Adhurim do të thotë të përulesh e të tregosh bindje ndaj Atij që adhuron, të bësh ato gjëra që Zotit tonë i pëlqejnë dhe të heqësh dorë nga ato gjëra që nuk i pëlqejnë. Nivelin e besimit tonë ndaj Allahut e tregojnë punët dhe sjelljet tona, prandaj duhet të dimë se cilat vepra i pëlqejnë Allahut dhe cilat jo.
Ndërkaq, adhurim nuk është vetëm të falësh namaz, të agjërosh e të shkosh në haxh. Edhe punë të tjera si leximi, mësimi, sigurimi i drejtësisë etj, janë adhurim. Njeriu që punon për të fituar me djersën e ballit, domethënë hallall, njerëzit që shkojnë mirë me njëri-tjetrin sipas porosive të islamit, gjithashtu, bëjnë një lloj adhurimi.
Ne e adhurojmë Allahun, sepse e duam Atë. Me anë të adhurimeve, i shprehim Atij besimin, dashurinë, respektin që ndiejmë për Të dhe për të përmbushur detyrën tonë si robër të Tij. Adhurimi i jep njeriut ndjenjën e sigurisë dhe e bën të ndihet mirë, sepse njeriu nuk ka fuqi të pafund. Të pafuqishmit ndiejnë nevojën për t’u mbështetur tek i Fuqishmi, për të hyrë nën mbrojtjen dhe sigurinë që jep Ai. Krahas kësaj, çdo njeri ka nevojë për dashurinë dhe interesimin e të tjerëve për të. Allahu i Lartësuar është burimi i dashurisë e i fuqisë. Besimi se është Ai që na ruan, na rrit vetëbesimin dhe ky besim në vetvete na ndihmon t’i kryejmë punët tona më mirë e më qetë.
Adhurimi është një formë falënderimi ndaj mirësive të Allahut. Mes gjithë mirësive të Allahut, jeta është pa dyshim, mirësia më e madhe. Për sa kohë të jetë gjallë, njeriu duhet të bëjë adhurim si përgjigje ndaj kësaj mirësie. Në Kuran thuhet: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[1]
Adhurimet tona si myslimanë mund t’i ndajmë në tri grupe:
- Adhurimet trupore, ku përfshihen adhurimet e bëra me trup si namazi dhe agjërimi.
- Adhurimet pasurore, ku përfshihen adhurimet e bëra me para dhe sende pasurore si sadakaja, zekati, kurbani.
- Adhurime edhe trupore edhe pasurore, ku përfshihen adhurimet e bëra edhe me trup edhe me pasuri si haxhi, umreja, etj.
Përgjegjësia fetare
Person përgjegjës fetarisht (mukelef), është myslimani me zhvillim mendor normal dhe që ka arritur moshën e pubertetit. Që një person të quhet i përgjegjshëm për zbatimin e adhurimeve fetare duhet:
- Të jetë mysliman
- Të jetë me zhvillim mendor normal
- Të ketë arritur moshën e pubertetit
Personi me zhvillim mendor normal është ai person që e di se ç’bën, që me anë të mendjes është i aftë të dallojë të mirën nga e keqja.
Ndërsa arritja e moshës së pubertetit, sipas shumicës së dijetarëve, te është djemtë 12-15 vjeç dhe te vajzat 9-15 vjeç. Djali apo vajza që kanë mbushur moshën 15 vjeç dhe tek ata nuk janë shfaqur ende zhvillimet fiziologjike që tregojnë fazën e pubertetit, quhen përgjegjës në zbatimin e obligimeve fetare.
Veprimet fetare të personit përgjegjës
Për çdo mysliman që hyn në moshën e përgjegjësisë, janë disa veprime fetare që është i ngarkuar t’i kryejë. Këto veprime ndahen në tetë lloje:
- Farz (arab. Fard): Është detyrimi fetar i formës së prerë dhe me argumente të pakundërshtueshme. Si, namazi, agjërimi, zekati etj. Farzi ndahet në dy lloje:
- a) Farzi ajn (individual): Është farzi që duhet të kryhet nga çdo mysliman si, falja e pesë kohëve të namazit, mbajtja e agjërimit të Ramazanit.
