Ambienti në perspektivën Islame

Problematika e mjedisit konsiderohet prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat përballet njeriu i kohës moderne. Kjo problematikë nuk kërcënon vetëm njeriun e kohës së tashme, po edhe gjeneratat e ardhshme dhe jetesën e tyre, pa harruar dhe klimën shëndetësore. Një problematikë e tillë mund të themi se ka përfshirë gjithë globin. Njeriu bashkëkohor, i cili ka arritur zbulime të papara në fushën e shkencës dhe teknologjisë, nuk ka arritur një bashkëpunim të baraspeshuar me natyrën.

Me fjalën “mjedis” nënkuptojmë të gjitha kushtet natyrore, të cilat jetojnë në bashkëjetesë me krijesat e tjera. Gjithashtu, si pjesë përbërëse e mjedisit konsiderohet edhe mjedisi i njeriut, ajri që thithim, uji që pimë, qyteti në të cilin jetojmë, si dhe njerëzit që na rrethojnë. Në anën tjetër, pyjet, bjeshkët, lumenjtë dhe detet, konsiderohen një pjesë tjetër përbërëse e mjedisit.

 

Mjedisi nga këndvështrimi kuranor

Gjatë periudhës së shpalljes së Kuranit, arriti të ndryshohej ideja e të menduarit përballë çështjeve globale. Kurani solli ide të reja të ekzistencës, baza e së cilës ishte Njëshmëria –Teuhidi. Natyra për njeriun deri atëherë ishte e parëndësishme dhe pa ndonjë vlerë të veçantë. Me ardhjen e Kuranit doli në shesh edhe një e vërtetë tjetër, si një argument prej argumenteve të Allahut xh.sh..

Urdhri i parë kuranor ishte “Lexo”! Me këtë urdhër nuk nënkuptohej vetëm urdhri i të lexuarit të një teksti të shkruar a të ruajtur në një vend, por leximi në shumë aspekte. Në sajë të këtij mendimi, bota e cila deri atëherë njihej si e pashpirt dhe e pakuptimtë, filloi të merrte një botëkuptim të ri, sepse edhe ajo ishte madhëruese e Allahut xh.sh.. Në fakt, të gjitha krijesat në këtë gjithësi të përsosur, i drejtohen Allahut me ndjenjën e tyre adhuruese, pa asnjë mangësi, si një zemër e vetme për ta adhuruar Atë.

 

Faktorët e mjedisit në Kuran

Krijimi i ekzistencës

Argumenti i parë që bën lidhshmërinë e Kuranit me ekzistencën, është realiteti i shprehur në të, se ajo është krijuar nga asgjëja. “Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! e si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte? Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i dijshëm për çdo gjë.” (Enam, 101).

Uji si burim jete

Uji në Kuran pasqyrohet si burim i jetës: “… edhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?” (Enbija, 30), duke mos harruar as shiun, që nga qielli vjen me një masë të caktuar: “Ne zbresim ujin nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.”(Muminun, 18) Uji, i cili është prej nevojave më të rëndësishme jetësore të njeriut, është një dhunti e papërshkrueshme si dhe shkak për shfaqjen e shumë begative.

 

Detet dhe oqeanet

Allahu në Kuran thotë: “(Allahu) është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës.” (Nahl, 14). Allahu xh.sh. gjithashtu tërheq vëmendjen për dobitë e përfituara nga deti: “Zoti juaj është Ai që e bën anijen të lëvizë nëpër det për të kërkuar nga begatitë e tij. Ai është vërtet i Mëshirshëm me ju”. (Isra, 66)

Retë dhe shiu

Kur banorët e Mekës kërkuan nga Pejgamberi (a.s.) mrekulli, zbriti ajeti: “Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur prej tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e tokës, pra, në të gjitha këto sigurisht që ka shenjta për njerëzit me intelekt”. (Bekare, 164)

Kjo tregon që mrekullia më e madhe dhe e përhershme është bota që na rrethon, në të cilën mund të gjesh argumente të pafund për ekzistimin e Allahut dhe për Njëshmërinë e Tij, ndërsa shiu është vetëm njëri prej atyre argumenteve: “Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij. Kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Ai i çon ato tek ndonjë vend i vdekur, ku lëshon shi dhe me anë të tij nxjerr lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Këta janë shembuj që t’ua vini veshin.” (Araf, 57)

Kurani kur flet për shiun, përcakton një vështrim universal drejt krijesave, duke e paraqitur botën e tyre si të ishte një vendbanim i përbashkët: “Ai, i Cili  e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin kulm; i Cili prej qiellit lëshon shi dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me  Allahun.” Bekare, 22) Duke qenë pjesë përbërëse e ekzistencës, Toka është përgatitur për njeriun në një sistem të veçantë furnizues me ujë, e gjithë kjo për zhvillimin dhe jetesën e krijesave.

 Bubullima dhe Vetëtima

Bubullima, vetëtima dhe rrufeja, nga këndvështrimi kuranor, e madhërojnë dhe e përmendin Atë. Allahu në Kuran ka bërë një krahasim mahnitës në mes bubullimës dhe engjëjve: “Bubullima e madhëron Atë me falënderim, por edhe engjëjt nga frika ndaj Tij … ”. (Rad, 13) Ajo bubullimë, e cila vjen bashkë me vetëtimën dhe dëgjohet pas saj në gjithësi, sikur nxjerr zemrat nga vendi. Megjithëkëtë, kjo qarje dhe ky zë që për ne duket tmerrues, i përhapur ngado nga një horizont në tjetrin, përveç të tjerash, madhëron Allahun, duke treguar për begatitë, mëshirën dhe madhështinë e Krijuesit.

Bjeshkët

Allahu që krijoi krijesat si dhe qiejt pa asnjë shtyllë, është Ai që ka krijuar bjeshkët me përforcime, vetëm e vetëm që të mos e dëmtojnë njeriun: “Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj…”. (Rad, 3) Në Kuran tregohet që bjeshkët madhëronin Allahun bashkë me Daudin (a.s.): “Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): O male dhe shpezë! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin.’’ (Sebe, 10). Nëpërmjet këtij madhërimi ai do të arrinte shkallën e afërsisë tek Allahu dhe largimin nga vetvetja, duke zhdukur të gjitha pengesat në mes tij dhe ekzistencës, duke u bashkuar me to në madhërim.

Kafshët, amaneti i Allahut për njeriun

Në realitet, koncepti i natyrës që e qartësoi Kurani, mbështetet kryekëput në faktin se të gjitha krijesat, qofshin ato të gjalla a të vdekura, përfshirë këtu dhe njeriun, janë krijesa të Allahut (xh.sh.). Në këtë kontekst njeriu dhe natyra nuk janë elemente të ndara e të panjohura nga njëri-tjetri. Përkundrazi, ato janë një tërësi e krijuar nga Allahu (xh.sh.). Njeriu është i obliguar që me natyrën dhe krijesat në të, të veprojë me përgjegjësinë më të madhe. Ismail R. Faruku bën një përmbledhje të bukur të boshtit të njeriut me natyrën, si vijon:

  1. Natyra nuk është pronë e njeriut, por e Zotit.
  2. Natyra i është nënshtruar njeriut që të veprojë në të, porse brenda kufijtë e rregullave të veçanta.
  3. Njeriu ndaj natyrës duhet të veprojë patjetër në një formë etike, aq sa të ketë dobi prej saj dhe ta përdorë atë.
  4. Njeriu duhet të studiojë në shkencat natyrore dhe sistemin universal duke bërë përpjekje për të kuptuar ligjet delikate dhe të mrekullueshme në të.

 

Shpërdorimi i burimeve natyrore konsiderohet mëkat

Nga ky këndvështrim, kuptohet qartë se Allahu (xh.sh.) është Ai që ka përcaktuar begatitë, prandaj falënderimi ndaj Tij, përveç të tjerash, është përgjegjësi morale. Shpenzimi i tepërt, nuk është vetëm shpërfillje ndaj burimeve natyrore, ai njëkohësisht konsiderohet mos respekt ndaj Krijuesit, i Cili është Krijues dhe Pronar i të gjitha këtyre begative. Një gjë e tillë nuk ndikon vetëm tek ne, por edhe tek gjeneratat që vijnë pas nesh. Me ajetin “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar “ (Kamer, 49) Allahu i tërheq vërejtjen njeriut në ruajtjen e një “caktimi” të tillë. Duke qenë mëkëmbës i Allahut në Tokë, njeriu ka të drejtë të përfitojë nga kjo natyrë me kusht të nënshtrimit dhe bindjes ndaj Krijuesit të tij. Derisa njeriu t’i jetë nënshtruar Krijuesit, të gjitha krijesat do të jenë në shërbim të tij.

Dr. Ibrahim Ozdemir