Namazi i Xhumasë
Namazi i xhumasë[1] është farz dhe falet me xhemat në kohën e namazit të drekës së ditës së premte. Xhemati në këtë rast duhet të përbëhet të paktën prej tre vetave përveç imamit. Allahu (xh.sh.) në Kuran urdhëron e thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!”[2] Kurse Profeti (a.s.) në lidhje për këtë namaz thotë: “Në rast se një mysliman merr abdesin me përpikmëri, shkon në xhami për xhuma, hesht dhe vetëm dëgjon hutben, atij do t’i falen gjynahet e vogla që ka bërë nga njëra xhuma në xhumanë tjetër.”[3] Ka gjithsej dhjetë rekate, të cilat janë, sipas radhës, katër rekate synete të para, dy rekate farz e katër rekate synete të fundit. Falja e këtij namazi është farz për myslimanin që ka hyrë në moshën e pubertetit dhe është i shëndoshë mendërisht e fizikisht. Namazi i xhumasë është farz vetëm për meshkujt dhe jo për femrat. Gjithashtu, personi që obligohet për këtë namaz duhet të jetë banor vendas dhe të mos i jetë hequr liria.
Namazi i xhumasë falet në këtë mënyrë:
Falja e synetit të parë: Bëhet nijeti: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal synetin e parë të namazit të xhumasë!” Fillohet me tekbir dhe falen katër rekate si syneti i parë i namazit të drekës.
Pas faljes së synetit të parë, imami ngjitet në minber, ndërsa muezini thërret ezanin e dytë. Pas thirrjes së ezanit, imami mban hutben në këmbë. Pas përfundimit të hutbes, muezini thërret ikametin dhe fillon falja e namazit farz të xhumasë.
Për faljen e farzit bëhet nijeti: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal farzin e namazit të xhumasë, i mbështetem imamit!” Fillohet namazi me tekbir. Pasi lexon pa zë Subhaneke dhe Eudhubilahin, imami lexon me zë të lartë Fatihanë dhe një sure të shkurtër. Ndërkaq besimtarët, pasi lexojnë pa zë vetëm Subhaneken, dëgjojnë në heshtje këndimin e imamit. Pastaj bëhet rukuja, sexhdet dhe ngrihet në këmbë për në rekatin e dytë. Imami këndon sërish me zë të lartë Fatihanë dhe një sure të shkurtër, ndërsa xhemati dëgjon në heshtje. Pastaj bëhet përkulja, sexhdet dhe qëndrohet ndenjur, ku, pasi lexohen Etehijatu dhe lutjet Allahume sali, barik dhe Rabbena, jepet selam.
Për faljen e synetit të fundit, bëhet nijeti: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal synetin e fundit të namazit të xhumasë!” Pastaj fillohet me tekbir dhe falen katër rekate njëlloj me synetin e parë.
Namazi i Bajramit
Namazi i Bajramit falet me xhemat dy herë në vit, në Bajramin e Ramazanit dhe atë të Kurbanit. Falja e këtij namazi është vaxhib për burrat dhe falet jo më herët se dyzet e pesë minuta pas lindjes së diellit. Në namazin e Bajramit nuk këndohet ezani dhe ikameti. Hutbeja e namazit të Bajramit është sunet dhe mbahet pas faljes së namazit. Në dallim nga namazet e tjera, në namazet e Bajramit merren gjashtë tekbire më tepër, tre në rekatën e parë dhe tre në rekatën e dytë. Namazi i bajramit ka dy rekate. Falja e namazit të bajramit bëhet kështu:
Bëhet nijeti: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal namazin e Bajramit të Ramazanit, u lidha pas imamit.” Nëse do të falet namazi i Bajramit të Kurbanit, thuhet: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal namazin e Bajramit të Kurbanit, u lidha pas imamit”. Namazi fillohet me tekbir. Pasi këndohet subhaneke, bëhet tri herë tekbir duke ngritur duart lart; pas dy tekbireve të para duart lëshohen të lira poshtë, ndërsa pas tekbirit të tretë duart lidhen si zakonisht, nën kërthizë. Pasi këndon pa zë Eudhubismilahin, imami këndon me zë të lartë Fatihanë dhe një sure të shkurtër, ndërsa besimtarët e dëgjojnë në heshtje. Pastaj bëhet rukuja dhe sexhdet dhe ngrihet në këmbë për në rekatin e dytë. Imami këndon pa zë Bismilahin, pastaj me zë të lartë Fatihanë dhe një sure të shkurtër, ndërsa besimtarët dëgjojnë në heshtje; pastaj ngrihen duart dhe merret tri herë tekbir. Kur merren këta tekbire duart nuk lidhen, por lëshohen të lira poshtë. Pastaj merret tekbiri i katërt pa ngritur duart e shkohet në ruku, bëhen sexhdet e rrihet ndenjur. Lexohen me radhë Etehijatu, Allahume sali, Allahume barik, Rabbena dhe jepet selam. Pas namazit imami ngjitet në minber dhe mban hutben. Dhe në fund bëhen lutje.
Tekbiret e Teshrikut
Duke filluar nga namazi i sabahut të ditës së Arafatit, që është një ditë përpara Bajramit të Kurbanit dhe deri në namazin e ikindisë së ditës së katërt të Bajarmit, gjatë namazeve farz të pesë kohëve, pra për 23 vakte namazesh, menjëherë pas dhënies së selamit, është vaxhib të thuhet një herë: Allahu Ekber, Allahu Ekber, la i lahe il’lallahu uallahu ekber, Allahu Ekber ue li’l lahi’l hamd.
Ky tekbir është vaxhib për ata që falen vetëm, për ata që falen me xhemat, për udhëtarët, për vendasit, për meshkujt dhe për femrat.
Namazi i Teravive
Namazi i teravive falet vetëm në muajin e Ramazanit, pas namazit të jacisë. Fjala arabishte teravih është shumësi i fjalës terviha që do të thotë pushim, qetësim, etj. Teravitë janë sunet muekkede. Profeti (a.s.) thotë: “Kush e fal namazin e ramazanit (teravive) duke besuar dhe duke e pritur sevapin e tij nga Allahu, atij do t’i falen mëkatet e shkuara!”[4] Namazi i teravive ka njëzet rekate dhe falet në këtë mënyrë:
Bëhet nijeti: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal namazin e teravive!” Pastaj fillohet namazi me tekbir. Falet me nga dy rekate si syneti i namazit të mëngjesit ose me katër rekate si syneti i namazit të ikindisë.
Në qoftë së namazi i teravive falet me xhemat, me imam, në krye të çdo rekati imami këndon me zë të lartë Fatihanë dhe një sure të shkurtër, ndërsa besimtarët dëgjojnë në heshtje e meditim imamin. Pas namazit të teravive, falet namazi i vitrit gjithashtu me xhemat.
Namazi i Udhëtarit
Feja Islame ka sjellë shumë lehtësira për ata persona që udhëtojnë, pra që janë udhëtarë. Njëra nga këta është edhe namazi i udhëtarit. Personi i cili kalon një largësi mbi 90 km nga vendi ku banon quhet seferí (udhëtar) ose musafir (i ardhur nga udhëtimi). Ai quhet udhëtar edhe gjatë udhëtimit, por edhe për një afat kohor për më pak se 15 ditë në destinacionin ku do të shkojë.
Lehtësirat për udhëtarin
Meqë gjendja e udhëtimit, në përgjithësi, përmban vështirësi dhe shqetësime, për personin në këtë gjendje janë sjellë disa lehtësi. Këto janë lejime që i njihen udhëtarit.
- Në krye të këtyre vjen lejimi i njohur për personin që bën udhëtim në muajin e Ramazanit, sipas të cilit personi lejohet të mos agjërojë gjatë udhëtimit dhe agjërimin e pambajtur ta zëvendësojë më pas. Nëse agjëron, i quhet.
- Periudha kohore e fërkimit mbi meste që normalisht është një ditë e një natë, për udhëtarin është bërë tri ditë e tri net.
- Në mënyrë të veçantë, personi udhëtar është urdhëruar t’i falë namazet farze me katër rekate, duke i shkurtuar me dy rekate. Nëse ky njeri qëndron më pak se 15 ditë në vendin ku shkon, atëherë brenda kësaj kohe ai duhet të falet duke shkurtuar namazet farz me nga katër rekatë në dy rekate.
- Sunetet nuk i shkurton por nëse ka mundësi mund t’i falë.
- Namazi i akshamit dhe i vitrit nuk shkurtohen dhe falen me nga tre rekate. Po ashtu as namazi i sabahut nuk shkurtohet.
- Kur namazet falen me xhemat, vendasi mund të lidhet pas udhëtarit, edhe udhëtari mund të lidhet pas vendasit. Po qe se vendasi është lidhur pas udhëtarit, pasi udhëtari të japë selam në fund të dy rekateve, vendasi nuk jep selam por ngrihet në këmbë dhe vazhdon faljen gjer në plotësimin e katër rekateve.
- Kur udhëtari lidhet pas vendasit, e fal namazin të plotë, me 4 rekate.
Namazi i të vdekurit (xhenazes)
Namazi i të vdekurit ka cilësinë e një lutjeje për myslimanin e vdekur që Zoti ti falë gjynahet. Namazi i xhenazes falet në këmbë, që do të thotë se nuk ka ruku e sexhde. Larja dhe qefinosja e myslimanit të vdekur, falja e namazit dhe lutja për të, si dhe varrosja e tij, janë për myslimanët farz kifaje. Duke thënë, “Kujtoni punët e mira të të vdekurve tuaj, mos flisni për anët e këqija të tyre”[5], Profeti na ka porositur t’i kujtojmë të vdekurit tanë për të mirë, të nxjerrim në plan të parë aspektet e mira të tyre. Gjërat që i prishin namazet e tjerë, e prishin edhe namazin e të vdekurit.
Namazi i të vdekurit falet kështu:
Imami dhe xhemati qëndrojnë në nivelin (drejtimin) e gjoksit të të vdekurit. Pastaj bëhet nijeti. Në nijet bëhet e qartë nëse i vdekuri është burrë apo grua, fëmijë apo i rritur. Për shembull, nëse do të falet namazi për një të vdekur grua, nijeti bëhet kështu: “Për hir të Allahut, bëra nijet të fal namazin e xhenazes për këtë grua të vdekur, i dërgoj salavate Profetit dhe u lidha pas imamit.”
Pasi bëhet nijeti e lidhen duart, këndohet subhaneke duke shtuar në vendin e duhur shprehjen “ue xhelle thenâuke”. Pastaj bëhet tekbir, pa i zgjidhur duart, dhe thuhen lutjet Allahumme sali dhe Allahumme barik. Sërish bëhet tekbir, pa i zgjidhur duart, dhe këndohet lutja e të vdekurit. Ata që nuk e dinë lutjen e të vdekurit, mund të këndojnë lutjet “Rabbena”. Pas këndimit të lutjeve bëhet sërish tekbir dhe jepet selam, njëherë djathtas dhe pastaj majtas. Pas namazit bëhen lutjet dhe këndohet, për hir të Allahut, surja “Fatiha”.
Lutja e të vdekurit dhe kuptimi
Për burrat:
اَللَّهُمَّ اغْفِرْ لِحَيِّناَ وَمَيِّتِناَ وَشاَهِدِناَ وَغاَئِبِناَ وَذَكَرِناَ وَأُنْثاَناَ وَصَغِيرِناَ وَكَبِيرِناَ. اَللَّهُمَّ مَنْ أَحْيَيْتَهُ مِنّاَ فَأَحْيِهِ عَلىَ الْإِسْلاَمِ. وَمَنْ تَوَفَّيْتَهُ مِنَّا فَتَوَفَّهُ عَلىَ اْلإِيْماَنِ. وَخُصَّ هَذَا الْمَيِّتَ بِالَّروْحِ وَالرّاَحَةِ وَالْمَغْفِرَةِ وَالّرِضْواَنِ. اَللَّهُمَّ إِنْ كاَنَ مُحْسِناً فَزِدْ فِي إِحْساَنِهِ. وِإْن كاَنَ مُسِيئاً فَتَجاَوَزْ عَنْهُ وَلَقِّهِ اْلأَمْنَ وَاْلبُشْرَى وَالْكَرَامَةَ وَالُّزلْفَى بِرَحْمَتِكَ ياَ أَرْحَمَ الرّاَحمِيِنَ
“Allahummegfir li hajjina ue mejjitina ue shahidina ue gaibina ue dhekerina ue unthana ue sagirina ue kebirina. Allahumme men ahjejtehu minna fé ehjihi alel islami ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman. Ue hussa hadhel mejjite bi rauhi ue rahati uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kane muhsinen fezid fi ihsanihi ue in kane musien fetexhauez anhu ue lakkihil emne uel bushra uel keramete ue zulfa birahmetike ja erhamer rrahimin.”
(Allahu im! Fali të gjallët e të vdekurit tanë, ata që ndodhen këtu dhe që s’ndodhen këtu, burrat dhe gratë tona, të vegjlit dhe të mëdhenjtë tanë! Allahu im! Kë të mbash gjallë nga ne, mbaje gjallë në Islam dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar. Jepi qetësi e prehje këtij të vdekuri që qëndron këtu dhe fale. Po qe se ky ka qenë njeri i mirë, shtoja të mirën dhe po qe se ka qenë njeri i keq dhe mëkatar, trajtoje me mëshirë e mirësi. Dhe trajtoje atë me bujari, afërsi duke i dhënë siguri dhe lajme të mira. Allahu im, o më mëshiruesi i mëshiruesve!)
Për gratë:
اَللَّهُمَّ اغْفِرْ لِحَيِّناَ وَمَيِّتِناَ وَشاَهِدِناَ وَغاَئِبِناَ وَذَكَرِناَ وَأُنْثاَناَ وَصَغِيرِناَ وَكَبِيرِناَ. اَللَّهُمَّ مَنْ أَحْيَيْتَهُ مِنّاَ فَأَحْيِهِ عَلىَ الْإِسْلاَمِ. وَمَنْ تَوَفَّيْتَهُ مِنَّا فَتَوَفَّهُ عَلىَ اْلإِيْماَنِ. وَخُصَّ هَذِهِ الْمَيِّتَةَ بِالَّروْحِ وَالرّاَحَةِ وَالْمَغْفِرَةِ وَالّرِضْواَنِ. اَللَّهُمَّ إِنْ كاَنَتْ مُحْسِنَةً فَزِدْ فِي إِحْساَنِهاَ. وِإْن كاَنَتْ مُسِيئَةً فَتَجاَوَزْ عَنْهاَ وَلَقِّهاَ اْلأَمْنَ وَاْلبُشْرَى وَالْكَرَامَةَ وَالُّزلْفَى بِرَحْمَتِكَ ياَ أَرْحَمَ الرّاَحمِيِنَ
“Allahummegfir li hajjina ue mejjitina ue shahidina ue gaibina ue dhekerina ue unthana ue sagirina ue kebirina. Allahumme men ahjejtehu minna fé ehjihi alel islami ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman. Ue hussa ue hussa hadhihil mejjite bi rauhi ue raheti uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kanet muhsineten fezid fi ihsaniha ue in kanet musieten fé texhauez anha ue lakkihal emne uel bushra uel keramete ue zulfa birahmetike ja erhamer rrahimin.”
(Allahu im! Fali të gjallët e të vdekurit tanë, ata që ndodhen këtu dhe që s’ndodhen këtu, burrat dhe gratë tona, të vegjlit dhe të mëdhenjtë tanë! Allahu im! Kë të mbash gjallë nga ne, mbaje gjallë në Islam dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar. Jepi qetësi e prehje kësaj të vdekure që qëndron këtu dhe fale. Po qe se kjo ka qenë njeri i mirë, shtoja të mirën dhe po qe se ka qenë njeri i keq dhe mëkatare, trajtoje me mëshirë e mirësi. Dhe trajtoje atë me bujari, afërsi duke i dhënë siguri dhe lajme të mira. Allahu im, o më mëshiruesi i mëshiruesve!)
Po qe se i vdekuri është një person jo përgjegjës fetarisht, si, p.sh, fëmijë, në vend të shprehjes “ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman” (dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar), thuhet “Allahumme xh’alhu lena feretan, Allahumme xh’alhu lena exhren ue dhuhran, Allahumme xh’alhu lena shafian musheffean.” (Allahu im! Bëje atë një pretekst mirësie të dërguar para për ne, bëje pretekst shpërblimi dhe përgatitje ahireti dhe bëje ndërmjetës faljeje për ne që i pranohet ndërmjetësimi!)
Po qe se është vajzë, në vend të shprehjes “ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman” (dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar), thuhet “Allahumme xh’alha lena feretan, Allahumme xh’alha lena exhren ue dhuhran, Allahumme xh’alha lena shafian musheffean.” (Allahu im! Bëje atë një pretekst mirësie të dërguar para për ne, bëje pretekst shpërblimi dhe përgatitje ahireti dhe bëje ndërmjetës faljeje për ne që i pranohet ndërmjetësimi!)
Shkëputur nga libri “ILMIHAL për fillestarë”
Botim i KMSH-së
[1] Xhuma (arab); mbledhje. Fjala “xhuma” nuk nënkupton konceptin e ditës së “premte”. Në këtë ditë feste dhe pushimi për myslimanët, besimtarët mblidhen në mënyrë të posaçme në xhami ku, në namazin e veçantë të kësaj dite, kryhen predikimet, mbahet një hutbe, në të cilat trajtohen çështje fetare, sociale, ekonomike, etj, dhe jepen këshilla. Kështu, kjo ditë është quajtur “e xhuma” prej kësaj mbledhjeje dhe namazi të posaçëm dhe jo mbledhja e namazi prej emrit të ditës!
[2] Xhuma, 62:9.
[3] Rijadus-Salihin, vol. 2, f. 440.
[4] Buhari, Salatu’l-teravih, 1; Muslim, Salatu’l-musafirin, 174.
[5] Tirmidhi, Xhenaiz, 34.