IMAM EBU HANIFE DHE HADITHI

Viti 80 h dëshmoi lindjen e një personaliteti të madh, i cili e angazhoi veten e tij në mësimin e shkencave islame me dijetarët e mëdhenj të kohës së tij; ai që vazhdoi të përpunojë dhe të kodifikojë këtë njohuri, sidomos në fushën e jurisprudencës [fikh], për dobi të umetit të Muhamedit a.s. Ky person nuk ishte askush tjetër përveç Ebu Hanife En-Nu’man bin Thabit.

Inteligjenca, urtësia, maturia, devotshmëria, përkushtimi, bujaria dhe sjellja e mirë e bënë atë të dalluar në kohën e tij. Ai arriti një nivel shumë të lartë në përvetësimin e diturisë në fusha të ndryshme dhe për këtë i është dhënë edhe titulli “El-Imam el-a’dham – Imami më i madh”.

Meqë ky libër ka të bëjë në veçanti me shkollën juridike hanefi, ishte e përshtatshme që ky kapitull, rreth themeluesit të medh’hebit hanefi, të pasonte kapitullin rreth taklidit. Do paraqesim këtu jetën e këtij personaliteti të madh, i cili është i njohur në të gjithë botën për shërbimet e tij ndaj Islamit dhe që është pranuar me konsensus të dijetarëve të këtij umeti, si një interpretues i besueshëm i teksteve të shenjta. Shkolla e tij juridike (medh’hebi) ka vazhduar të miratohet dhe të ndiqet nga shumica e ndjekësve të Ehli Sunetit dhe Xhematit deri në ditët e sotme.

Për fat të keq, ka disa që e kanë konsideruar veten e tyre të lirë për të ngritur kundërshtime ndaj imamit dhe të flasin kundër tij. Ata përpiqen që ta ulin statusin e tij dhe të tregojnë defektet e tij në lëmin e hadithit.

Megjithatë, kushdo që studion faqet e historisë, në mënyrë objektive, sigurisht që do të impresionohej nga niveli i tij i diturisë në disiplina të ndryshme islame, sidomos në hadith, njohja e të cilit është e domosdoshme për çdo jurist, e aq më tepër për dikë që konsiderohet si “El- Imamu el-a’dham.”

Një biografi e hollësishme e imamit të madh është përtej fushëveprimit të kësaj pune, kështu që ky kapitull do të fokusohet kryesisht në disa aspekte të jetës së tij: pozitës së tij si një tabi’in (ndjekës), personi më i ditur i kohës së tij dhe një transmetues dhe ekspert hadithi (hafiz). Për këtë shkak do të përmendim vetëm deklaratat e dijetarëve të hadithit (muhadithinëve), juristëve të shquar (fukaha), komentatorëve të Kur’anit [mufessirin], si dhe të tjerë ekspertë fetarë në këtë drejtim. Lusim Allahun që një panoramë e saktë të paraqitet nga pozita e vërtetë e Imamit dhe nivelit të tij në fushat e të mësuarit në shkencat islame, veçanërisht në lëmin e hadithit.

 

Imam Ebu Hanife: një tabi’i (ndjekës)

 

Sipas shumicës së dijetarëve të hadithit, një tabi’i – “ndjekës” është dikush që takoi një sahab të të Dërguarit a.s., ose thjesht e pa atë ndërkohë që vetë kishte pranuar besimin [iman] islam. Nuk ka qenë e nevojshme për të, që të mbetej në shoqërinë e tij, ose të ketë transmetuar prej tij. Hafiz bin Haxher el Askalani ka thënë se për të ky përkufizim është më i preferuari.[1] El-‘Alama’ El-Iraki, Ibën Es-Salah, Neveviu, Hakimi dhe të tjerë gjithashtu bien dakord me këtë përkufizim.

Sipas këtij mendimi, të pranuar gjerësisht, Imam Ebu Hanife është konsideruar të jetë një tabi’i, dhe kjo është konfirmuar nga shumë biografë e historianë. Kjo është një pozitë unike e mbajtur prej tij, gjë që nuk mund të thuhet në lidhje me imamët e tjerë të mëdhenj, Shafi’i, Malik, dhe Ahmed bin Hanbel (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata).

El-Alame Edh-Dhehebij shkruan në librin e tij “Tadhkiretul huffadh” se Ebu Hanife ka lindur në vitin 80 hixhrij. Ai pa Enes bin Malik r.a. më shumë se një herë (sa herë që Enesi r.a. vizitonte Kufen). ‘Abd el-Ganij el-Makdisij thotë: Ebu Hanife e ka parë Enesin r.a.[2]

Ibën Haxher el-Mekij shkruan: “Është e vërtetë, ajo që ka thënë Dhehebiu, se Ebu Hanife ka parë Enes bin Malikun, kur ishte i ri” (el-Hajrat el-Hisan). El-Khatib el-Bagdadij gjithashtu konfirmon se Ebu Hanife e ka takuar Enes bin Malik.[3]

Hamza es-Sehmij thotë: Kam dëgjuar Darukutnin të thotë: “Ebu Hanife nuk ka takuar asnjërin prej shokëve të Pejgamberit a.s. përveç Enes bin Malikut.”[4]

Pra, ashtu siç edhe e kanë konfirmuar shumë studiues, Imam Ebu Hanife ishte padyshim një tabi’i.

 

Imam Ebu Hanife ka transmetuar nga Sahabet

 

Imam Abdul Kadir el-Misrij thotë: Sahabet prej të cilëve Ebu Hanife ka transmetuar (hadithe) ishin Abdullah bin Unejs, Abdullah bin Xhez’a Ez-Zebijdij, Enes bin Malik, Xhabir bin Abdilah, Ma’kil bin Jesar, Uathile bin el-Eska’ dhe Aisha bint ‘Uxhrud.[5]

Abdullah bin Xha’fer er-Razij tregon se Ebu Jusufi ka thënë: E kam dëgjuar Ebu Hanifen të thotë: “Shkova në haxh me babanë tim në vitin 93 h, kur isha 16 vjeç. Atje ishte një mësues (shejh) me shumë njerëz rreth tij dhe e pyeta babanë tim kush ishte. Ai më informoi se ai ishte njëri prej shokëve të të Dërguarit të Allahut i njohur si Abdullah bin El-Harith bin Xhez’a. ‘Çfarë posedon ai (që i bën njerëzit të mblidhen rreth tij)?’ – e pyeta babanë tim. Ai u përgjigj: ‘Hadithet që ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut’. Atëherë i kërkova babait tim që të më afronte më shumë kështu që të mund të dëgjoja prej tij. Ai më udhëhoqi përmes njerëzve derisa isha afër mjaftueshëm për të dëgjuar. Kam dëgjuar prej tij se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kushdo që merr një kuptim të fesë së Allahut, Allahu i mjafton atij në çështjet që e preokupojnë atë dhe e furnizon atë me ushqim nga burime të cilat ai nuk mund t’i imagjinojë”.

Dijetari i madh malikij Ebu Omer bin Abdul-Berr, gjithashtu ka transmetuar të njëjtin rast.[6] El-Alame El-Khuarizmij thotë: Ndër meritat dhe virtytet që nuk janë treguar nga asnjeri pas tij ishte se Ebu Hanife ka transmetuar (drejtpërdrejt) nga shokët e Pejgamberit a.s. Dijetarët janë pajtuar me këtë fakt edhe pse ka disa mosmarrëveshje në lidhje me numrin e saktë të sahabeve.[7]

Deklaratat e mësipërme dëshmojnë se Imam Ebu Hanife jo vetëm që ka parë disa nga Sahabet, por ai gjithashtu ka transmetuar prej tyre.

 

Imam Ebu Hanife: Personi më i ditur i kohës së tij

 

Es-Sem’anij shkruan: Imam Ebu Hanife e angazhoi veten e tij në përvetësimin e njohurive dhe u përpoq derisa arriti atë që të tjerët nuk mundën. Një rast ai vizitoi Mensurin (Kalifin Abasit) dhe gjeti Isa bin Musa bashkë me të. Isai i tha Mensurit: “Ky është më i dituri botës në këtë kohë”[8].

Mekij bin Ibrahim një herë e kujtoi Ebu Hanifen duke thënë: Ai ishte dijetari më i madh i kohës së tij.[9] Mekij bin Ibrahim ishte mësuesi i Imam Buhariut, nëpërmjet të cilit Imam Buhariu ka përcjellë shumicën e transmetimeve të tij, zinxhirët e të cilit arrijnë të Dërguarin e Allahut vetëm nëpërmjet tre transmetuesve (thulathijat).

Abdullah bin Mubarek tregon: “Kam hyrë në Kufe dhe pyeta dijetarët se kush ishte personi më i ditur në qytet? Ata më thanë se ishte Ebu Hanife. Pastaj i pyeta se kush ishte adhuruesi më i devotshëm dhe më i preokupuari në marrjen e diturisë? Përsëri ata më thanë se ai ishte Ebu Hanife. Për çdo cilësi të mirë që i pyeta, ata u përgjigjën: Ne nuk njohim asnjë tjetër që mund t’i atribuohen këto cilësi përveç Ebu Hanifes”.[10]

Muhamed bin Bishr ka thënë: “E vizitoja Ebu Hanifen dhe Sufjan Theurin. Kur vizitoja Sufjanin ai më pyeste se prej nga kisha ardhur. Unë i thosha atij, nga Ebu Hanife, dhe ai do të thoshte: Ti ke ardhur nga juristi më i madh.

Ebu Uehb Muhamed bin Muzahim ka thënë: Kam dëgjuar Ibën Mubarekun të thotë: Juristi më i madh është Ebu Hanife. Unë nuk kam parë njeri si ai në fushën e jurisprudencës.” Imam Shafiu tregon se Imam Maliku u pyet nëse ai kishte e takuar Ebu Hanifen? Përgjigjja e tij ishte: Po, kam parë një person, i cili, nëse thotë se mund ta kthejë këtë shtyllë në ar, ai do të jetë në gjendje të sjellë argument për të”.[11]

Imam Shafiu në një rast ka thënë: Njerëzit janë të varur nga Ebu Hanife në fushën e jurisprudencës.[12]

El-Alame Esh-Sha’ranij shkruan: Një rast, Imam Shafiu vizitoi varrin e Ebu Hanifes në kohën e sabahut. Ai e fali namazin pa e lexuar duanë e kunutit dhe tha. Si mund të lexoj kunut në prani të këtij Imami kur mendimi i tij ishte që të mos lexohet[13].

Mendimi i Imam Ebu Hanifes ishte që, duaja e kunutit, të lexohet për dyzet ditë, në kohën e sabahut, vetëm në rast fatkeqësie. Kur lajmi i vdekjes së Imam Ebu Hanifes i arriti Shu’bes, ai tha: “Vërtet të Allahut jemi dhe me të vërtetë tek Ai do të kthehemi”, pastaj tha: “Drita e dijes së shenjtë është shuar nga Kufa. Ata kurrë nuk do të gjejnë përsëri askënd si ai.”[14]

Imam Dhehebiu shkruan: Pasha Allahun, logjika, arsyetimi dhe urtësia e fituar nga paraardhësit nuk ishin fushat e të mësuarit që u ndoqën nga Sahabet dhe Pasuesit [Tabi’inët]; Imam Euzai, Theuriu, Maliku dhe Ebu Hanife. Fushat e tyre të studimit ishin Kur’ani dhe hadithet.[15]

Prandaj, kjo provon se shkenca e Kur’anit dhe e hadithit ishin ato në të cilat shkëlqeu Imam Ebu Hanife dhe jo vetëm fushat e tjera.

 

Imam Ebu Hanife një ekspert (hafiz) hadithi

 

Muhadithi i njohur Abdullah bin Mubarek ka thënë: Nëse Allahu nuk do më begatonte mua (me shoqërimin tim) me Ebu Hanifen dhe Sufjan Theuriun, atëherë unë do të kisha qenë thjesht si çdo njeri i zakonshëm.[16]

Ibn Me’in ka thënë: Unë kurrë nuk vlerësoj dikë mbi Uakiun. Ai i nxirrte vendimet e tij ligjore (fetvatë) sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe i kishte mësuar përmendësh të gjitha hadithet nga ai. Ai kishte dëgjuar një pjesë të madhe të haditheve nga Ebu Hanife.[17]

Këto dy deklarata tregojnë se Imam Ebu Hanife ishte një transmetues i shumë haditheve dhe jo i vetëm disave, siç pretendojnë disa.

Muhamed bin Sema’a ka thënë: Imami ka përmendur më shumë se shtatëdhjetë mijë hadithe në librat e tij dhe ka zgjedhur athar nga dyzet mijë hadithe. Dijetari i madh i hadithit Dhafr Uthmanij, pas citimit të kësaj deklarate, shkruan se vërtetësia e tij është treguar nga ajo që nxënësit e Imamit kanë transmetuar prej tij. Për shembull, imam Muhamedi ka transmetuar nga ai në gjashtë librat e tij të njohur si “Dhahir er-Riuaje’’ dhe në libra të tjerë të njohur si “En-Neuadir’’; Ebu Jusufi në librin e tij “A’mal” dhe “Kitab el-Kharaj”; Abdullah bin El-Mubarek në librat e tij; dhe Uakiu ​​e të tjerë nga studentët e tij në librat e tyre.

Këto vendime (mesail) janë me bollëk të tillë, saqë numrat e tyre janë të shumtë dhe kufijtë e tyre janë të gjerë. Në qoftë se ato vendime, të cilat janë direkt ose indirekt në përputhje me transmetime të lidhura (merfu’) ose të palidhura (meukuf) do të përmblidheshin, padyshim që do e arrinin këtë numër të madh (d.m.th. dyzet mijë). Kjo është pa marrë në konsideratë vendimet që Imami ka nxjerrë përmes konkluzionit të tij (ixhtihadit).

El-Alame Dhafr Uthmanij më tej thekson se, të gjitha këto vendime janë në fakt “hadithe”, të cilët Imami i ka transmetuar në formën e vendimeve ligjore dhe jo si “transmetime formale”. Është praktikisht e pamundur, që konkluzioni i tij (përpjekja për të përftuar vendime fetare – ixhtihadi) të përputhet në mënyrë kaq të ngushtë me një numër aq të madh të haditheve, nëse ai nuk do të kishte ndonjë njohuri rreth tyre.

El-Alame gjithashtu thekson se ka shumë hadithe të cilat Imam Ebu Hanife i ka transmetuar zyrtarisht nëpërmjet zinxhirëve të tij personalë. Janë ata të cilët ekspertët e hadithit i kanë përpiluar si Musnedet e tij dhe gjithashtu edhe ato të cilat nxënësit e tij kanë transmetuar prej tij, si Imam Muhamedi në librat e tij “Kitabul-Athar”, “Muwata”, “Huxhexh” dhe vepra të tjera. Ebu Jusufi, Ibn Mubareku, El-Hasen bin Zijad në veprat e tyre; Uekij’ bin El-Xherrah në Musnedin e tij; Ibn Ebi Shejbe dhe Abdurrezaku në Musanafet e tyre; El-Hakim në Mustedrekun e tij dhe vepra të tjera; Ibn Hibani në Sahihun e tij, Thikat dhe vepra të tjera; Bejhekiu në Sunenin e tij dhe vepra të tjera; Taberaniu në të tri Mu’xhemet e tij; Darakutniu në veprat e tij; dhe të tjerë dijetarë të hadithit në koleksionet e tyre. Nëse do t’i përmblidhnim të gjitha këto transmetime së bashku në një vend, ata do të përbënin një vëllim shumë të madh të haditheve.[18]

 

Imam Ebu Hanife: autoritet[19] dhe kritik në fushën e hadithit

 

El-Alame Edh-Dhehebij shkruan në parathënien e librit të tij “Tedhkiretul-Hufadh”:

Kjo është një përmbledhje e atyre personaliteteve për të cilët kam gjykuar të jenë të besueshëm dhe posedues të dijes profetike (el-ilm en-nebeuij) dhe të atyre që duhet t’u drejtohemi për konsultë për ekspertizën e tyre në konstatimin e vërtetësisë apo dobësisë (së transmetimeve) dhe besueshmërisë ose dobësisë (së transmetuesve).[20]

El-Alame Edh-Dhehebij e përfshin Ebu Hanifen mes tyre, gjë që tregon se ai ishte një bartës i dijes profetike, posedonte shumë transmetime dhe konsiderohej një autoritet në fushën e hadithit.

Suejd bin Sa’ijd transmeton se Sufjan bin Ujejne ka thënë: Personi i parë që më inkurajoi mua që të merrem me hadithet ishte Ebu Hanife. Kur erdha në Kufe, ai deklaroi se ky person posedon numrin më të madh të transmetimeve nga Amru bin Dijnar. (Me të dëgjuar këtë) Njerëzit filluan të mblidhen rreth meje dhe fillova t’u transmetoj atyre.[21]

Në një transmetim tjetër Sufjan bin Ujejne ka thënë: Personi i parë që më bëri mua një dijetar hadithi ishte Ebu Hanife.[22]

Imam Ebu Jusufi ka thënë: Unë kurrë nuk kam gjetur askënd me më shumë njohuri në interpretimin e haditheve se Ebu Hanife.[23]

Kjo deklaratë e Ebu Jusufit mund të kuptohet më tepër nga tregimi vijues i Mulla Ali el-Qari:

Imam Ebu Hanife ishte (një rast) me A’meshin, i cili e pyeti atë për disa gjëra. Imam Ebu Hanife u përgjigj: “Mendimi im për këtë çështje është kështu dhe kështu”. Me të dëgjuar këtë, A’meshi e pyeti se si ai e kishte formuluar këtë (mendim). Imam Ebu Hanife i tha:

Ti transmetove për ne nga Ebu Salih, i cili transmeton nga Ebu Hurejra r.a.; ti transmetove për ne nga Ebu Ua’il, i cili transmeton nga Abdullahu; dhe na transmetove nga Ebu Iljas, i cili transmeton nga Ebu Mes’ud el-Ensari se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë kështu dhe kështu. Ti gjithashtu na transmetove nga Ebu Mijlazi, i cili transmeton nga Hudhejfe, e ai nga Ebu Ez-Zubejri, e ai prej Xhabirit dhe Jezid er- Rakashij dhe ata nga Enesi r.a.”.

A’meshi thërriti: “Mjaft! Mjaft. Ajo që më mori mua njëqind ditë për ta transmetuar, ti ma the përmendësh në vetëm pak çaste. Unë nuk isha në dijeni se praktika juaj ishte e bazuar në këto hadithe. Pastaj ai i tha: O grupi i juristëve, ju jeni mjekët dhe ne thjesht jemi farmacistët; ndërsa ti (duke iu adresuar Ebu Hanifes) i ke të dyja”.[24]

Imam Ebu Jusufi gjithashtu ka thënë: Unë kurrë nuk e kam kundërshtuar Ebu Hanifen në ndonjë çështje, pastaj jam kthyer dhe jam menduar për të, përveçse e gjeja mendimin e tij më të vlefshëm [se mendimin tim] dhe me më shumë përfitim për sa i përket botës tjetër. Nganjëherë unë do të kapesha në një hadith të veçantë, por ai do të provonte që posedonte më shumë njohuri dhe mendjemprehtësi në vërtetësinë e tij. Kishte raste kur ai do të mbronte me forcë një opinion të caktuar dhe unë i vizitoja dijetarët e Kufes për të parë nëse mund të gjeja disa hadithe (të tjera) për të mbështetur mendimin e tij. Ndonjëherë unë do të kthehesha me dy ose tre hadithe dhe ai do të komentonte në lidhje me ndonjërin prej tyre, “ky nuk është i fortë”, ose për një tjetër, “ky nuk është i lidhur (ma’ruf).” Unë i thoja me habi: “Si mund ta thoni këtë kur ata mbështesin mendimin tuaj?” Ai përgjigjej: “Unë posedoj njohuri nga dituritë e Kufas”. [25]

Jahja el-Himanij thotë: Dëgjova Ebu Hanifen duke thënë: “Unë kurrë nuk kam parë një gënjeshtar më të madh se Xhabir el-Xhu’fij, ose dikë më të mirë se sa ‘Ata’.”[26]

Ebu Seid es-San’anij e pyeti Ebu Hanifen rreth mendimit të tij për të transmetuar nga Sufjan eth-Theurij? Ai tha: “Merr nga hadithet e tij, sepse ai është i besueshëm [thikát], me përjashtim të transmetimeve të tij nga Ebu Is’hak nga Harith; dhe [shmang] transmetimet e Xhabir el Xhu’fij.”[27]

Është transmetuar gjithashtu se Imam Ebu Hanife ka thënë në lidhje me Zejd bin ‘Ajash që “ai është i panjohur” [mexh’hul][28].

