Respekti ndaj xhamisë është detyrë për çdo mysliman. Në mënyrë të përmbledhur po i parashtrojmë më poshtë disa detyra që kemi ndaj saj:

  1. Në xhami hyhet i veshur pastër dhe me rregull.
  2. Në xhami hyhet me këmbën e djathtë duke kënduar lutjen përkatëse dhe dilet me këmbën e majtë duke kënduar lutjen e posaçme për të.
  3. Në xhami nuk duhet hyrë me këmbë dhe me çorape të papastra, në mënyrë që të mos ndoten tapetat dhe qilimat e xhamisë.
  4. Duhet të kemi kujdes që të mos shqetësojmë njerëzit brenda xhamisë në mënyra të ndryshme si: Biseda me zë të lartë, gromësima apo veprime që u shkaktojnë mospëlqime njerëzve. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) duke na thënë: “Ai që ka ngrënë qepë ose hudhra le të qëndrojë në shtëpinë e tij, të qëndroje larg nesh dhe xhamisë sonë[1], e ka ndaluar ardhjen në xhami atyre që u mban erë goja, që mund të kenë ngrënë qepë, hudhra apo ndonjë gjë tjetër që mban erë.
  5. Kur në xhami këndohet Kur’an ose mbahet vaz, duhet dëgjuar imami apo predikuesi me vëmendje dhe respekt. Ata që vijnë me vonesë në xhami, duhet të ulen aty ku ka vende të lira dhe të mos e shqetësojnë xhematin për të dalë në rreshtat e para.

 

Të njohim xhaminë

Xhamia apo mesxhidi është faltorja ku myslimanët mblidhen për të falur namazin apo për predikime të ndryshme. Xhamia përbëhet prej disa pjesëve, të cilat janë si më poshtë:

Mihrab: Është një vend si i futur, ku qëndron imami gjatë faljes së namazit.

Minber: Është një vend me shkallë, ku ngjitet imami për të mbajtur hutben në ditët e xhumave apo të Bajrameve.

Kursi: Është një vend i posaçëm për vaaz dhe predikime, në të cilën predikuesi mund të ulet.

Minare: Është një strukturë e lartë në formë kulle, e cila gjendet ngjitur me xhaminë dhe shërben për thirrjen e ezanit.

Sherefe: Është ballkoni i minares, ku më përpara u ngjiste muezini të thërrasë ezanin, kurse tani aty vendosen altoparlantët për dëgjimin e ezanit.

Alemi: Është objekti në formë gjysmëhëne që vendoset në majë të minares.

 

Shkëputur nga libri “ILMIHAL për fillestarë”

Botim i KMSH-së

 

[1] Buhari, Edeb, 76.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu