas Sherhabil ibnu Hasene që ti sulmojnë.

Pas vdekjes së profetit Muhamed a.s, fisi Benu Hanife braktisi islamin dhe ndoqi Musejleme el-Kedhab.

Kur dëgjoi ushtria e Musejleme elKedhab ardhjen e Halid ibnul Velid, vendosi që të dalë jashtë kështjellave. Ushtria e Musejlemes ishte dyzet mijë trupa, ndërkohë që ushtria e Halid ibnul Velid trembëdhjetë mijë trupa. Kështu, i binte që një mysliman të luftonte me më shumë se persona nga fisi Benu Hanife. Këto luftra i stërvitën dhe kalitën myslimanët për luftrat që i prisnin me persët dhe bizantët më vonë.

Një natë para betejës, Halidi urdhëroi të gjithë ushtarët dhe u tha:”Mos shoh askënd prej jush veçse duke përmendur Zotin ose duke u lutur e duke u falur!” Nëse doni që të fitoni kundër armikut, adhuroni Zotin dhe furnizohuni me ushqim shpirtëror!

Gjatë luftrave të tij më kryqtarët, Salahudin kontrollonte çadrat e ushtarëve të tij natën. Kur shihte që brenda çadrës ushtarët po faleshin dhe luteshin, thoshte:”Prej këtyre vjen fitorja!” Kur kalonte pranë një çadre ku ushtarët luanin dhe bënin humor, thoshte:”Prej këtu vjen humbja!”

Dilni rrugëve të qyteteve tona, shihni vendet ku grumbullohen të rinjtë dhe shihni ngacmimet e vajzave rrugës që të kuptoni përse umeti jonë është në këtë gjendje të nderë sot.

Një natë para betejës me ushtrinë e Musejlemes, e gjithë ushtria myslimane ishte e zhytur në adhurim dhe përgjërim; kush lutej, kush lexonte Kuran, kush përmendte Zotin, kush falej…

Të nesërmen, Halidi e kishte organizuar ushtrinë në këtë formë: Komandën e krahut të djathtë ia kishte besuar Zejd ibnul Hatabit, vëllait të hazreti Omerit. Komandën e krahut të majtë ia kishte besuar Ebu Hudhejfes, njërit nga shokët e Profetit a.s. Kurse komandën e qendrës e mbajti për vete.

Në ushtrinë myslimane ndodhej edhe Umu Umare, e cila donte të arrijë deri tek Musejleme elKedhab i cili i kishte vrarë të birin, Zejdin.

Në ushtrinë myslimane ndodhej edhe Vahshi, i cili kishte vrarë xhaxhain e Profetit a.s, Hamzanë, dhe donte të shlyejë fajin.

Në ushtri ndodhej edhe Abdullah ibnu Omer, djali i hazreti Omerit.

Në ushtri ndodhej edhe Salim meula Hudhejfe, për të cilin Omeri pati thënë para se të vdesë:”Po të ishte Salim gjallë do ia kisha besuar atij lidershpin politik.”

Në këtë ushtri ndodhej edhe Ebu Duxhane, i cili e kishte mbular Profetin a.s me trupin e tij në Uhud, me qëllim që ta mbrojë nga shigjetat. Dëshmitarët që e kanë parë tregonin se trupi i tij u mbush me shigjeta si të ishte një iriq.

Në ushtri gjendej dhe Abdurrahman ibn Ebu Bekr, i cili do të vrasë një nga komandantët e rëndësishëm të Benu Hanife.

Në ushtrinë myslimane ndodhej edhe Muavije ibnu ebi Sufjan.

 

Beteja

Para se të nisë beteja, Halidi u thirri ushtarëve:”O njerëz, lexoni sa më shumë Kuran!”

Filloi beteja mes dy ushtrive. Që në fillim, ushtria e Musejleme elKedhab ishte superiore. Ushtarët e tij depërtuan deri në thellësi të ushtrisë myslimane duke vrarë shumë prej tyre. Një pjesë e ushtrisë myslimane, nën presionin e kundërshtarëve, filloi të tërhiqej në mënyrë të ngadaltë. Ushtarët e Musejleme elKedhab depërtuan deri tek çadra e Halid ibnul Velid.

Para se të fillojë beteja, informatorët e ushtrisë myslimane kishin zënë rob krahun e djathtë të Musejleme elKedhab dhe njëkohësisht komandantin e tij më të mirë të ushtrisë. Emri i tij ishte Muxha’a ibnu Murare, i cili zihet rob bashkë me disa burra të tjerë nga ushtarët myslimanë. Halidi i kishte urdhëruar ushtarët që ti vrasin burrat e tjerë, ndërkohë që Muxha’an kishte kërkuar ta lidhin por mos e vrasin. Ai e kishte lidhur dhe e kishte lënë në çadrën e tij, nën kujdesin e gruas së vet Lejlës, ish gruas së Malik ibnu Nuvejra.

Ushtarët e Musejlemes arrijnë deri tek çadra e Halidit dhe e grisin pëlhurën e saj me shpata. Brenda gjejnë Lejlën, të shoqen e Halidit dhe Muxha’an të lidhur. Disa u turrën ta marrin Lejlën, por Muxha’a u tha:”Jo, lëreni atë se ishte grua zonjë! Shkoni dhe kapni  burrat!” Ngaqë ajo i kishte shërbyer dhe nuk e kishte ofenduar dhe keqtrajtuar. A e shihni si i trajtonin robërit e luftës?!

Ushtarët u çuditën nga mbrojtja që i bëri Muxha’a zonjës së Halidit, prandaj dhe e harruan aty pa e zgjidhur dhe rendën pas ushtarëve myslimanë.

Ushtria myslimane dukej në kaos dhe rrëmujë të plotë, nuk e merrte vesh i pari të dytin. Në këtë gjendje, Halid ibnul Velid na tregon edhe një herë gjenialitetin e tij. Ai e kuptoi që ndarja e ushtrisë kishte qenë e gabuar, prandaj i duhej ta riorganizojë ushtrinë sërish. Ai u thirri me sa fuqi kishte ushtarëve të tij dhe u tha:”O njerëz! Diferencohuni që ta kuptojnë nga na vjen humbja!” Me këtë fjalë, ai nënkuptonte që secili të radhitet me njerëzit e tij më të afërt sipas fiseve dhe qyteteve nga vinin.

Menjëherë banorët e Medines filluan të grumbullohen në një vend, muhaxhirët (banorët e Mekës) u grumbulluan në një vend tjetër dhe fiset filluan të mblidhen njëri pas tjetrit. Që në momentin që tha këto fjalë, beteja fillon të marrë rrjedhë tjetër. Për një kohë rekord ushtria myslimane u riorganizua dhe luftëtarët u rreshtuan sipas fisit dhe vendit nga vinin. Komandantët ishin po ata që ishin caktuar në fillim, kurse luftëtarët u rreshtuan sipas fiseve.

Me të parë riorganizimin e ushtrisë, Halidi hyri mes tyre dhe filloi të thërrasë me zë të lartë:”Vaj medet për Muhamedin!” Pra tashmë çështja nuk është mes një ushtrie dhe një tjetre, por është çështja e fitores së Profetit tonë ose atij gënjeshtari.

Tregon Abdullah ibnu Omer:”Ndërkohë që unë isha rradhitur pas muhaxhirëve (mekasve) përbri nesh ishin grumbulluar ensarët (medinasit). Pranë meje pashë një burrë të gjakosur dhe me dorën e majtë të paralizuar. Kur dëgjoi dikë që thërriste banorët e Medines, ai u mundua ta kapë shpatën me dorën e djathtë por nuk mundi, pasi e kishte të paralizuar. E kapi me dorën e majtë dhe u orvat të ngrihej, por u shemb përtokë ngaqë nuk e mbanin këmbët. Duke parë se nuk ngrihej dot, ai filloi të ecë këmbadorasi drejt njerëzve të vet.”

E çuditshmja është se këtë e tregon Abdullah ibnu Omer dhe as ai vetë dhe askush pas tij nuk e di emrin e këtij personi. Sot lipsen myslimanë me shpirt, myslimanë që e dashurojnë këtë fe, myslimanë që jetojnë për islamin

Tregon Abdullah ibnu Omer:” I çuditur i fola dhe e pyeta:”Për ku kështu o njeri?” Ai mu përgjigj:”Ti përgjigjem thirrjes!” Unë i thashë:”Po nuk po të thërret ty, por thërret ata që kanë mundësi ti përgjigjen.” Ai u përgjigj:”Jo për Zotin më thërret mua. Kam frikë se ensarët (banorët e Medines) do shpërblehen me xhenet e unë nuk do të jem mes tyre.” Ai vazhdoi të ecë këmbadorasi derisa arriti tek njerëzit e tij.”

Zejd ibnu Hatab, vëllai i Omer ibnul Hatab, u foli njerëzve të tij dhe u tha:”O njerëz, i shtrëngoni dhëmbët dhe luftojeni armikun me mish e me shpirt! Pasha Zotin nga ky moment nuk do të flas as dhe një fjalë derisa të na japë Zoti fitoren ose të dal para Tij dhe të kem çfarë ti them.”

Tregohet se që nga ai moment ai nuk nxorri as dhe një fjalë derisa u vra dëshmor në atë betejë.

Vendi u përgjak, të vrarët ishin me pirgje dhe shpatat e thyera shiheshin ngado. Diku pranë ishte një hendek i cili u mbush me gjak dhe më vonë mori emrin “Hendeku i gjakut!”

Në një moment tjetër shfaqet Amar ibnu Jasir i cili u thërret myslimanëve:”O ju që keni mësuar Kuranin përmendësh! Zbukurojeni Kuranin tuaj me vepra!” Menjëherë drejt tij u turrën të gjithë myslimaët që kishin mësuar Kuranin përmendësh, derisa u grumbulluan një mijë syresh. Tashmë u formua një brigadë tjetër me hafiza.

Nëse ti o vëlla dhe oj motër keni mësuar pjesë nga Kurani, zbukurojeni atë që keni mësuar me vepra të mira, me kontribut dhe mirësi. Sot nuk është kohë luftrash, por është kohësh punësh të mira, është kohë për udhëzim të njerëzve në rrugë të mbarë, është koha e perfeksionimit të produkteve që prodhojmë ne myslimanët, është koha e fokusimit tek edukimi i fëmijëve tanë, është me respektin që duhet të tregojmë me kolegët/koleget e shkollës dhe të punës, me një të ri i cili merret me sport dhe aftësitë e tij sportivi i shoqëron me virtyte të larta.

Menjëherë trupa e hafizëve të Kuranit u turr drejt betejës, ndërkohë që Salim meula Ebu Hudhejfe i motivonte me fjalët:”Sa hafiz i keq jam nëse humbim për shkakun tim!”

Secila trupë që formohej në bazë të identiteteve të ndryshme nxiste luftëtarët e saj që humbja të mos vijë pre tyre. Vetë Halid ibnul Velid kërkonte dyluftim me kundërshtarët dhe në çdo dyluftim ai dilte fitimitar. Gjatë dyluftimeve, Halidi kërkon Musejleme elKedhab për dyluftim dhe ai doli. Halid u kërkoi shokëve të tij që ti mbrojnë krahët, pasi dyshoi për ndonjë kurth. Në një moment, duke ndjerë superioritetin e Halidit ndaj tij dhe se ai mund ta vriste kurdo, Musejleme ia jep vrapit për të shpëtuar kokën. Halidi e la të largohej, pasi kjo ishte një goditje akoma më e rëndë sesa ajo e shpatës; ai që pretendonte se është profet i Zotit ia mbathte me të katra. Menjëherë luftëtarët e Benu Hanife filluan ti thërrasin:”O gënjeshtar! O gënjeshtar!”

Kjo shkaktoi demoralizim të madh në rreshtat e ushtrisë kundërshtare, të cilët humbën shtatë mijë burra atë ditë, ndërkohë që nga myslimanët u vranë pesëqind syresh.

Vetë Musejleme elKedhab, duke parë se gjërat nuk ishin në favorin e tij, u thirri njerëzve të vet:”Drejt fermës, drejt fermës!”

Ata kishin një fermë shumë të madhe të rrethuar me mure të fortifikuar nga të katër anët. Në mes të saj ishte kështjella e Musejlemes dhe përreth kishte bahçe e kopështe të mbjella. Ushtarët e tij ia dhanë vrapit në drejtim të fermës dhe me të hyrë brenda mbyllën portën e madhe. Muslimanët i erdhën rrotull, por nuk gjetën as dhe një mundësi për të depërtuar brenda, pasi muret ishin të fortifikuara dhe ruheshin nga ushtarë.

Në këtë moment del Bera ibnu Malik, një nga heronjtë myslimanë, vëllai i Enes ibnu Malik. Profeti a.s kishte thënë për të:”Ka njerëz me flokë të shpupurosur dhe të pluhurosur, por që nëse i kërkojnë Zotit diçka ua jep. Një prej tyre është edhe Bera ibnu Malik.”

Ai doli para ushtrisë dhe u tha:”Më hidhni brenda mureve që tu hap portën kryesore!” Gjë e cila do të thoshte vdekje e sigurt. Ne shpesh herë mrekullohemi me personazhe kryesore filmash që sakrifikojnë, hidhen e përdridhen, por qënë fakt janë imagjinarë, ndërkohë që ne si myslimanë kemi personazhet tona realë.

Bera e kuptonte se nëse do të silleshin rrotull mureve pa ditur si të hyjnë brenda, morali i ushtarëve do të pësonte rënie, prandaj dhe donte që të hyjnë brenda sa më parë. Ai nuk kishte ndonjë trup muskuloz dhe të stërvitur për artet marciale, por kishte një shpirt luftarak.

Ushtarët i veshën një parzmore të mirë dhe e ngritën lart me heshtat e tyre derisa arriti muret. Me tu ngjitur tek muri, Bera ibnu Malik u hodh brenda dhe ia dha vrapit drejt portës kryesore. Fakti që nuk kishte ushtarë aty përreth dhe fakti që fillimisht nuk e vunë re, do të thotë se askujt nuk i shkonte në mendje se dikush mund të hynte brenda. Disa e vunë re teksa vraponte dhe iu afruan ta vrasin, por ai arriti të vrasë tre prej tyre derisa më në fund arriti tek porta. Me një dorë hapte portën dhe me dorën tjetër luftonte. Ai mori mbi tridhjetë plagë, megjithatë arriti ta hapë portën prej ku vërshuan myslimanët që qëndronin jashtë.

Ushtria e Musejleme elKedhab u gjen e befasuar nga vërshimi i myslimanëve brenda fermës. Thuhet që prej tyre u vranë shtatë mijë persona atë ditë. Menjëherë një njësi ushtarake myslimane filloi të kërkojë Musejleme elKedhab. Një nga ata që e kërkonte ishte Umu Amare, nëna e dëshmorit Habib ibnu Zejd të cilin e kishte vrarë dhe masakruar Musejleme elKedhab. Një person tjetër që e kërkonte me insistim ishte Vahshij, i cili donte të shlyejë gjynahet e tij kundër myslimanëve në Uhud. Ai e la betejën dhe u vu në kërkim të Musejlemes, njëlloj siç kishte vepruar në Uhud me Hamzanë. Një i tretë që e kërkonte me ngulm ishte dhe Ebu Duxhane, i cili kishte një dashuri tepër të madhe për Profetin a.s, saqë në Uhud e kishte mbrojtur me trupin e tij nga shigjetat e shumta.

Të treve iu plotësua dëshira që kishin. Ndërkohë që shpata e Ebu Duxhanes dhe Umu Amares u ngulën në trupin e Musejleme elKedhab, iu ngul dhe heshta e lëshuar nga Vahshij. Në momentin që Ebu Duxhane i nguli shpatën, edhe ai bie dëshmor. Sakaq Vahshij kur e sheh që heshta e tij iu ngul në trup Musejleme elKedhab, thirri:”E vrava siç pata vrarë Hamzanë!” Një grua nga Benu Hanife e cila kishte ndjekur ndodhinë thirri nga një kullë:”E vrau një skllav i zi, e vrau një skllav i zi!” gjë e cila i demoralizoi të gjithë.

Mes dëshmorëve nga radhët e myslimanëve ishte Zejd ibnul Hatab, vëllai i hazreti Omerit dhe komandanti i krahut të djathtë të ushtrisë myslimane. Gjithashtu ishte dhe Ebu Hudhejve, komandanti i krahut të majtë, si dhe Ebu Duxhane.

Vahshij, duke mbajtur heshtë në dorë tha:”Me këtë heshtë, kam vrarë njeriun më të mirë kur isha idhujtar. Po me këtë heshtë kam vrarë njeriun më të lig tani që jam mysliman.”

Halid ibnul Velid i kërkoi ushtrisë që të falënderojnë Zotin për fitoren e arritur. Dëshmorët e rënë nga radhët e ushtrisë myslimane ishin një mijë, ndërkohë që të vrarët nga radhët e ushtrisë së Musejleme elKedhab njëzet e mijë. Në këtë betejë u vranë pesëqind hafizë Kurani, gjë e cila çoi pastaj në unifikimin e një kopje të Kuranit.

Ndërkohë, ndodh diçka e çuditshme. Muxha’a, i cili ishte zënë rob dhe ishte mbajtur i lidhur në çadrën e Halid ibnul Velid, i thotë komandantit mysliman:”Mos u ngut se kështjellat e ke të mbushura me ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë! Këta që vrave dhe të tjerët që ia mbathën janë një pjesë e ushtrisë!” Halid u befasua nga këto fjalë dhe i tha:”I mjeri ti! Çfarë po thua kështu?! Nuk të besoj derisa ti shoh me sytë e mi!” dhe menjëherë u nis drejt kështjellave ku nga larg pikasi burra të veshur me hekur dhe me armë, të gatshëm për tu hedhur në sulm.

Muxha’a i tha:”Por mund tu flas nëse pranon të nënshkruash marrëveshje paqeje!”

Halidi ndjeu se ushtria e tij ishte e lodhur dhe një luftë tjetër mund të kishte rezultat krejt të ndryshëm prandaj dhe kërkoi marrëveshje. Pas bisedimeve të gjata, u nënshkrua një marrëveshje sipas të cilës myslimanët do të lironin të gjithë robërit e zënë dhe do të merrnin të ¼ e pasurive që do të gjenin në kështjella.

Pasi u nënshkrua marrëveshja nga të dy palët, Halidi shkoi tek kështjellat të cilat në fakt i gjeti krejt boshe. Aty kishte vetëm disa gra që ishin veshur me armatime hekuri dhe që nga larg dukeshin si burra. Halidi u befasua nga kjo dhe i tha:”I mjeri ti! Më paske mashtruar!” Muxha’a iu përgjigj:”Nuk kisha rrugë tjetër. Ata janë njerëzit e mi.” Halidi e vlerësoi Muxha’an për këtë akt dhe e respektoi marrëveshjen. Nëse islami dhe këta njerëz do të ishin realisht të etur për gjak, do e kishin shkelur marrëveshjen, do i kishin vrarë të gjithë dhe do ua kishin marrë të gjithë pasuritë.

Halid i tha Muxha’as:”Do e respektojmë marrëveshjen që nënshkruam dhe e vlerësojmë dashurinë tënde për njerëzit e tu.”

Pasi gjërat filluan ti kthehen normalitetit, Halid ibnul Velid i thotë Muxha’as:”O Muxha’a! A ma jep vajzën tënde për grua?” Muxha’a e pyeti:”A me të vërtetë e ke?” Halid iu përgjigj:”Po.” Ai pranoi dhe kështu u martua me vajzën e Muxha’as.

Thuhet që kalifi Ebu Beker dhe Omer u zemëruan shumë me këtë akt martese të Halidit, saqë Ebu Bekri i dërgon dhe një letër të cilën e kërkon për martesën, ndërkohë që trupat e një mijë myslimanëve akoma nuk ishin varrosur plotësisht. Megjithatë, ai nuk e shkarkoi nga detyra e komandantit të ushtrisë.

Me fundin e betejës së Jemames mbarojnë dhe luftrat me fiset rebele në gadishullin arabik

 

Iraku dhe Shami

Me përfundimin e revoltave në mbarë gadishullin arabik, gjërat filluan të stabilizohen për myslimanët. Tashmë emri i Halid ibnul Velid kishte filluar të marrë dhenë dhe të njihet si strateg ushtarak.

Kalifi Ebu Bekr fillon të mendojë rreth Irakut dhe vendeve të Shamit, ku ishin të përqendruara dy supërfuqitë e kohës, Persia dhe Bizanti. Të dy këto ishin perandori shumë të fuqishme, që kishin në zotërim arsenalin më modern të armëve me të cilat asokohe bëheshin luftrat. Ishin perandori që kishin ndërtuar civilizim.

Njerëzit që merren me studimin dhe analizimin e civilizimeve, pohojnë se çdo civilizim, në gjenezën e tij fillon me zell dhe entuziazëm të madh, fillon me energji shpitërore që motivojnë njerëzit, me bindje dhe besim të palëkundur në ideologjinë përkatëse.  Me kalimin e kohës, fillojnë të zhvillohen aspektet e dukshme të civilizimit. Vjen një kohë që fenomenet e dukshme të civilizimit arrijnë kulmin, ndërkohë që aspekti shpirtëror është dobësuar në maksimum. Në këtë pikë, civilizimi fillon rënien e tij.

Ajo që të bën përshtypje tek civilizimi islam është se që prej 1400 vitesh, me gjithë rëniet e njëpasnjëshme, nuk është  zhdukur përgjithmonë. Dikur ekzistonte civilizimi grek por u zhduk një herë e përgjithmonë, po kështu civilizimi pers, egjiptian… sakaq civilizimi islam sa herë që ka rënë është ngritur gjithmonë, për shkak të komponentëve shpirtërorë të tij që e mbajnë gjithmonë gjallë. Përveç pesë namazeve, myslimanët duhet të falen bashkërisht një herë në javë, të agjërojnë  bashkërisht një muaj në vit, të kryejnë haxhin…

Në çdo vend të ri që shkelnin myslimanët, gjenin kultura nga më të ndryshmet, fe të ndryshme, ide të ndryshme …. e megjithatë vetë myslimanët nuk u asimiluan, madje përkundrazi, të tjerët ndikoheshin nga myslimanët.

Ajo që dua të them me këto fjalë është se ti o vëlla dhe oj motër i përkisni një civilizimi shumë të madh, një civilizimi që shtrihet këtu e katërmbëdhjetë shekuj më parë.

Ebu Bekri do të vendosë themelet e para të shtrirjes së civilizimit islam në mbarë botën. Pasi Halidi e mbylli betejën e Jemames me sukses, Ebu Bekri i dërgon një letër në të cilën i thoshte:”Nisu drejt Irakut!”

Kur Halid ibnul Velidi u tregoi ushtarëve të tij për urdhërat që i kishin ardhur nga kalifi Ebu Bekr, shumica absolute e ushtrisë refuzuan. Vetëm dy mijë ushtarë pranuan ti shkojnë pas, qoftë dhe kundër perandorisë perse. Myslimanët e asaj kohe nuk e imagjinonin dot që të përballen me persët.

Kalifi Ebu Bekr vazhdoi ti nxisë ushtarët për tu nisur drejt Irakut, derisa ushtria myslimane nën komandën e Halidit arriti numrin tetëmbëdhjetë mijë trupa. Pasi ushtria u nis drejt Irakut, Ebu Bekri i dërgoi një letër, në të cilën, ndër të tjera i thoshte:”Fillo me rajonin Ubula por qëllimi yt të jetë qyteti Hira.” Ubula ishte porti më kryesor në Irak, ishte vendtakimi mes lumit Tigris dhe Eufrat, ndërkohë që po të arrinte në Hira, kishte shtënë në dorë pothuaj të gjithë Persinë. Mesa duket Ebu Bekri e kishte studiuar mirë gjeografinë e Irakut që para se të nisë ushtrinë.

Përse?

Teksa lexon ngjarje të tilla, me të drejtë shtrohet pyetja: Po përse vajtën myslimanët që të marrin në kontroll vendet që ishin nën kontrollin e perandorisë perse? Përse duhej që myslimanët të shkonin në vendet perse dhe të luftonin me persët? Mos vallë persët përbënin rrezik për myslimanët dhe po planifikonin ti sulmojnë ata? Mos vallë qëndron hipoteza se islami është përhapur me tehun e shpatës? Përse vajtën myslimanët dhe morën Egjiptin, Irakun, Shamin, Persinë, Andaluzinë…? A është islami fe ofensive apo difensive?

Për t’ju përgjigjur të gjitha këtyre pyetjeve, unë u jam referuar mendimeve të shumë dijetarëve. Ne si myslimanë jemi të obliguar që t’ua komunikojmë njerëzve mesazhin islam. Kështu, në thelb ishte komunikimi dhe përcjellja e mesazhit islam tek sa më shumë njerëz. Këto rajone asokohe kontrolloheshin nga persët dhe bizantët, të cilët kishin bllokuar çdo kanal komunikimi. Sot është e mundur që ti flasësh mbarë botën nëpërmjet kanaleve satelitore, internetit … dhe askush nuk të ndalon. Por asokohe ishte e pamundur të depërtoje tek masat dhe tu flisje për fenë dhe besimin. Kështu, myslimanët luftuan me ushtritë e këtyre dy perandorive, fituan ndaj tyre, morën gjithçka nën kontroll dhe u thanë njerëzve:”Nuk ka imponim në fe!” (Kuran), nëse doni të përqafoni islamin jeni të mirëpritur, nëse nuk doni mund të vazhdoni në fenë tuaj. Edhe sot e kësaj dite, pas katërmbëdhjetë shekujsh, në këto vende ekzistojnë ithtarë të feve të mëparshme të cilët nuk pranuan të konvertohen në myslimanë. Ata kanë pasur dhe i kanë tempujt e tyre ku luten deri sot.

Ndërkohë që në ditët tona luftra të tilla janë të pakuptimta, pasi kanalet e komunikimit janë të hapura për këdo që dëshiron ti përcjellë botës mesazhin e tij. Ne si myslimanë nuk kemi problem me asnjë civilizim tjetër, i pranojmë dhe komunikojmë me ta. Ne po komunkojmë fenë tonë sepse Zoti na ka urdhëruar, njëlloj siç e komunikojnë edhe të tjerët. Një nga gjërat që e vërteton këtë që po themi është se myslimanët as që e kanë menduar ndonjëherë të nisin një ushtri për në Abisini dhe kjo, për shkak se mbreti i Abisinisë nuk i kishte ndaluar myslimanët ta komunikojnë fenë e tyre.

 

Perandoria perse

Kur flasim për perandorinë perse të asaj kohe, flasim për një nga perandoritë më të mëdha në mbarë historinë e njerëzimit dhe jo vetëm të rajonit. Civilizimi i tyre shtrihej nga shekulli i shtatë para erës tonë deri në shekullin e shtatë pas erës tonë, pra flasim për katërmbëdhjetë shekuj. Ushtarët persë ishin ushtarët më të mirë, gjë të cilën e vërteton dhe vetë Halid ibnul Velid kur thotë:”Nuk jam përballë me beteja më të vështira se ato me persët.”

Kalifi Ebu Bekër nisi dy ushtri drejt Irakut, atë të Halidit dhe një tjetër nën komandën e Ajad ibnu Gunne elFihrij, i cili edhe ai kishte qenë në luftë me rebelët e gadishullit arabik në veri-lindje. Kështu, ushtria e Ajad ibnu Gunne do sulmonte nga sipër, kurse ushtria e Halidit nga poshtë Irakut. Kur Ebu Bekri u dërgoi letrën që i urdhëronte të nisen për Irak, në letër u shkroi:”Ai që do të mbërrijë i pari në Hira, do të jetë komandant për dy ushtritë!” Me këtë, donti të nxisë shpirtin e konkurrencës. Të merrje Irakun dhe të bëheshe shkak për islamin e banorëve të saj, ishte një nder shumë i madh, pasi të gjitha të mirat e njerëzve që do të përqafonin islamin do i shkruheshin në peshoren e veprave të mira edhe komandantit dhe ushtrisë që e çliroi. Prandaj dhe çdo njeri për udhëzimin e të cilit bëhemi ne shkak, çdo vepër të mirë që vepron, na shkruhet edhe neve. Një shkrimtar besimtar që shkruan një libër pozitiv nga i cili udhëzohen në rrugë të mbarë njerëz, veprat e tyre të mira i shkojnë dhe shkrimtarit. Një aktor i cili luan një rol pozitiv nga i cili preken njerëzit dhe bëjnë vepra të mira, i shkruhen këto vepra edhe vetë aktorit dhe regjizorit.

Halid ibnul Velid me të marrë letrën e Ebu Bekrit u nis drejt Irakut. Ai fitoi shtatë beteja derisa arriti në qytetin Hira të cilin e mori dhe atë.

Ndërkohë, Ajad ibnu Gunne kaloi nga një vendbanim (Deumetul Xhendel) dhe duke qenë se nuk hyri dot mbrenda e mbajti të rrethuar. Me të dëgjuar për rrethimin fiset arabe përreth u turrën dhe e rrethojnë ushtrinë myslimane. Kështu, ai ishte edhe rrethues edhe i rrethuar. Halidit i vjen lajmi i rrethimit dhe kthehet për tek ai, e largon rrethimin dhe të dy ushtritë nisen për të marrë nën kontroll pjesët e tjera të Irakut.

Teksa lexon jetëshkrimin e Halid ibnul Velidit ndjen se bëhet fjalë për një personalitet të pazakontë. As Aleksandri i madh, as Napoleoni dhe as Hitleri nuk arritën atje ku arriti Halid ibnul Velid. Këtu nuk bëhet fjalë për nga shtrirja gjeografike, aq sa bëhet fjalë për fundin. Të gjithë këta ishin në krye të ushtrive madhështore dhe me armatime nga më të mirat, ndërkohë që Halidi kishte vetëm një ushtri me tetëmbëdhjetë mijë luftëtarë. Veç kësaj, numri i betejave të zhvilluara nga Halid ibnul Velid, është më i madh sesa betejat e këtyre tre personaliteteve. Një dallim tjetër është se Halidi është një figurë e pastër, pasi të gjithë vrasjet i ka kryer vetëm në kuadrin e luftrave dhe betejave, ndërkohë që këta të tre kanë marrë në qafë botën.

Betejat e Halid ibnul Velid në Irak janë njëmbëdhjetë dhe të gjitha këto kanë ndodhur brenda harkut kohor të dhjetë muajve, në të cilat ai mori nën kontroll 2/3 e Irakut. Realisht të marrësh 2/3 e pjesës më të rëndësishme të perandorisë perse brenda dhjetë muajsh me një ushtri prej tetëmbëdhjetë mmijë luftëtarësh, është tregues i një besimi të patundur. Me një besim të tillë ata korrën fitore kaq madhore, ndërkohë që sot një motër myslimane që të mbulohet i duhen deri në dhjetë vite derisa të vendosë përfundimisht, një herë e shtyn derisa të përfundojë studimet, pastaj derisa të gjejë punë, pastaj sa të martohet, pastaj sa të stabilizohet pak ekonomikisht…. Sheh burra të fuqishëm dhe me kontribut në shoqëri, por për të lënë duhanin nuk e lë dot, një cigare e vogël e ka robëruar dhe nuk shkëputet dot prej saj. Vajza të reja që më vijnë dhe më thonë se u pëlqen të falen, por nuk dinë si t’ia bëjnë! Kjo është ndër pyetjet më të çuditshme për mua. Si t’ia bësh? Falu o motër! Kaq e dobët je saqë nuk falesh dot? Kaq i dobët je o vëlla saqë nuk heq dot dorë nga një gjynah?

 

Halidi niset drejt Irakut

Teksa Halidi përgatitej për të hyrë në Irak, sheh që tetëmbëdhjetë mijë trupa ishin të pamjaftueshme për një mision të tillë, prandaj dhe i kërkon përforcime Ebu Bekrit. Nga ana e tij, Ebu Bekri i dërgon vetëm një person, Kauka ibnu Amr. Kur dëgjuan që Ebu Bekri do i dërgojë Halidit si përforcime vetëm Kauka ibnu Amr, i thanë:”O Prijës i besimtarëve! Ai kërkon ushtri dhe jo një njeri të vetëm.” Por Ebu Bekri ua ktheu:”Nuk thyhet një ushtri në të cilën është Kauka ibnu Amr. Pasha Zotin, britma e Kauka ibnu Amr në luftë është më e vlefshme se një mijë burra.”

Nëse Kauka ibnu Amer vlenta sa një mijë burra, ti o vëlla dhe oj motër sa vlen? Ka njerëz të cilët janë sa për njëqind të tjerë. Ka që janë sa për dhjetë, por ka edhe sa për një, ashtu siç ka edhe gjysma njerëzish që nuk mbajnë dot veten. Po ti sa vlen?

Që nga momenti që Kauka ibnu Amër i bashkangjitet Halid ibnul Velid nuk do i shqitet derisa ai të ndërrojë jetë.

Betejën e parë në rajonin e Irakut, Halid ibnul Velid do e zhvillojë në Kadhime, e cila sot gjendet në shtetin e Kuvajtit. Kadhime nuk është një vend i rëndësishëm në vetvete, por merrte rëndësi për shkak se menjëherë pas tij vinte Ubula, porti më kryesor i cili komunikonte me të gjithë gatishullin arabik dhe që të nxirrte në oqeanin Indian. Persët u organizuan menjëherë dhe dërguan një ushtri prej dyzet mijë trupash nën komandën e Hurmuz. Gradat e komandantëve ushtarakë persët i kishin sipas vlerës së kapeleve të tyre në kokë. Kapelja e Hurmuz vlente njëqind mijë dërhemë, pra ishte gjeneral me standardet e sotme. Ishin vetëm tetë komandandë të cilët kishin këtë gradë në ushtrinë perse dhe të tetë u vranë nga Halid ibnul Velidi.

Kur mbërriti Halid ibnul Velid në rrethinat e Kazmës, pa që ushtria perse ishte vendosur atje tashmë në pritje të myslimanëve. Një ndër karakteristikat më të spikatura të Halidit ishte se studionte në detaje pikat e dobëta të armikut. Në këtë rast, Halidi zbuloi se pika e dobët e ushtrisë kundërshtare ishte lëvizja e tyre e ngadaltë. Për shkak se persët ishin të pasur, i kishin veshur ushtarët me hekur. Veç kësaj, Hurmuz i kishte lidhur ushtarët me njëri-tjetrin me zinxhirë me qëllim që lëvizjet të ishin kolektive dhe të njëtrajtshme, gjë e cila sigurisht e ngadalësonte lëvizjen e tyre. Ishte kjo pika e dobët tek e cila Halidi e përqendroi planin e tij të luftës.

Pasi ushtria perse u vendos në fushën e betejës në pritje të Halidit, ky i fundit ndryshoi drejtim dhe u nis drejt Hafir-it, që ishte më afër me Ubul-ën. Me të dëgjuar Hurmuz për këtë, zgjidhi dhe njëherë zinxhirët që mbanin të lidhur ushtarët me njëri-tjetrin, ngarkuan armatimet dhe u nisën për në Hafir. Me të mbërritur atje, u veshën me armatime, u lidhen dhe një herë me zinxhirë dhe prisnin Halidin dhe ushtrinë e tij. Ndërkohë, lajmi u vjen se Halidi ishte nisur sërish për në Kadhime, kështu që Hurmuz mblodhi dhe një herë armatimet e tij të rënda dhe u nisën sërish për në Kadhime. Me këtë, Halidi synonte ti lodhë, gjë të cilën e arriti.

Kur dy ushtritë u vendosën përballë njëra-tjetrës në Kadhime, Hurmuz i thirri Halid:”Le ta fillojmë betejën me dyluftim!” Menjëherë Halidi u turr me kalin e tij drejt sheshit të dyluftimit ku ndodhej dhe Hurmuz. Komandanti pers i thirri Halidit dhe i tha:”Zbrit nga kali dhe të dyluftojmë në këmbë derisa njëri ta vrasë tjetrin!” dhe Halidi zbriti nga kali.

Nga ana tjetër, Hurmuz kishte rënë dakord me dhjetë kalorës që me të zbritur Halidi nga kali të sulmonin dhe ta vrisnin, pasi vendi i dyluftimit ishte larg nga dy ushtritë. Me vrasjen e Halidit do të binte morali i ushtrisë myslimane dhe do e kishin të lehtë ti shpartallonin pastaj. Me të fillular dyluftimin, Halidi vëren dhjetë kalorës që u nisën drejt tij. U mundua ti japë fund sa më shpejt Hurmuzit, por ky i fundit u mbrojt mirë, aq më tepër që e dinte planin. Në çast një nga kalorësit myslimanë turret drejt dhjetë kalorësve persë, ndërkohë që ushtria myslimane u hutua dhe po ndiqte pasive ngjarjet. Kalorësi mysliman ishte Kauka ibnu Amr. Kur kishte parë që Halidi zbriti nga kali pas shkëmbimit të fjalëve me Hurmuz, ai kishte nuhatur se diçka nuk shkonte, prandaj dhe kishte nxjerrë shpatën nga këllëfi, i kishte hipur kalit dhe ishte në pritje të lëvizjes më të vogël për tu nisur. Me të parë dhjetë kalorësit që u turrën drejt sheshit të dyluftimit, Kauka u turr drejt tyre dhe i ndali në mes të rrugës, duke luftuar me ta. Ai vrau pesë prej tyre dhe pesë të tjerët i ktheu mbrapsht. Nga ana e tij Halidi pati kohën e duhur për ti dhënë fund Hurmuzit në dyluftim. Ushtria myslimane ishte në kulmin e moralit, ndërkohë që ushtria perse u demoralizua dhe u thye shumë shpejt. Librat e historisë tregojnë se prej persëve vdiqën dhjetë mijë ushtarë, jo të gjithë në luftë, por duke parë humbjen e sigurt u hodhën në lum, ku dhe u mbytën për shkak të zinxhirëve dhe parzmoreve të hekurta që mbanin.

Pas betejës Halidi mblodhi të gjithë plaçkën e luftës dhe ia dërgoi të gjithën Ebu Bekrit në Medine. Edhe sendi më i vogël ishte dërguar në Medine, madje edhe vetë kapelja e Hurmuzit, e cila në fakt i takonte Halidit që e vrau në dyluftim. Mes plaçkës së luftës muslimanët zunë dhe një elefant që përdorej nga ushtria perse. Meqë myslimanët e Medines nuk kishin parë kurrë elefant, Halidi ua dërgoi që të argëtohen me të. Kur e mori, Ebu Bekri urdhëroi që ta shëtisin në rrugët e Medines që ta shohin njerëzit. Kur e shihnin plakat e Medines befasoheshin dhe thoshin:”A krijesë nga krijesat e Zotit është kjo?!”

Pastaj, Ebu Bekri tha:”Elefanti nuk ka çfarë na duhet, prandaj ia ktheni ushtrisë myslimane. Kurse kapelja e Hurmuzit i takon Halidit!” dhe ia ktheu atij. Halidit kur i mbërriti kapela e Hurmuzit e shoqëruar me letrën e Ebu Bekrit tha:”Unë nuk vë në kokë gjëra të tilla, por do të vë një çallmë me disa qime floku të profetit Muhamed a.s.” Në një betejë, Halidit i bie kjo çallmë përtokë dhe menjëherë urdhëron një trupë luftëtarësh myslimanë që ta kërkojnë dhe ta gjejnë. Ebu Ubejde e kap dhe i thotë:”A kohë çallmash është tani o Halid?!” Ai ia kthen:”O Ebu Ubejde, ajo çallmë ka qime nga flokët e të dërguarit të Zotit!”

Drejt Ubula-s

Me të shtënë nën kotroll të plotë Kadhime-n, Halidi u nis drejt Ubula-s në të cilën ndodhej dhe porti më kryesor në vend. Kur mbërritën në rrethinat e qytetit, lajmet ishin se persët kishin instaluar një ushtri prej pesëdhejtë mijë luftëtarësh me qëllim që të ndalojnë ushtrinë myslimane dhe të mos e lejojnë të hyjë brenda.

Halid i thotë Suvejd ibnu Kutbe:”O Suvejd do të  bëjmë një marifet ne të dy!” Marifeti ishte i tillë që disa orë para betejës, do ta ndanin ushtrinë në dy pjesë dhe do të përshëndeteshin sikur gjysma e ushtrisë po ndahej nga gjysma tjetër me qëllim që ti bjerë nga ana e shkretëtirës. Gjithçka do të bëhej haptazi, me qëllim që persët ta ndiqnin. Ata u ndanë dhe lanë të takohen (gjoja) në Hira. Halid u nis drejt shkretëtirës, i ndjekur nga pas nga ushtria perse me armatime të rënda dhe të lidhur me zinxhirë. Pasi kishin përshkuar disa ditë, Halid i sulmon natën ndërkohë që ishin ndalur për të fushuar dhe u jep fund aty. Mandej vjen dhe bashkohet me ushtrinë e Suvejd dhe bëhen gati për luftë. Pjesa e mbetur e ushtrisë perse u bë gati dhe ajo të luftojë, por një nga komandantët e saj u tha:”Nuk ka njeri që e njeh më mirë se unë Halid ibnul Velid. Në çdo betejë që ka hyrë e ka fituar. Nuk kam parë burrë më të qëndrueshëm se ai dhe as njeri më fatbardhë se ai. Çdo ushtri që i ka dalë para, pak apo shumë ka qenë, është thyer përballë tij. Prandaj këshilla ime është që të bëni paqe mme të dhe ti jepni çfarë të kërkojë.” dhe ashtu ndodhi.

Me të nënshkruar marrëveshjen dhe me të hyrë brenda në qytet, një nga komandanët persë vajti tek Halidi dhe i mahnitur prej tij i tha:”O Halid, pash Zotin më trego, mos të ka dhënë profeti Muhamed a.s ndonjë shpatë që i ka ardhur nga Zoti i tij?!” Halidi iu përgjigj:”Jo.” Komandanti pers e pyeti:”Atëherë përse je quajtur shpata e Zotit?” Ai i tha:”Falë një lutje të profetit Muhamed a.s, i cili u lut:”O Zot bëje shpatë kundër idhujtarëve!”

 

Halidi drejt Hira-s

Pasi vendosi Ubula-n nën kontroll, Halidit i duhej të nisej menjëherë për në Hira, e cila ndodhej në veri. Por Halidi bën një lëvizje krejt të kundërt, niset djathtas tij. Këtë e bëri pasi frikësohej se mos ushtria perse në qytetin Midhar i vjen dhe e godet nga pas. Duke e neutralizuar dhe këtë qytet, ai siguronte krahët e ushtrisë së tij. Kur mbërriti në Midhar, Halidi pa që frika e tij kishte qenë me vend. Persët kishin përgatitur tre komandantë të mëdhenj me grada të larta dhe secili kishte me vete një ushtri prej njëqind mijë luftëtarësh, në pritje që Halidi të nisej drejt Hira-s dhe ata ta sulmonin nga pas.

Plani i Halidit për këtë betejë, ishte të vriste tre komandantët e mëdhenj të ushtrisë perse. Nëse arrinte deri tek ta, betejën e kishte të fituar pastaj, pasi ushtria rrënohej moralisht. Për këtë ai i ftoi në dyluftim dhe të tre iu përgjigjën thirrjes, pasi përveç aftësive luftarake dalloheshin edhe nga guximi. Veç Halidit doli dhe Kauka ibnu Amr dhe Adij ibnu Hatim Taij. Ishte një dyluftim i vështirë por që u fitua nga të tre luftëtarët myslimanë. Edhe pse ushtria perse ishte shumë e madhe, me vrasjen e tre komandatëve të tyre i përfshiu paniku dhe humbën. Tashmë, pasi kishte marrë Kadhime, Ubulan dhe Midhar, Halidi do të niset drejt Velixhe.

 

Takimi mes persëve dhe Rab’ij ibnu Amir

Duke parë këtë vërshim të papërmbajtur të myslimanëve, persët u ndjenë në pozita shumë të vështira. Ata nuk e kuptonin se çfarë donin myslimanët dhe e kishin akoma më të vështirë të kuptonin si kishte mundësi që i kishin thyer në të gjitha betejat. Pasi e pleqëruan çështjen, ata dërguan një person tek myslimanët me qëllim që të marrin informacion më shumë se çfarë i kishte sjellë myslimanët në territoret e tyre.

Myslimanët zgodhën një person të thjeshtë nga mesi i tyre, një nga shokët e profetit Muhamed a.s, emri i të cilit ishte Reb’ij ibnu Amir. Ai ishte njeri i thjeshtë, me rroba modeste, i dobët fizikisht dhe me armatime modeste. Me heshtën e tij në dorë ai vajti tek persët si i dërguar i myslimanëve.

Nga ana e tyre persët vendosën ta surprizojnë dhe mrekullojnë me civilizimin e tyre mijëravjeçar. Ata mendonin se do i bënin përshtypje orenditë e luksit, veshjet e shtrenjta, mëndafshrat, florinjtë… Ata ia kishin shtruar një rrugë të gjatë me sexhade perse të shtrenjta, ndërkohë që në dy krahët e tyre kishin rreshtuar skllave nga më të bukurat. Ndërohë që në fund qëndronte komandanti pers, i rrethuar nga ushtarë e salltanete pafund. Me të dalë para sexhadeve të shtrenjta, Reb’ij ibnu Amir e kuptoi mesazhin që donin ti përcjellin persët. Ata donin ti thonin që kush jeni ju që guxoni e vini në Persinë e lashtë, persinë e civilizimit, pasurisë, salltaneteve, fuqisë ushtarake, kënaqësive, zhvillimit etj… Pra ishte një mesazh ironizues.

Reb’ij ibnu Amir i cili ishte mësuar të ecë në shkretëtirë duke u mbajtur tek heshta e tij, nuk e ndryshoi fare të ecurën. Teksa ecte e ngjeshte fort heshtën gjithë pluhur për sexhadeve të shtrenjta, ndërkohë që shikimin e mbante drejt, pa ia hedhur asnjërës nga skllavet e bukura që qëndronin në këmbë në dy anët e tij.

Ka burra të cilët i pushton ndjenja e inferioritetit me ti dalë para një person i veshur me kostum të shtrenjtë. Ka gra të cilët e humbasin mendjen me të qëndruar para tyre një makinë e shtrenjtë. Tjetri nuk vlerësohet nga portofoli, kostumi, makina, ora, vila etj… por vlerësohet nga virtytet, vlerat, kontributi në jetë dhe morali.

Ai vazhdoi të hedhë hapat mbi sexhaden e shtrenjtë derisa mbërriti tek komandanti pers, i cili pasi e përshëndeti i pyeti:”Çfarë u ka sjellë këtu?”

Ushtari i thjeshtë mysliman i ktheu përgjigjën e cila ka hyrë në histori:”Na ka dërguar Zoti të nxjerrim ata që dëshiron Ai, nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve; nga ngushtësia e kësaj jete në gjerësinë e saj dhe të jetës tjetër; nga padrejtësia e feve në drejtësinë islame.”

Nga ana tjetër, persët kishin dërguar dhe agjentët e tyre për të mbledhë informacione nga myslimanët. Njëri prej tyre u kthye dhe u tha:”Ishin adhurues natën dhe kalorës ditën. Nëse djali i Prijësit të tyre vidhte diçka, ndëshkohej si gjithë të tjerët. Nëse shkelte ligjet Prijësi i tyre, dënohej njëlloj me të tjerët. Me aq sa pashë, janë të papërballueshëm. Ata e donin fort njëri-tjetrin.” Kur i dëgjoi këto fjalë një nga komandatët persë, tha:”Nëse është kështu, më mirë të jem nën tokë sesa mbi tokë dhe të luftoj me njerëz të tillë.”

Fjalë të tilla janë thënë për të parët tanë. A e shihni se si ndryshon jeta? A e dini se përse tashmë jemi në pikë të hallit? Si është e mundur që një i ri prej nesh ngacmon seksualisht vajzat rrugës? Si është e mundur që një pasardhës i Halid ibnul Velid ta bëjë këtë? Si është e mundur që një vajzë myslimane hyn në lidhje jashtëmartesore, ndërkohë që është pasardhëse e Esma bintu ebi Bekr? Vallë çfarë na ndodhi kështu? Si është e mundur që të rinjtë tanë e harruan trashëgiminë që u lanë paraardhësit e tyre? Si është e mundur që ata rendin pas pasionit dhe epshit në këtë mënyrë? Si është e mundur që një djalë i ri, në kulmin e moshës dhe të energjive, i gjithë interesi i tij është i fokusuar tek modeli i flokëve me të cilin kërkon të joshë vajzën e zemrës? Si është e mundur q të rinjtë tanë, gjënë më të madhe me të cilën mburren është teksa xhirojnë gomat e makinës në sytë e një vajze që është duke kaluar rrugën, si për ti thënë se është burrë? Pse këtu mbeti burrëria?! Muhamed Ikbal thoshte:”Në doni ta merrni në qafë luanin, i mësoni të ecë si sorkadhe dhe i fshini gjurmët e tij nga historia e vjetër!”

Ne të gjithë e kemi parë filmin “Luani mbret”. Ai ishte mbreti i të gjithë kafshëve dhe ishte mbret i drejtë. Të birin e tij, Simban, e larguan nga i ati dhe familja e tij dhe e dëbuan larg, ku u rrit në ambient jombretëror, saqë kur pa për herë të parë imazhin e tij të pasqyruar në ujë, u frikësua dhe iku me vrap. Ai nuk dinte as të ulërasë si luan. Ai u rrit larg të qenit mbret dhe kjo i vazhdoi derisa i erdhi majmuni i cili i tregoi të shkuarën e tij, duke i aktivizuar gjenet e mbretit. Qëllimi ynë duke sjellë jetëshkrimin e sahabëve është që të themi se paraardhësit e tu kanë qenë luanë mbretër.

Një informator tjetër pers ua përshkruante kështu Halid ibnul Velidin bashkëkombasve të tij:”Nuk kam komandant më të çuditshëm se ai burrë. Kur ruhet është më i lehtë se pupla, e kur sulmon shndërrohet në luan.”

Pasi përfundoi betejën në Midhar, Halid ibnul Velid duhej të shkonte në krahun e majtë ku ishte qyteti Velixhe, pasi menjëherë pas tij ndodhej qyteti Hira. Qyteti Ubula, Midhar dhe Velixhe formojnë një trekëndësh me  bazë sipër, ku Ubula është këndi poshtë, Midhar është këndi në të djathtë dhe Velixhe është këndi në të majtë. Mes Midhar dhe Velixhe është një territor pjellor pasi ndodhet mes lumit Tiger dhe Eufrat. Logjikisht, Halidi duhej të udhëtonte majtas, nga Midhar për të vajtur në Velixhe, por jo. Ai u nis edhe njëherë poshtë në Ubula, pasi dyshoi se mund të ketë ndonjë kurth të ngritur në mes të rrugës. Në fakt ashtu ishte, persët kishin instaluar një ushtri goxha të madhe në pritje të Halidit. Dy ushtritë ishin vendosur në dy anët e vendit nga do të kalonte Halid me ushtrinë e tij dhe do e zinin në befasi. Ishte një plan i mirëstudiuar. Secila nga dy ushtritë ishin nga njëzet e pesë mijë trupa. Pasi mbërriti në Ubula, ai ndoqi rrjedhën e lumit Eufrat derisa mbërriti në Velixhe. Duke ndjekur rrjedhën e lumit, ai sigurohej që nga ana e lumit nuk mund të sulmohej. Pasi mbërriti në Velixhe dhe u njoftua për dy ushtritë që e presnin në rrugë, Halidi vendosi ti befasojë nga pas, njërën pas tjetrës. Ai e ndau ushtrinë në disa pjesë me qëllim që ta rrethojë njërën ushtri nga pas, ndërkohë që ata prisnin Halidin nga një drejtim tjetër. Pasi e shpartalloi ushtrinë perse që e priste në anën e djathtë, ai shkoi mbaroi punë dhe me ushtrinë e anës së majtë.

 

Drejt Hira-s

Pasi mori në kontroll gjithë Velixhe, Halid niset për në Kulejs, ku zhvillon një nga betejat më të vështira për të. Numri i ushtrisë perse ishte pesëdhjetë mijë dhe në fund prej tyre mbetën shtatëmbëdhjetë mijë të vrarë. Vetë Halid tregon:”Nuk kam luftuar me njerëz më të fuqishëm sesa persët dhe nuk kam luftuar betejë më të vështirë sesa ajo në Kulejs.” Pasi e fitoi edhe këtë betejë, zhvilloi një betejë tjetër të vogël në Kasrul Emir dhe Kasrul Emire. Menjëherë u nis për në Emgishija ku pasi arriti, pa se të gjithë banorët e kishin braktisur qytetin. Qyteti tjetër i radhës ishte Hira, një nga qendrat më të rëndësishme të Persisë, një qytet për të cilin arabët shihnin ëndrra natën e ditën, pasi flitej shumë rreth tij.

Adij ibnu Hatim Taij, ishte djali i Hatim Taij, njërit nga simbolet e bujarisë arabe. Kur Profeti a.s filloi të ketë ndikim në gadishullin arabik, Adij shkon dhe e takon në Medine.Pasi u takuan dhe Profeti a.s e ftoi nështëpinë e tij, fillon t’i thyejë barrierat që ekzistonin mes Adij dhe islamit, duke i thënë:”O Adij! Prano islamin të shpëtosh! Prano islamin të shpëtosh! Prano islamin të shpëtosh!”

Adij ia ktheu:”Unë e kam një fe.”

Profeti a.s i thotë:“O Adij, unë e di se ç’të pengon ty të pranosh islamin.”

Prej nga ky çast, Profeti a.s fillon t’i flasë mbi një ëndërr dhe ambicie të tij, e cila do e bëjë Adij ibnu Hatim të pranojë islamin në fund.

Adij e pyet:”E çfarë është ajo?!”

Profeti a.s i përgjigjet:” Ti thua që mua më kanë ndjekur njerëzit më të dobët, të varfër, të përbuzur dhe të frikësuar.” Adij heshti dhe nuk foli, pasi ato fjalë ishin të vërteta. Mandej, Profeti a.s i tha:” A e di ku ndodhet Hira –qytet në Irak – o Adij?”

Adij i përgjigjet:“Kam dëgjuar por nuk kam qenë ndonjëherë”.

Profeti a.s i thotë:”Për Zotin, o Adij, kjo fe do të triumfojë dhe bashkë me të do të përhapet qetësia dhe siguria. O Adij, do vijë dita që do të dalë gruaja e vetme, do të udhëtojë nga Hira deri  në Mekë, pa pasur frikë gjë tjetër veç Allahut.”

Profeti a.s i përmendi pikërisht Hira-n pasi e dinte çfarë vendi zinte në imagjinatën e arabëve. Hira ishte një qendër e madhe dhe shumë e zhvilluar e Persisë. Aq i bindur ishte në fjalët e tij Profeti a.s, saqë Adij e beson dhe pranon islamin. E bukura është se Adij ndodhej në ushtrinë e Halid ibnul Velid kur morën Hira-n.

Në Emgishija, banorët kishin braktisur gjithçka, shtëpitë, pasuritë, pronat… dhe ndër të tjerat edhe anijet e ankoruara në port. Ky ishte një rast i vyer për Halidin dhe ushtrinë e tij. Pasi vunë gjithçka nën kontroll, Halidi e ndau ushtrinë e tij në dy pjesë, njëra do të udhëtonte në tokë kurse tjetra do të lundronë në lumin Eufrat. Guvernatori i Hirës, kur dëgjoi për këtë plan të Halidit, urdhëroi njerëzit e tij dhe ndryshuan rrjedhën e lumit Eufrat. Menjëherë niveli i ujit të Eufratit ra dhe anijet mbetën në baltë dhe për rrjedhojë gjysma e ushtrisë nuk do të përfshihej në betejën e ardhshme.  Ushtarët myslimanë u shqetësuan nga kjo gjë, pasi i binte të qëndrojnë të paaktivizuar. Por Halid i qetësoi duke u thënë:”Mos u mërzisni se për 24 orë uji do të kthehet sërish!” “Po si?! E pyetën ushtarët. Ai u tha:”Unë, Kauka ibnu Amr dhe njëqind kalorës do të dalim natën, do të kalojmë Hiran dhe do të shkojmë atje ku kanë devijuar rrjedhën e lumit, ku do vrasim rojet dhe do ta kthejmë sërish ujin nga lumi!” dhe ashtu bëri.

Kur lexon ngjarje të tilla dhe të shkon mendja se ka prej myslimanëve që të thonë se nuk ngrihem dot të fal sabahun në kohë, sepse bie vonë dhe punoj gjithë ditën, sepse… realisht të vjen keq. Si është e mundur që pasardhësit e Halid ibnul Velid të kenë këtë vullnet kaq të dobët?!

Të nesërmen banorët e Hiras çuditen me nivelin e ngritur të ujit dhe nga ana tjetër befasohen me prezencën ushtarake të Halid ibnul Velid i cili i surprizoi nga të dy krahët, nga toka dhe nga uji. Fakti që kishin mbërritur në Hira do të thoshte se territorin mes Tigris dhe Eufrat e kishin në dorë, i cili është 2/3 e Irakut. Tashmë, përveç Hiras u kishte mbetur Medain dhe Nehavend.

Këta njerëz i kanë shtuar shumë gjëra jetës së tyre, sado e shkurtër të ketë qenë. Po ti o vëlla dhe  motër, çfarë i keni shtuar jetës tuaj? Çfarë keni bërë për veten dhe njerëzit tuaj?

Kur themi çfarë i keni shtuar jetës, kemi për qëllim çfarë keni bërë diçka të mirë për njerëzimin, diçka që ua lehtëson jetesën, që i bën më të lumtur dhe të gëzuar, që shton harmoninë mes tyre, diçka që e shtyn para rrotën e zhvillimit të vendit tënd. Mustafa Sadik Rafi’ij thoshte:”Nëse nuk i shton jetës diçka të tepërt, je ti i tepërt në jetë.”

Shtoji diçka jetës, qoftë dhe banesën dhe pallatin ku jeton! Bëj diçka që ata njerëz të lidhen me Zotin, mësoju atyre diçka që nuk e dinë, mësoju një zanat, një gjuhë të huaj.

Kur myslimanët hyjnë dhe marrin Hiran, ndodh diçka e çuditshme. Që kur ishte gjallë, Profeti a.s u fliste myslimanëve se do e marrin Hiran. Në Hira jetonte një grua me emrin Kerame bint abdul Mesih, shumë e njohur dhe shumë e bukur, saqë nami i saj kishte mbërritur dhe tek arabët. Kur Profeti a.s u premtoi myslimanëve se do e marrin Hiran, një nga banorët e Medines, një njeri i thjeshtë, Shuejl, ndërhyn dhe i thotë:”O i dërguar i Zotit! Nëse ne e marrim Hiran, a më premton që Keramen ta marr unë për grua?!” Profeti a.s buzëqeshi dhe i tha:”Po, nëse do!”

Kur Halid me ushtrinë hynë në Hira, Shuejl vajti tek Halid dhe i tha:”Kerame më takon mua!” Halidi pyeti të tjerët dhe ata ia miratuan këtë fakt. Kur erdhi koha për ta marrë Keramen, njerëzit e saj filluan të qajnë, por ajo i qetësoi dhe u tha:”Mos u mërzisni se do të kthehem akoma pa vajtur mirë!” Kjo, sepse Kerame aq e famshme dhe aq e bukur, tashmë ishte plakur. Kur e pa Shuejle pyeti:”Po ti kush je?!” Ajo iu përgjigj:”Siç e sheh, jam një plakë e vjetër, jam Kerame!” “Nuk e dua, nuk e dua!” thirri Shuejl. Të gjithë qeshën dhe thanë:”Të vërtetën ka thënë i dërguari i Zotit!” Pasi që atëherë, Profeti a.s i kishte thënë si me pishmanllëk:”Po, nëse do!”

Mandej, me qëllim që të fitojë lirinë, Kerame e pyeti:”Sa do që të më japësh lirinë?” Shuejl iu përgjigj:”Një mijë dërhemë!” Ajo ishte shumë e pasur dhe një mijë dërhemë ishin shumë pak. Kur disa nga shokët e tij e pyetën se çfarë bëri me Keramen, ai u tha se e shiti për një mijë dërhemë. Ata i thanë se ishin shumë pak për një zonjë aq të pasur, por ai ua ktheu:”Nuk e dija, unë më shumë se një mijë nuk di të numëroj!”

Për dhjetë muaj Halidi arriti të marrë territoret mes dy lumejve. Shumë njerëz përqafuan islamin, kurse të tjerët pranuan të paguajnë taksat, të cilat, siç dëshmonin ata vetë, ishin shumë herë më të lehta sesa taksat që u kishin paguar gjer atëherë persëve.

 

Letra e Halid ibnul Velid, drejtuar perandorit pers

Pasi mori Hiran, Halidi i shkroi letër perandorit pers dhe shpurës së tij, në të cilën u thoshte:

“Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Zoti u ka nënshtruar, e shkatërroi regjimin tuaj, i prishi kurthet tuaja dhe na ndihmoi kundër jush. Prandaj na ndiqni (pranoni islamin) që t’ua kthejmë tokën dhe pasuritë tuaja! Nëse refuzoni, u kam ardhur me burra që e duan vdekjen aq sa doni ju jetën!”

 

Halid takohet me komandantin tjetër Ajad ibnu Gunne

Më parë, patëm thënë se Ebu Bekri nisi dy ushtri drejt Irakut, atë të Halid ibnul Velid dhe Ajad ibnu Gunne, duke u thënë se kush mbërrin i pari në Hira do të jetë komandanti i të dy ushtrive. Vetë Ajad kishte shkuar të rrethojë Deumetul Xhendel, por atje, teksa mbante të rrethuar kalanë, ishte rrethuar edhe vetë nga disa fise arabe. Halidi mbërriti në Deumetul Xhendel, largoi rrethmin ndaj ushtrisë myslimane dhe të dy hynë në Deumetul Xhendel. Mandej marrin rrugën sërish pë në Hira.

Gjithë këto lëvizje, gjithë këtu luftra, mund, lodhje, planifikim…. Këto nuk i themi që të nxisim shpirtin e luftës tek të rinjtë tanë, pasi sot nuk është kohë luftrash. Këto i themi që të nxisim shpirtin e kreativitetit, studimit, lodhjes, planifikimit, kërkimit të dijes, humanizmit… Këto i themi me qëllim që ti zgjojmë ata të rinj dhe të reja që bëjnë jetë boshe. Pasha Zotin gjynahet dhe veprat e këqija i kanë rrënjët tek koha boshe, tek mosbërja asgjë. Gruaja e ministrit të financave në Egjipt, u dha pas Jusufit a.s sepse ishte krejt bosh, nuk kishte me çfarë të merrej, prandaj dhe shejtani ia kishte mbushur mendjen me prapësi.

 

Enbar, beteja e syve

Rrugës së kthimit për në Hira, Halidi dhe ushtria e tij ndoqën rrjedhën e Eufratit. Kur mbërritën në Enbar, u përballën me një kala të fortifikuar mirë. Kalaja kishte para një kanal të madh të mbushur me ujë dhe kushdo që orvatej të kalojë kanalin, mund të vritej me shigjeta krejt kollaj nga kalaja.

Kur ushtria myslimane u afrua tek kalaja, me mijëra persë qëndronin të gatshëm në bedenat e kalasë. Plani i radhës i Halidit ishte i tillë: Ai mori një mijë harkëtarët më të mirë të ushtrisë dhe i urdhëroi që me të marë sinjal prej tij, ti qëllojnë persët nga poshtë lart, mundësisht në fytyrë. Kjo do të minimalizonte në maksimum shigjetat nga persët. Ndërkohë, disa nga myslimanët që dinin not e kishin matur thellësinë e kanalit me ujë. Nga ana tjetër kishte urdhëruar të thereshin të gjitha devetë e dobëta dhe të sëmura. Me të filluar hedhjen e shigjetave, u hodhën të gjitha devetë e therura duke krijuar një urë nga e cila kaloi e gjithë ushtria. Kështu ata mbërritën tek kalaja dhe arritën të depërtojnë brenda dhe ta marrin nën kontroll. Në kronikate ndryshme kjo betejë njihet ndryshe edhe si “beteja e syve”.

Luftën më të madhe Halid ibnul Velid kishte atë psikologjike, ai bënte çmos që ti thyejë psikologjikisht më parë. Pasi hynë brenda në kala, tek Halidi vjen një i moshuar pers i shoqëruar nga një djalosh i cili mbante në dorë një poç për të biseduar rreth marrëdhënieve mes dy palëve në të ardhmen. Gjatë bisedës, Halidi e pyet të moshuarën:”Çfarë ka në atë poçin që mban djaloshi?” I moshuari iu përgjigj:”Helm që të vret në çast!” Halid ibnul Velid e pyeti:”E përse e mban me vete?” I moshuari pers iu përgjigj:”Nëse Halid ibnul Velid është i pabesë dhe arrijmë të nënshkruajmë një marrëveshje me të, për mua është më mirë të jem nëntokë sesa mbi të! Preferoja të pij helmin dhe të vdes sesa të shoh pabesinë dhe shkeljen e marrëveshjes. E nëse Halid ibnul Velid është njeri i fisëm, do e merrja helmin sërish me vete.”

Gjatë fëmijërisë së tij, përveç shumë gjërave të tjera, Halid ibnul Velid ishte mësuar edhe me helme të ndryshme insektesh dhe trupi i tij kishte fituar një farë imuniteti.

Halid e pyeti të moshuarin mbi llojin e helmit dhe ai ia tregoi. Atëherë Halid e mori, recitoi:”Me emrin e Zotit me emrin e të cilit nuk dëmton asgjë, as në qiell dhe as në tokë, Ai është Dëgjuesi dhe i Dituri!” mandej piu një gllënjkë prej tij. Pastaj iu drejtua të moshuarit dhe i tha:”Hë, e pe? Kur përmenda emrin e Zotit tim nuk më ndodhi asgjë!”

Nuk e di sa e vërtetë është kjo ndodhi, por e kam gjetur tek shumica e librave që kanë trajtuar jetëshkrimin e Halid ibnul Velid. Edhe vetë kolosi Abas Akad e ka përmendur tek libri i tij:”Gjenialiteti i Halid ibnul Velid”. Gjithashtu edhe dijetarë dhe studiues të tjerë e kanë cituar këtë ndodhi gjë që do të thotë se mund të ketë ndodhur.

Halid ibnul Velid e bëri këtë akt me qëllim që ti surprizojë dhe pështjellojë akoma më shumë. Ky i moshuar vajti tek populli i tij dhe u tha:”Pashi Zotin merruni vesh me këtë njeri dhe nënshkruani marrëveshje paqeje. Ai pi helm pa sebep dhe nuk vdes. Kam frikë se edhe kur ta qëlloni me shpata nuk do të vdesë!”

 

Ajnu Temr

Halid ibnul Velid e vazhdoi marshimin e tij drejt Ajnu Temr ku gjendej dhe një manastir në të cilin jetonin dyzet murgjër. Manastiri i tyre gjendej rrugës nga do të kalonte Halidi dhe ushtria. Ato ishin çaste euforie për të gjithë ushtrinë pasi kishin marrë nën kontroll shumicën e Irakut, por në raste të tilla e kishin parasysh porosinë e Profetit a.s, i cili para se të niseshin për luftë u thoshte:”Mos vrisni foshnjat, as gratë, as fëmijët, as të moshuarit, mos digjni të mbjellat, mos i shkatërroni shtëpitë. Do të gjeni edhe murgjër që adhurojnë Zotin në manastire, por mos iu afroni!”

A mund të thuhet që kjo fe është e etur për gjak? Kushdo që vret në emër të kësaj feje ta dijë se nuk ka lidhje me parimet e saj.

Halidi e ndaloi ushtrinë pranë manastirit, mandej hyri brenda, i përshëndeti murgjërit dhe doli sërish. Mes dyzet murgjërve ishin dhe dy, emrat e të cilëve ishin Nusejr dhe Sirin. I pari do të martohet dhe do të lindë një djalë, Musa ibnu Nusejr, i cili hyn me myslimanët në Andaluzi. Kurse nga i dyti lind një dijetar shumë i madh, Ibnu Sirin.

Pas kësaj, Halid ibnul Velid i vjen një letër nga kalifi Ebu Bekr në të cilën i thoshte:”O  babai i Sulejmanit (nofkë), lëre Irakun dhe drejtohu për në Sham! Merr me vete gjysmën e ushtrisë dhe gjysmën tjetër lërja Muthena ibnu Harithes dhe Sad ibnu ebi Vekas që ta plotësojnë shtrirjen e territoreve të Irakut!”

Para se të nisej, Halidi mori si ushtarë të tij muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit), por Muthena ibnu Harithe i tha:”Jo pasha Zotin, këta i dua unë.” Atëherë ranë dakord që ti ndajnë përgjysmë. Halidi i tha:”Merr kë të duash dhe lër kë të duash, por ma lër mua Kauka ibnu Amr.”

 

Shami – Levanti

Ebu Bekri kishte nisur katër ushtri drejt Shamit-Levantit, që përshin Sirinë, Palestinën, Libanin dhe Jordaninë. Këto katër ushtri ishin:

  1. Ushtria nën komandën e Jezid ibnu ebi Sufjan, e cila përbëhej nga gjashtë mijë trupa dhe ishte nisur drejt Damaskut.
  2. Ushtria nën komandën e Sherahbil ibnu Hasene, edhe pse ishte tek të gjashtëdhjetat. Edhe ai kishte gjashtë mijë trupa dhe ishte nisur drejt Jordanisë.
  3. Ushtra nën komandën e Amr ibnul As me shtatë mijë trupa ishte nisur drejt Palestinës.
  4. Ebu Ubejde ibnul Xherrah, një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet, me pesë mijë trupa ishte nisur për në Homs.

Katër ushtritë i ndiqte nga pas një ushtri e vogël me dy mijë trupa nën komandën e Ikrime ibnu ebi Xhehl, e cila u mbronte krahët nga pas. Kështu, në total ata ishin njëzet e gjashtë mijë trupa.

Jezid ibnu ebi Sufjan, është djali i Ebu Sufjanit i cili e kishte luftuar profetin Muhamed a.s dhe islamin për kushedi sa vite. Nëna e tij ishte Hindi, bija e Utbes, e cila i çau barkun Hamzait dhe i kafshoi mëlçinë nga inati. Sot, djali i tyre ishte komandant i ushtrisë myslimane dhe ishte nisur drejt Damaskut.

