ATMOSFERA MAGJEPSËSE E KURANIT

Kurani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore. Ai është kodi që zgjidh enigmën e jetës, është çelësi i të vërtetave që qëndron pas rrjedhës së ngjarjeve, është fund e krye ekspozitë e të vërtetave. Ai është një burim drite që i bën dritë zemrave dhe shpirtrave; mendjes dhe shkencave; materies dhe përtej saj; është harta e shenjtë e botëve të përtejme. Kurani është drita dhe themeli i botës shpirtërore dhe intelektuale të Islamit; është treguesi i rrugës më të ndriçuar drejt lumturisë, është burim drite i bashkësive më të shkëlqyera të shoqërisë njerëzore; është fryma dhe zëri i botës shpirtërore. Kurani është Fjala e mrekullueshme e Allahut që iu shpall Profetit Muhamed (a.s.).

Kurani është një libër urtësie e drejtësie, libër lutjeje e adhurimi, libër urdhri e thirrjeje, libër mendimi e meditimi, është burim për të gjithë librat që i vlejnë njerëzimit. Ai është libri që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve. Ai ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, kamatën, gënjeshtrën, dëshminë e rreme… Profeti ka deklaruar se Kurani ishte mrekullia e përjetshme e profetësisë së tij.

Pavarësisht nga tentativat që s’reshtën kurrë për ta tjetërsuar atë, me gjithë intrigat dhe sulmet për ta bllokuar atë, Kurani, duke depërtuar përtej çdo kohe dhe hapësire, ruan me dinjitet freskinë e parë. Mjafton një vështrim sipërfaqësor mbi shoqërinë për të konstatuar se jeta më e rregullt për njeriun është jeta ku merr frymë Kurani. Një sërë arritjesh, vlerash e bukurish të qytetërimit të sotëm, që vlerësohen e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kurani i pati inkurajuar shekuj më parë.

Në saje të Kuranit, njeriu është ngjitur në pozitën e bashkëbiseduesit me Allahun. Në atmosferën magjepsëse të Tij njeriu vëzhgon me ëndje hapat e krijimit, bashkëbisedon me Profetët, rrok mentalitete të ndryshme, analizon ngjashmëritë, ndasitë, veset, vlerat dhe veçoritë e popujve të kaluar. Nën tingujt e këndimit të tij, njeriu del nga vetja, për një çast rrok përjetësinë, troket dyert e parajsës, sekinia (qetësia shpirtërore) që Allahu i jep e merr dhe e shëtit në skajet më të largëta të universit e kështu ai sodit me habi dhe ngazëllim krijimin për të kuptuar sadopak madhështinë dhe lavdinë e Krijuesit…

Edhe armiqtë më të betuar të Kuranit shkonin fshehurazi përreth shtëpisë së Profetit me dëshirën për të dëgjuar Kuran. Në Kuran thuhet se edhe xhindet u mahnitën ndërsa dëgjonin këtë ligjëratë hyjnore nga goja e Profetit (a.s.). (Xhin 72/1)

Por, që ta njohësh e kuptosh Kuranin në mënyrë të atillë që të kënaqë mendjen dhe zemrën, duhet të kesh një dëlirësi shpirtërore që të mund t’i dallosh të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që të mund ta vëzhgosh furtunën në një pikë ujë. Ai është udhëzues për të devotshmit (Bekare, 2/2), të ofron dritë hyjnore në frekuenca të ndryshme që të mbush sytë dhe zemrën. Kurani është një mrekulli e gjerë dhe e pasur që i kapërcen të gjitha hapësirat dhe kohët dhe u jep përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit nga besimi gjer te rregulli më i thjeshtë i edukatës.

Nxënësit e parë të gatuar në atmosferën e Kuranit arritën një përsosmëri të tillë saqë u kthyen në burim frymëzimi për të gjithë brezat. Të edukuar në shkollën e Profetit Muhamed (a.s.) nën klimën zbutëse të Kuranit, ai brez i quajtur “sahabë”, për sa i përket horizontit të mendimit, moralit, njohjes së pozitës së njeriut përballë Krijuesit dhe botës, sikur mos të kishte asnjë argument tjetër, mjaftojnë si argument për të treguar se Kurani është libër i Allahut.

Kurani vazhdon t’ua ndriçojë zemrat atyre që hyjnë pa paragjykime, me zemër, vetëdije dhe ndjenja të pastra në atmosferën e tij. Ai ndreq të pandreqshmit, pastron mëkatarët, transformon bartësit e veseve në simbole të vlerave dhe virtyteve, e ndërsa ata që kanë brumë të pastër në karakter, i gatuan e i kthen në prijës. Si një udhërrëfyes drejt të vërtetave, ai ka katër pikësynime kryesore: Të argumentojë dhe demonstrojë ekzistencën dhe njësinë e Allahut; të argumentojë dhe tregojë profetësinë; të njoftojë dhe shpjegojë për ringjalljen dhe botën tjetër (ahiretin); të përhapë adhurimin ndaj Allahut e të hedhë themelet bazë të drejtësisë.

