Tashmë që muaji i begatë i Ramazanit mbaroi, myslimani përballet me një sfidë të vështirë, e cila është të ruajë të gjithë atë që fitoi gjatë Ramazanit. Atmosfera e Ramazanit është favorizuese për të gjithë ata që synuan t’i afrohen Allahut me adhurime dhe punë të mira. Agjëruan të afërmit dhe të njohurit e tu, agjërove dhe ti; falën taravi të tjerët, iu bashkove dhe ti; shtruan iftare të tjerët, e bëre edhe ti; dhanë sadaka të tjerët dhe ndihmuan të varfërit, edhe ti me aq mundësi sa pate, nuk u kurseve në këtë anë. Në fund të Ramazanit, jam i sigurt që u ndjeve më besimtar dhe më i devotshëm sesa para fillimit të agjërimit. Nëse vërtetë ndihesh kështu, ti ke bërë një arritje shumë të madhe; ke korrur një fitore ndaj vetes tënde, duke e kalitur atë, me qëllimin e vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Me këtë që bëre, ti i ngjan një artizanati, që me duart e tij realizoi një veshje shumë të bukur për veten, por tashmë ka ardhur koha që atë ta mbajë veshur deri për Ramazanin e ardhshëm. Ashtu edhe ti, unë dhe çdokush tjetër që u përpoq gjatë Ramazanit me agjërim, lexim Kurani, falje namazi, sadaka, etj., të përpiqemi që çfarë bëmë në Ramazan, të mos mbetet vetëm në Ramazan, por edhe në vazhdimësi, pasi Zoti ynë, është po Zoti ynë edhe pas Ramazanit. Falenderimet dhe madhërimet tona ndaj Tij duhet të jenë të vazhdueshme, pa ndërprerje, edhe pse jo me të njëjtin intensitet si në Ramazan. Përndryshe, do t’i përngjajmë asaj plakës që tjerri një triko leshi gjatë gjithë natës dhe sapo e përfundoi, e prishi trikon pa e veshur fare, apo si shembulli i lopes, e cila e mbush me qumësht kovën plot, e pastaj i fut shqelmin dhe e derdh atë. Ashtu do të ndodhë edhe me ne, nëse do mjaftohemi vetëm me agjërimin e Ramazanit, vetëm me faljen e taravive dhe me përkujtimin e Allahut vetëm një muaj në vit.

Ne ndoshta nuk kemi mundësi të agjërojmë çdo ditë pas Ramazanit, por përderisa mundëm ta agjëromin të plotë muajin e Ramazanit, a nuk kemi mundësi të agjërojmë 1 apo 2 ditë në javë, apo më e pakta fare, 1 ditë muaj. Ne që lexuam të gjithë Kuranin gjatë Ramazanit, ku i bie të kemi lexuar 20 faqe në ditë, pasi i gjithë Kurani ka 600 faqe, dhe e kemi mbaruar për 30 ditë; a nuk kemi mundësi, që jashtë këtij muajit të bekuar të lexojmë nga 2 faqe në ditë?! Kështu ne, në fund të çdo muaji do të kemi lexuar 60 faqe, dhe ende pa mbërritur Ramazani i ardhshëm, do e kemi lexuar të plotë të gjithë librin e Allahut. Ne patëm vullnetin e hekurt gjatë Ramazanit t’i falnim taravitë 8 apo 20 rekate, përveç namazeve farze (obligative), dhe këtë e bëmë pa pushim përgjatë 30 ditëve të këtij muaji. A nuk e kemi mundësinë që jashtë Ramazanit, bashkë me namazet farze t’i falim edhe sunetet?!

Gjatë Ramazanit nuk përtuam asnjë natë që të zgjohemi në pjesën e fundit të saj, për të ngrënë syfyr dhe të prisnim derisa të vinte koha e namazit të sabahut dhe ta falnim atë. Namazi i sabahut, është një namaz që vazhdon edhe pas muajit të Ramazanit, kështu që duhet të mundohemi që ta falim në kohë, edhe gjatë muajve të tjerë. Le t’i përgjigjemi vargut të ezanit që thotë: “Namazi është më i mirë se gjumi”. Edhe pse me më pak orë gjumë në Ramazan, nuk na gjeti gjë. Ja ku jemi prapë, pasi ai nuk vjen për ta dëmtuar njeriun, përkundrazi, për të qenë në dobi të tij. Ramazani erdhi për të na disiplinuar dhë për të na nxitur drejt mirësive. Në Ramazan, e gjetëm mundësinë për të agjëruar; e gjetëm kohën për të lexuar Kuran, për të falur namaz, për të shtruar iftare; e patëm mundësinë për të dhënë sadaka dhe për t’i qëndruar pranë shtresës në nevojë. Këto “kohë” dhe “mundësi” ne mund t’i posedojmë edhe në muajt e tjerë. Mjafton t’ia vëmë qëllim vetes dhe të bëjmë çfarë kemi në dorën tonë për ta realizuar dhe kemi për ta parë, që edhe Allahu ka për të na e lehtësuar kryerjen e çdo adhurimi dhe vepre të mirë. Allahu, që na e lehtësoi agjërimin e Ramazanit, duke e freskuar kohën, saqë asnjë nuk ndjeu as etje as uri, ka mundësi të na lehtësojë agjërimin edhe në ditë të nxehta të korrikut apo të gushtit; ka mundësi të na e lehtësojë kryerjen e adhurimeve ditën dhe natën; ka mundësi të na shtojë furnizimin dhe të ardhurat tona, në mënyrë që prej tyre të japim lëmoshë dhe të mbështesim nevojtarët. Nuk na ka hije të fshihemi pas arsyetimeve dhe justifikimeve të pabaza.

Nuk po them që është e lehtë, por gjithashtu nuk them që është e pamundur. Sfida është më e madhe tani, pasi jemi në një luftë të pandashme me shejtanin dhe me të keqen që vepron brenda nesh. Mjafton të mos i bindemi cytjeve dhe urdhrave të tyre; mjafton të mos biem peng i prangave të tyre. Allahu na e lehtësoftë të gjithëve, të ruajmë me fanatizëm dhe me vendosmëri gjithçka që arritëm me mund, mish dhe me shpirt përgjatë ditëve dhe netëve ndriçuese të muajit të madhërishëm të Ramazanit!

Qani Sulku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu