ATA QË U NGRITËN, U NGRITËN MË ANË TË MODESTISË

Detyra e parë e besimtarit është të përpiqet vazhdimisht të forcojë lidhjen e tij me Zotin e Madhëruar. Sepse vlera e robërisë është në përpjesëtim të drejtë me forcën e lidhjes së njeriut me Zotin e tij. Sa më shumë të jemi të lidhur me Të, aq më e fortë është robëria jonë. Në këtë drejtim, zemra duhet të jetë adhuruese e asaj bukurie të përjetshme që nuk shuhet, gjuha duhet ta përmendë Atë gjithmonë, gjymtyrët e tjera duhet të bëjnë gjithmonë vepra që e kënaqin Atë. Nëse zemra, gjuha dhe gjymtyrët janë gjithmonë me Të, atëherë do të bekohemi me shi bereqeti.

Atyre që u janë ngurtësuar zemrat, që u janë mpirë emocionet, që u janë tharë burimet e syve, e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë pa u rrëzuar.  Prandaj njeriu duhet të jetë hero i “hel’ min mezid” (A ka më shumë?) në forcimin e lidhjes së tij me Zotin xh.sh. Me një zemër të pangopur me dashurinë ndaj Tij, vazhdimisht duhet të pyesim “A ka më shumë?”  dhe kështu të mundohemi për tu thelluar në rrugën e besimit në Allah, në rrugën e njohjes së Allahut dhe dashurisë ndaj Tij. Çdo gjë që kemi dëgjuar, lexuar dhe dimë për besimin dhe diturinë deri më tani, duhet të merret edhe një herë në konsideratë dhe të thellohemi në to. Sepse ata që qëndrojnë aty ku kanë qenë në fillim dhe i lejojnë vetes të ngecin në vend, pas një farë kohe -Zoti na ruajt- mund të bëhen të paaftë për të mbajtur drejtimin e tyre të duhur. Kështu që, ata të cilët nuk përpiqen vazhdimisht për të forcuar marrëdhëniet e tyre me Allahun dhe që nuk përparojnë vazhdimisht drejt Tij, mund të bien pre shumë kollaj nga gjëra kalimtare të kësaj bote.

Arsyeja më e madhe pse sot, disa njerëz të humbur po largohen nga besimi, është dobësia e tyre në lidhjen që kanë patur me Zotin. Ashtu siç bëhen inerte objektet që mbeten në vend të palëvizshme dhe nuk mirëmbahen, po ashtu edhe ata që nuk bëjnë përpjekje për t’iu afruar Allahut çdo ditë e më shumë, prishen dhe largohen nga besimi që duhet të kenë ndaj Atij që i ka krijuar. Nëse nuk dëshirojmë të përjetojmë ulje-ngritje të tilla dhe dëshirojmë të vazhdojmë rrugën tonë sipas rrugës së drejtë, duhet të jemi aktiv dita-ditës në forcimin e lidhjes me Allahun e Madhëruar.

 

Marrëdhënia midis afërsisë me Zotin dhe përulësisë ndaj Tij

Nga ana tjetër, njeriu që ka bërë përparim në rrugën e adhurimit ndaj Allahut, nuk duhet ta konsiderojë këtë situatë asnjëherë si të mjaftueshme por duhet të kërkojë strehim tek Allahu që të mos bjerë në “uxhb”, që do të thotë “vetëkënaqësi” me veten dhe me veprat e tij. Besimtari bëhet i përulur ndaj Allahut aq sa ai afrohet dhe forcon lidhjen e tij me Të. Pra sa më shumë i përulur të jetë ndaj Krijuesit të tij, aq më shumë i rritet vlera tek Allahu. Me rritjen e besimit, diturisë dhe dashurisë ndaj Allahut, njeriut i shtohet dashuria dhe entuziazmi për ti treguar robërinë Atij duke qëndruar në këmbë, duke u përkulur, duke bërë sexhde dhe duke u falur.  Mirëpo, pavarësisht se çfarë bën në emër të adhurimit dhe bindjes, ai përsëri e di se nuk mund të bëjë mjaftueshëm ndaj robërisë dhe mbetet me mendimet: “O Allah, nuk munda të të njoh siç duhet, nuk munda të të adhuroja siç e meriton, nuk munda të të falenderoj aq sa të takon…”  Edhe pse ai e shfaq adhurimin e tij në praninë e Zotit pesë herë në ditë me përkushtim, ai përsëri e sheh adhurimin e tij si të pamjaftueshëm në krahasim me atë që meriton Allahu. Dhe kështu shpresohet që kjo ndjenjë të plotësojë mangësitë e njeriut ndaj robërisë së mjaftueshmë ndaj Allahut.

Zoti e lartëson njeriun që është i vetëdijshëm për vogëlsinë e tij përballë Allahut dhe që ul krahët e tij të përulësisë në tokë. Një person që mendon se është i madh dhe zhytet në detin e arrogancës do të fundoset gjithnjë e më shumë. Ashtu siç nuk ka cilësi tjetër që e afron njeriun më pranë Zotit përveç përulësisë, nuk ka asgjë që e largon atë nga Zoti më shumë se sa mendjemadhësia.  Siç thotë dhe Profeti Muhamed a.s në një hadith: “Madhështia është atribut specifik që i përket vetëm Allahut.[1] Një person që pretendon këtë cilësi, pavarësisht nëse e kupton apo jo, po pretendon karakteristikën e hyjnisë dhe në këtë kuptim ai po i bën shirk Allahut.

Ashtu si përulësia dhe modestia janë cilësitë e dalluara të Krenarisë së Njerëzimit a.s, po ashtu edhe katër kalifët pas tij që e ndoqën atë si shembull, arritën majat në përulësi dhe modesti. Shërbimet e kryera ndaj Islamit gjatë kalifatit të Ebu Bekrit r.a dhe Omerit r.a janë të barabarta me ato të bëra gjatë periudhave të Umajadëve, Abasidëve dhe me ato të kryera nga Perandoria Osmane përgjatë shekujve të tërë. Në 12 vjet pushtet, me lejen e Zotit, ata kanë bërë gjëra që nuk do të arriheshin në 12 shekuj. Por pavarësisht kësaj, Ebu Bekri r.a e sheh veten si një person të falimentuar, të mbetur pa kapital. Ai e vë në dyshim veten dhe ankohet për rebelimin dhe mëkatet e tij. Mjerë për ata që mendojnë se janë diçka!

Ndërsa fisnikët si Ebu Bekri r.a dhe Omeri r.a hapën krahët e tyre të përulësisë, Allahu i ngriti ata dhe valëviti flamurin e Islamit kudo me duart e tyre. Falë tyre, emri i Zotit dhe i të Dërguarit të Tij valëviteshin si flamur në vende të largëta. Njerëz me kultura dhe kombe të ndryshme u dyndën drejt Islamit.

Po, me të vërtetë që ata ishin të njerëz mëdhenj. Ata e kurorëzuan madhështinë e tyre me përulësi. Ndërsa arritën kulmin në përulësinë e tyre, Allahu i ngriti ata lart e më lart.

Për ta përmbyllur me fjalën e dijetarit të epokës sonë i cili thotë: “Ti shpirti im hipokrit! Mos u kreno se i ke shërbyer fesë sepse Allahu e lartëson këtë fe edhe me një – raxhul-u faxhir – njeri mëkatar. Ndoshta ju duhet ta konsideroni veten si ai raxhul-u faxhir -personi mëkatar-.[2] Kush e thotë këtë? E thotë ai i cili është një person që mbajti mbi supe lëvizjen e ringjalljes së një periudhe dhe frymëzoi miliona njerëz me veprat që shkroi. Kjo do të thotë se sa më afër të jetë njeriu me Zotin dhe sa më e fortë të jetë marrëdhënia me Të, aq më e thellë është përulësia e tij. Detyra e kujtdo që i afrohet Allahut është të zerojë veten. Të mendosh veten si diçka duke u mashtruar nga vlerësimi dhe duartrokitjet e publikut ose pozitat dhe nderimet që përfaqëson do të thotë të hedhësh një hije mbi Qenien Hyjnore. Zoti i Madhëruar na shpërbleftë me modesti dhe përulësi dhe na mundësoftë arsye që të dimë vendin tone karshi Atij! Amin.

Përktheu Tauland Bica

[1] Ebu Davud, libas 27.

[2] Bediüzzaman, Sözler, Fjala 26