Për më tepër, Imami i madh nuk ishte vetëm në dijeni për emrin e Amru bin Dinarit, por ishte edhe i vetëdijshëm për llagapin e tij (kunja). Ibn el-Mehdij ka thënë: Unë kurrë nuk kam parë askënd të zotërojë njohuri më të madhe të Sunetit se Ebu Hanife. Ne u informuam rreth llagapit të Amru bin Dinarit vetëm nëpërmjet tij.

Këto deklarata të thëna nga Imam Ebu Hanife sa i përket statusit të transmetuesve të ndryshëm, e bëjnë të qartë se ata nuk mund të jenë përmendur vetëm se nga një ekspert për sa i përket shqyrtimit dhe kritikës së transmetuesve të hadithit.

Historiani i madh dhe sociologu i botës myslimane Ibn Halduni shkruan një raport përfundimtar mbi statusin e juristëve në fushën e hadithit. Ai thotë:

Individë të caktuar, që janë pjesë e një natyre të prekshme urrejtjeje, pohojnë se ekzistojnë juristë, që njohin vetëm disa hadithe, dhe me këtë argumentojnë se kjo është arsyeja pse ka kaq pak hadithe [të transmetuara] prej tyre. Kjo nuk mund të jetë e mundur, sidomos në rastin e Imamëve të mëdhenj, sepse Ligji Islam [Sheriati] mund të nxirret vetëm nga Kur’ani dhe Suneti. Nëse dikush do të posedonte vetëm njohuri sipërfaqësore në këtë fushë, do të bëhej e domosdoshme për të që ai të fillonte për ta mësuar atë, sepse vetëm atëherë ai do të jetë në gjendje që ta marrë fenë [vendimet e saj] nga burimi i saktë, d.m.th. nga Muhamedi a.s., i cili ishte caktuar për të përhapur atë.[29]

Kësisoj, kjo dëshmon se është e pamundur që dikush, të cilin pjesa më e madhe e këtij umeti e ka pranuar si jurist kompetent, të posedojë njohuri sipërfaqësore të haditheve. Mbështetja dhe besimi i vendosur në Shkollën e Imam Ebu Hanifes, nga ithtarët e Sunetit, përgjatë pjesës më të madhe të historisë islame, dhe kujdesi me të cilin mendimet (fetvatë) e tij janë ruajtur në lidhje me pranimin, ose refuzimin e haditheve dhe transmetuesit e tyre, konfirmojnë madhështinë e tij edhe në shkencën e Hadithit.

 

Përfundim

 

Një numër çështjesh kanë dalë në dritë nga diskutimi i mësipërm. Ne kemi mësuar se nuk është e mundur të jesh një jurist dhe të mos kesh njohuri të shëndosha të Sunetit. Imam Ebu Hanife kishte njohuri të thella në diturinë e hadithit dhe u rendit si një autoritet në atë fushë. El-Alame Edh-Dhehebij e ka renditur atë në mesin e ekspertëve të hadithit [huffadh] në librin e tij “Tedhkiretul-Hufadh’’ dhe të shumtë janë ata që e kanë përmendur atë si dijetari më i madh i kohës së tij.

Shumë juristë do të transmetonin hadithet e tyre në formën e “vendimeve fetare”, që do të thotë se ata kishin më pak “transmetime zyrtare”.

Megjithatë, kjo nuk mund të përdoret si arsye për kritikë, pasi detyra e një juristi është që t’i shqyrtojë hadithet dhe të nxjerrë vendime prej tyre, siç u bë e njohur nga biseda e Imamit me dijetarin e madh të hadithit, A’mesh. Prandaj është e gabuar që të kritikohet një jurist i madh me argumentin se nuk ka qenë në dijeni të haditheve, sidomos për dikë të një kalibri si Imam Ebu Hanife.

E përfundojmë këtë kapitull duke përmendur disa nga aspektet më të rëndësishme të tubimeve të Imam Ebu Hanifes dhe se si u formulua shkolla e tij e jurisprudencës:

El-Khatijb el-Bagdadij tregon në zinxhirin e tij se Ibën Karama ka thënë: “Njëherë ishim në shoqërinë e Uekij’ ibn El-Xherrah kur dikush bëri një vërejtje se Ebu Hanife ka gabuar. Uaki tha: “Si mundet që Ebu Hanife të gabojë kur ai ka në shoqërinë e tij të tillë si Ebu Jusufi, Zuferi dhe Muhamedi, të cilët shquhen për fuqinë e tyre të analogjisë [kijasit] dhe konkluzionit [ixhtihadit]; të tillë si Jahja bin Zekerija ibn Ebi Za’ida, Hafs ibën Gijath, Hibani dhe Mandal, djemtë e Aliut r.a. me mësimin përmendësh dhe kuptimin e tyre të haditheve; El-Kasim bin Ma’n me të kuptuarit e tij të gjuhës arabe; dhe Daud bin Nusajr Et-Ta’ij dhe Fudejl bin ‘Ijad me maturinë [zuhdin] dhe devotshmërinë e tyre [Uera’]. Si ka mundësi që dikush të ketë njerëz të tillë si shoqëruesit dhe kolegët e tij të aftë dhe të gabojë? Edhe në qoftë se ai do të bënte një gabim, ata me siguri do ta udhëzonin drejt së vërtetës”.[30]

Për më tepër, Imam Et-Tahauij transmeton se Asad ibn el-Furat ka thënë: Shokët e Ebu Hanifes që përpiluan dhe regjistruan veprat e shkollës së tij ishin dyzet. Ata më kryesorët ishin: Ebu Jusuf, Zufer, Davud Et-Ta’i, Esed bin Amru, Jusuf bin Khalid es-Semti, Jahja bin Ebi Zekerija bin Ebi Za’ida, i cili ishte shkruesi i tyre për tridhjetë vjet.

Pas përmendjes së dy deklaratave të mësipërme, dijetari i madh i hadithit Dhafr Ahmed Uthmanij shpjegon: Kushdo që ka ekspertë [huffadh] të hadithit të këtij niveli, si studentët e tij kryesorë, për të cilin dijetarët e hadithit kanë përkulur kokat në shenjë vlerësimi për mësimin përmendësh të tyre [të haditheve] dhe njohurinë e gjerë, atëherë si është e mundur për atë person që të ketë transmetuar vetëm disa hadithe?[31]

Allahu xh.sh. na largoftë perdet e paditurisë dhe mashtrimit, të cilat shtrembërojnë dhe errësojnë të vërtetën dhe e lusim Allahun që të na e tregojë të vërtetën dhe të na japë forcën për ta ndjekur atë. Amin.

 

Shkëputur nga libri “Argumente bazë të Fikhut Hanefi”

Abdurrahman bin Jusuf Mangera, Botim i KMSH-së

 

[1]. I’laus-Sunen 19:306.

[2]. Tedhkireturr-Rrashid 427.

[3]. Tedhkireturr-Rrashid 281.

[4]. Tebjijdus-Sahijfe 502.

[5]. El-Feuaidu el-Behije 42.

[6]. El-Xheuahiru el-Mudi’a 1:273.

[7]. Xhemi’ul-Mesanijd 1:22.

[8]. El-Ensab: 247.

[9]. I’laus-Sunen 18: 308.

[10]. El-Mijzan 58.

[11]. Tebjijdus-Sahijfe 16.

[12]. Tehdhijbut-Tehdhijb 10: 450.

[13]. El-Mijzan.

[14]. El-Hajratul-Hisan 71.

[15]. Tedhkiretul-Hufadh 192.

[16]. Tebjijdus-Sahijfe 1617.

[17]. I’laus-Sunen 19: 315.

[18]. Shih: I’laus-Sunen 18: 316.

[19]. Person kompetent, i aftë dhe i kualifikuar (shënim i red.).

[20]. Tedhkiretul-Hufadh 1: 2.

[21]. I’laus-Sunen 19: 315.

[22]. El-Xheuahiru el-Mudi’a 1: 30.

[23]. Xhami’ul ilm 1:29.

[24]. Menakib el-Imam 484.

[25]. El-Hajratul-Hisan 69.

[26]. Tehdhijbut-Tehdhijb 2: 48; Kitabul-Ilel Tirmidhij 13: 309.

[27]. El-Xheuahiru el-Mudi’a 1: 30.

[28]. Tehdhijbut-Tehdhijb 3: 424.

[29]. Mukaddimetu Ibni Khaldun 371.

[30]. Tarikh el-Bagdad 14: 247.

[31]. I’laus-Sunen 19: 331.