- b) Farzi kifaje (kolektive): Është farzi, i cili, nëse zbatohet nga një ose nga një grup myslimanësh, bie përgjegjësia nga myslimanët e tjerë. Si, falja e namazit të xhenazes, marrja e selamit.
Kryerja e farzit ka sevap të madh, kurse për ata që e braktisin farzin, pa justifikim, ka ndëshkim të madh në jetën tjetër. Mohimi i farzeve e nxjerr njeriun nga feja.
- Vaxhib: Është urdhri fetar jo i formës së prerë, por që mbështetet në argumente të forta, si falja e namazit të vitrit, falja e namazit të bajramit, prerja e kurbanit, dhënia e sadakasë së fitrit.
Kryerja e vaxhibit ka sevap dhe moskryerja e tij ka ndëshkim.
- Sunet: Janë fjalët, veprat dhe çdo gjë që ka miratuar vetë profeti Muhamed (a.s.). Suneti ndahet në dy lloje:
- a) Suneti muekede (sunet i fortë): Janë veprime që Profeti i kryente rregullisht dhe nuk i ka braktisur. Si, sunetet e namazeve të sabahut, drekës, akshamit.
- b) Suneti gajri muekede (sunet jo i fortë): Janë veprime që Profeti i kryente në vazhdimësi, por që edhe i braktiste ndonjëherë. Si, suneti i namazit të ikindisë, suneti i parë i namazit të jacisë.
Kryerja e suneteve ka sevape dhe fiton gjithashtu ndërmjetësimin e Profetit në ditën e llogarisë. Braktisja me vetëdije e tyre nuk e ngarkon personin me gjynah, por është një veprim i qortueshëm.
- Mustehab: Janë veprimet që Profeti ynë i kryente herë pas here si, namazi i duhasë (paradites), dhënia e sadakasë. Mustehab janë quajtur edhe veprat që nuk gjenden në jetën e Profetit (a.s.), por që janë të këshilluara nga dijetarët.
Kryerja e mustehabit është veprim i pëlqyeshëm që pason me sevap. Moskryerja e tij nuk përbën qortim, por privim nga sevapi përkatës.
- Mubah: Janë veprimet ditore si të hash, të pish, të ulesh, kryerja dhe moskryerja e të cilëve nuk përbën sevap apo gjynah.
- Haram: Janë veprimet, të cilat janë të ndaluara në formë të prerë në fenë tonë. Si, vrasja, vjedhja, pijet alkoolike, bixhozi, mishi i derrit, mosbindja ndaj prindërve.
Kryerja e harameve pason me dobësimin e besimit dhe humbje të qetësisë e kënaqësisë shpirtërore, si dhe ndëshkim të madh në jetën tjetër. Braktisja e haramit pasohet me sevape të mëdha dhe e ngre njeriun në shkallën e devotshmërisë. Mohimi i harameve e nxjerr njeriun nga feja.
- Mekruh: Janë veprime të papëlqyeshme që ja ulin sevapin punës së kryer. Mekruhu ndahet në dy lloje:
- a) Mekruh tahrimen: Janë veprimet që anonjnë nga harami, si shpërdorimi i ujit gjatë marrjes së abdesit, shikimi përreth gjatë faljes.
Braktisja e këtij mekruhu pason me sevape dhe nëse vazhdon të kryhet mundëson ndëshkimin në jetën tjetër.
- b) Mekruh tenzihen: Janë veprimet që anojnë nga hallalli, si pastrimi i hundës me dorën e djathtë.
Braktisja e këtij mekruhu pason me sevape dhe kryerja e tij nuk pason me ndëshkim. Lejimi i mekruheve, megjithëse është gabim, nuk e nxjerr njeriun nga feja.
- Mufsid: Janë veprimet që prishin aktet fetare. Si, dalja e gjakut nga trupi kur jemi me abdes, qeshja dhe e folura në namaz, ngrënia kur je agjërueshëm. Prishja e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme e një adhurimi pason me ndëshkim.
Shkëputur nga libri “ILMIHAL për fillestarë”
Botim i KMSH-së
[1] Hixhr, 15:99.