Ndonjëherë, duke përdorur metodën e analogjisë dhe shëmbëllimit Kurani na shpjegon njësinë e Allahut, njëkohësisht argumenton edhe ringjalljen, sikurse shpjegohet në ajetet:

“A nuk po e shohin se Allahu që i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe nuk është lodhur në krijimin e tyre, ka mundësi edhe t’i ringjallë të vdekurit? Sigurisht! Ai ka mundësi për çdo gjë!” (Ahkaf, 46/33)

“Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh të thatë, të plasaritur e të tkurrur. Por kur lëshojmë shi mbi të, ajo fillon të dridhet e të fryhet. Allahu që e ringjall atë, pa dyshim që i ringjall edhe të vdekurit! Ai ka mundësi për çdo gjë (Allahu ka fuqi të bëjë çdo gjë)!” (Fussilet, 41/39)

Tokën, Kurani e sheh si djepin e bashkimit njerëzor. Ai synon të bashkojë të gjitha racat, ngjyrat dhe besimet duke i konsideruar të gjithë adhuruesit e një Zoti të Vetëm si vëllezër.

“O ju njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju sollëm në fise e popuj që të njiheni. Më i nderuari prej jush është ai që është më i devotshëm përpara Allahut.” (Huxhurat, 49/13)

Për sa i përket normave, vlerave dhe moralit të mirë Kurani është i kthjellët, duke mos lënë shteg për paqartësi se çka është e drejtë e çka jo. Vetëm në suren Isra, ajetet 12-39, Kurani na sjell një sërë urdhëresash që strukturojnë jetën tonë në një ekuilibër të përkryer. Disa nga këto urdhëresa janë: Bëhuni shërbëtorë të Allahut dhe të askujt tjetër. Trajtojini mirë prindërit. Jepuni të drejtën që i takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve. Mos ji koprrac e as dorëlëshuar. Mos i vritni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë. Mbaji premtimet. Ki kujdes masën dhe peshën në tregti. Shmangu nga mburrja dhe mendjemadhësia, etj.

Për sa i përket këndvështrimit ndaj njerëzve të tjerë Kurani na këshillon të ndjekim rrugën e paqes dhe mëshirës. Ai dekreton se besimtarët janë vëllezër. (Huxhurat, 49/10) Në suren Hashr, ajeti 10, ai na mëson të lutemi: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që na kanë udhëhequr në besim e mos lër në zemrën tonë as një grimcë urrejtjeje për ata që besojnë. Zoti ynë! Ti je Falës, Mëshirues.”

Kurani shërben si burim për mijëra të vërteta shkencore që janë zbuluar e vazhdojnë të zbulohen. Në këtë drejtim janë kryer qindra studime dhe janë konstatuar mijëra lajme mbi shkencën. Gjithsesi themelore është njohja e Zotit. Kështu, shumë tema shkencore e teknike si rrumbullakësia dhe rrotullimi i tokës, forma e shtypur e poleve, atomet dhe gjurmët e gishtave, krijimi i njeriut dhe fazat që kalon njeriu në barkun e nënës, formimi i shiut, i reve, zgjerimi i universit, transmetimi i zërit dhe pamjeve etj., të cilat preken ose për të cilat aludohet shumë shkurt në Kuran në kuadër të synimeve themelore si njohja e Zotit, profetësia, ringjallja dhe adhurimet kanë zënë vend mjaftueshëm, pa e cenuar mrekullinë e Kuranit.

Gjithashtu, Kurani është një mjet shërimi shpirtëror (Fussilet, 41/44), sepse aplikimi i tij në kurat e përditshme të sëmundjeve sociale dhe psikologjike krahas kozmologjisë, epistemologjisë, ontologjisë, sociologjisë, psikologjisë dhe ligjit, është vërtetuar se luan një rol stabilizues në jetën e njeriut, pavarësisht kohës dhe vendit.

Ndërkohë që çdo vepër e humb vlerën me kalimin e kohës, Kurani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërsohet, por çdo ditë që kalon, ai u fryn frymëzime të reja shpirtrave, mendjeve dhe zemrave. Shumë libra jua lënë vendin të tjerëve pasi e humbin aktualitetin dhe vlefshmërinë e tyre me kalimin e kohës. E kundërta ndodh me Kuranin. Janë ditët e shekujt që kalojnë e ia lënë vendin njëri-tjetrit për të përfituar në përpjesëtim me aftësinë e mentalitetit të banorëve të tyre prej Kuranit.

Kurani e trajton njeriun me të gjitha anët e tij materiale e shpirtërore, ai hap diskutime mbi çdo fushë të jetës, ai sjell parime zgjidhëse për të gjitha problemet shoqërore, ekonomike, juridike, politike e administrative dhe vendos parime që përmbajnë, bashkë me lumturinë e kësaj bote edhe lumturinë e botës tjetër, pranë kënaqësisë së mendjes edhe kënaqësinë e shpirtit. Vepër e kujt të jetë njeriu dhe gjithësia, edhe Kurani është fjalë e Tij, sepse nga njëra anë Kurani lexon njeriun me të gjitha dobësitë dhe virtytet e tij dhe nga ana tjetër e lexon gjithësinë me të gjitha të fshehtat dhe imtësitë.

Fuqiploti e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimit të Kuranit. Kurrë nuk mund të arrihet synimi pa kërkuar prijësinë e tij. Atë libër hyjnor askush nuk do të mund ta ndikonte, apo cenonte origjinalitetin e tij, sepse ai zotëron garancinë hyjnore: “Ne e zbritëm Kuranin dhe gjithsesi Ne do ta mbrojmë atë.” (Hixhr, 15/19)

Kurani është fjala më e përkryer, më e fundit që i shkojnë pas, e cila të çon në synim pa të çorientuar, pa të gënjyer. Kurani është drita e amshuar, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve; është mesazhi, ligji, katalogu dhe udhërrëfyesi më i përkryer i njerëzimit.

 

Ali Zaimi