BISMIL’LAH, FJALA E PARË NË ÇDO PUNË  

Bismil’lahir-Rrahmanir-Rrahim, është titulli i shenjtë i tre vulave të Njësisë Hyjnore, e cila formon një rresht dritëdhënës në faqen e botës, një kordon të fortë dhe një filament të ndritshëm që rrethon gjithë rruzullin tokësor.

“Bismil’lah” është një fjalë e cila mbart në vete, një vlerë shumë të madhe. kushdo që e përmend atë shpesh dhe e ka në zemër, ka shpërblim të madh. Zemra e tij është e gatshme që në çdo çast të lidhet me Krijuesin e saj, shpirti i tij ka privilegj të dëshmojë bukurinë e krijimit dhe të fuqisë krijuese të Allahut!

Kjo fjalë ka zbritur nga Froni i Madh për njeriun, bashkudhëtar i universit, krijesa më e përsosur e Krijuesit të Gjithësisë. Ajo lidh botën tonë me Fronin Hyjnor dhe me botën e përjetshme, i jep vlerë të vërtetës së mëshirës dhe urtësisë së krijimit Hyjnor.

Allahu me Urtësinë dhe Mëshirën e Tij krijoi gjithësinë në mënyrën më të përsosur, në mes të saj, Bismilahi është rruga e dritës, shkëlqimi i së cilës e thërret njeriun drejt burimit të pashtershëm, rruga plot dritë shkëlqimi i së cilës kalon qiejt, e që ndodhet para syve tanë për të na treguar se si të ngjitemi te Mëshira Hyjnore.

Me këtë fjalë Nuhu a.s. iu lut Allahut që në kohët e vjetra, e ndërsa Sulejmani a.s., kur e thoshte këtë fjalë, i bindej çdo gjë.[1]

Në literaturën fetare thuhet se librat e zbritur nga Zoti për njerëzit janë 104. 60 fletushkat e Shitit a.s., 30 fletushkat e Ibrahimit a.s., 10 fletushkat e Musait a.s., Teurati, Ungjilli, Zeburi dhe Kur’ani.

Të gjitha kuptimet e librave të tjerë përmblidhen te Kur’ani, të gjitha kuptimet e Kur’anit përmblidhen te surja El Fatiha. Kuptimi i sures El-Fatiha përmblidhet te Bismilahi dhe të gjitha kuptimet e Bismilahit përmblidhen te shkronja  B, që në arabisht sipas kontekstit do të thotë “me”, ”në”, “prej”. Sipas disave, kuptimet e B-së përmblidhen te pika e saj e cila simbolizon njëshmërinë e Allahut, sepse Ai është një dhe i pashoq.[2]

Bismilahi ka 19 shkronja aq sa është dhe numri i rojeve të xhehenemit.[3]

“Kush do që Allahu ta shpëtojë nga Zebaniet, le të thotë Bismilah, që Allahu ta mbrojë  me çdo shkronjë nga secili prej tyre, kjo, sepse ata, engjëjt prej Bismilahit e marrin forcën dhe prej saj zbuten.”[4]

“Bismilahir-rahmanir-rahim është kopsht prej kopshteve të  Xhenetit. Çdo shkronjë prej saj ka koment më vete.”[5]

Kur njerëzit që do të futen në Xhenet do të thonë: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. E falënderojmë Allahun që na e bëri realitet premtimin e Tij dhe na ofroi tokën e xhenetit që të vendosemi aty ku të duam”. Sa shpërblim i mirë është ky për ato që vepruan drejt. Ndërsa ata që do të futen në xhehenem do të thonë: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Zoti  ynë nuk na dënoi padrejtësisht, por ne i bëmë padrejtësi vetes tonë.”[6]

Mendimtarë të shumtë myslimanë, teksa interpretojnë Bismilahin, nënvizojnë faktin se ajo përbëhet nga katër fjalë[7], ndërkohë që edhe mëkatet ndahen në katër kategori: në mëkate që bëhen natën, në mëkate që bëhen ditën,  në mëkate që kryhen në fshehtësi dhe mëkate që kryhen haptazi dhe sipas tyre, duke u bazuar në Kur’an dhe në traditën profetike, Allahu i Madhëruar do t’i falë mëkatet dhe sjelljen e keqe atij që i thotë këto katër fjalë me sinqeritet dhe pastërti.

