Teksa në prag mbrëmje bëhet edhe një herë thirrja për shpëtim, ata rendin për të qenë tok të bashkuar në rrethin historik të takimit me tokën, e prej andej udhëtimi vazhdon në përjetësi. Janë ata heronjtë e heshtur, të urtë e zemërbardhë që jetojnë nëpër qytete, të mbushur me urtësinë e së mirës. Janë banorët e vërtetë të së nesërmes, të së ardhmes që me bindje dhe me forcën e dashurisë do të jenë shpërndarësit e kandilit për të vrarë natën e gjatë historike, e për t’i shkundur edhe një herë të harruarit në botë nga vetë bota.

Ata janë të ardhurit për të qenë maratonomak të dritës, nga e cila lidhet historia njerëzore me të një njëjtin mesazh që prej Ademit e këtej, për të vazhduar në rrjedhën e gjatë të lumit të jetës! Banorët e mirë të së nesërmes do të jenë të mbushur me hove optimizmi për të ndërtuar një botë të mirë, njësoj si milingonat e palodhura në devocion ndaj punës, njëlloj si pëllumbat e lirë në fluturim, njësoj si skifterët të bindur në forcë. E ku mund të gjenden këta banorë ideal përveçse në filozofinë e Islamit, atje ku gjendet sistemi më perfekt i jetës, i të jetuarit, kuptimësia e të gjitha pyetjeve dhe burimi i pashtershëm i energjisë që vetëkarikohet sa herë kohët tentojnë ta shuajnë?!

Atje ku gjenden vlerat më të larta shpirtërore, e ku e gjithë loja e jetës është e sendërtuar nga parimet e pa komprometueshme. Atje nuk ka dhunë, nuk ka shtypje, e paqja është vetë rruga. Këta qytetarë janë këtu, nëpër rrugicat e metropoleve tona, janë nëpër xhami për të bashkuar supet si shenjë e një gardhi të fortë të besnikërisë ndaj Zotit të botëve. Ata janë dëshmitarët e një heroi të madh të historisë që la pas fenerët e ndezur për të afruar atje shpirtrat rinorë, që nuk i lodh as koha e vrazhdë që ikën mbi ta.

Ejani, ejani dhe shiheni se si këtë prag mbrëmje fytyrat e tyre janë mbushur plot nur, teksa zemra gati iu del nga kafazi për të nisur vallen e qiellit. Ejani dhe shihni se si në zemrat e tyre kanë mbirë lulet më të bukura të dashurisë, ku rrënjët janë tek e shkuara, degët tek e tashmja dhe filizat tek e ardhmja për t’i dhënë edhe një herë ritmin e bekuar pranverës së jetës.

Ata janë këtu, veçse nuk i keni parë. Perdet shpesh i mbyllin dritaret, duke i vënë prangat horizontit, e duke penguar rrezet që të depërtojnë për të çliruar energjitë e shpirtit dhe për t’ia dorëzuar atë Zotit. E prej andej për të prerë biletën e kapërcimit të kufijve të kohës.

E pra, këtë biletë kanë prerë banorët e mirë të së nesërmes për të ndërtuar një botë të re, një botë ku dashuria dhe mëshira të jenë themelet, ndërsa devocioni të jetë shtylla e qëndresës.

A jemi ne ata? Po! Ne jemi shpirtrat e ngazëllyer në kontratën e më të bekuarës vëllazëri, ku e mira qëndron mbi krye, morali si forcë mbështetëse, ndërsa parimet si themele të ngulitura tashmë që prej Muhamedit e këtej! Pikërisht mbi këto mure graniti ngrihet jeta e banorëve të mirë të së ardhmes, të atyre që do të kenë sakrifikuar veten për Zotin, do të kenë kapërcyer veten për të mirën e të gjithëve, sepse ata janë që pasuritë dhe jetët e tyre i kanë vetëm për Atë që qëndron mbi qiej!

Kjo është ndarja e madhe midis atyre që jetojnë thjesht për të ngrënë, midis atyre që synojnë vetëm pushtetin për të përmbushur egon dhe midis atyre që qëndrojnë mbi këto vogëlsi kalimthi të botës. Zemra e tyre është zgjeruar tashmë kaq sa në të, krejt forca shtysë është dashuria vetëm dhe për hir të Zotit, e kjo dashuri kaplon më tej njerëzit e krejt çka ka bota brenda.

Ky horizont i gjerë ndjesish është vetëm për banorët e mirë të së nesërmes, vetëm për umetin e Profetit Muhamed, vetëm për ata që kanë kapërcyer sektet për të qenë shpirtra krahëhapur e që të kenë kuptuar pemën e madhe të Islamit! E nën hijen e kësaj peme janë të gjithë të ftuar të shplodhen derisa të vijë momenti i takimit të madh.

Rejan Islami

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu