Ai ka folur 14 shekuj më parë dhe sot shkenca dhe shkencëtarët përkulen me respekt dhe edukatë duke i thënë me zë tingëllues: “Të drejtë paske patur!” Fundja as që mund të ndodhë ndryshe sepse ai është i dërguari i Allahut!
Në një porosi profetike të rrëfyer nga Buhariu, i dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk ka dërguar ndonjë sëmundje pas të cilës të mos ketë krijuar edhe një shërim për të!”
Mendoj se fjala më e plotë dhe përmbledhëse ndër fjalët e thëna gjer më sot në botën e mjekësisë dhe si nxitëse për shkencën, duhet të jetë kjo fjalë e thënë shekuj më parë nga Muhammedi (paqja qoftë mbi të).
Pra nëse ekziston ndonjë sëmundje, pa asnjë diskutim që ekziston edhe mjekimi i saj. Kjo do të thotë se një ditë –natyrisht që me ndihmën e Allahut- për të gjitha sëmundjet do të gjendet një shërim.
Në një tjetër porosi profetike thuhet : “Kujdes! Mos lini mangët mjekimin! Nëse Allahu ka dërguar një sëmundje, patjetër që pas saj ka treguar dhe rrugën e mjekimit të saj. Vetëm një sëmundje nuk ka mjekim. Dhe kjo është pleqëria!”
Edhe sikur të gjejnë mënyrën për zgjatjen e jetës, edhe sikur ta ndalojnë përkohësisht jetën dhe ta vonojnë vdekjen, përsëri nuk do të munden ta ndalojnë udhëtimin njerëzor i cili ka filluar nga bota e shpirtërave, vazhdon me fëmijërinë, rininë, pleqërinë dhe përfundon me vdekjen. Vetëm se për vuajtjet e kësaj rruge nga lindja gjer në vdekje, ka shërim, mjafton që të kërkohet e të gjendet…
Me këtë dhe me shprehje të tjera të ngjashme, Muhammedi (paqja qoftë mbi të) e nxit të gjithë njerëzimin drejt diturisë dhe shkencës.
Njeriu duhet të përpiqet të realizojë çdo gjë që ndodhet në kuadrin e të zakonshmes dhe të afrohet në kufirin e mrekullive. Në fushën e mjekësisë njeriu mund të shënojë një përparim që arrin gjer në cakun e vdekjes. Kur puna vjen tek vdekja, ajo s`ka shërim. Sepse vdekja, ashtu si edhe jeta, është një krijim i Allahut, gjë për të cilën në Kuran thuhet: “Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën…” (Kurani, 29:2) Ja pra, edhe inkurajimi i diturisë dhe i shkencave kaq është. Të gjithë njerëzit e teorisë dhe të praktikës duhet të përfitojnë nga ky inkurajim, duhet të arrijnë ç`mund të arrijnë, ti vlerësojnë dhe përpunojnë ato dhe ti vënë në shërbim dhe përfitim të njeriut.
Në kohën kur Profeti ishte gjallë, në Medine, mjekët e ardhur nga jashtë nuk gjenin punë, shkaku më i rëndësishëm i kësaj ishte rrespektimi i parimeve të predikuara në këtë fushë nga Profeti.
Ndërsa në njërën anë i dërguari i Zotit kryente detyrën e mjekut të zemrave, nga ana tjetër bënte pothuaj detyrën e mjekut të trupave dhe merrte masa për mbrojtjen e njerëzve përreth mjedisit të tij edhe nga sëmundjet trupore, edhe nga ato shpirtërore.
Në kohën e Profetit, murtaja ishte një sëmundje e tmerrshme që nuk i pritej dot udha. Ç`të jetë sot AIDS’i, ashtu ishte murtaja atë kohë. Shokët e profetit silleshin shumë të kujdesshëm ndaj murtajës sepse Muhamedi (Paqja qoftë mbi të) i porosiste dhe i paralajmëronte vazhdimisht. Ajo bashkësi njerëzish të ndritur jetonte pastër mes vetes në atdheun e vet, por kur shkonin në vende të tjera edhe ata i nënshtroheshin rrezikut të goditjes së murtajës të shfaqur në botën bizantine të ekspozuar ndaj sëmundjeve ngjitëse e epidemike. Një fatkeqësi e tillë ka qenë vdekja nga murtaja e 30 mijë shokëve të Profetit në Amvas të Palestinës.
Ishin ditët kur Omeri (Zoti qoftë i kënaqur prej tij) ishte kalifi i shtetit. Ai vizitonte dhe ndiqte nga afër vendet që drejtonte. Këtë herë do të shkonte në Amvas. Por kur dëgjon se atje ka rënë murtaja, vendos të kthehet prapë. Kur e pyesin: “O Omer nga caktimi i Allahut po largohesh?” “Po, -i përgjigjet Omeri,- po iki nga caktimi i Allahut për tek caktimi i Allahut!” Kjo tregonte zgjuarsinë e Omerit i cili dallohej për përgjigjet e shpejta dhe të gjetura.
A kishte vepruar, vallë, drejt? A kishte qenë me vend kthimi pas? Në këto momente lëkundjeje e dyshimi I pati ardhur në ndihmë Abdurrahman b. Avfi duke i përcjellë këtë porosi profetike: “Nëse dëgjoni se diku ka rënë murtaja, në asnjë mënyrë të mos shkoni atje! Dhe nëse në vendin ku ndodheni, është shfaqur murtaja, mos dilni e mos ikni prej andej!”
Ja pra, a nuk është kjo porosi identike me parimin e karantinës të mjekësisë së sotme moderne? Këtë e ka thënë i Dërguari i Allahut shekuj më parë, kurse sot mjekësia i thotë atij: “E vërtetë, drejt ke folur!”
Në një tjetër porosi profetike ai thotë: “Ik prej lebrozës siç iket prej luanit!”
Paralelizmi figurativ i përdorur në këtë shprehje, s`ka të bëjë fare me ngjasimin e jashtëm të luanit as me mikrobin e leprozës. Nuk duhet nënkuptuar as ikja me vrap, i tmerruar prej kësaj sëmundjeje si prej luanit. Kuptohet qartë që i dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) më tepër ka dashur të na porosisë ruajtjen prej sëmundjes, marrjen e masave parambrojtëse, luftën kundër saj dhe kërkimin e mjeteve shëruese. Pra, ajo çka këshillohet, është karantina dhe marrja e masave kundër ngjitjes së sëmundjes. Sa të kujdesshëm që tregohen njerëzit kundër luanit e për të mos rënë nën kthetrat e tij, aq të kujdesshëm duhet të tregohen edhe ndaj sëmundjes së lebrozës. Në thëniet e të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) ka një dimension dhe thellësi të veçantë. Të vërtetat në fjalët e tij mund të rroken vetëm me përpjekje dhe veprime shumë serioze.

Taulant Bica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu