Roli i fesë, ndikimet e kohës dhe sfidat e modernitetit…

Koha moderne në shoqërinë shqiptare ka sjellë ndryshime të cilat janë me natyrë eruptive. Ajo me sa duket po reformon dhe transformon shumë ide, koncepte, praktika, besime dhe mënyra jetese, të cilat deri në kohën e tanishme kanë patur më shumë qëndrueshmëri tradicionale dhe rezistencë ekzistenciale. Aq të forta janë tronditjet e modernitetit në shoqërinë e sotme sa që siç duket ato kanë bërë përpjekje për të lëvizur edhe “gurët e rëndë” të fesë, peshën dhe autoritetin e veçantë të institucioneve të besimit fetar tek njerëzit tanë. Sigurisht që nuk është fjala këtu për të bërë nihilistin. Por ndërkaq nuk mund të jemi aq fundamentalistë sa të mos kuptojmë drejt dhe të interpretojmë sociologjikisht saktë atë që po ndodh në shoqërinë e sotme shqiptare me fenë si doktrinë teorike dhe ndryshimet paradigmatike të ndikimit të saj tek besimtarët. Kjo do të thotë se kur shikojmë dhe flasim për raportet e reja të fesë dhe besimtarit të saj duhet të vlerësojmë ndikimet e modernitetit në ndryshimin e tipologjisë së marrëdhënieve në lidhjet, raportet dhe marrëdhëniet midis tyre.

Kjo ngaqë zhvillimi dhe moderniteti social në shoqërinë shqiptare, duam apo nuk duam, po ndikon në atë që sociologët e fesë e kanë quajtur si “proces rithemelimi” të fesë dhe besimit fetar. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht me të është duke ndodhur procesi paralel i “ripërshtatjes individuale” të njeriut besimtar me fenë, pushtetin dhe autoritetin moral të saj. Padyshim jetojmë në kohë moderne, e cila favorizon dukshëm individualizmin dhe marrëdhëniet e personalizuara të njeriut me besimet fetare individuale. Pa mohuar rolin e riteve kolektive të besimit duket qartë prirja e njeriut modern që nuk i ka aq shumë qejf praktikat kolektive dhe “bashkësitë” qoftë organike të besimit të kohës sonë apo format e sajuara të ritualeve klasike të kohës së shkuar.

Njerëzit besimtarë në shoqërinë tonë kanë të drejtën e tyre që të jenë të prirur të besojnë, por ndërkaq nuk duhet të harrojmë veçoritë e reja të njeriut besimtar të kohës moderne që edhe besojnë në fenë e tyre por edhe ecin në jetë duke ndjekur imperativat e kohës dhe sfidat e shoqërisë, duke qenë në të njëjtën kohë edhe besimtar, por dhe vendosmërisht të orientuar drejt progresit dhe zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social. Ndaj nuk mund të mohojmë se të gjithë, besimtarë dhe laikë jetojmë së bashku në “kohën tonë”, në kohën kur siç duket moderniteti kërkon të bëjë sunduese idenë se “E drejta shekullare dhe racionalizmi politik përbëjnë instrumente premtues për atë që kërkon emancipim”. (Buruma, Margali, “Oksidentalizmi” fq. 35)

Në sociologjinë e sotme shqiptare është e domosdoshme të bëhen analiza më të thella për raportet e fesë me veten si doktrinë që duhet t’i përgjigjet sfidave të kohës, duke ruajtur identitetin por dhe duke pranuar ndryshimin. Sepse çështjet e marrëdhënieve të njeriut besimtar me fenë e tij, lidhjet e fesë me njeriun laik janë bërë çështje me rëndësi. Natyrisht sociologjia nuk merret me përmbajtjen e dogmës fetare të asnjë feje, por ne për shumë arsye empirike dhe ndikime në jetën praktike të këtij raporti nuk mund të jemi indiferentë, të mbyllim sytë me atë fenomen që studiuesi Oliver Roy e konsideron dhe e sintetizon me konceptin e “fetarisë”. Që në kohën e sotme në esencën e vet ka të bëjë me mënyrën se si e ndërton besimtari raportin individual me fenë që beson. Problemi është se zhvillimi në shoqërinë shqiptare ka sjellë pasoja jo vetëm në këto raporte të ndryshuara të fesë me veten dhe njeriut besimtar me të, por dhe të shfaqjes së një “krize” të referimit kulturor ndaj fesë.

Me gjithë qëndrueshmërinë e gjatë të doktrinave fetare dhe militantizmin e njohur të besimtarëve ndaj saj, koha provoi se edhe feja nuk mund të shpëtonte nga andrrallat e modernitetit dhe nevoja e ridimensionimeve të duhura, për t’u përshtatur më mirë me imperativat e ndryshuara të kohës, me natyrën e modernitetit social, prirjen e marrëdhënieve individualiste dhe relacioneve të personalizuara të njeriut të sotëm. Prirje të cilat jo vetëm po bëhen të thella, por ato jo gjithnjë janë aleate dhe në favor të konsolidimit të fesë dhe besimeve fetare.

Prirja laike dhe atomizuese e shoqërisë shqiptare nuk është shumë e favorshme për trajtimet doktrinare dhe organizimet klasike holiste të fesë. Sociologët e fesë, mendimtarët modernë të saj e kanë kuptuar jo vetëm këtë prirje sunduese të zhvillimit të shoqërisë në kohën tonë, por dhe ndryshimet radikale që ka pësuar “thelbi” dhe natyra e njeriut. Natyrisht pa lëvizur gurët themeltarë të doktrinave, në botën moderne ka filluar lëvizja për të krijuar “identitete të reja” fetare më fleksibile dhe më afër imperativave të kohës dhe natyrës së paqëndrueshme të njeriut të sotëm.

Sociologët e fesë kanë filluar të gjurmojnë këto lëvizje dinamike dhe dialektike të fesë, që janë elementë pozitivë të përpjekjeve për ta bërë fenë sa më kompatibile me kohën, për t’i shërbyer më mirë paqartësive dhe dilemave shpirtërore të njeriut të çoroditur nga “lëvizjet tektonike” të modernitetit dhe plotësimit të nevojave sociale të shoqërisë. Sidomos vakumeve dhe boshllëqeve shpirtërore të individit.

Kjo përpjekje tregon se era liberale nuk mund të lërë pa ndryshuar dhe reformuar edhe institucione të tilla sociale me natyrë të qëndrueshme dhe “konservatore”, siç janë në përgjithësi ato të fesë. Kjo nuk është shenjë dobësie, por force. Sepse, pa u përshtatur me kohën, nivelin e zhvillimit social dhe precedentët e zhvillimit të përshpejtuar kulturor të individit, feja do të rrudhet, do të humbasë terren social dhe autoritetin e duhur ndaj njerëzve besimtarë.

Ndryshimet që po ndodhin sot në shoqërinë tonë janë akoma apo duken timide dhe të ndrojtura. Sepse ende nuk po reflektohet sa e si duhet urgjenca e ndryshimeve dhe përshtatjeve konceptuale dhe kontekstuale të fesë, të cilat sipas mendimit tim janë ndryshime që në të ardhmen nuk do të jenë vetëm kalimtare dhe të përkohshme. Në se do të qëndrojë kështu raporti i fesë me veten dhe relacionet e saj me besimtarët, kam frikë se nuk është e largët dita që ajo të ndjejë dhe pranojë “krizën kulturore” të doktrinave të saj, njëherësh të shoqëruar me zgjerimin e përshpejtuar të laicizimit dhe shekullarizimit, që në kohën e sotme nuk janë aq shumë aleatë të saj. As prirja moderne e shoqërisë shqiptare nuk është aq shumë favorizuese për autoritetin e fesë, në se ajo nuk bindet për nevojat e ndryshimeve konceptuale, kulturore dhe marrëdhënieve kontekstuale të saj. Ndryshimi i bazës kulturore dhe ndërtimit të marrëdhënieve mbi bazën e kohës së re, nuk është as dëmtim i autoritetit doktrinar as asimilim i trojeve të natyrshme të fesë dhe institucioneve të saj.

Feja dhe institucionet fetare janë të domosdoshme. Ato janë institucionet fondamentale dhe më potentet, që mund të ndikojnë në kohezionin e prishur social të shoqërisë shqiptare dhe përmirësimin e shpirtit të shprishur të njeriut modern nga konsumi, paraja, egoizmi, individualizmi dhe seksualiteti. Është e vërtetë që moderniteti ka favorizuar njeriun modern që është laik dhe jo rrallë pa “dimension shpirtëror”. Në shoqërinë tonë po shtohen njerëzit e “zhveshur nga shpirti”. Sepse siç thonë sociologët e modernitetit “Besimi i verbër te forcat e tregut e ka kthyer lakminë në një dogmë, me pasoja shpesh katastrofike”.

Këto edhe të tjera arsye sociale janë ato që e detyrojnë fenë dhe institucionet e saj në shoqërinë tonë që të rishikojë pozitën dhe efiçencën në raport me shoqërinë. Sepse jetojmë në kohë të reja kur kanë ndryshuar raportet e fesë me shoqërisë dhe të njeriut me hyjnoren. Kjo është një gjë e madhe që duhet llogaritur me të gjithë kostot e veta. Ndoshta duhet vlerësuar procesi masiv, i zgjeruar integral të cilin Maks Veberi e konsideroi si fillimin e procesit të “ç’magjepsjes së madhe” të shoqërisë. Me sa duket nuk jemi as në fillimin por as në fundin e ndikimit vendimtar të fesë në shoqëri. Por që pozitat dhe autoriteti i saj në kohën tonë ka lëvizur, kjo është e padyshimtë. Po dominojnë në mënyrë të dukshme prirjet e njeriut për më shumë marrëdhënie sociale, kulturore, politike mbi ato fetare. Këto janë kategoritë më imperative të organizmit të jetës dhe orientimit të intelektit të njeriut laik. Njeriu i kohës moderne po përpiqet vetë të ecë duke besuar tek vetja, duke e marrë mbi vete përgjegjësinë laike të organizimit të tipologjisë së jetës së vet, pa patur shumë nevojë për ndërmjetësime të tjera. Kjo situatë e disfavorizon peshën dhe autoritetin e fesë në shoqërinë e sotme.

Por ndërkaq jeta e sotme në shoqërinë tonë është e mbushur me njerëz arrogantë dhe egoistë, që janë materialistë, efikas dhe të suksesshëm nga ana materiale, por që kanë mangësi shpirtërore ngaqë nuk kanë mekanizmin individual të lidhjes me fenë apo të ndërtimit të një lloj “fetarie të re”, moderne por të domosdoshme. Kjo është ajo që na duhet. Madje tani dhe sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndalim këtë shkretim dhe degradim shpirtëror të njeriut të kohës sonë, që ta bëjnë këtë rol, nuk duhet të ngulin këmbë që njeriun modern dhe besimtar ta trajtojnë si qenie infantile, që edhe pse është besimtar nuk mund të jetë skeptik ndaj mungesës së ndryshimeve dhe një farë konservatorizmi këmbëngulës doktrinar të fesë.

Kjo është dialektika e jetës e përplasjes së prurjeve të modernitetit që e bën problematike praninë e njeriut pa dimension shpirtëror. Feja ka shumë mundësi të luajë rolin e saj në këtë betejë ekzistenciale të përplasjes së koncepteve të njeriut, të ndërtimit të mekanizmave për t’u përballuar me problemet e thella, tejet të ndërlikuara të “botës së jetës” moderne. Mbase po të punohet ndryshe, mund të mbërrijmë në synimet e mira të besimit fetar, në mënyrë që sa më shumë shpirtëror të bëhet njeriu, aq më shumë racional do të jetë. Kjo është formula, që feja të ndikojë në mundësinë që emancipimi social në shoqërinë tonë të mos çojë në zbehjen e mëtejshme të spiritualizmit.

Gëzim Tushi