Shpesh njeriu i bën padrejtësi vetes dhe e dëmton atë duke iu nënshtruar pasioneve dhe dëshirave trupore. Ai largon dobinë dhe të mirën me veprime të pamenduara mirë. Nën cytjet e djallit, egoizmi, urrejtja dhe pangopësia po ia bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e njeriut. Për rrjedhojë, në shumë shpirtra njerëzorë sundon zbrazëtia.

Ndërkaq, dispozitat islame, që vijnë nga Allahu i Gjithëdijshëm, janë për të mirën e njeriut. Ato synojnë pastrimin e shpirtit nga çdo njollë, si dhe pajisjen e karakterit të njeriut me virtyte e cilësi pozitive. Në këtë kontekst agjërimi, padyshim, është i dobishëm për trupin dhe shëndetin e njeriut, sepse motivon mirënjohjen ndaj Allahut.

Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Pejgamberi a.s. thotë: “Agjërimi është mburojë (pengesë)”, që do të thotë, është pengesë nga gjynahu e gabimi dhe mburojë nga zjarri i Xhehenemit.”

Prandaj me të drejtë Ramazani konsiderohet muaji i devotshmërisë, i ngritjes shpirtërore dhe i afrimit me Zotin, në të cilin çdo vepër shpërblehet shumëfish, e veçanërisht agjërimi, që bëhet në emër të Tij. Në një hadith kudsij Allahu xh.sh. thotë: “Për çdo vepër të mirë do të jepet shpërblimi dhjetëfish e më shumë, kurse agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblej për të (në mënyrë të veçantë).”

Dukuritë negative kanë vërshuar në shoqërinë tonë për shkak se njohuritë fetare janë shumë të përcipta. Familja jonë është në rrezik. Shoqëria jonë sot ballafaqohet jo vetëm me varfëri ekonomike, por ajo po përjeton edhe mjerim të madh në lëmin moral. Kultura dhe tradita fetare, që e kanë mbajtur familjen të shëndetshme, kanë filluar të zbehen dhe sot asaj i kanoset rreziku i shthurjes e zvetënimit.

Prandaj, Ramazani është një rast i volitshëm që të evitojmë çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet islame dhe që zbeh vlerat e mirëfillta në familjet tona.

Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e papërsëritshme në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen tonë, sepse “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…” (Ra’d, 11)

Ramazani është muaji i pendimit, i përmendjes dhe adhurimit të Allahut dhe i shtimit të veprave të mira. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe dhuratave të pamasa.

Ramazani është si mysafir i veçantë që gëzon zemrat dhe shpirtrat tanë, duke sjellë me vete begati e mirësi të pamasë. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje prej gjynaheve dhe fundi lirim nga dënimi i zjarrit. Në këtë muaj Allahu ofron favore dhe shpërblime të shumta për agjëruesit.

Çdo besimtar duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin e adhurimit dhe t’i pakësojë sa më shumë shprehjet e këqija dhe veset.

Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi, prandaj ai konsiderohet një shkollë e mirëfilltë ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet më të vlefshme.

Ndërkaq, agjërimi i pastron zemrat që janë vend i dashurisë, mëshirës e guximit dhe kultivon cilësinë e vigjilencës së vazhdueshme. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje drejt dëlirësisë.

Islam Hoxha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here