Gjithashtu, Amr ibnul As kishte qenë një nga kundërshtarët më të rreptë të Profetit a.s dhe të myslimanëve dhe kishte luftuar kundër tyre, sot ai është komandant i ushtrisë myslimane. Ikrime ibnu ebi Xhehl, djali i Ebu Xhehlit, njeriut që e kishte urryer dhe sulmuar islamin dhe myslimanët më shumë se kushdo tjetër. Si është e mundur që armiqtë më të egër të kësaj feje, të ishin shndërruar në sakrifikuesit më të mëdhenj të saj? Një fe e cila i bën miq armiqtë e saj më të rreptë, padyshim që është një fe e madhe.

Po përse Ebu Bekri nuk dërgoi një ushtri të vetme me një numër më të madh luftëtarësh, por dërgoi katër ushtri me numër të vogël? Këtë e bëri me qëllim që të ndajë në disa pjesë ushtrinë bizantine, e cila ishte shumë e madhe në numër.

Edhe pse ishin katër ushtri, asnjëra prej tyre nuk korri ndonjë rezultat për të qenë. Kush është zgjidhja atëherë? Zgjidhja ishte akoma në Irak. Po, vetëm Halid ibnul Velid mund të bënte diçka.

Kur Ebu Bekrit i erdhën lajme se ushtritë e tij në tokat e Levantit nuk po korrin ndonjë rezultat, qe shprehur:”Pasha Zotin, do të bëj që bizantët ti harrojnë vesveset e shejtanit duke u dërguar Halid ibnul Velid.” Pra, edhe shejtani nuk do të mundet tu bëjë vesvese për shkak të marifeteve dhe planeve ushtarake të Halid ibnul Velid.

A thua ka njerëz mes nesh të cilët kur gjenden në shoqërinë e tyre, me fqinjët, me miqtë apo kolegët, shejtani distancohet prej tyre, pasi ai i angazhon me gjëra të mira dhe të dobishme? A thua je ti i tillë o vëlla dhe oj motër? Halidi do bënte një perandori ti harrojë vesveset e shejtanit, kurse prej teje kërkohet që ta bësh këtë vetëm me shokët e tu, vetëm me njerëzit e pallatit ku jeton, vetëm me farefisin tënd. Duke folur për jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s, ne ndalemi herë pas here dhe bëjmë paralelizma mes tyre dhe aktualitetit tonë, mundohem që të vë dorën në plagët tona.

Ebu Bekri i dërgon një letër Halid ibnul Velidit në të cilën i thoshte:

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Nga robi i Zotit Ebu Bekr ibnu ebi Kuhafe, drejtuar Halid ibnul Velid.

Paqja qoftë me ty!

Falënderoj Zotin i cili nuk ka shoq, përshëndes profetin e Tij Muhamedin a.s.

Nisu drejt Shamit – Levantit derisa të takohesh me trupat myslimane atje pasi janë në kushte të vështira. Unë të kam emëruar komandantin e tyre. Nëse i çliron territoret e Shamit, atëherë kthehu në detyrën tënde në Irak. Por mos lejo të të pëlqejë vetja sepse kështu humbet dhe zhgënjehesh ti vetë.”

Halidi do të niset me gjysmën e ushtrisë për në Sham, duke lënë në Irak gjysmën tjetër nën komandën e Muthena ibnu Harithe. Para se të ndajnë ushtrinë, secili prej tyre donte të marrë shokët e Profetit a.s, e në veçanti debati më i madh ishte rreth Kauka ibnu Amr. Profeti a.s kishte thënë se:”Zëri i Kauka në betejë është ekuvalent me një mijë burra.” dhe të dy komandanët donin që Kauka-n ta mbanin për vete. Në fund është Halidi ai që e mori me vete, pasi e kishte pikë të dobët. Një figurë tjetër e cila kishte filluar të shfaqej fuqishëm në beteja ishte dhe Durar ibnul Ezver. Edhe atë Halidi e mori me vete, pasi kishte shënuar heroizma në beteja. Madje ai njihej:”Gjoks zbuluari!” pasi luftonte pa parzmore.

Për të vajtur në Sham, Halidi kishte dy rrugë, njëra e mirëmbajtur dhe me burime uji për tu furnizuar, por që duhej një muaj për të mbërritur atje, pasi ishte 500-600 milje larg. Kurse rruga tjetër ishte shumë e vështirë, ishte shkretëtirë e thatë pa pikë uji, ku u duhej të udhëtojnë pesë ditë për të gjetur ujë.

Halidi kërkoi një udhërrëfyes për rrugën e shkretëtirës dhe i dërguan Rafi ibnu Umejre të cilin e pyeti:”A e njeh mirë këtë rrugë o Rafi?” Ai iu përgjigj:”Nuk kam udhëtuar në të që prej tridhjetë viteve! Ajo është një rrugë e e vështirë, saqë nëse niset dikush me ushqime e ujë, i mbarojnë pa mbërritur në destinacion. Ka mundësi që edhe të vdesë rrugës. Prandaj mos u nis kësaj rruge o Halid!” Halidi e pyeti:”A është e pamundur të përshkohet?” Udhërrëfyesi iu përgjigj:”Nuk është e pamundur, por gati e pamundur.”

Halidi mblodhi krerët e ushtrisë dhe u kërkoi një mendim, por ata shfaqën pasiguri dhe frikë që të nisen në rrugën e shkretëtirës. Atëherë ai u tha:”O njerëz! Vëllezërit tuaj në Sham kanë nevojë për ju. Dijeni se ndihma nga Zoti vjen sipas nijetit tonë!”

Pas kësaj ranë dakort që ti bien nga shkretëtira, me gjithë vështirësitë që i prisnin para. Gjatë rrugës do të përballeshin me mungesa uji për kafshët dhe për njerëzit. Me qëllim që ti paraprijë mungesës së ujit për kafshët, Halidi bëri një plan realisht që të lë pa fjalë. Ai zgjodhi njëzet deve të cilat ushtria do i therte për ushqim gjatë rrugës. Këto i la pa pirë ujë për disa ditë, ndërkohë që i ushqente me gjëra të thata që t’ua shtojë etjen. Kur etja e deveve arriti kulmin u dha ujë dhe ato pinë unë në sasi të madhe. Kështu, sa herë që do u duhej të furnizojnë kafshët me ujë, do të therin njërën nga këto deve, mishin e saj do e konsumojë ushtria kurse uji i depozituar nga deveja do u jepet kafshëve të tjera. Për ti paraprirë mungesës së ujit për njerëz morën ujë sipas mundësive.

Tre ditët e para të udhëtimit ushtria nuk pati asnjë problem, por ditën e katërt filluan problemet me mungesën e ujit. Ditën e katërt, duke parë gjendjen e ushtrisë Halidi u tha:”O njerëz! Dua që të gjithë të heshtin dhe të mos flasë askush gjatë gjithë ditës!” Me këtë donte të minimalizojë harxhimin e energjive. Nga ana tjetër u tha:”Fjalët e vetme që mund të thoni le të jenë:”Na mjafton Allahu, Garantuesi më i mirë!”

Halid ibnul Velid nuk duhet parë vetëm si komandant ushtarak dhe strateg luftrash, por edhe në dimensionin shpirtëror të besimit.

Gjatë gjithë ditës së katërt heshtja kishte pllakosur të gjithë ushtrinë. Por ditën e pestë dukej qartë se ushtria po rraskapitej në maksimum. Ditën e pestë ishte llogaritur që të gjendeshin burimet e ujit, prandaj dhe Halidi thirri udhërëfyesin Rafi ibnu Umejre të cilin e pyeti:”Ku janë burimet?” Ai iu përgjigj:”O Halid! Unë thë thasë se kam tridhjetë vite pa e shkelur këtë rrugë. E kam shkelur për herë të fundit kur kam qenë fëmijë dhe isha në shoqërinë e tim eti. Ajo që mbaj mend është se burimi ku kemi pirë ujë atëherë, ndodhej mes dy palmave.” Halidi u thirri ushtarëve:”Kushdo që pikas dy palma të na tregojë se atje ka ujë!”

Të gjithë filluan të lusin Zotin dhe ti përgjërohen që ti ndihmojë. Në një moment dalluan dy palma në horizont. Kur mbërritën atje gërmuan dheun dhe doli ujë me të cilin shuan etjen. Pasi u rehatuan Halidi u tha:”A nuk u thashë se Zoti e ndihmon njeriun sipas nijetit të tij?!”

Kur motivi dhe nijeti jot është kënaqësia e Zotit, do të kuptosh se gjithçka tjetër e ke të lehtë, faljen natën, veshjen e shamisë, rezultatet e larta në shkollë etj…

Komandanti më i rëndësishëm nga katër ushtritë myslimane e dislokuara në vendet e Shamit ishte Ebu Ubejde ibnul Xherah, një nga shtatë personat e parë që patën pranuar islamin dhe një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet. Normalisht që Halid do e ketë pasur paksa të vështirë që të bëhej komandanti i tij. Pasi u takuan dhe u përshëndetën, Halidi i tha:”O Ebu Ubejde! Pasha Zotin, nëse nuk do të ishte Ebu Bekri ai që ma ka besuar komandën e ushtrisë, kurrë nuk do të dilja para teje!” Nga ana e tij Ebu Ubejde ia ktheu:”Pasha Zotin o Halid, për çështje lufte ti je më i ditur se unë.”

 

Beteja e Jermuk-ut

Beteja e Jermukut është vendimtare për thyerjen përfundimtare të bizantëve dhe largimin e tyre nga vendet e Shamit-Levantit. Nëse bizantët munden në Jermuk, Herakliu që ndodhet në Homs do të mbledhë plaçkat dhe do të largohet një herë e përgjithmonë duke i dhënë fund bizantëve në Sham. E nëse myslimanët do të munden në këtë betejë, bizantët do të ndalen vetëm në Medine, kur të kenë vrarë dhe myslimanin e fundit. Ajo është një nga betejat më të rëndësishme për mbarë umetin mysliman.

Bizantët duke e vlerësuar maksimalisht këtë betejë, kishin grumbulluar dyqind e dyzet mijë trupa, ndërkohë që ushtria myslimane ishte vetëm tridhjetë e gjashtë mijë trupa. Këto shifra të dy ushtrive i kam gjetur tek të gjithë burimet historike që kam përdorur për këtë libër.

Jermuk ndodhe në Jordaninë e sotme. Dy ushtritë u vunë përballë njëra-tjetrës dhe para se të fillojë lufta me 13 Rexhep të vitit 13 hixhri, Halid ibnul Velid doli para ushtrisë së tij dhe u tha:”O njerëz! Kjo nuk është ditë mburrjeje dhe vetëpëlqimi, por është ditë sakrifice. Prandaj manifestoni maksimumin e sinqeritetit tuaj dhe le të jetë kjo punë vetëm për Zotin!”

Nga ana tjetër ai u tha katër komandantëve të tjerë që secili prej tyre do të ishte komandant një ditë, për vete kërkoi që të jetë komandanti i ushtrisë për ditën e parë dhe ata pranuan. Mandej filloi riorganizimin e ushtrisë; në krahun e djathtë vendosi Sherahbil ibnu Hasene dhe Amr ibnul As, në krahun e majtë vendosi Jezid ibnu ebi Sufjan, në mes Ebu Ubejde ibnul Xherrah, kurse për vete qëndroi komandant i sheshit të betejës. Sakaq, Kauka ibnu Amr dhe Durar ibnul Ezver i caktoi si komandantë të kalorësve. Diçka e veçantë ishte se bashkë me Durar ibnul Ezver kishte dalë dhe e motra e tij, Haule bintul Ezver. Të dy ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe ajo nuk i ndahej as në beteja.

Pasi bëri këtë ndarje, Halidi vajti tek krahu i djathtë i ushtrisë dhe u kërkoi të ndahen në njësi ku secila njësi kishte një mijë luftëtarë. Të njëjtën gjë bëri dhe me krahun e majtë dhe me ata në mes. Kështu i ndau të gjithë në tridhjetë e gjashtë njësi. Këtë e  bënte me qëllim që ushtria bizantine të hyjë vetëm në pjesët e ndara dhe të mund të goditej nga të katër anët. Veç kësaj, secilën nga njësitë prej një mijë luftëtarësh, e ndau në krah të djathtë, të majtë dhe qendër dhe për secilën caktoi një komandant nga sahabët, mundësisht të ishin nga pjesëmarrësit në Bedër.

Veç planifikimit ushtarak, Halid ibnul Velid ishte dhe besimtar i mirë. Pasi bëri këtë ndarje ai thirri:”Ku është Mikdad ibnu Amr?” një nga shokët e profetit Muhamed a.s. Kur ai doli para i tha:”Shko në qendër të ushtrisë dhe me zë të lartë lexo suren Enfal!” Mandej kërkoi që për secilën nga njësitë ushtarake të dalë një person i cili do u fliste ushtarëve për tu ngritur moralin duke u kujtuar Zotin dhe botën tjetër. Ai caktoi si predikues të përgjithshëm të ushtrisë Muadh ibnul Xhebel, kurse myfti të ushtrisë caktoi Ebu Derda-në. Ai caktoi dhe një person i cili do motivonte ushtarët gjatë betejës, duke u dhënë forcë dhe energji. Këtë përgjegjësi ia ngarkoi Ebu Sufjanit. Po, Ebu Sufjanit i cili e kishte luftuar profetin Muhamed a.s dhe myslimanët për vite me radhë, ish komandantit të ushtrisë idhujtare në Uhud dhe në Hendek. A e shihni si ndryshojnë njerëzit në këtë botë? Në këtë betejë, Ebu Sufjani ishte në radhët e myslimanëve dhe do u jepte atyre zemër e forcë kundër ushtrisë armike.

Në këtë betejë merrnin pjeë një mijë nga shokët e Profetit a.s dhe secili prej tyre ishte komandant i një trupe ushtarësh. Mes atyre që gjendeshin në këtë betejë ishte dhe një person tjetër me të shkuar të zezë, Hind bintu Utbe, ajo që kishte urdhëruar vrasjen e Hamzait, i kishte çarë barkun dhe i kishte kafshuar mëlçinë.

Dy fjalë për këdo që bën jetë larg Zotit: Vëlla i dashur dhe motër e shtrenjtë! Zoti pranoi Hind bintu Utbe dhe pranoi Ebu Sufjanin! Prandaj nuk ka përse ta shihni si të pamundur kthimin nga Zoti për shkak të gjynaheve tuaja. Mos thoni asnjëherë se Zoti nuk u pranon dhe nuk u fal për të zezat tuaja, pasi Ai ka pranuar njerëz me të shkuar akoma më të zezë.

Një natë para se të fillojë beteja ndodh diçka e paimagjinueshme. Në ato çaste vjen një letër nga Medineja, nga vetë kalifi Omer ibnul Hatab, i cili e kishte nisur letrën dhe sigurisht që nuk dinte se ku gjendet ushtria myslimane në ato çaste. Në letër shkruhej:

Nga Omer ibnul Hatab, drejtuar Halid ibnul Velid.

Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Kalifi që pasoi të dërguarin e Zotit, Ebu Bekri i sinqertë ka ndërruar jetë!

Vendin e tij e kam zënë unë dhe unë të shkarkoj si komandant të ushtrisë! Në vendin tënd si komandant të ushtrisë ngarkoj Ebu Ubejde ibnul Xherah!”

Në ato çaste Halidi e mbështolli letrën dhe tha:”Dëgjuam dhe bindemi!”

Si është e mundur që një komandant i tillë të ketë një sinqeritet kaq të madh dhe kredite kaq të mëdha me Zotin? Si është e mundur që një strateg që kishte korrur gjithë ato fitore  vendimtare të pranojë vendimin e udhëheqësit të tij pa asnjë justifikim? Kjo do të thotë se ata njerëz i kishin llogaritë vetëm me Zotin, gjithçka që kishin bërë nuk e kishin bërë për lavdinë e tyre. Kushdo që jeton për islamin, Zoti do e lartësojë siç lartësoi Halid ibnul Velidin.

Menjëherë ai shkon tek Ebu Ubejde të cilin e përshëndet si ushtari komandantin dhe i dorëzon letrën, duke i thënë:”Të përgëzoj o Ebu Ubejde. Që tani ti je komandanti i ushtrisë kurse unë jam ushtari jot, prandaj më urdhëro me ç’të duash!”

Ebu Ubejde ia komunikoi ndryshimin e komandës të gjithë ushtrisë, gjë e cila nuk shkaktoi pështjellim mes tyre. Kjo, pasi siç thamë, të gjithë i kishin bërë llogaritë me Zotin dhe nuk kishte gjëra personale.

Para betejës, Halid shkon tek Ebu Ubejde, e merr si mënjanë dhe i thotë:”Më lejo të të sugjeroj një ide!” Ai jo vetëm që nuk u mërzit dhe ti thyet zemra për kët ndryshim, por shkonte dhe i sugjeronte ide komandanti të ri të ushtrisë dhe këtë e bënte duke e marrë mënjanë me qëllim që të mos e lëndojë në sy të ushtarëve. Thuhet që gjatë viteve që ka shërbyer si ushtar i thjeshtë, Halidi jepte kontribut edhe më të madh sesa kur ishte komandant, gjë të cilën e kishin vënë re disa dhe e pyetën për këtë. Ai iu përgjigj:”Unë kam ardhur këtu për hatër të Zotit dhe jo për hatër të Omer ibnul Hatabit!”

Ebu Ubejde i tha:”Thuaje mendimin tënd o Halid se po të dëgjoj!” Halid i tha:”Ata do të na sulmojnë fort në fillim, prandaj dhe propozoj që të mos ua kthejmë me të njëjtën forcë. Unë propozoj që të tërhiqemi paksa përballë këtij sulmi dhe të mos i nxjerrësh kalorësit tanë që në fillim!”

Tregojnë disa nga shokët e profetit Muhamed a.s:”Kur pamë ushtrinë armike dukej si një re e zezë që kishte zënë horizontin!” Edhe pse ishin një ushtri kaq e madhe dhe myslimanët një numër shumë i vogël krahasuar me ta, nuk u lëkundën dhe nuk u ra morali. Në një moment kaq të vështirë dhe delikat, myslimanit të atëhershëm nuk i dridhej qerpiku, ndërkohë që ty të ikën mendja nëse një vajzë ta bën me shenjë, duke i harruar të gjithë ligjëratat që ke dëgjuar më parë.

Ebu Ubejde e kishte caktuar Halidin si komandant të kalorësve. Në momentet kur po niste lufta, Halidi ngriti lart një flamur të zi të cilin ia kishte dhuruar profeti Muhamed a.s, ndërsa në kokë mbante çallmën me flokët e Profetit a.s.

Beteja filloi e përgjakshme por asnjëra nga palët nuk dukej superiore. Në një moment tërhiqen të dy palët dhe një nga komandantët bizantë, Mahan, del dhe thërret:”Dua të bisedoj me Halid ibnul Velid!” dhe pasi Halid del i thotë:”O Halid! Unë e di se ajo që u ka nxjerrë nga vendi jua është uria dhe fukarallëku. Unë të premtoj që secilit prej jush ti jap një mijë dinarë floriri, një veshje dhe një çallmë. Mandej kthehuni në vendin tuaj!”

Kësaj kërkese ironike, Halid do i japë një përgjigje e cila i fut tmerrin komandantit bizant. Ai i tha:”Jo o Mahan. Nuk na ka nxjerrë uria dhe fukarallëku nga vendi ynë, por na ka nxjerrë diçka tjetër. Ne jemi njerëz që pijmë  gjak njeriu dhe na kanë thënë se gjaku më i mirë është ai i bizantëve! Neve na pëlqen gjaku bizant ashtu siç u pëlqen juve konsumi i verës.”

Mahan u kthye me fytyrë të zverdhur tek njerëzit e tij. Një komandant tjetër bizant, Gorge, kur e pa Mahanin të zverdhur në fytyrë, doli dhe kërkoi të takohej edhe ai me Halidin. Ai i tha:”O Halid! Pash Zotin më thuaj të vërtetën dhe mos më gënje, pasi njerëzit e fisëm nuk gënjejnë. A është e vërtetë që Profetit tuaj i është dhënë një shpatë nga qielli dhe i është thënë jepja këtë Halidit q të vrasë kundërshtarët e tij në betejë?!” Aq shumë flitej për Halid ibnul Velid saqë kishin filluar të thurrin edhe mite të paqena. Halid iu përgjigj:”Jo për Zotin nuk më ka dhënë Zoti shpatë. Unë e kam përgënjeshtruar të dërguarin e Zotit për një kohë të gjatë dhe kur e besova, ai u gëzua dhe u lut që Zoti të më bëjë një shpatë të Tij kundër idhujtarëve. Sot unë jam shpata më e rëndë për armiqtë tanë.” Gorge pyeti:”Po çfarë duhet të bëjë dikush që dëshiron të hyjë në fenë tuaj?” Halid iu përgjigj:”Të dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, të falet, të japë zekatin dhe të luftojë me ne.” Gorge e pyeti:”Dhe mund të bëhem si ju?” Halid iu përgjigj:”Madje mund të bëhesh edhe më i mirë sesa ne. Çështja nuk ka të bëjë me kohën, por ka të bëjë me sinqeritetin.” Gorge pyeti:”Me të vërtetë!? Mund të bëhem edhe më i mirë sesa ju?!” Halid iu përgjigj:”Unë jam komandanti i tyre, ndërkohë që aty ka njerëz shumë herë më të mirë sesa unë.” Gorge e pyeti:”A më ke thënë të vërtetën o Halid?” Ai iu përgjigj:”Pasha Zotin nuk të kam gënjyer aspak.” Gorge i tha:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Po tani, çfarë të bëj o Halid?” Ai iu përgjigj:”Hajde me mua në çadrën time!” Mandej i hodhi ujë që të lahej dhe pasi u la fali me të dy rekate. Menjëherë pas kësaj Gorge hyn në betejë dhe bie dëshmor.

Besimi nuk ka të bëjë me dijet që ke, por me sinqeritetin dhe pasionin që ke për Zotin.

Ushtria bizanti vërshoi në drejtim të myslimanëve si të ishte një det i papërmbajtshëm. Ndërkohë, Ebu Sufjani dhe shumë predikues të tjerë bënin çmos që tu japin zemër ushtarëve myslimanë përballë atij sulmi vdekjeprurës. Në një moment dëgjohet një zë:”Unë jam ai që e kam luftuar të dërguarin e Zotit për një kohë të gjatë dhe kam qenë i qëndrueshëm edhe pse në gabim. Nuk bën vaki që sot t’ia mbath përballë sulmit të bizantëve. Për Zotin do të qëndroj këtu.” Ai ishte Ikrime ibnu ebi Xhehl. Mandej thërret fort:”Kush është ai që jep besën për jetë a vdekje sot!” Katërqind vetë që e kishin dëgjuar i japin besën për jetë a vdekje, mes tyre dhe Dhurar ibnul Esver. Pastaj u turrën të gjithë kundër ushtrisë bizantit. Ata vriten njëri pas tjetrit, mes tyre dhe Ikrime ibnu ebi Xhehl dhe Dhurar ibnul Esver. Thuhet që në momentet e vdekjes Dhurar ibnul Esver ndjente shumë etje. Kushëriri i tij i ofroi të pijë ujë, por ai duke parë dikë tjetër përbri që kërkonte ujë, i tha:”Jepi vëllait tim fillimisht!” Shkoi tek tjetri por ai i tha të shkojë tek një vëlla i tretë, e kështu me radhë derisa arriti tek i dhjeti i cili ndërroi jetë në ato çaste. Kur u kthye tek i pari pa që edhe ai kishte vdekur, e kështu dhe të tjerët.

Nga ana tjetër gratë e myslimanëve kishin marrë drurët e çadrave dhe kushdo që orvatej të largohej nga beteja e qëllonin me drunj. Në një moment u pa një kalorës me fytyrë të mbuluar i cili turrej drejt bizantëve, i qëllonte me heshta pastaj kthehej mbrapsht për të marrë heshtat e tjera. Këtë e bëri disa herë, saqë disa kujtuan se është Halid ibnul Velidi, por ai ishte duke luftuar në mes të ushtrisë. Vetë Halidi i afrohet një moment dhe e pyet:”Kush je ti që nuk të njohim?” Kalorësi i tha:”Jam Haule bintul Ezver, motra e Dhurar ibnul Ezver po marr hak për tim vëlla.”

Një grua tjetër, Hind bintul Ukbe, merr drurin që mbante çadrën e saj dhe hyn në rreshtat e ushtarëve myslimanë duke u thirrë:”O mbrojtës të islamit, o heronj të islamit! Ku po shkoni? Mos po ikni nga Zoti? Mos po i ktheni shpinën xhenetit? Pashi Zotin luftoni dhe mos i turpëroni myslimanët sot!” Në atë çast sheh të shoqin e saj, Ebu Sufjanin duke u tërhequr me kalë. Ajo i turret drejt dhe i thotë:”Ktheu o Ebu Sufjan! Ktheu në betejë se ke luftuar të dërguarin e Zotit dhe sot të duhet ta shlyesh gjithçka që ke bërë kundër tij!” dhe Ebu Sufjani kthehet duke thirrur:”Ndihma e Zotit është afër, prandaj qëndroni!”|

Sërish do të duhet gjenialiteti dhe kreativiteti i Halid ibnul Velid që të përmbysen ekuilibrat. Ai sheh që mes këmbësorëve bizantë dhe kalorësve që u paraprinin ishte krijuar një distancë, të cilën ai e shfrytëzoi me kalorësit e tij. Ai hyri në këtë hapësirë dhe filloi të vrasë sa kalorësit bizantë nga pas aq dhe këmbësorët nga para. Tashmë ai i kishte zënë ngushtë kalorësit dhe këmbësorët. Megjithatë, u thirri ushtarëve të tij:”Mos i ngushtoni shumë – pasi nuk donte betejë për jetë a vdekje – por u lini një shteg nga i cili të mund të largohen jashtë sheshit të betejës!” Ashtu ndodhi. Kalorësit bizantë ia dhanë vrapit nga shtegu që u la ushtria myslimane, ndërkohë që tek këmbësoria u bë nami.

Pasi përfundoi beteja ushtria myslimane niset menjëherë drejt Damaskut. Me të mbërritur e rrethojnë qytetin, por muret e tij ishte shumë të lartë dhe të fortifikuar. Një natë rojat e kalasë nga brenda pinë verë dhe u dehën. Ky shans nuk mund ti humbiste Halidit, i cili kërkoi litarë. Ai vetë dhe Kauka ibnu Amr hodhën litarët sipër, u ngjitën, hynë brenda dhe hapën portat e qytetit. Banorët ishin të frikësuar dhe ia dhanë vrapit nga jugu, ndërkohë që Halidi i ndiqte pas. Kur mbërritën në një zonë, ushtria e Halidit u takua me ushtrinë e Ubejde ibnul Xherrah i cili sapo kishte nënshkruar një marrëveshje paqeje. Ai i kërkoi të ndalojë dhe Halidi u ndal. Kështu Damasku u dorëzua me paqe.

 

Arsyeja e shkarkimit të Halidit nga Omeri

Shkaqet për të cilat Omeri u detyrua të shkarkojë Halid ibnul Velidin si komandant të përgjithshëm janë tre:

  1. U frikësua se mos myslimanët i varin shpresat tek Halidi. Shumë prej tyre shpreheshin se nënse Halidi është mes tyre fitojnë, në të kundërt jo, ndërkohë që Kurani ishte i qartë kur thoshte:”Fitorja nuk vjen veçse nga Zoti”. Omeri u pati shkruar gjithë guvernatorëve të tij lidhur me shkarkimin e Halidit ku u thoshte:”O njerëz, unë nuk e shkarkova Halid ibnul Velidin për ndonjë tradhëti apo shkelje të amanetit, por e shkarkova ngaqë myslimanët filluan ti varin shpresat vetëm tek ai.” Ka disa zëra që thonë se kur Omeri dhe Halidi ishin të vegjël patën bërë mundje dhe Halidi e pati rrëzuar përtokë, gjë të cilën Omeri nuk e kishte harruar.” Në fakt një pretendim i tillë kur bëhet për Omer ibnul Hatabin, humbet duket sheshit që nuk është i vërtetë.
  2. Duke shkarkuar Halidin, Omeri donte tu japë shans kuadrove të reja mes myslimanëve për të treguar aftësitë e tyre.
  3. Halid ibnul Velid ishte njeri i luftës, ndërkohë që Ebu Ubejde ishte njeri i paqes. Kjo doli në pah gjatë marrjes së Damaskut. Vetë Omeri donte sa më pak gjakderdhje.

 

Vdekja e Halid ibnul Velid

Në moshën pesëdhjetë e gjashtë vjeçare, Halid ibnul Velid ndërron jetë. Katër vitet e fundit të jetës ai i kaloi larg luftrave në qytetin Homs të Sirisë, ku shihej rrallë të dalë nga shtëpia. Para vdekjes kaloi një fatkeqësi të rëndë, pasi i vdiqën dyzet nga fëmijët dhe nipërit brenda një viti. Të gjithë vdiqën për shkak të një mortaje që qe përhapur në Siri. Para vdekjes ai dukej shumë i lodhur. Pak para se të vdesë ai tha:”Pasha Zotin kam marrë pjesë në shumë luftra dhe trupin e kam plot me goditje shpatash e heshtash. Kurse tani po vdes në shtrat siç vdes dhe deveja!” Trashëgimia e tij e vetme që la pas Halid ibnul Velid ishte kali, shpata dhe heshta.

 

 

 

FATIME, VAJZA E PROFETIT MUHAMED A.S.

Profeti ynë i nderuar ka pasur tetë fëmijë, shtatë i kanë lindur me Hadixhen dhe një me Marien nga Egjipti. Fëmijët që i kanë lindur me zonjën Hadixhe, Zoti qoft i kënaqur me të ishin tre djem dhe katër vajza. Djemtë quheshin Kasim, Abdullah dhe Tahir, kurse vajzat quheshin Zejnebe, Rukaje, Umu Kulthum dhe Fatime, sipas radhës së lindjes.

Lidhur me faktin që Profetit a.s i vdiqën të gjithë djemtë në moshë të vogël, ndërkohë që i vdiqën edhe tre vajza gjatë jetës së tij, disa dijetarë thonë se tek shumë profetë të Zotit, ishin fëmijët ata që trashëgonin profetësinë. Kështu kemi Ibrahimin a.s, dy djemtë e të cilit, Ismaili a.s dhe Is’haku a.s ishin profetë. Po ashtu djali i Is’haut, Jakubi a.s ishte profet dhe më pas djali i tij Jusufi a.s bëhet Profeti. Kemi dhe Daudin a.s djali i të cilit, Sulejmani a.s u bë profet i Zotit dhe ai. Dijetarët thonë, meqë profeti Muhamed a.s ishte profeti më i madh i njerëzimit dhe i fundit, nuk duhej të kishte fëmijë.

Sipas një interpretimi tjetër, thuhet se në kohën që ka jetuar Profeti a.s vajzat shiheshin si një barrë e rëndë dhe ai prind që kishte vajza paragjykohej dhe shihej me keqardhje. Kurani e përshkruan realitetin e asaj kohe me fjalët:”kur ndonjë prej tyre informohej se i ka lindur vajzë, fytyra i nxihej dhe bëhej vrer. Ai fshihej prej njerëzve për shkak të lajmit që i dhanë. A thua ta mbajë me turp apo ta groposë në tokë?!”

Duke i jetuar vetëm vajzat profetit Muhamed a.s, mesazhi ishte i qartë që vajzat janë njëlloj si djemtë. Madje, Profeti a.s në një thënie të tij thoshte: “Kush ka tre vajza i edukon, i mëshiron dhe u siguron jetesën, ka merituar xhenetin!”

Ata që deri dje i kishin groposur për së gjalli vajzat e pyetën:”Po sikur një prind të ketë vetëm dy vajza, a e meriton këtë nder?” Profeti a.s u përgjigj:”Po, edhe nëse ka dy.” Transmetuesit e këtij hadithi thotë:”Për Zotin, po ta kishim pyetur nëse këtë nder e ka edhe ai që ka një vajzë, ai do të na e kishte pohuar, por neve na erdhi zor ta pyesim.”

Nga prindër që i groposnin vajza për së gjalli, arabët u shndërruan në prindër që i nderonin dhe nëpërmjet tyre kërkonin të fitojnë xhenetin. Veç fjalëve rreth vlerës së vajzave, Profeti a.s ishte modeli praktik i një prindi me vajza, atij i vdiqën djemtë në moshë të vogël, ndërkohë që vajzat i jetuan.

Falë thënieve të shumta mbi vlerën e vajzave dhe dashurisë së tij që tregonte për të bijat, prindërit që kanë vajza ndihen të privilegjuar, por të privilegjuara ndihen edhe vetë vajzat.

Në këto rreshta ne do të fokusohemi tek Fatimja, pasi ajo është dhe fëmija që i ka jetuar Profetit a.s. më gjatë.

Ajo ka lindur pesë vite para se Profetit a.s ti shpallej Kurani për herë të parë, pra kur Profeti a.s ishte në moshën tridhjetë e pesë vjeçare. Ajo lindi vitin që arabët kishin vendosur dhe po rindërtonin Qaben, muret e të cilës ishin dëmtuar. Ajo lindi në shtëpinë ku Profeti a.s ishte martuar me Hadixhen, shtëpi e cila ka ekzizstuar gjer vonë.

Fatimeja ka lindur me datë 20 të muajit Xhumadul Ula, pesë vite para se Profetit a.s të fillojë ti shpallet Kurani. Kështu, kur Profetit a.s iu shpallën versetet e parë të Kuranit, Fatimeja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte pesë vjeçe. Edhe pse e vogël ajo përqafoi islamin, duke u bërë personi më i vogël që konvertohej në islam. Shumë pak njerëz e kanë ditur që njeriu me moshën më të vogël që ka pranuar islamin ka qenë Fatimeja, ndërkohë që pothuajse të gjithë e dinë se ai ka qenë Aliu. Në fakt, Aliu ishte dhjetë vjeç kur ka pranuar islamin.

Fatime do të thotë njeri i imunizuar nga ligësitë dhe poshtërsitë. Fatime ishte një emër shumë i përhapur asokohe mes arabëve.

Vajza e Profetit a.s, Fatimeja njihej me katër nofka: Zehra (lule), Betul (e ndershme), Tahire (e dëlirë) dhe Umul Hasen vel Husejn (Nëna e Hasanit dhe Husejnit).  Në fakt ekziston dhe një nofkë tjetër me të cilën e thrrësinin Fatimen, Umu Ebiha (nëna e të atit) dhe ko për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me të atin, sidomos pas vdekjes së nënës Hadixhes. Aq shumë ishte e lidhur me të atin, Profetin a.s, aq shumë tregonte dashuri dhe dhembshuri për të, aq shumë kujdej për të, saqë e thërrisnin si Nëna e të atit. Nofkën Zehra (lule) thuhet se ia patën ngjitur për shkak se i ngjante shumë Profetit a.s, por thuhet edhe për shkak se ajo ishte lulja e jetës së Profetit a.s. Sakaq nofkën Betul (e ndershme) ia kanë ngjitur për shkak të ngjashmërisë në virtyte me nënën e Isait a.s, Merjemen. Profeti a.s thoshte:”Zonja e grave të xhenetit do të jetë Fatimeja, pas Merjemes.”

 

Dashuria e Profetit a.s për Fatimen

Profeti Muhamed a.s e donte fort të bijën e tij, gjë të cilën e pikas kollaj në çdo detaj të jetës së tij. Ai deklaronte dhe thoshte:”Fatimeja është pjesë e imja, kush e zemëron atë më ka zemëruar mua.” (Buhari)

Në një hadith të transmetuar nga Taberanij Profeti a.s thotë:”Unë, Fatimeja, Hasani dhe Husejni si dhe kushdo që na do neve, ditën e Kimaetit, teksa njerëzit e tjerë japin llogari para Zotit, ne do të ulemi duke ngrënë e pirë derisa të mbarojë llogaria.” Nëse ky nderim është gjatë llogarisë, vallë si do të jetë nderimi në xhenetet e amshuar?!

Prandaj kur flasim për Fatimen si vajza e Profetit a.s, duhet ndjerë se ajo ka qenë një pjesë e tij, siç e shprehte ai dhe se dashuria për Fatimen është dashuri për Profetin a.s.

Në një hadith tjetër rreth ditës së Kiametit, Profeti a.s thotë:”Ndërkohë që atë ditë të gjithë profetët luten për veten, unë lutem:”O Zot, umeti im, umeti im. O Zot nuk po kërkoj për veten dhe nuk po kërkoj as për time bijë Fatimen!”

Sa herë që Profeti a.s ishte ulur dhe Fatimja hynte brenda, ai ngrihej në këmbë dhe e puthte mes dy syve. Për fat të keq sot e kësaj dite ka prindër të cilët nuk dinë ta përqafojnë vajzën e tyre, e aq më pak ta puthin në  ballë. Sakaq Profeti a.s e kishte të pamundur të qëndrojë ulur kur hynte Fatimja në dhomë, por brofte në këmbë dhe e puthte në ballë. Edhe në sëmundjen e vdekjes Profeti a.s u mundua të ngrihej në këmbë për ta puthur në ballë kur hyri e bija, por nuk mundi për shkak të sëmundjes. A e imagjinoni dot një person duke vdekur dhe kur i hyn e bija të mundohet të ngrihet siç ka bërë gjithmonë?

Sa herë që Profeti a.s vinte nga një udhëtim i gjatë, gjëja e parë që bënte ishte se hynte në xhami ku falte dy rekate, pastaj menjëherë shkonte dhe vizitonte të bijën në shtëpinë e saj. Gjithashtu kur nisej për rrugë jashtë Medines, personi i fundit me të cilin ndahej ishte gjithmonë e bija.

Po, ai deshte fort Fatimen, ama ishte dashuri e ekuilibruar, dashuri e cila nuk ndërhynte në çështjet e drejtësisë, dashura e cila nuk e shtynte tu hyjë në hak njerëzve të tjerë. Kur një grua pati vjedhur dhe do të ndëshkohej, për shkak se rridhte nga një familje e fisme, disa persona ndërmjetësuan tek Profeti a.s që ta falë, por ai u zemëruar dhe tha:”Pasha Zotin, edhe sikur Fatimja, ime bijë të vidhte, do e ndëshkoja.”

Edhe sot ka prindër që i duan fëmijët e tyre, por dashuria e tyre për ta i shtyn që tu hyjnë në hak njerëzve të tjerë. Ka prindër të cilët përveç dashurisë që u japin fëmijëve, u japin dhe llastimin, gjë e cila i prish këto fëmijë. Sakaq tek profeti Muhamed a.s gjejmë dashurinë e pakufij dhe krahas saj drejtësinë dhe maturinë.

Po çfarë kishte bërë Fatimeja që Profeti a.s e donte aq shumë? Ka pasur shumë gra që kanë sakrifikuar shumë gjëra, ashtu siç ka pasur shumë të tjera me kontribut në dije si rasti i nënës së besimtarëve Aishes, e cila ka transmetuar shumë hadithe të Profetit a.s. Ndërkohë që  Fatimeja nuk transmeton as dhe një hadith të vetëm. Po çfarë e bënte Fatimen kaq të veçantë atëherë? Përse e konsideronte Profeti a.s si një nga zonjat e xhenetit, pas Merjemes?

Fatimeja ka qenë fëmija dhe njeriu që i përngjante më së shumti profetit Muhamed a.s, në pamje, në morale, në të ecur, në komunikim … Tregon Aisheja:”Nuk kam parë njeri që i ngjante të dërguarit të Zotit a,s në komunikim dhe në virtyte siç i ngjante Fatimeja.” Ajo ishte një kopje e Profetit a.s në morale dhe në mënyrën e të ecurit. Në një hadith tjetër, Aishja thotë:”Nuk kam parë njeri më të sinqertë sesa Fatimeja, përveç Profetit a.s.”

Ngjyra e saj e lëkurës, sidomos në fytyrë ishte pothuajse e njëjtë me atë të Profetit a.s. Aisheja tregon se edhe kur ulej edhe kur ngrihej, ajo i përngjante Profetit a.s në detaje. Zoti ka dashur që ai që i do i ngjante në çdo gjë të dërguarit të Tij, të mos ishte burrë por një grua.

Një tipar tjetër i Fatimes, Zoti qoftë i kënaqur me të, është se ishte shumë e pjekur dhe e matur. Kur kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeçe, Profeti a.s kishte nëntë gra, e megjithatë nga ajo nuk është dëgjuar qoftë dhe një fjalë e vetme pakënaqësie. Edhe orientalistët të cilët orvaten natë e ditë të nxjerrin kritika kundër islamit dhe figurave islame, nuk kanë mundur të gjejnë qoftë dhe diçka të vetme tek Fatimeja. Ajo i vlerësonte kushtet sociale dhe politike në të cilat gjendej i ati duke ofruar një model të mrekullueshëm të vajzës.

Një arsye tjetër e këtij vlerësimi që Profeti a.s i bënte të  bijës është dhe durimi dhe sakrificat e saj. Mos harrojmë se Fatimes i vdiq e ëma në moshën dhjetë vjeçare. Ajo e shihte të atin, të cilin deri atëherë e kishin etiketuar si i besueshmi dhe fjalëdrejti, duke e dhunuar, ofenduar, tallur dhe sharë. Ajo jetoi disa kohë pa Profetin a.s derisa më në fund iu bashkangjit në Medine. Ajo humbi tre vëllezërit e saj të vegjël, ashtu siç humbi dhe tre motra të rritura. Ajo pa të atin duke i vdekur para syve. Ne të gjithë kur lexojmë ose dëgjojmë mbi vdekjen e të dërguarit të Zotit, na mbushen sytë me lot. Imagjinoni pak Fatimen si është ndjerë në ato momente dhe në ditët më pas.

Ajo është dëshmitarja e vetme e të gjithë jetës së Profetit a.s nga momenti i shpalljes së Kuranit e deri në vdekjen e tij. Askush tjetër nuk e ka këtë privilegj, përveç Ebu Bekrit nga burrat.

Nëse doni të shihni një njeri, përveç Profetit a.s, i cili është islam që ecën mbi tokë, ai njeri ka qenë Fatimeja. Nëse doni një njeri i cili ka adhuruar Zotin, njëlloj si hazreti Merjemja, ajo është Fatimja. Nëse doni një njeri me vlera, virtyte dhe moral të lartë, një njeri e cila nuk ka përfolur kënd me gojën e saj, ajo është Fatimeja e bija e Muhamed mustafasë a.s. Nëse doni të shihni dikë që sakrifikon për të atin, vihet në mbrojtje të tij dhe të misionit me të cilin është dërguar, ajo është Fatimja. Nëse doni të shihni modelin e një nëne që edukon fëmijët e saj, ajo është Fatimeja e cila edukoi dy zotërinjtë e banorëve të xhenetit, Hasanin dhe Husejnin. Nëse doni një njeri i cili është sinqeritet që ecën në tokë, ajo është Fatimeja bija e Muhamedit a.s. Nëse doni një njeri me vepra dhe pa fjalë, ajo është Fatimeja.

 

Fatime në Mekë

Pesë vitet e para të jetës, Fatimeja ishte dëshmitare e largimit të atit të saj për në shpellën Hira. Po, ajo ka shoqëruar dhe të ëmën e saj, zonjën Hadixhe, teksa i çonte bukën Profetit a.s në shpellën Hira. Imagjinoni pak vajzën e vogël teksa ngjitej në mal, kur i hidhej në krahë të atit dhe luante me të.

Një herë ajo e pa të atin që u kthye natën nga shpella Hira ku qëndronte për meditim, ai dridhej dhe thërriste:”Më mbuloni! Më mbuloni!” Ajo filloi të dëgjojë dhe të kuptojë se i ati ishte profeti i fundit që Zoti kishte dërguar për njerëzimin. Ajo dëgjonte dhe shikonte të atin i cili kishte mbledhur familjarët e vet dhe u thoshte:”O Benu Hashim shpëtoni veten nga zjarri! O Benu Abdul Mutalib, shpëtoni veten tuaj nga zjarri! O Abas xhaxhai i Profetit, shpëto veten nga zjarri! O Safije halla e Profetit, shpëto veten nga zjarri! O Fatime bija e Muhamedit, shpëto veten nga zjarri, sepse unë nuk kam asgjë në dorë!” Që atë ditë që dëgjoi këto fjalë, ajo vendosi të jetojë si vajza e Profetit, të ndjekë gjurmët e tij dhe ti gjendet pranë në çdo çast. Kudo që Profeti a.s shkonte, ajo e ndiqte nga pas nga frika se mos ndokush e keqtrajton. Edhe pse gjashtë shtatë vjeçare ajo e ka parë shpesh herë të atin e saj teksa fyhej dhe qëllohej. Kur lexon jetëshkrimin e Profetit a.s, do të gjesh që sa herë që ai është keqtrajtuar nga mekasit, ka qenë Fatimeja ajo që e ndihmonte të marrë veten. Ajo nuk shkonte të luajë me vajzat e moshës së saj, sepse ndiqte të atin kudo që shkelte. Një herë ajo e pa të atin i cili ndërkohë që kishte vënë ballin në sexhde, Ukbe ibnu Meit i hodhi sipër të brendshmet e një deveje. Vajza e tij gjashtë shtatë vjeçare u turr drejt të atit duke i hequr të brendshmet e devesë, ndërkohë që kishte shpërthyer në të qara me dënesë. Pasi Profeti a.s u ngrit dhe pa të  bijën duke qarë, e mori në krahë dhe i tha:”Mos qaj o bija ime, sepse Zoti do e ndihmojë babain tënd!”

Sa herë që Profetit a.s i hidhnin pluhur rrugës dhe ai kthehëj në shtëpi, Fatimja brofte e para për t’ia pastruar shpinën të atit.

Ajo pati parë Profeti a.s, të ëmën dhe myslimanët e tjerë duke ngrënë gjethe pemësh kur e gjithë Meka i bojkotoi dhe u vendosi bllokadë ekonomike dhe sociale. Asokohe ajo ishte trembëdhjetë vjeçe dhe deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe ajo jetoi në sokakun e Benu  Talib, ku edhe ajo vete hëngri gjethe pemësh nga uria. Pasi bojkoti përfundoi, ngjarja tjetër e rëndë për të ishte vdekja e nënës së saj, Hadixhes. Kur ndërroi jetë e ëma, ajo tha fjalë të cilat ndonjëherë as të rriturit nuk mund ti thonë. Ajo tha:”Pasha Zotin nuk them veçse “Të Zotit jemi dhe tek Zoti do të kthehemi! O Zot më shpërble pas vdekjes së nënës time!” Më pas shton:”Për Zotin nuk e di a të hidhërohem për ndarjen nga nëna apo të gëzohem për vendin që e pret në xhenet!” Kjo, pasi në momentet e vdekjes së Hadixhes, Xhibrili a.s pati zbritur dhe i pati thënë Profetit a.s:”Përgëzoje Hadixhen me një pallat prej diamanti në xhenet në të cilin nuk do të ndjejë lodhje e mërzi. Gjithashtu përcilli Hadixhes selamin nga ana e Zotit!”

Një herë, pas vdekjes së Hadixhes dhe Ebu Talibit, Profeti a.s u gjet në një situatë tepër të vështirë; Ebu Xhehle e shtynte nga një anë, dikush e tjetër e tërhiqte nga një anë. Duke e parë të atin mes dhjetë burrave ku njëri e shtynte e tjetri e tërhiqte, Fatime u turr drejt tyre dhe u tha:”Mjerë ju! Po e nëpërkëmbni tim atë pas vdekjes së gjyshit tim dhe nënës time! Për Zotin do u gjuaj me gurë!” dhe filloi ti gjuajë me gurë. I ati i tha:”Mos u mërzit o bija ime, sepse Zoti do e ndihmojë babanë tënd!”

 

Fatime në Medine

Ajo pati parë të motrën e saj Rukajen teksa largohej nga Meka bashkë me të shoqin, Othmanin, për në Medine. Veç kësaj, Profeti a.s e pati lënë atë dhe motrat e saj në Mekë dhe vetë u nis me Ebu Bekrin për në Medine, pasi nuk mund ti merrte me vete. Më vonë edhe ajo arriti të migrojë drejt Medines ku ndodhej Profeti a.s dhe myslimanët e tjerë. Gjatë jetës në Medine, ku Profeti a.s u martua me disa gra, Fatimeja ishte si pëllumbi i paqes në ruajtjen e ekuilibrave të familjes.

Sa më shumë që hidhte shtat, aq më shumë shtoheshin dhe kërkesat për tu fejuar dhe martuar me Fatimen. Asokohe martesat shiheshin si një faktor shumë i fuqishëm për forcimin e shoqërisë mes njerëzve. Kështu, ndër ata që kërkuan dorën e saj për tu afruar më shumë me Profetin a.s ishte dhe Ebu Bekri. Profeti a.s e dëgjoi dhe e ktheu me fjalë të buta. Një tjetër që kërkoi dorën e saj ishte dhe Omer ibnul Hatabi, të cilin Profeti a.s gjithashtu e ktheu. Një i tretë që kërkoi dorën e Fatimes ishte dhe Abdurrahman ibnu Auf. Medinasi filluan të nxisin Aliun që të kërkojë dorën e Fatimes, por ai ua ktheu:”Nuk kam para për tu martuar!” Ata i thanë:”Shko dhe kërkoje dorën e saj se i dërguari i Zotit a.s të do!” I nxitur prej tyre por edhe nga vetja, Aliu vajti në shtëpinë e Profetit a.s, u ul dhe nuk fliste fare. Profeti a.s e pyeti:”Çfarë ke që nuk flet o Ali?” Por Aliu nuk foli sërish. Profeti a.s e pyeti:”Mos ke ardhur të kërkosh dorën e Fatimes?” Aliu iu përgjigj:”Po.” Profeti a.s e pyeti:”A ke ndonjë gjë për tu martuar?” Aliu u përgjigj:”Jo o i dërguar i Zotit.” Profeti a.s e pyeti:”A nuk ke një parzmore që ta kam dhënë kohë më parë?” Aliu iu përgjigj:”Po o i dërguar i Zotit, por ajo nuk kushton më shumë se katërqind dërhemë!” Profeti a.s i tha:”Të pranoj për dhëndër me atë parzmore si dhuratë për martesë.”

Mos kërkoni para, vila e makina nga ai që do të martohet me vajzën tuaj, por kërkoni edukatën, moralin dhe fenë. Nëse keni mundësi ta ndihmoni, bëjeni. Të rinjtë dhe të rejat tanë duhet të martohen dhe të krijojnë familje, jo të presin kur të vijë pasaniku i dynjasë ti marrë.

Aliu e shiti parzmoren e tij për katërqind dërhemë dhe ia dërgoi Profetit a.s, i cili urdhëroi Bilalin që të blejë parfum për Fatimen, kurse pjesën tjetër ia dha Umu Selemes të cilës i tha:”Blij gjithçka që i nevojitet nuses!”

Disa ditë më vonë, Aliu vajti tek Profeti a.s dhe si me turp e pyeti se kur mund të martohej, Profeti a.s i tha:”Që sot nëse dëshiron. A dëshiron të martohesh që sot?” Aliu u përgjigj:”Po o i dërguar i Zotit!” Profeti a.s i tha:”Atëherë ftoji njerëzit për dasëm, të përgatisim nusen dhe martohuni!”

A e shihni sa i thjeshtonte Profeti a.s gjërat? Ajo ishte vajza që ai e konsideronte si pjesë të tijën, e megjithatë kur vinte puna për një vlerë si krijimi i familjes, ai ofronte maksimumin e lehtësirave nga ana e tij. Në një hadith ai thotë:”Nëse vajzën tuaj e kërkon dikush tek i cili pëlqeni besimin dhe virtytet, martojeni, përndryshe ndodhin trazira e degjenerim i madh në tokë.”

Fatime do të merret me një mushkë të cilën e mbante për dorë Selman elFarisij, ndërkohë që shoqërohej nga pas nga njerëz të cilët ngrinin lart shpatat, një traditë e lashtë arabe e cila vazhdon sot e kësaj dite. Gjithashtu kishte dhe gra të cilat i këndonin çiftit, në një atmosferë gëzimi dhe hareje.

Aliu nuk kishte mundësi të blinte apo ndërtonte shtëpi në qendër të Medines, por e kishte ndërtuar në periferi të saj, goxha larg nga qendra ku banonte Profeti a.s. Megjithatë, babai i dashur dhe i dërguari i Zotit, pranonte që vajza e tij të jetojë aq larg për shkak të mundësive të kufizuara të shoqit.

Sot ka vajza që o duan burrë me të njëjtat kushte në të cilat është në familjen e të atit o rashë e vdiqa, duke harruar se edhe i ati i tyre para tridhjetë apo dyzet viteve e ka nisur nga hiçi.

Para se të hyjnë në shtëpinë e tyre, Profeti a.s i afrohet Aliut dhe i thotë:”O Ali! Mos iu afro derisa të vij unë!” Tregon Aliu:”Une u ula në një anë të dhomës dhe Fatimja në anën tjetër! Pastaj erdhi Profeti a.s i cili na tha:”Afrohuni!” Ai vendosi dorën e tij mbi dorën e saj dhe filloi të lutej:”O Zot! Fatimeja është pjesë e imja, o Zot ajo është e dashur për zemrën time! O Zot, Aliu është vëllai im – ai donte që të mos jetë thjesht një vjehër, por më shumë, një vëlla – dhe njëkohësisht është ndër njerëzit më të dashur për mua! O Zot bekoji të dy dhe bashkoji me të mira! O Ali! Vendose dorën tënde mbi ballin e Fatimes dhe thuaj:”O Zot unë të kërkoj të mirën e saj dhe të mirën për të cilën është krijuar. O Zoti unë kërkoj mbrojtjen tënde nga sherri i saj dhe sherri me të cilin është krijuar!”

Mandej Profeti a.s u nis për të dalë dhe para se të mbyll derën tha:”O Ali dhe Fatime, ngrihuni dhe falni dy rekate!” Pastaj shtoi:”O Zot unë ti kam lënë Ty në dorë këta të dy!” dhe u largua duke mbyllur derën.

Vendi ku banonte profeti Muhamed a.s ishte në pronësi të një myslimani me emrin Harithe ibnu Numan. Sa herë që Profeti a.s martohej, ai i jepte atij një copë tokë për të ndërtuar shtëpi. Është i njëjti vend që edhe sot e kësaj dite njihet si “Huxhuratur resul – dhomat e Profetit a.s” dhe që sot është brenda xhamisë.

Pasi Fatime u martua me Aliun dhe banonte me të larg shtëpisë së tij, Profetit a.s i erdhi zor ti kërkojë Harithes një copë tokë dhe për ta që ta ketë sa më pranë. Por vetë Harithe i vajti një ditë dhe i tha:”O i dërgua i Zotit! A nuk do të merr malli për  Fatimen?!” Profeti a.s e kuptoi dhe i tha:”Po, por më vinte zor prej teje o Harithe pasi na ke dhënë shumë!” Harithe i tha:”O i dërguar i Zotit! Ajo që ta jap ty është më e dashur për mua sesa ajo që mbaj për vete! Prandaj merre këtë vend për vajzën tënde o i dërguar i Zotit!” Profeti a.s ia ktheu:”Zoti ta kompensoftë me një pallat në xhenet!”

Po të flasim me standartet e sotme, do të thoshim se vjehrri i bleu dhëndrrit një shtëpi dhe nuk tha që dhëndrit nuk i blihet shtëpi, se kështu e mësoj keq etj… Nëse është e mundur ta ndihmosh tjetrin, bëje dhe mundësojua atij dhe fëmijëve të tij të bëjnë një jetë sa më normale.

Edhe pse tashmë kishin një shtëpi të re pranë Profetit a.s, ata vuanin nga kushtet ekonomike. Një ditë Aliu i tha të shoqes:”Ah ç’më dhemb shpina nga puna!” pasi ishte i varfër dhe punonte ç’ti dalë përpara. Kur e dëgjoi e shoqja edhe ajo tha:”Ah ç’më dhembin duart dhe mua!” Aliu i tha:”Babai yt mund të na sigurojë një shërbëtor, pasi ushtria ka sjellë robër lufte, prandaj shko dhe kërkoja!” Fatimeja u turr drejt të atit për ti kërkuar një shërbëtor, por kur arriti atje u ul pranë tij dhe nuk foli fare ngaqë i erdhi zor. Pastaj u ngrit dhe u largua përsëri për në shtëpinë e saj dhe i tha Aliut se i kishte ardhur zor t’ia kërkonte. Aliu i tha:”Hajde të shkojmë bashkë!” Të dy vajtën tek Profeti a.s dhe Aliu i tha:”O i dërguar i Zotit! Shihja duart Fatimes si i janë bërë, prandaj na jep një shërbëtor që ta ndihmojë në punët e shtëpisë!” Profeti a.s ia ktheu:”Jo për Zotin!” Robërit e luftës që kanë ardhur do u kërkojmë dëmshpërblim me qëllim që të plotësojmë nevojat e atyre që janë edhe më të varfër se ju!”

Megjithatë, Profeti a.s dinte të ekuilibrojë mes dashurisë dhe drejtësisë. Pasi u larguan ai u vajti pas dhe i gjeti të shtrirë në shtrat. Ata u bënë gati të ngrihen, por ai u tha:”Jo, rrini aty ku jeni!” Pastaj shkoi dhe hyri mes tyre në shtrat. Tregon Fatime:”Ai u ul mes nesh në shtrat derisa unë ndjeva këmbët e tij të ftohta!” Mandej ai na tha:”A tu tregoj diçka që është më e mirë sesa të keni një shërbëtor? Nëse shtriheni për të fjetur thoni 33 herë:”Subhanallah”, 66 herë “elhamdulilah” dhe 34 herë “Allahu ekber”. Nëse e bëni këtë nuk do e ndjeni nevojën e shërbëtorit.”

Tregon Aliu:”Pasha Zotin, me të filluar ta zbatojmë këtë porosi profetike, na u shtua fuqia dhe s’kishim nevojë për shërbëtor. Që atëherë nuk e kam lënë kurrë këtë porosi profetike.” Dikush e pyeti:”Nuk e ke lënë as në betejën Siffin?” Ai u përgjigj:”As në Siffin nuk e kam lënë.”

Një herë Profeti a.s e pa Fatimen të zverdhur në fytyrë për shkak të urisë. Ai ngriti duart nga qielli dhe tha:”O Zot që ngop të uriturit, mos e lër asnjëherë të uritur bijën e Muhamedit!”

Sot dëgjojmë shpesh herë që për shkak të kushteve të rënda ekonomike familja përfshihet në konflikte dhe zënka, dëgjojmë se për shkak të fukarallëkut humbet dashuria mes tyre. Ndërkohë që kjo nuk ndodhte në familjen e Profetit a.s, edhe pse fukarallëku ishte ekstrem. Një herë Profeti a.s u afrua të hyjë në shtëpinë e tyre por u ndal tek dera, pasi dëgjonte zhurmën e stomakut të tyre bosh.

Ti o njeri nuk merr vlerë në bazë të vilave, makinave, biletave të avionit, vendeve ku bën pushimet… por merr vlera humane në  bazë të dashurisë që përcjell dhe kultivon në familje në radhë të parë pastaj tek të tjerët. A je në paqe me veten dhe me Zotin?

Një herë tjetër kur Profeti a.s shkoi në shtëpinë e Aliut dhe Fatimes, i gjeti duke qeshur. Ai i pyeti:”Përse po qeshni?” Aliu i tha:”O i dërguar i Zotit! Ajo më thotë se është më e madhe se unë, kurse unë i them se unë jam më i madh!” Profeti a.s i tha:”O Fatime, ai është pesë vite më i madh se ti.” Ajo ia ktheu:”E di por po argëtoheshim.”

Kur Profeti a.s vajti një ditë në shtëpinë e të bijës pa që i shoqi i saj nuk ishte brenda. Ai e pyeti ku ishte dhe Fatimeja i tha:”Patëm një zënkë të vogël, u mërzit dhe u largua.” Profeti a.s doli jashtë dhe pyeti dikë nëse e kishte parë Aliun, ai i tha:”E kam parë duke fjetur në xhami!” Profeti a.s rendi drejt xhamisë ku gjeti Aliun të shtrirë të mbuluar nga pluhuri dhe dheu i xhamisë. Ai iu afrua dhe duke e përkëdhelur i thoshte:”Ngrehu o baba i dheut!” Aliu u ngrit dhe Profeti a.s i tha:”O Ali, pash Zoti hajde të shkojmë bashkë në shtëpi!” Ai as që e pyeti se përse ishin grindur dhe sot e kësaj dite askush nuk e di shkakun e asaj grindjeje. Kur themi se shtëpia e Aliut dhe Fatimes gëlonte nga dashuria dhe nga respekti për njëri-tjetrin nuk do të thotë se ishte shtëpi pa probleme dhe hatërmbetje. Po kishte dhe probleme dhe hatërmbetje, por nuk fryheshin, nuk dilnin jashtë mureve të shtëpisë dhe mbylleshin sa më shpejt.

Një herë tjetër Aliu kishte shprehur dëshirën e tij për tu martuar me një grua të dytë dhe vajza me të cilën kishte  vendosur të lidhë kurorë ishte Xhuvejrija, vajza e Ebu Xhehlit. Vallë si do të reagojë Fatimeja në një rast të tillë? Vallë si do të reagojë vetë profeti Muhamed a.s?

Fatimeja vrapoi tek i ati i saj i dhembshur dhe i tregoi për të shoqin. Edhe pse ishte diçka e ligjshme martesa me më shumë se një grua, Profeti a.s i tha Aliut:”Unë nuk e ndaloj diçka që e ka lejuar Zoti dhe as që e lejoj diçka që e ka ndaluar. Por vajza e armikut të Zotit nuk mund të bashkohet me vajzën e të dërguarit të Zotit në një strehë. Nëse Aliu dëshiron të martohet le ta divorcojë time  bijë më parë!”

Me këtë reagim të tij, Profeti a.s na përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm: Po, është e lejuar martesa me grua të dytë, por kjo jo në kurriz të ndjenjave të gruas së parë.

Aliu u kthye në shtëpi dhe i tha të shoqes:”O Fatime! Unë të kam hyrë në hak dhe uroj që të më falësh!” Fatimeja heshti pak dhe i tha:”Të kam falur!” Dy muaj më vonë Fatime ishte shtatzënë me Hasanin.

Atyre u lindën katër fëmijë; Hasani, Husejni, Muhsin i cili vdiq menjëherë pas lindjes dhe Umu Kulthum.

Kur u lindi fëmija i parë Profeti a.s shkoi tek shtëpia e tyre dhe e pyeti Aliu:”O Ali! Çfarë emri i keni vënë fëmijës?” Aliu iu përgjigj:”I kemi vënë emrin Harb (Luftë)!” Profeti a.s i tha:”Po sikur ti vije emrin Hasen (mirësi)?” Aliu e pranoi dhe ia vuri emrin Hasen.

Kur u lindi fëmija i dytë Profeti a.s shkoi tek shtëpia e tyre dhe e pyeti Aliu:”O Ali! Çfarë emri i keni vënë fëmijës?” Aliu iu përgjigj:”I kemi vënë emrin Harb (Luftë)!” Profeti a.s i tha:”Po sikur ti vije emrin Husejn (mirësi e vogël)?” Aliu e pranoi dhe ia vuri emrin Husejn.

Kur u lindi fëmija i tretë Profeti a.s shkoi tek shtëpia e tyre dhe e pyeti Aliu:”O Ali! Çfarë emri i keni vënë fëmijës?” Aliu iu përgjigj:”I kemi vënë emrin Harb (Luftë)!” Profeti a.s i tha:”Po sikur ti vije emrin Muhsin (mirëbërës)?” Aliu e pranoi dhe ia vuri emrin Muhsin.

Profeti a.s ndiqte një linjë optimiste edhe në vënin e emrave tek foshnjet. Thuhet që pasi vdiq Fatimeja Aliu u martua me disa gra dhe i lindën shumë fëmijë, por asnjërit prej tyre nuk ia vuri emrin Harb (luftë), pasi ishe diçka që nuk i kishte pëlqyer Profetit a.s. Fakti që Profeti a.s nuk donte tu vërë fëmijëve emra që të kujtojnë luftën, do të thotë se Islami nuk e kërkon luftën dhe nuk e mirëpret atë. Islami nuk është fe e luftës por e paqes dhe e mirësisë.

 

 

Vdekja e Profetit a.s.

Në moshën 28 vjeçare, Fatimeja do të përballet me momentin më të vështirë në jetën e saj, vdekjen e të atit të saj të dashur. Gjendja e Profetit a.s ishte rënduar dhe kur Fatimeja hyri në dhomën ku dergjej, ai nuk u ngrit dot si herët e tjera që ta përqafojë dhe ta puthë në ballë. Ajo shpërtheu në të qara dhe u ul në krahun e djathtë të Profetit a.s, i cili i tha:”Afrohu të të them diçka o Fatime!” Ajo iu afrua të atit dhe Profeti a.s i tha diçka në vesh. Ajo shpërtheu në të qara me dënesë saqë mezi mbushej me frymë. Kur e pa këtë Profeti a.s i tha sërish:”Afrohu pak o Fatime!” dhe ajo iu afrua. Profeti a.s i tha diçka tjetër në vesh dhe ajo i tha diçka tjetër në vesh dhe Fatimeja qeshi. Pasi u ngrit, Aisheja e pyeti:”Çfarë të tha i dërguari i Zotit?” Fatimeja iu përgjigj:”Nuk e nxjerr sekretin e të dërguarit të Zotit.” Pasi Profeti a.s kishte vdekur, Aisheja e pyeti përsëri:”Pash Zotin më trego çfarë të tha i dërguari i Zotit kur ishte i sëmurë!” Fatimeja qeshi dhe iu përgjigj:”Herën e parë më tha që do të vdesë atë natë. Kur pa që unë qava aq fort, ai më tha:”O Fatime! A nuk do të doje të jesh njeriu i parë që më bashkangjitet nga familja ime dhe të jesh zonja e grave të xhenetit?!” Prandaj dhe qesha në ato momente.”

Kur e pa të atin aq të lodhur nga sëmundja e vdekjes, ajo tha:”Ah mjerë babai im!” Profeti a.s iu përgjigj:”Që sot yt atë nuk do të shohë mjerim o Fatime!”

Pasi Profeti a.s ndërroi jetë dhe të gjithë njerëzit ishin të hutuar, Fatimeja nuk thoshte veçse tre fjalë:”Ah babai im! Iu përgjigj ftesës së Zotit tim! Xheneti Firdeus është streha e tij.”

Një moment tjetër i vështirë ishte dhe varrosja e Profetit a.s. Enes ibnu Malik ishte një nga ata që ishin marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me varrosjen. Ai tregon se pasi e varrosëm sapo u ktheva më doli Fatimeja para syve duke më thënë:”O Enes! Si mundët të hidhnit dheun e tokës mbi fytyrën e Profetit a.s?” Enesi tregon:”Ajo më pa me dhimbje, më ktheu shpinën dhe u largua!”

Vdekja e Fatimes

Pas vdekjes së atit të saj të dashur, ajo nuk do të jetojë gjatë. Gjashtë muaj më vonë edhe ajo do ia dëroëzojë shpirtin Zotit për t’iu bashkangjitur babait. Para se të vdesë, ajo i la Aliut dy porosi:

Në të parën i tha që të martohej me Umamen, vajzën e motrës së saj, pasi kështu ajo do të kujdesej në maksimum për Hasanin dhe Husejnin.

Në porosinë e dytë i kërkoi që kur ta nisin për në varreza, ta mbulojnë mirë, pasi kishte frikë se mos i zbulohej ndonjë pjesë trupit dhe e shihnin të tjerët. Veç kësaj i kërkoi:”Më varrosni natën pasi më vjen turp nga gjithë ata njerëz që vijnë në funeral!” Kjo, edhe pse ishte e vdekur.

Fatimeja e bija e Muhamedit a.s vdiq në moshën njëzet e nëntë vjeçare. Edhe pse jetoi kaq pak, falë virtyteve dhe sakrificës së saj ajo e fitoi sevapin dhe shpërblimin e Zotit të plotë.

Ajo u varros ditën e martë me 20 Ramazan të vitit 11 Hixhir, gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit a.s.

Thuhet që Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, e qau shumë të shoqen. Ndër të tjera, thuhet se ai u shpreh:”Pasha Zotin nuk më kanë lodhur ditët e kësa jete aq sa më ka lodhur ndarja nga jeta e Profetit a.s dhe e Fatimes!”

E lusim Zotin të na bashkojë me të në xhenet!

 

 

 

 

 

ABDULLAH DHIL BIXHADEJN

Historia e sahabit që do të trajtojmë në rreshtat në vazhdim është shumë dobiprurëse sidomos për të rinjtë tanë.

Emri i tij është Abdullah, kurse Dhil Bixhadejn është nofkë, historinë e të cilës do e lexojmë më poshtë. Emri i tij fillestar ka qenë Abdul Uza (Robi i idhullit Uzza) elMuzenij. Muzejne është emri i fisit të tij i cili gjenden në rrugën mes Mekës dhe Medines.

Historia e tij me fenë është shumë e shkurtër, pasi pranoi islamin në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare përafërsisht dhe ndërroi jetë në moshën njëzet e tre vjeçare. Vërtet që ai jetoi si mysliman shtatë vite, ama vendi dhe gradat e tij tek Zoti dhe i dërguari i Zotit janë shumë të larta.

Abdul Uza elMuzenij ishte një i ri në moshën e adoleshencës, ishte shumë i pasur dhe jetonte në luks të madh. I ati bënte pjesë tek elita e fisit Muzejne, pra vinte nga një shtresë aristokratësh nëse flasim me parametrat moderne.

Siç e thamë dhe më lart, historia e Dhil Bixhadejn është shumë e dobishme për shumë të rinj, pasi tek ai gjejnë veten e tyre. Shumë prej tyre i dëgjon të thonë se po të kishin qenë në kohën e Profetit a.s dhe ta shihnin atë me sy, do të kishin qenë besimtarë të mëdhenj e do të bënin namin. Por Dhil Bixhadejni u përgjigjet dhe u thotë se shumicën e kohës si mysliman ai e ka kaluar larg Profetit a.s, madje nuk e ka njohur veçse pak kohë. Disa të tjerë thonë se të rinjtë në kohën e Profetit a.s kanë ditur shumë gjëra rreth islamit, kanë pasur njohuri të thella etj… Por Dhil Bixhadejn u thotë se nuk dinte më shumë se katër sure nga Kurani, e megjithatë ai arriti këtë gradë kaq të madhe si tek Profeti a.s ashtu dhe tek Zoti. Disa të tjerë i dëgjon të thonë se shoqëria nuk i ndihmon dhe nuk i kupton për të qenë besimtarë. Sakaq Dhil Bixhadejni jetonte në një shoqëri ku të gjithë adhuronin idhujt. Cilatdo qofshin justifikimet e tua o vëlla dhe oj motër, kur ti krahasosh me ato të Dhil Bixhadejn do të vijë turp nga vetja.

 

Jeta e tij

Që në moshë të re atij i vdes i ati dhe për të u kujdes xhaxhai, i cili ishte shumë i pasur. Ndërkohë që fëmijët dhe të rinjtë e fisit Muzejne visheshin me ç’të mundin, ai vetë vishte rroba që i vinin nga Shami-Levanti, pra si të thuash vishte vetëm firmato. Të gjithë të rinjtë tjerë maksimumi kishin ndonjë mushkë, kurse Dhil Bixhadejni kishte dy kuaj të tij. Xhaxhai i tij ishte pjesë e elitës së fisit Muzejne dhe pa fjalën e tij asnjë vendim nuk merrej.

Kur mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare i ndodh një ngjarje e çuditshme. Brenda një dite e një nate ai bëhet dikush tjetër, krejt i ndryshëm nga ai që kishte qenë më parë. Në këtë kohë myslimanët e Mekës migronin drejt Medines dhe meqë rruga kalonte nga fisi Muzejne merrnin një frymë aty, pastaj vazhdonin rrugëtimin. Edhe pse nuk qëndronin veçse disa minuta pasi i frikësoheshin kurejshëve, një ditë, një grup nga shokët e Profetit a.s takohen rastësisht me të riun Abdul Uza elMuzenij. Edhe pse mundoheshin të shmangin çdo kontakt, meqë u takuan me të i folën  për islamin aq pak kohë sa kishin. Brenda pak minutave i riu Abudl Uza elMuzenij u bind mbi vërtetësinë e islamit dhe u konvertua në mysliman. Ato pak minuta ishin të mjaftueshme që ti ndryshojnë të gjithë rrjedhën e jetës.

Kur myslimanët kërkuan të largohen, ai u kërkoi që të qëndrojnë dhe tu flasin edhe njerëzve të tjerë të fisit për islamin, por ata i thanë se i frikësohen kurejshëve. Ai u tha:”Po unë vetë kam nevojë të mësoj më shumë rreth fesë!” Ata iu përgjigjën:”Nësedo na ndiq pas deri në një farë vendi!” Kështu, ata i recitonin vargje Kurani nga para ai i përsëriste nga pas duke ecur në këmbë. A e kupton tani sa në hak i hyn Kuranit kur e lë në një qoshe dhe nuk e hap për ta lexuar për javë e muaj të tërë?

Që atë ditë ai i priste grupet e myslimanëve të Mekës në rrugën që i çonte për në Medine dhe u kërkonte ti mësojnë Kuranin. Ai i ndiqte për kilometra të tërë nga pas për të mësuar fenë. Këtë ai e bënte duke ecur në këmbë pasi myslimanët udhëtonin në këmbë pasi ishin të varfër. Ai që deri dje kishte jetuar në luks dhe të mira materiale, tani pranonte të përshkojë kilometra të tëra në këmbë për të mësuar diçka të re rreth fesë.

A thua edhe ne kemi të njëjtin zell dhe pasion për mësimin e Islamit dhe Kuranit? Vallë sa prej nesh lexojnë Kuranin sipas rregullave të texhvidit? A nuk është turp që të mësosh dhjetëra, madje qindra këngë, e të mos mësosh Kuranin? Ky Libër është libri i jetës tënde, si është e mundur që nuk e mëson dhe lexon?

Një ditë kur takoi një mysliman që migronte nga Meka në Medine dhe i kërkoi ti mësojë diçka nga feja, myslimani i tha:”E përse nuk vjen dhe ti në Medine të mësosh direkt nga Profeti a.s? Ai i ka urdhëruar të gjithë myslimanët që të migrojnë në Medine.”

Përgjigja e Abdullah elMuzenij ishte befasuese:”Të migroj për në Medine para se të konvertohet në mysliman xhaxhai im?!” Ai ndjente përgjegjësi për xhaxhain e tij i cili kishte shpenzuar shumë për të dhe i donte të mirën duke u bërë mysliman. Ndërkohë që sot ke të rinj të cilët gjithë ditën qëndrojnë jashtë dhe në darkë edhe kur kthehen në shtëpi, nuk qëndrojnë të bisedojnë me prindërit, por menjëherë shkojnë në dhomën e tyre për të hapur internetin e biseduar me këdo tjetër. Ku është mirënjohja jote ndaj prindërve dhe familjarëve? Nëse prindërit e tu nuk falen bëj diçka, lutju dhe përgjëroju duke u rënë në gjunë që të fillojnë dhe të falen. Vallë a kemi kaq pasion që ti drejtojmë njerëzit në islam aq sa dëshironte Abdullah elMuzenij të udhëzojë xhaxhanë e tij?

Abdullah Dhil Bixhadejn qëndroi për tre vite në fisin e tij me shpresë se xhaxhai do të përqafonte islamin. Gjatë këtyre viteve ai shkonte pothuajse çdo ditë tek xhaxhai i tij dhe i thoshte se kishte dëgjua se një farë Muhamed ishte profet dhe se besonte në një Zot të vetëm etj… Xhaxhai i tij refuzonte dhe zemërohej sa herë që i zinte me gojë Profetin a.s. Ai largohej dhe kthehej sërish pas disa ditësh duke i treguar diçka të re rreth islamit, por sërish xhaxhai i tij refuzonte.

Sa herë që dote të falej ai shkonte larg në shkretëtirë, atje ku nuk e shihte askush pasi të gjithë ishin idhujtarë dhe ishin kundër idesë islame. Në kushte të tilla ai e shijonte adhurimin dhe lidhjen me Zotin. Sakaq sot kemi të rinj që proekupimin më të madh kanë të njihen me një femër dhe të lidhen bashkë, proekupimin më të madh kanë të kenë një makinë e ti xhirrojnë gomat, apo të mësojnë fjalët e një kënge e t’ia përsërisin ditë e natë. Çfarë ka ndodhur kështu me të rinjtë tanë? Ku është vullneti i tyre?

Pas tre vitesh kur pa se xhaxhai i tij nuk ndryshonte mendim për islamin shkoi dhe i tha fjalë të cilat nuk i thotë një nëntëmbëdhjetë vjeçar:”O xhaxha! Më ke vonuar shumë për tu bashkuar me të dërguarin e Zotit. Tashmë e kam të pamundur të qëndroj larg tij. Dije se unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përve Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Unë do të migroj për në Medine dhe dua që edhe ti të më shoqërosh. Nëse kundërshton, dije se nuk ka gjë që më ndal për të migruar për në Medine!”

Xhaxhai që e kishte dashur aq shumë dhe kishte shpenzuar pa llogari për ti bërë qejfin, ndryshoi 180 gradë në çast dhe i tha:”Nëse nuk heq dorë nga islami, të privoj nga gjithçka që të kam dhënë!”

I riu që ishte mësuar të vishet si të dojë, të shëtisë nga të dojë, të ketë gjithçka që dëshiron… në një moment gjendet përballë një sfide; ose të heqë dorë nga të gjitha provilegjet ose të heqë dorë nga besimi i tij i ri. Vallë si do të reagoje po të ishe në vendin e tij? Si do të veproje nëse vihesh të zgjedhësh mes besimit dhe të gjithë privilegjeve dhe të mirave të kësaj bote? A përgjigjesh dot:”Feja ime” dhe të heqësh dorë nga gjithçka, të dalësh nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit?

Përgjigja e Dhul Bixhadejn ishte e çuditshme:”Bëj ç’të duash sepse nuk e ndërroj asgjë me Zotin dhe të dërguarin e Tij!” Ai e mori këtë vendim sa hap e mbyll sytë, ndërkohë që ka vajza të reja që u duhen dhjetë e pesëmbëdhjetë vite të marrin vendimin për të vënë hixhabin, një herë thotë sa të përfundoj studimet, pastaj sa të gjej një punë, pastaj sa të fejohem, pastaj sa të martohem… Ai e mori këtë vendim ndërkohë që të rinjtë tanë pohojnë se nuk zgjohen dot për të falur sabahun në kohë për shkak se flejnë vonë.

Fjalët e tij e xhindosën xhaxhain i cili i tha duke e kanosur:”Nëse nuk heq dorë nga ajo fe do ti marr edhe rrobat e trupit që ti kam blerë unë!” dhe në fakt ia mori dhe rrobat e trupit.

Ai që kishte veshur rrobat firmato të ardhur nga Shami, ai që ishte përfumosur me parfumet më të shtrenjta, ai që kishte dalë xhiro me kuajtë tij të racës… tashmë doli pothuajse lakuriq. E megjithatë kjo as që ia lëkundi besimin. Ai tha:”Do të migroj tek i dërguari i Zotit.”

Njerëzit janë tre llojesh: Lloji i parë: Fetarë që besojnë dhe adhurojnë Zotin, edhe pse herë pas here gabojnë pasi është njerëzore të gabosh. Lloji i dytë: Gjynahqarë të zhytur deri në fyt në ligësi. Lloji i tretë: gafilët, as me llojin e parë dhe as me të dytin. Ata janë njerëz të respektuar dhe të moralshëm. Ndonjëherë është më kollaj ta drejtosh një gjynahqar sesa një nga kategoria e tretë, pasi këta nuk e shohin veten keq, këta nuk bëjnë gjynahe, nuk u hyjnë njerëzve në hak, janë të respektueshëm, të dashur… por nuk e njohin Zotin dhe nuk e adhurojnë Atë. Plani i shejtanit me këta është se mjaftohet ti mbajë në rrugën e shkujdesjes dhe nu i shtyn për gjynahe të rënda.

Abdul Uza u nis pa rroba për në Medine, i vendosur dhe i bindur se kështu duhej vepruar. Para se të dalë nga fisi i tij kërkoi përreth dhe sytë i hasën një pëlhurë të vjetër prej leshi, të cilën arabët e quanin “bixhadh”. E mori dhe e ndau në dy pjesë, me njërën mbuloi mesin e poshtë dhe tjetrën e hodhi mbi supe. Që këtu mori dhe emrin Dhil Bixhadejni “me dy pëlhura leshi”.

Mbërritja në Medine

Abdul Uza mbërriti në Medine tre vite pasi kishte pranuar islamin. Kur e pa Profeti a.s të veshur me ato pëlhura leshi të vjetra, e pyeti:”Kush je ti?” Ai u përgjigj:”Jam Abdul Uza!” Profeti a.s e pyeti:”Po përse je veshur kështu?” Ai u përgjigj:”O i dërguar i Zotit, mi mori të gjitha ç’kisha xhaxhai im! Nuk gjeta me çfarë të mbuloheme veçse këto dy pëlhura leshi! Me këto erdha tek ti o i dërguar i Zotit!” Profeti a.s e pyeti:”E ke bërë gjithë këtë sakrificë?!” Ai u përgjigj:”Po o i dërguar i Zotit!” Profeti a.s i tha:”Që sot ti nuk je më Abdul Uza, por je Abdullah Dhil Bixhadejni (me dy pëlhura leshi). Zoti do ti kompensojë këto dy pëlhura leshi me rroba xheneti.”

Pasi kishte jetuar pothuajse dy dhjetë vjeçarë me të gjithë të mirat, Dhil Bixhadejni tani e tutje do të jetojë në strehën ku jetonin fukarenjtë myslimanë, përbri shtëpisë së Profetit a.s. Një ndryshim shumë i madh në jetën e Abdullah Dhil Bixhadejni, nga jeta e luksit në atë të fukarait.

Beteja e Tebukut

Kur myslimanët u nisën për në Tebuk bashkë me Profetin a.s, bashkë me ta doli dhe Abdullah Dhil Bixhadejni, i cili kishte mbushur njëzet e tre vjeç. Teksa përgatiteshin për rrugë, Abdullah Dhil Bixhadejn i thotë Profetit a.s:”O i dërguar i Allahut, lute Zotin që të vdes dëshmor!” Profeti a.s ngriti duart dhe u lut:”O Zot bëja haram shpatave të idhujtarëve që të prekin gjakun e Abdullah Dhil Bixhadejn!” Ai i tha:”Çfarë është kjo lutje o i dërguar i Zotit?!” Profeti a.s i tha:”O Abdullah! Ka robër të Zotit të cilët dalin nga shtëpia e tyre në rrugë të Zotit. Ata mund të sëmuren me temperaturë, të vdesin dhe tek Zoti regjistrohen si dëshmorë! Ka robër të Zotit që dalin nga shtëpia e tyre në rrugën e Zotit. Ata mund të rrëzohen nga kali dhe të vdesin, por tek Zoti regjistrohen si dëshmorë. O Abdullah, ndoshta edhe ti mund të sëmuresh me temperaturë, të vdesësh dhe të radhitesh tek dëshmorët!” Me këto fjalë Profeti a.s na mëson se kushdo që jeton në rrugën e Zotit do të vdesë në rrugë të Zotit. Bëje nijet që të gjithë jetën ta kalosh në rrugë të Zotit dhe kur të vijë vdekja do të vdesësh në këtë rrugë. Të martohesh dhe të lindësh fëmijë me nijetin që të besojnë tek Zoti, ta adhurojnë Atë dhe ti shërbejnë vendit dhe njerëzimit është punë në rrugë të Zotit. Të marrësh sa më shumë sevape dhe shpërblim është diçka e lehtë, duke bërë nijet që çdo punë të mirë ta  bësh për hatër të Zotit dhe në rrugën e Tij.

 

Vdekja e Abdullah Dhil Bixhadejn

Pasi myslimanët fituan në Tebuk morën rrugën e kthimit. Një natë gjatë pushimit, Abdullah Dhil Bixhadejn sëmuret nga një temperaturë e lartë. Ai përpëlitej në shtratin e tij për shkak të temperaturës dhe dhimbjeve të vdekjes. Ndarjen e tij nga kjo botë e tregon Abdullah ibnu Mesudi:”Ndërkohë që isha duke fjetur gjumë dëgjova zërin e gërmimit jashtë çadrës time. U çudita! Kush mund të gërmojë në këtë natë të errët dhe për çfarë?! Hodha sytë në shtratin e Profetit a.s por nuk e gjeta aty. Hodha sytë në shtratin e Ebu Bekrit por as ai nuk ishte aty. Hodha sytë nga shtrati i Omerit por as ai nuk ishte aty. U çudita. Ku janë vallë? Dola jashtë dhe pashë që Ebu Bekri dhe Omeri mbanin një kandil për ti bërë dritë Profetit a.s i cili po gërmonte. Shkova dhe e pyeta:”Çfarë ka ndodhur o i dërguar i Allahut?!” Ai ngriti kokën dhe me sy që i rridhnin lot më tha:”Vdiq vëllai yt Dhil Bixhadejn!” Pashë nga Ebu Bekri dhe Omeri dhe u thashë:”Si e keni lënë Profetin a.s të gërmojë e ju qëndroni në këmbë duke mbajtur kandilin?!” Ebu Bekri tha:”Profeti a.s nuk donte që varrin e tij ta hapë dikush tjetër.”

Profeti a.s e hapi varrin pastaj u shtri fillimisht vetë në varr si për ta bekuar atë tokë që do të mbante Dhil Bixhadejn-in. Mandej ai u ngrit zgjati duart nga Ebu Bekri dhe Omeri dhe u tha:”Ma jepni vëllain tuaj!” Ebu Bekri dhe Omeri vajtën dhe e morën kufomën me të shpejtë pasi nuk donin që Profeti a.s të presë gjatë, por ai u tha:”Tregoni kujdes me vëllain tuaj sepse ai e ka pas dashur Zotin dhe të dërguarin e Tij!”

A thua kemi njerëz për të cilët Profeti a.s do të dëshmojë se e kanë dashur Zotin dhe të dërguarin e Tij? A thua je ti prej tyre? A thua do të gëzohet me ty Profeti a.s kur të të shohë dhe do të thotë:”Ti e ke dashur Zotin dhe të dërguarin e Tij!” Çfarë ke bërë që të të dojë Zoti dhe i dërguari i Tij? Çfarë gjynahu ke lënë për hatër të Zotit dhe të dërguarit të Tij?

Tregon Abdullah ibnu Mesudi:”Omeri dhe Ebu Bekri ia afruan kufomën Profetin a.s dhe ai e përqafoi me mall. Lotët e tij e lagën qefinin. Mandej Profeti a.s e vendosi në varr, bëri katër tekbire dhe tha:”Zoti të mëshiroftë! Ke qenë pendues dhe lexues i Kuranit!” Lum ai për këtë dëshmi të Profetit a.s si lexues i Kuranit.

Më pas Profeti a.s ngriti kokën nga qielli dhe tha:”O Zot unë dëshmoj para Teje se unë jam i kënaqur me Dhil Bixhadejn-in, prandaj ji i kënaqur dhe Ti! O Zot unë dëshmoj para Teje se unë jam i kënaqur me Dhil Bixhadejn-in, prandaj ji i kënaqur dhe Ti! O Zot unë dëshmoj para Teje se unë jam i kënaqur me Dhil Bixhadejn-in, prandaj ji i kënaqur dhe Ti!”

A thua Zoti është i kënaqur me ne apo nuk është i kënaqur? A thua do të takohemi me Dhul Bixhadejn në xhenet? A thua jemi shumë të lidhur pas dynjasë? A thua përqafimet e Profetit a.s janë të shtrenjta për ne?

Abdullah ibnu Mesud që e kishte ndjekur të gjithë këtë ngjarje, pasi përfundon thotë:”Pasha Zotin atë natë kam dëshiruar të isha unë në atë varr! Unë kisha pesëmbëdhjetë vite para Dhil Bixhadejnit që isha bërë mysliman.”

Dhil Bixhadejn u varros rrugës së kthimit mes Tebukut dhe Medines, në shkretëtirë, atje ku askush nuk e di varrin e tij. Nuk është e rëndësishme ku ka vdekur dhe ku e ka varrin, por ku është ai vetë, a është Zoti i kënaqur me të apo jo. Ka njerëz që e përgatisin varrin që gjatë jetës, në një vend të rrethuar me pemë, me lule e ku e di unë çfarë. Në fakt, vendi nuk ka fare rëndësi, ajo që ka rëndësi janë veprat që të shoqërojnë për në atë botë.

Pasi Profeti a.s u kthye në Medine, i shpallet ajeti:”O ju që keni besuar, çfarë keni që kur u thuhet të turreni në rrugë të Zotit, rëndoheni. Mos vallë jeni kënaqur me jetën e kësaj bote duke harruar ahiretin. Të mirat e kësaj  bote krahasuar me ahiretin janë shumë pak.”

Përse proekupimi juaj më i madh janë paratë? Përse proekupimi juaj më i madh janë fëmijët? Përse nuk arrini as të ngriheni për namazin e sabahut?

Pesë çelësa që të afrojnë me Zotin:

  1. Namazi sapo hyn koha e tij. Me tu thirrur ezani çohu dhe falu, e nëse ke mundësi shko dhe falu në xhami.
  2. Përkujto Zotin çdo ditë qoftë dhe pesë minuta. Zemrat tona qetësohen vetëm duke përkujtuar Zotin, Krijuesin tonë.
  3. Lutu çdo ditë. “Zoti juaj ka thënë:”Lutmuni që tu përgjigjem!” Lute Zotin si të të vijë për mbarë, pa pasur nevojë ti thuash fjalë të mëdha.
  4. Lexo Kurani çdo ditë, qoftë dhe një faqe të vetme.
  5. Largohu nga shokët e këqinj. Nuk ka gjë që të largon nga Zoti siç të largojnë shokët e këqinj.

 

 

 

EBU HUREJRE

Profeti Muhamed a.s ka thënë:”Ndër shenjat e besimit është që ta duash Ebu Hurejren”. Ai është një nga shokët e profetit Muhamed a.s, i cili ka jetuar pranë tij dhe ka dëgjuar e ka përcjellë shumë hadithe të Profetit a.s.

Ebu Hurejre është nofka me të cilën e thirrësitë Profeti a.s dhe shokët e tij, ndërkohë që emri i tij mtë cilin i vuri Profeti a.s është Abdurrahman ibnu Sakhr.  Emri i tij i vërtetë ishte Abdu Shems (rob i diellit). Kur vajti tek Profeti a.s dhe deklaroi islamin, Profeti a.s e pyeti:”Si e ke emrin?” Ai iu përgjigj:”Abdu Shems!” Profeti a.s i tha:”Jo. Që sot ti do të jesh Abdurrahman (rob i të Gjithëmëshirshmit).” Ebu Hurejre iu përgjigj:”Po, ashtu le të jetë, ti je më i ditur se prindërit e mi që ma kanë lënë atë emër.”

Këta njerëz e donin pamasë profetin Muhamed a.s, saqë pranonin të ndërrojnë dhe emrin, i cili është pjesë e identitetit, për hatër të tij. Ndërkohë, ti përton të falesh për hatër të Profetit a.s. Vallë çfarë mund ti thotë profetit Muhamed a.s ai që nuk falet dhe ajo që jeton larg Zotit.

Nofkën Ebu Hurejre ia vunë për shkak të lidhjes së tij me kotelet. Ai ishte shumë zemërmirë, zemërbutë dhe i dashur. Ai i pëlqente shumë kafshët e buta të cilat i trajtonte me butësi. Ebu Hurejre kishte një kotele të vogël për të cilën kujdesej shumë, luante me të, e përkëdhelte, e ushqente… Të gjithë e dinin sa i lidhur ishte me atë kotele, prandaj dhe e thërrisnin Ebu Hurejre (babai i koteles). Nëse do të flisnim me standartet e sotme, mund të themi se Ebu Hurejre ishte simbol i kujdesit dhe dhembshurisë për kafshët, saqë edhe nofkën ia kishin vënë sipas prirjes së tij për tu kujdesur për kafshët.

Lidhur me konvertimin e Ebu Hurejres në islam ka disa mendime. Disa mendojnë se ai e ka pranuar islamin që në ditët e tij të para, që kur myslimanët jetonin në Mekë. Ai vetë nuk është nga Meka por nga fisi Deus në Jemen. Ishte Tufejl ibnu Amr edDeusij ai që u bë shkak për islamin e Ebu Hurejres. Versioni i dytë është se Ebu Hurejre e ka pranuar islamin në betejën e Hajber. Gjithësesi, ajo që ka rëndësi është se ai i ka qëndruar shumë pranë të dërguarit të Zotit a.s. Sipas kronikave thuhet se Ebu Hurejre i cili ka transmetuar një numër tejet të madh të thënieve profetike, ka qëndruar me Profetin a.s vetëm tre vite.

Ebu Hurejre ishte shumë i varfër. Ai vetë tregon:”U rrita jetim dhe jetova nevojtar!” Ai ishte nga njerëzit e Suffes, myslimanët më të varfër të Medines të cilët jetonin përbri shtëpisë së Profetit a.s. Nëse do të ishim në ndonjë qytetërim tjetër, të varfërit e vendit do i gjenim vetëm në rrethinat e tij dhe kurrë në qendër, e aq më pak pranë shtëpisë së liderit. Profeti a.s si kishte strehuar përbri shtëpisë së tij dhe sa herë që kishte diçka për të ngrënë, ua dërgonte dhe atyre.

Edhe pse jetoi vetëm tre vite me Profetin a.s, ai është personi që ka transmetuar më shumë se kushdo tjetër hadithe të Profetit a.s. Numri i haditheve që transmeton Ebu Hurejre është tre mijë e pesëqind e shtatëdhjetë. Sahabët dhe tabi’inët që kanë transmetuar hadithet prej Ebu Hurejres e kalon shifrën treqind. Kjo do të thotë se ka qëndruar me treqind sahabe dhe tabi’inë duke u treguar thëniet profetike që ka dëgjuar nga goja e Profetit a.s. Imam Shafiu thoshte:”Njeriu që i ka memorizuar më së miri thëniet profetike nga të gjithë transmetuesit është Ebu Hurejre!”

 

Akuza e orientalistëve

Orientalistët e kanë parë si një shans për të hedhur dyshime mbi traditën profetike faktin që Ebu Hurejre ka transmetuar kaq shumë hadithe, për shkak të kohës së shkurtër që ka kaluar me Profetin a.s. Ata thonë se e kanë të pamundur ta pranojnë që vetëm Ebu Hurejre i ka dëgjuar këto hadithe ndërkohë që rreth Profetit a.s kishte plot shokë të tjerë. Këtë e kanë përdorur si pretekst për të hedhur akuza mbi traditën profetike dhe për të thënë se shumica e haditheve nuk i atribuohen Profetit a.s, por Ebu Hurejres dhe shumë sahabëve të tjerë. Për fat të keq ka pasur dhe nga myslimanët të cilët e kanë besuar një akuzë të tillë.

Por në fakt ka shumë fakte dhe tregues të cilat na  bëjnë të bindemi se Ebu  Hurejre e kishte një shans të tillë për të transmetuar gjithë këto hadithe nga Profeti a.s.

Një herë, Ebu Hurejre ishte duke ecur krah për krah Profetit a.s dhe në një moment ai i thotë:”O i dërguar i Allahut! Unë nuk të shqitem në pjesën më të madhe të kohës, dëgjoj prej teje shumë hadithe dhe më pas i harroj! Lute Zotin o i dërguar i Zotit që të gjitha thëniet e tua që i dëgjoj, të mos i harroj!”

Profeti a.s e pa në sy dhe ndjeu se Ebu Hurejre ishte serioz, i vendosur dhe me dëshirë të madhe për ti mësuar dhe transmetuar thëniet e tij. Kushdo që është serioz për të mësuar diçka, Zoti do ia lehtësojë rrugën e mësimit. Kushdo që është serioz për ta braktisur një gjynah do të gëzojë mbështetjen e Zotit për tu ndarë prej tij. Kushdo që është serioz për tu afruar me Zotin, do të ketë përkrahjen e vetë Zotit.

Duke ndjerë seriozitetin në ato që thoshte, Profeti a.s i tha:”O Ebu Hurejre! Hiqe xhyben që mban në krahë dhe shtrije!” Mandej ai filloi të lutej e të lutej, derisa në fund bëri sikur paketoi diçka dhe e hodhi brenda xhybes time. Mandej ai tha:”O Zot mësoje!” dhe vazhdoi të lutej sërish, derisa përfundoi dhe më tha:”O Ebu Hurejre! Merre tani xhyben tënde dhe vishe!” Që atë ditë nuk kam harruar as dhe një thënie të Profetit a.s.” (Buhari)

Një që dyshon në hadithet e transmetuara nga Ebu Hurejre, është njëlloj si ai që dyshon tek vetë Profeti a.s dhe mrekullitë e tij. Aftësitë memorizuese të rralla të Ebu Hurejres i atribuohen pikërisht lutjeve dhe mrekullisë së profetit Muhamed a.s.

Gjatë dinastisë Omejade, kur në Medine ishte guvernator Mervan ibnul Hakem, ky i fundit deshi ta vërë në provë aftësinë memorizuese të Ebu Hurejres, i cili asokohe ishte i thyer në moshë. Një ditë ai e ftoi Ebu Hurejren dhe i tha:”O Ebu Hurejre, ulu dhe na trego nga thëniet e Profetit a.s aq sa të mbushet një libër!” Nga ana tjetër, Mervan urdhëroi një nga shërbëtorët e tij që të fshihe pas një perdeje dhe të shënojë çdo fjalë që do të thotë Ebu Hurejre. Pasi Ebu Hurejre tregoi shumë nga hadithet e Profetit a.s, të cilat u shënuan nga shërbëtori, Mervan ibnul Hakem i mori shënimet dhe i vendosi në një vend. Një vit më vonë i çoi fjalë Ebu Hurejres duke i thënë:”Na ka marrë malli për të biseduar me ty o Ebu Hurejre! Hajde dhe na fol për hadithet e Profetit a.s siç na fole një vit më parë! Do të donim që të njëjtat hadithe që na tregove vitin e shkuar të na i përsëritësh edhe këtë vit!”

Ebu Hurejre iu përgjigj ftesës së guvernatorit dhe vajti. Me t’iu shtruar bisedës, Ebu Hurejre filloi të flasë për të njëjtat hadithe që kishte folur dhe një vit më parë, pa e prishur rendin e tyre, pa shtuar dhe pa pakësuar as dhe një shkronjë. E gjitha kjo ndiqej nga vetë Mervan ibnul Hakem i cili i mante shënimet e një viti më parë në dorë dhe ndiqte me vëmendje gjithçka që thoshte Ebu Hurejre duke e krahasuar me shënimet.

Një memorizim i tillë ishte falë lutjeve të profetit Muhamed a.s, prandaj dhe akuzat ndaj Ebu Hurejres në thelb janë akuza ndaj profetit Muhamed a.s.

 

Ebu Hurejre nuk i shqitej Profetit a.s.

Ebu Hurejre është sahabi i cili i ka ndejtur më pranë të dërguarit të Zotit a.s, saqë për tre vite rresht nuk i shqitej, sikur të ishte hija e tij. Ai vetë tregon:”Njerëzit filluan të flasin dhe të thonë se:”Ebu Hurejre po flet si shumë mbi hadithet e Profetit a.s!” Pasha Zotin, po të mos ishte një pasazh në Kuran nuk do u kisha treguar hadithet e Profetit a.s. Ky ajet është:”Ata që i fshehni shpalljet tona, pasi ua sqaruam librin njerëzve, ata do i mallkojë Zoti dhe do i mallkojnë mallkuesit!”

Në një thënie tjetër Ebu Hurejre thotë:”Mekasit janë të zënë me tregëti, kurse medinasit janë të zënë me bujqësi, kurse unë nuk jam i zënë veçse me të dërguarin e Zotit a.s, edhe pse kjo mund të jetë në kurriz të mbushjes së barkut tim.”

Një herë Aishe e pyeti:”O Ebu Hurejre, çfarë ke që transmeton kaq shumë hadithe nga i dërguari i Zotit a.s? Mos vallë ke dëgjuar diçka që nuk e kemi dëgjuar ne? Mos vallë ke parë diçka që nuk e kemi parë ne?” Ebu Hurejre iu përgjigj:”O nëna ime! Unë e kam divorcuar jetën e kësaj bote dhe nga angazhimet e kësaj bote nuk kisha veçse ato me të dërguarin e Zotit a.s. O nëna ime! Unë isha divorcuar nga ko botë, kurse ti ishe e angazhuar me zbukurimet për të dërguarin e Zotit a.s.”

Talha ibnu Ubejdilah thoshte:”Ne, medinasit dhe mekasit, shkonim dhe qëndronim me të dërguarin e Zotit a.s në mëngjes dhe në mbrëmje. Kurse Ebu Hurejre nuk i shqitej gjatë gjithë ditës! Prandaj dhe ai di gjëra që nuk i dimë ne të tjerët, ka memorizuar thënie që nuk i kemi memorizuar ne dhe ka qenë prezent në gjëra që ne kemi munguar. Ai mësoi më shumë hadithe se kushdo tjetër prej nesh, edhe pse nuk u shoqërua me Profetin a.s më shumë se tre vite.

 

Nëna e Ebu Hurejres

Nëna e Ebu Hurejres refuzonte të bëhej muslimane dhe jo vetëm kaq, por sa herë që përmendej Profeti a.s ajo e shante profetin dhe mallkonte, gjë e cila e dëshpëronte shumë Ebu Hurejren. Një ditë ai shkoi tek e ëma dhe iu lut që të pranonte islamin, por ajo iu përgjigje shumë keq, me sharje e mallkime që kurrë nuk i kishte thënë. Ebu Hurejre vendosi të shkojë tek profeti dhe me lot në sy i tregoi mbi hallin që kishte me të ëmën dhe i kërkoi që të lutet që Zoti ta drejtojë në islam. Profeti a.s ngre duart lart dhe thotë:”O Zot, drejtoje nënën e Ebu Hurejres në fenë islame!”

Pas kësaj, Ebu Hurejreja kthehet në shtëpi. Pa hyrë brenda dëgjon zërin e nënës e cila i thërret duke i thënë: “O Ebu Hurejre qëndro aty ku je!” Tregon Ebu Hurejre:”Kur dëgjova këto fjalë dhe zërin e saj të lartë, u frikësova!”

Pastaj nëna del jashtë dhe i thotë:“Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”.

Ebu Hurejreja kur dëgjoi këtë u gëzua shumë dhe duke qarë nga gëzimi këtë herë shkoi dhe ia tregoi Profetit që Zoti ia kish pranuar lutjen. Pasi i tregoi, i tha:”O i dërguari i Zotit, kam dhe një lutje të dytë!” Profeti a.s buzëqeshi dhe pyeti:”Pa hë, çfarë lutje tjetër ke?” Ebu Hurejre i tha:”Lute Zotin që ta bëjë Ebu Hurejren dhe nënën e tij t’i duan njerëzit e tjerë dhe t’i bëjë njerëzit e tjerë ti duan ata!”Profeti a.s ngriti duar dhe u lut:”O Zot bëje robin tënd Ebu Hurejren të dashur për besimtarët dhe bëji besimtarët të dashur për të.” Thotë Ebu Hurajere:”Pas kësaj lutjeje o njeri që dëgjonte mbi mua dhe nënën timena deshte .”

Pas lutjes për udhëzimin e nënës së tij, Ebu Hurejre kishte si lutjen më të dashur që ti dojë besimtarët dhe të duhet prej tyre. Vallë a je i dhënë pas shoqërimit me besimtarët dhe shoqërimit me ta?

Ka shumë njerëz të cilët falë një shoku besimtar janë shkëputur nga vese dhe shoqëri e keqe, ashtu siç ka shumë të tjerë të cilët falë një shoku të lig ka harruar Zotin dhe i ka hyrë rrugës së ligë.

 

Varfëria e Ebu Hurejres

Duhet ditur se Ebu Hurejre jetonte në varfëri ekstreme. Ai tregon tregon një histori të bukur dhe thotë: “Shpeshherë  ndieja uri të tmerrshme saqë më binte të fikët. Disa njerëz thonin se isha me epilepsi, por unë vetëm nga uria e kisha. Ulesha në xhami dhe kur hynte dikush i kërkoja të lexonte ajete nga Kur’ani  që nxisnin për dhënie lëmoshe, duke shpresuar se dikush do më jepte diçka. Por asnjëherë nuk u kërkoja para në mënyrë të drejtpërdrejtë. Erdhi një ditë Ebu Bekri dhe i kërkova ti lexoj disa ajete. Ai më dëgjoi dhe unë i lexova ajete të cilat nxisnin për të dhënë sadaka. Pasi përfundova ai më tha:”Bravoë të qoftë!” pastaj u largua duke mos e kuptuar përse ia kërkova këtë. Më pas vajta tek Umeri, të cilit edhe atij i kërkova të njëjtën gjë. Umeri më dëgjoidhe unë i recitova ajete në të cilat nxiten besimtarët të japin sadaka. Pasi përfundova ai më tha:”Bravo të qoftë, por për Zotin s’kemi asgjë në shtëpi as për vete dhe as për ty!” Pas pak erdhi Profeti a.s i cili e kuptoi gjendjen në të cilën isha. Ai më buzëqeshi dhe më tha: “Mos je i uritur o Ebu Hurejre?” Unë iu përgjigja:”Po, pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën!” Profeti a.s më tha:”Eja pas meje!” dhe hyri në shtëpi ku i pyeti gratë nëse kishin gjë për të ngrënë. Ato iu përgjigjën:”Jo o i dërguar i Allahut!” Në ato çaste vjen një nga medinasit me një vorbë me qumësht dhe ia dhuron Profetit a.s.

Unë kur pashë vorbën me qumësht gati fluturova nga gëzimi, por Profeti a.s më tha: “O Ebu Hurejre, shko dhe thirr banorët e Suffesqë të pijnë me ne(njerëzit më të varfër të Medines, afërsisht 100 veta).” Ebu Hurejra tregon: “Kur më tha kështu u mërzita dhe u hidhërova. Pas gjithë asaj urie tani që gjeta pak qumësht, profeti më thotë sill edhe 100 vetë të tjerë! Ç’farë do t’u bëjë një vorbë me qumësht 100 vetave?” Dola i hidhëruar por patjetër duhet t’i bindesha  profetit (a.s.). I solla të gjithë tek shtëpia e Profetit a.s. Kur doli Profeti a.s më pa me buzëqeshje dhe më tha: “Merre vorbën dhe jepu të pijnë!” E mora vorbën dhe fillova tu jap të pijnë. E merrte njëri prej tyre dhe pinte sa ngopej, kurse unë thoja me vete: “S’mbeti gjë”. Por e merrte tjetri, pinte dhe ngopej deri sa pinë të gjithë. Kurse profeti më shikonte mua duke buzëqeshur dhe më tha: “O Ebu Hurejre, s’ka mbetur tjetër, vetëm unë dhe ti.” “Po, o profet” -i thashë.  “O Ebu Hurejre, – më tha- pije!” Piva – thotë Ebu Hurejre – dhe ia dhashë profetit a.s që të pinte, por ai më tha: “Pij, o  Ebu Hurejre!” Piva dhe ia dhashë profetit a.s, i cili më tha përsëri: “Pi, o Ebu Hurejre!” Piva përsëri dhe sa herë që ia drejtoja  profetit a.s më thoshte: “Pi o Ebu Hurejre!” Deri sa i thashë:  “Për Zotin, i Cili të ka dërguar për të shpallur të vërtetën, nuk ka më vend ku ta çoj, u ngopa.” Atëherë, e mori Profeti a.s dhe piu atë që kishte mbetur.

Kur jetojmë për veten, lindim të vegjël, jetojmë të vegjël dhe vdesim të vegjël. Kurse kur jetojmë për të tjerët, jeta jonë shtrihet me jetët e të gjithë atyre që i kemi ndihmuar.

 

Ndiqte çdo lëvizje dhe veprim të Profetit a.s.

Ebu Hurejre vërente edhe detajet më të vogla në jetën e Profetit a.s dhe sa herë që vërente diçka të re, shkonte dhe e pyeste. Kështu ai është shkaku që na janë transmetuar shumë momente dhe shprehi të bukura nga jeta e Profetit a.s dhe adhurimi i tij. Një herë ai vë re që Profeti a.s pas marrjes së tekbirit fillestar në namaz dhe leximit të Fatihasë, heshtte pak, pastaj fillonte leximin e Fatihasë. Edhe shokët e tjerë e kishin vënë re këtë, por askush nuk e kishte pyetur. Ebu Hurejre me ta pikasur këtë shkoi dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Çfarë thua mes tekbirit fillestar dhe leximit të Fatihasë?” Profeti a.s iu përgjigj:”Lutem me këto fjalë:”O Zot më largo nga gjynahet ashtu siç ke larguar Lindjen nga Perëndimi! O Zot laji gjynahet e mia me ujë, breshër dhe borë! O Zot më pastro nga gjynahet ashtu siç pastrohet rroba e bardhë nga papastërtitë!”

Një herë Ebu Hurejre vajti tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Kush do të jetë njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tënd Ditën e Kiametit?” Në një transmetim tjetër, thuhet se e ka pyetur:”Kush e meriton më shumë ndërmjetësimin tënd ditën e Kiametit?”

Profeti Muhamed a.s iu përgjigj:”Njeriu që do të lumturohet më shumë me ndërmjetësimin tim ditën e Kiametit, është ai që ka thënë:”La ilahe il-lallah” me sinqeritet të madh!”

Ta thuash me sinqeritet këtë fjalë, do të thotë që ta ndjesh me zemër dhe me shpirt që Zoti është i vetmi në ekzistencë, Ai meriton adhurimin dhe përunjësinë. Nëse e thua në këto çaste me sinqeritet të madh, ke garantuar ndërmjetësimin e profetit Muhamed a.s.

 

Adhurimi i Ebu Hurejres

Kur lexon ritualin e adhurimeve ditore të këtij sahabi, ndjen se ai kishte vënë raporte të çuditshme me Zotin. Ebu Hurejre, e shoqja dhe vajza e tyre e kishin ndarë natën në tre pjesë: Ebu Hurejre falej e lutej në 1/3 e natës, e shoqja në 1/3 tjetër dhe vajza e tyre në 1/3 e mbetur. Ditën tjetër kjo radhë ndryshohej me qëllim që secili të falte nga një pjesë të ndryshme të natës. Kështu e kaluan të gjithë jetën pjesëtarët e kësaj familje.

Tregon Ebu Hurejre:”Diçka e tillë bëri që dashuria ime për time shoqe të jetë e papërshkrueshme.”

Janë gjynahet ato që i shkatërrojnë familjet dhe shtëpitë. Nëse doni të jeni sa më pranë me njëri-tjetrin, nëse doni tu rikthehet dashuria e ditëve të para të martesës, adhurojeni Zotin bashkë. Provoni që ti dhe bashkëshortja jote të falni dy rekate nafile së bashku, qoftë dhe para se të shkoni të flini! Bëje këtë qoftë dhe dy herë në javë! Unë të garantoj se shumë shpejt do të ndjesh që dashuria për tët shoqe dhe anasjelltas do të fillojë të forcohet. Bëni çmos që ta zgjoni njëri-tjetrin për të falur namazin e sabahut në kohë. Sa herë të dilni për të vajtur dikund, kërkoji që për pesë minuta të heshtni dhe të përmendni Zotin duke thënë “La ilahe il-lallah” mandej i çoni salavate profetit Muhamed a.s.

Ata njerëz që nuk falen fare natën kanë humbur diçka shumë të çmuar. Unë nuk po kërkoj të faleni çdo natë, por qoftë dhe dy herë në javë, qoftë dhe me dy rekate para se të flini gjumë. Kur nuk falesh natën ti sikur i thua Zotit se unë nuk mundem të të adhuroj në këtë kohë, adhurimi Yt më duket shumë i rëndë o Zot, të bie në sexhde në këtë kohë më duket shumë e vështirë… Unë e pranoj që Ti je Krijuesi im o Zot, por unë e kam të vështirë të të adhuroj…

Të gjithë njerëzit kanë të metat e tyre dhe pavarësisht kësaj, të gjithë kanë shpresë tek falja e Zotit. Por kjo nuk ndodh me ata që nuk falen. Në zjarrin e xhehenemit gjendet në portë e cila mban emrin “Sakar”. Kur Zoti e përshkruan këtë portë, thotë:”E ku e di ti ç’është Sakar? Ai shkrin dhe nuk lë asgjë” Kushdo që hyn në këtë portë, do të shpërbëhet dhe shkrihet sikur të mos ekzistonte. Engjëjt që do të qëndrojnë tek kjo portë, do i pyesin njerëzit që hyjnë brenda:”Çfarë keni vepruar që u sollën në sakar?!” Përgjigja e tyre do të jetë:”Nuk kemi qenë nga ata që falen!” (Muddethir)

Vallë sa e madhe është hapësira mes atij që nuk falet dhe mes Ebu Hurejres i cili e ndante natën në tre pjesë me pjesëtarët e tjerë të familjes?

Një nga ritualet e tij të përditshme të adhurimit të Zotit ishte se çdo ditë ai bënte dymbëdhjetë mijë tesbihë (subhanallah). Ai e bënte këtë çdo ditë, ndërkohë që ka njerëz që nga dita e lindjes e deri ditë ne vdekjes nuk arrijnë ti bëjnë dymbëdhjetë mijë tesbihë.

Ebu Hurejre e respektonte këtë ritual dhe këtë numër tesbihesh, sepse në kohën e tij, për të shpaguar një jetë kushtonte dymbëdhjetë mijë dërhemë. Kur e pyetën Ebu Hurejren për këtë, u tha:”Sepse ky është shpagimi im nga zjarri i xhehenemit për çdo ditë që jetoj!”

Përmendja e Zotit ishte diçka jetësore për Ebu Hurejren. Një ditë ai hyri në Pazar dhe pa që njerëzit ishin të angazhuar me biseda nga më të ndryshmet. Ai qëndroi në mes të pazarit dhe u thirri:”O tregtarë! Vraponi drejt xhamisë të gjithë!” Tregtarët shtangën dhe e pyetën:”E përse?!” Ebu Hurejre u tha:”Sepse po ndahet trashëgimia e profetit Muhamed a.s!”

Tregtarët u turrën drejt xhamisë por kur panë se atje nuk kishte asgjë u kthyen të zemëruar. Ebu Hurejre i pyeti:”Çfarë keni kështu more?!” Ata iu përgjigjën:”Çfarë kemi?! Vajtëm atje dhe nuk gjetëm asgjë nga ajo që na the!” Ebu Hurejre i pyeti:”Po mirë, as s’më thoni, çfarë gjetët?” Ata iu përgjigjën:”Gjënë e vetme që gjetëm ishin disa njerëz që përmendnin Zotin!” Ebu Hurejre u tha:”Kjo është trashëmgimia e Profetit a.s. Po të ishit ulur dhe ju do të kishit përfituar nga trashëgimia e tij.”

Edhe pse jeta e tij kishte qenë shumë e varfër që nga lindja e deri në vdekje, ai jetoi si adhurues i Zotit natën dhe ditën, ai përmendte Zotin shpesh, transmetonte hadithe të Profetit a.s etj…

Adhurimi i shumtë ishte cilësi e të gjithë shokëve të Profetit a.s, edhe pse merreshin me punë të përditshme dhe angazhimet familjare. Përveç punëve të ditës por dhe prezencës në xhami dhe në mësimet e Profetit a.s, sahabët faleshin dhe natën dhe përkujtonin Zotin. Ata ishin të suksesshëm në lidhjet e tyre me Zotin dhe të suksesshëm në punët e tyre të përditshme. Prej tyre kishte pasanikë milionerë.

 

Vdekja e Ebu Hurejres

Sahabi i nderuar Ebu Hurejre vdiq në moshën 78 vjeçare. Ai ndërroi jetë në vitin 57 hixhri, pra dyzet e shtatë vite pas vdekjes së Profetit a.s.

Thuhet se teksa po vdiste shpërtheu në të qara me dënesë. Dikush e pyeti:”Përse po qan kështu o Ebu Hurejre?” Ai u përgjigj:”Pasha Zotin, nuk po qaj nga dashuria për këtë jetë, por po qaj sepse nuk jam furnizuar siç duhet për udhëtimin e botës tjetër, por qaj për rrugën e gjatë që më pret dhe vështirësitë e kësaj rruge. Po qaj se do më përcjellin pas pak, por nuk e di nëse do më përcjellin drejt xhenetit apo drejt xhehenemit.” Mandej shtoi:”O Zot, ji dëshmitar se unë e dua takimin me Ty, prandaj duaje dhe Ti takimin me mua! O Zot, unë kam dëgjuar profetin Tënd të thotë:”Kush e pëlqen takimin me Zotin, edhe Zoti do e pëlqejë takimin me të”. O Zot unë e dua takimin me Ty prandaj duaje edhe Ti takimin me mua!” Me të thënë këto fjalë i doli shpirti. Zoti qoftë i kënaqur me të!

 

 

 

DËSHMORËT RAXHI

Në rreshtat më poshtë do të bëjmë fjalë për një grup dëshmorësh të cilët flijuan jetën e tyre për një kauzë madhore. Këto rreshta u dhurohen të gjithë dëshmorëve dhe familjeve të tyre.

Ata janë dhjetë myslimanë të cilët ranë dëshmorë ditën e Raxhi. Pas betejës së Uhudit, myslimanët u kthyen me shtatëdhjetë dëshmorë. Tashmë jo vetëm kurejshët shuan mllefin e tyre ndaj Profetit a.s dhe myslimanëve, por edhe shumë fise arabe u dukej sikur u hakmorrën ndaj myslimanëve dhe se edhe ata mund tu shkaktojnë dëme dhe ti vrasin.

Pas Uhudit Profeti a.s nisi një njësi ushtarake prej dhjetë burrash, nën komandën e Asim ibnu Thabit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Burrat e tjerë ishin Hubejb ibnu Adij, Abdullah ibnu Tarik, Zejd ibnu Dithne, Halid ibnu ebi Bekir, Merthed ibnu ebi Merthed etj… Misioni i tyre ishte që të mbledhin lajme dhe informacione nga fiset arabe përreth. Gjatë rrugës një nga fiset arabe dëgjuan për këtë njësi ushtarake dhe vendosën të hakmerren dhe ti vrasin. Çfarë bënë? Ata iu vunë pas duke ndjekur gjurmët e tyre derisa gjetën bërthama hurmash arabe, të cilat i njohën se janë të Medines dhe me këtë kuptuan se u ishin afruar shumë. Kështu vazhduan ti ndjekin derisa më në fund i arritën dhe i rrethuan. Numri i luftëtarëve beduinë ishte njëqind harkëtarë të cilët rrethonin dhjetë burra. Njësia myslimane kur ndjeu rrethimin u ngjitën mbi një kodër aty pranë pasi kështu mund të mbroheshin më mirë.

Njëqind luftëtarët beduinë, kur panë se dhjetë myslimanët u ngjitën mbi kodër, u thanë:”Zbrisni se keni besën tonë që nuk do u prekim! As nuk do u vrasim dhe as nuk do të tregohemi të pabesë!” Asim ibnu Thabit tha:”Unë nuk e pranoj besën e një idhujtari kurrë, sepse nuk u zë besë premtimeve të tyre!” Që kur kishte pranuar islamin, ai ishte betuar se nuk do të prekte me dorë idhujtarë dhe nuk do të lejonte të prekej me dorë prej tyre. Të njëjtin vendim morën dhe luftëtarët e tjerë myslimanë duke i hapur kështu vendin luftës. Njëqind shigjeta u nisën si rrebesh drejt dhjetë myslimanëve. I pari që ra dëshmor ishte Merthed ibnu ebi Merthed, të cilin e ndoqën dhe të tjerë derisa u vra dhe Asim ibnu Thabit.

Tre prej tyre vazhdonin të rezistojnë dhe ata ishin: Hubejb ibnu Adij, Zejd ibnu Dithne dhe Abdullah ibnu Tarik. Duke parë se rezistenca e të tjerëve nuk u kishte bërë fajde, ata gjykuan të dorëzohen. Ata u thanë shigjetarëve:”Nëse zbresim nga kodra, a na jepni besën se nuk na bëni keq?” Ata u përgjigjën:”Po, keni besën tonë.”

Me të zbritur poshtë, idhujtarët i morën dhe filluan ti lidhin. Abdullah ibnu Tarik tha:”Kjo është shkelja e parë e besës!” Ai i rezistoi me sa fuqi kishte orvatjes së tyre për ta lidhur, derisa ata e vranë. Tashmë kishin mbetur vetëm dy persona nga dhjetë, Zejd dhe Hubejb.

 

 

Thabit dhe Ukbe

Nga tetë të vrarët ishte dhe Asim ibnu Thabit, komandanti i kësaj njësie, i cili ishte betuar që mos prekë asnjë idhujtar dhe mos preket prej asnjërit prej tyre. Ai ishte një gjak me kurejshët e Mekës dhe fisi që e kishin vrarë, donin t’ia çojnë trupin e tij një gruaje nga kurejshët, emri i të cilës ishte Sulafe. Ajo që kishte ngjarë ishte se Asim ibnu Thabit në betejën e Bedrit kishte vrarë një nga personat elitarë të kurejshëve, Ukbe ibnu ebi Muit, një nga personat që kishte keqtrajtuar më së shumti profetin Muhamed a.s. Si askush tjetër nga kurejshët e kishte sulmuar ky njeri profetin Muhamed a.s.

Të gjitha këto që i vepronte kundër Profetit a.s, Ukbe ibnu Meit i vepronte për shkak se ishte shok me Ebu Xhehlin. Në fillim, duke dëgjuar Profetin a.sai kishte filluar të ndikohej nga fjalët e Profetit a.s. Ai filloi ta dojë Profetin a.s dhe dëgjonte prej tij Kuran. Gjatë kësaj kohe Ebu Xhehli, shoku i tij, ishte në udhëtim. Kur u kthye nga udhëtimi, Ebu Xhehli e pa dhe i tha:”Shoh që të ka ndryshuar fytyra!” Ukbe i tregoi:”Po, sepse kam dëgjuar Muhamedin dhe jam bindur me ato që thotë!” dhe i foli mbi ndikimin që kishte nga Profeti a.s dhe i shfaqi simpati për të. Kur e dëgjoi Ebu Xhehli i tha:”Unë nuk të shoh me sy dhe nuk të flas me gojë derisa të shkosh dhe ta pështysh Muhamedin”.

Ukbe ibnu Meit duhej të zgjidhte mes të drejtës dhe shokut të keq, dhe ai zgjedh shokun e keq.

Kështu Ukbe ibnu Meit, zgjodhi shokun e tij Ebu Xhehlin dhe shkoi dhe e pështyu Profetin a.s në fytyrë. Që atë ditë ai shndërrohet në personin më të guximshëm karshi Profetit a.s, duke mos lënë gjë pa e bërë.

Si ata që i kanë hyrë rrugës së fesë dhe si ata që janë larguar nga feja, e kanë për shkak të shoqërisë.

Një herë teksa Profeti a.s po falej para Qabes, ai merr një pëlhurë, ia hedh rreth fytit dhe e shtrëngon fort. Ai vazhdoi derisa Profeti a.s ra në gjunjë. Një herë tjetër ai solli të brendshmet e një deveje të ngordhur dhe ia hodhi Profetit a.s i cili kishte rënë së sexhde. Profeti a.s nuk lëvizi pasi po të lëvizte të brendshmet do i shpërndaheshin, derisa erdhi Zejnebeja, vajza e tij, e cila ia largoi të brendshmet e devesë duke qarë. Profeti a.s u ngrit, e përqafoi dhe i tha:”Mos qaj o bija ime, se Zoti do e ndihmojë babain tënd!”

Ti mund të jesh një hap pranë përkushtimit ndaj fesë dhe adhurimit të Zotit, por bëhet shkak një shok/shoqe e cila të largon vite larg nga Zoti.

Në betejën e Bedrit, Ukbe ibnu Meit u kap rob nga myslimanët. Kur Profeti a.s e pa u tha shokëve:”A e shihni këtë fytyrë? A e dini çfarë më ka bërë në Mekë?” dhe u tregoi për vuajtjet e tij prej atij njeriu shpirtkatran. Në një moment ngrihet Asim ibnu Thabit dhe me një hanxhar që mbante në dorë e vrau Ukbe ibnu ebi Meit. Profeti a.s u gjet i befasuar nga ky akt dhe e pyeti:”Përse e vrave o Asim?” Ai u përgjigj:”Nuk mund ta duroj o i dërguar i Zotit!”

Thuhet që kufoma e Ukbe ibnu ebi Meit filloi të fryhej, saqë njerëzit nuk guxonin ti afrohen. Për ta varrosur e mbuluan me gurë dhe pastaj me dhe.

Kur dëgjoi Sulafe, nëna e Ukbes mbi këtë ndodhi, kishte thënë:”Nëse më bie në dorë Asim, do të pij verë në kafkën e tij!”

Njerëzit që e vranë Asim ibnu Thabit, kur e panë ashtu të vrarë, thanë:”Nëse ia çojmë Sulafes kokën e tij, do na japë kushedi sa para.” dhe në çast u nisën drejt kufomës për ti prerë kokën. Por me tu afruar u befasuan nga një mori grerëzash dhe bletësh të cilat kishin rrethuar kufomën e tij duke mos lënë kënd ti afrohej. “ushtarët e Zotit nuk i di kush veç Tij” (Kuran)

Tregohet se para se të vdesë, Asim ibnu Thabit kishte thënë:”O Zot, unë po vdes në mbrojtje të fesë Tënde, prandaj ma mbro edhe Ti trupin tim!”

Profeti Muhamed a.s thotë:”Ka prej robërve të Zotit të cilët nëse i kërkojnë diçka ua jep menjëherë.”

Zoti nënshtroi bletët dhe grerëzat për ta mbrojtur kufomën e Asim ibnu Thabit. Idhujtarët u munduan disa herë ta tërheqin kufomën e tij, por bletët dhe grerëzat i sulmonin derisa i detyruan të heqin dorë. Ata thanë:”Lëreni sa të bjerë nata, sepse bletët dhe grerëzat largohen natën!”

Me të filluar të bjerë nata paralelisht me të filloi dhe një shi i rrëmbyer, rrëketë e të cilit e morën kufomën e Asim ibnu Thabit dhe veç Zoti e di ku e çuan. Zoti ia pranoi lutjen Asim ibnu Thabit dhe atë nuk e preku dorë idhujtari as pas vdekjes. Kushdo që krijon raporte të sinqerta me Zotin, kurrë nuk mund të humbasë dhe të shkojë dëm.

Hubejb ibnu Adij dhe Zejd ibnu Dithne u morën dhe u dërguan në Mekë, ku ua shitën kurejshëve. Në betëjn e Bedrit, Hubejb ibnu Adij kishte vrarë një nga paria e Mekës, gjë e cila kishte shkaktuar zemërim të madh. Gjatë rrugës për në Mekë, idhujtarët e vranë Zejd ibnu Dithne dhe tashmë kishte mbetur vetëm Hubejb ibnu Adij. Kur dëgjuan për lajmin e ardhjes së Hubejb ibnu Adij, e gjithë Meka u ekzaltua pasi do të hakmerreshin për të rënët e tyre në Bedër. Meqë ishin në muajt e shenjtë, në të cilët ndalohej lufta dhe vrasja, mekasit e izoluan Hubejb ibnu Adij në një shtëpi. Në shtëpinë në të cilën e izoluan dhe e lidhën, jetonte një burrë, e shoqja dhe djali i tyre. Një ditë, burri i shtëpisë doli për punët e veta dhe në shtëpi ishte Hubejb ibnu Adij, zonja e shtëpisë dhe djali i tyre i vogël. Hubejb i thotë zonjës së shtëpisë:”A më jep një brisk për tu pastruar?”

Meqë ai ishte i prangosur me hekura dhe nuk mund të lëvizte, zonja e shtëpisë ia dha një brisk. Në këtë kohë, djali i vogël lëvizte nëpër shtëpi, hynte në një dhomë, dilte, hynte tek tjetra… derisa në një moment shkon dhe i ulet Hubejb ibnu Adij në prehër. Edhe pse ai ishte i huaj, i panjohur dhe i prangosur, fëmija i vogël e ndjeu se ai njeri nuk mund ti bënte keq, madje ndjeu se ishte njeri i mirë. Zonja e shtëpisë e ndjeu dhe vrapoi drejt thomës ku qëndronte Hubejb, ku pa djalin e saj në prehër të tij, kurse ai vetë mbante në dorë briskun. Tregon ajo:”Kur e pashë shtanga në vend nga frika!” Hubejb e kuptoi dhe i thotë:”A ke frikë se mos i bëj keq?” Zonja iu përgjigj:”Po.” Hubejb i tha:”Pasha Zotin nuk i prek as dhe një fije floku! Mos krij frikë se nuk mund të bëj keq. Nuk na ka mësuar kështu i dërguari i Zotit a.s.”

Kush është ai që e ka mendjen tek vlerat në momente kaq delikate? Ata e kishin izoluar për ta vrarë dhe kushdo mund ta shfrytëzonte një situatë të tillë për të kërkuar lirinë. Por për një besimtar nuk pranohet të përdorë një fëmijë për të fituar lirinë. Hubejb ibnu Adij besonte tek një mesazh dhe për të ishte më mirë të vdesë krenar sesa të shpëtojë dhe të tmerrojë një fëmijë dhe prindërit e tij.

Ajo që duhet të kuptojmë ne myslimanët e sotëm është se islami kurrsesi nuk mund të përmbajë frikë, panik, terror dhe shantazh.

Zonja e shtëpisë tregon më vonë:”Nuk kam parë rob lufte më të mirë sesa Hubejb ibnu Adij. Hyja në dhomën ku qëndronte ai dhe e gjeja me një trup rrushi në dorë, sa koka e një burri, ndërkohë që në Mekë nuk gjeje as dhe një kokër hurmë.”

“Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37)

Për një njeri i cili e shkrin jetën e tij për hatër të Zotit nuk është e çuditshme që Zoti ta furnizojë me fruta dhe ushqime që nuk gjenden përreth. Një pyetje që mund të shtrohet është:”Përse kjo mrekulli që iu shfaq Hubejb nuk ishte duke iu zgjidhur vargonjtë që e mbanin të lidhur, por i shfaqej në formën e një trupi rrushi?”

Jo gjithçka që i duket njeriut në favorin e tij mund të jetë realisht në favorin e tij. Në një moment, për njeriun mund të jetë të shpëtojë kokën, ndërkohë që Zoti ka rezervuar për të diçka shumë herë më të mirë dhe të madhe, martirizimin. Kështu, trupi i rrushit nuk shërben më shumë sesa për ti kujtuar se ka Zotin pranë.

Më vonë, zonja e shtëpisë ku ishte izoluar Hubejb përqafoi islamin dhe shkak për këtë ishte vetë Hubejb dhe virtytet e tij të larta.

 

Vrasja e Hubejb ibnu Adij

Me të përfunduar muaji i shenjtë, idhujtarët e morën Hubejb ibnu Adij dhe e nxorën jashtë kufijve të vendeve të shenjta. Atje e kryqëzuan Hubejbin mbi një palmë, ndërkohë që përreth ishte grumbulluar pothuajse e gjithë popullata e Mekës.

Teksa harkëtarët bënin gati harqet dhe shigjetat me të cilat do e vrisnin Hubejb, i afrohet Ebu Sufjani dhe i thotë:”Qëllojeni Hubejb ibnu Adij, por mos e vrisni!” Me këtë donte ta torturojë dhe ta rrënojë moralisht dhe shpirtërisht, pasi shihte se ai qëndronte kokëlartë.

Një lum shigjetash u lëshuan mbi gjymtyrët e Hubejb ibnu Alij, por nuk e godisnin në trup që ta vrasin. Ebu Sufjani iu afrua dhe i tha:”O Hubejb! Pash Zotin tregohu i sinqertë dhe më thuaj nëse do të doje që në këto çaste të ishe në shtëpi kurse në vendin tënd të ishte Muhamedi!”

Hubejb iu përgjigj:”Pasha Zotin, nuk do të doja të qëndroj në shtëpinë time ndërkohë që i dërguarit të Zotit i ngulet një gjemb në këmbë! Si mund të pranoj të jetë në vendim tim?!”

Ebu Sufjani tha:”Nuk kam parë dikë ta dojë dikë tjetër siç e duan shokët e tij Muhamedin!” Kjo ishte një dëshmi e një idhujtari për dashurinë që sahabët kishin për Profetin a.s.

Mandej, Ebu Sufjani e pyeti:”Çfarë do të doje në këto çaste o Hubejb?”

Hubejb i tha:”Po, do të doja të fal dy rekate!”

Ebu Sufjani ia pranoi këtë kërkesë dhe e zbritën nga palma për të falur dy rekate. Pasi mori abdes, para gjithë Mekës, ai fali dy rekate të lehtë. Pasi përfundoi, i pa në sy dhe u tha:”Pasha Zotin, po të mos kisha frikë se do të mendonit se kam frikë vdekjen do i kisha zgjatur sipas dëshirës time, por duhet ta dini se nuk i frikësohem vdekjes.”

Idhujtarët iu afruan dhe e lidhën me litarë, ndërkohë që Hubejb i shihte dhe filloi ti mallkojë me fjalët:”O Zot shuaji një e nga një, merrua jetën të gjithëve dhe mos ler prej tyre asnjërin!”

Kur i dëgjoi këto fjalë Ebu Sufjani u bërtiti njerëzve:”Shtrihuni përtokë!” Kjo, pasi asokohe e kishin për traditë që nëse dikush të mallkon, shtriheshe përtokëk dhe mallkimi kalonte sipër pa të prekur. Aq i fortë ishte mallkimi i Hubejb saqë Ebu Sufjani u frikësua se mos i kap në ato çaste.

Njëzet vite më vonë, gjatë kalifatit të Omer ibnul Hatabit, një nga sahabet e Profetit a.s Seid ibnu Amir Xhumehij, ishte caktuar si valiu i Kufes. Pas disa kohësh nga emërimi i tij, banorët e Kufes erdhën dhe iu ankuan Omerit për valiun e tyre, i cili ndërkohë që ishte duke biseduar me njerëzit, shembej përtokë pa ndjenja dhe dridhej, gjë e cila i ndodhte shpesh. Omeri e thirri dhe e pyeti:”Çfarë është ajo që të ngjet mes njerëzve o Seid?” Ai iu përgjigj:”O Prijes i Besimtarëve! Edhe unë kam qenë mes banorëve të Mekës atë ditë kur Hubejb ibnu Adij i mallkoi dhe kam frikë se më ka zënë mallkimi i tij!”

Hubejb ibnu Adij është personi i parë që ka falur dy rekate namaz para se të vdesë. Mandej, teksa e përgatisnin për ta ekzekutuar mbi palmë, ai filloi të recitojë disa vargje:

Se kam problem kur vdes si mysliman

Nga cila anë vdekja do të më vijë

Si të gjithë, edhe unë një vdekje kam

Zoti do më bekojë, çdokush këtë le ta dijë.

Harkëtarët e rreshtuan dhe lëshuan shigjetat e tyre si shi drejt Hubejb ibnu Adij. Në çastet e fundit që po vdiste, fjalët e tij të fundit ishin:”O Zot! Unë e komunikova sa munda mesazhin Tënd, prandaj komunikoja të dërguarit Tënd se në çfarë  gjendje jam!”

Në ato çaste Profetit a.s i shkon Xhibrili a.s dhe i tregon se idhujtarët e Mekës e kishin vrarë Hubejb ibnu Adij. Atë natë Profeti a.s dërgoi njërin nga shokët e tij dhe i tha:”Shko në Mekë dhe pasi ta  zgjidhësh trupin e Hubejb ibnu Adij nga palma, varrose!”

Tregon ky sahabi:”Shkova natën tek palma ku ishte lidhur, u ngjita dhe zgjidha njërin krah të tij. Me të zgjidhur njërin krah, kufoma ra përtokë duke shkaktuar zhurmë. Unë u hodha dhe u fsheha nga frika se mos zhurma ishte dëgjuar dhe njerëzit do të vinin. Pasi u sigurova se askush nuk erdhi, shkova të marr kufomën, por nuk e gjeta. Kërkova rreth e rrotull por nuk gjeta gjë. Prita derisa zbardhi dita, por sërish nuk gjeta gjë.” U ktheva i mërzitur tek Profeti a.s, i cili më tha:”Mos u mërzit se e kanë varrosur engjëjt!”

Historia e këtyre dhjetë dëshmorëve u dhurohet të gjithë dëshmorëve myslimanë që kanë rënë në mbrojtje të fesë dhe atdheut të tyre. Zoti i mëshiroftë të gjithë!

 

 

DËSHMORËT E UHUDIT

 

Më sipër kemi trajtuar jetëshkrimin e secilit nga shokët e profetit Muhamed a.s, ndërkohë që në këtë rast do të trajtojmë momente nga jeta e dëshmorëve të Uhudit. Të rënët në betejën e Uhudit nga ana e myslimanëve ishin shtatëdhjetë dëshmorë. Sigurisht që nuk do të mund të flasim për të gjithë, por do të fokusohemi tek më kryesorët dhe në mënyrë të përgjithshme. Ne do i përmendim me emra, kontributet më kryesore dhe mënyrën si e dhanë jetën në Uhud. Gjithashtu do të flasim edhe mbi motivin kryesor që i bëri të japin jetën. Këtë nuk e bëjmë me qëllim që të nxitim të rinjtë të shkojnë dhe të vdesin dëshmorë. Jo, aspak, sepse sot jemi në rrethana dhe kushte krejt të ndryshme. Motivi kryesor i dëshmorëve të Uhudit ka qenë xheneti, i cili ka njëmijë e një forma për tu fituar, ndërto dhe martirizimi. Teksa lexon dhe dëgjon jetëshkrimin e secilit prej tyre, ndjen se ata thjesht donin të fitojnë xhenetin.

Abdullah ibnu Hiram

Abdullah ibnu Hiram është një nga shokët e Profetit a.s dhe babai i Xhabir ibni Abdilah. Përveç djalit, ai kishte dhe nëntë fëmijë të tjerë, të gjithë vajza. Para betejës ai ia tha djalit të tij:”O Xhabir, dua të shkoj në Uhud sepse mendoj që do të fitoj martirizimin.” Djali i tij Xhabiri iu përgjigj:”Por edhe unë dua të dal o  baba!” Abdullah ibnu Hiram i tha:”Atëherë le të hedhim short!” Të dy hodhën short dhe i ra Abdullah ibnu Hiramit që të shkojë në betejë. Djali i tij Abdullahu filloi të qajë për shkak se nuk do të mund të merrte pjesë në betejë. Kur e pa duke qarë Abdullahu i tha:”O djali im, sikur të ishte diçka tjetër veç xhenetit do të ta lija ty, por xhenetin s’mundem.” Mandej i tha:”O bir, unë e shoh veten si dëshmor në Uhud, madje do të jem dëshmori i parë!”

Në fakt ashtu ndodhi, ai ishte dëshmori i parë që ra në betejën e Uhudit, madje idhujtarët e kishin masakruar trupin e tij.

Pas betejës, tregon biri i tij Xhabiri:”Shkova ta shoh, por muslimanët e tjerë nuk më lejuan, pasi jobesimtarët ia kishin gjymtur trupin. Profeti a.s u tha: Lëreni ta shohë të atin. Kur e pashë në atë gjendje fillova të qaj me të madhe, saqë i fshija lotët me mëngë.”

Profeti a.s u afrua dhe më tha: “ E qan apo nuk e qan, melekët vazhdojnë ti bëjnë hije me krahët e tyre. Gëzohu o Xhabir – më tha më pas.

Po përse o dërguar i Allahut- e pyeta?Mua më ka vdekur babai dhe më ka lënë nëntë motra dhe borxhet për të shlyer!

Ai më tha:” Nuk i ka folur kujt Zoti pa ndonjë pengesë, kurse babait tënd i ka folur direkt pa pengesë dhe i tha:”O robi Im, kërko prej Meje ç’të duash.”

”O Zot – i tha babai yt- kërkoj prej Teje që të më kthesh përsëri në jetë, të luftoj dhe të vritem përsëri në rrugën Tënde.”

Zoti i tha:”O robi Im, unë e kam caktuar që të mos kthehen më të vdekurit (në dynja) prandaj kërko diçka tjetër. O Zot, kërkoj që t’u tregosh njerëzve dhe shokëve të mi në dynja, mbi kënaqësinë që po përjetoj unë tani.”Dhe Zoti për nder të tij, shpalli ajetin e mëposhtëm:

“Mos mendoni që ata që u vranë në rrugën e Allahut, janë të vdekur, por janë të gjallë dhe ushqehen tek Zoti i tyre. Janë të gëzuar për atë që u ka dhënë Zoti dhe i përgëzojnë (besimtarët) e tjerë që nuk janë bashkuar me ta, që për ta nuk do të ketë frikë dhe nuk do të mërziten.” (Al Imran 170 -171)

 

AMR IBNUL XHEMUH

Amr ibnul Xhemuh ishte duke mbushur pesëdhjetë vjeç kur ndodhi beteja e Uhudit. Ai kishte katër fëmijë, Halab, Muadh, Muavidh Hind. Fillimet e tij të fesë ishin shumë larg fundit me të cilin e mbylli jetën. Ai adhuronte një idhuj me emrin Menat, madje mund të themi që ishte shumë i lidhur, e  donte fort këtë idhull. Menat ishte  idhull i madh dhe ishte vendosur në një vend larg shtëpisë së tij. Për shkak të largësisë ai nuk e adhuronte dot siç donte, kështu bëri një Menat në miniaturë dhe e mbante në shtëpi ku dhe e adhuronte dhe i lutej. Këtë hyrje mbi jetën e tij e bëjmë me qëllim që të kuptojmë tranformimin e madh krahasuar me fundin me të cilin e mbylli jetën.

Katër fëmijët e tij e pranuan islamin para të atit, por që nuk i tregonin nga frika. Ata donin që të atin ta tërheqin drejt besimit në mënyrë të përshkallëzuar, prandaj dhe një natë, teksa babai i tyre flinte gjumë, e morën idhullin Menat e hodhën në një gropë dhe e mbuluan me mbeturina. Kur i ati u zgjua, gjëja e parë që bëri ishte kërkimi i idhullit për ta adhuruar dhe për t’iu lutur. Duke kërkuar ai e gjeti në gropë, e pastroi nga mbeturinat dhe tha:”Pasha Zotin, sikur ta di se kush ta ka bërë këtë do ia nxij jetën!”

Të nesërit mbrëma, me ta zënë gjumi, fëmijët e morën sërish idhullin Menat, e hodhën në gropë dhe e mbuluan me plehëra. Ditën e nesërme në mëngjes e kërkoi sërish idhullin e tij të dashur dhe kur nuk e gjeti vajti tek gropa, e nxorri, e pastroi dhe i ra në sexhde duke e a dhuruar.

E njëjta gjë ndodhi dhe ditën e tretë. Kurse ditën e katërt, para se të shkojë të flejë gjumë, nxori shpatën, ia vari idhullit të tij në qafë dhe i tha:”Ka ardhur koha të mbrosh kokën tënde o Menat!”

Fëmijët e morën shpatën dhe e lanë mënjanë, i lidhën një qen për qafe idhullit Menat, pastaj e hodhën sërish në pus. Të nesërmen  ai u ngrit, e kërkoi idhullin por nuk gjeti veçse shpatën përtokë. Kur vajti tek gropa me plehëra, e gjeti të hedhur me një qen të ngordhur për qafe. I tronditur nga pamja tha:”Pasha Zotin nuk të nxjerr më që aty! Një zot që nuk mund të mbrojë as veten nuk meriton të adhurohet!”

Edhe pse ishte një e vërtetë e qartë si dielli, ai arriti ta kuptojë veç pas një shkundje të tillë nga ana e fëmijëve. Ai e pranoi islamin dy tre vite para migrimit të myslimanëve për në Medine. Kështu, koha që jetoi si mysliman nuk ishte më shumë se tre katër vite. Megjithatë, për një kohë të shkurtër ai përjetoi një transformim rrënjësor.

Po ti o vëlla dhe oj motër, sa vite keni si besimtarë? Vallë çfarë transformimi keni bërë në jetë? Sa vite të duhen për të marrë një person dhe për ta lidhur me Zotin? Sa vite të duhen për ta bërë një të ri apo një të re që të falet? Ka të rinj dhe të reja të cilët kanë vite të tëra që kanë jetuar me haramin, por vjen një moment që i thonë vetes “stop! Nga ky moment unë do të bëhem dikush tjetër!” dhe realisht ndryshojnë 180 gradë. Ai ka fituar pasurinë në rrugë haram për dhjetë vite, por me tu shkëputur vendosmërisht nga gjithçka e së shkuarës, sheh që si afrohet shumë me Zotin, i pëlqen feja dhe besimi, bën punë të mira…

Amr ibnul Xhemu  çalonte në njërën këmbë, megjithatë kjo nuk e pengoi të dalë në luftë. Katër fëmijët e tij e lutën që të mos dalë në luftë për shkak të moshës dhe çalimit. Ata i thanë:”Zoti të ka shkarkuar nga përgjegjësia për të luftuar!” Kurse ai u tha:”Ju keni marrë pjesë në Bedër duke mos më lejuar të fitoj xhenetin. Kurse sot nuk do të mund të më privoni nga xheneti. Më lini të shkoj tek xheneti i përgatitur nga Zoti im!”

Fëmijët këmbëngulën që ai të mos dalë dhe për këtë Amr ibnul Xhemuh vajti tek Profeti a.s dhe iu ankua se kërkonte të dalë, por fëmijët nuk e lejonin. Profeti a.s i tha:”Po ti çalon o Amr! Zoti të ka hequr një përgjegjësi të tillë si lufta!”

Amri iu përgjigj:”Kam qejf të hyj në xhenet me këmbën që çaloj o i dërguar i Zotit.” Profeti a.s buzëqeshi dhe iu drejtua fëmijëve të tij:”Lëreni! Ndoshta Zoti ia mundëson të vdesë si dëshmor.” Kështu doli Amr ibnul Xhemuh të marrë pjesë dhe ai në luftë. Me të arritur në Uhud, fryn një erë e freskët. Kur ndjen freskinë e erës, Amri thotë:”Ah moj erë e xhenetit!” Më pas ai kthehet duke shikuar nga qyteti i Medines dhe thotë:”O Zot, mos më kthe më në Medine!” Me fillimin e luftës, ai vazhdon të luftojë derisa bie dëshmor.

Pas betejës Profeti a.s thotë:”Unë e shoh Amri ibnul Xhemuh tani duke hyrë në xhenet me këmbën e tij të çalë. Zoti ia realizoi atë që deshi.”

Zoti ia pranon lutjet dhe dëshirat çdo njeriu që i lutet me sinqeritet. Ajo që na ndodh është se shejtani na bën që ti harrojmë lutjet e pranuara.

Bashkë me Amr ibnul Xhemuh, bie dëshmor dhe njëri nga djemtë e tij, Halad.

Gjatë betejës ishte përhapur fjala në Medine se profeti Muhamed a.s ishte vrarë. Gruaja e Amr ibnul Xhemua kishte dëgjuar se Profeti a.s kishte vdekur, por lajmi nuk ishte i sigurt, pasi disa të tjerë thoshin se nuk ka vdekur. Ajo doli para luftëtarëve që ktheheshin për në Medine dhe i pyeti:”Çfarë i ka ndodhur të dërguarit të Zotit?” Dikush i tha:”Ka vdekur yt shoq, Amr ibnul Xhemuh!” Ajo pyeti:”Po të dërguarit të Zotit, çfarë i ka ngjarë?”  Dikush i tha:”Ka vdekur yt shoq, Amr ibnul Xhemuh!” Ajo pyeti:”Po të dërguarit të Zotit, çfarë i ka ngjarë?”  I thanë:”Ai është mirë.” Ajo tha:”Nuk e  besoj derisa ta shoh me sytë e mi.”

Pasi kaluan luftëtarët e parë, ajo takoi një grup tjetër luftëtarësh myslimanë të cilët i pyeti:”Çfarë i ka ngjarë të dërguarit të Zotit!” Ata i thanë:”Bëj durim, yt bir Halad ka rënë dëshmor!” Ajo i pyeti sërish:”Çfarë ka ndodhur me të dërguarin e Zotit?” I thanë:”Është mirë dhe është gjallë.” Ajo tha:”Jo për Zotin, derisa ta shoh.” Kur e pa Profetin a.s tha:”Çdo fatkeqësi tjetër veç teje o i dërguar i Zotit është e përballueshme.”

Myslimanët e vunë trupin e Amr ibnul Xhemuh dhe të birit të tij mbi një mushkë me qëllim që ti varrosin në Medine, por mushka nuk lëvizte nga vendi. Ata bënë çmos por mushka nuk luante. E dini përse? Sepse ai e kishte lutur Zotin që të mos kthehej më në Medine dhe Zoti ia pranoi këtë lutje edhe pas vdekjes. atëherë Profeti a.s urdhëron që dëshmorët e Uhudit të varrosen aty ku ishin vrarë.

Ndërkohë që myslimanët filluan të përgatisin të vrarët për ti varrosur, ku shumë prej tyre ishin masakruar, Profeti a.s u tha:”Ndaloni dhe mos varrosni asnjërin!” “Po përse o i dërguar i Zotit?” e pyeti dikush. Profeti a.s u tha:”Më gjeni Abdullah ibnu Hiram dhe Amër ibnul Xhemuh! Dua që ata ti varrosni së bashku, pasi e kanë dashur shumë njëri-tjetrin gjatë jetës.”

A ke ndonjë njeri të mirë të cilin e do për hatër të Zotit? A ke ndonjë të cilin e konsideron si vëlla për hatër të Zotit? Nëse e ke një njeri të tillë, mbaje fort, duaje dhe vlerësoje. Njeriu vdes dhe ringjallet me vëllezërit me të cilët ka jetuar për të njëjtin qëllim.

 

ABDULLAH IBNU XHAHSH

Abdullah ibnu Xhahsh është djali i hallës së profetit Muhamed a.s, djali i Umejme ibnu Abdul Mutalib. Ai është personi i parë të cilit Profeti a.s i ka dhënë flamurin e luftës në islam, kur e dërgoi me një mision ushtarak si komandant të trupës myslimane. Ai është personi i parë në islam të cilit Profeti a.s i ka dhënë nga plaçka e luftës.

Teksa lexon mbi jetëshkrimin e tij ndjen se ai kishte raporte të çuditshme me Zotin, ishte shumë pranë Tij.

Abdullah bin Xhahshi, para betejës së Uhudit ishte duke ndejtur me Sad ibnu Muadh, i cili në një moment i thotë:”O Abdullah, hajde të lutemi bashkë! Fillimisht lutu ti dhe unë të bëj amin, mandej lutem unë dhe ti bëj amin!” Provojeni të luteni në këtë formë me njerëzit tuaj të afërm! Lutu ti me gruan tënde, me fëmijët e tu, me miqtë…!

Nga ana e tij, Sad u lut:”O Zot, ma mundëso që nesër të ndeshem me një idhujtar të fuqishëm, ta luftoj dhe të më luftojë, pastaj ta vras. Mandej ma mundëso të ndeshem me një idhujtar tjetër të fuqishëm, të më lulftojë dhe ta luftoj dhe në fund ta vras. Mandej më mundëso një idhujtar tjetër të fuqishëm, të më luftojë dhe ta luftoj derisa ta vras!” Nga ana e tij Abdullah bënte “amin” për çdo lutje.

Pasi përfundoi lutjet Sad ibnu Muadh, filloi Abdullah ibnu Xhahsh të lutej duke thënë: “O Zot, ma mundëso që të ndeshem me një jobesimtar të fuqishëm, ta luftoj e të më luftojë dhe ta vras. Pastaj, më bëj të ndeshem me një tjetër të fuqishëm, ta luftoj e të më luftojë dhe ta vras.  Më pas, më bëj të ndeshem me një të fuqishëm, ta luftoj e të më luftojë dhe të më vrasë, të më çajë barkun, të më presë hundën dhe veshët dhe ditën e Kiametit të dal para Teje në këtë gjendje, ku Ti të më pyesësh:“Përse të ka ndodhur kështu o Abdullah?” Kurse unë do të të them “Veç për hatrin tënd o Zot” dhe Ti të më thuash “Të vërtetën the!”

Pas betejës, Sad bin Muadhi, i cili e kish dëgjuar lutjen e tij, tregon: “E pashë që kishte rënë shehid, i ishte çarë barku, i ishin prerë hunda dhe veshët dhe anash tij ishin dy jobesimtarë të vrarë. U tregua i sinqertë me Zotin dhe Zoti u tregua i sinqertë me të. Unë uroj që Zoti t’ia plotësojë dhe pjesën tjetër të dëdshirës dhe lutjes së tij!”

Çfarëdo ti kërkosh Zotit ta jep, nëse i kërkon ndihmë dhe mbështetje për tu larguar nga gjynahet, do të jepet.

 

HANDHALE IBNU EBI AMIR

Nga shembujt e dëshmorëve të betejës së Uhudit është dhe Handhale. Historia e tij që njihet është shumë e shkurtër, por me domethënie të madhe. Ai ishte martuar një ditë para betejës së Uhudit, ku kishte vënë kurorë me të shoqen, kishte organizuar dasmën, e kishte bekuar Profeti a.s dhe e kishin uruar shokët. Të nesërmen, teksa dëgjoi zërin që bënte thirrje për mobilizim për luftë, iu përgjigj kësaj thirrjeje dhe nuk priti as sa të lahej (gusl).

Tregon e shoqja:”Ai brofi në këmbë me të dëgjuar thirrjen për luftë, veshi rrobat e luftës dhe doli pa u larë.”

Tregon Profeti a.s:”E pashë Handhalen duke e larë melekët në një govatë floriri mes qiellit dhe tokës.” Profeti a.s nuk e dinte shkakun e kësaj dhe për këtë pyeti të shoqen e Handhales. Ajo ia ktheu:”Ai fjeti me mua natën e parë të martesës dhe në mëngjes duke nxituar të arrijë ushtrinë nuk arriti të lahej.”

Profeti a.s tha:”Prandaj e paskan larë melekët!”

Teksa dikush lexon dhe dëgjon për bëmat me myslimanëve dhe trimëritë e tyre në këto luftra, mund ti aktivizohet dëshira dhe zelli për të luftuar. Pyetja që shtrohet në këtë rast është:”Si mund të luftojmë dhe të bëjmë xhihad sot?”

Ajo që mund të them shkurtimisht lidhur me këtë pikë, është se duhet ditur se xhihadi me luftë është një nga format e shumta të xhihadit. Forma më e lartë e xhihadit është xhihadi me veten tënde, nëse arrin ta bësh zap dhe ta mbash nën kontroll, e ke më të lehtë me gjërat e tjera. Por nëse dështon dhe pëson disfatë me veten tënde, harroje fitoren me armiqtë e jashtëm. Bëj xhihad me veten tënde, bëj xhihad me instinktet dhe pasionet e shfrenuara, bëj xhihad me shejtanin që të nxit për keq, përfto dije, bëj xhihad për të fituar kënaqësinë e Zotit…

 

ENES IBNU NADR

Nga ata që patën një rol shumë të rëndësishëm në betejën e Uhudit, ishte dhe Enes ibnu Nadr, xhaxhai i Enes ibnu Malik. Ajo që vihet re në jetëshkrimin e tij është mbajtja e fjalës së dhënë. Ai nuk kishte marrë pjesë në betejën e Bedrit dhe pas betejës kishte thënë:”Nëse do të ketë një betejë tjetër, do e shohë Zoti se çfarë do të bëj.” Ai ndjehej keq që nuk kishte pasur mundësi të jetë bashkë me myslimanët e tjerë edhe pse kishte arsye pasi kishte qenë në udhëtim tregtie.

Edhe kur filloi beteja e Uhudit ai ishte në udhëtim. Kur u kthye në Medine dhe mori vesh se myslimanët ishin në Uhud duke luftuar me kurejshët u nis menjëherë për atje. Gjatë rrugës takoi muslimanët të cilët ishin tërhequr të mundur dhe po shkonin drejt Medines. Ai i pyeti i habitur:”Ku po shkoni?” Ata iu përgjigjën:”Është vrarë i dërguari i Zotit.” Ai i pa dhe u tha:”Po çfarë u duhet jeta pas tij?! Çohuni dhe vdisni ashtu siç vdiq ai!”

Sot, kthimi në Uhud është duke iu kthyer lidhjeve të forta me Zotin, është pastrimi i zemrës brenda kraharorit, është duke i ndërprerë lidhjet me haramin, duke iu bindur Zotit dhe adhuruar Atë.

Kur dëgjuan fjalët e Enes ibnu Nadr, e gjithë ushtria u kthye sërish në  Uhud. Edhe pse ishte një person, ndikimi i tij ishte shumë i madh tek mbarë komuniteti mysliman. Po ti o vëlla dhe oj motër, sa ndikim ke sot? Cili është rrethi i ndikimit tënd? Sa veta ta dëgjojnë fjalën?

Me të mbërritur në Uhud, Enes ibnu Nadr u turr drejt malit të, andej nga ishte ushtria e kurejshëve. Të gjithë të tjerët tërhiqeshin nga ai vend, kurse ai ishte drejtuar drejt vendit më të rrezikshëm. Kur e pyetën se ku po shkon, ai u tha:”Drejt xhenetit. Unë ndjej erën e xhenetit rrëzë malit të Uhudit.” Dikush mund të pyesë:”Po si e ka ndjerë aromën e xhenetit?”

Profeti Muhamed a.s thotë në një hadith:”Aroma e xhenetit ndihet pesëqind vite larg.” A e ke ndjerë ndonjëherë o vëlla armën e xhenetit? Nëse jo, ose sepse je më shumë se pesëqind vite larg tij, ose sepse zemrën e ke të mbushur me qejfet e dynjasë, vidioklipe, filma, telenovela, përgojim, zili…

Tregon Sad ibnu Muadh:”U mundova ti shkoj dhe unë pas, por nuk munda.”

Shokët e tij thonë:”E gjetëm të vrarë rrëzë malit të Uhudit. Trupi i tij ishte i mbushur me goditje shpatash, saqë askush nuk e njihte se kush është. Vetëm motra e tij e njohu nga një gisht që e kishte pasur të prerë.”

Me këtë rast, Zoti shpalli versetin e Kuranit:”Prej besimtarëve kishte  burra që e vërtetuan besën që ia kishin dhënë Zotit. Ka prej tyre që e plotësuan premtimin dhe ka të tjerë që presin, pa e ndryshuar aspak (besën e dhënë).” (Ahzab 23)

 

SAD IBNU REBI

Sad ibnu Rebia është nga myslimanët e Medines. Të gjithë dëshmorët e Uhudit kanë një histori të gjatë kontributi, sinqeriteti dhe marrëdhëniesh të forta me Zotin.

Myslimanët mekas që braktisën vendlindjen e tyre dhe mirgruan për në Medine, lanë gjithçka nga pasuritë e tyre në Mekë. Ishin myslimanët e Medines ata që i strehuan dhe i trajtuan si vëllezërit e tyre. Thuhet që çdo mysliman mekas që hynte në Medine, hidhej një short nga myslimanët e Medines se cili do e marrë në shtëpinë e tij. Në të gjithë historinë njerëzore, vihet re se të gjithë shpërnguljet dhe migrimet masive janë shoqëruar me gjakderdhje. Vetëm shpërngulja e profetit Muhamed a.s dhe e myslimanëve nga Meka për në Medine u shoqërua me mikpritje, dashamirësi, respekt, vëllazëri dhe dashuri.

Ndër mikpritësit e Medines ishte dhe Sad ibnu Rebia, i cili u vëllazërua me Abdurrahman ibnu Aufin, një nga biznesmenët më të mëdhenj myslimanë të kohës. Edhe pse ishte shumë i pasur në Mekë, ai vajti në Medine me duar në xhepa, pasi mekasit ia konfiskuan gjithçka. Mikpritja e Sad ibnu Rebias ishte shembullore, e paparashikueshme dhe e papërsëritshme. Me ta shpënë vëllain e tij në shtëpi, Sad ibnu Rebia i tha:”O vëllai im! Këto janë kursimet e mia, gjysmat do i mbaj unë dhe gjysmat do ti jap ty! Kjo është shtëpia ime, gjysma e saj do të jetë e jotja, kurse gjysma e imja!”

Pas betejës së Uhudit, Profeti a.s u kërkoi shokëve që të kërkojnë mbi Sad ibnu Rebia, pasi nuk po e shihte. Duke kërkuar, muslimanët e gjetën në çastet e fundit të jetës. U ulën pranë tij dhe i thanë:”O Sad, i dërguari i Zotit të çon selam. Ai na dërgoi të të kërkojmë nëse je mes të gjallëve apo të vdekurve.” Ai u përgjigj:”I thoni të dërguarit të Zotit që unë e gjeta të vërtetën që ma premtoi Zoti (xhenetin). Ia përcillni të dërguarit të Zotit selamin (përshëndetjet) nga ana ime dhe i thoni:”Zoti të shpërbleftë me të mira për ne, sikur nuk ka shpërblyer profet tjetër më parë për umetin e tij. U përcillni dhe banorëve të Medines selamin (përshëndetjen) tim dhe u thoni:”Nuk keni justifikim nëse kurejshët arrijnë tek i dërguari i Zotit, përderisa u lëvizin qepallat (sa të jeni gjallë).”

Fjalët me të cilat Sadi iu drejtua banorëve të Medines na drejtohen dhe neve në ditët tona. Ne nuk duhet ta neglizhojmë traditën e Profetit a.s përderisa kemi frymën e fundit. Nëse vetë Profeti a.s nuk jeton në mesin tonë, mos harrojmë se jeton feja e tij, jeton tradita, vlerat dhe moralet e tij.

Pasi thotë fjalët e mësipërme, Sad ibnu Rebia ia dorëzon shpirtin Krijuesit të tij. Personi që e takoi për herë të fundit kthehet tek Profeti a.s dhe i përcjell përshendetjet dhe selamin e tij. Kur i dëgjoi fjalët e Sad ibnu Rebia, Profeti a.s tha:”Zoti të mëshiroftë o Sad! Këshillon për hatër të Zotit si i gjallë dhe i vdekur.”

 

JEZID IBNU SEKEN

Nga shembujt e atyre që sakrifikuan dhe dhanë jetën në këtë betejë është dhe Jezid ibnu Seken. Ai ishte një i ri në të njëzetat. Kur harkëtarët myslimanë lanë kodrën dhe Halid ibnul Velid i sulmoi myslimanët pas krahëve, ushtria myslimane u  përfshi nga kaosi dhe Profeti a.s doli i zbuluar ku mund të vritej kollaj nga kurejshët idhujtarë. Nga lodhja e tepërt dhe lufta e ashpër, Profeti a.s filloi të thërrasë:”Kush i largon ata (kurejshët) prej meje ka fituar xhenetin.” Vijnë dhjetë nga banorët e Medines me në krye Jezid ibnu Seken dhe i thanë:”Po të të mbrojmë do të fitojmë xhenetin o i dërguar i Zotit?” “Po” u përgjigjet Profeti a.s. Vazhdojnë të mbrojnë Profetin a.s këta të dhjetë derisa nuk mbetet prej tyre, veçse Jezid ibnu Seken. Edhe pse nuk i dimë emrat e këtyre të rinjve që flijuan veten për të mbrojtur Profetin a.s, emrat e tyre janë të shënuar tek Zoti i cili nuk harron askënd.

Shokët e tij tregojnë që e shihnim që gjaku i rridhte nga çdo pjesë e trupit, por dukej sikur nuk dëshiron të vdesë derisa ta sigurojë Profetin a.s. Ai vazhdonte të luftojë dhe të marrë goditje njëra pas tjetrës, derisa më në fund u shëmb i vdekur përtokë. Profeti a.s nuk e la ashtu, por vajti dhe e vendosi kokën e tij në prehër dhe i pastronte dheun nga fytyra e tij. Më pas ngre duart nga qielli dhe thotë:”O Zot, unë dëshmoj që Jezid ibnu Seken e ka mbajtur  besën dhe un jam i kënaqur me të.”

Po ti o vëlla dhe oj motër, a e ke mbajtur besën me Zotin? A shkon dhe falesh në xhami? A u përmbahesh urdhërave të Profetit a.s?

 

MUSAB IBNU UMEJR

Musab ibnu Umejr, ka qenë një nga të rinjtë më të përkëdhelur të Mekes. Sa herë që kalonte në një rrugë, kuptohej që aty ka kaluar Musab ibnu Umejri, për shkak të erës së parfumit që linte pas. Rrobat e tij dhe parfumet nuk bliheshin nga prodhimet e vendit, por vinin të porositura nga Shami dhe Jemeni. Të gjitha vajzat e Mekës uronin të martohen me Musab ibnu Umejr.

Megjithë jetën luksoze dhe të mirat që e rrethonin ai pranoi Islamin. Kur e morri vesh nëna e tij, e mbylli në shtëpi për tre vite rresht duke e keqtrajtuar. Për tre vite rresht ai nuk e takoi Profetin a.s, megjithatë ai vazhdoi në Islam.Megjithëse nëna e tij e kishte mbyllur në shtëpi, ai vazhdonte ta respektojë atë, saqë thuhet që asnjëherë nuk e shikonte me inat.

Nga ajo jetë luksi dhe rehatie, Musab ibnu Umejr kaloi në jetë varfanjaku dhe nevojtari. Ai kaloi nga rrobat e mëndafshta në rroba shumë modeste duke bërë jetë të vështirë.

Sigurisht që jeta e luksit nuk është haram për myslimanët. Ne kemi mes myslimanëve të kohës së Profetit a.s pasanikë që nuk dinin sa pasuri kanë. Ebu Bekri ishte shumë i pasur, po kështu ishte dhe Othman ibnu Afani i cili përgatiste të gjithë ushtrinë me shpenzimet e tyre. Rreziku i pasurisë është vetëm atëherë kur të largon nga Zoti.

Gjatë betejës së Uhudit ai do të mbante flamurin e ushtrisë myslimane. Nuk kishte nder më të madh sesa të mbaje flamurin e ushtrisë, gjë e cila i besohej njeriut më të fortë dhe më të besueshëm. Edhe pse kishte bërë jetë luksi dhe rehatie më parë, edhe pse kishte qenë i përkëdheluri i familjes dhe farefisit, ai kishte cilësi burrërie të cilat e bënin të sakrifikojë gjithçka për hir të parimeve të tij.

Teksa Musab ibnu Umejr mbante flamurin e ushtrisë myslimane, një nga kurejshët e qëllon dhe i pret dorën e djathtë. I riu i rritur me të gjitha të mirat, nuk do të vrapojë me dorën e prerë duke kërkuar ndihmë, por do të qëndrojë në shesh të betejës dhe do e mbajë flamurin me dorën e majtë. Kjo do të thoshte që ai flamur për Musab ibnu Umejrin ishte më i rëndësishëm sesa jeta e tij. Një goditje tjetër me shpatë i merr dhe dorën e majtë. Megjithatë Musab ibnu Umejri nuk e la flamurin të rrëzohet, por e mbajti me pjesën e mbetur të krahëve. Ibnu Kamie e qëllon për herë të tretë në trup dhe trupi i të riut Musab ibnu Umejr bie përdhe.

Kur erdhi puna për ta varrosur, gjetën një xhybe për ta mbuluar si qefin, por që nuk mjaftonte. Nëse i mbulonin kokën i zbuloheshin këmbët dhe nëse i mbuloheshin këmbët i zbulohej koka. Nga gjithçka që kishte pasur më parë, tashmë ai nuk kishte as qefinë për tu mbuluar. Shyqyr Zotit sot kemi pasuri të shumta, kemi shtëpi të mira, makina, rroba, mobilje etj… Ajo që kërkohet është që këto pasuri dhe të mira ti orientojmë drejt kënaqësisë së Zotit. Vallë këto pasuri dhe të mira a janë motiv për të shkuar dhe për tu falur në xhami, për ta falënderuar Zotin për gjithçka kemi, apo shërbejnë për të na mbajtur larg Tij dhe larg xhamisë?

Kur e pa Profeti a.s që xhybeja nuk i mjaftonte për ti mbuluar trupin, Profetit a.s i rrodhën lot dhimbje. Ai e përqafoi dhe me lot në sy tha:”Zoti e mëshiroftë Musabin! Nuk ka pasur të ri në Mekë që vishej më mirë sesa Musab ibnu Umejr. Gjithçka e sakrifikoi për hatër të Zotit dhe të dërguarit të Tij!”

Musab ibnu Umejr është shembull dhe model për çdo të ri i cili kalon gjithë natën me makinë duke bredhur lart e poshtë në shoqërinë e një vajze, duke konsumuar pije, duke u mburrur me teknologjinë më të fundit. Kur ai u prezantua me një motiv dhe qëllim madhor, la gjithçka që kishte dhe iu përkushtua këtij qëllimi dhe motivi derisa flijoi edhe jetën e tij.

 

HAMZA IBNU ABDUL MUTALIB

Organizimi dhe komanda e ushtrisë së myslimanëve gjatë betejës së Uhudit ishte në dorën e Hamzait. Ai kishte vënë dhe një pupël të madhe struci në çallmën e tij, si për tu thënë kundërshtarëve të tij “Ja ku më keni!” Kur dy ushtritë ishin vënë përballë njëra-tjetrës, Hamzai doli para ushtrisë myslimane me shpatën në dorë dhe lëviste sa nga njëri krah në tjetrin duke u mburrur dhe krenuar. Profeti a.s tha:”Këtë lloj ecje e urren Zoti dhe i dërguari i Tij, përveçse në raste të tilla.”

Kur filloi lufta, Hamzai qëndronte në mes të betejës dhe thërriste:”Unë jam luani i islamit!”

Asokohe sulmi përqendrohej tek personi që mbante flamurin, pasi po të vritej ai dhe të rrëzohej flamuri, ushtria merrte arratinë. Hamzai, duke e ditur një gjë të tillë, u turr drejt personi që mbante flamurin, i cili rrethohej nga disa burra. Ai arriti deri tek mbajtësi i flamurit dhe e vrau atë. Menjëherë flamurin e kurejshëve e mori një burrë tjetër, të cilin Hamzai e vrau dhe atë. Atë ditë ai vrau pesë burra nga mbajtësit e flamurit.

Në këtë betejë, kishte dalë dhe një person i cili nuk merrej fare me luftimin, misioni i tij ishte i qartë: Të vrasë Hamzain. Hindi i kishte premtuar që do i falte lirinë nëse e vret Hamzanë. Kjo pasi Hamzai kishte vrarë babanë e saj dhe vëllan në betejën e Bedrit. Hindi kishte zgjedhur këtë skllav për të vrarë Hamzanë, pasi ai ishte mjeshtër në gjuajtjen me heshtë.

Pasi Halid ibnul Velid mori në kontroll kodrën e harkëtarëve dhe me këtë beteja kaloi në favor të kurejshëve, Hamzai mendoi që ta rimarë kodrën. Për këtë ai me një grup ushtarësh i dolën kodrës nga pas dhe u ngjitën sipër. Me tu ngjitur, Hamzai filloi të luftojë dhe të vrasë shumë nga kurejshët. Në një nga shkëmbinjtë në kodër, i cili sot e kësaj dite quhet shkëmbi i Vahshij, ishte fshehur Vahshij (egërsirë). Ai ishte skllavi i Hind bintu Utbe, gruas së Ebu Sufjanit dhe ishte mjeshtër në gjuajtjen me heshtë. Kurrë nuk i kishte shkuar dëm ndonjë heshtë. Në këtë luftë, Vahshi nuk kishte ardhur për të luftuar me kurejshët, por misioni i tij i vetëm ishte të vriste Hamzanë. Me ta parë që Hamzai i ktheu shpinën, Vahshij u përgatit për të gjuajtur. Pasi u bë mysliman, dikush e pyeti se si e kishte vrarë Hamzain dhe ai tregon dhe thotë:”Hamzai luftonte dhe i paloste luftëtarët kundërshtarë njërin pas tjetrit. Sa e kisha përballë dhe më shihte, e kisha të pamundur ta qëlloj, nga sytë e tij dukej sikur nxjerrin flakë dhe më frikësonin. Kur e pashë që ktheu shpinën, e tunda një herë heshtën dhe e lëshova. Heshta e goditi Hamzanë në shpinë dhe doli nga stomaku. Unë mendova se do të bjerë dhe nuk do të lëvizë. Por ai u kthye nga unë dhe duke më parë, e kuptoi që unë e kisha goditur. Atëherë filloi të ecë drejt meje duke mos e hequr shikimin nga unë. Për Zotin, nga shikimi i tij dhe frika që më kaploi nuk munda të lëviz asnjë hap. Kur u afrua pranë meje, dhimbja e mposhti dhe u rrëzua përtokë.”

Menjëherë pas kësaj Vahshi shkon me vrap tek Hind bintu Utbe dhe i thotë:”E vrava, e vrava.” E gëzuar nga kjo, Hindi afrohet pranë trupit të Hamzait dhe me një thikë i çan barkun, nxjerr mëlçinë e tij dhe e kafshon me dhëmbë nga inati dhe e pështyn përsëri. E merr mëlçinë në dorë dhe e shtrydh. Më pas vjen një nga kurejshët dhe ia hap gojën Hamzait dhe i ngul në gojë një heshtë tjetër.

Pas betejës, Profeti a.s afrohet tek trupi i masakruar i Hamzait dhe fillon të qajë me ngashërime. Tregojnë shokët e tij:”Nuk e kemi parë Profetin a.s të qajë dikë ashtu siç ka qarë Hamzain.” Pas betejës myslimanët filluan të varrosin të vrarët. Profeti a.s tha:”Të gjithë martirët ka kush i qan, kurse Hamzanë nuk ka kush e qan.” Kur dëgjuan medinasit këtë fjalë, u dërguan fjalë grave të tyre dhe u kërkuan që të qajnë për Hamzain. Atë natë Profeti a.s u shtri i rraskapitur dhe të nesërmen kur u zgjua, dëgjoi disa gra që qanin. Ai doli dhe i çuditur i pyeti:”A akoma këtu jeni?” Ato iu përgjigjën:”Po o i dërguar i Zotit, sepse pikëllimi i vrasjes së Hamzait ishte shumë i madh.”

Dëshmorët e Uhudit u varrosën në sheshin e betejës, dy e nga dy në një varr. Abdullah ibnu Xhahs u varros me Hamza ibnu Abdul Mutalib në një varr. Amr ibnul Xhemuh u varros me Abdullah ibnu Hiram.

Tregon Xhabir ibnu Abdilah:”Unë e dija varrin e tim eti. Një herë, pas shumë vitesh nga beteja e Uhudit, ra një shi i madh dhe rëketë i kishin dëmtuar varret. Valiu i Medines u çoi fjalë familjeve të dëshmorëve që të shkojnë dhe ti zhvendosin varret e të afërmve të tyre. Unë shkova tek varri i babait, hoqa dheun dhe pashë që trupi i tim eti ishte ashtu siç e kisha lënë kur e varrosëm. Ia kapa dorën dhe ajo ishte akoma e butë. Mandej ia hoqa dorën e djathtë nga poshtë faqes ku shpërtheu gjaku i cili më njollosi rrobat. Mandej e ktheva sërish dorën poshtë faqes së tij dhe gjaku u ndal. Kushedi sa herë i kam larë ato rroba, e megjithatë aroma e miskut nuk u hiqet. Ai që po kërkonte trupin e Hamzait e goditi në këmbë me kazmë dhe në çast shpërtheu gjaku nga këmba e tij sikur të ishte gjallë.”

Profeti a.s pati thënë për dëshmorët e Uhudit:”Kur ata u ndanë nga kjo botë, shpirtrat e tyre Zoti i vendosi në kraharorët e shpendëve të xhenetit. Ata fluturojnë në xhenet, ushqehen me frutat e xhenetit dhe strehohen në kandilë floriri të varur nën Arshin e Zotit. Duke parë kënaqësitë e xhenetit, ata thanë:”Kush ua përcjell vëllezërve tanë në dynja se jemi të gjallë në xhenet dhe furnizohemi me të mirat e xhenetit?” Zoti i lartësuar u përgjigj dhe u tha:”Unë do ua përcjell këtë lajm dhe shpalli ajetin:“Mos mendoni që ata që u vranë në rrugën e Allahut, janë të vdekur, por janë të gjallë dhe ushqehen tek Zoti i tyre. Janë të gëzuar për atë që u ka dhënë Zoti dhe i përgëzojnë (besimtarët) e tjerë që nuk janë bashkuar me ta, që për ta nuk do të ketë frikë dhe nuk do të mërziten.” (Al Imran 170 -171)

 

 

EBU DHER EL-GIFARI

Nëpërmjet trajtimit të jetës të shokëve të profetit Muhamed a.s, ne synojmë që sidomos të rinjve dhe të rejave tona, tu ofrojmë modele krejt të ndryshme nga modelet që u ofrohen sot, modele në virtyte, vlera dhe moral. Ne synojmë që teksa një i ri apo e re myslimane lexon secilin nga sahabët, të gjejë veten dhe ti ketë model në jetë, qoftë dhe njërin prej tyre. Qëllimi ynë duke trajtuar jetën e sahabeve nuk është thjesht të tregojmë ca histori dhe ngjarje dhe kaq, por është që të bëjmë transformime rrënjësore në jetën tonë dhe në marrëdhënit me Zotin.

Ebu Dheri rrjedh nga fisi Gifar, fis i cili ka qenë i njohur për plaçkitje dhe sulme të karvanëve të ndryshme. Ata kishin një nam shumë të keq mes arabëve të kohës. Ata nuk merreshin me gjë tjetër veçse me plaçkitje.

Ebu Dher është nofka me të cilën e thërrisnin të tjerët, kurse emri i tij i vërtetë është Xhundub ibnu Xhunade. Vallë a do ti ngjajë njerëzve të fisit të tij dhe Ebu Dheri? A është e mundur që një person që lind dhe rritet në një mjedis larg çdo forme të besimit, mund të dalë dhe të bëhet besimtar i devotshëm?

Ebu Dherit i kishin vajtur lajmet se një profet i ri ishte shfaqur në Mekë dhe vendos të mësojë më shumë rreth këtij njeriu. Për këtë, ai dërgoi të vëllanë, të cilin e porositi:”Shko në Mekë dhe më sill lajme rreth këtij njeriu që pretendon se është profet!” I vëllai shkoi në Mekë, pyeti lart e poshtë rreth profetit Muhamed a.s, mori aq lajme sa deshi dhe u kthye sërish në fisin Gifar. Ebu Dheri e pyeti dhe ai i tha:”Gjeta një burrë që thoshte fjalë të cilat nuk u ngjanin poezive, fjalë të cilat ftonin për moralitet dhe virtyte!” Ebu Dheri e pyeti:”Po njerëzit e tij, si e kishin pritur këtë?” I vëllai iu përgjigj:”E kanë përgënjeshtruar dhe e kanë akuzuar si të çmendur, magjistar, fallxhor…” Ebu Dheri shfaqi pakënaqësi për lajmet që i solli i vëllai, pasi ishin të pamjaftueshme. Edhe pse kishte lindur dhe ishte rritur mes banditëve dhe plaçkitësve, Ebu Dheri kishte pasion për të njohur të vërtetën.

Duke qenë se informacionet që i erdhën nuk ishin të mjaftueshme, Ebu Dheri mori ushqim dhe rroba dhe u nis për në Mekë.

Vallë çfarë mund ta shtynte Ebu Dherin të marrë një rrugë të tillë dhe të bëjë shpenzime? Mesa duket, ai ka qenë shumë i interesuar të njohë të vërtetën, të kuptojë diçka më shumë përtej tradicionales dhe të përditshmes. Për fat të keq ka njerëz të cilëve u kalojnë vitet njëri pas tjetrit pa ndonjë ndryshim dhe ndonjë gjë të re që ia vlen të përmendet. Ka njerëz që ndoshta janë në ditët e fundit të jetës së tyre dhe akoma nuk e njohin çfarë do të thotë të vësh ballin në tokë dhe ti falesh e lutesh Zotit. Është e papranueshme për umetin e Muhamedit a.s që të ketë njerëz të cilët nuk e dinë çfarë shtë namazi, njerëz që nuk falen akoma. Duke mos u falur ti sikur i thua Zotit se unë nuk mundem të të adhuroj, se e kam të vështirë të të adhuroj, se jam në gjendje të shoh ndeshje sporti, telenovela, lojëra në kompjuter gjithë ditën etj… por të falem e të lutem nuk e bëj dot. Të mos falesh do të thotë ti mbyllësh të gjitha dyert me Zotin. Në zjarrin e xhehenemit gjendet në portë e cila mban emrin “Sakar”. Kur Zoti e përshkruan këtë portë, thotë:”E ku e di ti ç’është Sakar? Ai shkrin dhe nuk lë asgjë” Kushdo që hyn në këtë portë, do të shpërbëhet dhe shkrihet sikur të mos ekzistonte. Engjëjt që do të qëndrojnë tek kjo portë, do i pyesin njerëzit që hyjnë brenda:”Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen:“Nuk ishim nga ata që falnin namazdhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit.Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët.” (Mudethir, 52-55)

Pra shohim që cilësitë e atyre që do të hidhen në sekar janë tre: Nuk faleshin, nuk ushqenin nevojtarët edhe pse ishin të pasur dhe jepeshin pas njerëzve të papërgjegjshëm, kudo që shkonin shokët e shoqet e tyre edhe ata pas, duke mos lënë gjynahe pa i vepruar.

Ditën e Kiametit do të thirren të gjithë gjynahqarët sipas gjynaheve që kanë bërë. Do të thërritet:”Të ngrihen dhe të vijnë gënjeshtarët!” Të gjithë ata që kanë gënjyer në këtë botë do të ngrihen dhe do të tubohen në një vend, ku do të japin llogari një e nga një për rrenat dhe gënjeshtrat e thëna në këtë botë. Lute Zotin që të mos jesh prej tyre.

“Të ngrihen dhe të vijnë imoralistët!” Lute Zotin që të mos jesh pjesë e tyre.

“Të ngrihen ata që nuk i ulnin shikimet!”

“Të ngrihen ato që nuk visheshin me hixhab!”

Sa herë që më vjen ndërmend Ebu Dheri, i cili edhe pse idhujtar dhe nga një fis bandit, la vendlindjen dhe vajti në Mekë për tu takuar me profetin Muhamed a.s për të dëgjuar prej tij, realisht më djeg zemra për myslimanët të cilët lindin, jetojnë, hanë e pinë dhe në fund largohen nga kjo botë siç erdhën, pa pyetur nëse ka Zot apo jo.

Para se Ebu Dheri të nisej për në Mekë, vëllai i tij e këshilloi:”Bëj kujdes dhe mos pyet haptazi ku është Muhamedi, sepse kurejshët i gjurmojnë njerëzit që pyesin për të!”

 

Ebu Dheri në Mekë

Pasi mbërriti në Mekë, Ebu Dheri vajti tek Qabja ku u ul dhe priti gjithë ditën, por Profeti a.s nuk vajti, ose ndoshta kishte vajtur por ai nuk e kishte njohur. Tregon Ebu Dheri:”Unë mbështeta shpinën në murin e Qabes dhe prita deri në darkë.”

Profeti a.s takohej fshehurazi me myslimanët në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam. Atje ai u mësonte Kuranin dhe parimet e fesë, u mësonte si të komunikojnë me njerëzit, si të jenë të durueshëm dhe të matur, forconte lidhjet mes tyre… Ajo ishte një shtëpi të cilën askush nuk e dinte që Profeti a.s jepte mësime aty përveç myslimanëve.

Nga ana tjetër, Profeti a.s kishte caktuar Ali ibnu Ebi Talibin që të identifikojë njerëzit që kanë interes për tu takuar me Profetin a.s dhe ti çojë në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam. Edhe pse Aliu nuk ishte më shumë se 14-15 vjeç, ai mbante mbi supe një përgjegjësi kaq të madh. Mbajtja e përgjegjësive të tilla kaq të mëdha, më shumë sesa me moshë është me pjekurinë mendore dhe me dëshirën për të bërë diçka të mirë.

Në mbrëmje Aliu vajti tek Qabja dhe gjeti një burrë të huaj me shpinën të mbështetur tek Qabja. Aliu iu afrua dhe e pyeti:”I huaj jeni?” Ebu Dheri iu përgjigj:”Po.” Aliu i tha:”Hajde me mua sonte në shtëpinë time!” Tregon Ebu Dheri:”Vajta me të dhe gjatë gjithë rrugës as ai nuk më foli dhe as unë nuk e pyeta. Ai më çoi në shtëpi, më shtroi për të ngrënë, më përgatiti shtratin dhe në mëngjes më përcolli.”

Të ishe mysliman asokohe do të thoshte të kishe pjekurinë dhe urtësinë maksimale. Aliu i vlerësonte dhe merrte parasysh kushtet në të  cilat ndodheshin myslimanët dhe nuk merrte veprime euforike. Edhe pse e mbajti një natë në shtëpinë e tij, nuk i foli fare për Profetin a.s dhe islamin, sepse mund të prishte më shumë punë sesa të ndreqte. Sot një nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohemi ne si myslimanë është imazhi i fetarit, i cili perceptohet si një njeri i papjekur, që nuk kupton gjë nga jeta, naiv… Shumë të rinj e të reja frikësohen nga feja sepse u duket se të jesh fetar do të thotë të jesh mendjembyllur, turivarë, me veshje në pikë të hallit. Jo vëlla dhe motër! Të jesh fetar do të thotë ta njohësh mirë jetën, të jesh i suksesshëm, iniciator …. i cili ka lidhje të forta me Zotin. Një fetar dhe besimtar është njeriu që bën gjumin më të qetë natën, sepse supet dhe psikologjinë e tij nuk e rëndojnë vepra dhe gjynahe të rënda. Ali ibnu Ebi Talib ishte nga këta myslimanë dhe besimtarë.

Ditën e dytë afër perëndimit të diellit, Aliu vajti tek Qabja sërish dhe pa Ebu Dherin me shpinë mbështetur tek muri i Qabes. Ai iu afrua dhe e pyeti:”A akoma vazhdoni të jeni i huaj?” Ebu Dheri iu përgjigj:”Po.” Aliu i tha:”Je miku im sonte!” Kështu e mori, ndejtën bashkë atë natë dhe të nesërmen e përcolli. Ditën e tretë në mbrëmje Ali vajti tek Qabja dhe gjeti sërish Ebu Dherin të mbështetur tek muri i saj. Ai iu afrua dhe e pyeti:”A s’ka ardhur koha që ti jepni fund të qenit i huaj në këtë qytet? Hajde edhe sonte në shtëpinë time!” Pasi i kishte bërë këtë hyrje për dy netë radhazi, natën e tretë, teksa ecnin rrugës për në shtëpi, Aliu e pyeti:”Çfarë e bën një njeri që të qëndrojë tre ditë rreshte me shpinë për murit të Qabes?”

Ebu Dheri e pa në sy dhe i tha:”Ma jep fjalën se nuk i tregon kujt?” Aliu iu përgjigj:”Po.”

Ebu Dheri i tha:”Kam dëgjuar se një burrë nga Meka pretendon se është profet i Zotit dhe unë lashë vendlindjen dhe kam ardhur të dëgjoj prej tij.” Aliu i tha:”Pasha Zotin ai është profeti dhe i dërguari i vërtetë i Zotit, kurse unë jam kushëriri i tij. Nesër unë do të vij dhe do të ec para, ndërkohë që ti më ndiq nga pas. Nëse gjatë rrugës ulem dhe bëj sikur marr diçka nga toka, kjo është shenjë se dikush po na ndjek, prandaj shkëputu dhe takohemi një ditë më vonë në të njëjtin vend tek Qabeja.”

Nga kjo kuptojmë që situata në Mekë për myslimanët ishte shumë e rëndë, ashtu siç kuptojmë se Profeti a.s kishte punuar shumë me Aliun për edukimin dhe formimin e tij. Asokohe edhe të pyesje për Profetin a.s ishte e ndaluar dhe e dënueshme. Sakaq sot ne kemi mundësi që edhe të sjellim mësues të na mësojnë Kuranin në shtëpi, kemi xhami të hapura por që për fat të keq janë bosh, kemi Kuranë pafund në shtëpi por që për fat të keq i ka mbuluar pluhuri, tregjet janë plot veshje islame për femrat por që për fat të keq shumë pak i blejnë …

Profeti Muhamed a.s dhe shokët e tij janë lodhur dhe kanë sakrifikuar shumë me qëllim që islami të mbërrijë deri në ditët tona, ata janë akuzuar, ofenduar, keqtrajtuar dhe vrarë. Realisht është e papranueshme që brezi jonë të mos e vlerësojë këtë dhe të mos i kushtojë rëndësinë e duhur përhapjes së fesë. Është turp që pas këtyre sakrificave të thuash që për mua nuk është e rëndësishme feja dhe besimi, për mua ka rëndësi të gjej një vajzë/djalë e të bashkëjetojmë siç ndodh në shumë vende; E rëndësishme është që të kem para dhe të bëj qejf; E rëndësishme është që ta ndryshoj makinën çdo vit; E rëndësishme është që të dal me miq e shokë e të bëjmë qejf.

Të nesërmen Aliu vajti tek Qabja ku e priste Ebu Dheri. Me tu parë nga larg, Aliu mori rrugën për tek shtëpia e Erkam ibnul Erkam, i ndjekur nga Ebu Dheri. Gjatë rrugës, ai ndjeu se dikush po i ndjek, prandaj dhe u përkul sikur merr diçka nga toka. Ebu Dheri e kuptoi dhe u kthye mbrapsht për tek Qabja. Një ditë më vonë Aliu vajti sërish tek Qabja ku e priste Ebu Dheri. Pasi u panë Aliu i priu për tek Profeti a.s. Ata vazhduan derisa mbërritën në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam. Tregon Ebu Dheri:”Kur hyra brenda, e përshëndeta si i dërguar i Zotit:”Eselamu alejke ja resulallah!” gjë e cila e gëzoi Profetin a.s.”

Mandej Profeti a.s i foli për islamin dhe Ebu Dheri dëshmoi shehadetin. Profeti a.s u gëzua nga ky fakt. Pastaj e pyeti:”Nga je ti?” Ebu Dheri iu përgjigj:”Nga fisi Gifar!” Profeti a.s i vuri gishtat në ballë. Tregon Ebu Dheri:”Pashë në sytë e tij një farë pakënaqësie që isha nga ai fis. Mandej ai më pyeti:”Ku ke qëndruar këto ditë?” Unë iu përgjigja:”Tre ditë kam jetuar me ujë Zemzemi, ndërkohë që në darkë më merrte Aliu.” Profeti a.s më tha:”Kthehu tek fisi jot dhe ftoji në Islam. Këtë që ndodhi këtu, mbaje të fshehtë derisa të dëgjosh se unë kam triumfuar. Vetëm atëherë hajde sërish tek unë!” Unë i thashë:”Jo pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Nuk kthehem pa e deklaruar besimin tim në Mekë!”

Ai doli nga shtëpia e Erkam ibnul Erkam dhe pasi u përshëndet me Profetin a.s dhe myslimanët vajti tek kodra Safa dhe thirri me sa fuqi kishte:”O kurejshë!” Njerëzit filluan të grumbullohen përreth tij. Kur pa se ishin grumbulluar shumë njerëz, thirri sërish:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.” Menjëherë iu turrën disa burra nga kurejshët të cilët filluan ta rrahin e ta qëllojnë me ç’të mundin. Tregon vetë Ebu Dheri:”Më rrahën për vdekje! Kur më ra të fikët erdhi Abasi, xhaxhai i Profetit a.s i cili edhe pse nuk ishte mysliman, u hodh mbi trupin tim dhe u thirri kurejshëve:”Mjerë ju! Po rrihni një nga fisi Gifar andej nga kalojnë karvanët tuaj të tregtisë!” Ai më shpëtoi nga goditjet e tyre, edhe pse isha gjysmë i vdekur. Ashtu me gjysmë zëri thashë:”Pasha Zotin edhe nesër kam për të ardhur të deklaroj besimin tim këtu!”

Po përse e bënte gjithë këtë sakrificë Ebu Dheri? Mos vallë e kishte marrë malli për tu rrahur?

Ai nuk është se kishte ndonjë informacion të madh për islamin, nuk është se kishte me vite në islam, nuk është se kishte mësuar kushedi sa pjesë nga Kurani. Ajo që e shtynte të bëjë diçka ishte dëshira dhe pasioni i madh për fenë e re që sapo kishte përqafuar.

Të nesërmen, edhe pse gjithë plagë u ngjit mbi kodrën Safa dhe thirri:”O kurejshë!” Këtë herë u grumbulluan më shumë njerëz pasi kujtuan se Ebu Dheri do të deklaronte pendesën e tij për atë që kishte ndodhur një ditë më parë. Ai thirri:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.”

Atëherë iu turrën duke e qëlluar me ç’të mundin sërish. Menjëherë u turr sërish Abasi , i cili iu hodh sipër për ta mbrojtur dhe u tha:”Mos doni të vrisni dikë nga fisi Gifar, nga kalojnë karvanet tona të tregtisë?” Në gjendje të mjerë Ebu Dheri vajti tek Profeti a.s, i cili kur e pa i tha:”O Ebu Dher! Shko tek njerëzit e tu dhe mos u kthe këtu derisa të triumfoj!”

Ai u kthye tek njerëzit e tij dhe fillimisht ia nisi me të vëllanë, i cili përqafoi islamin. Mandej Ebu Dheri filloi me njerëzit e tjerë derisa gjysma e fisit përqafoi islamin. Sinqeriteti i madh i Ebu Dherit bëri që islami tu depërtojë në zemra atyre që deri dje kishin qenë banditë dhe plaçkitës karvanesh.

Një i ri dhe një e re mund të bëhen shkak për udhëzimin e të gjithë banorëve të një pallati. Njerëzit e fisit Gifar pranuan islamin edhe pse informacionet e Ebu Dherit ishin shumë modeste rreth besimit të ri. Sot ne kemi gazeta, stacione radio dhe televizori, internet, konferenca, universitete etj… të cilalt kanë bërë që dijet rreth islamit të përhapen në të katër anët. Megjithatë, çështja nuk ka të bëjë me dijet dhe informacionet, aq sa ka të bëjë me zemrën dhe sinqeritetin.

Gjysma tjetër e fisit Gifar i thanë Ebu Dherit se nëse Muhamedi a.s do të triumfojë, edhe ne do të përqafojmë islamin. Kur Profeti a.s migroi për në Medine, edhe pjesa tjetër e fisit Gifar u konvertua në islam dhe të gjithë u nisën për në Medine të takohen me Profetin a.s. Ata njerëz që kishin qenë banditë dhe plaçkitës, tashmë ishin myslimanë dhe paqësorë. Kur fisi Gifar hyri në Medine, paralelisht me të hyri dhe një fis tjetër, Eslem. Kur i thanë Profetit a.s ai u gëzua shumë dhe tha:”Gifarët Zoti i faltë, Eslemët Zoti i shpëtoftë!” Që atë ditë fisit Gifar iu hoq atributi me të cilin ishin njohur deri atëherë.

 

Përgjegjësia për përhapjen e islamit

Nëse të pyes, cila është mirësia më e madhe që të ka dhënë Zoti, a do të përgjigjeshe menjëherë “islami”?Por edhe nëse përgjigjeshe kështu, a e ndjen me të vërtetë që islami është mirësia më e madhe me të cilën të ka nderuar Zoti i madh? Nuk ka nder dhe mirësi më të madhe sesa ajo e të qenit mysliman dhe ndjekës i profetit Muhamed a.s.

Nuk është e mjaftueshme që të falesh, të lutesh, të agjërosh, të lexosh Kuran… për ta çuar në vend amanetin e Zotit. Jo, aspak. Namazi, agjërimi, zekati, haxhi, leximi i Kuranit… janë për ne dhe interesin tonë. Amaneti i Zotit çohet në vend duke kontribuar për përhapjen e islamit. Hasan Elbasrij thoshte:”Më duket sikur shoh islamin që ditën e Kiametit vjen në formën e një njeriu dhe kalon para muslimanëve dhe u thotë:”O Zot, ky më përkrahu, kurse ky më zhgënjeu – vallë çfarë do të thotë për ne?- derisa të arrijë tek Umeri. Do të shkojë, do e marrë për krahu dhe do të thotë:”O Zot, isha i panjohur derisa u bë musliman ky burrrë.”

Po çfarë mund të bëjmë për islamin?

Gjëja më e mirë që mund të bësh për islamin është që të përbrendësosh dhe të jetësosh moralet dhe vlerat islame. Nuk ka nevojë që tu flasësh shumë fjalë njerëzve, nuk ka nevojë t’ua tregosh islamin me fjalë, thjesht tregojua me vepra dhe me modelin tënd.

Ajo që mund të bëjmë për islamin është që të marrim një nga shokët/shoqet dhe ta afrojmë me Zotin në mënyrë të përshkallëzuar. Profeti Muhamed a.s thoshte:”Që Zoti të të përdorë për udhëzimin e një njeriu është më mirë për ty sesa dynjaja me të mirat e saj.”

 

 

Disa cilësi të Ebu Dherit

Ajo që e dallonte Ebu Dherin nga shumë myslimanë të tjerë ishte se ai ishte shumë zahidm, i shkëputur nga shumë kënaqësi të kësa bote. Në një thënie të tij, Profeti a.s thoshte:”Kush dëshiron të shohë zuhdin e Isait a.s, le të shohë zuhdin e Ebu Dherit!”

Ai bënte një jetë modeste dhe të thjeshtë. Profeti Muhamed a.s thoshte:”Kush dëshiron të shohë me sytë e tij modestinë e hazreti Isait a.s, le të shohë modestinë e Ebu Dherit!”

Një cilësi tjetër e Ebu Dherit ishte dhe sinqeriteti i tij i madh. Profeti a.s thoshte për të:”Mbi faqen e tokës nuk ka zemër më të sinqertë se ajo e Ebu Dherit.”

 

Në betejën e Tebukut

Tridhjetë mijë myslimanë me në krye profetin Muhamed a.s u nisën për të përshkua një distancë prej një mijë kilometrash në betejën e Tebukut. Veç distancës së gjatë, ajo që e bënte të vështirë ishte dhe vetë koha e nxehtë, saqë më vonë ajo njihet edhe me emrin beteja e vështirë. Veç kësaj, për shkak se hurmat arabe akoma nuk ishin pjekur, edhe ushqimet që morën me vete ishin modeste dhe të pakta. Gjatë këtij rrugëtimi të lodhshëm dhe plot vështirësi, disa nga mynafikët filluan ti bëjnë bisht dhe ndaleshin e ktheheshin për në Medine. Herë pas here, Profetit a.s i thoshin:”Filani është ndalur o i dërguar i Zotit!” Profeti a.s ua kthente:”Nëse është njeri i hajrit do të na bashkangjitet sërish, e nëse jo Zoti u ka lënë rehat prej tij.”

Me ushtrinë myslimane kishte dalë dhe Ebu Dheri, por deveja me të cilën udhëtonte ishte shumë e dobët, e vjetër dhe e paushqyer mirë. Herë pas here, ajo ndalonte dhe ulej. Ebu Dheri zbriste, i hiqte ngarkesën, e linte të pushojë pak, e ngarkonte dhe sërish nisej për udhë. Për këtë shkak ushtria myslimane filloi të shkëputej dhe të largohej pak e nga pak derisa e humbi nga sytë. Ngaqë ishin vonuar dhe larguar edhe disa mynafikë të tjerë, dikush mendoi se edhe Ebu Dheri ishte kthyer për në Medine si mynafikët, prandaj dhe i tha Profetit a.s:”O i dërguar i Zotit, nuk është as Ebu Dheri mes nesh!” Profeti a.s iu përgjigj si me të tjerët:”Nëse është i dobishëm do e sjellë Zoti, në të kundërt na ka shpëtuar Zoti prej tij.”

Nga ana e tij, Ebu Dheri kur pa se ushtria u largua dhe me atë deve e kishte të pamundur ti zinte, bëri diçka të çuditshme. Edhe pse kishte arsye për tu kthyer sërish në Medine, ai nuk u kthye, por mori plaçkat që i kishte ngarkuar në deve, i hodhi mbi supe dhe u nis duke ndjekur gjurmët e ushtrisë myslimane. Sot kemi myslimanë që nuk ngrihen dot në mëngjes për të falur sabahun në kohë! Sot kemi vajza myslimane që nuk e mbulojnë dot trupin e tyre, gjë e cila është në vetë interesin e tyre. Përse vallë jemi kaq të dobët sot? Përse kaq të ligsht, ndërkohë që nuk na kërkohen sakrifica të tilla si ajo e Ebu Dherit. Të ngrihesh dhe të falesh natën nuk do ndonjë mrekulli nga qielli, por thjesht pak këmbëngulje dhe vullnet. Të veshësh hixhabin kërkon pak vullnet dhe guxim. Ti ruhesh haramit kërkon vetëm pak vullnet dhe këmbëngulje. Të adhurosh Zotin dhe ti bindesh Atij kërkon vullnet dhe këmbëngulje. Të japësh sadaka nga pasuria jote kërkon këmbëngulje. Ky është ndryshimi mes nesh dhe Ebu Dherit.

Nga larg, ushtria myslimane dalloi dikë që orvatej tu afrohej. Dikush i tha Profetit a.s:”O i dërguar i Zotit, na duket sikur dikush është atje tej në shkretëtirë dhe që do të na bashkohet!” Profeti a.s pa në atë drejtim dhe tha:”Qofsh Ebu Dheri!” Kur u afrua dhe panë që ishte Ebu Dheri, myslimanët dhe Profeti a.s u gëzuan. Mandej, Profeti a.s shtoi dhe tha:”Zoti e mëshiroftë Ebu Dherin! Ai ecën vetëm, vdes vetëm dhe ringjallet vetëm Ditën e Kiametit!”

Profeti a.s ndërroi jetë i kënaqur ndaj Ebu Dherit. Në kohën e kalifit Ebu Bekr dhe Omer, Ebu Dheri shërbente si myfti i myslimanëve sepse kishte dije të thella. Ai mori pjesë bashkë me kalifin Omer në marrjen e Kudsit (Jeruzalemit).

 

Vitet e fundit të Ebu Dherit

Kronikanët tregojnë se Ebu Dheri ishte i drejtpërdrejtë në ndalimin e të keqes dhe urdhërimin për mirë. Ai vetë tregonte:”Më ka këshilluar i dërguari i Zotit që të mos kem frikë asgjë kur vjen puna për ligjet e Zotit!” Vetë hazreti Aliu thoshte:”Nuk ka mbetur kush që nuk frikësohet kur vjen çështja tek ligjet e Zotit, përveç Ebu Dherit. As unë nuk jam si ai.”

Ai ishte paksa si i ashpër kur vinte puna për tu përballur me njerëzit. Në kohën e kalifatit të Othman ibnu Afanit, ai jetonte në Damask, tek guvernatori Muavije ibnu ebi Sufjan. Atje i këshillonte dhe orientonte njerëzit me rreptësi. Njerëzve të pasur u fliste me ashpërsi dhe u kërkonte që tu japin të varfërve. Ky lloj komunikimi shtoi pakënaqësitë tek njerëzit, gjë e cila e bëri Muavijen që ti shkruajë Othmanit dhe ti kërkojë ndihmë, pasi Ebu Dheri po i prishte punë. Hazreti Othmani i kërkoi Muavijes që t’ia dërgojë Ebu Dherin në Medine dhe ai u nis menjëherë. Kur hyri në zyrën e hazreti Othmanit, zërat e tyre filluan të ngrihen. Por kur Ebu Dheri doli nga zyra, doli duke buzëqeshur. Njerëzit që ishin jashtë e pyetën:”Përse i ngritët zërat kurse tani del i buzëqeshur?” Ebu Dheri u tha:”Unë jam një dëgjues dhe i bindur ndaj urdhërave të Othmanit! Pasha Zotin po të më urdhërojë Othmani të shkoj në San’a do të shkoja. Po të më urdhërojë të ec me kokën time do të ecja. I dërguari i Zotit a.s më ka thënë:”O Ebu Dher, dëgjo dhe bindu edhe sikur të udhëhiqeshe nga një skllav nga Abisinia!” Unë bëj gjithçka që më urdhëron Othmani!”

 

Vdekja e Ebu Dherit

Gjatë takimit me Othmanit ku iu tha se ishte shumë i ashpër dhe i rreptë me njerëzit, Ebu Dheri merr një vendim të rëndësishëm. Ai i thotë Othmanit:”Unë e kam të vështirë të komunikoj ndryshe me njerëzit, prandaj më lejo tu qëndroj larg!” Othmani e pyeti:”Po ku do të shkosh?” Ebu Dheri iu përgjigj:”Në Rebdhe (një vend në shkretëtirë).” Othmani e pyeti:”E përse?” Ebu Dheri i tha:”Dua të jetoj vetëm.” Othmani i tha:”Qëndro me ne o Ebu Dher!” Ai i tha:”Jo o Prijës i Besimtarëve!”

Që atë ditë ai u vendos në shkretëtirë, në një vend që quhej Rebdha, ku kaloi pjeën e mbetur të jetës. Ai jetonte atje me të shoqen dhe vajzat e tij të vogla. Në çastet e vdekjes, e shoqja po qante me dënesë. Ebu Dheri e pyeti:”Çfarë ke që qan kështu?” Ajo i tha:”Përveç ndarjes, nuk kam si të të varros e vetme, pasi vajzat janë të vogla. Si të të laj, si të të qefinos dhe si të të varros?!” Ebu Dheri i tha:”Mos kij frikë! Një ditë, i dërguari i Zotit a.s na tha:”Njëri prej jush do të vdesë në shkretëtirë dhe do e përgatisin për ta varrosur një grup besimtarësh!” Pasha Zotin, secili nga shokët e Profetit a.s ka vdekur mes njerëzve, përveç meje. Unë jam ai njeri, prandaj mos u mërzit se do të vijnë besimtarët të më varrosin shumë shpejt!” Ajo i tha:”E nga do na vijnë këta besimtarë në mes të shkretëtirës?! Tani nuk është as kohë haxhi!” Ebu Dheri tha:”I dërguari i Zotit nuk gënjen, ata do të vijnë tani.”

Tregon e shoqja:”Ndërkohë që Ebu Dheri po jepte shpirt, nga larg dallova një grup njerëzish të cilët ishin turrur drejt nesh si skifterë. Kur erdhën aty pranë, u thirra dhe u thashë:”A keni mundësi ta lani, qefinosni dhe varrosni një burrë nga myslimanët!” Ata u përgjigjën:”Po, por kush është ai?” Ajo u tha:”Është Ebu Dher Gifari!” Mes njerëzve ishte dhe Abdullah ibnu Mesudi, i cili menjëherë filloi të qajë me ngashërime, pasi kishte marrë pjesë në betejën e Uhudit dhe i kishte dëgjuar fjalët e Profetit a.s që kishte thënë për Ebu Dherin. Ai tha:”Dëshmoj se i dërguari i Zotit a.s ka thënë të  vërtetën. Pasha Zotin e kam dëgjuar Profetin a.s me veshët e mi kur tha:” Zoti e mëshiroftë Ebu Dherin! Ai ecën vetëm, vdes vetëm dhe ringjallet vetëm Ditën e Kiametit!”

Para se t’ia dorëzojë shpirtin Zotit të tij, Ebu Dheri u tha:”O vëllezërit e mia! Agjëroni një ditë të nxehtë për ditën e Ringjalljes! Kryeni qoftë dhe një Haxh për punë të mëdha! Falni dy rekate në errësirën e natës që ta keni në vetminë e varrit!”

Ai u varros aty ku vdiq në Rebdhe dhe varri i tij nuk dihet. Kjo ndodhi vitin 32 hixhri. Thuhet se hazreti Othmani i mori vajzat e tij dhe u kujdes për to si për vajzat e veta. Ebu Dheri ka transmetuar 281 hadithe nga Profeti a.s. Zoti e mëshiroftë Ebu Dherin, i cili ndoshta nuk vdiq si i famshëm, por e sigurt që vdiq si i  bindur ndaj Zotit të tij!

 

KAB IBNU MALIK

Kab ibnu Malik nuk është një sahabi i shquar dhe i njohur, siç janë shumë të tjerë. Ai njihet vetëm për një rast të vetëm, një nga ngjarjet e rëndësishme në jetën e myslimanëve. Kjo ngjarje bën fjalë për ata njerëz të cilët nuk e ndiqnin dhe nuk i shkonin pas të dërguarit të Zotit.

Kab ibnu Malik nuk e ndoqi Profetin a.s vetëm në një betejë të vetme dhe është pikërisht kjo ajo që e bëri të njohur për pasojat që rrodhën më pas. Një person nuk e ndoqi Profetin a.s dhe u bë zhurmë e madhe, po çmund të themi sot për një umet që nuk e ndjek atë dhe traditën e tij?

Profeti Muhamed a.s erdhi që ta ringjallë këtë umet dhe ta vendosë në  binarët e duhur me qëllimi që të jetojë siç i ka hije. Profeti a.s erdhi që ky umet të lidhet me Zotin dhe të jetojë nën dritën e udhëzimit të Tij. Të mos ndjekësh Profetin a.s do të thotë të mos jetosh për Zotin, të mos kesh si proekupim fitimin e xhenetit dhe fitimin e kënaqësisë së Zotit. Të mos ndjekësh Profetin a.s sot do të thotë të jetosh për të ngrënë, për të pirë, për tu veshur bukur etj… dhe në fund të vdesës pa pasur një mision sublim për të përmbushur. Është fyese për njeriun të besojë se është krijuar vetëm për të ngrënë e për të përmbushur instinktet e tij. Jeta e njeriut merr realisht vlerë vetëm kur ka si motivin më të madh kënaqësinë dhe bindjen e Zotit.

Kab ibnu Malik nuk e ndoqi Profetin a.s në një betejë, ndërkohë që sot mos ndjekja e Profetit a.s merr forma nga më të ndryshmet. Të jetosh vetëm për grumbullimin e parave është mos ndjekje e Profetit a.s. Të jetosh vetëm për ndjekjen e modës është mos ndjekje e Profetit a.s. Vlera më e madhe e njeriut nuk është pasuria dhe asgjë tjetër, vlera më e madhe e tij është bindja e Zotit dhe fitimi i xhenetit.

Kab ibnu Malik ishte nga banorët e Medines dhe një nga poetët e Profetit a.s. Ai ka transmetuar tridhjetë hadithe të Profetit a.s, ku disa prej tyre janë tek Buhariu dhe Muslimi. Ai përbënte llogoren mbrojtëse të Profetit a.s dhe të myslimanëve nëpërmjet fjalëve dhe poezive të tij. Kab ibnu Malik jetoi shumë gjatë dhe vdiq në vitin 51 hixhri, gjatë kalifatit të Muavije ibnu ebi Sufjan. Ai ka qenë prezent në momentet dhe betejat më të rëndësishme të Profetit a.s. Ai ishte pjesë e grupit të Akabesë, ku iu dha besa profetit Muhamed a.s për ta mbrojtur nga idhujtarët dhe që përbënte fillimin e migrimit të myslimanëve për në Medine. Numri i myslimanëve në Akabe ishte 73 burra dhe dy gra.

Historinë e mos ndjekjes së Profetit a.s për në betejën e Tebukut e tregon vetë ai, duke mos fshehur as dhe një detaj, sado i sikletshëm të duket.

 

Autor: Amër Halid

Përktheu: Elmas Fida