Para takimit me Imam Ebu Hanifen, Imam Maliku thoshte: “Kujdes nga pasuesit e mendjes (ehl’ur-re’ji)”. Shkolla e Imam Ebu Hanifes quhej “Shkolla e pasuesve të mendjes së lirë”. Para takimit ata kishin pasur shumë debate dhe shkëmbime letrash por qenë takuar vetëm gjatë ritualit të Haxhit.

 

Kur më në fund u takuan, ata vendosën të diskutonin tri çështje për të cilat kishin kundërshtime. Çështja e parë ishte lidhur me pyetjet hipotetike; pyetjet në lidhje me gjërat që nuk kanë ndodhur ende. Sipas shkollës juridike të Imam Malikut, ne nuk duhet të imagjinojmë situata dhe të pyesim për gjërat që nuk kanë ndodhur, meqë kjo i largon njerëzit nga çështjet që ekzistojnë, dhe shpie në polemikë. Imam Maliku solli argumentet e tij nga ajete dhe hadithe të ndryshme. Ai përmendi ajetin, ku Allahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj)”. (El-Bekare,189). Këto pyetje janë të pakuptimta (të kota). Allahu xh.sh. përgjigjet në këtë ajet: “Thuaj “Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh”. (El-Bekare,189). Argumenti tjetër ishte që Omer

Ibnul-Hatabi r.a. e mallkoi atë që e pyeti në lidhje me situata të cilat nuk kanë ndodhur, dhe thoshte:“Mos na angazhoni ne me gjërat që nuk kanë ndodhur, në vend të kësaj angazhoni (preokuponi) njerëzit me të vërtetën”. Njerëzit vinin tek Imam Maliku, i shtronin pyetje hipotetike dhe ai inatosej e u thoshte të mos e pyesnin për gjërat që nuk kishin ndodhur ende. Këta njerëz zakonisht ishin prej Irakut, nga ishte Imam Ebu Hanife, i cili e përkrahte këtë lloj pyetjesh. Qasja e Imam Ebu Hanifes ishte që të sajoheshin situata që nuk kishin ndodhur ende. Ai ka sajuar rreth 60.000 situata të tilla. Në takimin e tyre, Imam Maliku nuk e pranonte pikëpamjen e Imam Ebu Hanifes. Imam Ebu Hanife iu përgjigj që rrethanat në Irak ishin ndryshe prej atyre të Medinës. Në Irak, si qendra e Halifatit që ishte, sipas tij çdo ditë shfaqeshin gjëra të reja , kështu që ata duhej të ishin të përgatitur, kurse në Medinë problemet ishin të rregulluara dhe të pakta. Pastaj, ai i dha një shembull kur diskutoi me nxënësit e tij situatën e një gruaje, burri i së cilës kishte shkuar dhe nuk ishte

kthyer për një kohë të gjatë, saqë ajo mendoi se a kishte vdekur, prandaj ishte martuar me një njeri tjetër. Papritur, burri i saj qe kthyer. Ç’duhej bërë?

Imam Maliku habitej pse duhet të pyesnin për gjëra që nuk kishin ndodhur. Imam Ebu Hanife i tha: “Në Irak, kur ushtarët nisen për pushtime (luftë), kjo mund të ndodhë dhe ata duhet të jenë të gatshëm për një situatë të tillë”. Imam Maliku kishte heshtur. Imam Ebu Hanife ia kujtoi se si i qe përgjigjur Pejgamberi a.s., një njeriu që kishte ardhur dhe e kishte pyetur Pejgamberin: “Merre me mend, nëse një njeri vjen për të më marrë paratë e mia, ç’të bëj unë?” Pejgamberi a.s., i tha të mos ia jepte. Njeriu e pyeti përsëri: “Imagjino sikur të përleshet me mua?” Pejgamberi a.s., i tha se edhe ky duhej të luftonte. Njeriu e pyeti: “Merre me mend sikur ai të më mbysë?” Pejgamberi a.s.,. i tha që do të bëhej shehid. Njeriu e pyeti përsëri: “Imagjino sikur unë ta mbysja atë?” Pejgamberi a.s., tha që i mbyturi do të shkojë në zjarr të Xhehenemit. Ebu Hanife i tha që Pejgamberi a.s., ishte pyetur katër herë për një situatë hipotetike. Kur Imam Maliku i tha që ajo ishte për një qëllim të caktuar, Ebu Hanife iu përgjigj: “Edhe ne në Irak e bëjmë për një qëllim të caktuar”. Pastaj, El-Lejth Ibn Es-Sa’d tha: “Lavdia i takon Allahut. Pasha Allahun, ju jeni duke pasuruar Islamin”. Imam Maliku i largonte njerëzit dhe kërkonte që të mos merreshin me çështje të parëndësishme, kurse Imam Ebu Hanife merrej me të ardhmen, për t’i mbrojtur njerëzit. Kjo ishte ajo që kishte bërë edhe Pejgamberi a.s. Ai kishte ndaluar pyetjet për gjërat që ishin hipotetike, por i përgjigjej ndonjë situate që mund të ndodhte në të ardhmen.Të dy imamët mbërritën në përfundim që të vazhdonin atë që ishin duke bërë, por që të përfshinin të dy rrugët në dobi të Islamit.

 

Katër parimet nga debati

 

Dallimi i tyre në mendime është një fenomen natyror, sepse mendjet dhe mjedisi i Irakut ishin ndryshe nga ato të Medinës. Ndryshimet e tyre në mendime rezultuan në një rrethanë që e pasuroi Islamin. Dialogu i qetë dhe i sinqertë ndihmoi prezantimin e shfaqjes së mendimeve dhe të vërtetës nga të gjitha këndvështrimet. Ndërkohë, edhe stili i bisedës ndërmjet atyre të dyve ishte i qytetëruar, i edukuar dhe i lartë. Çështjet që diskutuan ata, nuk ishin të parëndësishme. Në ditët tona disa njerëz i lënë çështjet e domosdoshme që kanë të bëjnë me unitetin e myslimanëve dhe grinden rreth çështjeve të parëndësishme. Të dy imamët ndryshonin në çështje rrënjësore, por në mes tyre kishte dashuri dhe mirëkuptim. Çështja e dytë, për të cilën imamët nuk pajtoheshin, ishte ajo e konsensusit (Ixhmasë). Në Islam, për të gjetur një zgjidhje për ndonjë çështje, përgjigjen duhet të kërkosh në Kur’an. Nëse nuk e gjen aty, atëherë kërkoni në Hadith; nëse nuk gjendet as aty, atëherë zbatoni rregullën e konsensusit (marrëveshjes) ndërmjet dijetarëve. Imam Maliku mendonte se konsensusi duhej të ndodhte vetëm nga dijetarët e Medinës, sepse shokët e Pejgamberit a.s.,. jetuan dhe vdiqën aty, sikurse edhe nëntë gratë e tij, që i panë të gjitha veprimet e tij dhe janë dëshmitare të veprave të tij. Ata janë rreth 10.000 shokë. Një njeri erdhi tek Imam Maliku dhe e pyeti për çështjet e diskutueshme. Imami tha: “Kërko mendim prej njerëzve të Medinës. Kur ta gjesh, sigurohu që të jetë e vërteta”. Ai i tha një njeriu tjetër: “Mund të gjeni dituri në Medinë, pasi Kur’ani nuk ka zbritur në Eufrat (d.m.th. në Irak dhe në shkollën e Ebu Hanifes)”. Imam Ebu Hanife ishte 13 vjet më i madh se Imam Maliku, mirëpo e respektonte atë. Ai iu përgjigj: “Malik, pushtimet gjatë regjimit të Omer ibn Hatabit i shpërndanë ashabët r.a. ngado nëpër botë. Ti thua që në Medinë janë 10.000 ashabë. Në luftën e fundit të Pejgamberit a.s. ishin rreth 120.000 ashabë, pra ku janë të tjerët? Ti nuk mund ta mohosh që Omer ibn Hattabi dërgoi ashabë posaçërisht për të mësuar njerëz në vende të ndryshme”. Ai filloi t’i numëronte ashabët si Muadh Ibn Xhebeli, të cilin Pejgamberi a.s.,. e përshkroi si më të diturin dhe e dërgoi në Jemen. Po ashtu, ai përmendi Abdullah Ibn Mes`udin, mënyrën e recitimit të Kur’anit nga ana e të cilit e rekomandoi Pejgamberi a.s.. Ai pastaj shtoi emrat e Ebu Dherrit, Zubejr Ibn `Avamit dhe Sa’d Ibn Ebu Vekasit në Egjipt, Hudhejfe Ibnul-Jemenit, Abdullah Ibn Mes’udit dhe Ali ibn Ebu Talibit në Irak, Ebu Ubejde Ibn Xherrahut, Bilal dhe Ebu Darda’it në Siri etj…

 

Nëse të gjithë njerëzit do të mendonin njësoj, atëherë ata do ta shihnin vetëm një anë të së vërtetës

 

Pastaj, ai transmetoi hadithin e Pejgamberit a.s., ku ai thotë se ashabët e tij janë sikurse yjet me të cilat orientohen njerëzit. Imam Ebu Hanife vazhdoi duke thënë që ishte gjenialiteti i Omer ibn Hattabit ajo që e shtyri atë të dërgonte ashabë gjithandej në botë dhe disa i mbajti në Medinë, për të mbajtur baraspeshën. Kështu, Imam Ebu Hanife i tregoi Imam Malikut që shpërndarja e ashabëve ishte për hir të integrimit (bashkimit) të Umetit. El-Lejth Ibn-Saad tha: “Pasha Allahun, kjo është, po ashtu, bashkim i Umetit”. Kur e shikon këtë nga një kënd tjetër, mund të shohësh një këndvështrim tjetër të së vërtetës. Kjo është mirësia e diferencave dhe mospajtimeve: të të ndihmojë të shohësh të vërtetën nga të gjitha aspektet. Nëse të gjithë njerëzit do të mendonin njësoj, atëherë ata do ta shihnin vetëm një anë të së vërtetës, e Allahu xh.sh., emri i të Cilit është E Vërteta, dëshiron që ju t’i shihni të gjitha anët e së Vërtetës. Çështja e tretë, e cila u diskutua në atë takim, ishte rreth “Shkollës së pasuesve të mendjes” dhe Haditheve. Imam Ebu Hanife zgjeronte shpjegimin e haditheve në atë shkallë, saqë nga një Hadith i vetëm nxirrte 100 mësime. Imam Malikut i qe dukur si ekzagjerim dhe mbingarkesë, gjë të cilën Pejgamberi a.s. nuk e kishte pëlqyer. Imam Ebu Hanife i tha se në Irak, filozofitë dhe shkencat greke, romake dhe persiane po i pushtonin ata, prandaj ai duhej t’i mbante njerëzit në rrugën e Pejgamberit a.s.,. Kjo ishte arsyeja pse ai kërkonte nëpër Hadithe për të gjetur ide të reja. Në anën tjetër, në Medinë nuk kishte të tjerë përveç ashabëve dhe pasuesve të tyre, kështu që atje nuk kishte nevojë për zgjerim në elaborimin e Haditheve. El-Lejth Ibn-Sa’d tha: “Kjo është, po ashtu, bashkim i umetit”. Të dy Imamët plotësuan njëri-tjetrin në ruajtjen e Islamit. Nëse i diskutoni problemet tuaja qetësisht dhe me sinqeritet, me gruan ose me burrin tuaj, shumë prej tyre do të zgjidhen. Njësoj, nëse politikanët në Irak, Darfur dhe Liban, dijetarët e fesë dhe shkencëtarët do të bënin të njëjtën gjë, – shumë nga problemet do të zgjidheshin. Pasi përfunduan takimin të dy Imamët, El-Lejth Ibn-Sa’d, një imam i Egjiptit, shkolla juridike e të cilit ishte po aq e mirë sa edhe katër shkollat e tjera të Imamëve po nuk kishte student që ta përhapte atë, ishte i etur të dinte përshtypjet e të dy anëve. Ai shkoi tek Imam Maliku dhe e pyeti, e Imam Maliku fshiu djersët dhe tha: “Pasha Allahun, Ebu Hanife më bëri të djersitem. Pasha Allahun, ai është një jurist (fakih) i vërtetë. Unë kurrë nuk kam parë dikë që të debatojë në atë mënyrë. Pasha Allahun, nëse ai do t’ju thoshte se kjo shufër hekuri është prej ari, do t’ju sillte argumente për atë dhe do t’ju bindte”.El-Lejth shkoi tek Imam Ebu Hanife, i cili i tha: “Unë kam debatuar me qindra njerëz, por nuk kam parë kurrë asnjë njeri që të pranojë të Vërtetën më shpejt se ai”.

 

Djali i imam Ebu Hanifes mëson fikhun e imam Malikut

 

Ne duhet t’ia mësojmë këto sjellje gjeneratës së ardhshme. Kjo është e rëndësishme për çdokënd: gazetarët, politikanët, njerëzit në medie, dijetarët, bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët.Ç’ndodhi pastaj? Së pari, Imam Ebu Hanife dërgoi djalin e tij, Hamadin, në Medinë, që të mësonte për fikhun e Imam Malikut dhe librin e tij ‘El-Muvatta’. Pastaj, Imam Maliku i kërkoi librat e Ebu Hanifes që të përfitonte prej tyre.Ndërkohë, Muhamed ibn Hasani, një nxënës i Ebu Hanifes, mbajti një mbledhje në Irak – për të prezantuar fikhun e Malikut. Njëherë Imam Ebu Hanife shkoi tek Imam Maliku për konsultime lidhur me një çështje, para se ta lajmëronte publikun për vendimin e tij (në lidhje me çështjen). Ebu Hanife nuk pajtohej të quante jobesimtar një person mëkatar. Imam Maliku u pajtua, kështu që Ebu Hanife njoftoi njerëzit për vendimin e tij. Kjo nuk ishte shkak i një takimi të vetëm, po ishte si shkak i takimeve dhe bisedimeve të shumta që ndikuan edhe më shumë në bashkimin e tyre. Halifi abasit Xha’fer El-Mensuri erdhi njëherë tek Imam Maliku për t’i ofruar atij që t’i anulonte të gjitha pikëpamjet e tjera juridike, dhe t’i bënte zyrtare pikëpamjet e Malikut, të shkruante librin e tij me shkronja ari dhe ta ruante atë brenda Qabesë. Imam Maliku, i cili dikur i kishte refuzuar të gjitha pikëpamjet e tjera dhe mbronte vetëm pikëpamjet e njerëzve të Medinës, i tha Halifit El-Mensur të mos bënte një gjë të tillë, sepse ashabët e Pejgamberit a.s., janë të shpërndar gjithandej në botë. Këto ishin fjalët e Ebu Hanifes nga takimi i tyre i përbashkët. Parimi i parë tregon që dallimi është fakt universal që duhet respektuar. Duhet të pajtoheni dhe të pranoni se dallueshmëria është pjesë e

ekzistencës. Parimi i dytë na mëson se ndryshimi na plotëson; është një dobi dhe jo një pengesë. Duhet ta shikoni këtë si një mirësi që pasuron. Parimi i tretë na mëson që gjatë mospajtimeve, gjakftohtësia dhe dialogu i sinqertë ju ndihmon ta shihni të Vërtetën nga të gjitha këndvështrimet. E Vërteta është një, por ka shumë këndvështrime dhe paradigma. Parimi i katërt dhe i fundit, është që në momente konfliktesh, mos harroni asnjëherë mirësjelljen gjatë dialogut. Ju duhet të besoni në këto katër parime si shtylla të bashkëjetesës.

 

Përktheu: Fatih Ibrahimi

Burimi: Revista Dituria Islame, Nr. 251-252

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu