BESNIKËRIA NË ISLAM, KAPITALI MË I ÇMUESHËM

Besnikëria në kuptimin gjuhësor dhe në esencë do të thotë të jesh i drejtë dhe i sinqertë. Ajo përkufizohet si e kundërta e mashtrimit dhe e tradhtisë. Besnikëria në prizmin moral të Islamit, ka lidhje me koncepte fetare si sinqeriteti, drejtësia, përgjegjshmëria, mbajtja e fjalës së dhënë, çuarja në vend e amanetit, durimi, qëndrueshmëria, pendesa etj. Kurse e kundërta e saj janë konceptet e lidhura ngushtë me mashtrimin, tradhtinë, dyfytyrësinë, mosmirënjohjen e të tjera të ngjashme. Lidhur me njerëzit e besës Allahu në Kur’an urdhëron e thotë: “Këta janë ata që e zbatojnë besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin premtimin.[1]

Jeta e sahabëve të nderuar është e mbushur me shembuj të besnikërisë së jetuar. Fjalët e sahabëve drejtuar të Profetit (a.s.) para zhvillimit të Betejës së Bedrit dhe qëndrimet e tyre të vendosura, janë dëshmia më e fuqishme e besnikërisë së tyre ndaj të Dërguarit të Allahut, si dhe e lidhjes së tyre të shëndoshë me Islamin. Pas zbritjes së ajetit të shtatë të sures Enfal, Profeti (a.s.) u tha shokëve të tij se lufta ishte e pashmangshme dhe u konsultua me ta lidhur me këtë çështje. Si rezultat i këtij konsultimi Mikdad b. Amri, një nga myslimanët e Mekkes, u çua në këmbë dhe tha këto fjalë që do të mbeteshin në histori si shenjë e fuqishme e besnikërisë për shumë breza të mëvonshëm: “O i Dërguari i Allahut! Ti bëj atë që të ka urdhëruar Zoti. Ne jemi me ty. O i Dërguari i Allahut! Ne nuk të themi ty siç i thanë bijtë e Izraelit Musait (a.s.): Shko ti me Zotin tënd dhe luftoni me ta. Ne do të rrimë këtu.[2] Ne të themi: Ec (drejt armikut) dhe ne jemi bashkë me ty! Dhe betohem në Allahun që të ka dërguar me të vërtetën, se sikur të na prish deri në Berku’l-Gimad (një vend shumë i largët), ne do të marshojmë bashkë me ty deri atje.” Ky qëndrim i muhaxhirëve e gëzoi tej mase Profetin dhe kjo fjalë sikur ia largoi të gjitha shqetësimet.

Njeriu i besës është ai që zbaton pa mungesa detyrimet që ka në marrëdhënie me Zotin, me vetveten, me njerëzit dhe me krijesat e tjera. Nëse pyetet se ndaj kujt duhet treguar besnikëri, pa dyshim që për një besimtar, i pari që vjen në mend është Krijuesi i gjithçkaje, Allahu Fuqiplotë. Ai është i pari ndaj të cilit besimtari ndjen besnikëri në zemrën e tij, duke zbatuar urdhrat dhe duke qëndruar larg ndalesave. Pas besnikërisë ndaj Allahut, besnikëria më e lartë është ndaj Krenarisë së Gjithësisë, Profetit Muhamed (a.s.). Kjo besnikëri bëhet e mundur me zbatimin e Sunetit të tij, pra, duke ndjekur rrugën e Profetit tonë të nderuar.

Dëshmia e besnikërisë së personit ndaj fesë së tij, shfaqet përmes së jetuarit të vazhdueshëm në drejtim të urdhrave të fesë, duke vepruar sipas tyre kur ato ballafaqohen me sprovat, përfitimet, kërkesat, dëshirat dhe lakmitë e dynjasë.

Besnikëria është një virtyt që duhet treguar ndaj kujtdo dhe në çdo fushë ku është prezente përgjegjësia. Veçanërisht duhet përmendur bashkoshorti dhe bashkëshortja ndaj së cilës personi gjatë gjithë jetës ka marrë përsipër të drejta e përgjegjësi dhe me të cilën ndan momentet më intime. Besnikëria e ndërsjellë, dashuria, respekti, ruajtja e nderit dhe e pastërtisë, qëndrimi pranë njëri-tjetrit në çaste të lumtura e të vështira, mbështetja morale e materiale për njëri-tjetrin etj., janë të gjitha çështje që mbajnë në këmbë familjen dhe për të cilat jepet premtim i ndërsjellë. I Dërguari i Allahut në Hutben e Lamtumirës ka porositur: “Dijeni se ashtu siç ju keni të drejtat tuaja mbi gratë tuaja, edhe ato kanë të drejtat e tyre mbi ju.[3]

Gjithashtu, në kuadër të strukturës sociale, si punëtori dhe punëdhënësi duhet t’i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të besnikërisë. Me besnikëri të punëdhënësit ndaj punëtorit, gjërat e para që vijnë në mend janë: Punëdhënësi duhet t’ia caktojë dhe njoftojë paraprakisht pagën punëtorit, t’ia paguajë atë para se t’i jetë tharë djersa në ballë, dhe t’i përmbahet marrëveshjes së bërë. Edhe punëtori duhet të jetë besnik ndaj punëdhënësit, duhet ta bëjë punën më së miri dhe duhet të jetë i ndjeshëm ndaj pasurisë së punëdhënësit si të ishte e tij. Për besnikërinë dhe plotësimin e detyrimeve në marrëveshje, kontrata, në fjalë, në peshë e masë ka ajete Kuranore që flasin qartë.[4]

Besnikëria mbi të gjitha është një cilësi profetike. Të gjithë të dërguarit e Allahut, nga profeti i parë deri te i fundit, kanë qenë besnik kauzës së tyre dhe të besës kur lidhnin marrëveshje me njerëzit në jetën e përditshme. Profeti Muhamed (a.s.) nuk i ka harruar asnjëherë shokët e tij, të cilët luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugë të Islamit, derisa ranë dëshmorë. Herë pas herë ai shkonte në varrezat Xhenetu’l Baki dhe të dëshmorëve, i vizitonte dhe lutej për ta. Të afërmit e nënës së qumështit, Halimes, si dhe të gruas së tij të parë, Hatixhes, nuk i harronte. Sa herë që takohej me ta i nderonte dhe kujdesej shumë. Kur i paraqiteshin dhurata, ja dërgonte atyre. Shembujt e shumtë nga jeta e tij në këtë drejtim, janë dëshmi e gjallë e këtyre fjalëve.

Pas çlirimit të Mekes, Profeti ndenji aty 15 ditë. Disa nga Ensarët u shqetësuan dhe filluan të mendojnë se ai nuk do të kthehet më në Medine. Fundja, Allahu i kishte dhënë çlirimin e vendit të tij ku kishte lindur dhe ishte rritur. Ndërkohë që Profeti ishte duke u lutur në kodrën Safa, e ndjeu shqetësimin e tyre dhe pasi mbaroi lutjen i pyeti: Për çfarë po flisni? Kur Ensarët ja shprehën shqetësimin e tyre, i Dërguari i Allahut, duke shfaqur një shembull të madh besnikërie u tha: “O Ensarë! I kërkoj mbrojtje Allahut që të bëj diçka të tillë. Unë jam shpërngulur në vendin tuaj. Jeta ime është jeta juaj, edhe vdekja ime do të jetë pranë jush.” Pas këtyre fjalëve, Ensarët u qetësuan.[5]

Mes besimit dhe besnikërisë ka një lidhje të ngushtë. Besnikëria është veçanti e njerëzve që kanë të përbashkëta në ndjenja, në mendime dhe në ide. Ndjenja si mëria, urrejtja dhe smira janë armiqtë kryesorë të besnikërisë. Ka pasur nga ata që besnikërinë e kanë përshkruar si njësim të njeriut me zemrën. E vërteta është se, ndër njerëzit që nuk kanë një jetë të zemrës e të shpirtit, nuk është e lehtë të bëhet fjalë për besnikëri.

Në ditën e gjykimit, kur njerëzit do të jenë shumë nevojtarë dhe kur askush nuk do të ketë mundësi ta ndihmojë tjetrin, besnikëria do të vijë në gjëndjen e kapitalit më të çmueshëm. Ata që në këtë botë jetojnë me këtë cilësi, në botën tjetër do të marrin shpërblime të shumta dhe do të shpëtojnë për shkak të besnikërisë që do t’i ndihmojë në çastet e vështira. Allahu (xh.sh.) e përshkruan kështu atë ditë:  “Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhenete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në to. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh.[6]… Allahu Teala ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh për burrat dhe gratë e sinqerta.[7]

Besnikëria e Hz. Ebu Bekrit ndaj Profetit tonë të dashur ka qenë gjithnjë një shembull besimi për t’u marrë si model. Përvoja e Israsë dhe Miraxhit e të Dërguarit të Allahut (a.s.) pas së cilës ai tha se kishte udhëtuar nga Mesxhid’ul-Harami në Mekke drejt Mesxhid’ul-Aksasë në Jeruzalem, për njerëzit qe një mundësi e mirë e testimit të kësaj besnikërie. Edhe idhujtarët e kërkonin një mundësi të tillë. Ata u mblodhën dhe shkuan drejt e tek shoku i tij më i ngushtë e më besnik, Ebu Bekri, që t’i tregonin për këtë pretendim të Muhammedit (a.s.) dhe të arrinin diçka me këtë. Me emocion dhe tallje i rrëfyen Ebu Bekrit udhëtimin e papërfytyrueshëm deri në Mesxhid’ul-Aksa të njeriut që ai e pasonte. Shpresonin që Ebu Bekri të pendohej dhe të kthehej në fenë e tij të vjetër. Por nuk e dinin se i kishin bërë llogaritë gabim. Sepse përballë tyre kishin Ebu Bekrin që ishte i pari prej burrave që i ishte përgjigjur ftesës së të Dërguarit të Allahut në të vërtetën, ishte besimtar që ecte vetëm drejt në rrugën e së vërtetës. Përgjigja që ai iu dha, ndërsa prisnin që ai të kthehej në llumin e idhujtarisë së tyre, do të bëhej simbol i besnikërisë ndaj Profetit për të gjithë besimtarët. Dhe qartazi tha këto fjalë: “Nëse këtë e thotë ai (Muhammedi i Besueshmi) është absolutisht e vërtetë.” Pas këtij rasti myslimanët i dhanë Ebu Bekrit pseudonimin “Sidik” (Besniku).

I Dërguari i Allahut, duke dhënë sihariqin se ata që nuk largohen nga e drejta dhe ata që në çdo gjendje të tyre e jetësojnë sinqeritetin dhe besnikërinë, do të shkruhen si “sidik” (besnik) tek Allahu, kurse ata që i kthejnë shpinën besnikërisë dhe rendin pas gënjeshtrës, do të shkruhen si “kedhab” (gënjeshtarë), ka thënë: “Mos iu ndani besnikrisë, sepse besnikëria të shpie në mirësi, kurse mirësia të shpie në xhenet. Personi thotë vazhdimisht të vërtetën derisa tek Allahu regjistrohet si besnik. Ruajuni gënjeshtrës! Sepse gënjeshtra të shpie në mëkate, kurse mëkatet të shpien në xhehenem. Njeriu flet vazhdimisht gënjeshtra derisa tek Allahu regjistrohet si gënjështar.[8]

Njeriu besnik është i drejtë në marrëdhëniet me njerëzit, nuk flet gënjeshtra, atë qëndrim që tregon me njeriun në prezencën e tij, atë qëndrim mban edhe në mungesë të tij, e çon në vend amanetin, është i drejtë në tregti. Dhe me këtë ndershmëri u ngjall besim edhe njerëzve të tjerë. Ndjenja e besimit që është një nevojë e natyrshmërisë njerëzore, është kusht i pazëvendësueshëm që marrëdhëniet të mund të ecin në drejtim të shëndoshë. Aty ku nuk ekziston besimi, ka dyshim, ndërsa aty ku ka dyshim, nuk mund të bëhet fjalë për sinqeritet e unitet.

Besimtari është njeri i besueshëm. Besueshmëria është cilësi e tij. Allahu i Madhërishëm i ka përshkruar besimtarët që do ta arrijnë shpëtimin duke vënë në dukje se, “ata u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra.[9] Kurse përkufizimi i të Dërguarit të Allahut është kështu: “Mysliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit njerëzit e tjerë janë të sigurt. Kurse besimtar është ai prej të cilit njerëzit janë të sigurt (se nuk do t’u vijë dëm) për jetën dhe pasurinë e tyre.[10]

Allahu është më i denji për t’ia respektuar amanetin. Çuarja në vend e amanetit të Allahut realizohet vetëm duke qenë “rob i mirë”, domethënë duke bërë një jetë me të cilën do të jetë i kënaqur Allahu i Lartësuar. Rruga e kësaj është saktësuar qartë në këtë thënie të Profetit (a.s.): “Thuaj: I besova Allahut dhe pastaj qëndro i paluhatshëm![11] Besimtari duhet të veprojë gjithnjë me vetëdijen se çdo gjë që i është dhuruar është amanet për të, kudo dhe kurdo duhet të jetë besnik ndaj besimit të tij, dhe me këtë qëndrim duhet të fitojë cilësinë e “të besueshmit”.

Dorian Demetja

[1] Rad, 13:20.

[2] Maide, 5:24.

[3] Tirmidhi, Rada’, 11.

[4] Isra, 17:34-35; Maide, 5:1; Merjem, 19:54; Shuara, 26:181.

[5] Muslim, Xhihad, 84, 86; Ibn Hanbel, II, 538.

[6] Maide, 5:119.

[7] Ahzab, 33:35.

[8] Muslim, Birr, 105.

[9] Mu’minun, 23:8.

[10] Nesai, Iman, 8; Ibn Hanbel, II, 380.

[11] Muslim, Iman, 62.