“Bismilah”, është fillimi i të gjitha gjërave të mira. Ajo përmendet vazhdimisht nga të gjitha qeniet përmes gjuhës së gjendjes apo dhe prirjeve të tyre të natyrshme.

Ti je udhëtar dhe kjo botë është një shkretëtirë. Pafuqia dhe varfëria jote janë të pakufishme; armiqtë dhe nevojat e tua janë të pafund. Atëherë merr emrin e Sunduesit, Emrin e Allahut, që të jesh i shpëtuar nga të lypurit përpara të gjithë universit dhe nga dridhja e frika përpara çdo ngjarjeje.[8]

Bismilah është një thesar që nuk shteron kurrë, sepse me të lidhet “pafuqia jote” me një “Mëshirë të gjerë e Absolute”; lidhet “varfëria jote” me një “pasuri të madhe absolute”.

Duke thënë “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”, duke përmendur emrin e Allahut dhe duke vlerësuar e ngritur lart me meritë Mëshirën e Tij absolute, kështu shpëtojmë nga vetmia, nga brenga e sëmundja. Duke marrë dhe përcjellë mesazhin e Sulltanit të Gjithësisë ne afrohemi përherë një hap më pranë Tij. Ai është Krijuesi Mëshirëplotë mëshira e të cilit përfshin të gjitha botët.

Me “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” na tregohet se si të ngjitemi në shkallët e mirësisë për te Mëshira Hyjnore dhe të arrijmë qetësinë e shpirtit dhe lumturinë e kësaj bote, si dhe të fitojmë shpërblim me bukuritë e xhenetit në jetën e përtejme, Ahiretit.

Vlera, mirësia dhe madhështia e fjalës Bismilah kuptohet edhe në praninë e saj në kapitujt e Kur’anit Famëlartë, librit të gjithësisë, në krye të të gjithë librave të bekuar, si dhe në fillimin e të gjithë punëve të hajrit.

Çdo grimcë në këtë univers vepron dhe lëviz duke iu bindur plotësisht rregullit të përkryer me urdhër të të Plotfuqishmit. I gjithë universi është nën urdhrin, kujdesin dhe nën drejtimin e Tij.

Mëshira e Tij e ngre njeriun në gradat më të larta, e ngre në pozitën e të qenët marrësi i mesazheve të Tij dhe të bën ty shërbëtor të nderuar e të dashur pranë Tij.

Njerëzit që përpiqen të luftojnë brenda pafuqisë së tyre dhe nevojave të pafund, duhet të mësojnë se mëshira është mjeti më i fuqishëm për të arritur te Zoti i Gjithëlavdishëm.

Thuaj Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim, shpreh falënderime të sinqerta dhe respekt të madh dhe bëje atë si mjet për të shkuar te dera e asaj Mëshire dhe si ndërmjetësin tënd tek i Gjithëmëshirshmi Mëshirëplotë.

“O Zot! O i Gjithëmëshirshëm! O Mëshirëplotë! Nëpërmjet të vërtetës së Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim, na mëshiro neve siç i përshtatet Mëshirës Tënde dhe na bëj të kuptojmë misteret e “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim,” siç i shkon Mëshirëgjerësisë Tënde”.

A ka fjalë tjetër e cila të afron kaq shumë me Krijuesin?

 

Nadia Lika

[1] Ditën kur Allahu xh.sh., i zbriti Sulejmanit a.s.  “Bismilahin”, e urdhëroi t’i thirrte Esbatët (fiset izraelite) për t’u mbajtur një fjalim. Kur e dëgjuan lajmin, nuk mbeti asnjë pa ardhur, të gjithë të devotshmit, asketë dhe priftërinj u mblodhën rreth tij. Sulejmani a.s. hipi në minderin e Ibrahimit a.s. dhe e lexoi amanetin e mbrojtjes së Allahut: Bismil-lahir-rahmanir-rahim.

[2] Fetullah Gylen.

[3] “Mbi të  (xhehenem) janë 19 mbikëqyrës”  (Kuran, El Mudethir, 30).

[4] Ibni Mesudi r.a.

[5] Ebu Bekri.

[6] Profeti Muhamed.

[7] Bismil-lahir-rahmanir-rahim.

[8] Said Nursi, Fjalët.