Shpesh herë e gjejmë veten mes perceptimit të Zotit si të Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëbërës dhe perceptimit tjetër si hakmarrës dhe me ndëshkim të ashpër.

Ashtu siç edhe na ka njoftuar Zoti në Librin e Tij, mëshira e Tij prevalon ndaj ndëshkimit dhe urtësia ndaj zemërimit. Mirësitë dhe begatitë e Tij mbulojnë çdo skaj të jetës së njeriut. Atëherë, çfarë do të thotë që ndëshkimi i Zotit është i ashpër?

Thotë Zoti në Kuran:” Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!” (Zumer 60)

“Vendbanimi i tyre është zjarri e sa vendstrehim i shëmtuar është ky për keqbërësit!” (Al Imran, 151)

Duhet të kemi parasysh se Zotit nuk i shkaktohet asnjë dëm nëse njerëzit të gjithë besojnë, apo të gjithë e mohojnë.

“Sikur që nga i pari prej njerëzve dhe xhindeve, të ishin sipas zemrës më të devotshme prej jush, kjo nuk do e shtonte pushtetin tim. Sikur që nga i pari prej jush dhe xhindeve të ishte si zemra më e ligë e njërit prej jush, kjo nuk do e pakësonte aspak pushtetin tim.” Hadith kudsij.

Por, Zoti hakmerret dhe ndëshkon kur përdhoset dhe shkelet dinjiteti e nderi i njeriut, kur njeriu të cilin e zbriti në tokë dhunohet padrejtësisht, Ai ndëshkon kur njeriu bën padrejtësi, sillet me arrogancë dhe prish rregullin në tokë.

“botën tjetër do ua japim atyre që nuk sillen me arrogancë në tokë dhe nuk prishin rendin.”

Besimi tek Zoti kalon nga njeriu dhe përgënjeshtrimi i Zotit është përgënjeshtrim i njeriut.

Po të studiojmë Kuranin, do të gjejmë se Zoti tregon histori si i ka shkatërruar dhe ndëshkuar zullumqarët dhe diktatorët, ndërkohë që nuk e bën të njëjtën gjë me gjynahqarët dhe mëkatarët.

Ebu Lehebi dhe e shoqja lëndonin dhe keqtrajtonin një njeri në tokën e Zotit, prandaj dhe ata u përjetësuan nga histori si një kujtim i keq. “Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.” (Mesed)

Zoti nuk e përmend askënd i cili nuk i ka besuar Muhamedit a.s, ka parë hallin e tij dhe nuk i ka hyrë në hak askujt.

Historia e Faraonit nuk zë aq hapësirë të madhe në Kuran vetëm sepse nuk besonte tek Zoti i qiejve dhe tokës. Si ai, kishte edhe shumë njerëz të tij të cilët nuk besonin tek Zoti. Por emri i tij përmendet në Kuran sepse e kishte shpallur veten si zot që adhurohej dhe u kërkonte njerëzve që ta adhurojnë. Këtë e bënte me forcën e shpatës, duke i keqtrajtuar burra e gra. Prandaj fitoi dhe mallkimin e Zotit deri në ditën e Gjyqit të madh.

Abdullah ibnu Ubej ibnu Selul ishte si të gjithë mynafikët e tjerë, të cilët fshihnin mosbesimin dhe deklaronin besimin. Por, në dallim nga të tjerët, ai bënte çmos që mes besimtarëve myslimanë të përhapë ligësinë, ai shpifi për nderin e nënës së besimtarëve. Padrejtësia e tij e kaloi kufirin e vetes për tek të tjerët tashmë, prandaj dhe historia e tij lexohet dhe do të këndohet deri në ditën e Kiametit.

Po, Zoti ka ndëshkim të ashpër për një pjesë të kufizuar njerëzish arrogantë në tokë, dëmi i të cilëve e kalon veten e tyre dhe bie mbi njerëzit e tjerë.

Zoti në Kuran thotë:” Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!” (Zumer 60), dëmi i të cilëve bie mbi të tjerët dhe nuk ka përmendur ata që bëjnë gjynahe, dëmi i të cilave bie mbi vetë individin dhe jo të tjerët.

Të gjithë popujt e mëparshëm pësuan dobësim dhe rrënim, duke u bërë mësim për të tjerët sepse:”Ata i përgënjeshtruan të mirat e Zotit” duke cenuar drejtësinë, paqen, sigurinë dhe lirinë. Ata vendosën diktatura në tokë duke ua nxirë jetën njerëzve.

“botën tjetër do ua japim atyre që nuk sillen me arrogancë në tokë dhe nuk prishin rendin.” dhe jo sepse ata nuk besuan në Zotin dhe nuk zbatuan ligjet e Tij.

“Kur duam ta shkatërrojmë një vend, urdhërojmë njerëzit e shfrenuar të tij që të bëjnë ligësi dhe me ta merituar, i shkatërrojmë plotësisht.”

“Thuaj, lëvizni në tokë dhe shiheni si ishte fundi i përgënjeshtruesve”

Historia na tregon se ata që përgënjeshtrojnë mesazhin e mëshirës dhe cenojnë drejtësinë dhe ligjet e paqes, edhe pse mund të jenë monoteistë dhe adhurues të një Zoti të vetëm, shumë shpejt i përkasin të shkuarës për shkak të padrejtësive.

Le të marrim si shembull Bashkimin Sovjetik, i cili përgënjeshtroi mesazhin e mëshirës, shkeli me këmbë parimin e drejtësisë dhe korri jetë njerëzish padrejtësisht! Brenda disa dekadave u kthye në rrënoja, ndërkohë që dukej sikur do të arrijë retë.

Dinastia abasite ishte aq e madhe saqë lideri i saj politik u drejtohej reve me fjalët:”Shkoni e lëshoni shi ku të doni, pasi kudo që ta lëshoni shiun tuaj do më vijë haraçi.” Ku është tani kjo dinasti?!

Nga ana tjetër, le të shohim vende si Suedia, i cili i ka besuar fort parimit të mëshirës, ka instaluar drejtësinë dhe ka përhapur paqen. Vende të tilla Zoti i ka begatuar me siguri dhe të mira pafund, të cilat u vijnë nga qielli dhe nga toka. Një vend i tillë i cili i ka besuar deri në verbëri parimit të drejtësisë, ka mbi 150 vite që nuk ka dëshmuar luftë në tokat e veta.

Ibnu Tejmije ka një thënie të artë lidhur me këtë koncept, ku thotë:”Zoti e ndihmon një shtet të drejtë, edhe pse mund të jetë jobesimtar, por nuk e ndihmon një shtet të padrejtë edhe pse mund të jetë besimtar.”

Usulistët kanë një parim sipas të cilit:”Kudo ku ekziston drejtësia, aty është ligji i Zotit.”

Kur ta kuptojmë siç duhet versetin uranor“Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt.” (Hadid, 25), asokohe do të kuptojmë se Zoti e shpërblen butësinë, ashtu siç nuk e shpërblen dhunën. Nuk mund të bëhet fjalë për drejtësi aty ku flet dhuna.

Nëse ndërgjegjësohemi për këtë, asokohe do të ndërgjegjësohemi se Zoti është i Gjithëmëshirshëm për të gjithë dhe se ndëshkimi i Tij përfshin vetëm një pjesë e cila rebelohet ndaj natyrës së pastër me të cilën e krijoi Zoti njeriun. Në vargjet e para të Kuranit, lexojmë:”Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Falënderimet janë vetëm për Zotin e botëve.”

Triumfi i vërtetë do u përkasë robërve të përzgjedhur të Zotit, të cilët urdhërojnë për drejtësi dhe ftojnë në paqe!

Jahja Sejid Ebu Mesamih

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu