Ditët e Bajrameve janë gëzimi i individit dhe i shoqërisë, janë ndarja e këtij gëzimi mes njerëzve, janë hyrje në klimën e ndjenjave, janë mundësia që të gjithë myslimanët ta ndjejnë veten vëllezër. Ditët e Bajrameve shëmbëllejnë në ditë paqeje dhe gëzimi, sepse i madh e i vogël kënaqen dhe dëfrehen. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmeve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë. Në një hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Zotin pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij”. Parë në këtë drejtim, profeti Muhamed (a.s.) i porosiste shokët e tij që në këto ditë të mos i harrojnë të varfrit dhe nevojtarët. Kështu, myslimanët përpiqen që me veprimtari dhe bamirësi të ndryshme të plotësojnë nevojat e të varfërve dhe jetimëve që edhe ata të gëzojnë.

Bajrami i Ramazanit nis me përfundimin e agjërimit njëmujor dhe vazhdon tri ditë. Ky quhet edhe Fitër Bajrami, meqë gjatë muajit të Ramazanit jepet sadakaja e fitrit si detyrim falënderimi për arritjen e këtij muaji shëndoshë e gëzuar. Myslimanët përjetojnë në këtë feste, gëzimin dhe lumturinë e agjërimit gjatë një muaji me radhë për hir të Allahut, e kapërcimit të vështirësive dhe të çuarjes në vend të urdhrit të Zotit Fuqiplotë. Të kremtuarit e këtyre ditëve, na përkujton ditët e lavdishme të së kaluarës së ndritshme Islame dhe i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme, për detyra të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Jo më kot profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) na thotë se, në Bajrame duhet të tregohet gëzim e hare me qëllim që të manifestohet uniteti, toleranca, forca dhe vëllazërimi.

Në trevat tona shqiptare Bajramet janë festuar gjithmonë solemnisht. Bajrami ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme te myslimanët shqiptarë edhe në kohët më të vështira. Ai është freski për familjen, madje, edhe besimtarët më të dobët i kushtojnë Bajramit kujdes e rëndësi të veçantë. Sigurisht, feja islame nuk është vetëm fe e trajtave dhe e ceremonive. Ajo mes trajtave praktike të caktuara, kërkon kuptime të thella e të larta dhe formon një shpirt fisnik. Në këtë mënyrë, Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.

Për myslimanët që i besojnë Allahut si një Zot i vetëm dhe që kanë të njëjtin synim e qëllim të përbashkët, grumbullimi në një vend për faljen e Bajramit si një trup i vetëm, ka një kuptim të madh.

Pas namazit të Bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen dhe i urojnë Bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit. Urimi i Bajramit nuk harrohet edhe për ata që janë larg, duke u telefonuar apo duke u dërguar mesazhe urimi. Në këto ditë ndërmjetësohet për të pajtuar të zemëruarit, mëritë dhe armiqësitë marrin fund, miqësitë forcohen, të vegjëlve u jepen dhurata, vizitohen të sëmurët; sepse kjo është dita e gëzimit dhe e lumturisë së përbashkët. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam.

Në fund, lusim Zotin që të jemi pjesë e sihariqit të këtij hadithi të shenjtë, ku Allahu (xh.sh.) përgëzon: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhrit Tim falët namazin e Bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga mëkatet e të falur”.

H. Bujar Spahiu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu